Konferenca e Përgjithshme
Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare – Një Punë e Vetme dhe e Njëjtë
konferenca e përgjithshme e prillit 2023


10:12

Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare – Një Punë e Vetme dhe e Njëjtë

Një fokus qendror i planit të Atit tonë Qiellor është bashkimi i familjes për këtë jetë dhe për përjetësinë.

Sa mirënjohës jam për ndërtimin e vazhdueshëm të tempujve në këtë “periudhë [të] plotësisë së kohëve” (Doktrina e Besëlidhje 128:18). Që në ditët e hershme të Rivendosjes, shenjtorët besnikë kanë bërë shumë sakrifica për të marrë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit. Duke ndjekur shembullin e tyre të mrekullueshëm, në vitin 1975, pas shumë sakrificash ekonomike për të udhëtuar nga Meksiko‑Siti, unë dhe bashkëshortja ime e shtrenjtë, Evelia, të shoqëruar nga prindërit tanë të dashur, u vulosëm si bashkëshort e bashkëshorte të përjetshëm në Tempullin e Mesës në Arizonë. Atë ditë, ndërsa u bashkuam me anë të autoritetit të priftërisë në shtëpinë e Zotit, ne me të vërtetë përjetuam një shfaqje të vogël të qiellit.

Puna dhe Qëllimi i Tempujve

Ajo përvojë më ka lejuar ta vlerësoj shumë më mirë se si shenjtorët në Kirtland të Ohajos, pas tre vjetësh punë të palodhur dhe sakrificë të madhe, më në fund e përfunduan tempullin e tyre të bukur në pranverën e 1836‑s, i pari në këtë periudhë ungjillore. Në mars të po atij viti, mbi një mijë njerëz u mblodhën në tempull dhe në hyrjet e tij për shërbesën e përkushtimit. Profeti Jozef Smith u ngrit për të bërë lutjen përkushtuese, të cilën e kishte marrë me anë të zbulesës (shih te Doktrina e Besëlidhje 109). Në të ai përshkroi shumë prej bekimeve të jashtëzakonshme që u jepen atyre që hyjnë me denjësi në tempujt e Zotit. Më pas, kori këndoi himnin “Shpirti i Per’ndis’” dhe bashkësia u ngrit në këmbë për të bërë Thirrjen Hosana “me [forcë] të tillë sa [u duk] … [se] ngrit[i] lart çatinë nga ndërtesa” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 327).

Një javë më vonë, Profeti përshkroi shfaqjen e Zotit në tempull, i cili tha:

“Sepse, vini re, unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi. …

Dhe fama e kësaj shtëpie do të përhapet në toka të huaja; dhe ky është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim” (Doktrina e Besëlidhje 110:7, 10).

Pas këtij vegimi dhe vegimeve të tjera, Elija, profeti, i cili ishte marrë në qiell pa provuar vdekjen, u shfaq përpara Profetit Jozef Smith e Oliver Kaudërit dhe tha:

“Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija, profeti] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte–

Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim–

Si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert” (Doktrina e Besëlidhje 110:14–16).

Tempulli dhe Historia Familjare

Pasi Zoti rivendosi çelësat vulosës për Jozef Smithin, puna e shpëtimit në të dyja anët e velit filloi në periudhën tonë ungjillore (shih te 1 Korintasve 15:22, 29; Doktrina e Besëlidhje 128:8–18).

Presidenti Bojd K. Paker dha mësim se “kjo ngjarje sinjalizuese, kaloi pa u dëgjuar prej botës, por ajo do të ndikonte fatin e çdo shpirti që ka jetuar ose do të jetojë ndonjëherë. Gjërat filluan të ndodhnin qetësisht. Kisha u bë një kishë që ndërton tempuj.

Në botë filluan të shfaqen këtu e atje, në një mënyrë që [është] mendua[r] [të jetë] spontane, njerëz, organizata dhe shoqëri [të interesuara për] gjetjen e gjenealogjive. Kjo e gjitha [ka] fill[uar] të ndodhë që nga shfaqja e Eli[j]as në tempullin e Kirtlandit (The Holy Temple [1980], f. 141).

[Pikërisht] që nga ajo ditë, [më] 3 prill 1836, zemrat e fëmijëve filluan të kthehen tek etërit e tyre. [Paskëtaj], ordinancat nuk ishin … të rastësishme, por të vazhdueshme. Fuqia vulosëse ishte me ne. Asnjë autorizim nuk ia kalon [asaj në] vlerë. Ajo fuqi i jep jetë dhe qëndrueshmëri të përjetshme të gjitha ordinancave të kryera me anë të autoritetit të duhur si për të gjallët dhe [për] të vdekurit” (Në Përgatitje për të Hyrë në Tempullin e Shenjtë [2003], f. 28).

