Vetëpërmbajtje e Ngjashme me të Krishtit
“Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe” (Marku 4:39).
Herën e fundit që fola në konferencën e përgjithshme, dhëndri im, Rajëni, më tregoi një mesazh në Tweeter që thoshte: “Vërtet? Emri i këtij njeriu është Breg”, që do të thotë “të mburresh” në anglisht, “dhe ai nuk flet për përulësinë? Ç’humbje!” Me keqardhje, zhgënjimi vazhdon.
Babai im i mrekullueshëm ishte një nga basketbollistët më të mirë amerikanë të UCLA‑së me trajnerin legjendar Xhon Udenin. Ata mbajtën lidhje të ngushta gjatë gjithë jetës së babait tim dhe herë pas here trajneri dhe zonja Uden vinin në shtëpinë tonë për darkë. Ai gjithmonë fliste me gjithë qejf me mua për basketbollin ose çdo gjë tjetër që kisha ndër mend. Një herë e pyeta se çfarë këshille kishte për mua ndërsa filloja vitin e fundit të shkollës së mesme. Si mësues që ishte, ai tha: “Babai yt më tha se je bashkuar me Kishën e Jezu Krishtit, ndaj e di se ke besim te Zoti. Me atë besim, sigurohu të tregosh vetëpërmbajtje në çdo situatë. Ji një njeri i mirë gjatë stuhisë.”
Me kalimin e viteve, ai bashkëbisedim më ka ngelur në mendje. Ajo këshillë për të qenë i qetë, gjakftohtë dhe i përmbajtur në të gjitha situatat, veçanërisht në kohë vështirësish e trysnie, më kumboi në mendje. Munda të shihja se si ekipet e trajnerit Uden luanin me vetëpërmbajtje dhe pashë suksesin e madh që përjetuan duke fituar 10 kampionate kombëtare.
Mirëpo për vetëpërmbajtjen nuk flitet shumë në kohën e sotme dhe ajo ushtrohet edhe më pak në periudha të trazuara e përçarëse. Shpesh përmendet në sporte: një lojtar me vetëpërmbajtje nuk e humb toruan në një lojë me rezultat të ngushtë ose një ekip shpërbëhet nga mungesa e vetëpërmbajtjes. Por kjo cilësi e mrekullueshme shkon përtej sporteve. Vetëpërmbajtja ka një zbatim shumë më të gjerë në jetë dhe mund të bekojë prindërit, udhëheqësit, misionarët, mësuesit, nxënësit dhe cilindo që përballet me stuhitë e jetës.
Vetëpërmbajtja shpirtërore na bekon që të qëndrojmë të qetë dhe të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi, sidomos kur jemi nën trysni. Presidenti Hju B. Braun dha mësim: “Besimi te Perëndia dhe në triumfin përfundimtar të së drejtës, kontribuon në vetëpërmbajtjen mendore dhe shpirtërore përballë vështirësive”1.
Presidenti Rasëll M. Nelson është një shembull i mrekullueshëm i vetëpërmbajtjes shpirtërore. Një herë, në kohën kur Presidenti Nelson ishte doktor, ndërkohë që po kryente një ndërhyrje të katërfishtë të arteries koronare, presioni i gjakut të pacientit ra papritur. Dr. Nelsoni e vlerësoi me qetësi situatën dhe identifikoi se një kapëse ishte hequr aksidentalisht nga njëri prej anëtarëve të ekipit mjekësor. Ajo u zëvendësua menjëherë dhe doktor Nelsoni e qetësoi pjesëtarin e grupit duke i thënë: “Ende të dua”, dhe më pas shtoi me shaka: “Ca herë të dua më shumë se herë të tjera!” Ai tregoi se si duhej përballuar një urgjencë: me vetëpërmbajtje, i përqendruar vetëm tek ajo që ka më shumë rëndësi, të merresh me rastin urgjent. Presidenti Nelson tha: “Është çështje vetëdisipline e skajshme. Reagimi yt i natyrshëm është: ‘Më nxirr nga loja, trajner! Dua të shkoj në shtëpi.’ Por sigurisht që nuk mundesh. Një jetë varet plotësisht nga i gjithë ekipi i sallës së operacionit. Kështu që duhet të qëndrosh më i qetë, i çlirët dhe i mprehtë se kurrë.”2
Padyshim, Shpëtimtari është shembulli më i lartë i vetëpërmbajtjes.
