Sigurimi i një Gjykimi të Drejtë
Që të sigurohet një gjykim i drejtë, flijimi shlyes i Shpëtimtarit do t’i heqë gëmushën e paditurisë dhe gjembat e dhembshëm të lëndimit të shkaktuar nga të tjerët.
Libri i Mormonit na Mëson Doktrinën e Krishtit
Tetorin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson na nxiti të merrnim në shqyrtim se si jeta jonë do të ishte e ndryshme nëse “njohuria [jonë] e fituar nga Libri i Mormonit do të hiqej befas”1. E kam përsiatur pyetjen e tij, sikurse jam i sigurt se e kanë përsiatur shumë prej jush. Një mendim më ka ardhur vazhdimisht – pa Librin e Mormonit dhe qartësinë e tij lidhur me doktrinën e Krishtit dhe flijimin e Tij shlyes, ku do të drejtohesha për paqe?
Doktrina e Krishtit – që përbëhet nga parimet dhe ordinancat shpëtuese të besimit te Krishti, të pendimit, pagëzimit, dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund – jepet mësim shumë herë në të gjitha shkrimet e shenjta të Rivendosjes, por me fuqi të veçantë në Librin e Mormonit.2 Doktrina fillon me besimin te Krishti dhe secili prej elementeve të saj varet nga mirëbesimi te flijimi i Tij shlyes.
Siç ka dhënë mësim Presidenti Nelson: “Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend”3. Sa më shumë që kuptojmë rreth dhuratës hyjnore të Shpëtimtarit, aq më shumë do të arrijmë të dimë, në mendjen tonë dhe në zemrën tonë4 për realitetin e sigurisë së Presidentit Nelson se “të vërtetat e Librit të Mormonit kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë”5.
Shlyerja e Shpëtimtarit i Plotëson të Gjitha Kërkesat e Drejtësisë
Një ndihmesë jetike dhe paqedhënëse e Librit të Mormonit kundrejt të kuptuarit tonë për Shlyerjen e Shpëtimtarit është mësimi prej tij se flijimi plot mëshirë i Krishtit i përmbush të gjitha kërkesat e drejtësisë. Sikurse shpjegoi Alma: “Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm”6. Plani i Atit për mëshirën7 – atë që shkrimet e shenjta e quajnë edhe plani i lumturisë8 ose plani i shpëtimit9 – nuk mund të përmbushej nëse nuk plotësoheshin të gjitha kërkesat e drejtësisë.
Por çfarë janë saktësisht “kërkesat e drejtësisë”? Merreni parasysh përvojën e vetë Almës. Mbani mend se kur ishte i ri, Alma po përpiqej lart e poshtë që “të shkatërronte kishën”10. Në fakt, Alma i tha të birit, Helamanit, se ai “mundohe[j] me dhimbjet e ferrit” ngaqë vërtet kishte “vrarë shumë prej fëmijëve të [Perëndisë]” duke i udhëhequr “ata drejt shkatërrimit”11.
Alma i shpjegoi Helamanit se paqja më së fundi i erdhi kur “mendja [e tij] po … përqendrohej” te mësimi i dhënë nga i ati “në lidhje me ardhjen e … Jezu Krishti[t] … për të shlyer mëkatet e botës”12. Alma i penduar u lut për mëshirën e Krishtit13 dhe më pas ndjeu gëzim e lehtësim kur e kuptoi se Krishti kishte shlyer për mëkatet e tij dhe kishte paguar gjithçka që e kërkonte drejtësia. Sërish, çfarë do të kishte kërkuar drejtësia nga Alma? Siç dha mësim Alma vetë më vonë: “Asnjë gjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë”14. Prandaj, pjesë e lehtësimit të Almës duhet të kishte qenë që, në qoftë se nuk ndërhynte mëshira, drejtësia do ta kishte penguar atë që të kthehej për të jetuar me Atin Qiellor.15
Shpëtimtari Shëron Plagët që Ne Nuk Mund t’i Shërojmë
Por, a u përqendrua gëzimi i Almës vetëm mbi vetveten – mbi shmangien e ndëshkimit ndaj tij dhe në të qenit i aftë që ai të kthehej tek Ati? Ne e dimë se Alma kishte agoni edhe për njerëzit që ai i kishte udhëhequr larg nga e vërteta.16 Por Alma vetë nuk mund të shëronte dhe të kthente të gjithë ata që i kishte çuar në udhë të gabuar. Ai vetë nuk mund të siguronte që atyre t’u jepej një mundësi e drejtë për të mësuar doktrinën e Krishtit dhe për t’u bekuar nëpërmjet të jetuarit të parimeve të tij të gëzueshme. Ai nuk mund të kthente ata që mund të kishin vdekur ende të verbuar nga mësimet e tij të rreme.
