2010–2019
Shëlbimi
Prill 2013


Shëlbimi

Në atë shkallë që ndjekim Krishtin, ne kërkojmë të marrim pjesë në punën e Tij shëlbuese dhe ta çojmë më tej atë.

Në kohët e kolonizimit, kishte nevojë të madhe për krahë pune në Amerikë. Gjatë shekullit të 18–të dhe fillimit të atij të 19–të, punëtorë të mundshëm emigrantë u rekrutuan në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe vende të tjera europiane, por shumë njerëz që ishin të gatshëm të shkonin, nuk mund t’i mbulonin shpenzimet e udhëtimit. Nuk ishte e pazakontë për ta që të udhëtonin sipas një marrëveshjeje apo kontrate, duke premtuar të punonin pas mbërritjes së tyre për një periudhë të caktuar kohe pa rrogë, si pagesë për udhëtimin e tyre. Të tjerë erdhën me premtimin se pjesëtarë të familjes që ishin tashmë në Amerikë, do ta paguanin shpenzimin e udhëtimit të tyre kur të mbërrinin por, nëse kjo nuk ndodhte, të sapoardhurit ishin të detyruar t’i paguanin shpenzimet e veta nëpërmjet shërbimit kontraktual pa pagesë. Termi i përdorur për t’i përshkruar këta imigrantë nën kontratë ishte “të shëlbuar”. Ata duhej të shëlbenin çmimin e udhëtimit të tyre – në njëfarë mënyre ta blinin lirinë – me anë të punës së tyre.1

Një nga titujt më kuptimplotë që e përshkruajnë Jezu Krishtin, është Shëlbues. Siç u tregua në rrëfimin tim të shkurtër për “të shëlbuarit” imigrantë, fjala shëlboj do të thotë të shlyesh një detyrim ose borxh. Shëlboj mund të ketë gjithashtu kuptimin të shpëtosh ose të çlirosh me anë të pagimit të një shpërblese. Nëse dikush bën gabim dhe më pas e korrigjon ose e rregullon, ne themi se ai e ka shëlbuar veten. Secili prej këtyre kuptimeve shfaq aspekte të ndryshme të Shëlbimit të madhërishëm, të kryer nga Jezu Krishti me anë të Shlyerjes së Tij, që përfshin, sipas fjalëve të fjalorit, “të çlirosh nga mëkati dhe ndëshkimet e tij, me anë të një sakrifice të bërë për mëkatarin”2.

Shëlbimi i Shpëtimtarit ka dy pjesë. Së pari, shëlbimi shlyen për shkeljen e Adamit dhe Rënien rezultuese të njeriut duke i kapërcyer ato që mund të quhen pasojat e drejtpërdrejta të Rënies – vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore. Vdekja fizike kuptohet mirë; vdekja shpirtërore është ndarja e njeriut nga Perëndia. Me fjalët e Palit: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). Ky shëlbim nga vdekja fizike dhe shpirtërore është si universal, ashtu edhe pa kushte.3

Aspekti i dytë i Shlyerjes së Shpëtimtarit është shëlbimi nga ajo që mund të quhet pasojat jo të drejtpërdrejta të Rënies – vetë mëkatet tona kundrejt shkeljes së Adamit. Për shkak të Rënies, ne kemi lindur në një botë vdekshmërie ku mëkati – që domethënë mosbindja ndaj ligjit të krijuar hyjnisht – është i përgjithshëm. Duke folur për të gjithë ne, Zoti thotë:

“Po kështu, kur fillojnë të rriten, mëkati zë vend në zemrat e tyre dhe ata provojnë hidhësinë, që të mund të dinë ta çmojnë të mirën.

Dhe u është dhënë atyre ta njohin të mirën nga e liga; si rrjedhim, ata janë vetëveprues” (Moisiu 6:55–56).

Për shkak se jemi të përgjegjshëm dhe i bëjmë zgjedhjet, shëlbimi nga vetë mëkatet tona është me kusht – i kushtëzuar nga rrëfimi e braktisja e mëkatit dhe kthimi te një jetë e perëndishme ose, me fjalë të tjera, i kushtëzuar nga pendimi (shih DeB 58:43). “Si rrjedhim”, urdhëron Zoti, “mësojuani fëmijëve tuaj se të gjithë njerëzit, kudo, duhet të pendohen ose ata nuk mund të trashëgojnë në asnjë mënyrë mbretërinë e Perëndisë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij” (Moisiu 6:57).

