Parathënie
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësimet e Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar të thelloni kuptimin për ungjillin e rivendosur dhe për t’ju afruar Zotit nëpërmjet mësimeve të Presidentëve të ditëve të mëvonshme të Kishës. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Vëllimet në këtë seri janë hartuar që të përdoren si për studim vetjak, ashtu edhe për udhëzim në kuorum e në klasë.
Ky libër paraqet mësimet e Profetit Jozef Smith, të cilin Perëndia e thirri për të hapur periudhën e plotësisë së kohëve në këto ditë të fundit. Ndërmjet vegimit të tij të Atit dhe Birit në pranverën e 1820-ës dhe martirizimit të tij në qershor 1844, ai themeloi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe solli plotësinë e ungjillit që nuk do të merret më kurrë nga toka.
Studim Vetjak
Kur të studioni mësimet e Profetit Jozef Smith, kërkoni frymëzimin e Shpirtit. Kujtoni premtimin e Nefit: “Ai që kërkon me zell do të gjejë dhe misteret e Perëndisë do t’u shpalosen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (1 Nefi 10:19). Fillojeni studimin me lutje dhe vazhdoni të luteni e të meditoni në zemër ndërsa lexoni.
Në fund të çdo kapitulli do të gjeni pyetje dhe referenca nga shkrimet e shenjta që do t’ju ndihmojnë të kuptoni dhe të zbatoni mësimet e Jozef Smithit. Merrni parasysh t’i rishikoni para se të lexoni kapitullin.
Gjithashtu merrni parasysh sugjerimet që vijojnë:
Kërkoni fraza dhe fjalë kyç. Nëse gjeni një fjalë që nuk e kuptoni, përdorni një fjalor ose një burim tjetër për ta kuptuar më mirë. Shkruani një shënim në anë të fletës që t’ju ndihmojë të kujtoni çfarë keni mësuar për fjalën.
Mendoni rreth kuptimit të mësimeve të Jozef Smithit. Mund të dëshironi të nënvizoni fraza dhe fjali që mësojnë një parim të veçantë të ungjillit ose që ju prekin mendjen dhe zemrën, apo mund të dëshironi të shkruani në anë të fletës mendimet dhe ndjenjat tuaja.
Mendoni thellë mbi përvojat që keni pasur në lidhje me mësimet e Profetit.
Meditoni se si zbatohen për ju mësimet e Jozef Smithit. Mendoni se si mësimet lidhen me shqetësime apo pyetje që keni. Vendosni se çfarë do të bëni si rezultat i asaj që keni mësuar.
Mësimdhënia nga Ky Libër
Ky libër mund të përdoret për mësimdhënie në shtëpi ose në kishë. Sugjerimet e mëposhtme do t’ju ndihmojnë.
Përqendrohuni tek Fjalët e Jozef Smithit dhe Shkrimet e Shenjta
Zoti ka urdhëruar që ne të japim mësim “asgjë tjetër përveç asaj që profetët dhe apostujt kanë shkruar dhe që [na] është mësuar [neve] prej Ngushëlluesit nëpërmjet lutjes së besimit” (DeB 52:9). Ai ka deklaruar gjithashtu se “pleqtë, priftërinjtë dhe mësuesit e kësaj kishe do t’u mësojnë parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit, në të cilin është plotësia e ungjillit” (DeB 42:12).
Detyra juaj është të ndihmoni të tjerët të kuptojnë mësimet e Profetit Jozef Smith dhe shkrimet e shenjta. Mos e vini mënjanë këtë libër apo të përgatitni mësime nga materiale të tjera. Kushtojani një pjesë thelbësore të mësimit, leximit të mësimeve të Jozef Smithit në këtë libër dhe diskutimit të kuptimit e zbatimit të tyre.
Nxitini pjesëmarrësit ta sjellin këtë libër në kishë, që të jenë të përgatitur më mirë për të marrë pjesë në diskutimet e klasës.
