Konferenca e Përgjithshme
“Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet për Emrin Tim”
konferenca e përgjithshme e prillit 2020


2:3

“Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet për Emrin Tim”

(Doktrina e Besëlidhje 124:40)

Besëlidhjet e marra dhe ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shenjtërimin e zemrave tona dhe për ekzaltimin përfundimtar të bijve dhe bijave të Perëndisë.

Në Korijen e Shenjtë 200 vjet më parë, i riu Jozef Smith i pa dhe foli me Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Prej Tyre Jozefi mësoi rreth natyrës së vërtetë të Kreut‑Perëndi dhe zbulesës së vazhdueshme, teksa ky vegim hyjnor hapi udhën që “të plotësoheshin kohërat”1 në periudhën e ditëve të mëvonshme.

Afërsisht tre vjet më vonë, në përgjigje të lutjes së sinqertë në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, dhoma e fjetjes e Jozefit u mbush me dritë derisa “ishte më e shndritshme se në mesditë”2. Një personazh iu shfaq në anë të shtratit, e thirri djaloshin me emër dhe tha se “ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë … dhe se emri i tij ishte Moroni”3. Ai e udhëzoi Jozefin lidhur me daljen në dritë të Librit të Mormonit.

E më pas Moroni citoi nga libri i Malakias në Dhiatën e Vjetër, me pak ndryshim në gjuhën që përdoret tek Varianti i Mbretit Xhejms:

“Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nëpërmjet dorës së Elija profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit. …

Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij.”4

Me rëndësi është që udhëzimi i Moronit dhënë Jozef Smithit rreth misionit të Elijas nisi punën në tempull dhe për historinë familjare në ditët e mëvonshme dhe ishte një element kyç në rivendosjen e “të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës”5.

Lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa mësojmë së bashku rreth besëlidhjeve, ordinancave dhe bekimeve që janë në dispozicion për ne në tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kthimi i Elijas

Po filloj duke bërë një pyetje themelore: Përse ishte i rëndësishëm kthimi i Elijas?

“Ne mësojmë nga zbulesa e ditëve të mëvonshme se Elija mbajti fuqinë vulosëse të Priftërisë Melkizedeke”6 dhe “ishte profeti i fundit që e bëri këtë përpara kohës së Jezu Krishtit”7.

Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Shpirti, fuqia dhe thirrja e Elijas është që ju keni fuqi të mbani çelësin … [e] plotësisë së Priftërisë Melkizedeke … ; dhe për të … siguruar … të gjitha ordinancat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë, madje në kthimin e zemrave të etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, madje atyre që janë në qiell”8.

Ky autoritet i shenjtë vulosës është i nevojshëm që “gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej”9.

Jozefi më tej sqaroi: “Si do ta sjellë Perëndia shpëtimin e këtij brezi? Ai do të dërgojë Elijan, profetin. … Elija do të zbulojë besëlidhjet për të vulosur zemrat e etërve me bijtë dhe të bijve me etërit.”10

Elija u shfaq bashkë me Moisiun në Malin e Shpërfytyrimit dhe ia dha këtë autoritet Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit.11 Elija gjithashtu u shfaq me Moisiun dhe Eliasin më 3 prill 1836 në Tempullin e Kirtlandit dhe u dha të njëjtat çelësa të priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.12

Rivendosja e autoritetit vulosës nga Elija në vitin 1836, ishte e domosdoshme për të përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe filloi një interesim mjaft të shtuar e mbarëbotëror në kërkimin e historisë familjare.

Ndryshimi, Kthimi dhe Dëlirja e Zemrave

Fjala zemër përdoret mbi 1 000 herë në veprat standarde. Kjo fjalë e thjeshtë, por kuptimplote, shpesh simbolizon ndjenjat më të brendshme të një individi. Zemrat tona – shuma e përgjithshme e dëshirave, ndjenjave, qëllimeve, synimeve dhe sjelljeve tona – përkufizojnë se kush jemi dhe përcaktojnë atë që vërtet do të bëhemi. Dhe thelbi i punës së Zotit është ndryshimi, kthimi dhe dëlirja e zemrave nëpërmjet besëlidhjeve të ungjillit dhe ordinancave të priftërisë.

Ne nuk ndërtojmë ose hyjmë në tempuj të shenjtë vetëm që të kemi një përvojë të paharrueshme vetjake apo familjare. Përkundrazi, besëlidhjet e marra dhe ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shenjtërimin e zemrave tona dhe për ekzaltimin përfundimtar të bijve dhe bijave të Perëndisë.

