Ndjekës të Princit të Paqes
Teksa përpiqemi fort të zhvillojmë cilësi si të Shpëtimtarit, ne mund të bëhemi mjete të paqes së Tij në botë.
Në përmbushje të profecisë që iu dha Zakarias1, Jezusi hyri ngadhënjimtar në Qytetin e Shenjtë hipur mbi një gomar, i cili në letërsi konsiderohej një “simbol i lashtë i familjes mbretërore judease”2, siç i shkonte njëmend për shtat Mbretit të mbretërve dhe Princit të Paqes3. Ai rrethohej nga një turmë dishepujsh të ngazëllyer të cilët shtronin [udhën] me rrobat e tyre, gjethe palme dhe gjethnaja të tjera përgjatë shtegut ku kalonte Jezusi. Ata lëvdonin Perëndinë, duke thënë me zë të lartë: “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta”4. Dhe përsëri: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!”5 Kjo ngjarje madhështore, të cilën e kremtojmë këtë ditë, që njihet si e Diela e Palmave, ishte një prelud i gëzueshëm i ngjarjeve torturuese që do të ndodhnin gjatë asaj jave fatale duke e arritur kulmin me flijimin vetëmohues të Shpëtimtarit dhe mrekullinë e madhërishme të varrit të zbrazët.
Si ndjekës të Tij, ne jemi populli i Tij i veçantë, të thirrur për të shpallur virtytet e Tij6, nxitës të paqes që ofrohet aq bujarisht nëpërmjet Tij dhe flijimit të Tij shlyes. Kjo paqe është një dhuratë që u premtohet të gjithë atyre që e drejtojnë zemrën te Shpëtimtari dhe jetojnë me drejtësi; një paqe e tillë na jep forcën për ta gëzuar jetën në vdekshmëri dhe na aftëson të durojmë sprovat e dhembshme të rrugëtimit tonë.
Në vitin 1847, Zoti u dha udhëzime specifike shenjtorëve pionierë, të cilët kishin nevojë për paqe që të qëndronin të qetë e të bashkuar ndërsa përballeshin me vështirësi të papritura gjatë rrugëtimit të tyre drejt perëndimit. Ndër të tjera, Zoti i udhëzoi shenjtorët që ta “ndal[nin] zënien me njëri-tjetrin; [ta] ndal[nin] të folurin keq për njëri-tjetrin”7. Shkrimet e shenjta pohojnë se atyre që ushtrojnë vepra drejtësie dhe përpiqen fort të ecin në butësinë e Shpirtit të Zotit, u premtohet paqja që u nevojitet për t’i mbijetuar ditëve të rrëmujës në të cilat jetojmë sot.8
Si dishepuj të Princit të Paqes, ne jemi udhëzuar që të jetojmë me “zemrat e … thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit”9. Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, kohët e fundit tha: “Grindja shkel gjithçka që përfaqësoi dhe dha mësim Shpëtimtari”10. Profeti ynë na u lut gjithashtu që ne të bëjmë çmos për t’u dhënë fund konflikteve personale që po ziejnë aktualisht në zemrën tonë dhe në jetën tonë.11
Le t’i marrim parasysh këto parime nga këndvështrimi i dashurisë së kulluar të Krishtit ndaj nesh dhe që ne, si ndjekës të Tij, synojmë ta kemi për njëri-tjetrin. Shkrimet e shenjta e përkufizojnë këtë lloj dashurie si dashuri hyjnore.12 Kur mendojmë për dashurinë hyjnore, mendja zakonisht na shkon te veprat dhe dhurimet bujare për lehtësimin e vuajtjeve të atyre që po përjetojnë vështirësi fizike, materiale ose emocionale. Sidoqoftë, dashuria hyjnore nuk lidhet vetëm me diçka që ne ia dhurojmë dikujt, por është një cilësi e Shpëtimtarit dhe mund të bëhet pjesë e karakterit tonë. Nuk është habi që Zoti na udhëzoi të vishemi “me lidhjen e dashurisë hyjnore, … që është lidhja e përsosmërisë dhe e paqes”13. Pa dashuri hyjnore, ne jemi asgjë14 dhe nuk mund ta trashëgojmë vendin që Zoti ka përgatitur për ne në pallatet e Atit tonë Qiellor15.
