Mësimdhënia ndaj Rinisë dhe Të Rinjve e Të Rejave në Moshë Madhore
Qershor 2023 Fuqia e Jezu Krishtit dhe e Doktrinës së Kulluar


Fuqia e Jezu Krishtit dhe e Doktrinës së Kulluar

Fuqia e Jezu Krishtit dhe e Doktrinës së Kulluar – me Plakun Nil L. Andersen

E diel, 11 qershor 2023

Plaku Nil L. Andersen: Faleminderit, Plaku Gilbert. Faleminderit, Vëllai Ueb. Dy nga miqtë dhe kolegët e mi të dashur. I dua shumë.

A nuk ishte mahnitës ai kor? Dhe sa nderues! Ishit vërtet mbresëlënës. Faleminderit shumë!

Mendova për ato fjalë kur arritët te harmonia e strofës së tretë: “Zoti më ësht’ dritë; Zoti më ësht’ fort’si. Me forcën e Tij un’ shum’ do t’arrij.”1 Nëse do t’ua futnim ndjenjën e atyre fjalëve deri në palcë atyre të cilëve u japim mësim, ajo do t’i mbante sigurt.

Është mahnitëse të jesh në Tabernakull, apo jo? Nuk para vijmë shpesh këtu. Disa prej jush ndoshta nuk kanë qenë kurrë këtu më parë; jeni shumë të rinj në moshë. Disa prej nesh kanë shumë kujtime nga ky Tabernakull madhështor e i vjetër. Sa veta këtu kanë një kujtim të bukur ngaqë kanë qenë këtu më parë? (Ngrihen duart.)

Tridhjetë vjet më parë, Plaku Kristoferson dhe unë u thirrëm në konferencën e përgjithshme të prillit. Ishim ulur, siç më kujtohet, pikërisht atje, përpara se të shkonim te karriget e kuqe. Njëri nga Apostujt, Plaku Marvin Ashton, ishte i sëmurë në atë konferencë dhe kështu, Plaku Kristoferson dhe unë dhamë dëshmitë tona me përulësi. Ne nuk patëm shumë kohë për t’u përgatitur.

Kam një tjetër kujtim këtu që do t’jua tregoj.

Nuk kisha folur në Tabernakull që nga ajo dëshmi në vitin 1993. Po vinim në konferencën e fundit që do të mbahej këtu në Tabernakull; ishte në tetor të vitit 1999.

Ndodhi diçka që ishte shumë befasuese për mua. Ishte mëngjesi i së premtes përpara konferencës, në orën 7:30 në mëngjes. Isha në zyrën time kur ra zilja e telefonit. Zëri në anën tjetër tha: “Vëllai Andersen, jam Presidenti Hinkli”. Isha Autoritet i Përgjithshëm, por kalova shumë pak kohë me Presidentin Hinkli. Fjalët e para që më tha, dhe kjo është krejt e vërtetë, ishin: “Çfarë lloj zëvendësuesi je ti?” Vërtet nuk e dija se si të përgjigjesha, por thashë diçka nëpër dhëmbë. Ai vazhdoi: “Plaku Robert Hejls është i sëmurë. Ai do të operohet të hënën dhe nuk do të jetë në gjendje të flasë nesër në mëngjes. Do të donim që të zije vendin e tij për të folur të shtunën në mëngjes. Në rregull? Mirupafshim!” Ajo shkaktoi shumë orë të parehatshme. Ishte përvoja ime e vetme e dhënies së një bisedë sipas caktimit në konferencën e përgjithshme këtu në Tabernakull.

Po të kishim kohë, do të na pëlqente shumë t’i dëgjonim të gjitha përvojat tuaja.