Kërkoni Udhëheqjen e Frymës së Shenjtë
Kur luteni për ndihmë dhe përgatiteni me zell, Fryma e Shenjtë do të udhëheqë përpjekjet tuaja. Ai do t’ju ndihmojë të theksoni pjesët e secilit kapitull që do të nxitin të tjerët të kuptojnë dhe zbatojnë ungjillin.
Kur të jepni mësim, lutuni në zemrën tuaj që fuqia e Shpirtit të shoqërojë fjalët tuaja dhe diskutimet e klasës. Nefi tha: “Kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 33:1; shih gjithashtu DeB 50:13–22).
Përgatituni të Jepni Mësim
Kapitujt e këtij libri janë organizuar që t’ju ndihmojnë të përgatiteni të jepni mësim. Seksioni “Nga Jeta e Jozef Smithit” në secilin kapitull jep informacion mbi jetën e Jozef Smithit dhe historinë e hershme të Kishës, që mund të përdoret për të paraqitur dhe zhvilluar mësimin. Seksioni “Mësime të Jozef Smithit” ndahet në disa nënseksione, me tituj që përmbledhin pikat kryesore të kapitullit. Këta tituj mund të shërbejnë si pika plani nga i cili të jepni mësim. Seksioni i fundit, “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie”, jep pyetje dhe shkrime të shenjta që lidhen me mësimet.
Do të jeni më efikas në mësimdhënie kur bëni sa vijon:
Studioni kapitullin. Lexoni kapitullin që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Jozef Smithit. Do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur fjalët e tij t’ju kenë ndikuar personalisht (shih DeB 11:21). Ndërsa lexoni, mbani parasysh nevojat e atyre që u mësoni. Mund të dëshironi të nënvizoni doktrinat dhe parimet në kapitull që ju ndieni se do t’i ndihmojnë ata.
Vendosni se cilat pjesë të përdorni. Secili kapitull ka më shumë material nga sa ju do të jeni në gjendje të zhvilloni në një mësim. Në vend që të përpiqeni të trajtoni gjithë kapitullin, përzgjidhni me lutje doktrinat dhe parimet që ju ndieni se do të jenë më të dobishme për ata që u mësoni. Për shembull, mund të zgjidhni të përqendroheni tek një ose dy nënseksione dhe disa pyetje që do të ndihmojnë pjesëmarrësit të diskutojnë parimet në seksionet që ju keni zgjedhur.
Vendosni si do ta paraqitni mësimin. Për të ngjallur interes në fillim të mësimit, mund të ndani një përvojë vetjake, ose t’u kërkoni pjesëmarrësve të lexojnë një ndodhí nga fillimi i kapitullit, apo të shohin një figurë në kapitull. Pastaj mund të pyesni: “Çfarë na mëson kjo ndodhí (apo kjo figurë) për temën kryesore të kapitullit?” Zgjedhje të tjera për të filluar një mësim përfshijnë leximin e një shkrimi të shenjtë apo citati nga kapitulli, ose këndimin e një himni. Një tjetër ide e dobishme është t’u tregoni pjesëmarrësve se cilat do të jenë pikat kryesore të mësimit. Gjithashtu mund të dëshironi t’u kujtoni pjesëmarrësve mësimin e shkuar nga ky libër duke u kërkuar të kujtojnë ngjarje, njerëz, parime ose doktrina që u diskutuan.
Vendosni si të nxitni diskutim. Këtu duhet të shpenzoni shumicën e kohës së mësimit, pasi pjesëmarrësit i mësojnë më mirë doktrinat dhe parimet kur marrin pjesë në diskutimin e tyre. Rishihni sugjerimet për drejtimin e diskutimeve lartësuese në faqet XI–XII të këtij libri. Mund të përdorni pyetje nga “Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie” në fund të kapitullit. Ju mund të përgatitni edhe vetë disa pyetje duke përdorur sugjerimet në vijim:
Bëni pyetje që ndihmojnë pjesëmarrësit të kërkojnë fakte, ngjarje, doktrina dhe parime. Këto lloj pyetjesh i ndihmojnë pjesëmarrësit të përqendrohen në të vërteta të veçanta që ju dëshironi t’i theksoni dhe të familjarizohen me informacion të veçantë nga mësimet e Profetit. Për shembull, pasi të dalloni një citat të veçantë, ju mund të pyesni: “Cilat janë disa nga fjalët apo frazat kyçe në këtë citat?” ose “Cila është tema e këtij citati?”
