Konferenca e Përgjithshme
Kërkohen Paqebërës
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


19:4

Kërkohen Paqebërës

Ju keni lirinë tuaj të zgjedhjes që të zgjidhni grindjen ose pajtimin. Ju nxit të zgjidhni që të jeni paqebërës, tani e përgjithmonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, është gëzim të jem me ju. Gjatë këtyre gjashtë muajve të kaluar, ju keni qenë vazhdimisht në mendjen time dhe në lutjet e mia. Lutem që Fryma e Shenjtë do të komunikojë atë që Zoti dëshiron që ju të dëgjoni teksa ju flas tani.

Gjatë stazhit tim si kirurg shumë vite më parë, isha ndihmësi i një kirurgu që po priste një këmbë të mbushur me një gangrenë tepër infektuese. Operacioni ishte i vështirë. Më pas, për ta shtuar tensionin, një nga personat ndihmues në ekipin kirurgjikal kreu një detyrë keq dhe kirurgu shpërtheu me inat. Mes zemërimit të tij të çastit, ai e flaku tutje bisturinë e mbushur me mikrobe. Ajo ra mbi krahun tim.

Çdonjëri në sallën e operacionit, përveç kirurgut që e kishte humbur kontrollin e vetvetes, u tmerrua nga kjo shkelje e rrezikshme e praktikës kirurgjikale. Fatmirësisht nuk u infektova. Por kjo përvojë la një mbresë afatgjatë tek unë. Tamam në atë çast, i premtova vetes se çfarëdo të ndodhte në sallën time të operacionit, unë kurrë nuk do ta humbisja kontrollin e emocioneve të mia. Gjithashtu u betova atë ditë që kurrë të mos hidhja asgjë në zemërim e sipër, qofshin ato bisturi apo fjalë.

Edhe tani, dekada më vonë, e vras mendjen nëse bisturia e infektuar që ra në krahun tim, ishte më shumë toksike sesa grindja helmuese që infekton dialogun tonë qytetar dhe tepër shumë marrëdhënie personale sot. Qytetaria dhe qenia të njerëzishëm duket se janë zhdukur gjatë kësaj epoke të polarizimit dhe mosmarrëveshjeve plot pasion.

Vulgariteti, gjetja e gabimeve dhe të folurit dashakeqës për të tjerët janë të gjitha tepër të zakonshme. Kaq shumë ekspertë, politikanë, artistë dhe ndikues të tjerë vazhdimisht bërtasin fyerje ndaj të tjerëve. Jam jashtë mase i shqetësuar që kaq shumë njerëz duket se besojnë që është tërësisht e pranueshme të kundërshtojnë, të kritikojnë me keqdashje dhe të poshtërojnë këdo që nuk është dakord me ta. Shumë duken të zellshëm që ta dëmtojnë famën e dikujt tjetër me gjemba përçmues e të dhimbshëm.

Zemërimi kurrë nuk ia mbush mendjen askujt. Armiqësia nuk e lartëson askënd. Grindja kurrë nuk çon drejt zgjidhjesh të frymëzuara. Fatkeqësisht, nganjëherë shohim sjellje plot grindje edhe mes vetë radhëve tona. Dëgjojmë për ata që i nënçmojnë bashkëshortet ose bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, për ata që përdorin shpërthime plot zemërim për t’i kontrolluar të tjerët dhe për ata që i ndëshkojnë pjesëtarët e familjeve me anë të “mbajtjes së mërisë me heshtje”. Dëgjojmë për të rinj, të reja dhe fëmijë që i bullizojnë të tjerët dhe për punonjës që i përgojojnë kolegët e tyre.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo nuk duhet të ndodhë. Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi shembuj të mënyrës se si ndërveprojmë me të tjerët, veçanërisht kur kemi ndryshime në opinione. Një nga mënyrat më të thjeshta për ta dalluar një pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, është se sa me dhembshuri ai person i trajton njerëzit e tjerë.

Shpëtimtari e bëri këtë gjë të qartë në predikimet e Tij për pasuesit në të dyja hemisferat. “Të bekuar janë të gjithë paqebërësit”, – tha Ai.1 “Kushdo që të qëllon faqen tënde të djathtë, ktheji atij edhe faqen tjetër.”2 Dhe më pas, sigurisht, Ai dha porosinë që është një sfidë për secilin prej nesh: “Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”3.

Përpara vdekjes së Tij, Shpëtimtari i urdhëroi Dymbëdhjetë Apostujt e Tij që ta donin njëri-tjetrin sikurse Ai i kishte dashur ata.4 Më pas Ai shtoi: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri‑tjetrin”5.