Vuajtja e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe agonia e Tij në kryq na shëlbojnë nga mëkati duke kënaqur kërkesat që drejtësia ka mbi ne. Ai shtrin mëshirë dhe fal ata që pendohen. Shlyerja gjithashtu kënaq borxhin që drejtësia zotëron mbi ne, duke na shëruar dhe dëmshpërblyer për çfarëdo vuajtje që durojmë pafajësisht. “Pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit” (2 Nefi 9:21; shih edhe Alma 7:11–12).4

Në atë shkallë që ndjekim Krishtin, ne kërkojmë të marrim pjesë në punën e Tij shëlbuese dhe ta çojmë më tej atë. Shërbimi më i madh që mund t’u bëjmë të tjerëve në këtë jetë, duke filluar me njerëzit e vetë familjes sonë, është që t’i sjellim ata te Krishti nëpërmjet besimit dhe pendimit, që ata të mund ta përjetojnë Shëlbimin e Tij – paqe e gëzim tani dhe pavdekësi e jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Puna e misionarëve tanë është një shfaqje e mrekullueshme e dashurisë shëlbuese të Zotit. Si lajmëtarët e Tij të autorizuar, ata ofrojnë bekimet e pakrahasueshme të besimit te Jezu Krishti, pendimit, pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë, duke hapur udhën për rilindje shpirtërore dhe shëlbim.

Ne gjithashtu mund të ndihmojmë në shëlbimin prej Zotit të atyre që kanë ndërruar jetë. “Pleqtë besnikë të kësaj periudhe, kur largohen nga jeta e vdekshme, i vazhdojnë punët e tyre për predikimin e ungjillit të pendimit dhe të shëlbimit, nëpërmjet sakrificës së Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, mes atyre që janë në errësirë dhe nën robërinë e mëkatit në botën e madhe të shpirtrave të të vdekurve” (DeB 138:57). Për shkak të përfitimit prej riteve mëkëmbëse që u ofrojmë në tempujt e Perëndisë, edhe ata që vdiqën në robërinë e mëkatit, mund të çlirohen.5

Ndërkohë që aspektet më të rëndësishme të shëlbimit kanë të bëjnë me pendimin dhe faljen, ka gjithashtu një aspekt shumë kuptimplotë fizik. Thuhet se Jezusi e përshkoi vendin duke bërë mirë (shih Veprat e Apos‑tujve 10:38), që përfshiu shërimin e të sëmurit dhe të pafuqishmit, sigurimin e ushqimit turmave të uritura dhe mësimdhënien për një udhë shumë më të lartë. “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Mateu 20:28). Po kështu mundemi ne, nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, të shkojmë duke bërë mirë sipas modelit shëlbues të Mësuesit.

Ky lloj i punës shëlbuese do të thotë t’i ndihmosh njerëzit për problemet e tyre. Do të thotë të bëhesh shok me të varfrin dhe të dobtin, duke lehtësuar vuajtjen, duke ndrequr fyerjet, duke mbrojtur të vërtetën, duke forcuar brezin e ri dhe duke arritur siguri e lumturi në shtëpi. Shumë prej punës sonë shëlbuese në tokë është t’i ndihmojmë të tjerët të rriten dhe të arrijnë shpresat dhe aspiratat e tyre të drejta.

Një shembull, nga romani i Viktor Hygoit, Të Mjerët, edhe pse nga letërsia, gjithmonë më ka prekur dhe frymëzuar. Nga fillimi i historisë, peshkopi Bienvënyi i jep ushqim dhe strehim për natën të pastrehut Zhan Valzhan, të cilin sapo e kanë liruar nga 19 vite burgimi, sepse kishte vjedhur një bukë për të ushqyer fëmijët e uritur të së motrës. I ashpërsuar dhe plot mllef, Valzhani e shpërblen mirësinë e peshkopit Bienvënyi duke i vjedhur takëmet e tij të argjendta. Më vonë, i ndalur nga xhandarë dyshues, Valzhani pretendon, duke gënjyer, se argjendin ia kishin dhuruar. Kur xhandarët e kthyen forcërisht në shtëpinë e peshkopit, për habinë e madhe të Valzhanit, peshkopi Bienvënyi ia pohon historinë dhe, për përshtypje të mirë, thotë: “‘More, por unë ju kisha dhënë edhe shandanët, që janë prej argjendi si ato të tjerat dhe me të cilat mund të bënit fare mirë dyqind franga. Pse nuk i paskeni marrë tok me takëmet?’ …

Peshkopi iu afrua dhe i tha me zë të ulët:

‘Mos harroni, mos harroni kurrë se më keni dhënë fjalën që do ta përdorni këtë argjend për t’u bërë njeri i ndershëm’.

