Konferenca e Përgjithshme
“Nuk Mund të Ketë Asgjë Kaq të Mrekullueshme dhe Kaq të Ëmbël, sa Ishte Gëzimi Im”
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


9:58

“Nuk Mund të Ketë Asgjë Kaq të Mrekullueshme dhe Kaq të Ëmbël, sa Ishte Gëzimi Im”

Pendimi i përditshëm dhe ardhja te Jezu Krishti janë mënyra për të përjetuar gëzim, një gëzim përtej imagjinatës sonë.

Gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari tregoi dhembshuri të madhe për të gjithë fëmijët e Perëndisë, veçanërisht për ata që vuanin ose ishin larguar nga besimi. Kur farisenjtë e kritikuan se shoqërohej me mëkatarë dhe hante me ta, Jezusi u përgjigj duke dhënë mësim tri shëmbëlltyra të njohura.1 Në secilën prej këtyre shëmbëlltyrave, Ai theksoi rëndësinë e kërkimit të atyre që kishin dalë nga udha, dhe gëzimit që ndihet kur ata kthehen. Për shembull, në shëmbëlltyrën e deles së humbur Ai tha: “Do të ketë … gëzim [të madh] për një mëkatar të vetëm që pendohet”2.

Dëshira ime sot është që ta forcoj lidhjen ndërmjet gëzimit dhe pendimit, më në veçanti, gëzimit që vjen kur pendohemi, dhe ndjenjave të gëzimit që përjetojmë teksa i ftojmë të tjerët të vijnë te Krishti dhe ta pranojnë flijimin e Tij shlyes në jetën e tyre.

Ne Jemi që të Mund të Kemi Gëzim

Në shkrimet e shenjta, fjala gëzim zakonisht do të thotë shumë më tepër sesa çaste kalimtare kënaqësie ose madje ndjenja lumturie. Gëzimi në këtë kontekst është një tipar i perëndishëm, që gjendet në plotësinë e tij kur kthehemi për të banuar në praninë e Perëndisë.3 Ai është më i thellë, më lartësues, më afatgjatë dhe jetëndryshues se çdo kënaqësi ose ngushëllim që mund të ofrojë kjo botë.

Ne u krijuam që të kemi gëzim. Ky është fati ynë i synuar si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Ai dëshiron ta ndajë gëzimin e Tij me ne. Profeti Lehi dha mësim se plani i Perëndisë për secilin prej nesh është që ne “të mund të ke[mi] gëzim”4. Për shkak se jetojmë në një botë të rënë, gëzimi afatgjatë ose gëzimi i përhershëm shpesh na duket i paarritshëm. Megjithatë, pikërisht në vargun vijues, Lehi vazhdon duke shpjeguar se “Mesia [erdhi për të na] … shëlb[uar] … nga rënia”5. Shëlbimi, nga dhe nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht, e bën të mundur gëzimin.

Mesazhi i ungjillit është një mesazh shprese, i “një gëzim[i] të madh”6 dhe mjeti me anë të të cilit të gjithë mund të përjetojnë paqe dhe çaste gëzimi në këtë jetë dhe të marrin një plotësi të gëzimit në jetën që do të vijë.7

Gëzimi për të cilin po flasim, është një dhuratë për besnikët, sidoqoftë ai e ka një çmim. Gëzimi nuk është diçka që kushton lirë ose që jepet rastësisht. Përkundrazi, është blerë “[me] gjaku[n e] çmuar [të] [Jezu] Krishtit”8. Po ta kuptonim njëmend vlerën e gëzimit të vërtetë e të perëndishëm, nuk do të ngurronim të sakrifikonim çfarëdo pasurie materiale ose të bënim çfarëdo ndryshimi të nevojshëm në jetë për ta marrë atë.

Një mbret i fuqishëm, por i përulur në Librin e Mormonit e kuptoi këtë. “Çfarë duhet të bëj”, pyeti ai, “që të mund të lind nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi im dhe të marr Shpirtin e tij, që të jem plot gëzim …? Vër re, tha ai, unë do të heq dorë nga çdo gjë që kam, po, unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh.”9

Në përgjigje të pyetjes së mbretit, misionari [i quajtur] Aaron tha: “Në qoftë se ti e dëshiron këtë gjë, … përul[u] para Perëndisë … [dhe] pendoh[u] për të gjitha mëkatet e tua”10. Pendimi është shtegu drejt gëzimit11, sepse është shtegu që të çon te Shpëtimtari Jezu Krisht.12

Gëzimi Vjen nëpërmjet Pendimit të Sinqertë

Për disa njerëz, mendimi se pendimi është shtegu drejt gëzimit, mund të duket kontradiktor. Pendimi, nganjëherë, mund të jetë i dhembshëm dhe i vështirë. Për t’u penduar duhet pranuar se disa nga mendimet dhe veprimet tona, edhe disa nga bindjet tona, kanë qenë të gabuara. Për pendimin duhet edhe ndryshim, i cili, ndonjëherë, mund të jetë i sikletshëm. Por gëzimi dhe ngushëllimi nuk janë e njëjta gjë. Mëkati, përfshirë mëkatin e vetëkënaqësisë, na e kufizon gëzimin.

