Konferenca e Përgjithshme
Mënyra se si Priftëria e Bekon Rininë
konferenca e përgjithshme e prillit 2020


2:3

Mënyra se si Priftëria e Bekon Rininë

Nëpërmjet priftërisë ne mund të lartësohemi. Priftëria sjell dritë në botën tonë.

Jam mirënjohëse që jam këtu. Kur zbulova për herë të parë se do të kisha mundësinë për t’ju folur sot, u ndjeva shumë e emocionuar, por në të njëjtën kohë shumë e përulur. Kam shpenzuar shumë kohë duke menduar rreth asaj që mund të thoja dhe shpresoj që Shpirti t’ju flasë drejtpërsëdrejti nëpërmjet mesazhit tim.

Në Librin e Mormonit, Lehi i jep një bekim secilit prej djemve të tij përpara se ai të ndërronte jetë, gjë e cila i ndihmon ata të shohin pikat e tyre të forta dhe potencialin e tyre të përjetshëm. Unë jam më e vogla e tetë fëmijëve dhe vitin e kaluar kam qenë fëmija i vetëm në shtëpi për herë të parë. Mospasja pranë e vëllezërve dhe motrave të mia dhe mospasja gjithmonë e dikujt me të cilin të flisja ka qenë e vështirë për mua. Ka pasur net kur jam ndier shumë e vetmuar. Jam mirënjohëse për prindërit e mi, të cilët kanë bërë më të mirën e tyre për të më ndihmuar. Një shembull i kësaj është kur babi im u ofrua për të më dhënë një bekim priftërie për ngushëllim gjatë një kohe veçanërisht sfiduese. Pas bekimit të tij, gjërat nuk ndryshuan menjëherë, por unë isha në gjendje të ndieja paqe e dashuri nga Ati Qiellor dhe nga babi im. Ndihem e bekuar që kam një baba të denjë i cili mund të më japë bekime priftërie kurdoherë që kam nevojë për to dhe i cili më ndihmon të shoh pikat e mia të forta dhe potencialin tim të përjetshëm, njësoj siç bëri Lehi kur i bekoi fëmijët e tij.

Pavarësisht nga rrethanat tuaja, ju mund të keni gjithmonë qasje ndaj bekimeve të priftërisë. Nëpërmjet anëtarëve të familjes, miqve, vëllezërve shërbestarë, udhëheqësve të priftërisë dhe një Ati Qiellor i cili nuk do t’ju lërë kurrë në baltë, ju mund të merrni bekimet e priftërisë. Plaku Nil L. Andersen tha: “Bekimet e priftërisë janë pambarimisht më të mëdha se ai të cilit i kërkohet të administrojë dhuratën. … Kur jemi të denjë, ordinancat e priftërisë e pasurojnë jetën tonë.”1

Mos ngurroni të kërkoni një bekim kur keni nevojë për udhërrëfim shtesë. Është në çastet tona të vështira që kemi nevojë që Shpirti të na ndihmojë më së shumti. Askush nuk është i përsosur dhe të gjithë ne përjetojmë vështirësi. Disa prej nesh mund të vuajnë nga ankthi, depresioni, varësitë apo nga ndjenja se nuk jemi mjaftueshëm të mirë. Bekimet e priftërisë mund të na ndihmojnë t’i kapërcejmë këto sfida dhe të marrim paqe teksa shkojmë përpara në të ardhmen. Shpresoj se po përpiqemi fort të jetojmë me denjësi për t’i marrë këto bekime.

Një mënyrë tjetër se si na bekon priftëria është nëpërmjet bekimeve patriarkale. Unë kam mësuar që t’i drejtohem bekimit tim patriarkal kurdoherë që ndihem e trishtuar ose e vetmuar. Bekimi im më ndihmon të shoh potencialin tim dhe planin e posaçëm që Perëndia ka për mua. Ai më ngushëllon dhe me ndihmon të shoh përtej këndvështrimit tim tokësor. Ai më kujton për dhuratat e mia dhe për bekimet që do të marr nëse jetoj me denjësi. Ai gjithashtu më ndihmon të kujtoj dhe të ndihem në paqe se Perëndia do të sigurojë përgjigje dhe do të m’i hapë dyert pikërisht në çastin e duhur kur do të më nevojitet më shumë.

Bekimet patriarkale na ndihmojnë të përgatitemi për t’u kthyer e për të jetuar me Atin tonë Qiellor. Unë e di se bekimet patriarkale vijnë nga Perëndia dhe mund të na ndihmojnë për t’i kthyer dobësitë tona në pika të forta. Këto nuk janë mesazhe nga parashikues fati; këto bekime na thonë atë që duhet të dëgjojmë. Ato janë si një Liahona për secilin prej nesh. Kur ne e vendosim Perëndinë të parin dhe kemi besim në Të, Ai do të na udhëheqë përmes vetë vendit tonë të shkretë.

Ashtu si Perëndia e bekoi Jozef Smithin me priftërinë në mënyrë që bekimet e ungjillit të mund të rivendoseshin, kështu ne mund t’i marrin bekimet e ungjillit në jetën tonë nëpërmjet priftërisë. Çdo javë na jepet privilegji dhe mundësia për të marrë sakramentin. Nëpërmjet kësaj ordinance të priftërisë, mund të kemi gjithmonë Shpirtin me vete, i cili mund të na pastrojë dhe të na bëjë të dëlirë. Nëse ndieni nevojën për të hequr diçka nga jeta juaj, kërkoni ndihmën e një udhëheqësi të besuar i cili mund t’ju ndihmojë që të futeni në shtegun e duhur. Udhëheqësit tuaj mund t’ju ndihmojnë për të përdorur fuqinë e plotë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Falë priftërisë, ne gjithashtu mund të marrim bekimet e ordinancave të tempullit. Që nga koha që kam qenë në gjendje të hyj në tempull, e kam bërë një synim dhe përparësi që të marr pjesë rregullisht. Duke gjetur kohën dhe duke bërë sakrificat e nevojshme për të qenë më pranë Atit tim Qiellor në shtëpinë e Tij të shenjtë, unë jam bekuar me marrjen e zbulesës dhe nxitjeve që vërtet më kanë ndihmuar gjatë gjithë jetës sime.

Nëpërmjet priftërisë ne mund të lartësohemi. Priftëria sjell dritë në botën tonë. Plaku Robert D. Hejls tha: “Pa fuqinë e priftërisë, ‘e gjithë toka do të shkatërrohej tërësisht’ (shih D&e B 2:1–3). Nuk do të kishte dritë, as shpresë – vetëm errësirë.”2

Perëndia po brohoret për ne. Ai dëshiron që ne të kthehemi tek Ai. Ai na njeh personalisht. Ai ju njeh. Ai na do. Ai është gjithmonë i vetëdijshëm për ne dhe na bekon edhe kur mendojmë se nuk e meritojmë. Ai e di se për çfarë kemi nevojë dhe kur kemi nevojë për të.

“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.

Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket” (Mateu 7:7–8).

Nëse nuk e keni tashmë një dëshmi rreth priftërisë, unë ju nxit të luteni dhe të kërkoni që të dini vetë mbi fuqinë e saj dhe më pas t’i lexoni shkrimet e shenjta për të dëgjuar fjalët e Perëndisë. E di që nëse bëjmë një përpjekje për të përjetuar fuqinë e priftërisë së Perëndisë në jetën tonë, ne do të bekohemi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Nil L. Andersen, “Fuqi në Priftëri”, Liahona, nëntor 2013, f. 92.

  2. Robert D. Hales, “Blessings of the Priesthood”, Ensign, nëntor. 1995.