Kapitulli 35
Shëlbimi për të Vdekurit
“Jehovai i madh … e di situatën si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit dhe ka marrë masa të mjaftueshme për shëlbimin e tyre.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Qysh herët në shërbesën e Profetit Jozef Smith, ai pati një përvojë që do ta ndihmonte të përgatitej për kohën kur do të zbulohej doktrina e shpëtimit për të vdekurit. Në nëntor 1823, Alvin Smith, biri më i madh i Lusi Mak Smithit dhe Jozef Smith Plakut, befas u sëmur seriozisht dhe gjendej buzë vdekjes. Alvini ishte 25 vjeç, një i ri i fuqishëm dhe i zoti, puna e madhe e të cilit kontribuoi shumë për qëndrueshmërinë financiare të familjes. Nëna e tij e përshkroi atë si “një i ri me mirësi dhe gatishmëri të rrallë”, “fisnikëria dhe bujaria” e të cilit bekuan njerëzit rreth tij “për çdo orë të jetës së tij”1.
Duke e ditur se po vdiste, Alvini thirri pranë vëllezërit e motrat dhe u foli secilit prej tyre. Jozefit, që ishte thuajse 18 vjeç dhe nuk i kishte marrë ende fletët e arta, Alvini i tha: “Unë dëshiroj që ti të jesh djalë i mirë dhe të bësh gjithçka që mundesh për të marrë analet. Të jesh besnik për marrjen e udhëzimit dhe mbajtjen e çdo urdhërimi që të jepet. Vëllai yt Alvin tani duhet të të lërë, por kujto shembullin që ai të ka dhënë dhe ji një shembull i mirë për fëmijët që janë më të vegjël se ti.”2
Kur vdiq Alvini, familja i kërkoi një shërbestari presbiterian në Palmira të Nju-Jorkut, që të kryente shërbesën në funeralin e tij. Meqenëse Alvini nuk kishte qenë pjesëtar i kongregacionit të shërbestarit, kleriku shpalli në predikimin e tij se Alvini nuk mund të shpëtohej. Uilliam Smithi, vëlla më i vogël i Jozefit, kujtoi: “[Shërbestari] … aludoi shumë fuqishëm se [Alvini] kishte shkuar në ferr, sepse Alvini nuk ishte anëtar i kishës, por ai qe djalë i mirë dhe babait tim nuk i pëlqeu kjo”3.
Në janar 1836, shumë vite pas vdekjes së Alvinit, Jozef Smithi mori një vegim të mbretërisë çelestiale, në të cilin pa se Alvini, po ashtu si nëna dhe babai i tij, një ditë do të trashëgonin atë mbretëri. Jozefi “u [mahnit] se si ishte e mundur që [Alvini] kishte fituar një trashëgimi në atë mbretëri, duke parë që ai ishte larguar nga kjo jetë përpara se Zoti të kishte shtrirë dorën e tij për ta mbledhur Izraelin për herë të dytë dhe nuk ishte pagëzuar për shlyerjen e mëkateve” (DeB 137:6). Atëherë zëri i Zotit i erdhi Jozefit, duke i shpallur:
“Të gjithë ata që vdiqën pa një dituri të këtij ungjilli, që do ta kishin pranuar atë, nëse do të ishin lejuar të qëndronin, do të jenë trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale të Perëndisë; gjithashtu ata që do të vdesin që tani e tutje pa dituri për të, të cilët do ta kishin pranuar atë me gjithë zemër, do të jenë trashëgimtarë të asaj mbretërie; sepse unë, Zoti, do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre” (DeB 137:7–9).
Më 15 gusht 1840, Profeti Jozef Smith predikoi në një funeral në Navu dhe, për herë të parë në publik, u mësoi doktrinën e shpëtimit për të vdekurit. Sipas Sajmon Bekerit, që ishte i pranishëm, Profeti filloi duke dëshmuar se “ungjilli i Jezu Krishtit solli lajme të gëzuara të gëzimit të madh”. Ai lexoi pjesën më të madhe të 1 Korintasve 15 dhe shpjegoi se “Apostulli po u fliste njerëzve që e kuptonin pagëzimin për të vdekurit, sepse praktikohej mes tyre”. Ai deklaroi pastaj se “njerëzit mund të vepronin tani për miqtë e tyre që ishin ndarë nga kjo jetë dhe se plani i shpëtimit ishte llogaritur për të shpëtuar të gjithë ata që ishin të gatshëm për t’iu bindur kërkesave të ligjit të Perëndisë”4.
