2010–2019
Ne Jemi Bija të Atit Tonë Qiellor
Prill 2013


Ne Jemi Bija të Atit Tonë Qiellor

Si bija të Perëndisë, ne jemi secila e veçantë dhe e ndryshme në rrethanat dhe përvojat tona. Dhe sidoqoftë rolet tona kanë rëndësi – sepse ne kemi rëndësi.

Çdo javë, të rejat anembanë botës përsërisin temën e Të Rejave. Cilado qoftë gjuha, sa herë që i dëgjoj këto fjalë: “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do ne dhe ne e duam Atë”1, Shpirti ia pohon shpirtit tim se ato janë të vërteta. Nuk është vetëm një pohim i identitetit tonë – se cilat jemi – por edhe një pranim i faktit se të kujt jemi. Ne jemi bijat e një qenieje të ekzaltuar!

Në çdo shtet dhe në çdo kontinent, kam takuar të reja me besim në vete, me aftësi oratorike, të mbushura me dritë, të përmirësuara përmes të punuarit fort dhe sprovës, që zotërojnë besim të pastër e të thjeshtë. Ato janë të virtytshme. Ato janë mbajtëse të besëlidhjes që “qëndro[jnë] si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”2. Ato e dinë cilat janë dhe që kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

Kur isha në kolegj, isha anëtare e Valltarëve Folklorikë Ndërkombëtarë të UBJ–së. Një verë, grupi ynë pati privilegjin e pashoq për të shëtitur në misionet e Europës. Qe një verë e vështirë për mua, sepse disa muaj më parë im atë kishte ndërruar jetë papritmas. Kur ishim në Skoci, u ndjeva vetëm dhe u dëshpërova në mënyrë të veçantë. Ne vallëzuam atë natë në një godinë kishtare dhe, pas interpretimit tonë, shkuam te dera ngjitur me shtëpinë e misionit. Teksa vazhdova ecjen, pashë një gur të vendosur pranë derës në një kopsht të mbajtur mirë. Mbi të lexova fjalët: “Pavarësisht se kush je, luaje mirë rolin tënd”. Në atë çast, ato fjalë më depërtuan thellë në zemër dhe i ndjeva fuqitë e qiellit të vinin e të më aviteshin e të më jepnin një mesazh. E dija se më njihte një Atë i dashur Qiellor. Ndjeva se nuk isha vetëm. Qëndrova atje në atë kopsht me lot në sy. “Pavarësisht se kush je, luaje mirë rolin tënd.” Ajo shprehje e thjeshtë e përtëriu këndvështrimin tim se Ati Qiellor më njihte dhe kishte një plan për jetën time.

Më vonë, mësova se kjo shprehje dikur i kishte dhënë shtysë profetit Dejvid O. Mek–Kei teksa po shërbente si misionar i ri në Skoci. Ai e kishte parë atë mbi një gur në një ndërtesë, në një periudhë shkurajuese të misionit të tij dhe ato fjalë i dhanë zemër atij. Vite më vonë, teksa ndërtesa po rrëzohej, ai mori masa që ta merrte gurin dhe e vendosi te kopshti në shtëpinë e misionit.3

Si bija të Perëndisë, ne jemi secila e veçantë dhe e ndryshme në rrethanat dhe përvojat tona. Dhe sidoqoftë rolet tona kanë rëndësi – sepse ne kemi rëndësi. Kontributet tona të përditshme të edukimit, të mësimdhënies dhe të përkujdesjes ndaj të tjerëve mund të duken edhe të rëndomta, të zbehta, të vështira, pa vlerë ndonjëherë dhe prapëseprapë teksa kujtojmë atë rresht të parë te tema e Të Rejave – “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do ne” – kjo do të sjellë ndryshimin madhor në reagimet dhe marrëdhëniet tona.

