2010–2019
Shpresa e Dritës së Perëndisë
Prill 2013


Shpresa e Dritës së Perëndisë

Teksa kërkojmë ta shtojmë dashurinë për Perëndinë dhe të përpiqemi ta duam të afërmin tonë, drita e ungjillit do të na rrethojë e ngrejë moralisht.

Hyrja për te Ndriçimi i Mendjes

Më pëlqen së tepërmi një pikturë në zyrën time që titullohet Hyrja për te Ndriçimi i Mendjes. U krijua nga një mik i imi, artisti danez Johan Benthin, i cili ishte presidenti i parë i kunjit në Kopenhagë të Danimarkës.

Piktura tregon një dhomë të errët me një derë të hapur nga e cila po shkëlqen drita. Është interesante për mua që drita që vjen nga dera nuk e ndriçon të gjithë dhomën – vetëm hapësirën pikërisht përballë derës.

Për mua, errësira dhe drita në këtë pikturë janë një metaforë për jetën. Është pjesë e gjendjes sonë si qenie të vdekshme që ndonjëherë të ndihemi sikur jemi rrethuar nga errësira. Mund të kemi humbur një njeri të dashur; një fëmijë mund të ketë dalë nga udha; mund të kemi marrë një diagnozë mjekësore shqetësuese; mund të kemi sfida punësimi dhe të jemi rënduar me dyshime apo frikë; ose mund të ndihemi të vetmuar apo pa dashuri.

Por edhe pse mund të ndihemi të humbur në mes të rrethanave tona të tanishme, Perëndia premton shpresën e dritës së Tij – Ai premton të na e ndriçojë udhën përpara nesh dhe të na tregojë udhën për të dalë nga errësira.

Një Dhomë e Mbushur me Errësirë

Do të doja t’ju tregoja rreth një gruaje që u rrit në një dhomë të mbushur me errësirë – do ta quaj Xhejn.

Nga koha kur Xhejni ishte tri vjeçe, ajo u rrah, u poshtërua dhe u dhunua në mënyrë të përsëritur. Ajo u kërcënua dhe u përqesh. Ajo zgjohej çdo mëngjes duke mos e ditur nëse do të mbijetonte deri të nesërmen. Njerëzit që duhet ta kishin mbrojtur, ishin ata që e torturonin apo e lejonin dhunën të vazhdonte.

Në mënyrë që të vetëmbrohej, Xhejni mësoi të pushonte së ndieri. Ajo nuk kishte shpresë për shpëtim, ndaj e ngurtësoi veten para tmerrit të realitetit. Nuk kishte dritë në botën e saj, ndaj ajo iu dorëzua errësirës. Me një mpirje që mund të vijë vetëm nga kontakti i vazhdueshëm e i pandërprerë me të keqen, ajo e pranoi faktin se çdo çast mund të ishte i fundit për të.

Më pas, në moshën 18–vjeçare, Xhejni zbuloi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gëzimi dhe shpresa e ungjillit të rivendosur ia depërtuan zemrën dhe ajo e pranoi ftesën për t’u pagëzuar. Për herë të parë, drita hyri në jetën e saj dhe ajo pa një shteg të shndritshëm përpara. U largua nga errësira e botës së saj dhe vendosi të shkonte në një shkollë shumë larg dhunuesit të saj. Më në fund, ajo u ndje e çliruar nga një mjedis errësire dhe ligësie – e lirë për të gëzuar paqen e ëmbël dhe shërimin mrekullibërës të Shpëtimtarit.

Sidoqoftë, vite më vonë, pasi dhunuesi i saj kishte vdekur, Xhejni qe sërish e shqetësuar nga ndodhitë e tmerrshme të rinisë së saj. Trishtimi dhe zemërimi i thellë rrezikonin ta shkatërronin dritën e mrekullueshme që ajo kishte gjetur tek ungjilli. Ajo e kuptoi se nëse do ta lejonte errësirën ta gërryente, torturuesi i saj do të merrte fitore përfundimtare.