Më lejoni ta filloj duke shprehur dashurinë time dhe dashurinë e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për secilin prej jush. E nderojmë dhe admirojmë thellësisht besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe punës së Tij të shenjtë. Këto janë ditë historike me rëndësi të madhe. Jeta e qindra mijëra shenjtorëve tanë të ditëve të mëvonshme në moshë të re gjendet mirësisht brenda ndikimit tuaj. Qoftë nëse u thirrët si mësues seminari ose instituti në lagjen apo kunjin tuaj, ose u zgjodhët si mësues në njërin prej 638 instituteve tona anembanë botës apo në seminaret tona në orët e lira; sapo e pyeta Vëllanë Ueb se sa klasa kishim dhe ai tha ndoshta rreth 80 000 klasa seminaresh. Seminaret në orët e lira, sigurisht, janë në shtetet perëndimore të SHBA‑së, Kanada dhe në shkollat e Kishës. Apo nëse shërbeni në ndonjë detyrë duke e ndihmuar punën e Seminareve dhe Instituteve, sinqerisht ju falënderoj në emër të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ne ju duam dhe lutemi për ju. Ju konsiderojmë bashkëdishepujt tanë të Jezu Krishtit teksa përgatitim një popull të drejtë anembanë kombeve, kulturave dhe gjuhëve të botës, në përgatitje për kthimin e lavdishëm të Shpëtimtarit në tokë.

Për t’ju nderuar ju dhe mësuesit fisnikë që ju paraprinë në këtë vepër të madhërishme, unë pata kohët e fundit një bashkëbisedim të shkurtër me Presidentin Endi Diaz, një president kunji këtu në Solt-Lejk-Siti. Folëm për një mësuese të tij të seminarit herët në mëngjes në rininë e tij. Ja lidhja shumë interesante. Pasi u bashkua me Kishën në moshën 13‑vjeçare në qytetin e Tampës në Florida, Presidenti Diaz filloi të frekuentonte seminarin një vit më vonë në të njëjtën klasë të seminarit herët në mëngjes me bashkëshorten time të mrekullueshme, Kethin. Tani, do të vini re se ai duket shumë më i vjetër se Kethi. Jeta na trajton të gjithëve ndryshe. Mësuesja ishte nëna e Kethit, vjehrra ime e ardhshme, Motra Marta Uilliams. Dëgjojeni këtë bashkëbisedim të shkurtër midis meje dhe Presidentit Diaz.

[fillon materiali filmik]

Plaku Andersen: Jam sot këtu me Presidentin Endi Diaz, president i Kunjit Rivërsajd të Solt‑Lejkut. Presidenti Diaz dhe unë kemi diçka të përbashkët dhe kjo është që bashkëshortja ime, Kethi, ishte në klasën e tij të seminarit më shumë se 50 vjet më parë dhe për më tepër, mësuesja e tyre ishte nëna e Kethit, Motra Marta Uilliams. Ajo ishte një zonjë e mahnitshme. Unë, sigurisht, e njihja mirë. Ajo tashmë ka ndërruar jetë. Por doja të mësoja disi, më shumë se 50 vjet më vonë, për ndjenjat rreth Motrës Marta Uilliams nga një burrë që tani është president kunji, i cili u bashkua me Kishën kur ishte 13 vjeç dhe më pas shkoi në seminar një vit më vonë. Na jep një ide përmbledhëse, Presidenti Diaz, rreth kësaj gruaje që ishte mësuesja jote e seminarit.

Presidenti Endi Diaz: Ajo ishte ndoshta njëra nga tri gratë më ndikuese në jetën time – nëna ime, bashkëshortja ime dhe Motra Ulliams.

Plaku Andersen: Mos po e tepron ca?

Presidenti Diaz: Nuk po e teproj.

Plaku Andersen: Si mund të ishte ajo kaq e rëndësishme për ty?

Presidenti Diaz: Më ndihmoi të rritesha në ungjill dhe të mësoja për të, sepse isha një anëtar krejt i ri në Kishë në moshën 13 vjeç dhe më pas, kur isha 14 vjeç, fillova seminarin. Ajo ishte në thelb personi që më ndihmoi të mësoja ungjillin. Kur isha në vitin e tretë të shkollës së mesme, fillova një punë që më duhej të shkoja në punë në orën dy të mëngjesit, dhe shkoja nga puna drejt e në seminarin herët në mëngjes në orën gjashtë sepse nuk doja të mungoja; aq i rëndësishëm ishte për mua. Ajo e kishte krijuar tashmë atmosferën “Le të kemi një përvojë shpirtërore” dhe unë i doja ato përvoja shpirtërore.

