2010–2019
Të Pranohesh nga Zoti
Prill 2013


Të Pranohesh nga Zoti

Kërkimi dhe marrja e pranimit prej Zotit do të na bëjnë të dimë se jemi të zgjedhur e të bekuar prej Tij.

Kur isha djalosh, më kujtohet që babai im ndonjëherë më merrte me vete për të punuar në projekte. Ne kishim një kopsht të vogël disa kilometra nga vendi ku jetonim dhe përherë kishte shumë punë për t’u bërë që ta përgatisnim kopshtin për secilën stinë. Ne merreshim me tendën e drunjtë apo ndërtonim ose riparonim gardhe. Në kujtimet e mia, kjo punë gjithmonë u bë në të ftohtë të acartë, në borë të ashpër ose në shi të madh. Por më pëlqente shumë. Babai më mësonte se si t’i bëja gjërat me durim dhe pranim.

Një ditë, ai më kërkoi të shtrëngoja një vidë dhe më paralajmëroi: “Mbaj mend, nëse e shtrëngon tepër, do të këputet”. Me krenari, dëshiroja t’i tregoja se çfarë mund të bëja. E shtrëngova me gjithë forcën që kisha dhe, sigurisht, e këputa vidën. Ai bëri një vërejtje komike dhe ia nisëm nga e para. Edhe kur “i katranosja gjërat”, gjithmonë e ndieja dashurinë dhe mirëbesimin e tij në mua. Ai ndërroi jetë mbi 10 vjet më parë, por ende mund ta dëgjoj zërin e tij, mund ta ndiej dashurinë e tij, mund të kem inkurajimin e tij e ta ndiej pranimin e tij.

Ndjenja e të qenit i pranuar nga dikush që e duam, është nevojë themelore njerëzore. Të qenit i pranuar nga njerëz të mirë na nxit. E rrit ndjenjën tonë të vetëvlerësimit dhe të vetëbesimit. Ata që nuk mund të gjejnë pranim nga burime të dëshirueshme, shpesh e kërkojnë atë gjetkë. Mund të drejtohen te njerëz të cilëve nuk u intereson mirëqenia e tyre. Mund të bashkohen me miq të rremë dhe të bëjnë gjëra të dyshimta në përpjekje për të marrë miratimin që po kërkojnë. Mund të kërkojnë pranim duke veshur një markë të veçantë veshjeje për të nxitur një ndjenjë të përkatësisë ose të pozitës. Për disa, përpjekja për një rol apo pozicion me rëndësi mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të kërkuar pranim. Ata mund ta përcaktojnë vlerën e tyre nga pozicioni që mbajnë ose pozita që fitojnë.

Madje edhe në Kishë, ne nuk jemi gjithnjë të lirë nga ky lloj mendimi. Kërkimi i pranimit nga burime të gabuara ose për arsye jokorrekte na vë në një shteg të rrezikshëm – një shteg që ka mundësi të na çojë në udhë të gabuar dhe madje drejt shkatërrimit. Në vend që të ndiejmë se na duan dhe të ndihemi të sigurt në vetvete, ne përfundimisht do të ndihemi të braktisur dhe të pavlerë.

Alma e këshilloi të birin, Helamanin: “Vër re të shikosh te Perëndia dhe jeto”1. Burimi themelor për forcë dhe pranim të përhershëm është Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ata na njohin. Ata na duan. Ata nuk na pranojnë prej titullit apo pozicionit tonë. Ata nuk e vërejnë pozitën që kemi. Ata shohin brenda zemrës sonë. Ata na pranojnë për njeriun që jemi dhe për atë që po përpiqemi të bëhemi. Synimi për pranim prej Tyre dhe marrja e tij, do të na lartësojë dhe inkurajojë përherë.

