Qasja te Fuqia e Perëndisë nëpërmjet Besëlidhjeve
Teksa ecni në shtegun e besëlidhjeve, nga pagëzimi tek tempulli dhe gjatë gjithë jetës suaj, unë ju premtoj fuqi për të shkuar kundër rrjedhës së natyrshme të botës.
Nëntorin e kaluar, pata privilegjin të përkushtoja Tempullin e Belemit në Brazil. U gëzova që isha me anëtarët e përkushtuar të Kishës në veri të Brazilit. Në atë kohë, mësova se Belemi është porta që të çon drejt rajonit i cili përfshin lumin më të fuqishëm në botë, lumin e Amazonës.
Pavarësisht forcës së lumit, dy herë në vit, ndodh në dukje diçka e panatyrshme. Kur dielli, hëna dhe toka renditen në një mënyrë të caktuar, një valë batice e fuqishme vërshon drejt lumit, kundër rrjedhës së natyrshme të ujit. Janë dokumentuar valë deri në 6 metra të larta1 që shkojnë deri në 50 kilometra2 kundër rrymës. Kjo dukuri, e njohur në përgjithësi si valë batice, në fjalorin vendas njihet si pororoka ose “vrumbullima e madhe” për shkak të zhurmës së fortë që bën. Mund të dalim saktë në përfundimin se edhe Amazona e fuqishme duhet t’iu nënshtrohet fuqive qiellore.
Ashtu si lumi i Amazonës, në jetën tonë ne kemi një rrjedhë të natyrshme, ne priremi të bëjmë atë që na vjen natyrshëm. Ashtu si Amazona, me ndihmën qiellore, ne mund të bëjmë gjëra të panatyrshme në dukje. Fundja, nuk është e natyrshme për ne që të jemi të përulur, zemërbutë ose të gatshëm që t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë Perëndisë. Megjithatë, vetëm duke bërë kështu, ne mund të shndërrohemi, të kthehemi për të jetuar në praninë e Perëndisë dhe të arrijmë vendmbërritjen tonë të përjetshme.
Ndryshe nga lumi i Amazonës, ne mund të zgjedhim ose t’u nënshtrohemi fuqive qiellore ose të “shkojmë me rrjedhën”3. Të shkosh kundër rrjedhës mund të jetë e vështirë. Por kur iu nënshtrohemi “thirrje[ve të] Frymës së Shenjtë” dhe i zhveshim prirjet egoiste të burrit ose gruas së natyrshme4, ne mund të marrim fuqinë shndërruese të Shpëtimtarit në jetën tonë, fuqinë për të bërë gjëra të vështira.
Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi se si ta bëjmë këtë. Ai premtoi se “çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit … [për të na ngritur] mbi ndikimin e kësaj bote të rënë”5. Me fjalë të tjera, mund të kemi qasje te fuqia e Perëndisë, por vetëm kur lidhemi me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta.
Përpara se të krijohej toka, Perëndia krijoi besëlidhje si mekanizmi nëpërmjet të cilave ne, fëmijët e Tij, mund ta bashkonim veten me Të. Bazuar në ligjin e përjetshëm e të pandryshueshëm, Ai i specifikoi kushtet e padiskutueshme me anë të të cilave ne shndërrohemi, shpëtohemi dhe ekzaltohemi. Ne këtë jetë, ne i bëjmë këto besëlidhje duke marrë pjesë në ordinancat e priftërisë dhe duke premtuar të bëjmë atë që Perëndia na kërkon të bëjmë, dhe, në këmbim, Perëndia na premton bekime të caktuara.6
Një besëlidhje është një angazhim për të cilin duhet të përgatitemi, ta kuptojmë qartë dhe pa dyshim ta nderojmë.7 Bërja e një besëlidhjeje me Perëndinë është e ndryshme nga bërja e një premtimi me raste. Së pari, kërkohet autoriteti i priftërisë. Së dyti, një premtim i vakët nuk e ka forcën lidhëse për të na ngritur mbi ndikimin e rrjedhës së natyrshme. Ne e bëjmë një besëlidhje vetëm kur kemi për qëllim të zotohemi me gjithë forcën për ta përmbushur atë.8 Ne bëhemi fëmijë besëlidhës të Perëndisë dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Tij, veçanërisht kur identifikohemi plotësisht me besëlidhjen.
