Konferenca e Përgjithshme
Thjesht Vazhdoni Përpara – me Besim
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


11:4

Thjesht Vazhdoni Përpara – me Besim

Të ushtruarit e besimit te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na ndihmon ta kapërcejmë shkurajimin pavarësisht se çfarë pengesash hasim.

Plaku Xhorxh A. Smith, një Apostull, mori këshillë nga Profeti Jozef Smith në një kohë vështirësie të madhe: “Ai më tha se unë kurrë nuk duhet ta humbas kurajën, çfarëdo vështirësish të më rrethojnë. Nëse do të mbytesha në gropën më të ulët të Nova‑Skocias dhe të gjitha Malet Shkëmbore të më mbulonin përsipër, unë nuk duhej ta humbisja kurajën, por të vazhdoja [të mbahesha fort, të ushtroja] besim dhe [ta ruaja] kurajën e mirë, [dhe në fund], do të dilja në majë të pirgut.”1

Si mundej Profeti Jozef t’ia thoshte këtë – dikujt që po vuante? Sepse e dinte që ishte e vërtetë. Ai i provoi te vetja. Jozefi vazhdimisht përjetoi vështirësi të ashpra në jetë. Megjithatë, ndërsa ushtroi besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij dhe thjesht vazhdoi përpara, ai kapërceu pengesa në dukje të pakalueshme.2

Sot, do të doja ta përtëritja përgjërimin e Jozefit që të mos ta lëmë shkurajimin të na tronditë kur përballemi me zhgënjim, përvoja të dhembshme, papërshtatshmëritë tona vetjake, apo sfida të tjera.

Kur them shkurajim, nuk po flas për sfidat më ligështuese të depresionit klinik, çrregullimeve të ankthit ose sëmundjeve të tjera që kërkojnë trajtim të veçantë.3 Po flas për shkurajimin e thjeshtë e të zakonshëm që vjen me ulje‑ngritjet e jetës.

Frymëzohem nga heronjtë e mi që thjesht vazhdojnë përpara – me besim – pavarësisht nga të gjitha.4 Në Librin e Mormonit lexojmë për Zoramin, shërbëtorin e Labanit. Kur Nefi siguroi fletët e tunxhit, Zorami u përball me zgjedhjen që t’i ndiqte Nefin dhe vëllezërit e tij në vendin e shkretë ose me gjasë të humbiste jetën.

Çfarë zgjedhjeje! Prirja e parë e Zoramit ishte që të ikte me vrap, por Nefi e mbajti dhe bëri një betim që nëse do të shkonte me ta, ai do të ishte i lirë dhe do të kishte një vend në familjen e tyre. Zorami mori kurajë dhe shkoi me ta.5

Zorami kaloi shumë hidhërime në jetën e tij të re, megjithatë, ai shkoi përpara me besim. Ne nuk kemi tregues që Zorami u kap pas së shkuarës së tij apo ushqeu në vete mëri kundrejt Perëndisë apo të tjerëve.6 Ai qe një mik i vërtetë ndaj Nefit, një profet, dhe ai dhe fara e tij jetuan në liri dhe begati në tokën e premtuar. Ajo që kishte qenë një pengesë e madhe në shtegun e Zoramit, përfundimisht çoi në bekime të çmuara, për shkak të besnikërisë dhe gatishmërisë së tij që thjesht të vazhdonte përpara – me besim.7

Kohët e fundit, dëgjova një motër plot kurajë të tregonte se si këmbënguli mes vështirësive.8 Ajo kishte disa sfida dhe një të diel ishte ulur në Shoqatën e Ndihmës duke dëgjuar një mësuese, për të cilën mendonte se kishte një jetë të përsosur – krejt ndryshe nga e saja. Ajo ishte e lodhur dhe e shkurajuar. Ndihej sikur nuk ishte mjaftueshëm e mirë – apo madje të ishte pjesë – kështu që u ngrit dhe u largua, duke planifikuar që të mos kthehej më kurrë në kishë. Duke shkuar për te makina, ndjeu një mbresë të qartë: “Shko te salla kishtare dhe dëgjoje folësin në mbledhjen e sakramentit”. E vuri në dyshim nxitjen, por e ndjeu sërish fuqishëm, kështu që shkoi në mbledhje.

Mesazhi ishte saktësisht ajo që i nevojitej. Ajo e ndjeu Shpirtin. E dinte që Zoti dëshironte që ajo të qëndronte me Të, të ishte dishepulle e Tij dhe të frekuentonte Kishën, ndaj kështu bëri.

A e dini se për çfarë ishte mirënjohëse ajo? Për faktin që nuk hoqi dorë. Ajo thjesht vazhdoi përpara – me besim te Jezu Krishti, edhe kur kjo gjë e mundoi skajshëm atë, dhe ajo dhe familja e saj po bekohen me bollëk teksa ajo shkon përpara.

