Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: Perëndia, Ati i Përjetshëm


Kapitulli 2

Perëndia, Ati i Përjetshëm

“Qëllimet e Perëndisë sonë janë të mrekullueshme, dashuria e Tij e pamatshme, urtësia e Tij e pafund dhe fuqia e Tij e pakufizuar; prandaj, shenjtorët kanë përse të gëzohen e të kënaqen.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Nga paraardhësit e Jozef Smithit, shumë kërkuan të njihnin Perëndinë e vërtetë gjatë jetës së tyre. Vetë prindërit e Jozefit ishin thellësisht shpirtërorë dhe, ndonëse nuk gjetën të vërtetën e plotë për Perëndinë në kishat rreth tyre, ata e nderonin Biblën si fjalën e Perëndisë dhe e kishin bërë lutjen pjesë të jetës së përditshme. Vëllai i Profetit, Uilliami, kujtonte: “Zakonet fetare të babait tim ishin rreptësisht besimtare dhe morale. … Më thërrisnin të dëgjoja lutjet edhe në mbrëmje edhe në mëngjes. … Prindërit, babai dhe nëna, i derdhnin shpirtin e tyre Perëndisë, dhuruesit të të gjitha bekimeve, për të mbrojtur e ruajtur fëmijët e tyre dhe për t’i larguar nga mëkati dhe gjithë punët e liga. I tillë ishte devocioni i rreptë i prindërve të mi”1. Uilliami tha gjithashtu: “Gjithmonë kemi pasur lutje familjare, që kur mund të kujtoj. Më kujtohet mirë babai që i mbante gjyzlykët në xhepin e jelekut, … dhe kur ne djemtë e shihnim që kërkonte gjyzlykët, e dinim se ishte sinjali për t’u gatitur për lutjen dhe nëse nuk do ta vinim re, nëna do të thoshte ‘Uilliam’, ose kujtdo që ishte i shkujdesuri, ‘përgatitu për lutjen’. Pas lutjes do të këndonim një këngë; pjesë të saj e kujtoj ende: ‘Një ditë tjetër vate e shkoi, Ne tani teshat ndërrojmë’.”2

Ky trajnim shpirtëror qysh herët u zhyt thellë në shpirtin e Jozef Smithit të ri. Kur u shqetësua për mirëqenien e tij të përjetshme dhe kërkoi të dinte se me cilën kishë të bashkohej, ai e dinte se mund t’i drejtohej Perëndisë për përgjigje:

“Mësova në shkrimet e shenjta se Perëndia ishte i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë, se ai ishte i paanshëm, sepse ai ishte Perëndi. Sepse unë pashë diellin, ndriçuesin e shkëlqyeshëm të tokës; gjithashtu edhe hënën që rrotullohej me madhështinë [e saj] në qiej, si dhe yjet që shkëlqejnë në orbitën e tyre; si dhe tokën ku unë qëndroja, dhe kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, dhe peshqit e ujërave; edhe njeriun që ecën përpara në faqen e tokës në madhështi dhe në fuqinë e bukurisë, [me] pushtet dhe inteligjencë në qeverisjen e gjërave që janë kaq tej mase madhështore e të mrekullueshme, madje në ngjashmëri të atij që i krijoi ato.

Dhe kur mendova për këto gjëra, zemra ime thërriti: ‘Ka thënë mirë i mençmi se njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë që Perëndi nuk ka’ [shih Psalmet 53:1]. Zemra ime thërriti: ‘Të gjitha këto japin dëshmi dhe tregojnë një forcë të plotfuqishme e të gjithëpranishme, një Qenie që bën ligjet, dhe urdhëron, dhe lidh të gjitha gjërat në lidhjet e tyre, që mbush përjetësinë, që ishte, dhe është, dhe do të jetë nga gjithë përjetësia në përjetësi. Dhe kur mendova gjithë këto gjëra dhe se ajo Qenie kërkon që ta adhurojnë ata që e adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën [shih Gjoni 4:23], atëherë i thirra Zotit për mëshirë, sepse nuk ishte askush tjetër tek i cili të mund të shkoja dhe të merrja mëshirë”3.