Termi shtegu i besëlidhjeve i referohet një serie besëlidhjesh me anë të cilave ne vijmë tek Krishti dhe lidhemi me Të. Nëpërmjet kësaj lidhjeje besëlidhëse, ne kemi qasje te fuqia e Tij e përjetshme. Shtegu nis me besimin te Jezu Krishti dhe pendimin, ndjekur nga pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë.9 Jezu Krishti na tregoi mënyrën se si të hyjmë në shteg kur Ai u pagëzua.10 Sipas rrëfimeve të Ungjillit te Dhiata e Re sipas Markut dhe Llukës, Ati Qiellor i foli drejtpërdrejt Jezusit në pagëzimin e Tij duke thënë: “Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur”. Kur hyjmë në shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet pagëzimit, unë mund ta përfytyroj Atin Qiellor duke i thënë diçka të ngjashme secilit prej nesh: “Ti je fëmija im i dashur në të cilin unë kënaqem. Vazhdo kështu.”11
Në pagëzim dhe kur marrim sakramentin12, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit.13 Në këtë kontekst, le të jemi të ndërgjegjshëm për urdhërimin në Dhiatën e Vjetër: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot”14. Për veshët tanë modernë, kjo tingëllon si urdhër kundër përdorimit të emrit të Zotit pa respekt. Urdhërimi e përfshin këtë, por kërkesa e tij është edhe më e thellë. Fjala hebraike e përkthyer “përdor” do të thotë “të ngresh” ose “të mbash”, si dikush që ngre/mban një banderolë, i cili e identifikon veten me një individ ose grup.15 Fjala e përkthyer “kot” do të thotë [në mënyrë] “boshe” ose “mashtruese”16. Urdhërimi për të mos e përdorur emrin e Zotit kot, si rrjedhim, mund të nënkuptojë që “nuk duhet ta identifikoni veten si dishepull i Jezu Krishtit po të mos keni për qëllim ta përfaqësoni Atë mirë”.
Ne bëhemi dishepujt e Tij dhe e përfaqësojmë Atë mirë kur me qëllim dhe gjithnjë e më shumë e marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet besëlidhjeve. Besëlidhjet tona na japin fuqi për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve për shkak se marrëdhënia jonë me Jezu Krishtin dhe Atin tonë Qiellor ka ndryshuar. Ne lidhemi me Ta me anë të një lidhjeje besëlidhëse.
Shtegu i besëlidhjeve të çon tek ordinancat e tempullit, të tilla si dhurimi në tempull.17 Dhurimi është dhurata e Perëndisë e besëlidhjeve të shenjta që na lidhin më plotësisht me Të. Gjatë dhurimit, ne besëlidhim që, së pari, të përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, së dyti, të pendohemi me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, së treti, ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit. Këtë e bëjmë duke ushtruar besim tek Ai, duke bërë besëlidhje me Perëndinë teksa i marrim ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit, duke i mbajtur ato besëlidhje gjatë gjithë jetës sonë dhe duke u përpjekur fort t’i jetojmë dy urdhërimet e mëdha që ta duam Perëndinë dhe të afërmin. Ne besëlidhim që, së katërti, të zbatojmë ligjin e dëlirësisë dhe, së pesti, ta përkushtojmë veten dhe gjithçka me të cilën Zoti na bekon, për ndërtimin e Kishës së Tij.18
Duke i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tempullit, ne mësojmë më shumë rreth qëllimeve të Zotit dhe marrim një plotësi të Frymës së Shenjtë.19 Ne marrim udhëzim për jetën tonë. Ne arrijmë pjekuri në dishepullimin tonë që të mos mbetemi përherë fëmijë të paditur.20 Përkundrazi, ne jetojmë me një këndvështrim të përjetshëm dhe kemi më tepër shtysë për t’i shërbyer Perëndisë e të tjerëve. Ne marrim aftësi të shtuar për të përmbushur qëllimet tona në vdekshmëri. Ne mbrohemi nga i ligu21 dhe fitojmë fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit dhe për t’u penduar kur bëjmë shkelje.22 Kur dalim nga shtegu, kujtimi i besëlidhjeve tona me Perëndinë na ndihmon të kthehemi në shteg. Duke u lidhur te fuqia e Perëndisë, ne kthehemi vetë në pororoka, të aftë të shkojmë kundër rrjedhës së botës, gjatë gjithë jetës sonë dhe në përjetësitë. Përfundimisht, vendmbërritja jonë ndryshon sepse shtegu i besëlidhjeve të çon drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme.23
Mbajtja e besëlidhjeve të bëra në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj na jep forcë gjithashtu për t’iu bërë ballë sprovave dhe pikëllimeve të vdekshmërisë.24 Doktrina e shoqëruar me këto besëlidhje na e lehtëson udhën dhe na jep shpresë, ngushëllim dhe paqe.