Mbjellja në zemrat e fëmijëve e premtimeve të bëra etërve – madje Abrahamit, Isakut dhe Jakobit – kthimi i zemrave të fëmijëve tek etërit e tyre, bërja e kërkimit të historisë familjare dhe kryerja e ordinancave mëkëmbëse në tempull janë vepra që i bekojnë individët në të dyja anët e velit. Teksa përfshihemi me zell në këtë punë të shenjtë, ne po u bindemi urdhërimeve për t’i dashur dhe për t’u shërbyer Perëndisë dhe të afërmve tanë.13 Dhe një shërbim i tillë vetëmohues na ndihmon vërtet që ta “Dëgjoj[më] Atë!”14 dhe të vijmë te Shpëtimtari.15

Besëlidhjet dhe ordinancat më të shenjta të priftërisë merren vetëm në tempull – në shtëpinë e Zotit. Çdo gjë që mësohet dhe gjithçka që bëhet në tempull, theksojnë hyjninë e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij në planin e madhërishëm të Atit Qiellor për lumturinë.

Nga Brenda Jashtë

Presidenti Ezra Taft Benson përshkroi një model të rëndësishëm të cilin e vë në përdorim Shëlbuesi që të bëjë “të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”16. Ai tha: “Zoti vepron nga brenda jashtë. Bota vepron nga jashtë brenda. Bota synon t’i nxjerrë njerëzit prej skamjes që i rrethon. Krishti e nxjerr skamjen shpirtërore nga njerëzit dhe pastaj ata e nxjerrin veten nga skamja që i rrethon. Bota synon t’i brumosë njerëzit duke ndryshuar mjedisin e tyre. Krishti i ndryshon njerëzit, të cilët më pas e ndryshojnë mjedisin e tyre. Bota synon t’i japë formë sjelljes njerëzore, por Krishti mundet ta ndryshojë natyrën njerëzore.”17

Besëlidhjet dhe ordinancat e priftërisë janë qendrore në procesin e vazhdueshëm të rilindjes dhe shndërrimit shpirtëror; ato janë mjetet nëpërmjet të cilave Zoti vepron me secilin prej nesh nga brenda jashtë. Besëlidhjet që nderohen me vendosmëri, që kujtohen gjithmonë dhe shkruhen “me Frymën e Perëndisë së gjallë … mbi rrasa të një zemre mishi”18, japin qëllim dhe siguri për bekime në vdekshmëri dhe në përjetësi. Ordinancat që merren denjësisht dhe kujtohen vazhdimisht, hapin kanalet e qiellit nëpërmjet të cilave fuqia e perëndishmërisë mund të vërshojë në jetën tonë.

Ne nuk vijmë në tempull që të fshihemi prej ligësive të botës apo që t’u largohemi atyre. Përkundrazi, ne vijmë në tempull që ta mposhtim botën e ligësisë. Kur e ftojmë në jetën tonë “fuqi[në] e perëndishmërisë”19 nëpërmjet marrjes së ordinancave të priftërisë dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta, ne bekohemi me forcë përtej vetvetes20 për t’i kapërcyer tundimet dhe sfidat e vdekshmërisë, për të bërë mirë dhe për t’u bërë të mirë.

Fama e Kësaj Shtëpie do të Përhapet

Tempulli i parë i kësaj periudhe ungjillore u ndërtua në Kirtland të Ohajos dhe u përkushtua më 27 mars 1836.

Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith një javë pas përkushtimit, Zoti shpalli:

“Zemrat e gjithë njerëzve të mi duhet të gëzohen, të cilët, me fuqinë e tyre, kanë ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim. …

Po, zemrat e mijërave dhe qindra mijërave do të gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen dhe e dhurimit me të cilin shërbëtorët e mi janë dhuruar në këtë shtëpi.

Dhe fama e kësaj shtëpie do të përhapet në toka të huaja; dhe ky është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim.”21

Ju lutem, vini re frazat zemrat e mijërave dhe qindra mijërave do të gëzohen së tepërmi dhe fama e kësaj shtëpie do të përhapet në toka të huaja. Këto ishin deklarime hutuese në prillin e vitit 1836, kur Kisha kishte vetëm një grusht relativisht të vogël anëtarësh dhe një tempull.

Sot në vitin 2020, ne kemi 168 tempuj në funksionim. Dyzet e nëntë tempuj të tjerë janë nën ndërtim ose janë njoftuar. Shtëpitë e Zotit po ndërtohen në “ishujt e detit”22 dhe në shtete e vende që më parë konsideroheshin nga shumë veta si të pamundura për të miratuar një tempull.

Ceremonia e dhurimit aktualisht kryhet në 88 gjuhë dhe do të vihet në dispozicion në shumë gjuhë të tjera shtesë ndërkohë që tempuj ndërtohen për të bekuar edhe më shumë fëmijë të Perëndisë. Në 15 vitet e ardhshme ka të ngjarë që të dyfishohet numri i gjuhëve në të cilat ordinancat e tempullit do të jenë në dispozicion.