Një muaj pas fjalimit në funeral, Profeti vizitoi babanë e tij, që ishte shumë i sëmurë dhe në prag të vdekjes. Profeti diskutoi me babanë e tij doktrinën e pagëzimit për të vdekurit dhe mendimet e Baba Smithit shkuan tek biri i tij i dashur Alvin. Baba Smithi kërkoi që të kryhej puna për Alvinin “menjëherë”. Vetëm pak minuta para se të vdiste, ai deklaroi se e pa Alvinin5. Nga fundi i 1840-ës, familja Smith u gëzua kur Hajrëmi mori ordinancën e pagëzimit për vëllanë e tij Alvin.
Mësime të Jozef Smithit
Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe do t’i gjykojë të gjithë njerëzit sipas ligjit që kanë marrë.
“Planet e mëdha të Perëndisë në lidhje me shpëtimin e familjes njerëzore, kuptohen shumë pak nga brezi i vetëquajtur i mençur dhe inteligjent në të cilin jetojmë. Të shumëllojshme e kontradiktore janë opinionet e njerëzve në lidhje me planin e shpëtimit, [kërkesat] e të Plotfuqishmit, përgatitjet e nevojshme për qiellin, gjendjen dhe kushtet e shpirtrave të vdekur dhe lumturinë apo mjerimin që është rrjedhim i praktikës së drejtësisë e të ligësisë në përputhje me idetë e tyre të ndryshme për virtytin e vesin. …
… Ndërkohë që një pjesë e racës njerëzore e gjykon dhe e dënon pa mëshirë pjesën tjetër, Prindi i Madh i universit e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes dhe vëmendje atërore; Ai i konsideron ata si fëmijët e Tij dhe, pa asnjë nga ato ndjenja zemërngushta që ndikojnë fëmijët e njeriut, bën që ‘të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët’. [Mateu 5:45.] Ai i mban frerët e gjykimit në duart e Tij; Ai është një Ligjvënës i mençur dhe do t’i gjykojë të gjithë njerëzit, jo sipas ideve të kufizuara, zemërngushta të njerëzve, por ‘sipas veprave që janë bërë në trupin, qofshin ato të mira ose të liga’, apo qofshin kryer ato vepra në Angli, Amerikë, Spanjë, Turqi, ose Indi. Ai do t’i gjykojë ata, ‘jo sipas asaj që ata nuk e kanë, por sipas asaj që ata e kanë’; ata që kanë jetuar pa ligj, do të gjykohen pa ligj dhe ata që kanë një ligj, do të gjykohen sipas atij ligji. Ne nuk duhet të dyshojmë për urtësinë dhe inteligjencën e të Madhit Jehova; Ai do t’u japë gjykim ose mëshirë gjithë kombeve sipas meritave të tyre të ndryshme, mjeteve të tyre për të fituar inteligjencë, ligjeve sipas të cilave ata qeverisen, mjeteve të disponueshme për ta për të marrë informacionin e saktë dhe planeve të Tij të fshehta në lidhje me familjen njerëzore; dhe kur planet e Perëndisë do të shfaqen dhe perdet e së ardhmes do të hapen, ne të gjithëve do të na duhet të pranojmë se Gjykatësi i tërë tokës ka bërë drejtësi [shih Zanafilla 18:25].”6
“Perëndia i gjykon njerëzit sipas përdorimit që i bëjnë ata dritës, të cilën Ai ua jep atyre.”7
“Njerëzit do të mbahen përgjegjës për gjërat që kanë dhe jo për gjërat që nuk kanë. … Gjithë drita dhe inteligjenca që u komunikohen atyre prej krijuesit të tyre mirëbërës, qofshin ato shumë apo pak, nëpërmjet po atyre ata në drejtësi do të gjykohen dhe … atyre u kërkohet të tregojnë bindje dhe t’i shtojnë ato, dhe vetëm ato që iu janë dhënë, sepse njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.”8
Shpëtimtari, Jezu Krishti, ua ofron mundësinë për falje dhe çlirim si të gjallëve ashtu dhe të vdekurve.
