2010–2019
Bindja Sjell Bekime
Prill 2013


Bindja Sjell Bekime

Një dituri për të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet tona më të mëdha na vijnë kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, sa mirënjohës jam të jem me ju këtë mëngjes. Unë kërkoj besimin dhe lutjet tuaja teksa i përgjigjem privilegjit për t’ju drejtuar juve.

Gjatë gjithë epokave, burrat dhe gratë kanë kërkuar njohuri dhe kuptueshmëri lidhur me këtë ekzistencë në vdekshmëri dhe vendin e qëllimin e tyre në të, si dhe për udhën drejt paqes e lumturisë. Një kërkim i tillë ndërmerret nga secili prej nesh.

Kjo dituri dhe kuptueshmëri është në dispozicion të të gjithë njerëzimit. Ato përmbahen në të vërteta që janë të përjetshme. Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 1, vargu 39, lexojmë: “Pasi vini re dhe shihni, Zoti është Perëndia dhe Shpirti jep dëshmi, dhe dëshmia është e vërtetë, dhe e vërteta qëndron gjithmonë e përgjithmonë”.

Poeti shkroi:

Edhe qiejt të çahen, burimet të shpërthejn’,

E vërteta mbi të gjitha këto do ngadhënjej’,

Përjet’, e njëjtë gjithmon’.1

Disa do të pyesnin: “Ku mund ta gjejmë këtë të vërtetë dhe si duhet ta njohim atë?” Në një zbulesë dhënë përmes Profetit Jozef Smith në Kirtland të Ohajos, në majin e 1833–it, Zoti shpalli:

“Dhe e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë; …

Shpirti i së vërtetës është nga Perëndia. …

Dhe askush nuk e merr plotësinë, në qoftë se ai nuk i zbaton urdhërimet e tij.

Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.”2

Çfarë premtimi i lavdishëm. “Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.”

Nuk ka nevojë që ju ose unë, në këtë periudhë të ndriçuar, kur plotësia e ungjillit është rivendosur, të lundrojmë detra të paeksploruar apo të udhëtojmë në rrugë të panjohura, në kërkim të së vërtetës. Një Atë i dashur Qiellor na e ka shënuar rrugën dhe na ka siguruar një hartë të pagabueshme – madje bindjen. Një dituri për të vërtetën dhe përgjigjet për pyetjet tona më të mëdha na vijnë kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

Ne e mësojmë bindjen gjatë gjithë jetës sonë. Duke filluar që kur jemi shumë të rinj, ata që janë përgjegjës për kujdesin ndaj nesh, caktojnë orientime dhe rregulla për të garantuar sigurinë tonë. Jeta do të ishte më e thjeshtë për të gjithë ne, nëse do t’u bindeshim këtyre rregullave plotësisht. Megjithatë, shumë prej nesh e mësojnë përmes përvojës urtësinë e të qenit të bindur.

Teksa rritesha, çdo verë nga fillimi i korrikut deri në fillim të shtatorit, familja ime qëndronte në një shtëpizë verimi në parkun Vivian te Kanioni i Provos në Juta.

Një nga shokët e mi më të mirë gjatë atyre ditëve të shkujdesura në kanion, ishte Deni Larsen, familja e të cilit zotëronte gjithashtu një shtëpizë në parkun Vivian. Çdo ditë, ai dhe unë endeshim në këtë parajsë djemsh, duke peshkuar në përrua dhe lumë, duke mbledhur gurë dhe thesare të tjera, duke marshuar, duke u ngjitur në mal dhe thjesht duke shijuar çdo minutë të çdo ore të çdo dite.

Një mëngjes, Deni dhe unë, vendosëm se dëshironim të bënim një kampim rreth zjarrit me të gjithë miqtë tanë të kanionit. Thjesht na duhej të pastronim një zonë në një fushë aty pranë ku mund të mblidheshim të gjithë. Bari i qershorit që e mbulonte fushën, ishte bërë i thatë dhe gjembaç, duke e bërë fushën të papërshtatshme për qëllimet tona. Ne filluam ta shkulnim barin e lartë, duke planifikuar të pastronim një zonë të gjerë rrethore. Ne e shkulnim dhe e tërhiqnim me të gjithë fuqinë tonë, por gjithçka mundëm të arrinim ishin disa duar të vogla barërash të këqija e kokëforta. Ne e dinim se kjo detyrë do të na merrte gjithë ditën dhe tashmë energjia dhe entuziazmi ynë po shteronin.