Ajo kërkoi këshillim e ndihmë mjekësore dhe filloi ta kuptonte se, për të, mënyra më e mirë për t’u shëruar ishte të kuptonte dhe të pranonte se errësira ekziston – por nuk duhet jetuar atje. Sepse, sikurse e dinte ajo tanimë, edhe drita ekziston – dhe ai është vendi ku zgjodhi të jetojë.

Për shkak të së kaluarës së saj të errët, Xhejni mund të ishte bërë me lehtësi hakmarrëse, e vrerosur ose madje e dhunshme. Por nuk u bë. Ajo i bëri qëndresë tundimit për të shpërndarë errësirën duke shpërthyer në zemërim, lëndim apo cinizëm. Përkundrazi, ajo u kap fort pas shpresës se me ndihmën e Perëndisë mund të shërohej. Ajo zgjodhi të rrezatonte dritë dhe t’ia përkushtonte jetën ndihmës ndaj të tjerëve. Ky vendim i dha asaj mundësi ta linte pas të shkuarën dhe të ecte drejt një të ardhme të lavdishme.

Ajo u bë mësuese shkolle dhe sot, disa dhjetëvjeçarë më vonë, dashuria e saj ka ndikuar në jetën e qindra fëmijëve, duke i ndihmuar ata të dinë se kanë vlerë, se janë të rëndësishëm. Ajo është bërë mbrojtëse e palodhur e të dobtëve, viktimave dhe të shkurajuarve. Ajo ndërton, forcon dhe frymëzon çdokënd rreth saj.

Xhejni mësoi se shërimi vjen kur largohemi nga errësira dhe ecim drejt shpresës për një dritë më të shkëlqyeshme. Ishte në zbatimin praktik të besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore që ajo jo vetëm e shndërroi jetën e saj, por ua bekoi jetën përgjithnjë shumë e shumë të tjerëve.

Drita Kapet Pas Dritës

Mund të ketë disa mes jush që ndiejnë errësirën t’i rrethojë gjithnjë e më shumë. Ju mund të ndiheni të rënduar me shqetësim, frikë apo dyshim. Juve dhe të gjithëve ne, ju përsëris një të vërtetë të mrekullueshme e të sigurt: Drita e Perëndisë është e vërtetë. Është e disponueshme për të gjithë! Ajo i jep jetë gjithçkaje.1 Ajo ka fuqinë ta zbusë dhembjen e plagës më të thellë. Mund të jetë një balsam shërues për vetminë dhe sëmundjen e shpirtrave tanë. Në brazdat e dëshpërimit, ajo mund të mbjellë farat e një shprese më të shndritshme. Ajo mund të ndriçojë luginat më të thella të hidhërimit. Mund të ndriçojë shtegun para nesh dhe të na udhëheqë përmes natës më të errët drejt premtimit për një agim të ri.

Ky është “Shpirti i Jezu Krishtit”, që i jep “dritë çdo njeriu që vjen në botë”2.

Megjithatë, drita shpirtërore rrallëherë u vjen atyre që thjesht ulen në errësirë duke pritur që dikush të shtypë çelësin e dritës. Duhet një gjest besimi që të na i hapë sytë për Dritën e Krishtit. Drita shpirtërore nuk mund të shquhet nga sytë e mishit. Vetë Jezu Krishti dha mësim: “Unë jam drita që shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë”3. Sepse “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht”4.

Pra, si i hapim ne sytë për shpresën e dritës së Perëndisë?

Së pari, fillojeni aty ku jeni.

A nuk është e mrekullueshme të dini se nuk na duhet të jemi të përsosur për të përjetuar bekimet dhe dhuratat e Atit tonë Qiellor? Neve nuk na duhet të presim derisa të përsosemi për të marrë bekimet e Perëndisë. Në fakt, qiejt fillojnë të hapen dhe bekimet e qiellit fillojnë të pikojnë sipër nesh që prej hapave të parë që hedhim drejt dritës.

