Shpëtimtari Dëshiron të Falë
Zoti na do dhe dëshiron që të kuptojmë gatishmërinë e Tij për të falur.
Gjatë shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit tonë shumë njerëz e ndoqën Atë, përfshirë skribët dhe farisenjtë “nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi”1. Një burrë që dergjej në shtrat e i paralizuar që dëshironte të shërohej, u soll te një turmë e madhe njerëzish, por miqtë e tij, duke mos qenë në gjendje ta çonin afër Shpëtimtarit, e morën te çatia e shtëpisë në të cilën qe Shpëtimtari dhe e u ulën poshtë. Duke parë këtë shfaqje të besimit, me një qëllim të madh, ende të panjohur për dëgjuesit e Tij, Shpëtimtari shpalli: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur”2.
Kjo duhet ta ketë habitur burrin dhe, ndonëse shkrimet e shenjta nuk thonë gjë për reagimin e tij, ai mund të ketë pyetur veten nëse Shpëtimtari e kuptonte vërtet arsyen përse ai kishte ardhur.
Shpëtimtari e dinte se shumë njerëz e ndiqnin për shkak të mrekullive të Tij të mëdha. Tashmë kishte kthyer ujin në verë3; kishte dëbuar frymëra të ndyra4; kishte shëruar djalin e nëpunësit të mbretit5, një lebroz6, vjehrrën e Pjetrit7 e shumë të tjerë8.
Por me këtë burrë të paralizuar, Zoti zgjodhi t’u jepte si dishepujve të Tij edhe mosbesimtarëve një provë të rolit të Tij unik si Shpëtimtari i botës. Me të dëgjuar fjalët e Shpëtimtarit, skribët dhe farisenjtë kishin filluar të arsyetonin mes tyre, duke folur në padituri për blasfemi ndërsa dolën në përfundimin se vetëm Perëndia mund ta falte mëkatin. Duke i njohur mendimet e tyre, Shpëtimtari iu drejtua duke thënë:
“Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja?
Çfarë është më e lehtë, të thuhet: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo të thuhet: ‘Çohu dhe ec’?”9
“Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them ([atëherë u kthye nga i] paralizuari), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”10 Dhe ai u çua!
Përmes këtij shërimi fizik të mrekullueshëm, Shpëtimtari na pohoi të gjithë neve këtë të vërtetë shpirtërore, pafundësisht më të fuqishme: Biri i Njeriut fal mëkatet!
Ndërsa kjo e vërtetë pranohet me lehtësi nga të gjithë besimtarët, jo kaq lehtësisht e pranueshme është e vërteta thelbësore shoqëruese: Shpëtimtari i fal mëkatet “mbi tokë” dhe jo vetëm në Gjykimin Përfundimtar. Ai nuk na shfajëson në mëkatet tona.11 Ai nuk na lejon të kthehemi te mëkatet e së shkuarës.12 Por kur pendohemi dhe i bindemi ungjillit të Tij, Ai na fal.13
Në këtë falje ne shikojmë të zbatohet fuqia ndihmuese dhe shëlbuese e Shlyerjes në mënyrë të harmonishme dhe të hirshme. Nëse ushtrojmë besim në Zotin Jezu Krisht, fuqia ndihmuese e Shlyerjes së Tij na forcon në çastin kur kemi nevojë14, dhe fuqia e Tij shëlbuese na shenjtëron kur “zhvesh[im] njeriun e natyrshëm”15. Kjo sjell shpresë për të gjithë, veçanërisht për ata që mendojnë se dobësia njerëzore që përsëritet, është përtej gatishmërisë së Shpëtimtarit për të ndihmuar e shpëtuar.
Duke i dhënë Shpëtimtarit një mundësi për të ndriçuar kuptimin tonë16, Pjetri një herë kërkoi të dinte se sa herë duhet ta falte vëllanë e tij, dhe pastaj pyeti: “Deri shtatë herë?” Sigurisht kjo do të qe më se e mjaftueshme. Por përgjigjja e Shpëtimtarit na hapi dyert për të kuptuar zemrën e Tij të mëshirshme: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë”17.
Zoti na do dhe dëshiron që të kuptojmë gatishmërinë e Tij për të falur. Në më shumë se 20 raste te Doktrina e Besëlidhje, Zoti u tha atyre të cilëve po u fliste: “Mëkatet e tua të janë falur”, ose fjalë të ngjashme.18 Në pothuajse gjysmat e atyre rasteve, fjalët e Zotit i drejtoheshin veçanërisht Profetit Jozef Smith, hera–herës duke iu drejtuar vetëm atij, hera–herës atij bashkë me të tjerët.19 I pari nga këto raste u shkrua në vitin 1830, i fundit në vitin 1843. Pra, gjatë një intervali prej shumë vitesh, Zoti i tha Jozefit në mënyrë të përsëritur: “Mëkatet e tua të janë falur”.