Siç shpalli psalmisti: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”13. Ndërsa pendohemi për mëkatet tona, duhet të përqendrohemi te gëzimi i madh që vjen më pas. Netët mund të duken të gjata, por vjen mëngjesi dhe o, sa e mrekullueshme është paqja dhe gëzimi i shkëlqyer që ndiejmë ndërsa Shlyerja e Shpëtimtarit na çliron nga mëkati dhe vuajtja!

Nuk Mund të Ketë Asgjë Kaq të Mrekullueshme dhe Kaq të Ëmbël

Merrni parasysh përvojën e Almës në Librin e Mormonit. Ai u “tortur[ua] nga një mundim i përjetshëm” dhe shpirti i tij u “ngacmua” për shkak të mëkateve të tij. Por pasi iu drejtua Shpëtimtarit për mëshirë, “nuk mund t’i kujto[nte] më dhembjet e [tij]”14.

“Dhe oh, çfarë gëzimi”, shpalli ai, “çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, … nuk mund të ketë asgjë kaq të mrekullueshme dhe kaq të ëmbël, sa ishte gëzimi im.”15

Ky është ai lloj gëzimi që vihet në dispozicion të atyre të cilët vijnë te Jezu Krishti nëpërmjet pendimit.16 Siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. …

Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!”17

Pendimi sjell gëzim sepse ai i përgatit zemrat tona për të marrë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Të mbushesh me Frymën e Shenjtë do të thotë të mbushesh me gëzim. Të mbushesh me gëzim do të thotë të mbushesh me Frymën e Shenjtë.18 Gëzimi ynë rritet ndërsa punojmë çdo ditë për ta sjellë Shpirtin në jetën tonë. Siç dha mësim profeti Mormoni: “Megjithatë, ata agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e [tyre te] Krishti, në mbushjen e shpirtrave të tyre me gëzim dhe ngushëllim”19. Zoti u premton të gjithë atyre që punojnë për ta ndjekur Atë: “Unë do të të jap … Shpirti[n tim], që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim”20.

Gëzimi prej Ndihmës ndaj të Tjerëve që të Pendohen

Pasi ta kemi ndier gëzimin që vjen nga pendimi i sinqertë, ne tejet natyrshëm dëshirojmë ta ndajmë atë gëzim me të tjerët. Kur e bëjmë atë, gëzimi ynë shumëfishohet. Pikërisht kjo i ndodhi Almës.

“Kjo është lavdia ime”, tha ai, “se ndoshta unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë, që të sjell ndonjë shpirt në pendim dhe ky është gëzimi im.

Dhe vini re, kur unë shoh shumë nga vëllezërit e mi me të vërtetë të penduar dhe duke ardhur te Zoti, Perëndia i tyre, atëherë është shpirti im i mbushur me gëzim; atëherë më kujtohet se ç’ka bërë Zoti për mua, … po, atëherë më kujtohet krahu i tij i mëshirshëm që ai ka shtrirë [për mua].”21

Ndihma ndaj të tjerëve që të pendohen, është një shprehje e natyrshme e mirënjohjes sonë ndaj Shpëtimtarit dhe është një burim gëzimi i madh. Zoti ka premtuar:

“Nëse është që ju duhet të … sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë … , sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!”22

Sa i Madh Është Gëzimi i Tij për Shpirtin që Pendohet

Më duket e dobishme të përpiqem të përfytyroj gëzimin që duhet të ndiejë Shpëtimtari sa herë që marrim bekimet e flijimit të Tij shlyes në jetën tonë.23 Siç u citua nga Presidenti Nelson24, Apostulli Pal në Letrën e tij drejtuar hebrenjve dha këtë pikëpamje të dhembshur: “[Hidheni] tej çdo … mëkat që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, … duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit [tonë], i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin … dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë”25. Shpesh flasim për dhembjen dhe vuajtjen në Gjetseman dhe Kalvar, por rrallë flasim për gëzimin e madh që Shpëtimtari duhet të ketë qenë duke pritur ndërsa dha jetën e Tij për ne. Qartësisht, dhembja e Tij dhe vuajtja e Tij ishin për ne, që ne të mund të përjetonim gëzimin e kthimit me Të në praninë e Perëndisë.

Pasi u dha mësim njerëzve në kontinentin e lashtë amerikan, Shpëtimtari shprehu dashurinë e Tij të madhe për ta duke thënë:

“Tani vini re, gëzimi im është i madh, madje në tërësi, për shkakun tuaj … ; po, madje edhe Ati gëzohet, si edhe të gjithë engjëjt e shenjtë. …

… Në [ju] unë kam [një] gëzim të plotë.”26

Ejani te Krishti dhe Merrni Gëzimin e Tij

Vëllezër e motra, e mbyll duke dhënë dëshminë time vetjake, të cilën e konsideroj një dhuratë të shenjtë. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Unë e di se Ai e do secilin prej nesh. Përqendrimi i Tij i vetëm, “vepra [e Tij] dhe lavdia [e Tij]”27 është të na ndihmojë të marrim një plotësi të gëzimit në Të. Jam vetë dëshmitar se pendimi i përditshëm dhe ardhja te Jezu Krishti është mënyra për të përjetuar gëzim, një gëzim përtej imagjinatës sonë.28 Kjo është arsyeja përse jemi këtu në tokë. Kjo është arsyeja përse Perëndia e përgatiti planin e Tij të madhërishëm të lumturisë për ne. Jezu Krishti është njëmend “udha, e vërteta dhe jeta”29 dhe i vetmi “emër [i] dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë”30. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.