Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat
Në Kishë, autoriteti i priftërisë ushtrohet nën drejtimin e një udhëheqësi të priftërisë, i cili mban çelësat e asaj priftërie.
Unë kam zgjedhur të flas më tej rreth priftërisë së Perëndisë, temë e trajtuar tashmë nga tre folës të mëparshëm, të cilët na mësuan rreth mënyrës se si priftëria e bekon jetën e grave, të rejave dhe të rinjve.
Priftëria është një fuqi dhe autoritet hyjnor i mbajtur në mirëbesim, për tʼu përdorur për punën e Perëndisë në dobi të të gjithë fëmijëve të Tij. Priftëria nuk janë ata që janë shuguruar në një detyrë priftërie apo ata që ushtrojnë autoritetin e saj. Burrat që mbajnë priftërinë, nuk janë priftëria. Ndërkohë që nuk duhet t’u referohemi burrave të shuguruar si priftëria, është e përshtatshme t’u referohemi atyre si mbajtës të priftërisë.
Fuqia e priftërisë ekziston si në Kishë, ashtu edhe në organizmin e familjes. Por fuqia e priftërisë dhe autoriteti i priftërisë funksionojnë ndryshe në Kishë nga mënyra se si funksionojnë në familje. E gjithë kjo është sipas parimeve që Zoti ka vendosur. Qëllimi i planit të Perëndisë është që t’i udhëheqë fëmijët e Tij drejt jetës së përjetshme. Familjet në vdekshmëri janë thelbësore për atë plan. Kisha ekziston për të siguruar doktrinën, autoritetin dhe ordinancat e nevojshme për t’i ruajtur marrëdhëniet familjare në përjetësi. Pra, organizimi familjar dhe Kisha e Jezu Krishtit kanë një marrëdhënie reciprokisht përforcuese. Bekimet e priftërisë – të tilla si plotësia e ungjillit, dhe ordinancat si pagëzimi, konfirmimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, dhurimi në tempull dhe martesa e përjetshme – janë në dispozicion të burrave dhe të grave njëlloj.1
Priftëria për të cilën flasim këtu, është Priftëria Melkizedeke, e rivendosur në fillim të Rivendosjes së ungjillit. Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u shuguruan nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, që shpallën për veten “se zotëronin çelësat e mbretërisë dhe të periudhës së plotësisë së kohëve” (Doktrina e Besëlidhje 128:20). Këta Apostuj të rëndësishëm e morën atë autoritet nga Vetë Shpëtimtari. Të gjitha autoritetet apo detyrat e tjera në priftëri janë shtojca të Priftërisë Melkizedeke (shih Doktrina e Besëlidhje 107:5), sepse ajo “mban të drejtën e kryesimit dhe ka fuqi e autoritet mbi gjithë detyrat në kishë, në të gjitha epokat e botës” (Doktrina e Besëlidhje 107:8).
Në Kishë, autoriteti i priftërisë më të lartë, Priftërisë Melkizedeke, dhe ai i më të ultës ose Priftërisë Aarone ushtrohet nën drejtimin e një udhëheqësi të priftërisë, si peshkop apo president, i cili mban çelësat e asaj priftërie. Për të kuptuar ushtrimin e autoritetit të priftërisë në Kishë, ne duhet të kuptojmë parimin e çelësave të priftërisë.
Çelësat e priftërisë Melkizedeke të mbretërisë u dhanë nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, por ajo nuk e plotësoi rivendosjen e çelësave të priftërisë. Disa çelësa të priftërisë erdhën më vonë. Pas përkushtimit të tempullit të parë të kësaj periudhe ungjillore në Kirtland, Ohajo, tre profetë – Moisiu, Eliasi dhe Elija – rivendosën “çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë”, përfshirë çelësat që lidhen me mbledhjen e Izraelit dhe punën në tempujt e Zotit (shih Doktrina e Besëlidhje 110), sikurse Presidenti Ajring sapo e përshkroi në mënyrë aq bindëse.
Shembulli më i njohur i funksionit të çelësave është te kryerja e ordinancave të priftërisë. Një ordinancë është një akt solemn që nënkupton bërjen e besëlidhjeve dhe premtimin e bekimeve. Në Kishë të gjitha ordinancat kryhen me autorizimin e udhëheqësit të priftërisë që mban çelësat për atë ordinancë.