Plaku Andersen: A qëndroi ajo në pastërtinë e ungjillit dhe thjeshtësinë e ungjillit apo ishte ajo, më kujtohet që 50 vjet më parë në disa prej klasave të mia ne po shqyrtonim gjëra për të cilat nuk dinim asgjë.

Presidenti Diaz: Sigurisht ajo po më mësonte doktrinat e kulluara të Krishtit. Ajo foli për besimin, pendimin dhe gjërat që kemi nevojë t’i bëjmë me qëllim që të kthehemi tek Ati ynë në Qiell, duke duruar deri në fund.

Plaku Andersen: A të ndihmoi për kthimin tënd në besimin te Shpëtimtari Jezu Krisht, kthim i cili ka vazhduar gjatë gjithë jetës sate?

Presidenti Diaz: Po, e bëri. Ngaqë më ndihmoi të kem një marrëdhënie me Atin tonë në Qiell dhe me Shpëtimtarin. Mësova për Shpëtimtarin nga ajo. Të gjitha gjërat që ishin në shkrimet e shenjta, të cilat ajo ishte në gjendje të na i hapte, për sa i përket të kuptuarit dhe atyre doktrinave që dha mësim Shpëtimtari. Ajo kishte një dëshmi, dhe nuk e mbaj mend kurrë që ta mbaronte mësimin pa dhënë dëshminë e saj për ungjillin e Shpëtimtarit dhe për gjërat që ajo po jepte mësim atë ditë; kjo ishte vërtet e rëndësishme. Ishte një person tejet energjik; ajo të përfshinte në dashurinë që kishte për ungjillin. Ndërsa e vëzhgoja, më pas do të përpiqesha të bëja atë që po bënte ajo.

Plaku Andersen: Pra Presidenti Diaz, kur kujton të shkuarën, po t’u thoshe diçka mësuesve të seminareve dhe instituteve dhe dikujt si ti, të ri në Kishë, të sapoardhur, çfarë do t’i nxitje të bënin?

Presidenti Diaz: Duajini studentët tuaj. Lërini të dinë se ju e doni Atin Qiellor dhe se Ati Qiellor i do ata. Se Shpëtimtari i do ata. Nëse do t’i ndiqni Perëndinë dhe profetët e Tij, do të mund të ktheheni sërish e të jetoni me Atin tonë Qiellor përsëri.

Plaku Andersen: Pra, jam i sigurt se prindërit e tu do të ishin shumë krenarë për ty. E di se edhe Motra Uilliams, e cila ka 25 vjet që e ka lënë këtë botë, do të ishte shumë krenare për ty.

Presidenti Diaz: Kjo më bën shumë të lumtur.

Plaku Andersen: Faleminderit shumë. Faleminderit që na i tregove këto gjëra.

Presidenti Diaz: S’ka përse.

[mbaron materiali filmik]

Plaku Andersen: Vëllai dhe Motra Diaz janë me ne këtu sonte. A do të ngriheni në këmbë, Vëllai dhe Motra Diaz, që ne të mund t’ju japim falënderime? Faleminderit shumë.

Presidenti Diaz është përfaqësues i ndikimit që keni dhe do të vazhdoni të keni mbi brezin e ri për shkak të besimit tuaj te Shëlbuesi dhe mënyrës se si e ngrini Atë lart si drita në gjithçka që thoni e bëni.

Me shërbimin tuaj tashmë kaq shembullor, lutja ime sot është që unë të mund të flas me ju për një ose dy ide që do të jenë lartësuese shpirtërisht për ju dhe t’ju ndihmojnë ta forconi shërbimin e drejtë që po jepni.

Ja ideja e parë për ju: Le të japim mësim dhe të dëshmojmë më shpesh dhe më fuqishëm për Jezu Krishtin.

Mendoni se si këto fjalë nga Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e fundit të përgjithshme të prillit të kaluar janë aktuale për studentët të cilëve u jepni mësim: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!”2

Kur u thirra si Autoritet i Përgjithshëm 30 vjet më parë në fillim të viteve 1990, nëntë nga dhjetë të rritur amerikanë në Shtetet e Bashkuara identifikoheshin si të krishterë. Sipas Qendrës Kërkimore Pju, të krishterët në Shtetet e Bashkuara janë tani 64 përqind e popullsisë dhe ka shumë të ngjarë që do të bien nën 50 përqind brenda pak dekadave. Kombe të tjera kanë hasur ose po hasin sfida të ngjashme të besimit.

