Konferenca e Përgjithshme
Dalja në Dritë e Librit të Mormonit
konferenca e përgjithshme e prillit 2020


2:3

Dalja në Dritë e Librit të Mormonit

Faktet historike dhe dëshmitarët e veçantë të Librit të Mormonit dëshmojnë se dalja në dritë e tij ishte vërtet e mrekullueshme.

Në një rast, ndërsa u takua me pleqtë e Kishës, Profeti Jozef Smith deklaroi: “Hiqni Librin e Mormonit e zbulesat dhe ku është besimi ynë? Ne nuk kemi asgjë.”1 Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, pas Vegimit të Parë, dalja e mrekullueshme në dritë e Librit të Mormonit është ngjarja e dytë themelore e Rivendosjes së shpalosur të ungjillit të Jezu Krishtit në këtë periudhë ungjillore. Libri i Mormonit dëshmon për dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij, për flijimin shlyes, vetëmohues dhe hyjnor të Zotit Jezu Krisht dhe për shërbesën e Tij kurorëzuese midis nefitëve, fill pas Ringjalljes së Tij2. Ai dëshmon edhe se mbetja e shtëpisë së Izraelit duhet të bëhet një nëpërmjet veprës së Tij në ditët e mëvonshme dhe se ata nuk janë braktisur përgjithmonë3.

Ndërsa e studiojmë daljen në dritë të këtij libri të shenjtë me shkrime të shenjta në këto ditë të mëvonshme, ne arrijmë të kuptojmë se e gjithë sipërmarrja ishte e mrekullueshme – nga ana e Profetit Jozef, i cili i mori fletët e arta nga një engjëll i shenjtë deri në përkthimin e tij “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”4, ruajtjen dhe botimin e tij nga dora e Zotit.

Dalja në dritë e Librit të Mormonit filloi kohë përpara se Jozef Smithi t’i merrte fletët e arta nga duart e engjëllit Moroni. Profetët e lashtësisë profetizuan rreth ardhjes së këtij libri të shenjtë në kohën tonë5. Isaia foli për një libër të vulosur, që kur të shfaqej, njerëzit do të ishin duke u grindur për fjalën e Perëndisë. Kjo rrethanë do të mundësonte kushtet ku Perëndia mund ta kryente “mrekulli[në] dhe çudi[në]” e Tij, duke shkaktuar që “dituria e njerëzve të tij të urtë … të shuhe[j] dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij … të zhduke[j]” ndërkohë që të përulurit do të “gëzo[nin] akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit … të ngazëll[eheshin] tek i Shenjti i Izraelit”6. Ezekieli foli rreth drurit të Judës (Bibla) dhe drurit të Efraimit (Libri i Mormonit) që do të bashkoheshin në një. Edhe Ezekieli (në Dhiatën e Vjetër), edhe Lehi (në Librin e Mormonit) tregojnë se ato do të “rriten së bashku” për të ngatërruar doktrinat e rreme, për të vendosur paqe dhe për të na sjellë në njohurinë e besëlidhjeve7.

Mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, tre vjet e gjysmë pas përjetimit të Vegimit të Parë; Jozefin e vizitoi tri herë engjëlli Moroni, profeti i fundit i nefitëve në Amerikën e lashtë, si rrjedhojë e lutjeve të tij të sinqerta. Gjatë takimeve të tyre që zgjatën gjithë natën, Moroni i tha Jozefit se Perëndia kishte një vepër të mrekullueshme që ai duhej ta përmbushte – [t’i sillte] botës përkthimin dhe botimin e fjalëve të frymëzuara të profetëve të lashtë të kontinentit amerikan8. Të nesërmen, Jozefi shkoi te vendi, jo shumë larg shtëpisë së tij, ku ishin groposur fletët nga Moroni në fund të jetës së tij, shekuj më parë. Atje, Jozefi e pa sërish Moronin, i cili e udhëzoi që ta përgatiste veten për t’i marrë fletët në të ardhmen.

