Që Ata të Shohin
Kërkoni dhe lutuni për mundësi që ta lini dritën tuaj të shkëlqejë, që të tjerët të mund të shohin udhën për te Jezu Krishti.
Vëllezër dhe motra, zemra jonë është bekuar dhe është përtërirë nga Shpirti që kemi ndier në këtë konferencë.
Dyqind vjet më parë, një shtyllë drite qëndroi mbi një djalosh në një korije. Në atë dritë, Jozef Smithi pa Perëndinë, Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Drita e tyre e sprapsi errësirën shpirtërore që e mbulonte tokën dhe ia tregoi udhën përpara Jozef Smithit – dhe të gjithëve ne. Për shkak të dritës që u shpalos atë ditë, ne mund të marrim plotësinë e bekimeve të mundësuara nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Në sajë të Rivendosjes së ungjillit të Tij, ne mund të mbushemi me dritën e Shpëtimtarit tonë. Sidoqoftë, ajo dritë nuk është synuar vetëm për ju dhe për mua. Jezu Krishti na ka bërë thirrjen: “Le të shkëlqejë drita juaj para këtyre njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”1. Kam arritur ta pëlqej shumë frazën “që ata të shohin”. Ajo është një ftesë e zjarrtë nga Zoti që të jemi më të qëllimshëm rreth ndihmës ndaj të tjerëve që ta shohin shtegun dhe si rrjedhim të vijnë te Krishti.
Kur isha 10 vjeçe, familja jonë pati nderin të priste në shtëpi Plakun L Tom Peri, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndërkohë që ishte me detyrë në qytetin tim të lindjes.
Në fund të ditës, familja jonë dhe familja Peri u ulëm në dhomën e ndenjes për të shijuar ëmbëlsirën e shijshme me mollë të nënës sime, ndërkohë që Plaku Peri tregonte histori rreth shenjtorëve anembanë botës. U magjepsa.
Po shkonte vonë, kur, nëna më thirri në kuzhinë dhe më bëri një pyetje të thjeshtë: “Boni, a i ushqeve pulat?”
Më ngriu zemra; nuk e kisha bërë. Duke mos dashur që të largohesha nga prania e një Apostulli të Zotit, thashë me mendje se pulat mund të agjëronin deri në mëngjes.
Nëna më dha një përgjigje të prerë “jo”. Pikërisht në atë çast, Plaku Peri hyri në kuzhinë dhe me zërin e tij kumbues e entuziast pyeti: “Mos dëgjova vallë se dikush duhet të ushqejë pulat?” A mund të vijmë im bir dhe unë me ty?”
O, çfarë gëzimi i madh u bë tani të ushqeja pulat! Vrapova për të marrë elektrikun tonë të madh të dorës me ngjyrë të verdhë. E emocionuar, parapriva, duke kapërcyer përgjatë shtegut të prishur për te koteci i pulave. Me elektrikun që e vërtitja në dorë, kaluam ngastrën me misër dhe ecëm përmes fushës me grurë.
Kur arritëm te kanali i vogël vaditës që ndërpriste shtegun, në mënyrë instiktive e kapërceva siç kisha bërë shumë net më parë. Nuk i kushtova vëmendje përpjekjeve të Plakut Peri për të më ndjekur përgjatë një shtegu të errët e të panjohur. Drita e papërqendruar që bëja unë nuk e ndihmoi atë që ta shihte kanalin. Pa një dritë të qëndrueshme që të shihte, ai shkeli direkt në ujë dhe lëshoi një rënkim të fortë. E zënë nga paniku, ktheva kokën të shihja mikun tim të ri duke nxjerrë këmbën e qullur nga kanali dhe duke shkundur ujin nga këpuca e tij e rëndë prej lëkure.
Me një këpucë të qullur e me baltë, Plaku Peri më ndihmoi të ushqeja pulat. Kur mbaruam, ai më udhëzoi me shumë dashuri: “Boni kam nevojë ta shoh shtegun. Kam nevojë që drita të ndriçojë aty ku po eci.”
Unë po bëja dritë por jo në një mënyrë që do ta ndihmonte Plakun Peri. Tani, duke e ditur se atij i nevojitej drita ime për ta përshkuar i sigurt shtegun, ia drejtova elektrikun e dorës pikërisht përpara hapave dhe qemë në gjendje të ktheheshim në shtëpi me vetësiguri.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, për vite me radhë e kam përsiatur parimin që mësova nga Plaku Peri. Ftesa e Zotit që drita jonë të shkëlqejë, nuk ka të bëjë vetëm me vërtitjen kuturu të rrezes së dritës dhe që ta bëjmë botën më të shndritshme në përgjithësi. Ajo ka të bëjë me përqendrimin e dritës sonë, që të tjerët të mund të shohin udhën për te Krishti. Ka të bëjë me mbledhjen e Izraelit nga të dyja anët e velit – duke i ndihmuar të tjerët që ta shohin hapin e radhës drejt bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë2.
Shpëtimtari dëshmoi: “Vini re, unë jam drita; unë kam vendosur një shembull për ju”3. Le të shohim një nga shembujt e Tij.
Gruaja te pusi ishte samaritane, e cila nuk e njihte Jezu Krishtin dhe shihej nga shumë njerëz si e dëbuar nga shoqëria e vet. Jezusi e takoi dhe filloi të bisedonte. Ai i foli asaj për ujin. Më pas Ai i hodhi një dritë të shtuar ndërsa Ai e shpalli Veten si “uj[i i] gjallë”4.