Sikurse dha mësim dikur Presidenti Bojd K. Paker: “Mendimi që e shpëtoi Almën, … është ky: ‘Rikthimi i asaj që ju nuk mund ta riktheni, shërimi i plagës që nuk mund ta shëroni, rregullimi i asaj që e thyet dhe nuk mund ta rregulloni, është pikërisht qëllimi i shlyerjes së Krishtit’”17. E vërteta e gëzueshme tek e cila u “përqendr[ua]” mendja e Almës, nuk ishte thjesht që ai vetë të mund të bëhej i pastër, por gjithashtu që ata të cilëve iu kishte bërë dëm, të mund të shëroheshin dhe të bëheshin të pacenuar.
Flijimi i Shpëtimtarit Siguron një Gjykim të Drejtë
Vite përpara se Alma të shpëtohej nga kjo doktrinë që jep siguri, mbreti Beniamin dha mësim rreth shkallës së gjerë të shërimit të ofruar nga flijimi shlyes i Shpëtimtarit. Mbreti Beniamin shpalli se “lajmet e gëzuara të gëzimit të madh” iu dhanë atij “nëpërmjet një engjëlli nga Perëndia”18. Mes atyre lajmeve të gëzuara ishte e vërteta që Krishti do të vuante dhe vdiste për mëkatet dhe gabimet tona për të siguruar që “një gjykim i drejtë të vi[nte] mbi fëmijët e njerëzve”19.
Çfarë kërkon saktësisht një “gjykim i drejtë”? Në vargun vijues, mbreti Beniamin shpjegoi se, që të sigurohet një gjykim i drejtë, gjaku i Shpëtimtarit shleu “për mëkatet e atyre që kanë rënë nga shkelja e Adamit” dhe për ata “që kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë në lidhje me ta, ose që kanë bërë mëkat nga padituria”20. Ai dha mësim se një gjykim i drejtë gjithashtu kërkonte që “gjaku i Krishtit [të] shlye[jë] për” mëkatet e fëmijëve të vegjël.21
Këto shkrime të shenjta na mësojnë një doktrinë të lavdishme: flijimi shlyes i Shpëtimtarit shëron, si një dhuratë falas, ata që mëkatojnë në padituri – ata të cilët, sikurse e tha Jakobi, “nuk ka[në] ligj të dhënë”22. Përgjegjshmëria për mëkatin varet nga drita që na është dhënë, dhe është në varësi të aftësisë sonë për ta ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes.23 Ne e dimë këtë të vërtetë shëruese dhe ngushëlluese vetëm për shkak të Librit të Mormonit dhe shkrimeve të tjera të shenjta të Rivendosjes.24
Sigurisht, atje ku është dhënë një ligj, atje ku nuk jemi të paditur për vullnetin e Perëndisë, ne jemi të përgjegjshëm. Siç e theksoi mbreti Beniamin: “Mjerë ai që e di se ngre krye kundër Perëndisë! Pasi shpëtimi nuk vjen tek asnjë i tillë, veçse nëpërmjet pendimit dhe besimit në Zotin Jezu Krisht.”25
Ky gjithashtu është lajmi i gëzuar i doktrinës së Krishtit. Jo vetëm që Shpëtimtari shëron dhe i rivendos ata që mëkatojnë në padituri, por edhe, për ata që mëkatojnë kundër dritës, Shpëtimtari ofron shërim me kushtin e pendimit dhe të besimit tek Ai.26
Alma duhet të jetë “përqendr[uar]” tek të dyja këto të vërteta. A do ta kishte ndier Alma vërtet atë që ai e përshkruan si “të ëmb[lin] … gëzim”27, në qoftë se mendonte se Krishti e shpëtoi atë, por i la të dëmtuar përgjithmonë njerëzit që ai i kishte udhëhequr larg nga e vërteta? Sigurisht që jo. Që Alma të ndiente paqe të plotë, ata të cilët ai i dëmtoi, gjithashtu kishin nevojë për mundësinë që të shëroheshin.
