Konferenca e Përgjithshme
Jezu Krishti Është Lehtësim
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


10:19

Jezu Krishti Është Lehtësim

Ne mund të bëhemi bashkëpjesëmarrës me Shpëtimtarin që të ndihmojmë për t’u dhënë lehtësim, si nga ana fizike dhe shpirtërore, njerëzve nevojtarë; dhe gjatë atij procesi gjejmë lehtësimin tonë vetjak.

Me besim te Jezu Krishti dhe shpresë tek ajo që kishin dëgjuar për mrekullitë e Tij, kujdestarët e një burri të paralizuar e sollën atë te Jezusi. Ata ishin novatorë nga mënyra se si e çuan deri atje, duke hapur çatinë dhe duke e ulur burrin, në vigun e tij, për në vendin ku Jezusi po jepte mësim. Kur Jezusi “pa besimin e tyre, i tha [burrit të paralizuar]: ‘… Mëkatet e tua të janë falur’”1. Dhe më pas: “Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”2 Menjëherë burri i paralizuar u ngrit, e mori vigun e tij dhe u nis për në shtëpi “duke përlëvduar Perëndinë”3.

Çfarë dimë tjetër për miqtë që i dhanë përkujdesje burrit të paralizuar? Ne dimë se Shpëtimtari e përgëzoi besimin e tyre. Si dhe, duke e parë dhe dëgjuar Shpëtimtarin e duke qenë dëshmitarë të mrekullive të Tij, ata “u habitën” dhe “përlëvdonin Perëndinë”4.

Jezu Krishti kishte dhënë shërimin që shpresohej – lehtësim fizik nga dhembja dhe pasojat e paralizës prej sëmundjes kronike. Në mënyrë kuptimplote, Shpëtimtari dha gjithashtu lehtësim shpirtëror duke e pastruar burrin nga mëkati.

Miqtë, në përpjekjet e tyre për t’u kujdesur për një njeri në nevojë, e gjetën burimin e lehtësimit; ata gjetën Jezu Krishtin.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është lehtësim. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të lehtësohemi nga barra dhe pasojat e mëkatit dhe të marrim ndihmë për sëmundjet tona.

Për shkak se e duam Perëndinë dhe kemi besëlidhur që t’i shërbejmë Atij, ne mund të bëhemi bashkëpjesëmarrës me Shpëtimtarin që të ndihmojmë për t’u dhënë lehtësim, si nga ana fizike dhe shpirtërore, njerëzve nevojtarë; dhe gjatë atij procesi gjejmë lehtësimin tonë vetjak te Jezu Krishti.5

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelsoni, na ftoi ta mundim botën dhe të gjejmë prehje.6 Ai e përkufizoi “prehje[n e] vërtetë” si “lehtësim dhe paqe”. Presidenti Nelson tha: “Për shkak se Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e shëlboi çdonjërin prej nesh nga dobësia, gabimet e mëkati dhe për shkak se Ai përjetoi çdo dhembje, shqetësim dhe barrë që ju mund të keni pasur ndonjëherë, atëherë, ndërsa pendoheni vërtet dhe e kërkoni ndihmën e Tij, mund të ngriheni mbi këtë botë aktuale të pasigurt”7. Ky është lehtësimi që na ofron Jezu Krishti!

Secili prej nesh po mbart një çantë shpine metaforike. Mund të jetë një shportë e baraspeshuar mbi kokën tuaj, ose një çantë me rrip të gjatë, apo një deng gjërash të mbështjella me pëlhurë dhe të hedhura mbi shpinën tuaj. Por në rastin tonë, le ta quajmë çantë shpine.

Kjo çantë shpine metaforike është vendi ku mbajmë barrët e të jetuarit në një botë të rënë. Barrët tona janë si gurë në çantën e shpinës. Në përgjithësi, ata janë tri llojesh:

  • Gurë që janë atje prej vetë veprimeve tona për shkak të mëkatit.

  • Gurë në çantën tonë të shpinës për shkak të vendimeve të gabuara, sjelljes së pahijshme dhe dashakeqësisë së të tjerëve.

  • Dhe gurët që mbartim për shkak se po jetojmë në një gjendje të rënë. Këtu përfshihen gurët e lëngatës, dhembjes, sëmundjeve kronike, pikëllimit, zhgënjimit, vetmisë dhe pasojave të fatkeqësive natyrore.

Unë shpall me gëzim se barrët tona në vdekshmëri, këta gurë në çantën tonë figurative të shpinës, nuk kanë përse t’i ndiejmë të rëndë.

Jezu Krishti mund të na e lehtësojë ngarkesën.

Jezu Krishti mund të na i heqë barrët.

Jezu Krishti siguron një mënyrë se si ne të lehtësohemi nga pesha e mëkatit.

Jezu Krishti është lehtësimi ynë.

Ai tha:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje [që është lehtësim dhe paqe].