Gjatë katër viteve që vijuan, më 22 shtator të çdo viti, Jozefi mori udhëzime shtesë nga Moroni në lidhje me njohurinë rreth mënyrës se si mbretëria e Zotit duhej të qeverisej në ditët e mëvonshme. Përgatitja e Jozefit përfshiu edhe vizita nga engjëj të Perëndisë, duke shpalosur kështu madhështinë dhe lavdinë e ngjarjeve që do të ndodhnin në këtë periudhë ungjillore9.

Martesa e tij me Ema Hejlin në vitin 1827 ishte pjesë e asaj përgatitjeje. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në ndihmën që i dha Profetit gjatë gjithë jetës dhe shërbesës së tij. Në fakt, në shtator 1827, Ema e shoqëroi Jozefin te kodra ku ishin fshehur fletët dhe ajo e priti ndërsa engjëlli Moroni ia dorëzoi analin Jozefit. Jozefi mori premtimin se fletët do të ruheshin nëse ai do ta derdhte gjithë mundin e tij për t’i mbajtur ato të sigurta derisa do të duhej të riktheheshin në duart e Moronit10.

Bashkëshoqëruesit e mi të dashur në ungjill, shumë zbulime të sotme nga kohët e lashta ndodhin gjatë një gërmimi arkeologjik apo qoftë rastësisht gjatë një projekti ndërtimi. Përkundrazi, Jozef Smithin e udhëhoqi një engjëll për te fletët. Vetë ai rezultat qe një mrekulli.

Procesi i përkthimit të Librit të Mormonit ishte gjithashtu një mrekulli. Ky anal i shenjtë, i lashtë nuk u “përkthye” sipas mënyrës tradicionale që studiuesit i përkthenin tekstet e lashta duke mësuar një gjuhë të lashtë. Ne duhet ta shohim procesin më shumë si një “zbulesë” me ndihmën e mjeteve fizike të siguruara nga Zoti, ndryshe nga një “përkthim” prej dikujt me dije gjuhësore. Jozef Smithi deklaroi se nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ai e “përkthe[u] Librin e Mormonit nga hieroglife, njohja e të cilave kishte humbur në botë dhe në këtë ngjarje të mrekullueshme [ai] vepro[i] i vetëm, një i ri i pamësuar, që të lufto[nte] urtësinë e botës dhe paditurinë e grumbulluar prej tetëmbëdhjetë shekujsh, me një zbulesë të re”11. Ndihma e Zotit për përkthimin e fletëve – ose zbulesa, për ta thënë kështu – është gjithashtu një fakt kur merret parasysh koha mrekullisht e shkurtër që iu desh Jozef Smithit për t’i përkthyer ato12.

Shkruesit e Jozefit dëshmuan për fuqinë e Perëndisë që u manifestua ndërkohë që punonin për përkthimin e Librit të Mormonit. Oliver Kaudëri njëherë tha: “Këto ishin ditë për të mos u harruar kurrë – të ulesh nën tingullin e një zëri të diktuar nga frymëzimi i qiellit, duke zgjuar mirënjohjen më të madhe të këtij kraharori! Ditë pas dite, unë vazhdova, i pandërprerë, të shkruaja nga goja e tij, ndërkohë që ai përkthente … ՙLibri[n e] Mormonitʼ.”13

Burimet historike zbulojnë se që nga çasti që Jozefi i mori fletët në vitin 1827, pati përpjekje për t’ia vjedhur ato. Ai vërejti se “përpjekjet më të pazakonta u përdorën për [t’ia] marrë [fletët]” dhe se “çdo lloj strategjie që mund të shpikej, u përdor për atë qëllim”14. Si përfundim, Jozefi dhe Ema u detyruan që të largoheshin nga Mançesteri në Nju‑Jork, drejt Harmonisë në Pensilvani, për të gjetur një vend të sigurt që ta vazhdonin punën e përkthimit, larg turmave dhe individëve, të cilët donin t’ua vidhnin fletët15. Siç shënon një historian: “Kështu mbaron faza e parë e vështirë e kujdestarisë së fletëve nga Jozefi. … Prapëseprapë anali u mbajt i sigurt dhe gjatë mundimit të tij për t’i ruajtur fletët, Jozefi pa dyshim kishte mësuar shumë rreth mënyrave të Perëndisë dhe njeriut, gjë që do t’i shërbente mirë atij për kohët që do të vinin.”16

