Paqja Vetjake: Shpërblimi i Drejtësisë
Madje edhe me sprovat e jetës, në saje të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të hirit të Tij, jetesa e drejtë do të shpërblehet me paqe vetjake.
Përvojat e fundit më kanë bërë të mendoj mbi doktrinën e paqes dhe, veçanërisht, mbi rolin e Jezu Krishtit për ta ndihmuar secilin prej nesh që të fitojë paqe vetjake të qëndrueshme.
Dy ngjarje brenda pak muajve të kaluar, më kanë prekur thellë. E para, fola në ceremoninë e varrimit të Emili Parkerit, një gjashtëvjeçareje të çmuar e cila humbi jetën bashkë me 25 të tjerë, që përfshinin 19 fëmijë të vegjël, në një atentat tragjik në Njutaun të Konektikatit. U pikëllova tok me familjen e saj dhe pranova se shumëkujt i qe grabitur paqja. Gjeta forcë dhe besim te prindërit e saj, Robert dhe Alisa Parker.
Së dyti, u takova me mijëra anëtarë besnikë të Kishës në qytetin Abixhan të Bregut të Fildishtë.1 Ky vend frëngjishtfolës afrikanoperëndimor ka duruar vështirësi ekonomike, një grusht ushtarak dhe dy luftëra të fundit civile që përfunduan në 2011–ën. Megjithatë, ndjeva një paqe të veçantë në praninë e tyre.
Shpeshherë ndodhin ngjarje që na e grabisin paqen dhe na bëjnë të ndihemi më të cenueshëm.
Kush mund t’i harrojë sulmet e liga të 11 shtatorit 2011 mbi disa vende të SHBA–së? Ngjarje të tilla na kujtojnë se sa shpejt mund të shkatërrohen ndjenjat tona të paqes e të sigurisë.
Djali ynë më i madh dhe bashkëshortja e tij, të cilët po prisnin fëmijën e tyre të parë, jetonin tre blloqe ndërtesash larg Qendrës Tregtare Botërore, në qytetin e Nju–Jorkut, kur aeroplani i parë u përplas në Kullën Veriore. Ata shkuan në tarracën e banesës së tyre dhe u tmerruan teksa shihnin atë për të cilën menduan se ishte ndonjë aksident i tmerrshëm. Pastaj ata dëshmuan përplasjen e aeroplanit të dytë në Kullën Jugore. E kuptuan menjëherë që ky nuk ishte aspak aksident dhe besuan që Manhatani jugor ishte nën një sulm. Kur Kulla Jugore u shemb, banesa e tyre u përfshi nga reja e pluhurit që u derdh mbi Manhatanin jugor.
Të hutuar për sa kishin parë dhe të shqetësuar për sulme të mëtejshme, ata mundën të shkonin në një zonë më të sigurt dhe, më pas, te ndërtesa e Kishës për kunjin e Manhatanit, në Qendrën Linkoln. Kur mbërritën, ata mësuan se dhjetëra anëtarë të tjerë të Manhatanit jugor kishin vendosur po ashtu të mblidheshin te qendra e kunjit. Telefonuan që të na vinin në dijeni se ku ndodheshin. Unë u lehtësova që ishin të sigurt, por nuk u çudita për vendndodhjen. Zbulesa moderne na mëson se kunjet e Sionit janë një mbrojtje dhe “strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”2.
Ata nuk mundën të riktheheshin te banesa e tyre për mbi një javë dhe qenë të rrënuar nga humbja e mijëra jetëve të pafajshme, por nuk pësuan asnjë dëmtim të përhershëm.