Së fundi, nëna ime e mrekullueshme 92–vjeçare, ndërroi jetë. Ajo e la këtë ekzistencë në vdekshmëri pasi kishte jetuar – në qetësi. Jeta e saj nuk ishte siç e kishte planifikuar. I shoqi, im atë, ndërroi jetë kur qe 45 vjeç, duke e lënë atë me tre fëmijë – mua dhe dy vëllezërit e mi. Ajo jetoi 47 vjet si vejushë. Ajo e mbajti familjen tonë duke dhënë mësim në shkollë gjatë ditës dhe duke dhënë mësime pianoje natën. Ajo u kujdes për të atin e moshuar, gjyshin tim, që jetonte ngjitur me ne. Ajo u sigurua që secili prej nesh të merrte arsimim të lartë. Në fakt, ajo këmbënguli te kjo që ne të bëheshim “kontribues”. Dhe ajo kurrë nuk u ankua. Ajo i mbajti besëlidhjet e saj dhe, për shkak se i mbajti ato, bëri që fuqitë e qiellit ta bekonin shtëpinë tonë dhe të dërgonin mrekulli. Ajo u mbështet te fuqia e lutjes, te priftëria dhe te premtimet e besëlidhjes. Ajo ishte besnike në shërbimin e saj ndaj Zotit. Përkushtimi i saj i patundur na forcoi ne, fëmijët e saj. Ajo shpesh përsëriste shkrimin e shenjtë: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim”4. Kjo ishte motoja e saj dhe ajo e dinte se kjo ishte e vërtetë. Ajo e kuptoi se ç’do të thoshte të ishe një mbajtëse e besëlidhjes. Ajo nuk u njoh kurrë nga bota. Ajo nuk e dëshironte këtë gjë. Ajo e kuptoi cila ishte dhe e kujt ishte – një bijë e Perëndisë. Në të vërtetë, mund të thuhet për nënën tonë që ajo e luajti mirë rolin e saj.

Për gratë dhe nënat, Presidenti Gordon B. Hinkli tha dikur:

“Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë forcën e grave. … Janë nënat që ndikojnë më drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve të tyre. … Janë nënat që i edukojnë dhe i rrisin ata sipas mënyrave të Zotit. Ndikimi i tyre është i pashoq. …

… Ato janë krijueset e jetës. Ato janë edukueset e fëmijëve. Ato janë mësueset e të rejave. Ato janë shoqet tona të domosdoshme. Ato janë bashkëpunëtoret tona për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Sa i madh është roli i tyre, sa e mahnitshme ndihma tyre.”5

Si e rrënjos një nënë ose baba te një bijë e dashur të vërtetën fisnikëruese dhe të përjetshme që ne jemi bija të Perëndisë? Si i ndihmojmë ato ta lënë botën dhe t’i afrohen më shumë mbretërisë së Perëndisë?

Në një botë moralisht të pandjeshme, të rejat kanë nevojë që burrat dhe gratë të “qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”. Kjo nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani. Të rejave u duhen nëna dhe u duhen mësuese që të japin shembull rreth të qenit grua e virtytshme. Nëna, marrëdhënia me bijën tuaj është me rëndësi të skajshme dhe po kështu shembulli juaj. Mënyra si e respektoni babanë e saj, priftërinë e tij dhe rolin e tij hyjnor do të pasqyrohet dhe ndoshta do të theksohet më shumë te qëndrimet dhe sjellja e bijës suaj.

Cili është ai rol që të gjithë duhet “ta luaj[më] mirë”? Proklamata e familjes është e qartë:

“Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri–tjetrin si partnerë të barabartë. …

Ne paralajmërojmë se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët apo që nuk përmbushin përgjegjësitë familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë.”6

Në shoqërinë e rënë të kohës së Mormonit, ai shprehu keqardhjen se grave iu rrëmbye ajo që ishte më e dashur dhe më e çmueshme përmbi të gjitha gjërat – virtyti dhe dëlirësia e tyre.7

Sërish, e përsëris thirrjen për një kthim te virtyti. Virtyti është forca dhe fuqia e bijave të Perëndisë. Si do të ishte bota nëse virtyti – zakonet e të menduarit dhe të sjelljes në pajtim me standardet e larta të moralshmërisë8 – do të rivendoseshin në shoqërinë tonë si vlera më e çmuar? Nëse pamoralshmëria, pornografia dhe abuzimi do të pakësoheshin, a do të kishte më pak martesa të prishura, jetë të shkatërruara dhe zemra të thyera? A do të mundej media t’i fisnikëronte dhe t’u jepte mundësi bijave të çmuara të Perëndisë, në vend që t’i trajtonte si objekt dhe t’i ulte? Nëse i gjithë njerëzimi do ta kuptonte vërtet rëndësinë e shprehjes: “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor”, si do të shiheshin e si do të trajtoheshin gratë?