Në Kopshtin e Gjetsemanit, në agoni të papërfytyrueshme, ndërsa “djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur”3, Ai mishëroi vetëpërmbajtje hyjnore me pohimin e thjeshtë, por madhështor: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”4. Nën trysninë e pamasë për të bërë të mundur shpëtimin e gjithë njerëzimit, Jezusi demonstroi tre kushte të rëndësishme që na ndihmojnë ta kuptojmë vetëpërmbajtjen e Tij të shkëlqyer. Së pari, Ai e dinte se kush ishte dhe ishte i vërtetë në misionin e Tij hyjnor. Tjetra, Ai e dinte se kishte një plan të madh lumturie. Dhe së fundi, Ai e dinte se nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, të gjithë ata që me besnikëri marrin mbi vete zgjedhën e Tij duke bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta, të marra nëpërmjet ordinancave të priftërisë, do të shpëtoheshin, ashtu siç na u mësua kaq bukur nga Plaku Dejll G. Renland sot.
Për të bërë dallimin mes humbjes dhe ruajtjes së vetëpërmbajtjes, mendoni për atë që ndodhi ndërsa Krishti dhe Apostujt e Tij u larguan nga Kopshti i Gjetsemanit. Kur u përballën me ushtarë që kërkonin ta arrestonin Jezusin, reagimi i Pjetrit ishte ta humbte vetëpërmbajtjen dhe të hakërrehej dhunshëm duke i prerë veshin shërbëtorit të kryepriftit, Malkut. Nga ana tjetër, reagimi i Jezu Krishtit ishte të ruante vetëpërmbajtjen e Tij dhe ta qetësonte situatën e nderë duke e shëruar Malkun.5
Për ata prej nesh që e kanë të vështirë ta ruajnë vetëpërmbajtjen dhe ndoshta janë shkurajuar, le të shqyrtojmë pjesën tjetër të historisë së Pjetrit. Pak kohë pas këtij incidenti dhe pikëllimit prej mohimit të shoqërimit të tij me Krishtin6, Pjetri qëndroi para po atyre udhëheqësve fetarë që e dënuan Shpëtimtarin dhe me shumë vetëpërmbajtje gjatë marrjes intensive në pyetje, ai dha një dëshmi plot gojëtari për hyjninë e Jezu Krishtit.7
Dijeni se Kush Jeni dhe Jini të Vërtetë ndaj Identitetit Tuaj Hyjnor
Le t’i shqyrtojmë elementet e vetëpërmbajtjes së ngjashme me të Krishtit. Për ta filluar, dijenia se kush jemi dhe të qenit të vërtetë në identitetin tonë hyjnor, sjellin qetësi. Vetëpërmbajtja e ngjashme me të Krishtit kërkon që ta shmangim krahasimin e vetes me të tjerët ose të hiqemi si dikush që nuk jemi.8 Jozef Smithi dha mësim: “Nëse njerëzit nuk [e] kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten”9. Thjesht nuk është e mundur të kemi vetëpërmbajtje hyjnore pa e ditur se jemi bij dhe bija hyjnore të një Ati të dashur Qiellor.
Në bisedën e tij “Zgjedhjet për Përjetësinë”, Presidenti Nelson dha mësim këto të vërteta të përjetshme rreth asaj se kush jemi: jemi fëmijë të Perëndisë, jemi fëmijë të besëlidhjes dhe jemi dishepuj të Krishtit. Më pas Ai premtoi: “Teksa i përqafoni këto të vërteta, Ati ynë Qiellor do t’ju ndihmojë të arrini synimin tuaj përfundimtar të të jetuarit përjetësisht në praninë e Tij të shenjtë”10. Ne vërtet jemi qenie hyjnore e shpirtërore që po kalojmë një përvojë në vdekshmëri. Njohuria se kush jemi dhe të qenit të vërtetë ndaj atij identiteti hyjnor, janë thelbësorë për zhvillimin e vetëpërmbajtjes së ngjashme me të Krishtit.
Dijeni se Ka një Plan Hyjnor
Tjetra, mbajtja mend se ka një plan të madh, sjell guxim dhe vetëpërmbajtje në kushte sfiduese. Nefi mund të “shko[nte] dhe … bë[nte]”11 siç e urdhëroi Zoti, “duke mos ditur më parë”12 gjërat që duhej të bënte, sepse e dinte se do të udhëhiqej nga Shpirti, në përmbushje të planit të përjetshëm të një Ati të dashur Qiellor. Vetëpërmbajtja vjen kur i shohim gjërat nga një këndvështrim i përjetshëm. Zoti i ka këshilluar dishepujt e Tij: “Ngrini sytë tuaj”13 dhe “i lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja”14. Duke i parë kohët sfiduese brenda kornizës së një plani të përjetshëm, trysnia bëhet një privilegj për të dashur, shërbyer, dhënë mësim dhe bekuar. Një pikëpamje e përjetshme e mundëson vetëpërmbajtjen e ngjashme me të Krishtit.
