Konferenca e Përgjithshme
Përmbushja e Profecisë
konferenca e përgjithshme e prillit 2020


2:3

Përmbushja e Profecisë

Profecitë që janë përmbushur nga Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit janë të shumta.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam i nderuar të flas në këtë konferencë të përgjithshme historike, që përkujton Vegimin e Parë të Jozef Smithit për Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, në atë që është, pa diskutim, një Korije e Shenjtë. Ai vegim ishte një fillim madhështor për Rivendosjen e ungjillit dhe gjithçka që u shpalos, nga Libri i Mormonit deri te kthimi i autoritetit dhe çelësave të priftërisë, organizimi i Kishës së vërtetë të Zotit, tempujt e Perëndisë dhe profetët e apostujt që e udhëheqin punën në këto ditë të mëvonshme.

Sipas qëllimit hyjnor, profetët e lashtë të Perëndisë, kur u nxitën nga Fryma e Shenjtë, profetizuan për Rivendosjen dhe atë që do të vinte në kohën tonë, në periudhën e fundit ungjillore dhe plotësinë e kohëve. Vetë vepra “frymëz[oi] shpirtin” e shikuesve të hershëm1. Përgjatë brezave të kohës, ata parathanë, ëndërruan, përfytyruan dhe profetizuan për të ardhmen e mbretërisë së Perëndisë në tokë, atë që Isaia e quajti “mrekulli dhe çudi”2.

Profecitë që janë përmbushur nga Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, përfshirë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, janë të shumta. Sidoqoftë, sot do të theksoj vetëm disa nga të parapëlqyerat e mia. Këto m’u mësuan nga mësueset e mia të dashura të Fillores dhe në gjunjët e nënës sime engjëllore.

Danieli në gropën e luanëve

Danieli, i cili i largoi luanët me anë të besimit të tij në Zotin Jezu Krisht dhe ndërmjetësimit të engjëjve shërbestarë të Perëndisë, ishte ai që e pa kohën tonë në vegim. Duke interpretuar një ëndërr për mbretin babilonas, Nebukadnetsarin, Danieli profetizoi se Kisha e Zotit do të ngrihej në ditët e fundit si një gur i vogël i “shkëput[ur] nga mali, jo nga dora e njeriut”3. “Jo nga dora e njeriut”, do të thotë që me anë të ndërhyrjes hyjnore, Kisha e Zotit do të rritet në madhësi derisa të mbushë gjithë tokën dhe “nuk do të shkatërrohet kurrë … [por] do të ekzistojë përjetë”4.

Danieli duke interpretuar ëndrrën

Është një dëshmi e thellë se fjalët e Danielit po përmbushen teksa anëtarë të Kishës, nga e gjithë bota, po e shikojnë dhe dëgjojnë konferencën sot.

Apostulli i përkushtuar Pjetër përshkroi “kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave … që nga fillimi i botës”5. Apostulli Pal shkroi se në plotësinë e kohëve, Perëndia do të “sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat”6, “duke qenë Jezu Krishti vetë guri kryesor i qoshes”7. I ndjeva ato profeci shumë fort kur mora pjesë në përkushtimin e Tempullit të Romës në Itali. Të gjithë profetët dhe apostujt ishin atje duke dhënë dëshmi për Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës, ashtu si Pjetri dhe Pali. Kisha është një shembull i gjallë i asaj ripërtëritjeje, vëllezër e motra, dhe anëtarët tanë janë dëshmitarë të atyre profecive hyjnore që u bënë shumë kohë më parë.

Profetët dhe Apostujt në Tempullin e Romës në Itali

Jozefi i Egjiptit profetizoi se në ditët e mëvonshme “një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im, i cili do të jetë një shikues i zgjedhur prej frytit të ijeve të mia”8. “Pasi ai do të bëjë punën [e Zotit].”9 Jozef Smithi, profeti i Rivendosjes, ishte ai shikues.

Gjon Zbuluesi profetizoi për një engjëll të të Plotfuqishmit duke i sjellë së bashku elementët e rëndësishëm të Rivendosjes me këto fjalë: “Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”10. Ai engjëll ishte Moroni. Ai e pa kohën tonë ashtu siç u shënua në Librin e Mormonit. Në shfaqjet e përsëritura, ai e përgatiti Jozef Smithin për shërbesën e tij, përfshirë përkthimin e Librit të Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.

