2010–2019
Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer
Prill 2013


Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer

Ju e morët fuqinë, autoritetin dhe detyrën e shenjtë për të shërbyer në çastin që u shuguruat në priftëri.

Gëzimi i Shërbesës

Të rinj të Priftërisë Aarone, ju jeni bij të dashur të Perëndisë dhe Ai ka një punë të madhërishme për ju që ta kryeni. Për ta përmbushur këtë punë, ju duhet të plotësoni detyrën tuaj të shenjtë për t’u shërbyer të tjerëve.1

A e dini se çfarë do të thotë të shërbesh? Mendoni rreth kësaj pyetjeje ndërsa ju tregoj rreth një vajze të quajtur Shai Xhonson.

Vitin e kaluar, kur Shai filloi shkollën e mesme, ajo qe viktimë e një kërcënimi mizor e të pamend. Ajo u keqtrajtua, u shty dhe u përqesh kur ecte për në klasë – disa studentë madje i hodhën plehra. Ndoshta edhe ju keni parë njerëz të keqtrajtohen kështu në shkollën tuaj.

Për një numër të madh njerëzish, vitet e adoleshencës janë kohë vetmie dhe frike. Nuk ka pse të jetë kështu. Fatmirësisht për Shain, kishte të rinj në shkollën e saj që e kuptuan se çfarë do të thotë të shërbesh.

Nëna e Shait u kishte kërkuar mësuesve në shkollë që të ndihmonin në ndalimin e kërcënimit, por ai vazhdoi. Atëherë ajo u lidh me Karson Xhonsin, një mbajtës të Priftërisë Aarone dhe organizatorin e lojës në skuadrën e futbollit amerikan. Ajo i kërkoi atij ta ndihmonte që të gjente se kush po i bënte kërcënimet.

Karsoni pranoi ta ndihmonte, por në zemrën e tij ndjeu se mund të bënte shumë më tepër sesa thjesht të gjente kërcënuesit. Shpirti i pëshpëriti që ai duhej ta ndihmonte Shain të ndiente se e donin.

Karsoni u kërkoi disa prej shokëve të tij të skuadrës të bashkoheshin me të për t’i shërbyer Shait. Ata e ftuan që të ulej me ta gjatë drekës. Ata ecën me të drejt klasës për t’u siguruar që ishte e sigurt. Nuk është çudi që, me lojtarët e futbollit amerikan si miqtë e saj të ngushtë, asnjë nuk e kërcënoi më Shain.

Ky qe një sezon emocionues për skuadrën e futbollit. Por edhe me ethet e një sezoni pa asnjë humbje, këta të rinj nuk e harruan Shain. Ata e ftuan që, pas lojërave, të bashkohej me skuadrën në fushë. Shai ndiente se e donin dhe e vlerësonin. Ajo ndihej e sigurt. Ajo ishte e gëzuar.

Skuadra e futbollit arriti të fitonte kampionatin shtetëror. Por diçka më e rëndësishme se një kampionat futbolli amerikan ndodhi në shkollën e tyre. Shembulli i këtyre të rinjve kishte motivuar studentë të tjerë që të ishin më pranues, më miqësorë. Tani ata e trajtojnë njëri–tjetrin me më shumë dashamirësi dhe respekt.

Mediat e lajmeve kombëtare zbuluan se çfarë kishin bërë këta të rinj dhe e treguan historinë e tyre anembanë vendit. Ajo që filloi si përpjekje për t’i shërbyer një njeriu, po frymëzon mijëra të tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë.

Nëna e Shait i quan këta të rinj “engjëj të maskuar”. Karsoni dhe miqtë e tij nxitojnë të thonë se Shai e ka bekuar jetën e tyre shumë më tepër se e bekuan ata jetën e t’i. Kjo është ajo që ndodh kur e humbisni veten në shërbesën ndaj të tjerëve – ju e gjeni vetveten.2 Ju ndryshoni dhe rriteni në mënyra që në të kundërt do të ishin të pamundura. Këta të rinj kanë përjetuar gëzimin e të shërbyerit të tjerëve dhe vazhdojnë të kërkojnë mundësi për t’i bekuar të tjerët. Ata mezi presin ta shtojnë shërbesën e tyre në muajt e ardhshëm kur të shërbejnë si misionarë kohëplotë.3

Një Nevojë dhe Detyrë

Ka mijëra si Shai Xhonson kudo nëpër botë – njerëz që kanë nevojë të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor. Ata janë në shkollat tuaja, në kuorumet tuaja dhe madje në familjen tuaj. Disa njerëz ju vijnë në mendje shpejt. Të tjerë kanë nevoja që janë më pak të dukshme. Praktikisht, çdokush që njihni, mund të bekohet në ndonjë mënyrë nga shërbesa juaj. Zoti pret nga ju që t’u afroheni atyre.