Ndonëse Jozefi nuk qe “fajtor për mëkate të mëdha ose të liga”20, ne bëjmë mirë të mbajmë mend se me përjashtime shumë të rralla, [premtimi i] Zotit [për të falur] “shtatëdhjetë herë shtatë” nuk e kufizon faljen sipas seriozitetit të mëkatit.
Ndërsa po u fliste pleqve të mbledhur në Kirtland, Zoti tha: “Unë dëshiroj që ju ta mundni botën; prandaj do të kem dhembshuri për ju”21. Zoti e njeh dobësinë tonë dhe pasojat e përjetshme të “botë[s]” te burrat e gratë e papërsosura.22 Fjala prandaj në këtë varg është pohimi i Tij se është vetëm përmes dhembshurisë së Tij që ne përfundimisht mund “ta mund[im] botën”. Si shfaqet kjo dhembshuri? Po të njëjtëve pleq në Kirtland, Ai u tha: “Jua kam falur mëkatet tuaja”23. Shpëtimtari dëshiron të falë.
Askush nuk duhet të mendojë se kjo falje vjen pa pendim. Në të vërtetë, Zoti ka shpallur: “Unë, Zoti, ua fal mëkatet atyre që i rrëfejnë mëkatet e tyre përpara meje dhe kërkojnë falje”, dhe pastaj i paralajmëron për një kërkesë tjetër, “atyre që nuk kanë mëkatuar me vdekje”24. Ndërsa Zoti “nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”25, përsëri Ai bën dallimin në seriozitetin përkatës të disa mëkateve. Ai përcakton se nuk do të ketë falje për “blasfemi[në] kundër Frymës së Shenjtë”26. Ai shpall seriozitetin e vrasjes27 dhe thekson peshën e mëkatit seksual të tillë si shkelja e kurorës.28 Në lidhje me përsëritjen e mëkatit serioz seksual, Ai bën të ditur vështirësinë në rritje të marrjes së faljes prej Tij.29 Dhe Ai ka thënë se: “Ai që mëkaton kundër dritës më të madhe, do ta marrë dënimin më të madh”30. Përsëri, në mëshirën e Tij, Ai lejon për përmirësim me kohë në vend që të kërkojë përsosje të menjëhershme. Edhe me numrin e madh të mëkateve që janë rezultat i dobësisë në vdekshmëri, aq herë sa pendohemi dhe kërkojmë faljen e Tij, Ai na fal, vazhdimisht.31
Për shkak të kësaj, të gjithë ne, përfshirë ata që po përpiqen të mposhtin sjelljet e varësisë të tilla si abuzimin me substancat ose pornografinë, si dhe ata që janë pranë tyre, mund ta dinë se Zoti do t’i pranojë përpjekjet tona të drejta dhe, kur pendimi është i plotë, do të na falë me dashuri “deri shtatëdhjetë herë shtatë”. Por kjo nuk do të thotë që mund t’i kthehesh me gatishmëri mëkatit pa u ndëshkuar.32
Zoti është gjithmonë i interesuar për zemrën33 që kemi dhe besimi i rremë me arsyetime nuk e justifikon mëkatin.34 Në këtë periudhë ungjillore, Zoti e paralajmëroi një prej shërbëtorëve të Tij kundër këtyre arsyetimeve duke thënë: “[Ai] duhet të turpërohet për bandën e nikolaitëve dhe për gjithë fëlliqësitë e tyre të fshehta”35. Nikolaitët qenë sekt i lashtë fetar që pretendonin se kishin leje për të kryer mëkat seksual për shkak të hirit të Zotit.36 Kjo nuk është e pëlqyeshme për Zotin.37 Dhembshuria dhe hiri i Tij nuk na shfajësojnë kur “zemrat t[ona] nuk kënaqen … [d]he … nuk i binde[mi të] vërtetës, por kënaqe[mi] në padrejtësi”38. Përkundrazi, pasi bëjmë gjithçka që mund të bëjmë39, dhembshuria dhe hiri i Tij janë mjetet me anë të të cilave “me kalimin e kohës”40 e mposhtim botën përmes fuqisë ndihmuese të Shlyerjes. Ndërsa e kërkojmë me përulësi këtë dhuratë të çmuar “gjërat e dobëta … bëhen të forta në [ne]”41 dhe përmes fuqisë së Tij, ne jemi në gjendje të bëjmë atë që nuk mund ta bëjmë kurrë të vetëm.
