Ai Mund të më Shëronte Mua!
Fuqia shëruese dhe shëlbuese e Shpëtimtarit gjen zbatim për gabime aksidentale, vendime të gabuara, sfida e sprova të çdo lloji si edhe për mëkatet tona.
Moroni premton se nëse e lexojmë Librin e Mormonit dhe pastaj e pyesim Perëndinë, Atin e Amshuar, a është i vërtetë me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht, Perëndia do të tregojë të vërtetën e tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.1 Miliona njerëz e kanë zbatuar këtë premtim dhe kanë marrë një dëshmi siguruese për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.
Moroni na nxit që, ndërsa e lexojmë Librin e Mormonit, të “kujto[jmë] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në [këtë] kohë … dhe t[a] medito[jmë] në zemrat t[ona]”2. Historitë dhe mësimet në Librin e Mormonit na kujtojnë dhe dëshmojnë për dashurinë, dhembshurinë dhe mëshirën e Shpëtimtarit.
Im atë ndërroi jetë në prill 2013. Ndërsa po përgatitesha të flisja në varrimin e tij, e kuptova sa i bekuar isha që i dija dhe i doja shkrimet e tij të shenjta të parapëlqyera. Ai i tregonte ato në mbledhjet familjare dhe i lexonte me mua kur kisha nevojë për këshillë, udhërrëfim apo forcim të besimit tim. E kam dëgjuar t’i tregonte në biseda dhe detyra. Jo vetëm që i dija ato, por mund ta kujtoj ende tingullin e zërit të tij dhe ndjenjat shpirtërore që pata teksa ai i tregonte ato. Nëpërmjet tregimit të shkrimeve të shenjta dhe ndjenjave, im atë më ndihmoi të krijoja një themel të fortë besimi në Zotin Jezu Krisht.
Im atë pëlqente veçanërisht rrëfimin e vizitës së Shpëtimtarit te populli i Nefit.3 Ky rrëfim i shenjtë flet për Zotin e ringjallur dhe të ekzaltuar Jezu Krisht. Ai kishte pirë nga kupa e hidhur dhe i kishte vuajtur të gjitha gjërat në mënyrë që ne të mos vuanim nëse do të pendoheshim.4 Ai e kishte vizituar botën e shpirtrave dhe kishte organizuar predikimin e ungjillit atje.5 Ai ishte ngritur së vdekuri dhe kishte qenë me Atin e kishte marrë urdhërime prej Tij për t’u dhënë nefitëve shkrime të shenjta që do të bekonin brezat e ardhshëm.6 Ai ishte ekzaltuar dhe kishte të gjithë fuqinë dhe aftësinë e Tij të amshuar. Ne mund të mësojmë nga çdo hollësi e mësimeve të Tij.
Tek 3 Nefi 11, ne lexojmë se si Shpëtimtari zbriti nga qielli për t’u mësuar nefitëve që Ai ishte Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. Ai shpalli se Ai ishte Drita e Botës dhe se lartësoi Atin duke marrë përsipër mëkatet e botës. Ai i ftoi njerëzit që të vinin të vendosnin duart e tyre në anën e Tij dhe të ndienin gjurmët e gozhdëve në duart e Tij dhe në këmbët e Tij. Ai donte që ata të dinin se Ai ishte Perëndia i Izraelit, i cili u vra për mëkatet e botës. Njerëzit u përgjigjën me gëzim, duke shkuar një nga një derisa ata që të gjithë e kishin parë dhe ndier se ishte vërtet Ai për të cilin ishte shkruar nga profetët se do të vinte.7
Jezusi u mësoi nefitëve rreth rëndësisë së pendimit, rreth të bërit si një fëmijë i vogël dhe nevojës për t’u pagëzuar nga një person që kishte autoritetin e Tij. Ai më pas dha mësim shumë nga doktrina që po studiojmë këtë vit në Dhiatën e Re.
Tek 3 Nefi 17, lexojmë se Jezusi u tha njerëzve se ishte koha për Të që të shkonte tek Ati dhe gjithashtu që t’u shfaqej fiseve të humbura të Izraelit.8 Ndërsa hodhi sytë mbi turmën, Ai vuri re se ata ishin në lot, duke parë mbi Të me vendosmëri, sikur donin t’i kërkonin që të ndalej edhe pak.9
Përgjigjja e Shpëtimtarit ndaj nefitëve ishte si prekëse edhe udhëzuese. Ai tha: “Vini re, zemra ime është e mbushur me dhembshuri për ju”10.
Unë besoj që dhembshuria e Tij ishte shumë më tepër se një përgjigje ndaj lotëve të njerëzve. Duket se Ai mund t’i shihte ata përmes syve të flijimit të Tij shlyes. Ai pa çdo dhembje, hidhërim dhe tundim të tyre. Ai pa sëmundjet e tyre. Ai pa dobësitë e tyre dhe e dinte prej vuajtjes së Tij plot agoni në Gjetseman e Golgotë se si t’i ndihmonte sipas dobësive të tyre.11
Ngjashëm me këtë, kur Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, shikon drejt nesh, Ai e sheh dhe e kupton dhembjen dhe barrën e mëkateve tona. Ai i sheh varësitë dhe sfidat tona. Ai i sheh mundimet dhe hidhërimet tona të çdo lloji dhe është i mbushur me dhembshuri për ne.