Vendi i përsosur për të filluar është pikërisht aty ku jeni tani. Nuk ka rëndësi sa të kualifikuar mund të mendoni se jeni apo sa prapa të tjerëve mund të ndiheni. Vetë çasti kur filloni të kërkoni Atin tuaj Qiellor, në atë çast, shpresa e dritës së Tij do të nisë ta zgjojë, ta gjallërojë dhe ta fisnikërojë shpirtin tuaj.5 Errësira mund të mos shpërbëhet e gjitha menjëherë, por me aq siguri sa nata i lë vendin agimit, drita do të vijë.

Së dyti, drejtojeni zemrën tuaj nga Zoti.

Derdheni shpirtin tuaj në lutje dhe shpjegojani Atit tuaj Qiellor atë që po ndieni. Pranojini të metat tuaja. Hapeni zemrën tuaj dhe shprehni mirënjohjen tuaj. Bëjani Atij të ditur sprovat që po hasni. Lutjuni Atij në emrin e Krishtit për forcë dhe mbështetje. Kërkoni që t’ju hapen veshët, që të mund ta dëgjoni zërin e Tij. Kërkoni që t’ju hapen sytë, që të mund ta shihni dritën e Tij.

Së treti, ecni në dritë.

Ati juaj Qiellor e di se do të bëni gabime. Ai e di se ju do të ngecni – ndoshta shumë herë. Kjo e trishton Atë, por Ai ju do. Ai nuk dëshiron që të shkurajoheni. Përkundrazi, Ai dëshiron që të ngriheni dhe të bëheni njeriu që jeni paracaktuar të bëheni.

Për atë qëllim, Ai e dërgoi Birin e Tij për të ndriçuar udhën dhe për të na treguar se si t’i kapërcejmë me siguri blloqet penguese të vendosura në shtegun tonë. Ai na ka dhënë ungjillin, që jep mësim udhën e dishepullit. Ai na mëson gjërat që duhet të dimë, të bëjmë dhe të jemi për të ecur në dritën e Tij duke ndjekur gjurmët e hapave të Birit të Tij të Dashur, Shpëtimtarit tonë.

Drita e Mposht Errësirën

Po, ne do të bëjmë gabime.

Po, do të çalojmë.

Por teksa kërkojmë ta shtojmë dashurinë për Perëndinë dhe të përpiqemi ta duam të afërmin tonë, drita e ungjillit do të na rrethojë e ngrejë moralisht. Errësira do të tretet me siguri, sepse nuk mund të ekzistojë në prani të dritës. Teksa afrohemi më shumë me Perëndinë, Ai do të afrohet me ne.6 Dhe, ditë pas dite, shpresa e dritës së Perëndisë do të shkëlqejë brenda nesh “gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”7.

Të gjithë ju që ndieni se ecni në errësirë, ju ftoj të mbështeteni te ky premtim i sigurt i shprehur nga Shpëtimtari i njerëzimit: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”8.

Një Dritë në Afrikë

Disa vite më parë, gruaja ime, Herieta dhe unë, patëm një përvojë të paharrueshme tek e cila e pamë këtë premtim të përmbushej. Ne ishim në Afrikën Perëndimore, një pjesë e bukur e botës ku Kisha po rritet dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë plot hir. Sidoqoftë, Afrika Perëndimore ka edhe shumë sfida. Në veçanti, u hidhërova nga varfëria që pashë. Në qytete ka papunësi të madhe dhe familjet shpesh heqin shumë për të siguruar të ardhura për nevojat ditore dhe për sigurinë e tyre. Më këputi zemrën të merrja vesh se shumë prej anëtarëve tanë të çmuar të Kishës jetojnë në një varfëri të tillë. Por mësova edhe se këta anëtarë të shkëlqyer e ndihmojnë njëri–tjetrin për t’i lehtësuar barrat e tyre të rënda.

