Hapja e Qiejve për Ndihmë
Le ta vëmë në veprim besimin tonë te Zoti Jezu Krisht!
Çfarë sesioni i pashoq dhe i mrekullueshëm ka qenë ky! Faleminderit, të shtrenjtët Laudi dhe Enco. Ju i përfaqësuat shumë mirë të rinjtë dhe të rejat e mrekullueshme të Kishës.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne kemi dëgjuar shumë sot rreth Rivendosjes së Kishës – të njëjtës Kishë që Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e themeloi gjatë shërbesës së Tij tokësore. Ajo Rivendosje filloi në pranverën e 200 vjetëve më parë kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën të riut Jozef Smith.
Dhjetë vjet pas këtij vegimi të jashtëzakonshëm, Profeti Jozef Smith dhe pesë të tjerë u thirrën si anëtarët themelues të Kishës së rivendosur të Zotit.
Nga ai grup i vogël, i mbledhur më 6 prill 1830, ka ardhur një organizatë mbarëbotërore me më shumë se 16 milionë anëtarë. Njihet gjerësisht e mira që përmbush kjo Kishë nëpër botë për ta lehtësuar vuajtjen njerëzore dhe për ta lartësuar shpirtërisht e moralisht njerëzimin. Por qëllimi i saj më i rëndësishëm është t’i ndihmojë burrat, gratë dhe fëmijët që ta ndjekin Zotin Jezu Krisht, t’i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe të kualifikohen për më të madhin e të gjitha bekimeve – atë të jetës së përjetshme me Perëndinë dhe njerëzit e tyre të dashur.
Ndërsa kremtojmë ngjarjen që filloi në vitin 1820, është e rëndësishme të kujtojmë se, ndërkohë që e nderojmë Jozef Smithin si një profet të Perëndisë, kjo nuk është kisha e Jozef Smithit, as nuk është kisha e Mormonit. Kjo është Kisha e Jezu Krishtit. Ai e dekretoi saktësisht se me çfarë emri duhej të quhej Kisha e Tij: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.
Unë kam folur më parë rreth një korrigjimi të nevojshëm të drejtimit lidhur me mënyrën se si e përmendim emrin e Kishës. Që nga ajo kohë, shumë është bërë për ta përmbushur këtë korrigjim. U jam shumë mirënjohës Presidentit M. Rasëll Ballard dhe tërë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët kanë bërë kaq shumë për t’i udhëhequr këto përpjekje, si edhe ato që lidhen me një nismë tjetër të cilën do ta shpall këtë mbrëmje.
Udhëheqësit dhe sektorët e Kishës, njësitë që lidhet me ta, si dhe miliona anëtarë – e të tjerë – tani përdorin emrin e saktë të Kishës. Është përshtatur udhëzuesi i stilit zyrtar të Kishës. Faqja kryesore e Kishës në internet tani është ChurchofJesusChrist.org. Janë përditësuar adresat për postën elektronike, emrat e faqeve në internet dhe kanalet e mjeteve të komunikimit shoqëror. Kori ynë i dashur tani është Tabernacle Choir at Temple Square [Kori i Tabernakullit në Sheshin e Tempullit].
Ne i kemi ndërmarrë këto përpjekje të jashtëzakonshme, sepse kur e heqim emrin e Zotit nga emri i Kishës së Tij, ne pa dashje e heqim Atë prej të qenit përqendrimi kryesor i adhurimit tonë dhe i jetës sonë. Kur e marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit në pagëzim, ne zotohemi të dëshmojmë, me anë të fjalëve, mendimeve dhe veprimeve tona, se Jezusi është Krishti.
Më parë, unë premtova se, në qoftë se do të “bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit”, Ai do të “derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë”. E përsëris atë premtim sot.
Për të na ndihmuar ta kujtojmë Atë dhe ta përcaktojmë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si Kishën e Zotit, ne jemi të lumtur të paraqesim një simbol që do të bëjë të ditur vendin qendror të Jezu Krishtit në Kishën e Tij.
Ky simbol përmban emrin e Kishës që përfshihet brenda një guri të qoshes. Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes.
Në qendër të simbolit është një figurë e statujës së mermertë të Thorvaldsenit, Kristusi. Portretizon Zotin e gjallë, të ringjallur me duar të shtrira për t’i përqafuar të gjithë ata që do të vijnë tek Ai.
Në mënyrë simbolike, Jezu Krishti po qëndron nën një hark. Harku na sjell ndërmend Shpëtimtarin e ringjallur duke dalë nga varri ditën e tretë pas Kryqëzimit të Tij.
Ky simbol duhet të jetë i mirënjohur për shumë veta, sepse ne e kemi identifikuar ungjillin e rivendosur me Krishtin e gjallë, të ringjallur.