Dhe atëherë, ajo që mendova se ishte zgjidhja e përsosur, erdhi në mendjen time tetëvjeçare. I thashë Denit: “Gjithçka na duhet është t’u vëmë zjarrin këtyre barërave të këqija. Ne thjesht do të djegim një sipërfaqe rrethore me barëra të këqija!” Ai ra dakord me shpejtësi dhe unë vrapova në shtëpizën e verimit për të marrë disa shkrepëse.

Që asnjëri prej jush të mos mendojë se në një moshë delikate si ajo tetëvjeçare na lejohej të përdornim shkrepëse, dua ta bëj të qartë se edhe mua edhe Denit na ndalohej t’i përdornim ato pa mbikëqyrje nga të rriturit. Të dy ne ishim paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rreziqet e zjarrit. Sidoqoftë, e dija se ku i mbante shkrepëset familja ime dhe na duhej ta pastronim atë fushë. Pa u menduar dy herë, vrapova për te shtëpiza jonë dhe mora disa fije shkrepësesh, duke u siguruar që nuk po më shihte njeri. I fsheha shpejt në një nga xhepat e mi.

U ktheva me vrap te Deni, i emocionuar që në xhepin tim kisha zgjidhjen për problemin tonë. Më kujtohet se mendoja që zjarri do të digjej vetëm deri atje ku dëshironim dhe pastaj si me magji do të fikej.

Përplasa një shkrepëse në një shkëmb dhe i vura flakën barit të përcëlluar të qershorit. U ndez sikur të ishte spërkatur me benzinë. Në fillim, Deni dhe unë u ngazëllyem teksa i shikonim barërat e këqija të zhdukeshin, por shpejt, u bë e dukshme se zjarri nuk do të fikej vetë. Na zuri paniku kur e kuptuam se nuk mund të bënim asgjë për ta ndalur. Flakët kërcënuese filluan ta përpinin barin e egër deri anës së malit, duke vënë në rrezik pemët e pishës dhe gjithçka tjetër në shtegun e tyre.

Në fund, nuk kishim asnjë mundësi përveçse të vraponim për ndihmë. Shpejt të gjithë burrat dhe gratë që gjendeshin në parkun Vivian, po turreshin para–prapa me trasta lecke me ujë, duke u ndeshur me flakët në orvatje për t’i fikur ato. Pas disa orësh, thëngjijtë e fundit të mbetur u fikën. Pemët shumëvjeçare ishin shpëtuar, sikurse shtëpitë që flakët do t’i kishin arritur në fund.

Deni dhe unë morëm disa mësime të vështira, por të rëndësishme atë ditë – një pjesë e rëndësishme prej të cilëve ishte rëndësia e bindjes.

Këto janë rregulla dhe ligje që ndihmojnë për të na siguruar mbrojtjen tonë fizike. Po njësoj, Zoti ka siguruar orientime dhe urdhërime që të ndihmojnë për të na siguruar mbrojtjen tonë shpirtërore, me qëllim që të mund të lundrojmë me sukses në këtë ekzistencë shpesh të pabesë në vdekshmëri dhe të kthehemi përfundimisht tek Ati ynë Qiellor.

Shekuj më parë, një brezi të zhytur në traditën e flijimeve të kafshëve, Samueli u shpalli me guxim: “Bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.”3

Në këtë periudhë ungjillore, Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith se Ai kërkon “zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit”4.

Të gjithë profetët, të lashtë dhe modernë, e kanë ditur se bindja është thelbësore për shpëtimin tonë. Nefi deklaroi: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”5. Edhe pse të tjerët ngurronin në besimin dhe bindjen e tyre, asnjëherë Nefi nuk dështoi në bërjen e asaj që Zoti kërkonte prej tij. Breza të panumërt janë bekuar falë tij.