Zhan Valzhani, të cilit s’i binte hiç ndër mend të kishte premtuar gjë, shtangu në vend. Peshkopi … vazhdoi me njëfarë solemniteti:

‘Zhan Valzhan, vëllai im, tani ju nuk jeni më rob i së keqes, por i takoni së mirës. Unë po jua blej shpirtin me këto; Unë po e largoj shpirtin tuaj nga mendimet e errëta dhe nga [shpirti i humbjes, dhe po ia jap atë Perëndisë!]’”

Zhan Valzhani vërtet u bë një njeri i ri, një njeri i ndershëm dhe mirëbërës për shumë njerëz. Gjatë gjithë jetës së tij, ai i mbajti ato dy shandane, që t’i kujtonin se shpirti i tij ishte shëlbuar për t’i shërbyer Perëndisë.6

Disa forma të shëlbimit fizik vijnë nga përpjekja bashkëpunuese. Është një nga arsyet pse Shpëtimtari krijoi një kishë. Duke qenë të organizuar në kuorume e organizata ndihmëse dhe në kunje, lagje e degë, ne jo vetëm që mund t’i japim mësim dhe ta nxisim njëri–tjetrin në ungjill; ne gjithashtu mund të kërkojmë ndihmën e njerëzve dhe të burimeve për t’u marrë me nevojat e jetesës. Njerëzit që veprojnë vetëm, ose në grupe të posaçme, nuk mund të sigurojnë gjithmonë mjete në shkallën e duhur që të trajtojnë sfida më të mëdha. Si pasues të Jezu Krishtit, ne jemi një komunitet shenjtorësh të organizuar për të ndihmuar që të shëlbehen nevojat e bashkëshenjtorëve tanë dhe të aq shumë të tjerëve sa mund të ndihmojmë në mbarë globin.

Për shkak të përpjekjeve tona humanitare, përmendur nga Plaku Dallin H. Ouks, pikërisht në vitin e kaluar, 890.000 njerëz në 36 vende kanë ujë të pastër, 70.000 njerëz në 57 vende kanë karrige invalidësh, 75.000 njerëz në 25 vende kanë shikim të përmirësuar dhe njerëz në 52 vende kanë marrë ndihmë në vijim të fatkeqësive natyrore. Duke vepruar bashkë me të tjerë, Kisha ka ndihmuar për vaksinimin e rreth 8 milionë fëmijëve dhe ka ndihmuar njerëz nga Siria në kampe refugjatësh në Turqi, Liban dhe Jordani me mjete të domosdoshme për jetesë. Në të njëjtën kohë, anëtarë të Kishës në nevojë morën miliona dollarë në oferta agjërimi dhe ndihmë tjetër për mirëqenie gjatë vitit 2012. Ju falënderoj për bujarinë tuaj.

E gjitha kjo, nuk fillon të llogarisë veprimet individuale të mirësisë dhe mbështetjes – dhurimin e ushqimeve, veshjeve, të hollave, kujdesit dhe mijëra forma të tjera të ngushëllimit e dhembshurisë – me anë të së cilave mund të marrim pjesë në punën si të Krishtit për shëlbimin. Kur isha djalosh, qeshë dëshmitar i vetë veprimeve të nënës sime për të shëlbuar një grua në nevojë. Shumë vite më parë, kur i kishte fëmijët të vegjël, nëna ime iu nënshtrua një operacioni të rëndë që gati i mori jetën dhe e bëri të zinte shtratin shumicën e kohës për thuajse një vit. Gjatë kësaj kohe, anëtarë të familjes dhe të lagjes e ndihmuan nënën dhe familjen tonë. Për të ndihmuar më tej, presidentja e Shoqatës së Ndihmës të lagjes, motra Abraham, këshilloi që prindërit e mi të punësonin një grua në lagje, që kishte nevojë të skajshme për punë. Ndërsa e tregoj këtë ngjarje, do të përdor emrat e trilluar Sara dhe Eni për këtë grua dhe bijën e saj. Ky është rrëfimi i nënës sime:

“Mund ta kujtoj aq qartë sikur të kishte ndodhur veçse dje. Unë dergjesha në shtrat dhe motra Abraham solli Sarën te dera e dhomës së gjumit. M’u ndrydh zemra. Atje qëndronte njeriu më pak tërheqës që kisha takuar ndonjëherë – kaq e dobët, e çrregullt, me flokë të pakrehur, e kërrusur, me kokën ulur duke parë dyshemenë. Kishte veshur një fustan shtëpie të vjetër shumë të madh për masën e saj. Ajo nuk i ngriti sytë dhe foli kaq dobët saqë unë nuk munda ta dëgjoja. Fshehur pas saj, ishte një vajzë e vogël rreth tri vjeçe. E çfarë të bëja unë me këtë krijesë? Pasi ato u larguan nga dhoma, qava shumë. Kisha nevojë për ndihmë, jo për probleme të tjera. Motra Abraham qëndroi pak me të dhe shpejt e rregulluan shtëpinë dhe përgatitën disa vakte të mira. Motra Abraham më kërkoi ta provoja për disa ditë, [duke thënë] se kjo vajzë po kalonte një periudhë vërtet të vështirë dhe i duhej ndihmë.

Mëngjesin tjetër, kur erdhi Sara, së fundi e bëra të vinte pranë shtratit ku mund ta dëgjoja. Më pyeti se çfarë doja që të bënte ajo. Ia tregova dhe pastaj i thashë: ‘Por gjëja më e rëndësishme janë djemtë e mi; rri me ta, lexoju atyre – ata janë më të rëndësishëm se shtëpia’. Ajo ishte kuzhiniere e mirë dhe e mbajti shtëpinë të pastër, rrobat të lara dhe ishte e mirë me djemtë.

Gjatë javëve, mësova historinë e Sarës. [Ngaqë kishte vështirësi dëgjimi, ajo nuk shkoi mirë me mësime dhe së fundi e la shkollën. U martua në moshë të re me një burrë të shthurur. Eni lindi dhe u bë gëzimi i jetës së Sarës. Një natë dimri, i shoqi erdhi i dehur në shtëpi, i futi me forcë në makinë Sarën dhe Enin, të veshura me pizhame, dhe pastaj i la në buzë të autostradës. Nuk e panë më kurrë atë. Këmbëzbathura dhe duke ngrirë nga të ftohtit, Sara dhe Eni ecën disa kilometra deri në shtëpinë e nënës së Sarës.] Nëna e saj ra dakord t’i lejonte të rrinin në shkëmbim të kryerjes së gjithë punëve të shtëpisë dhe gatimit e kujdesjes për motrën e vëllanë që ishin në shkollë të mesme.

Ne e çuam Sarën te një mjek për veshët dhe ajo mori një pajisje për ta ndihmuar për dëgjimin. … Ne e çuam të ndiqte shkollimin për të rritur dhe ajo mori diplomën e saj të shkollës së mesme. Ajo shkoi në shkollën e natës dhe më vonë mori diplomë universiteti dhe dha mësim për shkollimin e njerëzve me nevoja të veçanta. Bleu një shtëpi të vogël. Eni u martua në tempull dhe bëri dy fëmijë. Sara përfundimisht bëri disa operacione në veshë dhe së fundi ishte në gjendje të dëgjonte mirë. Vite më vonë, ajo doli në pension dhe shërbeu në një mision. … Sara na falënderoi shpesh dhe tha se mësoi kaq shumë prej meje, veçanërisht kur i thashë se bijtë e mi ishin më të rëndësishëm se shtëpia. Ajo tha se e mësoi që të sillej po ashtu me Enin. … Sara është një grua shumë e veçantë.”