Duke sjellë ndër mend këto ngjarje, më ka bërë përshtypje dallimi doktrinor mes paqes së përgjithshme apo të botës dhe paqes vetjake.3
Në lindjen e Shpëtimtarit, një shumicë e ushtrisë qiellore lëvdoi Perëndinë dhe shpalli: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”4
Megjithatë, vërehet me pikëllim se, madje në këtë periudhë përjetësisht të rëndësishme që pason lindjen e Birit të Perëndisë, mbreti Herod kreu masakrën e foshnjave të pafajshme në Bethlehem.5
Liria e zgjedhjes është thelbësore për planin e lumturisë. Lejon atë dashuri, sakrificë, rritje vetjake dhe përvojë të domosdoshme për përparimin tonë të përjetshëm. Kjo liri e zgjedhjes lejon po ashtu të ndodhë e gjithë dhembja dhe vuajtja që ne përjetojmë në jetën e vdekshme, madje dhe kur shkaktohen nga gjëra që nuk i kuptojmë, dhe nga zgjedhjet e liga shkatërrimtare të të tjerëve. Vetë Lufta në Qiell u bë për të mbrojtur lirinë tonë të zgjedhjes morale dhe është thelbësore për të kuptuar shërbesën tokësore të Shpëtimtarit.
Siç përsëritet në kapitullin e 10–të të Mateut, Shpëtimtari i udhëzoi Të Dymbëdhjetët dhe pohoi se misioni i Tij nuk do ta realizonte paqen e përgjithshme në këtë jetë të vdekshme. Apostujve iu tha që të linin paqe mbi shtëpitë e denja që ata vizitonin, por u paralajmëruan se do të ishin “në mes të ujqërve … [dhe] do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë”6. Një shpallje me rëndësi bëhet te vargu 34: “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë”7. Është e qartë se paqja e përgjithshme nuk ekzistonte në tokë gjatë shërbesës së Krishtit në jetën e vdekshme, dhe nuk ekziston tani.
Te parathënia e Zotit për Doktrinën e Besëlidhjet, jepen mësim një numër parimesh shumë të rëndësishme. Në lidhje me ata të cilët nuk pendohen, Shpirti i Tij (Shpirti i Krishtit), i cili i jepet çdo njeriu që vjen në botë8, “nuk do të ndeshet gjithmonë me njeriun”9. Gjithashtu, “paqja do të merret nga toka”10. Profetët kanë shpallur se paqja, në të vërtetë, është hequr nga toka.11 Luciferi ende nuk është lidhur dhe ushtron fuqi në sundimin e tij.12
Aspirata qiellore e njerëzve të mirë kudo, ka qenë dhe përherë do të jetë për paqen në botë. Nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë në arritjen e këtij synimi. Por, Presidenti Jozef F. Smith dha mësim: “Botës kurrë nuk mund t’i vijë ai shpirt paqeje dhe dashurie … derisa njerëzimi ta marrë të vërtetën e Perëndisë dhe mesazhin e Perëndisë … e ta njohë fuqinë dhe autoritetin e tij, i cili është hyjnor”13.
Ne sinqerisht shpresojmë e lutemi për paqen e përgjithshme, por ne e arrijmë pikërisht si individë dhe familje atë lloj paqeje që është shpërblimi i premtuar për drejtësinë. Kjo paqe është dhuratë e premtuar e misionit dhe e sakrificës shlyese të Shpëtimtarit.
Ky parim shprehet përmbledhtazi te Doktrina e Besëlidhje: “Por mësoni se ai që bën veprat e drejtësisë, duhet të marrë shpërblimin e tij, madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”14.
Presidenti Xhon Teljor dha mësim se paqja jo vetëm që është e dëshirueshme, por “është dhurata e Perëndisë”15.
Paqja për të cilën e kam fjalën, nuk është thjesht një qetësi e përkohshme. Është lumturi e thellë e kënaqësi shpirtërore e qëndrueshme.16
Presidenti Hiber J. Grant e përshkroi kështu paqen e Shpëtimtarit: “Paqja e Tij do të na lehtësojë vuajtjen, do të na fashojë zemrën e thyer, do të na heqë urrejtjet, do të na sjellë në kraharor një dashuri për shoqi–shoqin që do t’i mbushë shpirtrat tanë me qetësi dhe lumturi”17. Në takimet e mia me prindërit e Emili Parkerit, pashë se paqja e Shpëtimtarit ua ka lehtësuar vuajtjen e po ndihmon për t’u fashuar zemrën e thyer. Është i rëndësishëm fakti që, fill pas atentatit, Vëllai Parker i shprehu falje autorit të krimit. Sikurse tha Presidenti Grant, paqja e Shpëtimtarit arrin “të na heqë urrejtjet”. Gjykimi është i Zotit.