Ndërsa e përkthente Librin e Mormonit, Jozefi mësoi se Zoti do të zgjidhte dëshmitarë për t’i parë fletët17. Kjo është pjesë e asaj që vendosi Vetë Zoti kur Ai tha: “Çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve”18. Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Herrisi, të cilët qenë disa nga shoqëruesit e parë të Jozefit në themelimin e veprës së mrekullueshme të Perëndisë në këtë periudhë ungjillore, ishin dëshmitarët e parë që u thirrën për t’i dhënë botës një dëshmi të veçantë për Librin e Mormonit. Ata dëshmuan se një engjëll, i cili erdhi nga prania e Zotit, u tregoi atyre analin e lashtë dhe se ata panë karakteret e gdhendura te fletët. Ata dëshmuan edhe se e dëgjuan zërin e Perëndisë nga qielli duke shpallur se anali i lashtë ishte përkthyer nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Më pas ata u urdhëruan që t’i dëshmonin të gjithë botës për të19.

Zoti mrekullisht thirri edhe tetë dëshmitarë të tjerë që t’i shihnin personalisht fletët e arta dhe të ishin dëshmitarë të veçantë ndaj botës për vërtetësinë dhe hyjninë e Librit të Mormonit. Ata dëshmuan se i panë dhe i shqyrtuan me kujdes fletët dhe karakteret e gdhendura mbi to. Edhe mes fatkeqësive, përndjekjeve, të gjitha llojeve të vështirësive e madje ndonëse disa prej tyre më vonë u lëkundën në besim, këta njëmbëdhjetë dëshmitarë të zgjedhur të Librit të Mormonit nuk i mohuan kurrë dëshmitë e tyre se i kishin parë fletët. Jozef Smithi nuk qe më vetëm për sa i përket njohurisë rreth vizitave të Moronit dhe fletëve të arta.

Lusi Mek‑Smithi shënoi se i biri mbërriti në shtëpi i pushtuar nga gëzimi pasi iu ishin treguar fletët dëshmitarëve. Jozefi u shpjegoi prindërve: “Ndiej sikur u çlirova nga një barrë që ishte pothuajse tepër e rëndë për mua për t’u mbajtur; dhe kjo ma gëzon zemrën se nuk do të jem më krejt i vetëm në botë”20.

Jozef Smithi u përball me shumë kundërshtim për shtypjen e Librit të Mormonit kur përfundoi përkthimi. Ai mundi ta bindte një tipograf që quhej Ekbert B. Grandin në Palmira, Nju-Jork, që ta shtypte librin, vetëm pasi Martin Herrisi, duke bërë një vepër besimi dhe sakrifice të madhe, la fermën e tij si garanci për kostot e shtypjes. Për shkak se herë pas here [kishte] kundërshtime të vazhdueshme pas botimit të Librit të Mormonit, Martin Herrisi shiti besnikërisht 61 hektarë (0.6 km2) të fermës së tij për të paguar kostot e botimit. Nëpërmjet një zbulese që iu dha Jozef Smithit, Zoti e udhëzoi Martin Herrisin që të mos e lakmonte pronën e tij dhe t’i paguante kostot e shtypjes për librin që “përmban të vërtetën dhe fjalën e Perëndisë”21. Në mars 1830, u botuan 5 000 kopjet e para të Librit të Mormonit dhe sot janë shtypur më shumë se 180 milionë kopje në mbi njëqind gjuhë.

Faktet historike dhe dëshmitarët e veçantë të Librit të Mormonit dëshmojnë se dalja në dritë e tij ishte vërtet e mrekullueshme. Sidoqoftë, fuqia e këtij libri nuk bazohet vetëm në historinë e tij madhështore por në mesazhin e tij të fuqishëm e të pashoq që ka ndryshuar jetë të panumërta – përfshirë dhe jetën time!