Sigurisht, jo të gjithë ju që po merrni pjesë sot, jeni nga vende ku krishterimi është feja mbizotëruese dhe shumë prej jush janë nga zona ku besimi te Jezu Krishti mbetet i fortë. Por kudo ku jetojmë, ne kuptojmë se udha drejt jetës së përjetshme fillon me një kthim të thellë dhe të vendosur në besim te Shpëtimtari ynë, me një nderim për jetën dhe misionin e Tij hyjnor.

“Thomai i tha: ‘Zot, … si mund ta njohim udhën?’ Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’.”3

Në mesazhin e hapjes në broshurën Për Forcën e Rinisë, Presidenca e Parë shkruan: “Ju jeni vërtet mes shpirtrave të zgjedhur të Atit Qiellor, të dërguar në tokë në këtë kohë për të bërë gjëra të rëndësishme. … Drejtohuni te Shpëtimtari. Ai është ‘forca e rinisë’.”4

Kohët e fundit isha në ndërtesën e seminarit të nipërve dhe mbesave të mia. Më la mbresë që në mure kishte shumë figura të Shpëtimtarit, të vetë fjalëve të Tij dhe shkrime të tjera të shenjta që dëshmojnë për Të.

Vëllai Çad Ueb ka dhënë mësim këtë parim: “Mënyra e vetme më e rëndësishme me anë të së cilës ne mund të ndihmojmë për rritjen e besimit të brezit të ri, është që ta vendosim më plotësisht Jezu Krishtin në qendër të mësimdhënies dhe të mësuarit tonë”5.

A nuk u ndikuam thellësisht në konferencën e përgjithshme të prillit kur Presidenti Dallin H. Ouks citoi fjalët e Nefit: “Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”6 dhe më pas ai e përdori pjesën tjetër të mesazhit të tij të fuqishëm që të jepte “një përzgjedhje [të] fjalëve të Shpëtimtarit tonë – ajo që Ai tha” në Dhiatën e Re dhe në Librin e Mormonit. Presidenti Ouks e mbylli me këtë shpallje thjesht profetike: “Unë e pohoj të vërtetën e këtyre mësimeve në emrin e Jezu Krishtit, amen”7.

Ka fuqi të jashtëzakonshme në fjalët e Jezu Krishtit:

“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni”8.

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.”9

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. … Unë jam drita dhe jeta e botës.”10

Nëse ndonjëherë e pyetni veten se çfarë të thoni, flisni fjalët e Shpëtimtarit. Flisni për përvojat e Tij; flisni për shëmbëlltyrat e Tij; flisni fjalët e shkrimit të shenjtë dhe të profetëve që dëshmojnë për Të.

Teksa japim mësim dhe dëshmojmë për Jezu Krishtin, Fryma e Shenjtë do të pohojë në zemrat e dishepujve tanë të rinj të vërtetën e jetës dhe mësimeve të Tij me një fuqi më jetëgjatë sesa fuqia e vetë mësimdhënies sonë.

Le të marrim parasysh me përulësi nëse po bëjmë gjithçka duhet në mësimdhënie dhe dëshmim, siç na kërkoi Presidenti Nelson, për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij, ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit.

Ngaqë modeli ynë i mësimdhënies në të shkuarën mund të mos jetë i mjaftueshëm për sot dhe atë që do të vijë në të ardhmen, le ta zgjerojmë të kuptuarit tonë dhe, siç këshilloi Presidenti Nelson, të “mëso[jmë] më shumë” vetë dhe t’i nxitim rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës që të “mëso[jnë] më shumë” për “jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit”11.

Tani, ideja ime e dytë: Le ta mbajmë doktrinën të kulluar e të thjeshtë.

Ajo që dimë vërtet rreth Atit tonë Qiellor; Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit; jetës sonë para vdekshmërisë; planit të Atit tonë për lumturinë për ne; parimeve të besimit dhe pendimit; ordinancave shpëtuese, urdhërimeve, besëlidhjeve, bindjes dhe durimit; dhe bekimeve tona të premtuara përtej kësaj bote të vdekshme – të gjitha këto gjëra janë kaq bukur të qarta, sa kurrë nuk duhet të ndiejmë nevojën që të shkojmë “përtej shenjës”12, siç na mësojnë shkrimet e shenjta.