Simboli tani do të përdoret si një identifikues pamor për literaturën, lajmet dhe ngjarjet zyrtare të Kishës. Ai do t’u sjellë ndërmend të gjithëve se kjo është Kisha e Shpëtimtarit dhe se gjithçka që ne bëjmë, si anëtarë të Kishës së Tij, përqendrohet te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.
Tani, të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, nesër është e Diela e Palmave, për të cilën na dha mësim kaq bukur Plaku Gong. Më pas ne fillojmë javën e veçantë që e arrin kulmin me Pashkën. Si pasues të Jezu Krishtit, duke jetuar në një kohë kur pandemia e virusit COVID‑19 e ka vënë tërë botën në rrëmujë, thjesht le të mos flasim për Krishtin apo të predikojmë për Krishtin, ose të përdorim një simbol që përfaqëson Krishtin.
Le ta vëmë në veprim besimin tonë te Zoti Jezu Krisht!
Siç e dini, anëtarët e Kishës e zbatojnë ligjin e agjërimit një ditë çdo muaj.
Doktrina e agjërimit është një doktrinë e lashtë. Ajo është ushtruar nga heronj biblikë që nga kohët më të hershme. Moisiu, Davidi, Ezra, Nehemia, Esteri, Isaia, Danieli, Joeli dhe shumë të tjerë agjëruan dhe predikuan për agjërimin. Nëpërmjet shkrimeve të Isaias, Zoti tha: “Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë?”
Apostulli Pal i kujtoi shenjtorët në Korint që t’i “kushtohe[shin] agjërimit dhe lutjes”. Shpëtimtari Vetë shpalli se gjëra të caktuara “nuk d[alin] veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit”.
Kohët e fundit thashë në një material filmik në mjetet shoqërore të komunikimit se “si mjek dhe kirurg, i admiroj shumë profesionistët e mjekësisë, shkencëtarët dhe të gjithë ata që punojnë natë e ditë për t’i vënë fre përhapjes së virusit COVID‑19”.
Tani, si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe si Apostull i Jezu Krishtit, unë e di se Perëndia “ka gjithë fuqinë, gjithë diturinë dhe gjithë zgjuarsinë; ai kupton të gjitha gjërat dhe është një Qenie e mëshirshme, derisa të shpëtojë ata që do të pendohen dhe do të besojnë në emrin e tij”.
Prandaj, gjatë kohëve të shqetësimit të thellë, si në rastet kur sëmundja arrin përmasa pandemie, gjëja më e natyrshme për ne që ta bëjmë është t’u bëjmë thirrje Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij – Shëruesit Mjeshtër – që ta shfaqin fuqinë e Tyre të mrekullueshme për t’i bekuar njerëzit e tokës.
Në mesazhin tim filmik, unë i ftova të gjithë të bashkoheshin në agjërim të dielën më 29 mars 2020. Shumë nga ju mund ta kenë parë materialin filmik dhe u bashkuan me agjërimin. Disa mund të mos e kenë parë. Tani ne ende kemi nevojë për ndihmë nga qielli.
Prandaj sonte, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në frymën e bijve të Mosias, të cilët ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit, dhe si pjesë e konferencës sonë të përgjithshme të prillit 2020, unë po bëj thirrje për një agjërim tjetër mbarëbotëror. Për të gjithë ata që mund t’ua lejojë shëndeti, le të agjërojmë, të lutemi dhe ta bashkojmë besimin tonë edhe një herë. Le të përgjërohemi plot lutje për lehtësim prej kësaj pandemie botërore.
Unë i ftoj të gjithë, përfshirë ata që nuk janë të besimit tonë, që të agjërojnë dhe të luten të Premten e Mirë, më 10 prill, që pandemia e tanishme të mund të kontrollohet, që përkujdesësit për të sëmurët të mbrohen, ekonomia të forcohet dhe jeta të normalizohet.
Si agjërojmë ne? Dy vakte ushqimi ose një periudhë prej 24‑orësh është mënyra e zakonshme. Por vendosni ju se çfarë do të konsiderohej një sakrificë për ju, ndërkohë që kujtoni sakrificën supreme që bëri Shpëtimtari për ju. Le të bashkohemi në përgjërimin për shërim anembanë botës.
E Premtja e Mirë do të ishte dita e përsosur që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij të na dëgjojnë!
Vëllezër dhe motra të dashura, unë shpreh dashurinë time të thellë për ju, së bashku me dëshminë time për natyrën hyjnore të veprës në të cilën jemi përfshirë. Kjo është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai qëndron në krye të saj dhe drejton gjithçka që bëjmë. E di që Ai do t’u përgjigjet përgjërimeve të njerëzve të Tij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.