Nuk duhet të jeni një yll i atletikës për t’u shërbyer të tjerëve. Ju e morët fuqinë, autoritetin dhe detyrën e shenjtë për të shërbyer në çastin që u shuguruat në priftëri. Presidenti Xhejms E. Faust dha mësim: “Priftëria është autoriteti i deleguar njeriut për të shërbyer në emër të Perëndisë”4. Priftëria Aarone mban çelësat e shërbesës së engjëjve.5

Ndërsa i doni fëmijët e Tij, Ati Qiellor do t’ju drejtojë dhe engjëjt do t’ju ndihmojnë.6 Do t’ju jepet fuqi për të bekuar jetë dhe për të shpëtuar shpirtra.

Jezu Krishti është shembulli juaj. Ai “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer”7. Të shërbesh do të thotë t’i duash të tjerët e të kujdesesh për ta. Do të thotë t’u përgjigjesh nevojave të tyre fizike dhe shpirtërore. E thënë thjesht, do të thotë të bësh atë që Shpëtimtari do të bënte po të ishte këtu.

Familja Juaj

Filloni në vetë shtëpinë tuaj. Ai është vendi ku mund të bëni shërbesën tuaj më të rëndësishme.8

A dëshironi të provoni një eksperiment interesant? Herën tjetër që mamaja do t’ju kërkojë ndihmë nëpër shtëpi, thoni diçka të tillë si: “Faleminderit që kërkove [ndihmë] nga unë, Mami. Do të më pëlqente shumë të ndihmoja.” Pastaj vështroni reagimin e saj. Disave prej jush mund t’ju duhet t’i rifreskoni aftësitë tuaja të dhënies së ndihmës së shpejtë përpara se ta provoni këtë. Mund ta çoni në gjendje shoku mamanë. Pasi ta sillni në vete, do të vini re një përmirësim të dukshëm të marrëdhënies suaj me të dhe një shtim të Shpirtit në shtëpinë tuaj.

Kjo është vetëm një mënyrë për t’i shërbyer familjes suaj; ka shumë të tjera. Ju shërbeni, ndërsa u shprehni fjalë të dashura anëtarëve të familjes. Ju shërbeni, kur i trajtoni vëllezërit e motrat tuaja si miqtë tuaj më të mirë.

Ndoshta më e rëndësishmja, ju shërbeni ndërsa e ndihmoni babanë tuaj në detyrat e tij si udhëheqësi shpirtëror në shtëpinë tuaj. Jepni mbështetjen dhe inkurajimin tuaj të plotë ndaj mbrëmjes familjare, lutjes familjare dhe studimit familjar të shkrimeve të shenjta. Përmbusheni rolin tuaj për të siguruar që Shpirti është i pranishëm në shtëpinë tuaj. Kjo do ta forcojë babanë tuaj në rolin e tij dhe do t’ju përgatisë që të jeni baba një ditë. Nëse nuk keni baba në shtëpinë tuaj, përgjegjësia juaj për t’i shërbyer familjes suaj është edhe më e nevojshme.

Kuorumi Juaj

Ju gjithashtu keni detyrë të shërbeni në kuorumin tuaj.

Priftëria po përhapet anembanë botës. Shumë prej jush po i binden thirrjes së Presidentit Monson për të shpëtuar [të tjerët]. Ka më shumë mbajtës aktivë të Priftërisë Aarone sot, sesa ndonjëherë më parë në historinë e Kishës. Prapëseprapë, ka ende nga ata që nuk janë aktivë dhe që kanë nevojë për ju.

