2010–2019
Martesa: Shikoni dhe Mësoni
Prill 2013


Martesa: Shikoni dhe Mësoni

Premtimet e Zotit shtrihen ndaj të gjithë atyre që ndjekin modelin e jetës që ndërton marrëdhënie martesore të lumtura e të shenjta.

Një mbrëmje, disa vite më parë, unë dhe bashkëshortja ime po shkonim për darkë në shtëpinë e njërit prej djemve tanë dhe të bashkëshortes e fëmijëve të tij. Ishte një ngjarje e zakonshme për një familje me fëmijë të vegjël: kishte shumë zhurmë dhe akoma më shumë argëtim. Pak pas darke, mbresa jonë katër vjeçare, Ana, dhe unë ishim akoma të ulur në tryezë. Duke e kuptuar se kishte vëmendjen time të plotë, ajo u ngrit menjëherë mbi një stol dhe m’i nguli sytë. Kur u sigurua se po e shihja, me seriozitet më urdhëroi ta “shikoja e të mësoja”. Më pas kërceu dhe më këndoi një këngë.

Mësimi i Anës për të “parë dhe mësuar” qe urtësi nga goja e një foshnjëje. Ne mund të mësojmë kaq shumë duke parë dhe më pas duke marrë parasysh atë që kemi parë dhe ndier. Me këtë në mendje, më lejoni të ndaj me ju disa parime që kam vërejtur duke parë dhe mësuar nga martesa të mrekullueshme e besnike. Këto parime ndërtojnë martesa të forta e të kënaqshme, që janë të pajtueshme me parimet qiellore. Ju ftoj të shikoni dhe të mësoni me mua.

Së pari, kam vërejtur se në martesat më të lumtura, si bashkëshorti edhe bashkëshortja e konsiderojnë marrëdhënien e tyre të jetë një margaritar me vlerë të madhe, një thesar me vlerë të pafundme. Të dy ata i lënë etërit dhe nënat e tyre dhe, së bashku, fillojnë të ndërtojnë një martesë që do të përparojë përjetësisht. Ata e kuptojnë se ecin në një shteg të shuguruar hyjnisht. Ata e dinë se asnjë marrëdhënie tjetër e çfarëdo lloji nuk mund të sjellë kaq shumë gëzim, të ofrojë kaq shumë të mira ose të prodhojë kaq shumë përmirësim vetjak. Shikoni dhe mësoni: partnerët më të mirë në martesë i konsiderojnë martesat e tyre si të paçmueshme.

Tjetri, besimi. Martesat e suksesshme përjetësisht ndërtohen mbi themelin e besimit në Zotin Jezu Krisht dhe bindjen ndaj mësimeve të Tij.1 Kam vërejtur se çiftet që i kanë bërë martesat e tyre tepër të çmuara, ushtrojnë modelet e besimit: ata marrin pjesë çdo javë në mbledhjet e sakramentit dhe mbledhjet e tjera, mbajnë mbrëmje familjare, luten dhe i studiojnë shkrimet e shenjta bashkërisht dhe veçan, si dhe paguajnë një të dhjetë të ndershme. Synimi i tyre i përbashkët është të jenë të bindur e të mirë. Ata nuk i konsiderojnë urdhërimet të jenë një banak, nga i cili mund të marrin e zgjedhin vetëm ofertat më tërheqëse.

Besimi është themeli i çdo virtyti që forcon martesën. Forcimi i besimit e forcon martesën. Besimi rritet ndërsa ne i mbajmë urdhërimet, dhe kështu rritet edhe harmonia dhe gëzimi në martesë. Pra, mbajtja e urdhërimeve është themelore për krijimin e martesave të forta përjetësisht. Shikoni dhe mësoni: besimi në Zotin Jezu Krisht është themeli i martesave të lumtura përjetësisht.

Së treti, pendimi. Kam mësuar se martesat e lumtura mbështeten te dhurata e pendimit. Ai është një element thelbësor në çdo marrëdhënie të mirë martesore. Bashkëshortët dhe bashkëshortet të cilët rregullisht bëjnë vetanalizim të ndershëm dhe sakaq ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u penduar dhe përmirësuar, përjetojnë një balsam shërues në martesat e tyre. Pendimi ndihmon të kthehet dhe ruhet harmonia e paqja.

Përulësia është thelbi i pendimit. Përulësia është vetëmohuese, jo egoiste. Ajo nuk kërkon mënyrën e vet apo flet me epërsi morale. Përkundrazi, përulësia përgjigjet me ëmbëlsi2 dhe dëgjon me mirësi për të kuptuar, jo për të përligjur. Përulësia pranon se askush nuk mund ta ndryshojë dikë tjetër, por me besim, përpjekje dhe ndihmën e Perëndisë, ne mund t’i nënshtrohemi vetë ndryshimit tonë të madh të zemrës.3 Përjetimi i ndryshimit të madh të zemrës na bën t’i trajtojmë të tjerët, sidomos bashkëshortët tanë, me butësi.4 Përulësi do të thotë që si bashkëshortët edhe bashkëshortet kërkojnë ta bekojnë, ta ndihmojnë dhe ta lartësojnë njëri–tjetrin, duke e vendosur tjetrin të parin në çdo vendim. Shikoni dhe mësoni: pendimi dhe përulësia ndërtojnë martesa të lumtura.

Së katërti, respekti. Kam vërejtur se te martesat e mrekullueshme e të lumtura, bashkëshortët e bashkëshortet e trajtojnë njëri–tjetrin si partnerë të barabartë. Praktikat nga çdo vend apo çdo kohë në të cilat bashkëshortët kanë sunduar mbi bashkëshortet apo i kanë trajtuar ato në çfarëdo mënyre si partnere inferiore në martesë, nuk janë në harmoni me ligjin hyjnor dhe duhet të zëvendësohen nga parime e modele të drejta sjelljeje.

Bashkëshortët dhe bashkëshortet në martesat e mrekullueshme i marrin vendimet njëzëri, ku secili prej tyre vepron si pjesëmarrës i plotë dhe me të drejta të barabarta në të shprehur dhe votë.5 Ata përqendrohen fillimisht te shtëpia dhe te të ndihmuarit e njëri–tjetrit me përgjegjësitë e tyre të përbashkëta.6 Martesat e tyre bazohen në bashkëpunim, jo negociata. Koha e ngrënies së darkës dhe koha familjare që pason, bëhen qendra e ditës së tyre dhe synimi i përpjekjeve të tyre më të mira. Ata i fikin aparatet elektronike dhe heqin dorë nga argëtimet vetjake me qëllim që të ndihmojnë me detyrat e familjes. Brenda mundësive, ata lexojnë çdo natë me fëmijët e tyre dhe të dy marrin pjesë në vënien e të vegjëlve në shtrat. Shkojnë në shtratin e tyre bashkë. Si t’ia lejojnë detyrat dhe rrethanat, bashkëshortët dhe bashkëshortet punojnë krah për krah në bërjen e punës më të rëndësishme që kanë – punën që bëjmë në vetë shtëpitë tona.

Ku ka respekt, ka edhe sinqeritet të plotë, i cili është një element kyç i martesave të lumtura. Nuk ka sekrete për çështje përkatëse në martesat e bazuara te respekti dhe sinqeriteti i plotë i përbashkët. Bashkëshortët dhe bashkëshortet i marrin së bashku të gjitha vendimet për të ardhurat dhe të dy kanë qasje ndaj të gjitha informacioneve.

Besnikëria bashkëshortore është një formë respekti. Profetët japin mësim se partnerët e suksesshëm në martesë janë “fortësisht besnikë” ndaj njëri–tjetrit.7 Ata sigurohen që të qëndrojnë të denjë në çfarëdo mënyre ndërsa përdorin mediat sociale. Nuk i lejojnë vetes asnjë përvojë të fshehtë interneti. Ndajnë lirisht me njëri–tjetrin fjalëkalimet e rrjeteve të tyre sociale. Nuk shohin profilet virtuale të ndokujt në ndonjë mënyrë që mund të tradhtojë mirëbesimin e shenjtë të bashkëshortit apo bashkëshortes së tyre. Kurrë nuk bëjnë ose thonë ndonjë gjë që i afrohet dukjes së sjelljes së pahijshme, gojarisht ose fizikisht. Shikoni dhe mësoni: martesat e jashtëzakonshme janë tërësisht plot respekt, sinqeritet dhe besnikëri.

Së pesti, dashuria. Martesat më të lumtura që kam parë, rrezatojnë bindje ndaj njërit prej urdhërimeve më të lumtura – që ne “jeto[jmë] së bashku në dashuri”8. Duke iu drejtuar bashkëshortëve, Zoti urdhëroi: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër”9. Një manual i Kishës jep mësim: “Fjalët të kapesh pas duan të thonë të jesh plotësisht i përkushtuar dhe besnik ndaj dikujt. Çiftet e martuar kapen pas Perëndisë dhe njëri–tjetrit duke i shërbyer e duke e dashur njëri–tjetrin dhe duke mbajtur besëlidhjet në besnikëri të plotë ndaj njëri–tjetrit dhe ndaj Perëndisë.” Si bashkëshorti edhe bashkëshortja “lënë pas jetën e tyre si beqarë/e dhe [e] vendosin martesën si përparësinë e [tyre të] parë. … Ata nuk lejojnë asnjë njeri ose interes tjetër që të ketë përparësi më të madhe … sesa mbajtja e besëlidhjeve që kanë bërë me Perëndinë dhe njëri–tjetrin”10. Shikoni dhe mësoni: çiftet e suksesshme e duan njëri–tjetrin me përkushtim të plotë.

Ka nga ata, martesat e të cilëve nuk janë aq të lumtura sa do të donin të ishin, si dhe nga ata që nuk janë martuar ndonjëherë, janë divorcuar, janë prindër të vetëm apo për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje të martohen. Këto rrethana mund të jenë plot sfida dhe lëndime, por nuk duhet të jenë të përjetshme. Atyre prej jush që janë në situata të tilla e që prapëseprapë i “bë[ni] me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë [tuaj]”11 për të ngulmuar, qielli ju bekoftë me bollëk. Reshtni pas idealit të krijimit të një martese të përjetshme, duke përfshirë orvatjen ose përgatitjen për të qenë një bashkëshort apo bashkëshorte e denjë. Mbani urdhërimet, dhe mirëbesojini Zotit dhe dashurisë së Tij të përsosur për ju. Një ditë çdo bekim i premtuar në lidhje me martesën do të jetë i juaji.12

Një nga vargjet më të këndshme në Librin e Mormonit shpreh me thjeshtësi: “Dhe ata u martuan dhe martuan, dhe qenë të bekuar sipas premtimeve të shumta që u kishte bërë Zoti”13. Premtimet e Zotit shtrihen ndaj të gjithë atyre që ndjekin modelin e jetës që ndërton marrëdhënie martesore të lumtura e të shenjta. Të tilla bekime vijnë si pasoja të hirshme e të parashikueshme të të jetuarit me besnikëri të ungjillit të Jezu Krishtit.

Jam mirënjohës për bashkëshorten time të mrekullueshme, Kethin, që është dashuria e jetës sime.

Martesa është një dhuratë nga Perëndia për ne; cilësia e martesave tona është një dhuratë e jona për Të. Jap dëshmi për planin e mahnitshëm të Atit tonë të dashur Qiellor, i cili jep mundësinë për martesë të përjetshme e të mrekullueshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.