Konferenca e Përgjithshme
Zoti Jezu Krisht na Mëson të Japim Shërbesë
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


11:29

Zoti Jezu Krisht na Mëson të Japim Shërbesë

Me ndihmën e Shpëtimtarit tonë, ne mund t’i duam delet e Tij të çmuara dhe t’u japim shërbesë atyre siç do të bënte Ai.

Zoti Jezu Krisht tha:

“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. …

Ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.”1

Në variantin grek të këtij shkrimi të shenjtë, fjala i mirë do të thotë gjithashtu “i bukur, madhështor”. Kështu që sot, dëshiroj të flas për Bariun e Mirë, Bariun e Bukur, Bariun Madhështor, madje Jezu Krishtin.

Te Dhiata e Re, Ai është quajtur “Bariu [i] madh”2, “kryebariu”3 dhe “bariu dhe ruajtësi i shpirtrave t[anë]”4.

Te Dhiata e Vjetër, Isaia shkroi se “Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari”5.

Te Libri i Mormonit, Ai është quajtur “bariu i mirë”6 dhe “bariu … [i] madh dhe [i] vërtetë”7.

Te Doktrina e Besëlidhje, Ai shpall: “Si rrjedhim, unë jam në mes tuaj dhe unë jam bariu i mirë”8.

Në kohën tonë, Presidenti Rasëll M. Nelson ka shpallur: “Bariu i Mirë plot dashuri kujdeset për gjithë delet e [vathës] së Tij, dhe ne [jemi ndihmësbarinjtë e Tij të vërtetë]. Privilegji ynë është të [mbartim] dashurinë e Tij … dhe [të] shtojmë [vetë] dashurinë tonë [për miqtë e të afërmit] – duke i ushqyer ata, duke i [ruajtur] ata dhe duke u kujdesur për ta – ashtu si do të dëshironte Shpëtimtari që ne të bënim.”9

Më së afërmi, Presidenti Nelson ka thënë: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre. Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emr[in e] Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”10

Kur farisenjtë dhe skribët murmuritën kundër Zotit, “duke thënë: ‘Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta’”11, Ai u përgjigj duke paraqitur tri histori të bukura që kemi arritur t’i njohim si shëmbëlltyra e deles së humbur, shëmbëlltyra e monedhës së humbur dhe shëmbëlltyra e djalit plëngprishës.

Është interesante të vërejmë se kur Lluka, shkruesi i Ungjillit, është duke paraqitur tri historitë, ai e përdor fjalën shëmbëlltyrë në njëjës, jo në shumës.12 Duket se Zoti po jep një mësim të vetëm me tri histori, histori që paraqitin numra të ndryshëm: 100 dele, 10 monedha dhe 2 bij.

Sidoqoftë, numri kyç në secilën nga këto histori është numri një. Një mësim që mund të marrim nga ai numër, është se ju mund të jeni një ndihmësbari për 100 pleq dhe pleq të ardhshëm në kuorumin tuaj të pleqve, ose një këshilluese për 10 të reja, ose një mësues/e për 2 fëmijë të Fillores, por ju gjithmonë, gjithmonë u jepni shërbesë atyre, kujdeseni për ta dhe i doni ata një e nga një, individualisht. Ju nuk thoni kurrë: “Ç’dele e pamend” apo “Fundja, s’më duhet vërtet ajo monedhë” ose “Ç’djalë i pashtruar që është”. Nëse ju dhe unë kemi “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”13, ne, ashtu si njeriu në historinë e deles së humbur, do t’i “lë[më] të nëntëdhjetë e nëntat … dhe [do të] shko[jmë] pas asaj që humbi derisa [… derisa … derisa] ta gjej[m]ë”14. Ose si gruaja në historinë e monedhës së humbur, ne do të “ndez[im] llambën, [do të] fshi[jmë] shtëpinë dhe … [do të] kërko[jmë] me kujdes [… derisa] derisa [… derisa … derisa] ta gjej[më]”15. Nëse kemi “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”, ne do të ndjekim shembullin e atit në historinë e birit plëngprishës, i cili kur i biri “ishte ende larg, … e pa dhe [pati] dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi”16.

A mund ta ndiejmë ngutjen në zemrën e njeriut që humbi vetëm një dele? Apo ngutjen në zemrën e gruas që humbi vetëm një monedhë? Apo dashurinë e dhembshurinë e papërshkrueshme në zemrën e atit të plëngprishësit?

