Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhurata e Frymës së Shenjtë


10:57

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Vëllezër e motra, është një bekim i madh të mblidhemi me ju sonte.

Si sot pas tri javësh, do të jetë Dita e Krishtlindjes. Atë mëngjes, miliona fëmijë të vegjël do të zgjohen në një orar të paarsyeshëm dhe, me një ndërrim interesant rolesh, do t’i tërheqin prindërit për t’i nxjerrë nga shtrati. Duke hovur me padurim, ata do të mblidhen rrotull dhuratave të cilave ua kanë ngulur sytë për ditë me radhë.

Im atë e pëlqente shumë Krishtlindjen. Dhënia e dhuratave i sillte atij gëzim të madh dhe ai dhe nëna ime ishin shumë të zotë për këtë. Vëllezërit, motrat e mia dhe unë, si dhe shumë të tjerë, ishin përfituesit prej talentit të tyre. Disa nga dhuratat e tyre më të mira nuk ishin të prekshme – ishin përvoja që krijuan lidhje dashurie dhe kujtime të vyera. Ato kujtime më sjellin ende gëzim sot.

Duket me vend që dhënia dhe marrja e dhuratave është një pjesë qendrore e Krishtlindjes. Në fund të fundit, ne po kremtojmë dhuratën e pashembullt të Birit të Perëndisë, Shpëtimtarit Jezu Krisht. Patjetër, dhuratat tona për njëri-tjetrin nuk do të krahasohen kurrë me këtë dhuratë, por unë besoj se gëzimi i dhënies dhe i marrjes së dhuratave mund të na i kthejë zemrat drejt “dhurata[ve të] Perëndisë”1.

Dhurata e çmuar që është Biri i Perëndisë, e fton secilin prej nesh të gjejë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”2. Paqja mund të duket bishtnuese në një botë ku përleshjet dhe përçarjet po shtohen. Por ajo paqe është pikërisht ajo që Ati ynë i dashur dhe Biri i Tij i ofrojnë çdonjërit prej nesh, vetëm nëse do ta pranojmë atë.

Përfytyrojeni sa e çuditshme do të ishte nëse, mëngjesin e Krishtlindjes, ne do të uleshim rrotull pemës së Krishtlindjes, do t’i admironim dhuratat e mbështjella bukur, do të bisedonim rreth asaj që mund të kenë brenda, dhe më pas ta vazhdonim ditën tonë pa i hapur kurrë dhuratat!

Fatkeqësisht, kjo është ajo që ne bëjmë nganjëherë me dhuratat e Perëndisë për ne. Mbajini parasysh këto fjalë të Shpëtimtarit: “Çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”3

Sonte, dua t’i ftoj të gjithë të përsiatim se si mund t’i marrim me të vërtetë dhuratat që Perëndia na ka ofruar. Në veçanti, do të më pëlqente të përqendrohesha te dhurata e pakufishme e Frymës së Shenjtë. Teksa e bëj, lutem që Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë ta kuptojmë domethënien e kësaj dhurate, të na mësojë se çfarë mund të bëjmë për ta marrë atë më plotësisht dhe të na japë hir për të vepruar sipas asaj që ndiejmë.

Pse Është Fryma e Shenjtë një Dhuratë e Tillë Kaq e Dëshirueshme?

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një ngushëllues4,udhërrëfyes5, mësues6, shenjtërues7 dhe në këtë mënyrë një ndryshues i zemrave njerëzore8. Nëpërmjet Tij, ne mund të marrim fuqinë dhe tiparet e Perëndisë në jetën tonë.

Ju i mbani mend disa prej atyre tipareve: , “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli”9. Për mua ky tingëllon si një përshkrim i mirë i atij që shpesh quhet “shpirti i Krishtlindjes”. Premtimet e engjëjve për “lajmër[imin e] një gëzim[i] të madh” dhe për “paqe mbi tokë njerëzve”10 nga ajo natë e parë e Krishtlindjes përmbushen, pjesërisht, teksa marrim Frymën e Shenjtë.

Ne shpesh flasim mbi përpjekjen për ta mbajtur shpirtin e Krishtlindjes gjatë gjithë vitit. Në mënyrë të natyrshme ne duam që këto tipare hyjnore të zotërohen vërtet nga shpirtrat tanë përgjithmonë. Dhe Ati ynë i përsosur dëshiron që ne, fëmijët e Tij, t’i marrim këto dhurata. Ky është premtimi i madh i ungjillit të Jezu Krishtit – të na ndryshohen zemrat, që të mos kemi “më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”11, të mbushemi me “shpresë dhe dashuri të pastër”12. Këto dhurata të çmuara hapen për ne kur ne e marrim me të vërtetë Frymën e Shenjtë.

Në mënyrë domethënëse, dhurata e Frymës së Shenjtë na ofrohet me këto fjalë: “Merre Frymën e Shenjtë”.13 Do të doja të sugjeroja tre çelësa që do të na ndihmojmë ta marrim me të vërtetë këtë dhuratë të çmuar. Për ta bërë këtë, unë i kthehem një skene të thellë nga Libri i Mormonit. Krishti i ringjallur ka kaluar një ditë mrekullibërëse duke dhënë shërbesë midis njerëzve, duke u premtuar se do të kthehej të nesërmen. Fjala u përhap dhe me padurim të madh, njerëzit u mblodhën nga i gjithë vendi, disa pasi punuan gjithë natën në mënyrë që në mëngjes të ishin në vendin ku Jezusi do të shfaqej sërish.