Ne përfunimisht mbërritëm te një prej shtëpive të mbledhjeve pranë një qyteti të madh. Por në vend që të gjenim një popull të rënduar dhe të gëlltitur nga errësira, ne zbuluam një popull të gëzuar që rrezatonte me dritë! Lumturia që ndienin për ungjillin ishte ngjitëse dhe na ngriti shpirtërisht. Dashuria që shprehën për ne, ishte përulëse. Buzëqeshjet e tyre ishin të çiltra e infektuese.

Më kujtohet se pyesja veten në atë kohë nëse mund të kishte një popull më të lumtur në faqen e dheut. Edhe pse këta shenjtorë të dashur u rrethuan nga vështirësitë dhe sprovat, ata u mbushën me dritë!

Mbledhja filloi dhe unë fillova të flisja. Por shpejt, iku energjia elektrike në ndërtesë dhe mbetëm në errësirë të plotë.

Për pak kohë, nuk mund të shihja asnjë në bashkësi, por mund t’i shihja e t’i ndieja buzëqeshjet e shkëlqyeshme e të bukura të shenjtorëve tanë. O, sa më pëlqente të rrija me këta njerëz të mrekullueshëm!

Errësira në godinën kishtare vazhdoi dhe kështu unë u ula pranë sime shoqeje dhe prita që të rikthehej energjia elektrike. Teksa prisnim, ndodhi diçka e mahnitshme.

Disa zëra filluan të këndonin një nga himnet e Rivendosjes. Dhe pastaj të tjerë u bashkuan me ta. Dhe pastaj më shumë të tjerë. Shpejt, një kor i ëmbël dhe pushtues zërash e mbushi godinën kishtare.

Këtyre anëtarëve të Kishës nuk iu duheshin librat e himneve; ata e dinin çdo fjalë të çdo himni që kënduan. Dhe pastaj kënduan këngë njëra pas tjetrës me një energji dhe ndjenjë që ma prekën shpirtin.

Përfundimisht, drita shkëlqeu sërish dhe e mbushi dhomën me dritë. Herieta dhe unë, pamë nga njëri–tjetri, faqet tona qenë të lagura me lotë.

Në mes të errësirës së madhe, këta shenjtorë të bukur e të mrekullueshëm i kishin mbushur ndërtesën e Kishës dhe shpirtrat tanë me dritë.

Ishte një çast thellësisht prekës për ne – një çast që unë dhe Herieta nuk do ta harrojmë kurrë.

Ejani në Dritë

Po, herë pas here, jeta jonë mund të duket e prekur ose madje e mbështjellë nga errësira. Nganjëherë, nata që na rrethon, do të na duket shtypëse, shkurajuese dhe frikësuese.

Zemra ime vajton për shumë hidhërime që disa prej jush hasni, për vetminë e dhembshme dhe frikën këputëse që mund të jeni duke përjetuar.

Megjithatë, unë jap dëshmi se shpresa jonë e gjallë është te Jezu Krishti! Ai është porta e vërtetë, e pastër dhe e fuqishme për te ndriçimi hyjnor.

Dëshmoj se me Krishtin, errësira nuk mund t’ia dalë mbanë. Errësira nuk do të marrë fitore mbi dritën e Krishtit.

Jap dëshmi se errësira nuk mund të qëndrojë përpara dritës shkëlqyese të Birit të Perëndisë së gjallë!

E ftoj secilin prej jush t’ia hapë zemrën Atij. Kërkojeni Atë përmes studimit dhe lutjes. Kjo është Kisha e Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ejani në Kishën e Tij, mësoni rreth Tij dhe ungjillit të Tij, merrni pjesë aktivisht, ndihmojeni njëri–tjetrin dhe shërbejini me gëzim Perëndisë tonë.

Vëllezër e motra, edhe pas natës më të errët, Shpëtimtari i botës do t’ju udhëheqë drejt një agimi shkallë–shkallë, të ëmbël e të shndritshëm që do të zbardhë me siguri brenda jush.

Teksa ecni drejt shpresës së dritës së Perëndisë, do të zbuloni mëshirën, dashurinë dhe mirësinë e një Ati të dashur Qiellor “në [të cilin] nuk ka kurrfarë errësirë”9. Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.