Këto Gjëra i Di
Nga gjithë ajo që kam lexuar, kam dhënë mësim dhe kam mësuar vetë, një nga të vërtetat më të çmuara dhe më të shenjta që kam për t’ju dhënë, është dëshmia ime e veçantë për Jezu Krishtin.
Në vitin 1992, pasi kisha shërbyer nëntë vjet si Asistent i Të Dymbëdhjetëve dhe 22 vjet si anëtar i Të Dymbëdhjetëve, arrita moshën 68–vjeçare. Pata mbresë që të filloja atë që e quajta një “Kompozim i Pambaruar”. Pjesa e parë e asaj vepre tingëllon kështu:
Natën që shkoi një mendim pata,
Një mendim të thellë shum’.
Më erdhi kur mjaft i lodhur isha,
Sa më s’më vinte as gjum’.
Një ditë plot punë kisha kaluar
Dhe fatin kisha sjellë ndërmend.
Këtë gjë pata menduar:
Kur isha i ri, s’kisha qenë 68 vjeç!
Pa çaluar mund të ecja;
Supi nuk më dhimbte kurrë.
Një rresht dy her’ ta lexoja,
Përmendsh ta përsërisja un’.
Mund të punoja orë pa fund,
Edhe për frymë pa ndalur.
Gjërat që tash t’i bëj, më s’mund,
I bëra me lehtësi dikur.
Vitet pas nëse mund t’i ktheja,
Këtë zgjedhje në dorë po ta kisha,
Vjetërsinë me rininë s’do ta ndërroja,
Se shumë do të humbisja.
I kënaqur jam që përpara të shkoj,
Pas ta lë rininë, sado të madhërishme.
Është ajo gjë që sot kuptoj,
Që nëse pas kthehesha, do të më humbiste.
Dhjetë vjet më vonë, vendosa t’i shtoj disa rreshta më shumë kësaj poeme:
Dhjetë vjet ku shkuan, më s’dihet,
Me to dhe shum’ nga dhembja shkoi.
Çalimi nga këllqe metali hiqet;
Sërish mjaft drejt po nxitoj.
Fletë tjetër metali qafën ma shtrëngon –
I mrekullueshëm krijim!
Nga unë tërë poliomielitin largoi;
Kokëfortë është tani brezi im.
Shenjat e moshës mund të shihen.
Ato gjëra s’bëhen më të mira.
E vetmja gjë që në forcë rritet
Me mua bashkë është harresa.
Më pyet: “A më mban mend?”
Sigurisht, je po njësoj.
Nëse emri yt s’më kujtohet,
Tani gjithë inat mos u bëj.
Dakord jam, ca gjëra kam mësuar,
Që s’do doja t’i dija,
Por mosha ka sjellë të vërtetën e çmuar,
Që Shpirtit më pranë t’i rrija.
Nga gjithë bekimet që kam marrë,
Gjëja më e mirë në jet’,
Shoqërimi dhe ngushëllimi është
Që te gruaja ime gjej.
Gjithë fëmijët tanë mirë u martuan,
Familjet e tyre i kan’,
Të gjithë sa shpejt u shtuan,
Me fëmijët, nipërit dhe mbesat.
Mendjen aspak s’e kam ndryshuar
Që rininë përsëri ta rikthej.
Të gjithë kemi për t’u moshuar
Që të vërtetën ta gjejm’.
Më pyet: “E ardhmja ç’do të sjellë?
Fati im ç’do të jet’?”
Pa u ankuar bisedën përcjell.
Më pyet kur të jem 88!
Dhe vitin e kaluar shtova këto strofa:
Tani e shihni, jam 88.
Vitet shumë shpejt më shkuan.
Ecja, çalimi, bastuni që mbajta vet’,
Te karroca përfunduan.
Dremis herë pas here,
Por fuqia e priftërisë mbetet.
Për mungesat e gjithë gjërave trupore
Fitim shpirtëror më gjendet.
Nëpër botë miliona kilometra
Unë vetë kam udhëtuar.
Prej satelitëve udhëtimet e mia
Prapë sot s’kanë të mbaruar.
Tani mund të them me siguri të plot’
Se Zotin e dua, e njoh.