Mesazhi i Shpëtimtarit është i qartë: dishepujt e Tij të vërtetë ndërtojnë, lartësojnë, nxitin, bindin dhe frymëzojnë, pavarësisht se sa e vështirë është situata. Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë paqebërës.6

Sot është e Diela e Palmave. Po përgatitemi të kremtojmë ngjarjen më të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme, të shënuar ndonjëherë në tokë, që është Shlyerja dhe Ringjallja e Zotit Jezu Krisht. Një nga mënyrat më të mira se si mund ta nderojmë Shpëtimtarin, është të bëhemi një paqebërës/e.7

Shlyerja e Shpëtimtarit e bëri të mundur që ne ta mposhtim gjithë ligësinë, përfshirë grindjen. Mos kini aspak dyshim për këtë: grindja është ligësi! Jezu Krishti shpalli se ata që kanë “shpirtin e grindjes”, nuk janë të Tijët, por janë të “djallit i cili është ati i grindjes dhe [djalli i] nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin”8. Ata që e nxitin grindjen, po zbatojnë një nga skemat e Satanit, pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo këtë gjë. “Asnjëri nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve.”9 Ne nuk mund ta përkrahim Satanin me sulmet tona gojore dhe pastaj të mendojmë se prapëseprapë mund t’i shërbejmë Perëndisë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, vërtet ka rëndësi! Mënyra se si u flasim të tjerëve ose flasim për të tjerët në shtëpi, në kishë, në punë dhe në internet, vërtet ka rëndësi. Sot po kërkoj që ne të ndërveprojmë me të tjerët në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë. Ju lutem, dëgjoni me kujdes. “Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar”10 që mund ta themi rreth një personi tjetër, qoftë ballë për ballë ose pas shpinës së tij ose të saj, ai duhet të jetë standardi ynë i komunikimit.

Nëse një çift në lagjen tuaj shkurorëzohet, ose një misionar i ri në moshë kthehet në shtëpi më herët, apo një adoleshent ka dyshim në dëshminë e tij, atyre nuk iu nevojitet gjykimi juaj. Atyre iu nevojitet të përjetojnë dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit të pasqyruar në fjalët dhe veprimet tuaja.

Nëse një mik në mediat shoqërore ka pikëpamje të forta politike ose sociale, të cilat shkelin gjithçka ku ju besoni, një përgjigje inatçore dhe therëse nga ana juaj, nuk do të ndihmojë. Ndërtimi i urave të mirëkuptimit do të kërkojë shumë më tepër përpjekje prej jush, por kjo është pikërisht ajo që i nevojitet mikut juaj.

Grindja e largon Shpirtin, çdo herë. Grindja përforcon idenë e gabuar se kundërvënia është mënyra se si i zgjidhim ndryshimet; por nuk është kurrë kështu. Grindja është një zgjedhje. Paqebërja është një zgjedhje. Ju keni lirinë tuaj të zgjedhjes që të zgjidhni grindjen ose pajtimin. Ju nxit të zgjidhni që të jeni paqebërës, tani e përgjithmonë.11

Vëllezër e motra, ne mirëfilli mund ta ndryshojmë botën me një person dhe një ndërveprim, një e nga një. Si? Duke u bërë modeli i mënyrës se si të trajtohen ndryshimet e ndershme të opinionit me respekt reciprok dhe dialog dinjitoz.

Ndryshimet në opinione janë pjesë e jetës. Unë punoj çdo ditë me shërbëtorë të përkushtuar të Zotit të cilët jo gjithmonë e shohin një çështje në të njëjtën mënyrë. Ata e dinë se dua t’i dëgjoj idetë dhe ndjenjat e tyre të ndershme rreth çdo gjëje që diskutojmë, veçanërisht për çështje të ndjeshme.

Presidenti Dallin H. Ouks dhe Presidenti Henri B. Ajring

Dy këshilltarët e mi fisnikë, Presidenti Dallin H. Ouks dhe Presidenti Henri B. Ajring, janë shembullorë për nga mënyra se si i shprehin ndjenjat e tyre, veçanërisht kur mund të jenë të ndryshme. Ata e bëjnë këtë gjë me dashuri të kulluar për njëri‑tjetrin. Asnjëri nuk sugjeron se e di më mirë dhe se rrjedhimisht duhet ta mbrojë me rigorozitet qëndrimin e tij. Asnjëri nuk shfaq nevojën për të konkurruar me tjetrin. Ngaqë secili është i mbushur me dashurinë hyjnore, “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”12, diskutimet tona mund të udhërrëfehen nga Shpirti i Zotit. Sa i dua dhe i nderoj këta dy burra të madhërishëm!

Dashuria hyjnore është kundërhelmi ndaj grindjes. Dashuria hyjnore është dhurata shpirtërore që na ndihmon ta largojmë nga vetja njeriun e natyrshëm, që është egoist, vetëshfajësues, kryelartë dhe xheloz. Dashuria hyjnore është karakteristika kryesore e një pasuesi të vërtetë të Jezu Krishtit.13 Dashuria hyjnore e përcakton një paqebërës.