Jezusi qe shembull i përkryer se ç’do të thotë ta zotërosh këtë lidhje përsosurie dhe paqeje, veçanërisht kur u përball me ngjarjet plot agoni që i paraprinë martirizimit të Tij. Mendoni për një çast rreth asaj që duhet të ketë ndier Jezusi ndërsa ua lau përulësisht këmbët dishepujve të Tij, duke e ditur se njëri prej tyre do ta tradhtonte pikërisht atë natë.16 Ose për rastin kur Jezusi, disa orë më vonë, ia shëroi veshin plot mëshirë njërit prej burrave që kishin shoqëruar Judën, tradhtarin e Tij, për ta arrestuar Atë.17 Ose edhe për rastin kur Shpëtimtarin, teksa qëndronte përpara Pilatit, e akuzuan padrejtësisht krerët e priftërinjve dhe pleqtë dhe Ai nuk shqiptoi asnjë fjalë kundër akuzave të rreme kundër Tij, gjë që e çuditi guvernatorin romak.18
Gjatë këtyre tri ngjarjeve tragjike, Shpëtimtari, pavarësisht se ishte i ngarkuar me trishtim dhe stres të madh, na mësoi me anë të shembullit të Tij se “dashuria [hyjnore] është e durueshme; plot mirësi; … nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet [dhe] nuk dyshon për keq”19.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm për t’u theksuar dhe që ka rrjedhojë të drejtpërdrejtë te dishepullimi ynë dhe se si ne e nxitim paqen e Shpëtimtarit, është mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, mësimet e Shpëtimtarit u përqendruan jo vetëm, por veçanërisht te virtytet e dashurisë, dashurisë hyjnore, durimit, përulësisë dhe dhembshurisë, cilësi thelbësore për ata që duan të bëhen më të afërt me Të dhe të nxitin paqen e Tij. Cilësi të tilla janë dhunti nga Perëndia dhe ndërsa përpiqemi fort t’i zhvillojmë ato, ne do të fillojmë t’i shohim dallimet dhe dobësitë e të afërmit tonë me më shumë mirëkuptim, ndjeshmëri, respekt dhe tolerancë. Njëra nga shenjat më të qarta që tregon se po i afrohemi më shumë Shpëtimtarit dhe se po bëhemi më shumë si Ai, është mënyra e dashur, e duruar dhe dashamirëse me të cilën ne i trajtojmë bashkëqeniet tona, pavarësisht nga rrethanat.
Ne shpesh shohim njerëz që përfshihen në komente negative e madje nënçmuese rreth karakteristikave, dobësive dhe opinioneve të perceptuara të të tjerëve, kryesisht kur karakteristika dhe opinione të tilla kanë dallime ose bien ndesh me mënyrën se si ata veprojnë e mendojnë. Është shumë e zakonshme t’i shohësh këta njerëz t’i përcjellin këto komente tek të tjerë, të cilët i përsëritin ato që kanë dëgjuar, pa i ditur vërtet të gjitha rrethanat që e shoqërojnë një situatë. Fatkeqësisht, mediat shoqërore e nxitin këtë lloj sjelljeje në emër të të vërtetave dhe transparencës relative. Pa kufizime, bashkëbisedimet digjitale shpesh i çojnë njerëzit në sulme personale dhe polemika të nxehta, duke krijuar zhgënjime, duke lënduar zemra dhe duke përhapur armiqësi të zjarrta.
Nefi profetizoi se në ditët e mëvonshme, armiku do të tërbohej dhe do të nxiste zemrat e njerëzve në zemërim kundër asaj që është e mirë.20 Shkrimet e shenjta na mësojnë se “çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia”21. Nga ana tjetër, “ajo që është e ligë vjen nga djalli; pasi djalli është armik i Perëndisë dhe lufton kundër tij përherë dhe fton, dhe nxit në mëkat dhe për të bërë atë që është e ligë përherë”22.