Kur fjalën e Tij të shenjtë predikoj
Me të lashtët dhe unë dëshmoj.
E di se atë që ndjeu në Gjetseman,
Ne nuk mund ta kuptojmë.
E di se për ne bëri gjithçka,
Mik më të madh s’kërkojmë.
E di sërish Ai do të vijë
Me fuqi dhe në lavdi.
E di vërtet unë do ta shoh përsëri
Kur jetës sime t’i arrijë fundi.
Në gjunjë te këmbët e Tij do të ulem;
Do ndiej të shkëlqej’ Shpirtin.
Me zë të dridhur do t’i them:
“O Zot, Perëndi, e di.”1
Dhe unë vërtet e di!
Dritaret nga prapa shtëpisë sonë shohin mbi një kopsht të vogël lulesh dhe drurësh, të cilat kufizohen nga një rrëke e vogël. Njëri mur i shtëpisë kufizohet me kopshtin dhe është tërësisht i mbuluar me bimë kacavjerrëse. Shumicën e viteve kjo bimë kacavjerrëse ka qenë vendi i foleve të trishtilave. Foletë në degët kacavjerrëse janë të sigurta nga dhelprat, rakunët dhe macet që vërtiten përreth.
Një ditë pati një zhurmë të madhe në bimën kacavjerrëse. Thirrje të dëshpëruara shqetësimi bënë që 8 ose 10 trishtilë nga drurët përreth të vinin që të bashkoheshin me këtë thirrje alarmi. Shpejt e pashë burimin e zhurmës. Një gjarpër kishte rrëshqitur pjesërisht poshtë bimës kacavjerrëse dhe ishte varur përpara dritares për aq kohë sa më duhej ta tërhiqja nga bima. Pjesa e mesit e trupit të gjarprit kishte dy xhunga – provë e qartë që tregonte se ai kishte marrë dy zogj të vegjël nga foleja. Asnjëherë në 50 vjet që kishim jetuar në shtëpinë tonë, nuk kishim parë diçka të tillë. Ishte një përvojë që ndodhte vetëm një herë në jetë – ose kështu menduam ne.
Pak ditë më vonë, pati një zhurmë tjetër, këtë herë në degët kacavjerrëse që mbulonin koliben e qenit tonë. Dëgjuam të njëjtat thirrje alarmi, grumbullimin e trishtilave fqinjë. E dinim se cili ishte grabitqari. Një nip u ngjit mbi kolibe dhe tërhoqi një gjarpër tjetër që ende nuk po e lëshonte zogun nënë që e kishte zënë në fole dhe e kishte vrarë.
Thashë me vete: “Çfarë po ndodh? A po pushtohet përsëri Kopshti i Edenit?”
Atje më erdhën në mendje paralajmërimet e thëna nga profetët. Ne nuk do të jemi gjithmonë të sigurt ndaj ndikimit të kundërshtarit, madje edhe brenda vetë shtëpive tona. Ne kemi nevojë t’i mbrojmë të vegjlit tanë.
Ne jetojmë në një botë shumë të rrezikshme, e cila i kërcënon ato gjëra që janë më shpirtëroret. Familja, organizata themelore në kohë dhe përjetësi, po i nënshtrohet sulmit nga forca të dukshme dhe të padukshme. Kundërshtari gjendet përreth. Qëllimi i tij është të shkaktojë dëmtim. Nëse mund ta dobësojë dhe ta shkatërrojë familjen, ai do t’ia ketë dalë mbanë.
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e njohin rëndësinë e jashtëzakonshme të familjes dhe përpiqen të jetojnë në një mënyrë të tillë që kundërshtari nuk mund të hyjë vjedhurazi në shtëpitë tona. Ne gjejmë siguri dhe mbrojtje për veten tonë dhe për fëmijët tanë nëpërmjet respektimit të besëlidhjeve që kemi bërë, dhe nëpërmjet të jetuarit sipas veprimeve të thjeshta të bindjes, të kërkuara prej pasuesve të Krishtit.
Isaia tha: “Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë”2.
Po ajo paqe premtohet në zbulesat në të cilat Zoti shpall: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni”3.