Ordinanca më së shumti kryhet nga persona që janë shuguruar në një detyrë në priftëri, të cilët veprojnë nën drejtimin e atij që mban çelësa të priftërisë. Për shembull, mbajtësit e detyrave të ndryshme të priftërisë Aarone veprojnë në ordinancën e sakramentit nën çelësat dhe drejtimin e peshkopit, i cili mban çelësat e priftërisë Aarone. I njëjti parim zbatohet tek ordinancat e priftërisë në të cilat gratë veprojnë në tempull. Ndonëse gratë nuk mbajnë detyrë në priftëri, ato kryejnë ordinanca të shenjta të tempullit nën autorizimin e presidentit të tempullit, i cili mban çelësat për ordinancat e tempullit.
Një tjetër shembull i autoritetit të priftërisë nën drejtimin e atij që i mban çelësat, është mësimdhënia nga burra dhe gra të thirrura për ta dhënë mësim ungjillin, qoftë në orët mësimore të lagjeve të tyre apo në fushën e misionit. Shembuj të tjerë janë ata të cilët mbajnë pozita udhëheqjeje në lagje dhe ushtrojnë autoritet priftërie në udhëheqjen e tyre për shkak të thirrjeve të tyre dhe nën veçimin dhe drejtimin e udhëheqësit të priftërisë i cili mban çelësat në lagje apo në kunj. Kjo është mënyra se si autoriteti dhe fuqia e priftërisë ushtrohen dhe gëzohen në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.2
Autoriteti i priftërisë ushtrohet e bekimet e saj përjetohen edhe në familjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Me familje kam parasysh një burrë mbajtës priftërie dhe një grua, të cilët janë të martuar, dhe fëmijët e tyre. Përfshij gjithashtu ndryshimet nga marrëdhëniet ideale të tilla si ato që shkaktohen nga vdekja apo shkurorëzimi.
Parimi se autoriteti i priftërisë mund të ushtrohet vetëm nën drejtimin e atij që mban çelësat për atë funksion, është thelbësor në Kishë, por kjo nuk gjen zbatim në familje. Për shembull, një baba kryeson dhe e ushtron priftërinë në familjen e tij me anë të autoritetit të priftërisë që ai mban. Ai nuk ka nevojë të ketë drejtimin apo miratimin e dikujt që mban çelësa priftërie, me qëllim që t’i kryejë funksionet e tij të ndryshme familjare. Këto përfshijnë këshillimin e anëtarëve të familjes së tij, zhvillimin e mbledhjeve familjare, dhënien e bekimeve të priftërisë bashkëshortes e fëmijëve të tij, apo dhënien e bekimeve të shërimit pjesëtarëve të familjes apo të tjerëve.3 Autoritetet e Kishës u japin mësim pjesëtarëve të familjes por nuk drejtojnë ushtrimin e autoritetit të priftërisë në familje.
I njëjti parim zbatohet kur babai mungon dhe nëna është udhëheqësja e familjes. Ajo kryeson në shtëpinë e saj dhe është mjet për sjelljen e fuqisë dhe bekimeve të priftërisë në familjen e vet nëpërmjet dhurimit dhe vulosjes së saj në tempull. Ndërsa nuk është e autorizuar të japë bekime priftërie që mund të jepen vetëm nga një person që mban një detyrë të caktuar në priftëri, ajo mund t’i kryejë të gjitha funksionet e tjera të udhëheqjes familjare. Duke e bërë këtë, ajo e ushtron fuqinë e priftërisë në dobi të fëmijëve mbi të cilët kryeson në pozicionin e saj të udhëheqjes në familje.4
Nëse etërit do ta lartësonin priftërinë e tyre në vetë familjen e vet, kjo do ta çonte përpara misionin e Kishës po aq sa çdo gjë tjetër që mund të bëjnë. Etërit që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, duhet ta ushtrojnë autoritetin e tyre “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur” (Doktrina e Besëlidhje 121:41). Ai standard i lartë për ushtrimin e gjithë autoritetit të priftërisë është tejet i rëndësishëm në familje. Mbajtësit e priftërisë duhet edhe t’i mbajnë urdhërimet në mënyrë që të kenë fuqinë e priftërisë për t’u dhënë bekime pjesëtarëve të familjes së tyre. Ata duhet të kultivojnë marrëdhënie të dashura familjare në mënyrë që pjesëtarët e familjes do të duan t’u kërkojnë bekime. Dhe prindërit duhet të nxitin më shumë bekime të priftërisë në familje.5
Në këto mbledhje të konferencave, teksa kërkojmë strehë për pak kohë nga shqetësimet tona tokësore prej një pandemie rrënuese, neve na janë mësuar parime të madhërishme të përjetësisë. Unë e inkurajoj secilin prej nesh që ta mbajë syrin të “shëndoshë” për t’i marrë këto të vërteta të përjetësisë që trupi ynë “të jetë plot dritë” (3 Nefi 13:22).