Bëni pyetje që i ndihmojnë pjesëmarrësit të mendojnë mbi doktrinat dhe parimet që dha mësim Jozef Smithi. Këto lloj pyetjesh i nxisin pjesëmarrësit të shqyrtojnë dhe të ndajnë mendimet e ndjenjat e tyre rreth mësimeve të Jozef Smithit. Për shembull: “Si mendoni, përse ky mësim është i rëndësishëm?” ose “Çfarë mendimesh apo ndjenjash keni në lidhje me këtë citat?” ose “Çfarë do të thotë ky mësim për ju?”
Bëni pyetje që nxitin pjesëmarrësit të krahasojnë atë që kanë mësuar nga mësimet e Profetit me vetë mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre. Për shembull: “Çfarë përvojash keni pasur që lidhen me ato çfarë ka thënë Profeti Jozef Smith?”
Bëni pyetje që i ndihmojnë pjesëmarrësit të zbatojnë në jetën e tyre atë që kanë mësuar. Këto pyetje i ndihmojnë pjesëmarrësit të mendojnë për mënyrat se si mund të jetojnë sipas mësimeve të Jozef Smithit. Për shembull: “Çfarë na nxit të bëjmë Jozef Smithi? Në çfarë mënyrash mund ta zbatojmë atë që tha ai?” Kujtojini pjesëmarrësit se ata do të mësojnë jo vetëm nga çka thuhet, por gjithashtu nga zbulesa e drejtpërdrejtë për ata (shih DeB 121:26).
Vendosni si ta mbyllni mësimin. Mund të zgjidhni ta përmblidhni shpejt mësimin ose t’i kërkoni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Siç nxiteni nga Shpirti, jepni dëshminë mbi mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të ndajnë dëshmitë e tyre. Nxitini ata që mësoni të ndjekin shtytjet që kanë marrë nga Fryma e Shenjtë.
Ndërsa përgatiteni të jepni mësim mund të dëshironi të kërkoni ide në Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka thirrje më të Madhe] (36123), pjesa B, kapitujt 14, 16, 28 dhe 29; ose në Teaching Guidebook [Libri Udhëzues i Mësimdhënies] (34595).
Drejtoni Diskutime Lartësuese
Sugjerimet e mëposhtme do t’ju ndihmojnë të nxitni dhe të drejtoni diskutime lartësuese:
Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Ai mund t’ju shtyjë të bëni pyetje të caktuara ose të përfshini në diskutim njerëz të caktuar.
Nxitini pjesëmarrësit të përqendrohen tek mësimet e Jozef Smithit. Bëjini të lexojnë fjalët e tij për të hapur diskutim dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve. Nëse diskutimi fillon të dalë nga tema, apo të bëhet hamendësues ose kundërshtues, ridrejtojeni diskutimin duke iu referuar përsëri një ngjarjeje, doktrine apo parimi në kapitull.
Si të jetë me vend, ndani përvoja që kanë të bëjnë me mësimet në kapitull.
Nxitini pjesëmarrësit të japin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë njëri-tjetrin (shih DeB 88:122). Për shembull, mund t’u kërkoni të komentojnë atë që kanë thënë të tjerët, ose mund t’ia drejtoni një pyetje disa pjesëmarrësve.
Mos kini frikë nga heshtja pasi keni bërë një pyetje. Shpesh ata që mësoni kanë nevojë për kohë për t’u menduar apo për të kërkuar në librat e tyre, përpara se të ndajnë ide, dëshmi dhe përvoja.