E lexova të gjithë Librin e Mormonit për herë të parë kur isha student seminari i ri në moshë. Siç ma këshilluan mësuesit, nisa ta lexoja duke e filluar nga faqet e parathënies. Premtimi që përmbahet në faqet e para të Librit të Mormonit, më kumbon ende në mendje: “Mendo[ni] në zemrat [tuaja] … dhe pastaj … kërko[jini] Perëndisë [me besim], … në emrin e Krishtit, në qoftë se libri është i vërtetë. Ata që do të ndjekin këtë udhë … do të marrin, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë një dëshmi të vërtetësisë dhe të hyjnisë së tij.”22

Me atë premtim në mendje, duke kërkuar me zell për të ditur më shumë rreth vërtetësisë së tij dhe me një shpirt lutjeje, e studiova Librin e Mormonit, pak e nga pak, teksa i përfundoja mësimet e përjavshme të seminarit që më ishin caktuar. E mbaj mend sikur të ishte dje, që një ndjenjë e ngrohtë gradualisht filloi të ma mbushte zemrën, duke e ndriçuar kuptueshmërinë time dhe duke u bërë gjithnjë e më e kënaqshme, siç përshkruhet nga Alma gjatë predikimit të fjalës së Perëndisë ndaj popullit të tij23. Ajo ndjenjë përfundimisht u kthye në njohuri që zuri rrënjë në zemrën time dhe u bë themeli i dëshmisë sime për ngjarjet dhe mësimet e mëdha që gjenden në këtë libër të shenjtë.

Nëpërmjet këtyre përvojave vetjake të vyera dhe të tjera si ato, Libri i Mormonit u bë vërtet guri kyç që e mban besimin tim në Jezu Krisht dhe dëshminë time për doktrinën e ungjillit të Tij. Ai u bë një nga shtyllat që më dëshmon për flijimin shlyes, hyjnor të Krishtit. Ai u bë një mburojë gjatë gjithë jetës sime ndaj sulmeve të vazhdueshme të kundërshtarit për ta dobësuar besimin tim dhe për të rrënjosur mosbesim në mendjen time dhe më jep kurajë për t’ia shpallur me guxim botës dëshminë time për Shpëtimtarin.

Miqtë e mi të dashur, dëshmia ime për Librin e Mormonit erdhi rresht pas rreshti24, si një mrekulli në zemrën time. Deri më sot, kjo dëshmi vazhdon të rritet ndërsa jam vazhdimisht në kërkim, me një zemër të sinqertë, për ta kuptuar më plotësisht fjalën e Perëndisë siç përmbahet në këtë libër të jashtëzakonshëm me shkrime të shenjta.

Të gjithëve ju që e dëgjoni zërin tim sot, ju ftoj që të jeni pjesë e daljes së mrekullueshme në dritë të Librit të Mormonit, në vetë jetën tuaj. Ju premtoj se teksa i studioni fjalët e tij plot lutje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ju mund t’i merrni premtimet dhe bekimet e tij të shumëllojta, në jetën tuaj. Unë ju siguroj edhe njëherë për premtimin që jehon në faqet e tij, që në qoftë se e “pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht”, Ai plot mëshirë “do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”25. Unë mund t’ju siguroj se Ai do t’jua japë përgjigjen në një mënyrë shumë vetjake, siç ka bërë Ai për mua dhe shumë të tjerë në mbarë botën. Përvoja juaj do të jetë po aq e lavdishme dhe e shenjtë për ju sa ishin edhe përvojat e Jozef Smithit për vetë atë, si edhe për dëshmitarët e parë dhe për të gjithë njerëzit që kanë kërkuar të marrin një dëshmi për integritetin dhe besueshmërinë e këtij libri të shenjtë.

Unë jap dëshminë time se Libri i Mormonit është vërtet fjala e Perëndisë. Unë dëshmoj se ky anal i shenjtë “shpjego[n] doktrinat e ungjillit, thekso[n] në vija të përgjithshme plani[n e] shpëtimit dhe u trego[n] njerëzve se ç’duhet të bëjnë që të arrijnë paqe në këtë jetë dhe shpëtim të përjetshëm në jetën që do të vijë”26. Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është mjeti i Perëndisë për realizimin e mbledhjes së Izraelit në kohën tonë dhe për t’i ndihmuar njerëzit që të arrijnë ta njohin Birin e Tij, Jezu Krishtin. Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe na do ne, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari i botës, guri kryesor i qoshes i besimit tonë. I them këto gjëra në emrin e shenjtë të Shëlbuesit tonë, Mësuesit tonë dhe Zotit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.