“Situata e kombeve të krishtera pas vdekjes është një temë që ka kërkuar gjithë urtësinë dhe talentin e filozofit e të klerikut, dhe ka një opinion, që pranohet përgjithësisht, se fati i njeriut vendoset në mënyrë të pandreqshme në vdekjen e tij, dhe se ai bëhet ose përjetësisht i lumtur, ose përjetësisht i mjerë; që, nëse një njeri vdes pa një dijeni për Perëndinë, ai duhet të jetë përjetësisht i mallkuar, pa asnjë zbutje të dënimit të tij, lehtësim të dhembjes së tij, apo shpresën më të fshehur për një çlirim, ndërkohë që epokat e pafundme do të kalojnë. Sado tradicional mund të jetë ky parim, ne do të gjejmë se ai është në kundërshtim me dëshminë e Shkrimit të Shenjtë, sepse Shpëtimtari ynë thotë se gjithë llojet e mëkatit dhe blasfemisë do t’u falen njerëzve, me të cilat ata do të blasfemojnë; por blasfemia kundër Frymës së Shenjtë nuk do t’u falet, as në këtë botë as në atë të ardhmen, duke treguar qartë se ka mëkate që mund të falen në të ardhmen, ndonëse mëkati i blasfemisë [kundër Frymës së Shenjtë] nuk mund të falet [shih Mateu 12:31–32; Marku 3:28–29].
Pjetri gjithashtu, duke folur në lidhje me Shpëtimtarin tonë, thotë se ‘ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut’ (1 Pjetri 3:19, 20). Këtu atëherë, kemi një rrëfim për Shpëtimtarin tonë që u predikon frymërave në burg, frymërave që ishin burgosur që nga ditët e Noeut; dhe çfarë u predikoi Ai atyre? Që ata duhet të qëndronin atje? Sigurisht që jo! Le të dëshmojë vetë deklarata e Tij. ‘Ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit.’ (Lluka 4:18.) Isaia e tha atë – ‘Për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr’. (Isaia 42:7.) Është shumë e qartë prej kësaj se Ai jo vetëm që shkoi t’u predikonte atyre, por për t’i çliruar, apo për t’i nxjerrë nga burgu. …
Jehovai i madh parashikoi gjithë ngjarjet lidhur me tokën, që i përkasin planit të shpëtimit, përpara se të shpalosej në ekzistencë, apo përpara se ‘yjet e mëngjesit [të] këndonin të gjithë së bashku’ nga gëzimi [Jobi 38:7]; e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja ishin dhe janë, me Të, një ‘tani’ i përjetshëm, Ai i dinte rënien e Adamit, ligësitë e njerëzve të para-përmbytjes [ata që jetuan përpara Përmbytjes së Madhe], thellësinë e ligësisë që do të lidhej me familjen njerëzore, dobësitë dhe forcën e tyre, fuqinë e lavdinë e tyre, braktisjet, krimet e tyre, ndershmërinë e ligësinë e tyre; Ai e kuptoi rënien e njeriut dhe shëlbimin e tij; Ai e dinte planin e shpëtimit dhe e paraqiti atë; Ai e njihte gjendjen e gjithë kombeve dhe fatin e tyre; Ai urdhëroi gjithë gjërat sipas këshillës së vetë vullnetit të Tij; Ai e di situatën si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit dhe ka marrë masa të mjaftueshme për shëlbimin e tyre, sipas rrethanave të tyre të veçanta dhe ligjeve të mbretërisë së Perëndisë, qofshin në këtë botë, apo në botën e ardhshme.”9
Perëndia është përsosurisht i drejtë dhe i mëshirshëm me të gjithë njerëzit, të gjallë e të vdekur.