Zoti sheh dritën që kemi marrë42, dëshirat e zemrës sonë43 dhe veprimet tona44 dhe, kur pendohemi e kërkojmë faljen e Tij, Ai na fal. Ndërsa marrim parasysh vetë jetën tonë dhe jetën e të dashurve e të njohurve tanë, ne duhet të jemi njësoj të gatshëm të falim veten dhe të tjerët.45
Predikoni Ungjillin Tim flet për vështirësinë e mposhtjes së sjelljes së varësisë dhe i nxit udhëheqësit e priftërisë dhe anëtarët që “të [mos] befasohen apo të dekurajohen” nëse kërkuesit ose anëtarët e rinj vazhdojnë të luftojnë me probleme të tilla. Përkundrazi, ne këshillohemi “të tregoj[më] besim tek individi dhe të mos je[mi] paragjykues; … [duke e] konsider[uar] këtë si një dështim të përkohshëm dhe të kuptueshëm”46. A mund të bëjmë më pak përpjekje me vetë fëmijët apo anëtarët e familjes sonë që luftojnë me probleme të ngjashme, ngaqë kanë dalë përkohësisht nga shtegu i drejtësisë? Me siguri, ata e meritojnë qëndrueshmërinë, durimin dhe dashurinë tonë – dhe sigurisht, faljen tonë.
Në konferencën e përgjithshme, pikërisht tetorin që shkoi, Presidenti Monson këshilloi:
“Ne duhet ta ngulisim në mendje që njerëzit mund të ndryshojnë. Ata mund t’i lënë pas veset e këqija. Ata mund të pendohen për shkeljet. …
… Ne mund t’i ndihmojmë ata t’i mposhtin të metat e tyre. Ne duhet të zhvillojmë aftësinë për t’i parë njerëzit jo siç janë në këtë çast, por si mund të bëhen.”47
Në një konferencë më të hershme të Kishës, të ngjashme me këtë konferencë, Zoti u tha anëtarëve:
“Në të vërtetë unë ju them, ju jeni të pastër, por jo të gjithë. …
Pasi gjithë mishi është i prishur përpara meje. … …
… Pasi në të vërtetë disa nga ju janë fajtorë para meje, por unë do të jem i mëshirshëm ndaj dobësisë suaj.”48
Mesazhi i Tij është po i njëjti sot.
Ati ynë Qiellor e di me çfarë po përballemi, se të gjithë mëkatojmë dhe vazhdimisht “priv[ohemi] nga lavdia e Perëndisë”49. Ai dërgoi Birin e Tij, i cili “e njeh dobësinë e njeriut dhe se si të ndihmojë ata që tundohen”50. Biri i Tij na mëson të “lut[emi] gjithmonë që të mos hy[jmë] në tundim”51. Na është thënë që t’i “përgjëro[hemi] [Perëndisë] për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë”52. Shpëtimtari na urdhëron që të pendohemi53 dhe të falim54. Dhe megjithëse pendimi nuk është i lehtë, ndërsa përpiqemi me gjithë zemrën tonë që t’i bindemi ungjillit të Tij, Ai na jep këtë premtim: “Në të vërtetë unë ju them, pavarësisht nga mëkatet [tuaja], brendësia ime mbushet me dhembshuri për [ju]. Unë nuk do t’[ju] dëboj … tërësisht; dhe në ditën e zemërimit do t’[ju] kujtoj me mëshirë.”55 Shpëtimtari dëshiron të falë.
Çdo javë, Kori Mormon i Tabernakullit e fillon transmetimin e tij frymëzues me fjalët moralisht lartësuese të himnit të njohur të Uilliam W. Felpsit “Gently Raise the Sacred Strain [Këng’n e Shenjt’ Ti Butë Ngri]”. [Por] nuk janë aq të njohura fjalët ngushëlluese të vargut të katërt:
I Shenjt’, i shenjt’ ësht’ Zoti.
E çmuar fjala e Tij: …
Pendim t’jetosh, …
Dhe sikur shum’ m’kate t’kesh,
O, pendohu që të falesh.56
Ju ftoj t’i kujtoni dhe t’i besoni fjalët e Zotit dhe të ushtroni besim në Të në pendim.57 Ai ju do. Ai dëshiron të falë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.