Ne e përqendrojmë mësimdhënien tonë tek Ati ynë Qiellor, Jezu Krishti dhe doktrina e zbuluar prej Tyre, për ta ndihmuar rininë tonë që ta rritë besimin tek Ata, të bëhet e kthyer në besimin tek Ata dhe të marrë bekimet e premtuara prej Tyre.

Doktrina e Krishtit gjendet në shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve, përgjegjësia e të cilëve është të komunikojnë vullnetin e Zotit.

Doktrina në shkrimet e shenjta dhe e dhënë mësim nga profetët përfshin parimin e dëshmitarëve të shumtë që e keni dëgjuar shpesh në konferencën e përgjithshme, dhe që unë e thashë më shumë se 10 vjet më parë: “Disa e vënë në dyshim besimin e tyre, kur gjejnë një thënie të një udhëheqësi të Kishës dekada më parë, që duket në mospajtim me doktrinën tonë. Ekziston një parim i rëndësishëm që qeveris doktrinën e Kishës. Doktrina jepet mësim nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë e të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede. Parimet e vërteta jepen mësim shpesh e nga shumëkush. Doktrina jonë nuk është e vështirë për t’u gjetur.”13

A mund ta shihni rëndësinë e sjelljes vazhdimisht të mësimeve të profetëve dhe apostujve në diskutimet tuaja në klasë? Drejtimet e Zotit për pyetjet dhe shqetësimet në botën tonë bashkëkohore vijnë nga ata që janë shuguruar me autoritet apostolik. Nëse besimi te profetët dhe apostujt po pakësohet, shpërqendrimet, drejtimet dhe arsyetimet e shtrembra të botës mund ta shkëputin dikë nga bindjet e tij ose të saj shpirtërore. Me dëshirë priteni konferencën e përgjithshme dhe diskutojini mësimet e rëndësishme që vijojnë. Përcaktoni qartësisht rolin e shenjtë të të vajosurit të Zotit. Ndërkohë që bota largohet gjithnjë e më shumë nga urdhërimet e Perëndisë, roli i Apostujve do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Për ta mbajtur të pastër dhe të kuptueshme doktrinën e Zotit, jini të kujdesshëm që të qëndroni brenda kufijve që ka vendosur Perëndia, duke iu shmangur gabimeve që vijnë nga spekulimi dhe idetë vetjake jodoktrinore. Ide të tilla mund të jenë shumë tërheqëse për disa, por nuk e kanë forcën e së vërtetës që e forcon besimin.

Më pëlqen mësimi që Presidenti Dallin H. Ouks ia dha të birit, kur i biri bëri një pyetje që nuk ishte e shpjeguar qartë në doktrinën e Krishtit. Përgjigjja e tij: “Bir, nuk e di përgjigjen e asaj pyetjeje, por më lejo t’i përgjigjem një pyetjeje që ia di vërtet përgjigjen”. Ai më pas dëshmoi për Profetin Jozef Smith dhe Vegimin e Parë. Le të jemi të gatshëm të themi: “Nuk di për këtë gjë, por kjo është ajo që vërtet e di”.

Merrini parasysh këto pyetje dhe përgjigje:

“Vëllai Xhons, cila është lidhja midis Shpërthimit të Madh dhe Adamit dhe Evës?” “Nuk ia di përgjigjen kësaj pyetjeje, por më lejoni t’ju tregoj atë që vërtet dimë rreth Adamit dhe Evës.”

“Motra Gonzalez, pse nuk dimë më shumë rreth Nënës sonë në Qiell?” “Nuk ia di përgjigjen asaj pyetjeje, por vërtet e di se ti je ‘një bijë e dashur e prindërve qiellorë, me një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm’14”.