Do t’ju tregoj një model të thjeshtë, i cili, nëse zbatohet, mund ta ndihmojë gjithsecilin prej nesh të marrë pranim të përhershëm. Ky model u dha nga Zoti përmes Profetit Jozef Smith: “Në të vërtetë unë ju them, të gjithë mes atyre që e dinë se zemrat e tyre janë të pastra e të thyera dhe shpirtrat e tyre të penduar, dhe janë të gatshëm t’i ruajnë besëlidhjet e tyre me anë të sakrificës – po, çdo sakrificë që unë, Zoti, do të urdhëroj – ata pranohen nga unë”2.

Ky model përbëhet nga tre hapa të thjeshtë:

  1. Të dimë që zemrat tona janë të pastra dhe të thyera,

  2. Të dimë që shpirtrat tanë janë të penduar, dhe

  3. Të jemi të gatshëm t’i ruajmë [e mbajmë] besëlidhjet tona me anë të sakrificës, siç urdhërohemi nga Zoti.

Së pari, duhet të dimë që zemrat tona janë të pastra dhe të thyera. Si e dimë këtë? Ne fillojmë duke u përfshirë në vetanalizim të sinqertë. Zemra është qendra e ndjenjave tona. Teksa shohim brenda zemrës sonë, ne bëjmë një vlerësim të vetvetes. Atë që askush nuk e di rreth nesh, ne e dimë me siguri. Ne i njohim motivet dhe dëshirat tona. Kur përfshihemi në reflektim të sinqertë e të ndershëm, ne nuk e justifikojmë apo e mashtrojmë veten.

Ka gjithashtu një mënyrë për të gjykuar nëse zemrat tona janë të thyera. Një zemër e thyer është një zemër e butë, e hapur dhe pranuese. Kur e dëgjoj Shpëtimtarin të thotë: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas”3, e dëgjoj Atë të trokasë në derën e zemrës sime. Nëse ia hap këtë derë Atij, unë jam më veprues ndaj ftesave të Shpirtit dhe më pranues ndaj vullnetit të Perëndisë.

Kur meditojmë me sinqeritet dhe me lutje mbi atë sesa të pastra dhe të thyera janë zemrat tona, ne do të marrim mësim nga Fryma e Shenjtë. Ne do të marrim një konfirmim të ëmbël ose korrigjim të butë, që na fton të veprojmë.

Së dyti, ne duhet të dimë që shpirti ynë është i penduar. Te fjalori i Oksfordit, fjala i penduar përkufizohet si “ndjenjë ose shprehje e keqardhjes kur një njeri pranon se ka vepruar gabim”4. Nëse kemi shpirt të penduar, ne i pranojmë mëkatet dhe të metat tona. Ne jemi të aftë të marrim mësim “në lidhje me [të gjitha] gjërat që k[anë] të bë[jnë] me drejtësinë”5. Ne ndiejmë keqardhje hyjnore dhe jemi të gatshëm të pendohemi. Një shpirt i penduar është i gatshëm të dëgjojë “thirrjet e Frymës së Shenjtë”6.

Një shpirt i penduar del në pah përmes gatishmërisë dhe vendosmërisë sonë për të vepruar. Ne jemi të gatshëm të përulemi përpara Perëndisë, të gatshëm të pendohemi, të gatshëm të mësojmë dhe të gatshëm të ndryshojmë. Ne jemi të gatshëm të lutemi: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”7.

Hapi i tretë që të pranohesh nga Zoti, është një vendim i ndërgjegjshëm për të ruajtur besëlidhjet tona me anë të sakrificës, “po, çdo sakrificë që unë, Zoti, do të urdhëroj”8. Tepër shpesh ne mendojmë se fjala sakrificë i referohet diçkaje të madhe ose të vështirë për t’u bërë nga ne. Në situata të caktuara kjo mund të jetë e vërtetë, por përgjithësisht i referohet të jetuarit dita–ditës si dishepull i vërtetë i Krishtit.