Perëndia i qiellit dhe tokës do të na ndihmojë ta kapërcejmë shkurajimin dhe çfarëdo pengesash që hasim nëse shohim tek Ai, i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë9 dhe thjesht vazhdojmë përpara – me besim.

Fatmirësisht, kur ne jemi të dobët apo të paaftë, Zoti mund të na e forcojë besimin. Ai mund të na e rritë fuqinë përtej asaj që kemi. E kam përjetuar atë. Më shumë se 20 vjet më parë, u thirra papritmas si I Shtatëdhjetë Zonal dhe ndihesha shumë i papërshtatshëm. Pas caktimeve të mia për trajnim, do të kryesoja për herën time të parë në një konferencë kunji.10 Unë dhe presidenti i kunjit e planifikuam me përpikëri çdo hollësi. Pak para konferencës, Presidenti Bojd K. Paker, në atë kohë President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mori në telefon për të parë nëse mund të më shoqëronte. U habita dhe, sigurisht, rashë dakord. E pyeta se si dëshironte të vepronim, meqë do të kryesonte ai. Më sugjeroi që t’i linim planet mënjanë dhe të përgatiteshim të ndiqnim Shpirtin. Fatmirësisht, kisha ende 10 ditë për të studiuar, për t’u lutur dhe përgatitur.

Me një rend dite bosh, ishim në podium 20 minuta para se të fillonte mbledhja e udhëheqjes. U anova drejt presidentit të kunjit dhe i pëshpërita: “Ky është një kunj i mrekullueshëm”.

Presidenti Paker, më ra butë me bërryl dhe tha: “Pa fjalë”.

Pushova së foluri dhe biseda e tij në konferencën e përgjithshme “Nderimi Fton Zbulesën”11 më erdhi në mendje. Vërejta se Presidenti Paker po shkruante referenca nga shkrimet e shenjta. Shpirti më vërtetoi se ai po merrte mbresa për mbledhjen. Përvoja ime e të mësuarit sapo kishte filluar.

Presidenti Paker foli 15 minutat e para dhe theksoi rëndësinë e drejtimit të të gjitha mbledhjeve sipas udhëheqjes nga Shpirti i Shenjtë.12 Pastaj tha: “Tani do të dëgjojmë Plakun Kuk”.

Teksa po shkoja drejt foltores, e pyeta se sa kohë dëshironte ai që të flisja dhe a kishte ndonjë temë që ai dëshironte që ta trajtoja. Ai tha: “Ke 15 minuta dhe vazhdo si të ndihesh i frymëzuar”. Shpenzova rreth 14 minuta dhe thashë gjithçka kisha në mendje.

Presidenti Paker u ngrit sërish dhe foli edhe për 15 minuta të tjera. Ai tregoi këtë shkrim të shenjtë:

“Flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja dhe ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve;

Sepse do t’ju jepet në orën e duhur, … në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni”13.

Pastaj tha: “Tani do të dëgjojmë Plakun Kuk”.

U trondita. Nuk e kisha marrë kurrë parasysh mundësinë se do të më kërkohej të flisja dy herë në një mbledhje. Në mendje nuk kisha asgjë për të thënë. Duke u lutur me zjarr dhe duke u mbështetur te Zoti për ndihmë, në njëfarë mënyre, u bekova me një mendim, një shkrim të shenjtë dhe isha në gjendje të flisja edhe për 15 minuta të tjera. U ula tërësisht i rraskapitur.

Presidenti Paker foli përsëri për 15 minuta rreth ndjekjes së Shpirtit dhe tregoi për mësimet e Palit se ne nuk duhet të themi “fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë”14. Siç mund ta përfytyroni, u trondita kur ai pati mbresën të thoshte për herë të tretë: “Tani do të dëgjojmë Plakun Kuk”.

Isha bosh. Nuk kisha ç’të thosha më shumë. E dija se ishte koha për të ushtruar më shumë besim. Me ngadalë, u nisa deri te foltorja, duke iu përgjëruar Perëndisë për ndihmë. Teksa dola para mikrofonit, Zoti mrekullisht më bekoi që në njëfarë mënyre të jepja një mesazh tjetër 15‑minutësh.15

Mbledhja më në fund përfundoi, por shpejt e kuptova se sesioni për të rriturit do të fillonte pas një ore. Oh, jo! Ashtu si Zorami, sinqerisht, doja të ikja me vrap, por pikërisht ashtu si Nefi e kapi atë, e dija se Presidenti Paker do të më kapte mua. Mbledhja për të rriturit vijoi me po të njëjtin model. Unë fola edhe tri herë të tjera. Ditën tjetër, gjatë sesionit të përgjithshëm, fola një herë.

Pas konferencës, Presidenti Paker më tha me përzemërsi: “Le ta bëjmë sërish këtë ndonjëherë”. E dua Presidentin Bojd K. Paker dhe vlerësoj gjithçka që mësova.