Një tregim për bindjen, i cili të trondit shpirtin, është ai për Abrahamin dhe Isakun. Sa e vështirë dhe e dhembshme duhet të ketë qenë për Abrahamin, në bindje ndaj urdhrit të Perëndisë, ta çonte Isakun e tij të dashur në vendin e Moriahve për ta ofruar si flijim. A mund ta përfytyrojmë brengën e zemrës së Abrahamit teksa udhëtonte për në vendin e caktuar? Me siguri, vuajtja duhet t’ia ketë mbështjellë trupin dhe t’ia ketë torturuar mendjen teksa e lidhi Isakun, e shtriu mbi altar dhe mori thikën për ta therur. Me një besim të palëkundur dhe mirëbesim të plotë te Zoti, ai iu përgjigj urdhrit të Zotit. Sa i lavdishëm qe shqiptimi dhe me sa mirëpritje të gëzueshme erdhi: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke.”6

Abrahami ishte sprovuar e vënë në provë dhe për besnikërinë e bindjen e tij, Zoti i dha atij këtë premtim të lavdishëm: “Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim”7.

Edhe pse nuk na kërkohet ta vërtetojmë bindjen tonë në një mënyrë kaq dramatike dhe zemërkëputëse, bindja kërkohet edhe prej nesh.

Presidenti Jozef F. Smith në tetor të vitit 1873 shpalli: “Bindja është ligji i parë i qiellit”8.

Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Shenjtorë të ditëve të mëvonshme, përparimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, begatia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, si dhe shpëtimi i përjetshëm dhe ekzaltimi i këtij populli, qëndrojnë tek ecja me bindje ndaj këshillave të … Perëndisë”9.

Bindja është shenja dalluese e profetëve; ajo u ka siguruar atyre forcë dhe dituri përgjatë epokave. Është thelbësore që ta kuptojmë se ne, gjithashtu, kemi të drejtën për këtë burim force dhe diturie. Ajo është lehtësisht e gjindshme për secilin prej nesh sot teksa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

Përgjatë viteve, kam njohur individë të panumërt që kanë qenë veçanërisht besnikë dhe të bindur. Unë jam bekuar dhe frymëzuar prej tyre. Do të doja t’ju tregoja një histori për dy individë të tillë.

Valter Krauze ishte një anëtar i patundur i Kishës, i cili, me familjen e tij, jetoi në atë që u bë e njohur si Gjermania Lindore, pas Luftës II Botërore. Pavarësisht mundimeve që hasi për shkak të mungesës së lirisë në atë zonë të botës në atë kohë, vëllai Krauze ishte një burrë që e donte Zotin dhe i shërbente Atij. Ai e përmbushi me besnikëri dhe me ndërgjegje çdo detyrë që iu dha.

Burri tjetër, Johan Dendorfer, një hungarez, u kthye në besim në Kishë në Gjermani dhe u pagëzua atje në vitin 1911 në moshën 17–vjeçare. Jo shumë kohë pas kësaj, ai u kthye në Hungari. Pas Luftës II Botërore, ai e gjeti veten praktikisht të burgosur në tokën e tij të lindjes, në qytetin e Debreçenit. Liria i ishte hequr edhe popullit në Hungari.

Vëllai Valter Krauze, që nuk e njihte vëllanë Dendorfer, mori detyrën të ishte mësuesi i tij i shtëpisë dhe ta vizitonte atë rregullisht. Vëllai Krauze i telefonoi shokut të tij të mësimit të shtëpisë dhe i tha: “Kemi marrë një detyrë për të vizituar vëllanë Johan Dendorfer. A do të ishe i disponueshëm të vije me mua këtë javë për ta parë atë dhe për t’i dhënë atij një mesazh nga ungjilli?” Dhe më pas ai shtoi: “Vëllai Dendorfer jeton në Hungari”.

Shoku i tij i trembur e pyeti: “Kur do të nisemi?”

“Nesër”, erdhi përgjigjja nga vëllai Krauze.

“Kur do të kthehemi në shtëpi?” pyeti shoku.

Vëllai Krauze iu përgjigj: “O, pas pothuaj një jave – nëse kthehemi”.