Fuqia përfunduese e priftërisë është dhënë për ta mbrojtur shtëpinë dhe banorët e saj. Babai ka autoritetin dhe përgjegjësinë t’i mësojë fëmijët e tij dhe t’i bekojë e t’iu japë atyre ordinancat e ungjillit dhe çdo mbrojtje tjetër të nevojshme të priftërisë. Ai duhet të tregojë dashuri dhe besnikëri e nderim ndaj nënës, në mënyrë që fëmijët e tyre të mund ta shohin atë dashuri.
Kam arritur të di që besimi është një fuqi reale, jo thjesht një shprehje e bindjes. Ka vetëm pak gjëra më të fuqishme sesa lutjet besnike të një nëne të drejtë.
Mësojeni veten tuaj dhe i mësoni familjet tuaja rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju nuk do të bëni punë më të madhe të përjetshme sesa ajo brenda mureve të vetë shtëpisë suaj.
Ne e dimë se jemi fëmijë shpirtërorë të prindërve qiellorë, këtu në tokë për të marrë trupat tanë të vdekshëm dhe për t’u vënë në provë. Ne që kemi trupa të vdekshëm, kemi fuqi mbi qeniet që nuk kanë trupa.4 Ne jemi të lirë të zgjedhim atë që duam dhe t’i zgjedhim veprimet tona, por nuk jemi të lirë të zgjedhim pasojat. Ato vijnë ashtu siç do të vijnë.
Liria e zgjedhjes përcaktohet në shkrimet e shenjta si “liri morale [e] zgjedhjes”, që do të thotë se ne mund të zgjedhim midis së mirës dhe së ligës. Kundërshtari kërkon të na tundojë që ta keqpërdorim lirinë tonë të zgjedhjes.
Shkrimet e shenjta na mësojnë “që çdo njeri të mund të veprojë në përputhje me doktrinën dhe parimin që i përshtaten së ardhmes, lidhur me lirinë morale të zgjedhjes që unë i kam dhënë atij, që çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta në ditën e gjykimit”5.
Alma na mësoi se “Zoti nuk mund të shikojë mëkatin as me lëshimin më të vogël”6. Me qëllim që ta kuptojmë këtë, ne duhet ta veçojmë mëkatarin nga mëkati.
Për shembull, kur sollën përpara Shpëtimtarit një grua që kishte shkelur kurorën, sigurisht fajtore, Ai e përfundoi çështjen me pesë fjalë: “Shko dhe mos mëkato më”7. Ky është shpirti i shërbesës së Tij.
Toleranca është një virtyt, por, si të gjitha virtytet, kur ekzagjerohet, ajo vetëshndërrohet në një ves. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj “kurthit të tolerancës” që të mos përpihemi prej tij. Lejueshmëria e siguruar nga dobësimi i ligjeve të vendit për të toleruar veprime të ligjëruara të mungesës së moralit nuk i pakëson pasojat e rënda shpirtërore që vijnë si rezultat i dhunimit të ligjit të Perëndisë për dëlirësinë.
Të gjithë linden me Dritën e Krishtit, një ndikim udhërrëfyes i cili e lejon çdo njeri të dallojë të drejtën nga e gabuara. Ajo që bëjmë me atë dritë dhe mënyra se si i përgjigjemi atyre nxitjeve për të jetuar me drejtësi, është pjesë e provës së vdekshmërisë.
“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia.”8
Secili prej nesh duhet të qëndrojë në gjendje për t’iu përgjigjur frymëzimit dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Zoti e ka një mënyrë për të derdhur njohuri të pastër në mendjet tona për të na nxitur, për të na udhëhequr, për të na mësuar dhe për të na paralajmëruar. Secili bir ose bijë e Perëndisë mund t’i dijë gjërat që ata kanë nevojë t’i dinë menjëherë. Mësoni se si të merrni frymëzim e zbulesë dhe se si të veproni sipas tyre.
Nga gjithë ajo që kam lexuar, kam dhënë mësim dhe kam mësuar vetë, një nga të vërtetat më të çmuara dhe më të shenjta që kam për t’ju dhënë, është dëshmia ime e veçantë për Jezu Krishtin. Ai jeton. Unë e di se Ai jeton. Unë jam dëshmitar i Tij. Dhe për Të unë mund të dëshmoj. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë. Për këtë jam i sigurt. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.