Ftesa e Tij e hirshme ndaj nefitëve vijoi: “A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë.”12
Dhe njerëzit shkuan para “me të gjithë ata që ishin të prekur në ndonjë mënyrë; dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij”13.
Në vitin 1990, ne jetonim në qytetin e vogël të Seillit, në Viktoria të Australisë. Ne ishim lumturisht të zënë me angazhime familjare, kishtare dhe pune. Një të shtunë të bukur vere, fare pak para Krishtlindjes, vendosëm të vizitonim disa parqe dhe një plazh të parapëlqyer. Pasi gëzuam një ditë të mrekullueshme duke luajtur si familje, ne i ngjeshëm të gjithë në makinë dhe u drejtuam për në shtëpi. Ndërsa po ngisja makinën, mua për një çast më zuri gjumi dhe shkaktova një aksident ballor me makinë. Kur e mora veten pas disa çastesh, pashë përbrenda automjetit. Bashkëshortja ime, Maksina, kishte një këmbë të thyer keq dhe me zor po merrte frymë. Ajo kishte thyer dërrasën e kraharorit. Tre bijat tona ishin të tronditura por fatmirësisht dukeshin se ishin në rregull. Unë kisha disa dëmtime të vogla. Por djali ynë pesëmuajsh nuk po reagonte.
Në mes të tensionit dhe pështjellimit të asaj skene aksidenti, bija jonë më e madhe, Kejti 11‑vjeçare, tha me ngut: “Babi, duhet t’i japësh një bekim Xheromit”. Pas një farë mundimi, unë dhe bijat e mia ia arritëm që të dilnim nga makina. Maksinën nuk mund ta lëviznim. Me kujdes e ngrita Xheromin; më pas, ndërsa u shtriva në tokë me kurriz, e vendosa me butësi mbi kraharorin tim dhe i dhashë një bekim priftërie. Në kohën kur ambulanca mbërriti, rreth 40 minuta më vonë, Xheromi ishte i vetëdijshëm.
Atë natë, lashë tre pjesëtarë të familjes në spital dhe bëmë një rrugë të heshtur me taksi për në shtëpi me dy nga bijat. Gjatë natës së gjatë, iu përgjërova Atit Qiellor që familja ime dhe ata që ishin lënduar në automjetin tjetër, të shëroheshin. Mëshirshëm, lutjet e mia dhe lutjet e bëra me zjarr nga shumë të tjerë, morën përgjigje. Të gjithë u shëruan me kalimin e kohës, një bekim i mrekullueshëm dhe mëshirë e dhembshur.
Prapëseprapë unë vazhdova të kisha ndjenja të thella faji dhe keqardhjeje për shkaktimin e një aksidenti kaq të tmerrshëm. Zgjohesha natën e ripërjetoja ngjarjet e llahtarshme. U mundova për vite që të gjeja paqe dhe ta falja veten. Më pas, si një udhëheqës priftërie, duke u ardhur në ndihmë të tjerëve që të pendoheshin dhe duke i ndihmuar që ta ndienin dhembshurinë, mëshirën dhe dashurinë e Shpëtimtarit, kuptova se Ai mund të më shëronte mua.
Fuqia shëruese dhe shëlbuese e Shpëtimtarit gjen zbatim për gabime aksidentale, vendime të gabuara, sfida e sprova të çdo lloji si edhe për mëkatet tona. Ndërsa u drejtova tek Ai, ndjenjat e mia të fajit dhe keqardhjes ngadalë u zëvendësuan me paqe dhe prehje.
Presidenti Nelson dha mësim: “Kur Shpëtimtari shleu për të gjithë njerëzimin, Ai hapi një udhë që ata të cilët e ndjekin Atë, të mund të kenë të drejtën e shërimit, forcimit dhe fuqisë së Tij shëlbuese. Këto privilegje shpirtërore janë në dispozicion për të gjithë ata që kërkojnë ta dëgjojnë Atë dhe ta ndjekin Atë.”14
Vëllezër dhe motra, qoftë nëse po mbartni barrën e mëkatit të pazgjidhur, po vuani për shkak të një fyerjeje të kryer kundër jush shumë kohë më parë apo po mundoheni ta falni veten për një gabim aksidental, ju keni të drejtën e fuqisë shëruese dhe shëlbuese të Shpëtimtarit Jezu Krisht.
Unë dëshmoj se Ai jeton. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai na do. Ai ka dhembshuri për ne, Ai është i mbushur me mëshirë dhe Ai mund t’ju shërojë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.