Konferenca e Përgjithshme
Mësimet e Jezu Krishtit
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


14:7

Mësimet e Jezu Krishtit

Neve na janë dhënë shkrimet e shenjta për të na dhënë drejtim në jetën tonë. Mesazhi im sot përbëhet nga një përzgjedhje e fjalëve të Shpëtimtarit tonë – çfarë Ai tha.

Ne besojmë te Krishti. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne e adhurojmë Atë dhe i ndjekim mësimet e Tij në shkrimet e shenjta.

Përpara Rënies, Ati ynë Qiellor foli drejtpërsëdrejti me Adamin dhe Evën. Pas kësaj, Ati e paraqiti Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, dhe na dha urdhrin që ta “dëgjoj[më A]të”1. Nga ky udhëzim ne nxjerrim konkluzionin se analet e shkrimeve të shenjta që përmbajnë fjalët e thëna nga “Perëndia” ose “Zoti”, janë pothuajse gjithmonë fjalët e Jehovës, Zotit tonë të ringjallur, Jezu Krishtit.2

Neve na janë dhënë shkrimet e shenjta për të na dhënë drejtim në jetën tonë. Siç na dha mësim profeti Nefi, ne duhet të “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”3. Shumica e shkrimeve të shenjta që raportojnë shërbesat në vdekshmëri të Jezusit, janë përshkrime të asaj që Ai bëri. Mesazhi im sot përbëhet nga një përzgjedhje e fjalëve të Shpëtimtarit tonë – ajo që Ai tha. Këto janë fjalë të shënuara në Dhiatën e Re (përfshirë shtesat e frymëzuara të Jozef Smithit) dhe në Librin e Mormonit. Shumica e këtyre përzgjedhjeve janë sipas radhës në të cilën i tha Shpëtimtari ynë.

“Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”4

“Të bekuar janë ata [të cilët] janë të uritur dhe të etur për drejtësi, pasi ata do të mbushen me Frymën e Shenjtë.”5

“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.”6

“Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Mos shkel kurorën’.

Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.”7

“Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd’.

Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,

për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët’.”8

“Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;

por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.”9

“Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.”10

“Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.”11

“Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.”12

“Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.”13

“Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.”14

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”15

“Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten dhe të marrë kryqin e tij e të më ndjekë.

Dhe tani për një njeri të marrë kryqin e tij, do të thotë t’i mohojë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbatojë urdhërimet e mia.”16

“Prandaj, braktiseni botën dhe shpëtojini shpirtrat tuaj; pasi ç’përfitim ka një njeri nëse do ta fitojë gjithë botën dhe do ta humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?”17

“Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.”18

“Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.

Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.”19

“Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.”20

“Jezusi i tha: ‘Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.’”21

“[Urdhërimi i madh në ligjin është ky:] ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.

Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”22

“Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”23

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”24

“Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.”25

“Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam.”26

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”27

Pas shërbesës së Tij në Tokën e Shenjtë, Jezu Krishti iu shfaq njerëzve të drejtë në kontinentin amerikan. Këto janë disa nga fjalët që Ai tha atje:

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Unë krijova qiejt dhe tokën dhe të gjitha gjërat që janë në to. Unë isha me Atin që nga fillimi. Unë jam në Atin dhe Ati në mua; dhe në mua Ati lartësoi emrin e tij.”28

“Unë jam drita dhe jeta e botës. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi.

Dhe ju nuk do të më ofroni më derdhje gjaku; po, flijimet tuaja dhe olokaustet tuaja do të marrin fund, pasi unë nuk do të pranoj asnjë nga flijimet tuaja dhe olokaustet tuaja.

Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. …

Vini re, unë erdha në botë që t’i sjell shëlbim botës, për ta shpëtuar botën nga mëkati.”29

“Dhe përsëri unë ju them juve se duhet të pendoheni dhe të pagëzoheni në emrin tim, dhe të bëheni si një fëmijë i vogël ose përndryshe në asnjë mënyrë ju nuk mund të trashëgoni mbretërinë e Perëndisë.”30

“Prandaj, unë do të doja që ju të jeni të përkryer, madje, sikurse jam unë, ose të përkryer si Ati juaj që është në qiell.”31

“Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ju duhet të mbani sytë hapur dhe të luteni gjithnjë, që të mos tundoheni nga djalli dhe të mos çoheni në robëri nga ai.”32

“Prandaj, ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim.”33

“Prandaj, çdo gjë që do të bëni, do ta bëni në emrin tim; prandaj ju do ta quani kishën në emrin tim.”34

“Vini re, unë ju kam dhënë ungjillin tim dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë – se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë … për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga.”35

“Tani, ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit.”36

Ne besojmë te Krishti. Unë e përfundoj me atë që Ai tha rreth mënyrës se si duhet t’i dimë dhe t’i ndjekim mësimet e Tij:

“Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”37.

Unë e pohoj të vërtetën e këtyre mësimeve në emrin e Jezu Krishtit, amen.