Qershorin e kaluar, kur u krijua një degë e re në Bangalor të Indisë, i vetmi i ri në mbledhjen e priftërisë qe një dhjak i shuguruar së fundmi, i quajtur Gleduin.

Gleduini, së bashku me presidentin e Të Rinjve dhe presidentin e degës, filloi t’u telefononte të rinjve më pak aktivë dhe t’u shkonte për vizitë në shtëpi. Shpejt, një i ri i dytë, Samueli, filloi të vinte përsëri në kishë.

Çdo javë, Gleduini dhe Samueli u telefononin atyre që nuk e kishin ndjekur mbledhjen e kuorumit dhe u tregonin se çfarë kishin mësuar. Ata gjithashtu u telefononin ose i vizitonin në ditën e tyre të ditëlindjes. Një nga një, të rinjtë më pak aktivë u bënë miqtë e tyre dhe filluan të pranonin ftesa për të ardhur në aktivitetet e kuorumit, për të ndjekur mbledhjet e kuorumit dhe së fundmi për të bërë shërbesë vetjake. Sot, të gjithë të rinjtë në degë janë aktivë në Kishë.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se kuorumet e Priftërisë Aarone duhet të ulen në këshill dhe ta lartësojnë – ose ta ndërtojnë e forcojnë – njëri–tjetrin.9 Ju lartësoheni ndërsa jepni mësim të vërtetat e ungjillit, tregoni përvoja shpirtërore dhe jepni dëshmi. Programi mësimor për rininë i nxit këto lloj ndërveprimesh në mbledhjet e kuorumit, por kjo mund të ndodhë vetëm kur çdo anëtar i kuorumit ndien se e duan dhe e respektojnë. Tallja dhe ngacmimi nuk kanë vend në një mbledhje të kuorumit – veçanërisht kur ndjenjat shprehen haptazi. Presidencat e kuorumeve duhet të udhëheqin për të siguruar që mbledhjet e kuorumit janë vend i sigurt për këdo për të marrë pjesë.

Apostulli Pal paralajmëroi: “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë”10.

Mbajtësit e priftërisë kurrë nuk përdorin gjuhë vulgare apo të pistë. Ata kurrë nuk i poshtërojnë apo i lëndojnë të tjerët. Ata gjithmonë i ndërtojnë dhe i forcojnë të tjerët. Kjo është një mënyrë e thjeshtë, por e fuqishme për të shërbyer.

Në të Gjitha Kohërat

Puna e shërbimit nuk kufizohet te ordinancat apo vizitat e mësimit të shtëpisë ose projektet e herëpashershme të shërbimit. Ne jemi gjithmonë burra të priftërisë – jo vetëm të dielën dhe jo vetëm kur veshim këmisha të bardha e kravata. Ne kemi për detyrë që të shërbejmë kudo ku gjendemi. Shërbimi nuk është thjesht diçka që bëjmë – ai përcakton se cilët jemi.

Shërbeni çdo ditë. Mundësitë janë kudo rreth jush. Kërkojini ato. Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë që t’i dalloni ato. Do të zbuloni se shumica [e tyre] janë veprime të vogla, të sinqerta që i ndihmojnë të tjerët të bëhen pasues të Jezu Krishtit.11

Ndërsa përpiqeni të jeni i denjë për Shpirtin, ju do të dalloni mendime e ndjenja që ju nxisin të shërbeni. Ndërsa veproni sipas këtyre nxitjeve, ju do të merrni edhe më shumë prej tyre dhe mundësitë tuaja dhe aftësia juaj për të shërbyer do të rritet e do të zhvillohet.

Vëllezërit e mi të rinj, unë dëshmoj se ju është dhënë autoriteti dhe fuqia e Priftërisë së mrekullueshme Aarone për të shërbyer në emrin e Perëndisë.

Dëshmoj se ndërsa veproni kështu, ju do të jeni një mjet në duart e Perëndisë në ndihmë të të tjerëve. Jeta juaj do të jetë më e pasur dhe më kuptimplote. Ju do të gjeni një forcë më të madhe për t’i bërë ballë së ligës. Ju do të gjeni lumturi të vërtetë – atë lloj lumturie që njihet vetëm nga pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit.

Provofshi gëzimin e plotësimit të detyrës suaj të shenjtë për të shërbyer, lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.