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i shëlbuar të tjerët nga vuajtja dhe barrat. Megjithatë, shërbimi ynë më i madh shëlbues do të jetë t’i udhëheqim ata te Krishti. Pa Shëlbimin e Tij nga vdekja dhe nga mëkati, ne kemi vetëm një ungjill të drejtësisë shoqërore. Ai mund të japë njëfarë ndihme dhe pajtimi në të tashmen, por nuk ka fuqi që të zbresë nga qielli drejtësinë e përkryer dhe mëshirën e pafundme. Shëlbimi përfundimtar është te Jezu Krishti dhe vetëm tek Ai. Unë përulësisht dhe me mirënjohje e pranoj Atë si Shëlbuesin, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Merriam–Webster’s Collegiate Dictionary, bot. 10–të (1993), “redemptioner”.

  2. Webster’s New World College Dictionary, bot. 3–të (1988), “redeem”.

  3. “Biri i Perëndisë ka shlyer për fajin origjinal, me anë të të cilit mëkatet e prindërve nuk mund të marrin përgjigje mbi kokat e fëmijëve, sepse ata janë të pacënuar që nga themelimi i botës” (Moisiu 6:54). Me anë të Shëlbimit të Krishtit, të gjithë e mposhtin varrin dhe ringjallen në pavdekësi. Përveç kësaj, të gjithë e kapërcejnë vdekjen shpirtërore duke u sjellë sërish në praninë e Perëndisë që të gjykohen. Jezusi tha: “Që ashtu si unë u ngrita [në kryq] nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre” (3 Nefi 27:14). Ata që pastrohen nga mëkati, do të mbeten me Perëndinë në mbretërinë qiellore, por ata që nuk janë penduar dhe janë të papastër, nuk mund të banojnë me një Perëndi të shenjtë dhe, pas Gjykimit, ata duhet të largohen dhe në këtë mënyrë, të pësojnë sërish vdekje shpirtërore. Nganjëherë kësaj i referohemi si një vdekje e dytë ose të vuash vdekje shpirtërore për herë të dytë. (Shih Helamani 14:15–18.)

  4. Pikërisht në lidhje me vetë mëkatet tona, shkrimet e shenjta flasin për disa që nuk e marrin përfitimin e shëlbimit: “Të ligjtë mbeten sikurse të mos kishte patur shëlbim, me përjashtim se rripat e vdekjes do të jenë zgjidhur” (Alma 11:41). “Ai që nuk ushtron besim deri në pendim, qëndron i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë; prandaj vetëm atij që ka besim deri në pendim do t’i realizohet plani i madh, i përjetshëm i shëlbimit” (Alma 34:16). Nëse një njeri nuk e pranon Shlyerjen e Shpëtimtarit, ai duhet ta shëlbojë vetë borxhin e tij ndaj drejtësisë. Jezusi tha: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë” (Doktrina e Besëlidhje 19:16–17). Vuajtja e pashëlbuar e individit për mëkatin njihet si ferr. Kjo do të thotë të jesh subjekt i djallit dhe përshkruhet në metafora të shkrimit të shenjtë si të jesh në zinxhirë ose në një liqen zjarri e squfuri. Lehi iu përgjërua bijve të tij që të zgjidhnin Shëlbimin e Krishtit “dhe [të] mos zgjidhni[n] vdekjen e përjetshme sipas dëshirës së mishit dhe ligësisë që është në të, e cila i jep shpirtit të djallit fuqi të robërojë, t’ju marrë poshtë në ferr, që ai të mund të sundojë mbi ju në mbretërinë e tij” (2 Nefi 2:29). Megjithatë, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ferri ka një fund dhe ata që janë të detyruar të kalojnë nëpër të, “do të shëlbehen nga djalli … në ringjalljen e parë” (Doktrina e Besëlidhje 76:85). Relativisht pak “bijtë e humbjes” janë “të vetmit mbi të cilët vdekja e dytë do të ketë ndonjë fuqi [të qëndrueshme]; Po, në të vërtetë, të vetmit që nuk do të shëlbehen në kohën e caktuar të Zotit, pas vuajtjeve të zemërimit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 76:32, 37–38).

  5. Profeti Jozef Smith u ngazëllua: “Të vdekurit duhet t’i thonë këngë përlëvdimi të përjetshëm mbretit Emanuel, që ka shuguruar, përpara se bota të ishte, atë që do të na bëjë të aftë për t’i shëlbyer ata nga burgu i tyre; sepse të burgosurit do të lirohen” (Doktrina e Besëlidhje 128:22).

  6. Shih Victor Hugo, Les Misérables, (1992), f. 91–92; përkthimi shqip “Të Mjerët”, (1983), f. 123–125.