Por si do të shëroheshin saktësisht ata – ose si do të shërohen njerëzit që ne mund t’i dëmtojmë? Edhe pse nuk e kuptojmë tërësisht dinamikën e shenjtë me anë të së cilës flijimi shlyes i Shpëtimtarit shëron e rivendos, ne dimë vërtet se, që të sigurohet një gjykim i drejtë, Shpëtimtari do t’i heqë gëmushën e paditurisë dhe gjembat e dhembshëm të lëndimit të shkaktuar nga të tjerët.28 Nëpërmjet kësaj, Ai siguron që të gjithë fëmijëve të Perëndisë do t’iu jepet mundësia, me një vizion të paerrësuar, që të zgjedhin për ta ndjekur Atë dhe për të pranuar planin e madhërishëm të lumturisë.29
Shpëtimtari do të Ndreqë Gjithçka që Ne e Kemi Thyer
Janë këto të vërteta që do t’i kishin sjellë paqe Almës. Dhe janë këto të vërteta që gjithashtu do të na sjellin paqe të madhe. Si burra e gra të natyrshme, ne të gjithë goditemi, ose nganjëherë përplasemi, me njëri‑tjetrin dhe shkaktojmë dëmtim. Siç mund të dëshmojë çdo prind, dhembja e shoqëruar me gabimet tona nuk është thjesht frika për vetë ndëshkimin tonë, por frika që ne mund ta kemi kufizuar gëzimin e fëmijëve tanë ose në njëfarë mënyre t’i kemi penguar ata që të mos e shohin dhe kuptojnë të vërtetën. Premtimi i lavdishëm i flijimit shlyes të Shpëtimtarit është që, për sa u përket gabimeve tona si prindër, Ai i konsideron fëmijët tanë të pafajshëm dhe premton shërim për ta.30 Dhe, madje kur ata kanë mëkatuar kundër dritës – siç bëjmë ne të gjithë – krahu i Tij i mëshirës është i shtrirë31 dhe Ai do t’i shëlbojë nëse thjesht do të shohin tek Ai dhe do të jetojnë32.
Edhe pse Shpëtimtari ka fuqi ta ndreqë atë që ne nuk mund ta rregullojmë, Ai na urdhëron të bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë dëmshpërblimin si pjesë të pendimit tonë.33 Mëkatet dhe gabimet tona zënë vendin jo vetëm të marrëdhënies sonë me Perëndinë, por edhe të marrëdhënieve tona me të tjerët. Nganjëherë përpjekjet tona për të shëruar dhe rivendosur mund të jenë po aq të thjeshta sa kërkimi i faljes, por herë të tjera rivendosja mund të kërkojë vite të përpjekjes së përulur.34 Prapëseprapë, për shumë prej mëkateve dhe gabimeve tona, ne thjesht nuk jemi në gjendje që t’i shërojmë tërësisht ata që i kemi lënduar. Premtimi i madhërishëm, paqedhënës i Librit të Mormonit dhe ungjillit të rivendosur është që Shpëtimtari do të ndreqë gjithçka që ne e kemi thyer.35 Dhe Ai do të na ndreqë edhe ne, në qoftë se kthehemi tek Ai me besim dhe pendohemi për dëmtimin që kemi shkaktuar.36 Ai i ofron që të dyja këto dhurata, sepse Ai na do ne të gjithëve me një dashuri të përsosur37 dhe sepse Ai zotohet që të sigurojë një gjykim të drejtë, i cili i nderon edhe drejtësinë edhe mëshirën. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.