U nisën dy shokët e mësimit të shtëpisë për të vizituar vëllanë Dendorfer, duke udhëtuar me tren dhe autobus nga zona verilindore e Gjermanisë për në Debreçen të Hungarisë – një udhëtim i gjatë. Vëllai Dendorfer nuk kishte pasur mësues shtëpie që përpara luftës. Tani, kur i pa këta shërbëtorë të Zotit, ai u mbush me mirënjohje për ardhjen e tyre. Në fillim ai nuk pranoi t’ua shtrëngonte duart. Në vend të kësaj, ai shkoi në dhomën e tij të gjumit dhe nxori një kuti nga një dollap i vogël që kishte të dhjetën të cilën ai e kishte ruajtur për vite. Ai ua dha të dhjetën mësuesve të tij të shtëpisë dhe tha: “Tani jam në rregull me Zotin. Tani ndihem i denjë për të tokur duart me shërbëtorët e Zotit!” Vëllai Krauze më tregoi më vonë se ishte prekur përtej aftësisë për ta përshkruar prej mendimit se ky vëlla besnik, që nuk kishte pasur kontakt me Kishën për shumë vite, kishte hequr me bindje dhe në mënyrë të qëndrueshme 10 përqind të të ardhurave të tij të pakta me të cilat pagoi të dhjetën. Ai e kishte ruajtur atë, pa e ditur se kur ose nëse do të mund të kishte privilegjin ta paguante atë.

Vëllai Krauze ndërroi jetë nëntë vjet më parë në moshën 94–vjeçare. Ai shërbeu me besnikëri dhe bindje gjatë gjithë jetës së tij dhe ishte një frymëzim për mua dhe të gjithë ata që e njohën. Kur i kërkohej të përmbushte detyra, ai kurrë nuk e vinte në dyshim, kurrë nuk mërmëriste dhe kurrë nuk gjente justifikime.

Vëllezërit dhe motrat e mia, prova e madhe e kësaj jete është bindja. “Dhe ne do t’i provojmë me këtë”, tha Zoti, “për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë.”10

E tillë qe barra e mesazhit të Shpëtimtarit tonë kur shpalli: “Sepse të gjithë ata që dëshirojnë të kenë bekim nga dora ime, duhet t’i binden ligjit që u caktua për atë bekim dhe kushteve të tij, siç u ngritën që përpara krijimit të botës.”11

Nuk ekziston shembull më i shkëlqyer për bindjen se ai i Shpëtimtarit tonë: Për të Pali vërejti:

“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden”12.

Shpëtimtari tregoi dashuri të sinqertë për Perëndinë duke jetuar jetë të përsosur, duke e nderuar misionin e shenjtë që ishte i Tiji. Kurrë nuk ishte Ai arrogant. Kurrë nuk ishte Ai i fryrë me krenari. Kurrë nuk qe ishte Ai i pabesë. Gjithmonë ishte Ai i përulur. Gjithmonë ishte Ai i sinqertë. Gjithmonë ishte Ai i bindur.

Edhe pse Atë e tundoi ai mjeshtër i mashtrimit, madje djalli; edhe pse fizikisht qe i dobësuar nga agjërimi për 40 ditë e 40 netë dhe “në fund e mori uria”; përsëri kur i ligu i bëri Jezusit propozimet më joshëse e tunduese, Ai na dha një shembull hyjnor të bindjes duke mos pranuar të shmangej nga ajo që e dinte se ishte e drejtë.13

Kur u përball me agoninë e Gjetsemanit, kur Ai duroi dhembje të tillë që “djersa iu bë sikur të ishte pika të mëdha gjaku që binin në tokë”,14 Ai dha shembullin e Birit të bindur duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti”15.

Sikurse Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt e Tij të hershëm, kështu ju udhëzon Ai ju dhe mua: “Ti ndiqmë!”16 A jemi të gatshëm të bindemi?

Dituria që kërkojmë, përgjigjet për të cilat jemi të dëshiruar dhe forca që dëshirojmë sot për të përballuar sfidat e një bote të ndërlikuar dhe në ndryshim, mund të jenë tonat kur u bindemi me gatishmëri urdhërimeve të Zotit. Po i citoj edhe njëherë fjalët e Zotit: “Ai që i mban urdhërimet e tij, merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.”17

Është lutja ime e përulur që të mund të bekohemi me shpërblimet e bollshme që u premtohen të bindurve. Në emrin e Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, amen.