Moroni i shfaqet Jozef Smithit

Profetë të tjerë e parathanë kohën tonë. Malakia foli për Elijan që do t’ua kthente “zemra[t] e etërve … bijve dhe zemra[t] e bijve etërve”11. Elija ka ardhur dhe si rrjedhojë, sot, ne kemi 168 tempuj që ndodhen kudo në tokë. Çdo tempull u shërben anëtarëve të denjë, që bëjnë besëlidhje të shenjta dhe marrin ordinanca të bekuara në emër të vetes së tyre dhe të paraardhësve të tyre të vdekur. Kjo punë e shenjtë, e përshkruar nga Malakia është “thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”12.

Ne jetojmë në atë kohë të profetizuar; ne jemi njerëzit e ngarkuar për të mirëpritur fillimin e Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit; ne duhet të mbledhim fëmijët e Perëndisë, ata që do t’i dëgjojnë e përqafojnë të vërtetat, besëlidhjet dhe premtimet e ungjillit të përjetshëm. Presidenti Nelson e quan atë “sfid[a] më [e] madhe, kauz[a] më [e] madhe dhe pun[a] më [e] madhe në tokë sot”13. Për atë mrekulli unë jap dëshminë time.

Përkushtimi i Tempullit të Durbanit në Afrikën e Jugut

I caktuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson, në shkurt të këtij viti, unë përkushtova Tempullin e Durbanit në Afrikën e Jugut. Ishte një ditë që do ta kujtoj gjithë jetën time. Unë isha me anëtarë që kanë ardhur në ungjill ashtu siç profetizoi Jeremia shumë kohë më parë – “një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje”14. Doktrina e Jezu Krishtit na bashkon të gjithëve ne – në mbarë botën – si bij dhe bija të Perëndisë, si vëllezër e motra në ungjill. Pavarësisht se si dukemi apo vishemi, ne jemi një popull me një Atë në Qiell, plani i të cilit që nga fillimi ishte dhe është që familja e Tij të ribashkohet duke bërë dhe duke mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit.

Një grupi të vogël mbajtësish të priftërisë në një shtëpi që ishte edhe shkollë, në Kirtland të Ohajos, në vitin 1834, Profeti Jozef u profetizoi: “Është vetëm një grusht njerëzish që e mbajnë Priftërinë këtu sonte, por kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën”15.

Vitet e fundit kam udhëtuar anembanë botës për t’u takuar me anëtarë të Kishës. Vëllezërit e mi të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve kanë pasur detyra të ngjashme. Megjithatë, kush mund të matet me programin e profetit tonë të dashur, Presidentit Nelson, udhëtimi i të cilit në dy vitet e tij të para si President i Kishës e ka çuar atë për t’u takuar me shenjtorët në 32 vende dhe territore të SHBA‑së16 për të dëshmuar për Krishtin e gjallë.

Më kujtohet kur mora thirrjen time të misionit si një i ri. Doja të shërbeja në Gjermani, ashtu si babai, vëllai dhe kunati im. Duke mos pritur për asnjë që të vinte në shtëpi, nxitova për te kutia postare dhe e hapa thirrjen. Lexova se isha thirrur në Misionin e Shteteve Lindore, me zyrën qendrore në Nju‑Jork‑Siti. U zhgënjeva, kështu që u ktheva brenda dhe hapa shkrimet e mia të shenjta për ngushëllim. Fillova të lexoja te Doktrina e Besëlidhje: “Vini re dhe shihni, unë kam shumë njerëz në këtë vend, në krahinat përreth; dhe një derë frytdhënëse do të hapet në krahinat përreth në këtë tokë të lindjes”17. Ajo profeci, që iu dha Profetit Jozef Smith në vitin 1833, ishte një zbulesë për mua. E dija atëherë, se isha thirrur në misionin e duhur në të cilin Zoti donte që unë të shërbeja. Dhashë mësim Rivendosjen dhe fillimin e saj dramatik kur Ati ynë në Qiell foli me Jozef Smithin dhe i tha: “Ky është Biri im i Dashur. Dëgjoje Atë!”18

Me rëndësi të madhe për të gjithë Kishën është profecia e Isaias, që u dha më shumë se 700 vjet përpara lindjes së Jezu Krishtit: “Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve … dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet”19.

Në mendjen time sot, përfytyroj miliona prej anëtarëve dhe miqve tanë të lidhur në mënyrë elektronike me këto transmetime, nëpërmjet televizionit, internetit apo mjeteve të tjera. Ne jemi ulur sikur të ishim së bashku “në majën e maleve”20. Ishte Brigam Jangu që tha fjalët profetike: “Ky është vendi i duhur”21. Shenjtorët, disa prej tyre vetë paraardhësit e mi pionierë, punuan për të themeluar Sionin në Malet Shkëmbore “nëpërmjet vullnetit dhe kënaqësisë së atij që i dikton kombet e tokës”22.