Mendoni se si mund t’i ktheni pyetjet e mira, por edhe pyetjet që kanë prirje spekulimi, në përgjigje që ndërtojnë besim te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ja një sfidë për ju. Ndihmoni të rrënjoset te studentët tuaj ideja që të gjitha pyetjet nuk janë krijuar të barabarta. Të kuptuarit dhe pjekuria shpirtërore ndihmojnë që të veçohen pyetjet e rëndësishme nga pyetjet interesante.

Me saktësi, qartësi e thjeshtësi, ne e ftojmë dëshmimin pohues të Frymës së Shenjtë. “Kur të vijë Ngushëlluesi, … [madje] Fryma e së vërtetës, … ai do të dëshmojë për mua.”15

Brigam Jangu i përshkroi mësimet e Jozef Smithit në këtë mënyrë: “Ai e mori qiellin, duke folur në mënyrë figurative, dhe e zbriti poshtë në tokë; dhe e mori tokën, e ngjiti lart dhe shpalosi, me qartësi dhe thjeshtësi, gjërat e Perëndisë”16.

Bëni kujdes që rrëfimet dhe historitë që ju janë treguar, të mos zbukurohen. Përpiquni të siguroheni që shkrimet e shenjta ose thëniet që po citoni, të jenë në kontekstin për të cilin synoheshin.

Është e lehtë të tërhiqemi nga diçka e re ose tepër intriguese përtej kufirit të kuptueshmërisë sonë. Qëndroni brenda sigurisë së doktrinës së kulluar dhe të thjeshtë.

Bëni kujdes me zgjedhjen tuaj të mjeteve të komunikimit, historive vetjake dhe mësimeve me sende. Kur përdoren me efektshmëri, ato e shtojnë interesin dhe thellësinë. Nëse theksohen më shumë nga ç’duhet, ato mund ta largojnë vëmendjen nga mësimdhënia juaj. Metoda mund ta errësojë mesazhin.

Profeti Alma dëshmoi se lajmet e mira të ungjillit u “bë[n]ë të njohura me gjuhë të qartë, që ne mund të kuptojmë dhe të mos të gabojmë”17.

“Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?”18

Mendoni se si këto shkrime të shenjta janë të qarta në mënyrë kaq të bukur:

“Ejani tek unë.”19

“Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë [çdo ditë] kryqin e vet dhe të më ndjekë.”20

“Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve.”21

“Ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë.”22

“Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.”23

Në predikimin e tij të fuqishëm “Dëgjojeni Atë”, Presidenti Nelson tha: “[Ati Qiellor] komunikon me thjeshtësi, qetësi dhe me një qartësi të tillë mahnitëse saqë ne nuk mund ta keqkuptojmë Atë”24.

E qartë, e saktë, e thjeshtë është mënyra hyjnore e mësimdhënies.

Jini të urtë teksa baraspeshoni doktrinën që e jepni mësim. Jepini peshën e duhur një pike të doktrinës brenda kontekstit të të vërtetave të tjera që lidhen me të. Mbani mend këshillën e Shpëtimtarit rreth mësimdhënies së urdhërimeve: “Këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat”25.

Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi: “Parimet e ungjillit ndërthuren së bashku në një pëlhurë që i mban të kontrolluara dhe të baraspeshuara me njëra‑tjetrën”26.

Mendojeni këtë: Dashuria e Perëndisë dhe ligjet e Perëndisë, falja dhe pendimi, dashuria për Perëndinë dhe dashuria për të tjerët, liria e zgjedhjes dhe përgjegjshmëria.

Siç është thënë shumë herë, mos jepni mësim vetëm që të kuptoheni, por jepni mësim me qëllim që të mos keqkuptoheni.

Së fundi, siç e dimë ne të gjithë kaq mirë, këto të vërteta duhet të përhapen në një klimë që e mirëpret dhe e nxit Shpirtin. Nuk mund ta detyrojmë Shpirtin. Lutemi për Shpirtin dhe e ftojmë Shpirtin, por nuk mund të përpiqemi artificialisht ta prodhojmë një përvojë shpirtërore.