Një mënyrë se si i ruajmë besëlidhjet tona me anë të sakrificës është duke e marrë sakramentin denjësisht çdo javë. Ne e përgatisim veten me ndërgjegje për ordinancën e shenjtë. Ne rinovojmë premtimet tona të shenjta me Zotin dhe ia pohojmë ato Atij. Në këtë mënyrë, ne e ndiejmë pranimin e Tij dhe marrim miratim nga Ai që përpjekjet tona vihen re dhe mëkatet na falen përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Gjatë kësaj ordinance, Zoti na premton se kur jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Birit të Tij dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe të zbatojmë urdhërimet e Tij, ne do të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Të pasurit e Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm është treguesi themelor se pranohemi nga Perëndia.

Mënyra të tjera për të ruajtur besëlidhjet tona me anë të sakrificës janë po aq të thjeshta sikurse pranimi i një thirrjeje në Kishë dhe shërbimi besnikërisht në atë thirrje, apo ndjekja e ftesës së profetit tonë, Tomas S. Monson, për t’iu afruar atyre që ndodhen buzë rrugës dhe kanë nevojë të shpëtohen shpirtërisht. Ne i ruajmë besëlidhjet tona me anë të sakrificës duke bërë shërbim pa u vënë re në lagjen ose komunitetin tonë, apo duke gjetur emrat e paraardhësve tanë dhe duke bërë punën në tempull për ta. Ne i ruajmë besëlidhjet tona me anë të sakrificës thjesht duke u përpjekur për drejtësi, duke qenë të hapur dhe duke ua vënë veshin nxitjeve të Shpirtit, ndërsa jetojmë jetën tonë të përditshme. Ndonjëherë mbajtja e besëlidhjeve të bëra, nuk do të thotë asgjë më shumë sesa të qëndrosh i fortë dhe besnik kur stuhitë e jetës tërbohen kudo rreth nesh.

Pasi shpjegon modelin se si të pranohemi prej Tij, Zoti përdor një ilustrim të mrekullueshëm për të treguar se si përfitojmë ne si individë e familje ndërsa kërkojmë të na pranojë Ai. Ai tha: “Sepse unë, Zoti, do t’i bëj ata të lulëzojnë si një pemë shumë frytdhënëse, e cila mbillet në një tokë të mirë, pranë një rrëkeje të pastër, e cila prodhon shumë fruta të çmuar”9.

Kur jemi vetë në harmoni me Shpirtin e Zotit dhe ndiejmë pranimin e Tij, ne do të bekohemi përtej aftësisë sonë për të kuptuar dhe do të sjellim shumë fryte drejtësie. Ne do të jemi mes atyre, të cilëve Ai u ka thënë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”10.

Kërkimi dhe marrja e pranimit prej Zotit do të na bëjnë të dimë se jemi të zgjedhur e të bekuar prej Tij. Ne do të fitojmë besim më të madh se Ai do të na drejtojë e do të na udhëheqë për mirë. Mëshirat e Tij të dhembshura do të bëhen të dukshme në zemrat tona, në jetën tonë dhe në familjet tona.

Ju ftoj me gjithë zemër që të kërkoni pranimin e Zotit dhe të gëzoni bekimet e Tij të premtuara. Ndërsa ndjekim modelin e thjeshtë që ka treguar Zoti, ne do të arrijmë ta dimë se jemi pranuar prej Tij, pavarësisht nga pozicioni, gjendja apo kufizimet tona tokësore. Pranimi i Tij i dashur do të na motivojë, do ta rrisë besimin tonë dhe do të na ndihmojë të përballojmë çdo gjë që hasim në jetë. Pavarësisht nga sfidat tona, ne do të jemi të suksesshëm, do të përparojmë11 dhe do të ndiejmë paqe12. Do të jemi mes atyre të cilëve Zoti u tha:

“Mos kini frikë, fëmijë të vegjël, sepse ju jeni të mitë dhe unë e kam mundur botën e ju jeni prej atyre që Ati im m’i ka dhënë;

Dhe asnjë prej atyre që Ati im m’i ka dhënë, nuk do të humbasë”13.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.