“Ideja që formojnë disa njerëz për drejtësinë, gjykimin dhe mëshirën e Perëndisë, është tepër e pamend për një njeri inteligjent që ta mendojë: për shembull, është e zakonshme për shumë prej predikuesve tanë tradicionalë të supozojnë që, nëse një njeri nuk është çka ata e quajnë të kthyer në besim dhe nëse vdes në atë gjendje, ai duhet të mbetet përjetësisht në ferr pa asnjë shpresë. Vite të pafundme në mundim duhet të kalojë ai dhe kurrë, kurrë, kurrë të mos kenë një fund; dhe përsëri ky mjerim i përjetshëm thuhet shpesh se shkaktohet thjesht prej rastit [rastësisë]. Këputja e një lidhëse këpucësh, grisja e një palltoje të atyre që kryejnë shërbesën, apo vendndodhja e veçantë ku jeton një person, mund të jenë, tërthorazi, mjetet e mallkimit të tij, apo shkaku që ai nuk shpëtohet.
Do të supozoj një rast që nuk është i jashtëzakonshëm: Dy njerëz, që kanë qenë njëlloj të ligj, që e kanë shpërfillur fenë, sëmuren që të dy në të njëjtën kohë; një prej tyre ka fatin e mirë të vizitohet prej një shërbestari dhe kthehet në besim pak minuta para se të vdesë; tjetri dërgon të thërrasin tre shërbestarë të ndryshëm, një rrobaqepës, një këpucar dhe një teneqexhi; teneqexhiu duhet t’i ngjisë një bisht një tigani, rrobaqepësi duhet të punojë një vrimë kopse në një pallto që i duhej me nxitim dhe këpucari duhet t’i vërë një mballomë çizmes së dikujt; ata, asnjë prej tyre, nuk mund të vijnë në kohë, njeriu vdes dhe shkon në ferr: njëri prej këtyre ekzaltohet në gjirin e Abrahamit, ulet në prani të Perëndisë dhe gëzon lumturi të përjetshme, të pandërprerë, ndërsa tjetri, po aq i mirë sa dhe ai, zhytet në mallkim të përjetshëm, mjerim të pandreqshëm dhe dëshpërim të pashpresë, sepse një burri i duhej të riparonte një çizme, të bënte një vrimë kopse në një pallto, apo t’i ngjiste një bisht një tigani.
Planet e Jehovait nuk janë kaq të padrejta, deklarimet e shkrimit të shenjtë kaq [zhgënjyese] as plani i shpëtimit për familjen njerëzore kaq i papajtueshëm me mendimin praktik; prej këtyre përfundimeve Perëndia do të vrenjtej me zemëratë, engjëjt do të fshihnin kokën me turp dhe çdo njeri i virtytshëm, inteligjent do të prapsej.
Nëse ligjet njerëzore i caktojnë çdo njeriu atë që meriton dhe dënojnë gjithë keqbërësit sipas krimeve të tyre të veçanta, sigurisht Zoti nuk do të jetë më mizor se njeriu, sepse Ai është një ligjvënës i urtë dhe ligjet e Tij janë më të paanshme, dekretet e Tij më të drejta dhe vendimet e Tij më të përsosura se ato të njeriut; dhe ashtu si njeriu gjykon bashkënjeriun e vet sipas ligjit dhe e dënon atë sipas ndëshkimit të ligjit, po ashtu gjykon Perëndia i qiellit ‘sipas veprave që janë bërë në trupin’. [Shih Alma 5:15.] Të thuash se paganët do të mallkohen sepse ata nuk besuan Ungjillin do të ishte e paarsyeshme dhe të thuash se çifutët do të mallkohen të gjithë se nuk besuan në Jezusin do të ishte po aq absurde; sepse ‘si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar, dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon, dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar’ [shih Romakëve 10:14–15]; si rrjedhojë as çifutët, as paganët nuk mund të jenë fajtorë se nuk kanë pranuar opinionet kontradiktore të sekteve të ndryshme fetare, as për mospranimin e çfarëdo dëshmie përveç asaj që është dërguar nga Perëndia, sepse, ashtu si predikuesi nuk mund të predikojë po të mos jetë dërguar, ashtu dhe dëgjuesi nuk mund të besojë [po të mos] dëgjojë një predikues ‘të dërguar’, dhe nuk mund të dënohet për atë që nuk ka dëgjuar, dhe duke qenë pa ligj, do të duhet të gjykohet pa ligj.”10
Është detyra dhe privilegji ynë të pagëzohemi dhe konfirmohemi për ata që kanë vdekur pa ungjillin.