Më shumë se 30 vjet më parë, Presidenti Dallin H. Ouks më tregoi për një përvojë me bijën e tij Xhenin, e cila në atë kohë ishte ende adoleshente. Ja fjalët e tij: “Xheni mori pjesë në një orë mësimore ose aktivitet të Të Rejave kur ishte adoleshente. Kur erdhi në shtëpi, bashkëshortja ime dhe unë e pyetëm se si shkoi ai takim, siç bëjnë prindërit. Xheni tha: ‘Epo, mësuesja tha: “Sonte do të kemi një përvojë shpirtërore. Nëse të gjitha do të kapen përdore në rreth, ne do të kemi një përvojë shpirtërore.”’”

Vazhdoj të citoj Presidentin Ouks: “E pyeta Xhenin: ‘Si u ndjeve?’ Ajo tha: ‘Thjesht nuk u ndjeva rehat’.” (Ndoshta sot, 30 vjet më vonë, mund të themi: “Ma shpifi”. Nuk jam i sigurt se cilat janë fjalët e duhura.) Presidenti Ouks vazhdoi: “Unë thashë: ‘Jam i gëzuar sepse kur dëgjoj diçka si kjo, edhe unë nuk ndihem rehat’.” Më pas Presidenti Ouks tha: “I mësova asaj se si përvojat shpirtërore nuk organizohen me orare, por ndodhin kur ne po kërkojmë ndikimin e Shpirtit të Zotit”.

A e kujtoni dashurinë që ndjeu Presidenti Diaz nga mësuesja e vet e seminarit, Motra Uilliams? Ne e ftojmë Shpirtin kur japim mësim me dashuri, paqe, butësi, urtësi dhe besim.

Ju të gjithë e dini këtë shkrim të shenjtë: “Ai që e pranon fjalën me anë të Shpirtit të së vërtetës, e pranon atë siç predikohet nga Shpirti i së vërtetës. … Si rrjedhim, ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku.”27

Prandaj kjo nuk varet vetëm nga ju, por edhe nga njerëzit në klasën tuaj. Studentët tanë do të mësojnë nga ju se vetëm nëpërmjet bindjes dhe gjithmonë duke e kujtuar Atë, mund të kenë vazhdimisht Shpirtin e Tij me vete.

Këtu janë fjalët e Presidentit Ajring:

“Doktrina e fiton fuqinë e saj kur Fryma e Shenjtë e pohon se ajo është e vërtetë. Ne i përgatitim njerëzit të cilëve u japim mësim, sa më mirë që mundemi, për të marrë nxitjet e heshtura të zërit të qetë e të vogël. Kjo kërkon të paktën ca besim te Jezu Krishti. Kërkon të paktën ca përulësi, ca gatishmëri për t’iu dorëzuar vullnetit të Shpëtimtarit për ne. Personi që do të ndihmonit, mund të ketë pak nga këto gjëra, por ju mund ta nxitni që të dëshirojë të besojë. Më shumë se kjo, ju mund të merrni vetëbesim nga një tjetër prej fuqive të doktrinës. E vërteta mund ta përgatitë udhën e saj vetë. Thjesht dëgjimi i fjalëve të doktrinës mund të mbjellë në zemër farën e besimit. Madje dhe një farë e vockël besimi te Jezu Krishti e fton Shpirtin.”28

Fjalë të bukura. Pra, keni qenë shumë nderues. Faleminderit kaq shumë që më lejuat ta kaloj këtë kohë me ju. Ju duam dhe ju falënderojmë për gjithçka bëni që ta forconi rininë tonë dhe të rinjtë beqarë në moshë madhore dhe që ta forconi besimin e tyre te Jezu Krishti.

Si shërbëtori i Zotit dhe me autoritetin tim apostolik, unë ju bekoj që mendjet dhe zemrat tuaja të mbushen me dashurinë, mëshirën, mësimet dhe një nderim të thellë për flijimin e pakrahasueshëm shlyes të Zotit tonë Jezu Krishtit. Ju bekoj, nëse është dëshira juaj, që aftësia juaj për ta dhënë mësim doktrinën e Krishtit me pastërti e fuqi do të rritet dhe që ju do të shihni e ndieni dëshminë pohuese të Frymës së Shenjtë mbi studentët tuaj të mirë.

Ju lë me dëshminë time të sigurt dhe të palëkundur se Jezusi është Krishti. Ju dëshmoj për premtimin e Tij kur Ai tha: “Prandaj kushdo që do të më rrëfe[jë] përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej”29. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër