Qëndroni të Paepur në Vende të Shenjta
Duke qëndruar të bindur dhe të paepur në doktrinën e Perëndisë tonë, ne qëndrojmë në vende të shenjta, pasi doktrina e Tij është e shenjtë dhe nuk do të ndryshojë.
Vëllezër, është nder të jesh me mbajtës të priftërisë mbretërore të Perëndisë. Ne po jetojmë në ditët e fundit, në “kohë të vështira”1. Si mbajtës të priftërisë, kemi përgjegjësinë për të qëndruar të paepur, me një mburojë besimi kundër shigjetave të zjarrta të kundërshtarit. Ne jemi shembuj për botën, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e patjetërsueshme të dhëna nga Perëndia. Ne qëndrojmë në mbrojtje të shtëpive tona dhe familjeve tona.
Kur isha në vit të parë të shkollës së mesme, u ktheva nga ndeshja ime e parë jashtë qytetit me ekipin e bejsbollit. Babai im e ndjeu se, në udhëtimin e gjatë me autobus për në shtëpi, kisha dëshmuar gjuhë e sjellje që nuk ishte në harmoni me standardet e ungjillit. Duke qenë një artist profesionist, ai u ul dhe pikturoi një kalorës – një luftëtar të zotin për të mbrojtur kështjella e mbretëri.
Teksa vizatoi dhe lexoi nga shkrimet e shenjta, mësova se si të jem një mbajtës besnik i priftërisë – për ta ruajtur dhe mbrojtur mbretërinë e Perëndisë. Fjalët e Apostullit Pal qenë udhërrëfyesi im:
“Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.
Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,
dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,
mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë.”2
Vëllezër, nëse jemi besnikë në priftëri, ky armatim do të na jepet si një dhuratë nga Perëndia. Na nevojitet ky armatim!
Të rinj, etërit dhe gjyshërit tuaj kurrë nuk i hasën tundimet që ju hasni rregullisht. Ju po jetoni në ditët e fundit. Nëse babai juaj donte të futej në telashe, ai duhej të shkonte t’i kërkonte. Jo më! Tani tundimi ju gjen vetë! Ju lutem, mbajeni mend këtë! Satani dëshiron t’ju ketë ju dhe “mëkati shtrihet te pragu”3. Si do t’u bëni ballë taktikave të tij sulmuese? Vishni të gjithë armatimin e Perëndisë.
Më lejoni t’ju mësoj nga një përvojë tjetër e jetës sime:
Në janar të 1982–shit, fola në një takim shpirtëror në kompleksin e UBJ–së në Provo të Jutas. I ftova studentët të përfytyronin sikur Kisha të ishte në njërën anë të podiumit, pikërisht këtu, dhe bota të ishte në anën tjetër, vetëm një ose dy hapa larg. Kjo përfaqësoi “distancën shumë të shkurtër midis vendit ku ishte bota dhe vendit ku ishin standardet e Kishës”, kur isha në universitet. Më pas, duke qëndruar përpara studentëve, 30 vjet më vonë, ngrita duart lart në të njëjtën mënyrë dhe shpjegova: “Bota ka shkuar shumë larg; [ka udhëtuar; është atje ku nuk mund të shihet;] ka vazhduar rrugën, shumë larg, tepër larg jashtë kësaj [ndërtese dhe përreth botës]. … Ajo që ne, fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona duhet të kujtojnë, është se Kisha do të qëndrojë e pandryshueshme, [është ende këtu; sidoqoftë] bota do të vazhdojë të ecë – ai hendek po [bëhet] gjithmonë e më i gjerë. … Prandaj, jini shumë të kujdesshëm. Nëse i gjykoni veprimet tuaja dhe standardet e Kishës mbi bazën e vendit ku ndodhet bota dhe ku po shkon ajo, do të zbuloni se nuk jeni atje ku duhet të jini.”4
Në atë kohë nuk mund ta kisha imagjinuar se sa larg dhe sa shpejt bota do të largohej nga Perëndia; ishte e pamundur ta kuptoja atë, duke pasur parasysh doktrinën, parimet dhe urdhërimet. Dhe akoma standardet e Krishtit dhe Kisha e Tij nuk kanë lëvizur. Sikurse Ai tha: “E vërteta qëndron gjithmonë e përgjithmonë”5. Kur e kuptojmë dhe e pranojmë këtë, ne jemi të përgatitur t’i bëjmë ballë presionit shoqëror, talljes dhe madje diskriminimit që do të vijë nga bota dhe disa që e quajnë veten miq.
Shumë prej nesh njohin dikë që do të thoshte: “Nëse do që të jesh miku im, do të duhet t’i pranosh vlerat e mia”. Një mik i vërtetë nuk na kërkon që të zgjedhim midis ungjillit dhe miqësisë së tij apo të saj. Duke përdorur fjalët e Palit përgjigjem: “Nga këta largohu”6. Një mik i vërtetë na forcon që të qëndrojmë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar.
Të qëndruarit në shtegun e besëlidhjeve, urdhërimeve dhe ordinancave të ungjillit na mbron dhe na përgatit për të bërë punën e Perëndisë në këtë botë. Kur i bindemi Fjalës së Urtësisë, liria jonë e zgjedhjes mbrohet nga varësitë ndaj substancave të tilla si: alkooli, drogat dhe duhani. Kur paguajmë të dhjetën, i studiojmë shkrimet e shenjta, marrim pagëzimin dhe konfirmimin, jetojmë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, marrim sakramentin denjësisht, mbajmë ligjin e dëlirësisë, përgatitemi për Priftërinë Melkizedeke dhe e marrim atë, dhe bëjmë besëlidhje të shenjta të tempullit, atëherë ne përgatitemi të shërbejmë.
Në tempull, ne përgatitemi dhe premtojmë ta jetojmë ligjin e përkushtimit. Të rinjtë e aftë fillojnë ta jetojnë këtë ligj duke kërkuar një thirrje për mision – duke dhënë të dhjetën e viteve të para të jetës së tyre në shërbimin kohëplotë të Zotit. Kjo sakrificë i forcon ata që të ecin përpara drejt besëlidhjes më të lartë në jetë – për shumë njerëz, kjo ka të bëjë me vulosjen në tempull dhe fillimin e një familjeje të përjetshme.
Ndërsa ecim përpara, përgjatë shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar, ne krijojmë forcë shpirtërore rritëse – forcë në përdorimin e lirisë sonë të zgjedhjes për të vepruar për veten. Si për të rinjtë edhe të rejat, kjo rritje ndihmohet kur ata mësojnë doktrinën dhe ndajnë dëshmitë e tyre përmes programit të ri mësimor në internet, Come, Follow Me [Ejani, Më Ndiqni].
Përveç kësaj, përdoreni lirinë tuaj të zgjedhjes për t’u zhvilluar personalisht. Ndërsa i zbuloni dhuratat dhe talentet tuaja, kujtoni se prindërit dhe mësuesit mund t’ju ndihmojnë, por ju duhet ta lejoni Shpirtin t’ju udhëheqë. Zgjidhni dhe veproni për veten. Gjeni nxitje brenda vetes. Bëni një plan për jetën tuaj, përfshirë arsimin ose trajnimin profesional. Zbuloni interesa dhe aftësi. Punoni dhe bëhuni të mbështetur te vetja. Caktoni qëllime, mposhtini gabimet, fitoni përvojë dhe përfundojeni atë që filloni.
Përgjatë rrugës, sigurohuni që të merrni pjesë në aktivitetet e familjes, të kuorumit, të orëve mësimore dhe ato të përbashkëta me Të Rejat. Gëzohuni së bashku në argëtime të shëndosha. Përmes këtyre përvojave, ju do të arrini t’i respektoni e vlerësoni dhuratat shpirtërore të njëri–tjetrit dhe karakteret e përjetshme dhe plotësuese të bijve e bijave të Perëndisë.
Mbi të gjitha, kini besim te Shpëtimtari! Mos druani! Ndërsa e jetojmë ungjillin me zell, ne forcohemi në Zotin. Me forcën e Tij, ne jemi në gjendje të refuzojmë anti–Krishtin që thotë: “Hani, pini dhe dëfrehuni”, pasi Perëndia “do [t’ju] justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël; … nuk ka gjë të keqe në këtë …, pasi nesër ne vdesim.”7 Me forcën e Zotit ne jemi në gjendje të qëndrojmë kundër çdo filozofie apo kredoje që mohon Shpëtimtarin dhe kundërshton planin e madh dhe të përjetshëm të lumturisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Ne nuk autorizohemi t’i diskutojmë kushtet e atij plani të përjetshëm. Kujtoni Nehemian, i cili u ngarkua me detyrën për të ndërtuar një mur për mbrojtjen e Jerusalemit. Disa donin që ai të zbriste e të bënte kompromis për qëndrimin e tij, por Nehemia nuk pranoi. Ai nuk ishte mospranues ndaj të tjerëve; ai thjesht shpjegoi: “Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën … ?”8
Ndonjëherë ne bëhemi rrufepritësja dhe duhet “ta durojmë nxehtësinë” e të mbajturit fort te standardet e Perëndisë dhe të bërjes së punës së Tij. Dëshmoj se nuk kemi përse të kemi frikë nëse ngulemi fort në doktrinën e Tij. Ne mund të provojmë keqkuptime, kritika dhe madje akuza të rreme, por nuk jemi asnjëherë të vetëm. Shpëtimtari ynë ishte “i përbuzur dhe i braktisur nga njerëzit”9. Është privilegji ynë i shenjtë të qëndrojmë me Të!
Si për ironi, të qëndrosh i paepur ndonjëherë do të thotë t’i shmangesh botës dhe madje të largohesh nga ajo. Shpëtimtari shpalli: “Largohu prej meje, Satana”10. Jozefi i Egjiptit u largua nga tundimet e gruas së Potifarit11, dhe Lehi la pas Jerusalemin dhe e çoi familjen e tij në vendin e shkretë12.
Të jini të sigurt se të gjithë profetët para nesh qëndruan të paepur në kohën e tyre:
Nefi e kreu punën e rrallë të Zotit, pavarësisht nga goditjet e Satanit dhe përndjekjet e Lamanit dhe Lemuelit, vëllezërve të tij.13
Abinadi dëshmoi për Krishtin kur u ndodh përballë mosbesimit, poshtërimit dhe vdekjes së sigurt.14
2.000 luftëtarët e rinj i mbrojtën familjet e tyre ndaj atyre që i përçmuan vlerat e ungjillit.15
Moroni ngriti titullin e lirisë për t’i ruajtur familjet e popullit të tij dhe lirinë fetare.16
Samueli qëndroi mbi një mur dhe profetizoi për ardhjen e Krishtit, edhe kur gurë e shigjeta po e sulmonin atë.17
Profeti Jozef Smith e rivendosi ungjillin e Shpëtimtarit, duke e vulosur dëshminë e tij me gjakun e vet.18
Dhe pionierët mormonë qëndruan të paepur përballë kundërshtimit dhe vuajtjeve përçmuese, duke ndjekur një profet në udhëtimin e tyre të gjatë dhe në vendosjen në perëndim.
Këta shërbëtorë të mëdhenj dhe shenjtorë të Perëndisë qenë në gjendje të qëndronin të paepur, sepse qëndruan me Shpëtimtarin. Merrni parasysh se si Shpëtimtari qëndroi i paepur:
Si djalë i ri, Jezusi me besnikëri u mor me punët e Atit të Tij, duke u predikuar ungjillin dijetarëve në tempull.19 Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Ai përmbushi punën e priftërisë – duke dhënë mësim, duke shëruar, duke shërbyer dhe duke bekuar e lartësuar të tjerët. Kur qe e përshtatshme, Ai qëndroi me guxim përballë së ligës, madje duke pastruar tempullin.20 Dhe gjithashtu qëndroi për të vërtetën – qoftë me fjalë ose me heshtje dinjitoze. Kur krerët e priftërinjve e akuzuan përpara Kajafës, Jezusi me urtësi dhe me guxim refuzoi t’i përgjigjej gënjeshtrës dhe ruajti paqen e Tij.21
Në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë nuk u mpak kur piu kupën e hidhur të Shlyerjes.22 Dhe në kryq vuajti sërish për të bërë vullnetin e Atit të Tij, derisa më në fund mund të thoshte: “U krye!”23 Ai duroi deri në fund. Si përgjigje ndaj bindjes së përsosur të Shpëtimtarit për të qëndruar i paepur, Ati ynë Qiellor shpalli: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim”24.
Vëllezërit e mi të dashur të priftërisë, të rinj dhe të moshuar, le ta përlëvdojmë emrin e Perëndisë duke qëndruar të paepur me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Jap dëshminë time të veçantë se Ai jeton dhe se ne “thirr[emi] me një thirrje të shenjtë”25 për të marrë pjesë në punën e Tij. “Prandaj, qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni.”26 Duke qëndruar të bindur dhe të paepur në doktrinën e Perëndisë tonë, ne qëndrojmë në vende të shenjta, pasi doktrina e Tij është e shenjtë dhe nuk do të ndryshojë për shkak të erërave shoqërore e politike të kohës sonë. Unë shpall, sikurse shpalli Apostulli Pal: “Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, [dhe] jini të fortë”27. Kjo është lutja ime e zjarrtë për ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.