Sivjet do të hapim themelin dhe do të fillojmë ndërtimin për 18 tempuj. Në dallim nga kjo, u deshën 150 vjet për të ndërtuar 18 tempujt e parë, nga organizimi i Kishës në vitin 1830 deri në përkushtimin e Tempullit të Tokios në Japoni nga Presidenti Spenser W. Kimball në vitin 1980.

Gjashtë tempuj

Merreni parasysh përshpejtimin e punës në tempull që ka ndodhur vetëm gjatë jetës së Presidentit Rasëll M. Nelson. Kur Presidenti Nelson lindi më 9 shtator 1924, Kisha kishte gjashtë tempuj në funksionim.

26 tempuj

Kur ai u shugurua Apostull më 7 prill 1984, 60 vjet më vonë, 26 tempuj po funksiononin, një rritje me 20 tempuj brenda 60 vjetëve.

159 tempuj

Kur Presidenti Nelson u mbështet si President i Kishës, po funksiononin 159 tempuj, një rritje me 133 tempuj në 34 vjet, gjatë të cilave ai shërbeu si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Tempuj në funksionim dhe të lajmëruar

Që kur u bë Presidenti i Kishës më 14 janar 2018, Presidenti Nelson ka njoftuar 35 tempuj të rinj.

Nëntëdhjetë e gjashtë përqind e tempujve ekzistues janë përkushtuar gjatë jetës së Presidentit Nelson; 84 përqind janë përkushtuar që nga koha kur ai u shugurua Apostull.

Gjithmonë Përqendrohuni te Gjërat që Janë më të Rëndësishmet

Si anëtarë të Kishës së rivendosur të Zotit, ne qëndrojmë plot habi te ritmi gjithnjë e në rritje i veprës së Tij në ditët e mëvonshme. Dhe më shumë tempuj po vijnë.

Brigam Jangu profetizoi: “Që të përmbushet kjo vepër, do të duhet të ketë jo vetëm një tempull, por mijëra prej tyre dhe mijëra e dhjetëra mijëra burra e gra do të shkojnë në këta tempuj dhe do të veprojnë për njerëz që kanë jetuar aq kohë më parë sa Zoti do ta zbulojë”23.

Në mënyrë të kuptueshme, njoftimi i secilit tempull të ri është burim gëzimi të madh dhe arsye për t’i dhënë falënderime Zotit. Sidoqoftë, përqendrimi ynë kryesor duhet të jetë te besëlidhjet dhe ordinancat që mund t’i ndryshojnë zemrat tona dhe ta thellojnë përkushtimin tonë ndaj Shpëtimtarit, dhe jo thjesht te vendndodhja apo bukuria e godinës.

Detyrimet themelore që qëndrojnë mbi ne si anëtarë të Kishës së rivendosur të Zotit, janë: 1) ta “Dëgjoj[më] Atë!”24 dhe t’i ndryshojmë zemrat tona nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave, dhe 2) ta plotësojmë me gëzim përgjegjësinë e caktuar në mënyrë hyjnore, që t’ia ofrojmë bekimet e tempullit tërë familjes njerëzore në të dyja anët e velit. Me udhëzimin dhe ndihmën e Zotit, ne vërtet do t’i përmbushim këto detyra të shenjta.

Ndërtimi i Sionit

Profeti Jozef Smith shpalli:

“Ndërtimi i Sionit është një kauzë që u ka interesuar njerëzve të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme, ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; por ata vdiqën pa e parë; … na është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditëve të mëvonshme”25.

“Priftëria qiellore do të bashkohet me tokësoren, për të sjellë ato qëllime të shkëlqyera; … një punë që Perëndia dhe engjëjt e kanë kundruar me kënaqësi për brezat e kaluar; që frymëzuan shpirtin e patriarkëve dhe profetëve të lashtë; një punë që është e destinuar të sjellë shkatërrimin e forcave të errësirës, ripërtëritjen e tokës, lavdinë e Perëndisë dhe shpëtimin e familjes njerëzore.”26

Unë solemnisht dëshmoj se Ati dhe Biri iu shfaqën Jozef Smithit dhe Elija rivendosi autoritetin vulosës. Besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta të tempullit mund të na forcojnë ne dhe të na i pastrojnë zemrat tona kur e “Dëgjoj[më] Atë!”27 dhe marrim fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë. Dhe unë dëshmoj se kjo vepër e ditëve të mëvonshme do t’i shkatërrojë fuqitë e errësirës dhe do të sjellë shpëtimin e familjes njerëzore. Për këto të vërteta unë dëshmoj plot gëzim, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.