Shenjtorët e Bregut të Fildishtë, gjatë periudhës së luftës civile në vendin e tyre, gjetën paqe duke u përqendruar tek të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit, me theks të veçantë mbi historinë familjare dhe punën e tempullit për paraardhësit e tyre.18
Të gjithë jemi të dëshiruar për paqe. Paqja nuk është thjesht siguri ose mungesë lufte, dhune, konflikti dhe grindjeje. Paqja vjen ngaqë dimë se Shpëtimtari e di cilët jemi dhe e di se kemi besim tek Ai, se e duam dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, madje e veçanërisht, edhe mes sprovave dhe tragjedive shkatërruese të jetës. Përgjigjja e Zotit drejtuar Profetit Jozef Smith në Burgun e Libertisë, i jep ngushëllim zemrës:
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart.”19
Mbani mend: “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por [Perëndi] paqtimi”20. Për ata të cilët refuzojnë Perëndinë, nuk ka paqe. Të gjithë ne morëm pjesë në këshillat e qiellit që siguruan lirinë e zgjedhjes morale, duke e ditur që do të kishte dhembje të jetës së vdekshme e madje tragjedi të tmerrshme për shkak të abuzimit me lirinë e zgjedhjes. Ne e kuptuam se kjo mund të shkaktonte që ne të bëheshim të zemëruar, të hutuar, të pambrojtur dhe të cenueshëm. Por gjithashtu e dinim se Shlyerja e Shpëtimtarit do t’i mposhtte e do të zhdëmtomte të gjitha padrejtësitë e jetës së vdekshme dhe do të na sillte paqe. Plaku Marion D. Henks mbante në mur një kornizë me thënien e Ugo Betit: “Të besosh në Perëndi, do të thotë të dish se të gjitha rregullat do të jenë të drejta dhe se do të ketë të papritura të habitshme”21.
Cilat janë burimet e paqes? Shumëkush e kërkon paqen me mënyrat e botës, të cilat kurrë nuk ia kanë dalë mbanë dhe kurrë nuk do t’ia dalin. Paqja nuk gjendet duke arritur pasuri, fuqi ose famë të madhe.22 Paqja nuk gjendet duke kërkuar kënaqësinë, zbavitjen apo çlodhjen. Asnjëra nuk mundet, edhe atëherë kur arrihet me bollëk, të krijojë një lumturi ose paqe të qëndrueshme.
Himni i çmuar i Ema Lu Tejnit shpreh pyetjet e duhura: “Ku mund të gjej paqe? Ku kam ngushëllim, kur tjera burime nuk më shërojn’?”23 Përgjigjja është Shpëtimtari, i cili është burimi dhe autori i paqes. Ai është “Princ i paqes”24.
Si t’i qëndrojmë pranë Shpëtimtarit? Përulja e vetes para Perëndisë, lutja gjithmonë, pendimi për mëkatet, hyrja në ujin e pagëzimit me zemër të thyer e shpirt të penduar dhe kthimi në dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, janë shembuj shumë të mirë të drejtësisë që shpërblehet me paqe të qëndrueshme.25 Pasi Mbreti Beniamin e dha mesazhin e tij nxitës lidhur me Shlyerjen e Krishtit, turma ra përdhe. “Shpirti i Zotit erdhi mbi ta dhe ata u mbushën me gëzim, pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kishin paqe të ndërgjegjes, për shkak të besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin.”26 Pendimi dhe jetesa me drejtësi lejon që të ketë paqe të ndërgjegjes, e cila është thelbësore për kënaqësinë.27 Kur ka pasur shkelje serioze, kërkohet rrëfim që të sillet paqja.28 Ndoshta nuk ka asgjë që të krahasohet me paqen e cila i vjen një shpirti të munduar prej mëkatit nga shkarkimi i barrës së vet te Zoti dhe nga kërkimi i bekimeve të Shlyerjes. Sikurse e shpreh këtë një tjetër himn i përhapur në Kishë: “Barrën do lë te këmb’t e Tij dhe me këng’ shkoj gjithmon’”29.