“Kur flasim për bekimet që lidhen me Ungjillin dhe pasojat e lidhura me mosbindjen ndaj kërkesave, ne shpesh na pyesin se çfarë ka ndodhur me etërit tanë. A do të mallkohen ata të gjithë sepse nuk i janë bindur Ungjillit, kur ata nuk e dëgjuan kurrë atë? Sigurisht që jo. Por ata do të zotërojnë të njëjtin privilegj që gëzojmë ne këtu, me anë të mjetit të priftërisë së përhershme, e cila administron jo vetëm në tokë, por gjithashtu në qiell, dhe marrëveshjet e urta të Jehovasë së madh. Kështu që, ata personazhe që referohen nga Isaia [shih Isaia 24:21–22] do të vizitohen nga Priftëria dhe do të dalin nga burgu i tyre sipas të njëjtit parim si ata që ishin të pabindur në ditët e Noeut u vizituan nga Shpëtimtari ynë [që zotëronte Priftërinë e përhershme Melkizedeke] dhe të cilëve iu predikua Ungjilli prej Tij, në burg. Dhe në mënyrë që ata të mund të përmbushnin të gjitha [kërkesat] e Perëndisë, miq të gjallë u pagëzuan për miqtë e tyre të vdekur dhe kështu përmbushën kërkesën e Perëndisë që thotë: ‘Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë’. [Gjoni 3:5.] Ata u pagëzuan sigurisht, jo për vete, por për të vdekurit e tyre. … Pali, duke folur për doktrinën thotë: ‘Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?’ (1 Korintasve 15:29). …
Dhe tani, kur qëllimet e mëdha të Perëndisë po shpejtojnë drejt përmbushjes së tyre dhe gjërat që kanë thënë Profetët po përmbushen, ndërsa mbretëria e Perëndisë është vendosur në tokë dhe rendi i lashtë i gjërave është rivendosur, Zoti na e ka treguar ne këtë detyrë e privilegj dhe ne jemi urdhëruar të pagëzohemi për të vdekurit tanë, duke përmbushur kështu fjalët e Abdias, kur flet për lavdinë e ditëve të mëvonshme: ‘Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit’. [Shih Abdia 1:21.] Një kuptim i këtyre gjërave pajton Shkrimet e Shenjta të së vërtetës, ia justifikon mënyrat e Perëndisë njeriut, i jep shans të barabartë gjithë familjes njerëzore dhe harmonizohet me çdo parim të ndershmërisë, drejtësisë dhe së vërtetës. Do ta mbyllim me fjalët e Pjetrit: ‘Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë’. ‘Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.’ [1 Pjetri 4:3, 6.]”11
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni faqet 429–432, duke vënë re se si doktrina e shpëtimit për të vdekurit ndikoi mbi Jozef Smithin dhe familjen e tij. Çfarë ndikimi ka pasur kjo doktrinë tek ju dhe familja juaj?
Në faqet 432–435, rishihni mësimet e Profetit Jozef për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin. Në çfarë mënyrash ndikojnë këto mësime në mendimet dhe ndjenjat tuaja për Atin tonë në Qiell dhe Shpëtimtarin? Në çfarë mënyrash lidhen këto mësime me shpëtimin për të vdekurit?
Lexoni mësimet e Profetit në faqet 432–433 dhe 435–436. Si i gjykon Perëndia fëmijët e Tij?
Jozef Smithi tha se pagëzimi për të vdekurit është një “detyrë e privilegj” (faqe 437). Në çfarë mënyrash kjo punë është një detyrë? Çfarë përvojash keni pasur në të cilat keni ndier se ai është një privilegj? Çfarë mund të bëni ju që ta çoni më tej punën e Zotit për ata që kanë vdekur? Si mund të ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të marrin pjesë në këtë punë?
Si e tregon doktrina e shpëtimit për të vdekurit drejtësinë e Perëndisë? Si e tregon mëshirën e Tij? Pasi të lexoni këtë kapitull, si do t’ia shpjegonit këtë doktrinë dikujt të një besimi tjetër?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Isaia 49:8–9; 61:1–3; Gjoni 5:25; DeB 138:11–37