Jini në Dijeni për Fuqinë Aftësuese të Jezu Krishtit dhe Shlyerjen e Tij
Së fundi, fuqia aftësuese e Krishtit, e bërë e mundur nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, na jep fuqinë për të duruar dhe triumfuar. Për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe të forcohemi për ta mbajtur atë besëlidhje. Ne mund të lidhemi me Shpëtimtarin me gëzim e qetësi, pavarësisht nga rrethanat tona materiale.15 Alma, kapitulli 7 na mëson aq bukur për fuqinë aftësuese të Krishtit. Përveç se na shëlbon nga mëkati, Shpëtimtari mund të na forcojë në dobësitë tona, gjërat që u druhemi dhe sfidat tona në këtë jetë.
Ndërsa përqendrohemi te Krishti, ne mund ta përmbajmë frikën, siç bëri populli i Almës në Helam.16 Teksa një ushtri kërcënuese mblidhej, ata dishepuj besnikë të Krishtit dëftuan vetëpërmbajtje. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Alma i këshilloi besimtarët që ta kujtonin Zotin dhe çlirimin që vetëm Ai mund t’ua jepte (shih [te] 2 Nefi 2:8). Dhe dituria për përkujdesin mbrojtës të Shpëtimtarit i bëri njerëzit të aftë që ta përmbanin frikën e tyre.”17 Kjo ilustron vetëpërmbajtjen.
Njeriu i Madhërishëm gjatë Stuhisë
Noeu na mësoi shumë për durimin gjatë një stuhie, por Shpëtimtari ishte mësuesi më i madh për mënyrën se si t’i mbijetojmë një stuhie. Ai është njeriu i madhërishëm gjatë stuhisë. Pas një dite të gjatë mësimdhënieje me Apostujt e Tij, Shpëtimtari kishte nevojë të pushonte pak dhe sugjeroi që të kalonin me varkë në anën tjetër të detit të Galilesë. Ndërsa Shpëtimtari pushonte, filloi një stuhi e fortë. Ndërsa era dhe dallgët kërcënonin ta fundosnin varkën, Apostujt filluan të kishin frikë mos humbnin jetën. Mos harroni, disa prej atyre Apostujve ishin peshkatarë që i njihnin shumë mirë stuhitë në atë det! Prapëseprapë të shqetësuar18, ata e zgjuan Zotin dhe e pyetën: “[Zot], a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” Atëherë, me vetëpërmbajtje të pashembullt, Shpëtimtari “u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.”19
Më pas një mësim i mrekullueshëm mbi vetëpërmbajtjen për Apostujt e Tij. Ai pyeti: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?”20 Ai po u kujtonte atyre se ishte Shpëtimtari i botës dhe se Ai u dërgua nga Ati për të bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Perëndisë. Sigurisht që Biri i Perëndisë nuk do të vdiste në një varkë. Ai mishëroi vetëpërmbajtje hyjnore sepse ishte në dijeni për hyjninë e Tij dhe e dinte se kishte një plan shpëtimi dhe ekzaltimi, dhe sa thelbësore do të ishte Shlyerja e Tij për suksesin e përjetshëm të atij plani.
Pikërisht nëpërmjet Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, na vijnë të gjitha gjërat e mira në jetë. Ndërsa kujtojmë se kush jemi, duke ditur se ka një plan hyjnor mëshire dhe duke marrë guxim nga forca e Zotit, ne mund të bëjmë gjithçka. Do të gjejmë qetësi. Do të jemi burra dhe gra të mira në çfarëdo stuhie.
E kërkofshim bekimin e vetëpërmbajtjes së ngjashme me të Krishtit, jo vetëm për të ndihmuar veten në kohët sfiduese, por edhe për të bekuar të tjerët dhe për t’i ndihmuar gjatë stuhive në jetën e tyre! Në këtë vigjilje të së Dielës së Palmave, plot gëzim dëshmoj për Jezu Krishtin. Ai u ringjall. Unë dëshmoj për paqen, qetësinë dhe vetëpërmbajtjen qiellore që vetëm Ai e sjell në jetën tonë, dhe e bëj këtë në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.