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”8

Shprehja se zgjedha është e ëmbël dhe barra e lehtë nënkupton që ne të vihemi nën zgjedhë me Shpëtimtarin, që t’i ndajmë barrët me Të, që ta lëmë Atë të na e heqë ngarkesën tonë. Kjo do të thotë të hysh në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë dhe ta mbash atë besëlidhje, e cila, siç e ka shpjeguar Presidenti Nelson “e bën më të lehtë çdo gjë në lidhje me jetën”. Ai tha: “Marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij9.

Atëherë pse nuk e ndajmë peshën e gurëve tanë? Përse do të refuzonte ta linte fushën një hedhës i rraskapitur i topit të bejsbollit kur aty është i gatshëm një hedhës lehtësues [rezervë] për ta përfunduar lojën? Përse do të këmbëngulja ta mbaja pozicionin tim e vetme kur Lehtësuesi rri gati për të më përkrahur?

Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Jezu Krishti … qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë”10.

Pra, përse këmbëngulim që t’i mbartim të vetëm gurët tanë?

Kjo synohet të jetë një pyetje vetjake për t’u marrë parasysh nga secili prej jush.

Për mua, është vesi i lashtë i krenarisë. “Do ta bëj”, them. “Mos u shqetëso, do ta bëj.” Është mashtruesi i madh i cili do që unë të fshihem nga Perëndia, të largohem prej Tij, të vazhdoj e vetme.

Vëllezër e motra, nuk mund të vazhdoj e vetme, nuk kam përse dhe nuk do ta bëj. Duke zgjedhur që të lidhem me Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin, nëpërmjet besëlidhjeve që kam bërë me Perëndinë “unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”11.

Mbajtësit e besëlidhjeve bekohen me lehtësimin e Shpëtimtarit.

Merreni parasysh këtë shembull në Librin e Mormonit: Populli i Almës keqtrajtohej me “punë dhe duke [i] vënë mbikëqyrës”12. Të ndaluar për t’u lutur me zë, ata “ia derdhën zemrat e tyre [Perëndisë]; dhe ai i njohu mendimet e zemrave të tyre”13.

“Zëri i Zotit u erdhi në pikëllimet e tyre, duke thënë: Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua; dhe unë do të bëj besëlidhje me popullin tim dhe do ta çliroj nga robëria.

Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja.”14

Dhe barrët e tyre “u lehtësuan” dhe “Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”15.

Ata mbajtës të besëlidhjeve morën lehtësim në formën e ngushëllimit, durimit të shtuar dhe një zemre të gëzuar, një lehtësim të barrëve të tyre kështu që ata u ndien të lehtësuar dhe së fundi në çlirim.16

Tani le t’i kthehemi vetë çantës sonë metaforike të shpinës.

Pendimi, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, është ai që na e lehtëson peshën nga gurët e mëkatit. Nëpërmjet kësaj dhurate të mrekullueshme, mëshira e Perëndisë na lehtëson nga kërkesat e rënda të drejtësisë dhe që nuk do t’i kapërcenim dot ndryshe.17

Shlyerja e Jezu Krishtit gjithashtu e bën të mundur që ne të marrim forcë për të falur, gjë e cila na lejon ta ulim peshën që mbartim për shkak të keqtrajtimit nga të tjerë.18

Pra, si na lehtëson Shpëtimtari nga barrët e të jetuarit në një botë të rënë me trupa të vdekshëm që i nënshtrohen pikëllimit dhe dhembjes?

Shpesh, Ai e kryen atë lloj lehtësimi nëpërmjet nesh! Si anëtarë besëlidhës të Kishës së Tij, ne premtojmë që “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë” dhe “të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”19. Për shkak se “hy[jmë] në grigjën e Perëndisë” dhe “quhe[m]i populli i tij”, ne “je[m]i të gatshëm të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”20.

Bekimi ynë i besëlidhjes është të bëhemi bashkëpjesëmarrës me Jezu Krishtin për t’u siguruar lehtësim [e ndihmë], si nga ana fizike edhe shpirtërore, të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Ne jemi një kanal nëpërmjet të cilit Ai siguron lehtësim [e ndihmë].21

Ashtu si miqtë e burrit të paralizuar, ne “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”22. Ne “mba[jmë] barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbush[im] ligjin e Krishtit”23. Kur bëjmë kështu, ne arrijmë ta njohim Atë, të bëhemi si Ai dhe të gjejmë lehtësimin e Tij.24

Çfarë është lehtësimi?

Është heqja ose pakësimi i diçkaje të dhembshme, shqetësuese ose të mundimshme, ose forca për ta duruar atë. I referohet një personi i cili zë vendin e dikujt tjetër. Është ndreqja e ligjshme e së gabuarës.25 Fjala anglo‑franceze vjen nga frëngjishtja e vjetër e fjalës relever domethënë “të ngresh” dhe nga latinishtja relevare domethënë “të ngresh përsëri”26.

Vëllezër e motra, Jezu Krishti është lehtësim. Unë dëshmoj se Ai vërtet u ngrit përsëri ditën e tretë dhe, duke qenë se përmbushi Shlyerjen e dashur dhe të pafundme, qëndron krahëhapur, duke na ofruar mundësinë që të ngrihemi përsëri, të shpëtohemi dhe të ekzaltohemi dhe të bëhemi si Ai. Lehtësimi që na ofron Ai, është i përjetshëm.