Më gëzohet zemra kur kuptoj se në kohën tonë dhjetëra mijë të rinj, të reja dhe misionarë në moshë e kanë pranuar thirrjen që të jenë të dërguar të Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ata po i çojnë botës ungjillin e rivendosur të paqes, herë një personi e herë një familjeje – një vepër drejtësie për t’ua sjellë këtë paqe fëmijëve të Atit Qiellor.
Kisha është një strehë ku pasuesit e Krishtit e arrijnë paqen. Disa të rinj në botë thonë se janë shpirtërorë, por jo fetarë. Të ndihesh shpirtëror është një hap i parë i mirë. Megjithatë, është Kisha vendi ku ne shoqërohemi, marrim mësim dhe ushqehemi me fjalën e mirë të Perëndisë. Më e rëndësishmja, është autoriteti i priftërisë në Kishë ai që siguron ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që i lidhin familjet tok dhe e kualifikojnë secilin prej nesh që të kthehet te Perëndia, Ati, dhe te Jezu Krishti në mbretërinë çelestiale. Këto ordinanca sjellin paqe ngaqë ato janë besëlidhje me Zotin.
Tempujt janë vendi ku ndodhin shumë prej këtyre ordinancave të shenjta dhe janë gjithashtu burim i një strehimi paqësor nga bota. Ata që i vizitojnë terrenet e tempujve ose marrin pjesë në shtëpinë e hapur të tempullit, gjithashtu e ndiejnë këtë paqe. Një përvojë që më kujtohet mjaft mirë, është shtëpia e hapur dhe përkushtimi i Tempullit të Suvas në Fixhi. Kishte pasur trazira politike si rrjedhojë e të cilave rebelët dogjën dhe plaçkitën qendrën e qytetit Suva, zaptuan ndërtesat e parlamentit dhe mbajtën peng ligjvënësit. Vendi ishte nën ligjin ushtarak. Ushtarakët e Fixhit i dhanë Kishës leje të kufizuar për të mbledhur njerëz për shtëpinë e hapur dhe një grup shumë të vogël për përkushtimin. Anëtarët nuk u ftuan në tërësi, për shkak të shqetësimit për sigurinë e tyre. Ishte i vetmi përkushtim tempulli, që nga Tempulli i hershëm i Navusë, që mbahej nën rrethana shumë të vështira.
Një person i ftuar në shtëpinë e hapur ishte një grua e dashur hindu me prejardhje indiane, një anëtare e Parlamentit e cila fillimisht u mbajt peng, por u lirua ngaqë ishte femër.
Në dhomën çelestiale, e lirë prej trazirës së botës, ajo u tret në lot ndërsa shprehte ndjenjat e paqes që e pushtuan. Ndjeu Frymën e Shenjtë ta ngushëllonte e t’i jepte dëshmi për natyrën e shenjtë të tempullit.
Shpëtimtari është burimi i paqes së vërtetë. Madje edhe me sprovat e jetës, në saje të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të hirit të Tij, jetesa e drejtë do të shpërblehet me paqe vetjake. Në brendinë e dhomës së Pashkës, Shpëtimtari u premtoi Apostujve të Tij se do të bekoheshin me “[Ngushëlluesin, Frymën] e Shenjtë” dhe pastaj shprehu këto fjalë të rëndësishme: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota”30. Më pas, vetëm pak para Lutjes së Tij Ndërmjetësuese: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”31
Eliza R. Snou shkroi bukur për këtë koncept:
Lavd’rim Perëndis’ i ngrini;
G’zimi juaj kurr’ të mos rresht’.
Dhe pse shqet’sime shpesh hasni,
Krishti thot’: “Në mua paqe ësht’”.32
Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.