Gjyshërit e mi, Lena Sofia dhe Mets Leander Renlandi, e morën fuqinë e Perëndisë nëpërmjet besëlidhjeve të tyre të pagëzimit kur u bashkuan me Kishën në vitin 1912, në Finlandë. Ata ishin të lumtur që ishin pjesë e degës së parë të Kishës në Finlandë.
Leandri vdiq nga tuberkulozi pesë vjet më vonë kur Lena ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të dhjetë. Ai fëmijë, babai im, lindi dy muaj pas vdekjes së Leandrit. Lena përfundimisht nuk varrosi vetëm bashkëshortin, por edhe shtatë prej dhjetë fëmijëve të saj. Si një e ve e varfër ajo pati mundime. Për 20 vjet, ajo nuk bëri gjumë të mirë asnjë natë. Gjatë ditës, rropatej për të siguruar ushqim për familjen e saj. Natën, kujdesej për pjesëtarët e familjes që po vdisnin. Është e vështirë të përfytyrohet se si e përballoi ajo këtë.
Lena nuk u dorëzua ngaqë e dinte se bashkëshorti dhe fëmijët e saj të ndjerë mund të ishin të sajët gjatë gjithë përjetësive. Doktrina e bekimeve të tempullit, përfshirë atë të familjeve të përjetshme, i solli asaj paqe ngaqë ajo mirëbesoi te fuqia vulosëse. Gjatë kohës në vdekshmëri, ajo nuk mori as dhurimin, dhe as u vulos me Leandrin, por Leandri mbeti një ndikim thelbësor në jetën e saj dhe pjesë e shpresës së saj të madhe për të ardhmen.
Në vitin 1938, Lena dorëzoi dokumentet që të mund të kryheshin ordinancat e tempullit për pjesëtarët e saj të familjes që kishin vdekur, disa nga emrat më të parë që u dorëzuan nga Finlanda. Pasi ajo vdiq, ordinancat e tempullit u kryen nga njerëz të tjerë në emër të saj, Leandrit dhe fëmijëve të saj të ndjerë. Me anë të mëkëmbësve, ajo mori dhurimin, Lena dhe Leandri u vulosën me njëri‑tjetrin dhe fëmijët e tyre të ndjerë, dhe babai im u vulos me ta. Ashtu si të tjerë, Lena “vdi[q] në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i p[a] ato për së largu[,] … u bin[d] dhe i përshëndet[i] ato me gëzim”25.
Lena jetoi sikur t’i kishte bërë tashmë ato besëlidhje në jetën e saj. Ajo e dinte se besëlidhjet e saj të pagëzimit dhe sakramentit e lidhnin atë me Shpëtimtarin. Ajo e la të “ëmb[lën] dëshir’ për vendin … [e] shenjt’ [të Shëlbuesit], zemrës s’vetmuar [të saj t’i] s[illte] shpres’”26. Lena e konsideroi si njërën nga mëshirat e mëdha të Perëndisë që ajo mësoi për familjet e përjetshme përpara se të përjetonte tragjedi në jetën e saj. Nëpërmjet besëlidhjes, ajo mori fuqinë e Perëndisë për të duruar dhe për t’u ngritur mbi ndikimin dëshpërues të sfidave dhe vështirësive të saj.
Teksa ecni në shtegun e besëlidhjeve, nga pagëzimi tek tempulli dhe gjatë gjithë jetës suaj, unë ju premtoj fuqi për të shkuar kundër rrjedhës së natyrshme të botës, fuqi për të mësuar, fuqi për t’u penduar e shenjtëruar dhe fuqi për të gjetur shpresë, ngushëllim e madje gëzim teksa përballeni me sfidat e jetës. Unë ju premtoj juve dhe familjes suaj mbrojtje kundër ndikimit të kundërshtarit, veçanërisht kur e bëni tempullin një përqendrim madhor në jetën tuaj.
Kur vini tek Krishti dhe lidheni me Të dhe Atin tonë Qiellor me anë të besëlidhjes, ndodh diçka e panatyrshme në dukje. Ju shndërroheni dhe bëheni të përsosur në Jezu Krisht.27 Ju bëheni një fëmijë besëlidhës i Perëndisë dhe një trashëgimtar në mbretërinë e Tij.28 Unë mund ta përfytyroj Atë duke ju thënë: “Ti je fëmija im i dashur në të cilin unë kënaqem. Mirë se vjen në shtëpi.” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.