Dëgjoni me sinqeritet dhe synoni të kuptoni komentet e çdokujt. Shprehni mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.
Kur pjesëmarrësit ndajnë disa ide, merrni parasysh t’i renditni idetë në tabelë ose i kërkoni dikujt tjetër ta bëjë këtë.
Kërkoni mënyra të ndryshme për t’i përfshirë pjesëmarrësit në diskutim. Për shembull, mund t’i vini të diskutojnë pyetjet në grupe të vogla ose me personin që kanë pranë.
Merrni parasysh të takoni që më parë një apo dy pjesëmarrës. Kërkojuni të vijnë në klasë të përgatitur për t’iu përgjigjur njërës prej pyetjeve që keni përgatitur.
Përdorni një himn, veçanërisht një himn mbi Rivendosjen, për të përforcuar diskutimin e një të vërtete të ungjillit. Të kënduarit e një himni është gjithashtu një mënyrë efektive për ta paraqitur ose për ta mbyllur një mësim.
Mos i jepni fund një diskutimi të mirë vetëm sepse dëshironi të trajtoni gjithë materialin që keni përgatitur. Ajo që ka më shumë rëndësi është që pjesëmarrësit të ndiejnë ndikimin e Shpirtit dhe të rritin zotimin e tyre për të jetuar ungjillin.
Mësime për Kohën Tonë
Ky libër trajton mësime të Profetit Jozef Smith që zbatohen në kohën tonë. Për shembull, ky libër nuk diskuton tema të tilla si mësimet e Profetit në lidhje me ligjin e përkushtimit siç zbatohej për kujdestarinë e pasurisë. Zoti e tërhoqi këtë ligj nga Kisha sepse shenjtorët nuk ishin të përgatitur ta jetonin atë (shih DeB 119, kreu i seksionit). Ky libër nuk trajton as martesën e shumëfishtë. Doktrinat dhe parimet në lidhje me martesën e shumëfishtë iu zbuluan Jozef Smithit që në 1831. Profeti dha mësim doktrinën e martesës së shumëfishtë dhe gjatë jetës së tij, u kryen disa martesa të tilla. Për disa dekada në vijim, nën drejtimin e Presidentëve të Kishës që pasuan Jozef Smithin, një numër i konsiderueshëm anëtarësh të Kishës hynë në martesa të shumëfishta. Në vitin 1890, Presidenti Uillford Udraf nxori “Manifestin”, i cili e ndërpreu martesën e shumëfishtë në Kishë (shih Deklarata Zyrtare 1). Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk e praktikon më martesën e shumëfishtë.
Informacion mbi Burimet e Cituara në Këtë Libër
Mësimet e Profetit Jozef Smith të paraqitura në këtë libër janë marrë nga disa kategori materialesh burimore: predikimet e Profetit, artikuj të përgatitur për botim nga Profeti ose nën drejtimin e tij, letrat dhe ditarët e Profetit, kujtime të shkruara të atyre që e kanë dëgjuar të fliste Profetin dhe disa nga mësimet e shkrimet e Profetit që u shpallën më vonë zyrtarisht shkrim i shenjtë. Shumë nga mësimet e Jozef Smithit janë cituar nga History of the Church [Historia e Kishës]. Për informacion të mëtejshëm mbi këto burime shih shtojcën.
Në këtë vepër janë cituar një numër burimesh të pabotuara. Atje ku ka qenë e nevojshme, është standardizuar drejtshkrimi, përdorimi i shenjave të pikësimit, përdorimi i germës së madhe dhe gramatika për të përmirësuar lexueshmërinë. Gjithashtu janë shtuar ose ndryshuar ndarjet në paragrafë për të përmirësuar lexueshmërinë. Kur citimet janë nga materiale burimore të botuara, burimet janë cituar pa ndryshim, përveç nëse shënohet ndryshe. Gjithë materiali brenda kllapave katrore është shtuar nga redaktorët e këtij libri, përveç nëse shënohet ndryshe.