Kur përulemi përpara Perëndisë dhe lutemi me gjithë energjinë e zemrës sonë, Perëndia do të na dhurojë dashuri hyjnore.14

Njerëzit e bekuar me këtë dhuratë qiellore, janë të durueshëm dhe dashamirës. Ata nuk i kanë zili të tjerët dhe nuk janë të mbërthyer pas rëndësisë së tyre vetjake. Ata nuk nxiten lehtë në zemërim dhe nuk mendojnë keq për të tjerët.15

Vëllezër e motra, dashuria e pastër e Krishtit është përgjigjja ndaj grindjes që na shqetëson sot. Dashuria hyjnore na shtyn që “të mba[jmë] barrat e njëri‑tjetrit”16 në vend që të ngarkojmë barrë mbi njëri‑tjetrin. Dashuria e pastër e Krishtit na lejon “të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat”17, veçanërisht në situata të tendosura. Dashuria hyjnore na lejon të demonstrojmë se si burrat dhe gratë e Krishtit flasin e veprojnë, veçanërisht kur sulmohen nga kritikuesit.

Tani, nuk po flas rreth “paqes me çdo çmim”18. Po flas rreth trajtimit të të tjerëve në mënyra që janë në përputhje me mbajtjen e besëlidhjes që bëni kur merrni sakramentin. Ju besëlidhni që gjithmonë ta kujtoni Shpëtimtarin. Në situata që janë tepër të ngarkuara dhe të mbushura me grindje, ju ftoj të kujtoni Jezu Krishtin. Lutuni që të keni guximin dhe urtësinë për të thënë e bërë atë që Ai do të thoshte e bënte. Kur e ndjekim Princin e Paqes, ne vërtet do të bëhemi paqebërësit e Tij.

Në këtë pikë mund të jeni duke menduar se ky mesazh vërtet do ta ndihmonte dikë që e njihni. Ndoshta po shpresoni që do ta ndihmojë atë që të jetë më i mirë ose më e mirë ndaj jush. Shpresoj që do ta ndihmojë! Por gjithashtu shpresoj që do të vështroni thellësisht brenda zemrës suaj që të shihni nëse ka cifla krenarie ose xhelozie që nuk ju lejojnë ju të bëheni paqebërës.19

Nëse e keni seriozisht që të ndihmoni për ta mbledhur Izraelin dhe për të ndërtuar marrëdhënie të cilat do të zgjatin gjatë gjithë përjetësive, tani është koha që ta lini mënjanë hidhësinë. Tani është koha që të mos këmbëngulni më që o të bëhet si thoni ju o s’ka. Tani është koha që të mos bëni më gjëra që i bëjnë të tjerët të ecin në majë të gishtave nga frika se mos ju nevrikosin. Tani është koha që t’i varrosim armët tona të luftës.20 Nëse arsenali juaj i fjalëve është i mbushur me fyerje dhe akuzime, tani është koha që t’i flakni tutje ato.21 Ju do të ngriheni si një burrë ose grua shpirtërisht e fortë e Krishtit.

Tempulli mund të na ndihmojë për kërkimin tonë. Atje na dhurohet fuqi e Perëndisë, që na jep aftësinë për ta mposhtur Satanin, nxitësin e gjithë grindjes.22 Dëbojeni atë nga marrëdhëniet tuaja! Vini re se ne gjithashtu e dëbojmë kundërshtarin çdo herë që e shërojmë një keqkuptim ose refuzojmë të fyhemi. Në vend të kësaj, ne mund të tregojmë mëshirën e dhembshur që është karakteristike për dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit. Paqebërësit janë një pengesë për kundërshtarin.

Si një popull u bëfshim një dritë e vërtetë mbi një kodër, një dritë që “nuk mund të fshihet”23! Le të tregojmë se ka një mënyrë plot paqe e respekt për t’i zgjidhur çështjet e ndërlikuara dhe vetëdije shpirtërore për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa dëftoni dashurinë hyjnore që e shfaqin ndjekësit e vërtetë të Jezu Krishtit, Zoti do t’i shumëfishojë përpjekjet tuaja përtej përfytyrimit tuaj më të lartë.

Rrjeta e ungjillit është rrjeta më e gjerë në botë. Perëndia i ka ftuar të gjithë të vijnë tek Ai, “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra”24. Ka vend për çdo njeri. Sidoqoftë, nuk ka vend për paragjykim, dënim ose grindje të çfarëdo lloji.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, më e mira nuk ka ardhur ende për ata që e kalojnë jetën e tyre duke i lartësuar të tjerët. Sot ju ftoj ta shqyrtoni dishepullimin tuaj brenda kontekstit të mënyrës se si i trajtoni të tjerët. Ju bekoj të bëni çfarëdo përshtatjeje që mund të nevojitet, me qëllim që sjellja juaj të jetë fisnikëruese, respektuese dhe përfaqësuese për një ndjekës/e të vërtetë të Jezu Krishtit.

Ju bekoj që ta zëvendësoni agresivitetin me përgjërimin, armiqësinë me kuptueshmërinë dhe grindjen me paqen.

Perëndia jeton! Jezusi është Krishti. Ai qëndron në krye të kësaj Kishe. Ne jemi shërbëtorët e Tij. Ai do të na ndihmojë të bëhemi paqebërësit e Tij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.