Duke marrë në konsideratë këtë mësim profetik, nuk është e habitshme se njëra nga taktikat e kundërshtarit është të nxitë armiqësi dhe urrejtje në zemrat e fëmijëve të Perëndisë. Ai gëzohet kur i sheh njerëzit të kritikojnë, tallen dhe shpifin kundër njëri-tjetrit. Kjo sjellje mund ta shkatërrojë karakterin, reputacionin dhe vetëvlerësimin e një personi, veçanërisht kur personi gjykohet padrejtësisht. Është e rëndësishme të vihet në dukje se kur e lejojmë këtë lloj qëndrimi në jetën tonë, ne bëjmë vend në zemrën tonë që armiku të mbjellë farën e mospajtimit midis nesh, duke rrezikuar që të biem në kurthin e tij gllabërues.
Nëse nuk jemi të kujdesshëm me mendimet, fjalët dhe veprimet tona, mund të përfundojmë duke rënë pre e dredhive dinake të armikut, duke i shkatërruar marrëdhëniet tona me njerëzit rreth nesh dhe njerëzit tanë të dashur.
Vëllezër dhe motra, si populli i veçantë i Zotit dhe nxitësit e paqes së Tij, ne s’duhet t’ia lejojmë vetes që këto dredhi të atij të ligu të bëjnë vend në zemrën tonë. Nuk mund ta mbajmë dot një barrë kaq brejtëse që shkatërron ndjenjat, marrëdhëniet dhe madje jetë njerëzish. Ungjilli përfaqëson lajme të mira të gëzimit të madh.
Natyrisht, asnjëri prej nesh nuk është i përkryer dhe sigurisht, ka raste kur mashtrohemi duke rënë pre e kësaj lloj sjelljeje. Me dashurinë e Tij të përkryer dhe njohurinë e gjithëdijshme për prirjet tona njerëzore, Shpëtimtari përpiqet gjithmonë të na paralajmërojë për rreziqe të tilla. Ai na mësoi: “Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët”23.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, teksa përpiqemi fort të zhvillojmë cilësi si të Shpëtimtarit, ne mund të bëhemi mjete të paqes së Tij në botë sipas modelit që Ai Vetë krijoi. Ju ftoj të merrni parasysh mënyra se si ta shndërrojmë veten në njerëz lartësues dhe përkrahës, njerëz që kanë një zemër mirëkuptuese dhe falëse, njerëz që shikojnë më të mirën tek të tjerët, duke kujtuar gjithnjë se “në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra”24.
Ju premtoj se ndërsa i synojmë dhe i zhvillojmë këto cilësi, ne do të bëhemi gjithnjë e më të përzemërt dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të bashkëqenieve tona25 dhe do të përjetojmë gëzim, paqe dhe rritje shpirtërore26. Pa dyshim, Zoti do t’i vlerësojë përpjekjet tona dhe do të na japë dhuntitë që na duhen për të qenë më tolerantë dhe të duruar me dallimet, dobësitë dhe papërsosuritë e njëri-tjetrit. Veç kësaj, ne do të jemi më të aftë t’i rezistojmë shtysës për t’u ndier të fyer ose për t’i fyer ata që na lëndojnë. Dëshira jonë për t’i falur ata që na keqtrajtojnë ose flasin keq për ne, siç bëri Shpëtimtari me siguri do të rritet dhe do të bëhet pjesë e karakterit tonë.
Sot, në këtë të Diel të Palmave, e shtrofshim [udhën] me rrobat tona të dashurisë dhe gjethet e palmave të dashurisë hyjnore, duke ecur në gjurmët e Princit të Paqes teksa përgatitemi për të kremtuar, të dielën që vjen, mrekullinë e varrit të zbrazët! Si vëllezër e motra në Krisht, le të shpallim me gëzim: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!”27
Unë dëshmoj se Jezu Krishti jeton dhe se dashuria e Tij e përsosur, e shprehur nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, shtrihet tek të gjithë ata që dëshirojnë të ecin me Të dhe të gëzojnë paqen e Tij në këtë botë dhe në botën që do të vijë. I them këto gjëra në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit, Jezu Krishtit, amen.