Ashtu si ajo grua që e vizitoi engjëlli atë mëngjes të parë të Pashkës, edhe unë dëshiroj që të “shko[j] shpejt” dhe me “gëzim të madh” të përhap fjalën se Ai është ngritur.27 Në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 5:20.

  2. Marku 2:11.

  3. Lluka 5:25.

  4. Lluka 5:26.

  5. Shih D. Todd Christofferson, “The First Commandment First” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 mars 2022), f. 2, speeches.byu.edu: “Dashuria jonë për Perëndinë e rrit aftësinë tonë për t’i dashur të tjerët në mënyrë më të plotë e më të përsosur sepse ne në thelb jemi bashkëpjesëmarrës me Perëndinë për kujdesin ndaj fëmijëve të Tij” (theksimi i shtuar).

  6. Shih Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 95–98.

  7. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, f. 96.

  8. Mateu 11:28–30.

  9. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, f. 97.

  10. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67.

  11. Filipianëve 4:13.

  12. Mosia 24:9.

  13. Mosia 24:12.

  14. Mosia 24:13–14; theksimi i shtuar.

  15. Mosia 24:15.

  16. Shih te Mosia 24:13–14.

  17. Shih tek Alma 34:14–16; shih edhe te Mosia 15:8–9.

  18. Shih Rasëll M. Nelson, “Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti” (takim shpirtëror për Krishtlindje nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2018), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org: “Një dhuratë e dytë që ju ofron Shpëtimtari, është aftësia për të falur. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme ju mund t’i falni ata që ju kanë lënduar dhe ata që mund të mos pranojnë kurrë përgjegjësi për mizorinë e tyre ndaj jush.

    Është zakonisht e lehtë ta falni dikë që sinqerisht dhe përulësisht e kërkon faljen tuaj. Por Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre. Atëherë veprimet e tyre lënduese nuk mund ta gërryejnë më shpirtin tuaj.”

  19. Mosia 18:9.

  20. Mosia 18:8.

  21. Shoqata e Ndihmës, organizata e grave e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u organizua nga Profeti Jozef Smith më 17 mars 1842, si “një shtesë e priftërisë, e krijuar në mënyrë hyjnore” (Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Liahona, maj 2014, f. 51). Teksa zgjidhej një emër për organizatën e re, u mor në konsideratë fjala mirëdashëse, por gratë parapëlqyen fjalën ndihmë. Ema Smithi, presidentja e parë e organizatës dhe Eliza R. Snou, sekretarja e saj e cila më vonë shërbeu si presidentja e dytë e Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi se mirëdashëse ishte një fjalë e njohur – e njohur për institucionet e kohës – por ajo fjalë e njohur “nuk duhet të jetë fjala jonë udhërrëfyese”. Ema shpjegoi se fjala ndihmë e përshkruante më mirë misionin e tyre. “Ne do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme … ne presim raste të jashtëzakonshme dhe thirrje të ngutshme” (Emma Smith, në Nauvoo Relief Society Minute Book, 17 mars 1842, f. 12, josephsmithpapers.org). Me të vërtetë, mandati i Shoqatës së Ndihmës ka qenë gjithmonë për të siguruar ndihmë [ose lehtësim] nga ana fizike dhe shpirtërore. Jozef Smithi dha mësim: “Shoqata nuk është vetëm për të ndihmuar të varfrit, por për të shpëtuar shpirtra” (në Nauvoo Relief Society Minute Book, 9 qershor 1842, f. 63, josephsmithpapers.org). Kështu pra, Shoqata e Ndihmës vijon të sigurojë ndihmë [ose lehtësim]: “Lehtësim nga varfëria, lehtësim nga sëmundjet, lehtësim nga dyshimet, lehtësim nga injoranca – lehtësim nga gjithçka që e pengon gëzimin dhe përparimin e grave” (John A. Widtsoe, Evidences and Reconciliations, përsh. G. Homer Durham, 3 vëll. në 1 [1960], f. 308).

  22. Doktrina e Besëlidhje 81:5; shih edhe te Hebrenjve 12:12.

  23. Galatasve 6:2.

  24. Në njërën nga mbledhjet e hershme të Shoqatës së Ndihmës të organizuar rishtas, Lusi Mek Smithi, nëna e Profetit Jozef Smithi tha: “Ne duhet ta çmojmë njëra-tjetrën, të kujdesemi për njëra-tjetrën, ta ngushëllojmë njëra-tjetrën dhe të marrim udhëzime, që të mund të ulemi të gjitha në qiell së bashku”. Historiania Xhenifer Rider shkroi për këtë: “Në një kauzë të përbashkuar për të dhënë lehtësim, gratë u bënë bashkëpjesëmarrëse me Krishtin dhe duke e bërë këtë, ato gjetën lehtësimin e Tij” (First: The Life and Faith of Emma Smith [2021], f. 130).

  25. Shih te Merriam-Webster.com Dictionary, “relief”.

  26. Shih te Dictionary.com, “relief”.

  27. Shih te Mateu 28:1–8.