Në predikimin e Tij për turmat të regjistruar në Bibël dhe në Librin e Mormonit, Shpëtimtari dha mësim se trupat e vdekshëm mund të jenë plot dritë ose plot errësirë. Ne, sigurisht, duam të jemi mbushur me dritë dhe Shpëtimtari ynë na mësoi se si të bëjmë që kjo të ndodhë. Ne duhet t’i dëgjojmë mesazhet rreth të vërtetave të përjetësisë. Ai përdori shembullin e syrit tonë, me të cilin mund të futim dritë në trupin tonë. Nëse syri ynë do të jetë “i shëndoshë” – me fjalë të tjera, nëse jemi të përqendruar te marrja e dritës dhe e kuptimit të përjetësisë – Ai shpjegoi: “i tërë trupi yt do të jetë plot dritë” (Mateu 6:22; 3 Nefi 13:22).). Por nëse “syri y[në] është i lig” – pra, nëse e kërkojmë ligësinë dhe e futim atë në trupin tonë – paralajmëroi Ai, “i tërë trupi yt do të jetë plot errësirë” (vargu 23). Me fjalë të tjera, drita ose errësira në trupin tonë varet nga mënyra se si i shohim – apo i marrim – të vërtetat e përjetshme që na mësohen.
Ne duhet të ndjekim ftesën e Shpëtimtarit për të synuar e kërkuar që t’i kuptojmë të vërtetat e përjetshme. Ai premton se Ati ynë në Qiell është i gatshëm t’ia mësojë gjithsecilit të vërtetat që kërkon (shih 3 Nefi 14:8). Nëse e dëshirojmë këtë dhe e kemi syrin të shëndoshë për të marrë, Shpëtimtari premton se të vërtetat e përjetësisë “do t[ë na] hape[n]” (shih 3 Nefi 14:7–8).
Përkundrazi, Satani është në ankth për të na ngatërruar mënyrën e të menduarit apo për të na çuar në udhë të shtrembër mbi çështje të rëndësishme si veprimet e priftërisë së Perëndisë. Shpëtimtari paralajmëroi mbi “profetët e [tillë të] rremë që vijnë te ju të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq të uritur” (3 Nefi 14:15). Ai na dha këtë provë për të na ndihmuar të zgjedhim të vërtetën ndër mësimet e ndryshme që mund të na ngatërrojnë: “Ju do t’i njihni ata nga frytet e tyre”, dha mësim Ai (3 Nefi 14:16). “Një pemë e mirë nuk mund të japë frut të lig, as një pemë e prishur të japë frut të mirë” (vargu 18). Prandaj, ne duhet të shohim rezultatet – “frytet” – e parimeve që jepen mësim, dhe personat që i japin mësim. Kjo është përgjigjja më e mirë për shumë nga kundërshtimet që dëgjojmë kundër Kishës dhe doktrinave, dhe rregulloreve, dhe udhëheqjes së saj. Ndiqni provën që Shpëtimtari dha mësim. Shihni frytet – rezultatet.
Kur mendojmë për frytet e ungjillit dhe Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit, ne gëzohemi nga mënyra se si Kisha, në gjithë jetën e anëtarëve të saj të gjallë, është zgjeruar nga bashkësi lokale në Intermauntën Uest në situatën ku shumica e mbi 16 milionë anëtarëve të saj banojnë në kombe të tjera jashtë Shteteve të Bashkuara. Me atë rritje, ne kemi ndier zhvillim të aftësisë së Kishës për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të saj. Ne ndihmojmë për mbajtjen e urdhërimeve, për plotësimin e përgjegjësive për të predikuar ungjillin e rivendosur, për mbledhjen e Izraelit dhe për ndërtimin e tempujve kudo në botë.
Ne udhëhiqemi nga një profet, Presidenti Rasëll M. Nelson, udhëheqjen e të cilit Zoti e ka përdorur për të arritur përparimin që kemi ndier gjatë gjithë udhëheqjes së tij prej më shumë se dy vjetësh. Tani ne do të bekohemi të dëgjojmë Presidentin Nelson, që do të na mësojë si ta çojmë më tej përparimin tonë në këtë Kishë të rivendosur të Jezu Krishtit në këto kohë sfiduese.
Unë dëshmoj për të vërtetën e këtyre gjërave dhe bashkohem me ju në lutjen për profetin tonë nga i cili do të dëgjojmë më pas, në emrin e Jezu Krishtit, amen.