Disa vite më parë, teksa Qendra e Konferencave ishte pranë përfundimit, unë hyra në këtë ndërtesë të shenjtë te ballkoni me një kapele të rëndë dhe syze mbrojtëse, gati për të fshirë me fshesën me korrent qilimin, të cilin bashkëshorti im po ndihmonte të vendosej. Aty ku tani është foltorja, ishte një traktor i vogël, i lëvizshëm, që hiqte mbetjet e ndërtimit, që do të thotë se pluhuri në këtë ndërtesë ishte i dendur. Kur ndaloi, e pluhurosi qilimin e ri. Roli im ishte të fshija me fshesë me korrent. Dhe kështu unë fshiva e fshiva pareshtur. Dhe pas tri ditësh, fshesa ime e vogël me korrent u dogj!

Pasditen përpara konferencës së përgjithshme të parë në këtë ndërtesë të bukur e të re, më thirri im shoq. Ai qe gati të vendoste pjesën e fundit të qilimit – nën këtë foltore historike.

Ai pyeti: “Çfarë shkrimi të shenjtë duhet të shkruaj prapa këtij qilimi?”

Dhe i thashë: “Mosian 18:9: ‘Qëndro si dëshmitar [i] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet’”.

Në një kohë jashtë mase sfiduese, kjo është ajo që po bëjnë të rejat dhe të gjitha gratë e kësaj Kishe. Ato janë një ndikim për mirë. Ato janë të virtytshme dhe shembullore, të zgjuara dhe punëtore. Ato po sjellin një ndryshim, sepse ato janë të ndryshme. Ato po e luajnë mirë rolin e tyre.

Vite më parë, kur po e fshija këtë qilim me fshesën e korrentit – duke u përpjekur ta luaja mirë rolin tim të vogël – nuk e dija se një ditë do të qëndroja më këmbë mbi qilimin nën këtë foltore.

Sot, si bijë e Perëndisë, unë qëndroj dhe jap dëshminë time se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Ai është Shëlbuesi ynë. Është nëpërmjet sakrificës së Tij të pafundme shlyese që një ditë unë do të kthehem të jetoj me Të – e sprovuar, e pastër dhe e vulosur në një familje të përjetshme. Do t’i thur gjithnjë lavde Atij për privilegjin e të qenit grua, bashkëshorte dhe nënë. Unë dëshmoj se ne udhëhiqemi nga një profet i Perëndisë, Presidenti Tomas S. Monson dhe jam mirënjohëse për burrat e drejtë, fuqia e priftërisë e të cilëve më bekon jetën. Dhe do të jem gjithnjë mirënjohëse për forcën që marr përmes fuqisë ndihmuese të Shpëtimtarit, teksa vazhdoj të përpiqem që ta “luaj [rolin tim] mirë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Përparimi Personal i Të Rejave (broshurë, 2009), f. 3.

  2. Mosia 18:9.

  3. Shih Matthew O. Richardson, “‘What E‘er Thou Art, Act Well Thy Part’: John Allan’s Albany Crescent Stone,” Journal of Mormon History, vol. 33 (Fall 2007), 31–61; Francis M. Gibbons, David O. McKay: Apostle to the World, Prophet of God (1986), f. 45.

  4. Doktrina e Besëlidhje 82:10

  5. Gordon B. Hinckley, “Standing Strong and Immovable”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, f. 21.

  6. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  7. Shih Moroni 9:9.

  8. Shih Të Rejat Përparimi Personal, f. 70.