Krishti ishte i vëmendshëm në mënyrë të dhembshur ndaj saj dhe nevojave të saj. Ai e takoi gruan atje ku ishte dhe filloi të fliste rreth diçkaje që njihej dhe qe e zakonshme. Nëse Ai do ta ndalte aty bisedën, ai do të kish qenë një takim pozitiv. Por nuk do ta kishte shtyrë atë që të shkonte në qytet për të shpallur: “Ejani, të shikoni … ; vallë mos është ky Krishti?”5 Gradualisht, gjatë bisedës, ajo zbuloi Jezu Krishtin dhe pavarësisht të kaluarës së saj, ajo u bë një mjet drite, duke e ndriçuar rrugën që ta shihnin të tjerët6.
Tani, le të vërejmë dy njerëz që e ndoqën shembullin e Shpëtimtarit për dritën që shkëlqen. Kohët e fundit miku im Kevini, ishte ulur në krah të një drejtori kompanie gjatë darkës. Shqetësohej se për çfarë do të fliste për dy orë. Duke ndjekur një nxitje, Kevini i bëri pyetjen: “Më trego rreth familjes sate. Nga e kanë origjinën?”
Zotëria nuk dinte shumë për trashëgiminë e tij, kështu që Kevini e nxori celularin, dhe tha: “Kam një program që i lidh njerëzit me familjarët e tyre. Le të shohim se ç’mund të gjejmë!”
Pas një bisede të gjatë, miku i ri i Kevinit i bëri pyetjen: “Përse familja është kaq e rëndësishme për kishën tuaj?”
Kevini u përgjigj thjesht: “Ne besojmë se vazhdojmë të jetojmë pasi vdesim.” Nëse i gjejmë paraardhësit tanë dhe ua çojmë emrat në një vend të shenjtë që e quajmë tempull, ne mund të kryejmë ordinanca martesore që do t’i mbajnë familjet tona përgjithmonë bashkë, edhe pas vdekjes”7.
Kevini e nisi me diçka që ai dhe miku i tij i ri kishin të përbashkët. Më pas ai gjeti një mënyrë për të dëshmuar për dritën dhe dashurinë e Shpëtimtarit.
Historia e dytë është rreth Elës, një lojtare basketbolli në kolegj. Shembulli i saj filloi kur ajo mori thirrjen e saj për mision ndërkohë që ndodhej në shkollë. Ajo zgjodhi ta hapte zarfin e thirrjes së saj përpara skuadrës. Ata thuajse nuk dinin asgjë rreth Kishës së Jezu Krishtit dhe nuk e kuptonin dëshirën e Elës për të shërbyer. Ajo u lut vazhdimisht për të ditur se si ta shpjegonte thirrjen e saj të misionit në një mënyrë që skuadra e saj të mund ta ndjente Shpirtin. Përgjigjja e saj?
“Bëra një paraqitje me PowerPoint”, tha Ela, “ngaqë jam e hatashme”. Ajo u tregoi atyre rreth mundësisë për të shërbyer në një nga 400 a më shumë misione dhe me gjasë për të mësuar një gjuhë. Ajo nxori në pah mijëra misionarë që ishin duke shërbyer tashmë. Ela e mbylli me një pikturë të Shpëtimtarit dhe me këtë dëshmi të shkurtër: “Basketbolli është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time. U shpërngula në skajin tjetër të vendit dhe e lashë familjen time për të luajtur për këtë trajner dhe këtë skuadër. Dy gjërat e vetme që janë më të rëndësishme për mua se basketbolli janë besimi dhe familja ime.”8
Tani, në rast se po mendoni: “Këto janë shembuj llambash prej 1 000 vatë, kurse unë jam llambë prej 20 vatë” kujtoni se Shpëtimtari dëshmoi: “Unë jam drita që ju duhet të mbani lart”9. Ai na kujton se Ai do të na e sjellë dritën nëse ne thjesht do t’i drejtojmë të tjerët për tek Ai.
Ju dhe unë kemi mjaftueshëm dritë për të dhënë pikërisht tani. Ne mund ta ndriçojmë hapin e radhës për ta ndihmuar dikë të vijë më pranë Jezu Krishtit dhe më pas, hapin tjetër e me radhë.
Pyeteni veten: “Kush ka nevojë për dritën që keni ju për të gjetur shtegun që i nevojitet, por që nuk e sheh dot?”
Miqtë e mi të dashur, përse është kaq e rëndësishme që drita jonë të shkëlqejë? Zoti na ka thënë se, “ka shumë vetë akoma mbi tokë … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”10. Ne mund të ndihmojmë. Ne mund ta lëmë dritën tonë të shkëlqejë qëllimisht që të tjerët të mund të shohin. Ne mund të bëjmë një ftesë11. Mund ta bëjmë rrugëtimin me ata që po e hedhin një hap drejt Shpëtimtarit, s’ka rëndësi nëse është një hap i pavendosur. Ne mundemi ta mbledhim Izraelin.
Unë dëshmoj se Zoti do ta lartësojë çdo përpjekje të vogël. Fryma e Shenjtë do të na nxitë të dimë se çfarë të themi e të bëjmë. Përpjekje të tilla mund të na kërkojnë që të dalim nga zona jonë e rehatisë, por mund të jemi të sigurt se Zoti do të na ndihmojë që drita jonë të shkëlqejë.
Sa mirënjohëse jam për dritën e Shpëtimtarit, e cila vazhdon ta udhëheqë këtë Kishë me anë të zbulesës!
E ftoj secilin prej nesh që ta ndjekë shembullin e Jezu Krishtit dhe të jetë i vëmendshëm plot përdëllim ndaj atyre rreth nesh. Kërkoni dhe lutuni për mundësi që ta lini dritën tuaj të shkëlqejë, që të tjerët të mund të shohin udhën për te Jezu Krishti. Premtimi i tij është i madhërishëm: “Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”12. Unë dëshmoj se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është udha, e vërteta, jeta, drita dhe dashuria e botës. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.