A e dini se për çfarë jam mirënjohës? Që nuk hoqa dorë – apo bëra qëndresë. Po t’i isha dhënë dëshirës sime të dëshpëruar për t’ia mbathur nga ato mbledhje, do të kisha humbur një mundësi për ta rritur besimin tim dhe për të marrë një derdhje të bollshme dashurie dhe përkrahjeje nga Ati Qiellor. Mësova për mëshirën e Tij, fuqinë e mrekullueshme aftësuese të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij dhe ndikimin e fuqishëm të Frymës së Shenjtë. Me gjithë dobësinë time16, mësova se mund të shërbej; mund të jap ndihmesë kur Zoti është përkrah meje, nëse thjesht vazhdoj përpara – me besim.

Pavarësisht nga përmasa, shtrirja dhe serioziteti i sfidave që hasim në jetë, të gjithë ne kemi periudha kur ndihemi që të ndalim, të largohemi, t’ia mbathim, ose ndoshta të heqim dorë. Por të ushtruarit e besimit te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na ndihmon ta kapërcejmë shkurajimin pavarësisht se çfarë pengesash hasim.

Pikërisht ashtu si Shpëtimtari e kreu punën që i ishte dhënë të bënte, Ai e ka fuqinë të na ndihmojë ta kryejmë punën që na është dhënë neve.17 Ne mund të bekohemi të ecim përpara përgjatë shtegut të besëlidhjeve, pavarësisht se sa i vështirë bëhet ai, dhe në përfundim të marrim jetën e përjetshme.18

Siç tha Profeti Jozef Smith: “Qëndroni të palëkundur, ju shenjtorë të Perëndisë, duroni edhe pak dhe stuhia e jetës do të kalojë, dhe ju do të shpërbleheni nga ai Perëndi shërbëtorë të të cilit jeni”19. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Xhorxh A. Smith, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 247.

  2. Shih te Mësimet: Jozef Smith, f. 239–250.

  3. Kur flas për shkurajimin, nuk po sugjeroj që “thjesht të vazhdoni përpara me besim te Krishti” është përpjekja e vetme e cila nevojitet për njerëzit që përjetojnë depresion klinik, çrregullime të ankthit, ose sëmundje të tjera. Për këta miq, pjesëtarë të familjes dhe njerëz të tjerë që po dëgjojnë, i bëj jehonë këshillës së udhëheqësve tanë të Kishës që ju lutemi të kërkoni kujdes mjekësor, psikologjik dhe shpirtëror ndërkohë që mirëbesoni te Zoti. Zemra ime është me secilin prej jush që po lufton me këto sfida të pashoqe. Ne sinqerisht lutemi për ju.

  4. Disa nga heronjtë e mi në shkrimet e shenjta përfshijnë Kalebin (shih te Numrat 14:6–9, 24), Jobin (shih te Jobit 19:25–26) dhe Nefin (shih te 1 Nefi 3:7), përveç heronjve të mi të kohëve të sotme.

  5. Shih te 1 Nefi 4:20, 30–35, 38.

  6. Shih te Dejll G. Renland, “Padrejtësia Ndërkryese”, Liahona, maj 2021, f. 41–45.

  7. Shih te 2 Nefi 1:30–32. “Ndonëse [Zoramit] iu desh të duronte një trajtim paksa të ashpër, çarku ku ai ishte zënë, ishte vetë situata përmes së cilës Perëndia kishte përcaktuar ta bekonte. Ndonëse iu desh të hiqte dorë nga atdheu i tij, Perëndia po përgatiste një më të mirë” (David B. Paxman, “Zoram and I: Getting Our Stories Straight” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 27 korrik 2010], f. 8, speeches.byu.edu).

  8. E dëgjova dëshminë e kësaj motre në një lagje në Kunjin Rivërdejll të Jutës më 11 dhjetor 2022. Përvoja që tregoi, ndodhi në një lagje të mëparshme.

  9. Shih te Doktrina e Besëlidhje 11:12–13.

  10. Caktimi im ishte në Kunjin Benson të Jutës, më 3–4 nëntor 2001. Presidenti Xherri Tumbs ishte presidenti i kunjit.

  11. Shih te Bojd K. Paker, “Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 21–23.

  12. Shih te Doktrina e Besëlidhje 46:2.

  13. Doktrina e Besëlidhje 100:5–6; shih edhe vargjet 7–8.

  14. 1 Korintasve 2:13.

  15. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Kur ju zgjateni shpirtërisht përtej çdo gjëje që keni bërë ndonjëherë më parë, atëherë fuqia e [Shpëtimtarit] do të vërshojë brenda jush” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 42).

  16. Shih tek Ethëri 12:27.

  17. Shih te Gjoni 17:4.

  18. Shih te 2 Nefi 31:20; Mosia 2:41; Alma 36:3.

  19. Mësimet: Jozef Smith, f. 247.