1. Dëshirë Mbisunduese Shpirtërore

Teksa prisnin që Shpëtimtari të kthehej, dishepujt i dhanë mësim turmës atë që Jezusi u kishte mësuar ditën e kaluar.14 Anali më pas thotë se ata u gjunjëzuan dhe u lutën “për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë”15. Merreni parasysh për një çast se sa domethënëse është kjo – ata po e prisnin me ankth rikthimin e premtuar të Shpëtimtarit, por ata nuk u lutën për atë gjë. Pasi u ishte dhënë mësim nga mësuesi i përkryer dhe pastaj nga dishepujt e Tij të zgjedhur, ajo që ata dëshironin më shumë, ishte dhurata e Frymës së Shenjtë. Kjo dëshirë e fortë, mbisunduese shpirtërore është një çelës jetik për marrjen e kësaj dhurate.

Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Shumica prej nesh … kanë besim të mjaftueshëm për ta dëshiruar Frymën e Shenjtë me raste. Ajo dëshirë mund të jetë e dobët dhe e ndërprerë, por vjen, zakonisht kur jemi në telashe. [Por] që ne të mund të udhëhiqemi lart drejt sigurisë në kohën që na pret, ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe e fortë.”16 Vëllezër e motra, që ne ta marrim këtë dhuratë, nevojitet ta dëshirojmë atë me gjithë zemër.

2. Pjesëmarrja me Drejtësi në Ordinanca

Duke u rikthyer te skena në Librin e Mormonit, ne zbulojmë një çelës tjetër. Pasi u përgjëruan në lutje për dhuratën që dëshironin më shumë, Frymën e Shenjtë, dishepujt hynë në ujë dhe u pagëzuan. “Dhe ndodhi që pasi të gjithë ata u pagëzuan … Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.”17 Ordinanca e pagëzimit shërben si një dëshmi fizike e zotimit tonë për të kujtuar e për t’u bindur, e gatishmërisë sonë për ta marrë emrin e Krishtit mbi vete dhe e dëshirës sonë për ta marrë Frymën e Shenjtë.18

Çdo javë, ne kemi mundësinë ta përtërijmë atë dëshmi me anë të marrjes së sakramentit, “që të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”19. Ordinancat shoqëruese të pagëzimit dhe të sakramentit ndihmojnë për ta sjellë “fuqi[në] e perëndishmërisë” në jetën tonë.20 Në njëfarë mënyre, ato simbolizojnë edhe vendmbërritjen edhe procesin e të bërit i perëndishëm. Vendmbërritja jonë e dëshiruar është të bëhemi krijesa të reja në Krisht, “bijtë e tij dhe bijat e tij”21. Ajo vendmbërritje arrihet javë pas jave teksa mundohemi të kujtojmë e të bindemi. Unë ju ftoj që çdo javë të vini në sakramentin e Zotit me besim te premtimi i Tij se, për sa kohë i mbajmë besëlidhjet tona, ne do të mbushemi me Shpirtin, shkallë pas shkalle, “derisa dita [të jetë] e plotë”22.

Këtë vit, Dita e Krishtlindjes bie e diel. Çfarë bekimi është ta kremtojmë lindjen e Krishtit dhe Shlyerjen e Tij të përsosur teksa e marrim sakramentin atë ditë!

3. Besimi në Rritje

Çelësi i fundit dhe më i rëndësishmi që do të përmend është besimi në Jezu Krisht. Pasi Fryma e Shenjtë ra mbi dishepujt me fuqi të madhe, Krishti u shfaq dhe u lut, duke e falënderuar Atin e Tij që ua dha atyre këtë dhuratë të çmuar. Më pas, ai tha këto fjalë të rëndësishme: “Ti u ke dhënë atyre Frymën e Shenjtë, sepse ata besojnë në mua”23. Besimi te Shpëtimtari dhe te Shlyerja e Tij e përsosur është burimi i çdo dhurate të mirë.24

Besimi në rritje sjell dhurime më të mëdha të Shpirtit në jetën tonë. Pra, si e rritim besimin tonë në Krisht? Ne agjërojmë mbi fjalën e Tij dhe i bindemi asaj. Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia, At[i] dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti”25. Kjo e vërtetë gjendet në të gjithë Librin e Mormonit. Mbreti Beniamin, për shembull, ia dha mësim popullit të tij fjalët që mori nga një engjëll, gjë që i ndihmoi ata të kishin “besim të jashtëzakonshëm” te Jezu Krishti dhe për shkak të atij besimi, Shpirti shkaktoi një ndryshim të madh në zemrën e tyre.26

Nëse e dëshirojmë Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të përditshëm, do të agjërojmë mbi fjalën e Krishtit që merret nga shkrimet e shenjta, profetët e gjallë dhe pëshpëritjet e Shpirtit dhe do t’i bindemi asaj. Kjo ndjekje e përditshme e dritës dhe e së vërtetës, do ta rritë besimin tonë në Krisht, dëshirën tonë për qenë si Ai dhe aftësinë tonë për ta marrë anëtarin e tretë të Kreut-Perëndi si shoqëruesin tonë të përhershëm.

Vëllezër e motra, Perëndia na i ofron lirisht dhuratat e Tij të paçmueshme për Krishtlindje dhe gjatë gjithë vitit. Unë lutem që ne të mos i lëmë ato pa u hapur, por t’i marrim duke i rrotulluar këta çelësa. Dëshmoj se, teksa e bëjmë këtë, ne do të mbushemi, hap pas hapi dhe shkallë pas shkalle, me dashuri, gëzim, paqe, pastërti dhe fuqi. Ne do të bëhemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore”27. Ne do të gëzohemi nga dhurata dhe nga dhënësi i dhuratës. Dhe kur Ai të vijë përsëri, ne do të jemi të përgatitur “Mbretin t’pranoj[më]”28. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.