Unë dhe gruaja ime, Maria Izabela, shërbyem në Amerikën Qendrore, duke qenë të vendosur në Guatemala‑Siti. Aty pata mundësinë të takoja Xhuliën, një anëtare besnike e Kishës. Pata mbresën që ta pyesja për familjen e saj. E ëma i vdiq nga kanceri në 2011‑n. I ati kishte qenë udhëheqës besnik në kunjin e tij, duke shërbyer si peshkop dhe si këshilltar për presidentin e tij të kunjit për disa vjet. Ai ishte një ndihmësbari i vërtetë i Zotit. Xhulia më tregoi për përpjekjet e tij të palodhura për të vizituar, për të dhënë shërbesë dhe për të shërbyer. Ai vërtet gëzohej që ushqente dhe ruante delet e çmuara të Zotit. Ai u rimartua dhe qëndroi aktiv në Kishë.

Disa vjet më vonë, ai kaloi një shkurorëzim dhe tani i duhej ta frekuentonte kishën përsëri i vetëm. Ai ndihej sikur nuk ishte në vendin e duhur dhe mendonte gjithashtu se disa njerëz ishin kritikues ndaj tij për shkak të shkurorëzimit të tij. Ai reshti së frekuentuari kishën ndërsa një shpirt negativ ia mbushi zemrën.

Xhulia fliste me konsideratë për këtë ndihmësbari të mrekullueshëm, i cili ishte një burrë punëtor, i dashur dhe i dhembshur. Më kujtohet qartësisht se më përshkoi një ndjenjë ngutjeje ndërsa ajo po e përshkruante atë. Unë thjesht doja të bëja diçka për atë burrë, një burrë i cili kishte bërë kaq shumë për kaq shumë njerëz gjatë gjithë atyre viteve.

Ajo më dha numrin e tij të celularit dhe unë fillova t’i telefonoja, duke shpresuar që të kisha mundësinë ta takoja personalisht. Pas disa javësh dhe shumë, shumë telefonatash pa sukses, një ditë ai më në fund u përgjigj në telefon.

I thashë që kisha takuar Xhuliën, të bijën, dhe se isha magjepsur nga mënyra se si ai u kishte shërbyer, u kishte dhënë shërbesë dhe i kishte dashur delet e çmuara të Zotit për kaq shumë vjet. Ai nuk e priste një koment si ky. I thashë që me të vërtetë dëshiroja ta vizitoja duke e parë në sy, ballë për ballë. Ai më pyeti për qëllimin pse po propozoja një takim të tillë. U përgjigja: “Dëshiroj me të vërtetë të takoj babanë e një zonje kaq të mrekullueshme”. Pastaj, për disa sekonda pati heshtje në telefon, disa sekonda që m’u dukën si një përjetësi. Ai thjesht tha: “Kur dhe ku?”

Ditën që e takova, e ftova të më tregonte disa nga përvojat e tij nga vizitat, dhënia e shërbesës dhe shërbimi ndaj deleve të çmuara të Zotit. Ndërsa po rrëfente disa histori prekëse, vura re që toni i zërit të tij ndryshoi dhe i njëjti shpirt që kishte ndier aq shumë herë si një ndihmësbari u kthye. Tani sytë i ishin mbushur me lot. E dija se ky ishte çasti i duhur për mua, por zbulova që nuk dija se çfarë të thosha. U luta në mendjen time: “Atë, më ndihmo”.

Papritmas, më dolën natyrshëm fjalët: “Vëllai Florian, si shërbëtor i Zotit, kërkoj ndjesë që nuk të jemi gjendur pranë. Të lutem, na fal. Na jep një mundësi tjetër për të të treguar se vërtet të duam. Se kemi nevojë për ty. Se je i rëndësishëm për ne.”

Të dielën vijuese ai u kthye. Ai pati një bisedë të gjatë me peshkopin e vet dhe qëndroi aktiv. Disa muaj më vonë ai ndërroi jetë, por ai qe kthyer. Ai qe kthyer. Unë dëshmoj se me ndihmën e Shpëtimtarit tonë, ne mund t’i duam delet e Tij të çmuara dhe t’u japim shërbesë atyre siç do të bënte Ai. Kështu, atje në Guatemala‑Siti, Zoti Jezu Krisht e solli sërish edhe një dele tjetër të çmuar në tufën e Tij. Dhe më dha një mësim mbi dhënien e shërbesës që nuk mund ta harroj. Në emrin e Bariut të Mirë, Bariut të Bukur, Bariut Madhështor, madje Zotit Jezu Krisht, amen.