Tempulli i Solt-Lejkut gjatë Lojërave Olimpike në vitin 2002

Unë qëndroj sot në tokën e shenjtë që ka tërhequr miliona vizitorë. Në vitin 2002, Solt-Lejk‑Siti organizoi Lojërat Olimpike Dimërore. Kori i Tabernakullit këndoi në ceremonitë e hapjes dhe Kisha ofroi koncerte dhe programe për të ftuarit dhe pjesëmarrësit nga shumë e shumë kombe. Do ta kujtoj gjithmonë që e shihja tempullin në sfondin e lajmeve të mbrëmjes të cilat transmetoheshin në mbarë botën.

Udhëheqës të Kishës dhe NAACP‑së

Me kalimin e viteve, presidentë të Shteteve të Bashkuara, mbretër, gjyqtarë, kryeministra, ambasadorë dhe zyrtarë nga shumë vende kanë ardhur në Solt‑Lejk‑Siti dhe janë takuar me udhëheqësit tanë. Presidenti Nelson u takua me udhëheqësit e Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, një organizatë në Shtetet e Bashkuara e angazhuar për të drejta të barabarta pa diskriminim në bazë të racës. Më kujtohet që qëndroja krah për krah me këta miq dhe udhëheqës teksa Presidenti Nelson u bashkua me ta, duke bërë thirrje për një mirësjellje dhe harmoni racore më të madhe në botë.23

Shumë më tepër njerëz kanë ardhur në Sheshin e Tempullit dhe janë takuar për këshillim me udhëheqësit e Kishës. Për shembull, vitin që shkoi, për të përmendur vetëm disa, ne mirëpritëm Konferencën e 68‑të të Shoqërisë Civile të Kombeve të Bashkuara, një mbledhje botërore dhe e para në llojin e saj jashtë Nju‑Jork‑Sitit. Jemi takuar me Komitetin për Çështjet Fetare të Vietnamit, me ambasadorë nga Kuba, Filipinet, Argjentina, Rumania, Sudani, Katari dhe Arabia Saudite. Ne gjithashtu mirëpritëm sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Botërore të Myslimanëve.

Ajo që po përshkruaj është një përmbushje e profecisë së Isaias, se në ditët e fundit, kombet do të vërshojnë në “mali[n] ku ndodhet shtëpia e Zotit”24. Tempulli i madh i Solt-Lejkut qëndron në qendër të asaj madhështie dhe lavdie.

Maja e Tempullit të Solt‑Lejkut

Nuk është peizazhi që i ka tërhequr njerëzit, edhe pse ambienti ynë është i mrekullueshëm; është thelbi i fesë së kulluar që shfaqet në frymën, rritjen, mirësinë dhe bujarinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe njerëzve të saj; është dashuria jonë ashtu siç do Perëndia; dhe zotimi ynë ndaj një kauze më të lartë, atë që Jozef Smithi e quajti, “kauz[a e] Krishtit”25.

Ne nuk e dimë se kur do të kthehet Shpëtimtari, por kaq gjë e dimë. Ne duhet të jemi të përgatitur në zemër e mendje, të denjë për ta pranuar Atë dhe të nderuar që jemi pjesë e gjithçkaje që ishte profetizuar shumë kohë më parë.

Dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Zotit në tokë dhe se në krah të tij janë Apostuj të thirrur nga Perëndia, të mbështetur si profetë, shikues e zbulues. Dhe, vëllezërit e motrat e mia të dashura, Rivendosja vazhdon.

E mbyll me profecinë e Jozef Smithit, fjalë për të cilat unë dëshmoj se janë të vërteta: “Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekjet mund të tërbohen, turmat mund të bashkohen, [ushtritë] mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë [do] të përmbushen dhe Jehovai i Madh të thotë [se] puna u krye”26. Dëshmoj kështu se këto profeci të Jozef Smithit po përmbushen.

Ju premtoj se ndërsa ndiqni këshillat e frymëzuara të profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson, të këshilltarëve të tij, të Apostujve dhe të udhëheqësve të tjerë të Kishës, dhe ndërsa u kushtoni vëmendje profetëve të lashtë që e parathanë kohën tonë, ju do të mbusheni, thellë në zemrën e shpirtin tuaj, me frymën dhe veprën e Rivendosjes. Premtoj se ju do ta shihni dorën e Perëndisë në jetën tuaj, do t’i dëgjoni nxitjet e Tij dhe do ta ndjeni dashurinë e Tij. Në emër të Jezu Krishtit, me mirënjohje për Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe të Kishës së Tij, si provë e dashurisë së Tij të pakrahasueshme, amen.