Të dashur vëllezër e motra, ndërtimi dhe përdorimi i duhur i tempujve ka qenë në çdo periudhë ungjillore një shenjë e Kishës së vërtetë të Jezu Krishtit. Pas përkushtimit të Tempullit të Solt-Lejkut në 1893‑n, Presidenti Uillford Udraf, i nxiti anëtarët e Kishës të gjenin dokumentet e paraardhësve të tyre dhe ta mbanin shënim gjenealogjinë e tyre duke shkuar sa më shumë mbrapa [në kohë] që të ishte e mundur, në mënyrë që të sillnin emrat në tempull dhe të kryenin ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 174).

Historia Familjare dhe Puna në Tempull – Një Punë e Vetme

Një vit më vonë (1894), ishte sërish Presidenti Udraf që mbikëqyri krijimin e Shoqatës Gjenealogjike të Jutës. Njëqind vjet më vonë, në 1994‑n, Plaku Rasëll M. Nelson, asokohe anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ngjarjet e atij viti historik e vendosën kërkimin për historinë familjare dhe shërbimin në tempull si një punë të vetme në Kishë” (“The Spirit of Elijah”, Ensign, nëntor 1994, f. 85).

Puna për Historinë Familjare

Të dashur vëllezër e motra, Zoti na nxit si anëtarë të Kishës së Tij që të ruajmë vetë historinë tonë familjare, të mësojmë prej paraardhësve tanë dhe të bëjmë përgatitjet e nevojshme për ta që të marrin ordinancat e ungjillit në tempuj, për t’i ndihmuar që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve, gjë që do t’i bekojë ata me një familje të përjetshme. Ky është fokusi qendror i planit të Atit tonë Qiellor: bashkimi i familjes për këtë jetë dhe për përjetësinë.

Për ju që nuk ndiheni të aftë ta bëni këtë punë, duhet ta dini se nuk jeni vetëm. Ne që të gjithë mund t’u drejtohemi mjeteve që Kisha ka përgatitur dhe që gjenden në qendrat e programit FamilySearch, të cilat dikur i njihnim si qendra të historisë familjare. Këto qendra të programit FamilySearch janë krijuar në mënyrë që thuajse gjithsecili, me pak ndihmë, mund të gjejë informacione për paraardhësit e vet dhe t’i organizojë ato siç duhet në mënyrë që të mund t’i çojë në shtëpinë e Zotit. Ju lutemi, vihuni në kontakt me këshilluesit për historinë familjare në lagjen apo degën tuaj, të cilët do t’ju udhërrëfejnë në çdo hap.

Ndërsa ndjekim udhërrëfimin e profetëve dhe mësojmë se si ta bëjmë historinë tonë familjare dhe të kryejmë ordinancat e tempullit për paraardhësit tanë, ne do të përjetojmë gëzim të madh deri në atë pikë sa nuk do të duam të ndalojmë së bëri atë. Shpirti do të vërshojë në zemrat tona, do të zgjojë aftësitë tona për ta bërë atë dhe do të na udhërrëfejë ndërsa kërkojmë emrat e paraardhësve tanë. Por le të kujtojmë që historia familjare është më shumë sesa thjesht kërkimi i emrave, datave dhe vendeve. Ajo ka të bëjë me bashkimin e familjeve dhe ndjesinë e gëzimit që u vjen atyre nga dhënia e ordinancave të ungjillit.

Më pëlqen shumë mësimdhënia e frymëzuar e profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson, i cili ka thënë: “Tempulli ndodhet në qendër të forcimit të besimit dhe qëndresës sonë shpirtërore sepse Shpëtimtari dhe doktrina e Tij janë vetë thelbi i tempullit. Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese” (“Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–94).

Sigurisht, puna në tempull dhe për historinë familjare janë një punë e vetme dhe po e njëjta punë në Kishë.

Unë dëshmoj për këto të vërteta. E di se kjo është Kisha e Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, të Cilin e kujtojmë dhe e nderojmë në këtë periudhë Pashke. Unë e di se Ai na do dhe kur i mbajmë besëlidhjet tona dhe e vendosim mirëbesimin tonë tek Ai, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese dhe forcuese. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.