Lutja besnike e Jozefit për mëshirë dhe urtësi mori përgjigje me Vegimin e Parë. Ai vegim i dha Profetit të ri shumë më tepër njohuri mbi Perëndinë nga sa kishte cilado nga kishat e kohës së tij, njohuri që bota e kishte humbur prej shekujsh. Në Vegimin e Parë, Jozefi mësoi vetë se Ati dhe Biri janë qenie të veçanta, se fuqia e Tyre është më e madhe se fuqia e së ligës dhe se njeriu është bërë vërtet sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë – të vërteta që janë thelbësore për të kuptuar marrëdhënien tonë reale me Atin tonë në Qiell.

Vijuan zbulesa të tjera për natyrën e Perëndisë, përfshirë shumë që janë tani në shkrimet tona të shenjta të ditëve të mëvonshme. Si mjeti i zgjedhur nga Perëndia për rivendosjen e të vërtetës së ungjillit në botë, Profeti dëshmoi për Perëndinë gjatë gjithë shërbesës së tij. “Unë do të kërkoj për Perëndinë”, deklaroi ai, “sepse dua që ju të gjithë të dini për Të dhe ta njihni Atë. … Atëherë ju do ta dini se unë jam shërbëtori i Tij; sepse flas si një njeri që ka autoritet”4.

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia është Ati i dashur i gjithë njerëzimit dhe burimi i gjithçkaje të mirë.

“Ndërkohë që një pjesë e racës njerëzore po i gjykon dhe dënon të tjerët pa mëshirë, Prindi i Madh i universit e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes dhe vëmendje atërore; Ai i sheh ata si fëmijët e Tij dhe, pa asnjë nga ato ndjenja zemërngushta që ndikojnë fëmijët e njerëzve, bën që ‘të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët’. [Mateu 5:45.]”5

“Ne pranojmë se Perëndia është origjina dhe burimi i madh prej nga rrjedh gjithë e mira; se Ai është inteligjenca e përkryer, dhe se urtësia e Tij mjafton e vetme për të qeverisur dhe rregulluar krijesat dhe botët e fuqishme që ndriçojnë e flakërojnë me një mrekulli e shkëlqim të tillë mbi kokën tonë, sikur të preken nga gishti i Tij dhe të lëvizen nga fjala e Tij e Plotfuqishme. … Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij [shih Psalmet 19:1]; dhe një çast arsyetimi mjafton për t’i mësuar çdo njeriu me zgjuarsi të zakonshme, se të gjitha këto nuk janë prodhime thjesht të rastësisë, as nuk mund të mbështeten nga një fuqi më e vogël se një dorë e Plotfuqishme.”6

“Perëndia sheh arsyet e fshehta të veprimeve njerëzore dhe njeh zemrën e gjithë të gjallëve.”7

“Qëllimet e Perëndisë sonë janë të mrekullueshme, dashuria e Tij e pamatshme, urtësia e Tij e pafundme dhe fuqia e Tij e pakufizuar; prandaj, shenjtorët kanë përse të gëzohen e të kënaqen duke ditur se ‘ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; Ai do të jetë Udhëheqësi ynë deri në vdekje’. [Psalmet 48:14.]”8

Kur kuptojmë karakterin e Perëndisë, kuptojmë vetveten dhe dimë si t’i qasemi Atij.

“Ka vetëm pak qenie në botë që kuptojnë drejt karakterin e Perëndisë. Pjesa më e madhe e njerëzimit nuk kuptojnë asgjë, as atë që ka kaluar, as atë që do të vijë, në lidhje me marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Ata nuk dinë, as nuk kuptojnë natyrën e asaj marrëdhënieje; dhe si rrjedhim, ata dinë fare pak më tepër se një kafshë e egër, ose pak më shumë se të hanë, të pinë dhe të flenë. Kjo është gjithçka që njeriu di për Perëndinë ose ekzistencën e Tij, përveç nëse jepet me frymëzim nga i Plotfuqishmi.

Nëse njeriu mëson veçse të hajë, të pijë e të flejë dhe nuk kupton asnjë nga planet e Perëndisë, të njëjtat gjëra kupton shtaza. Ajo ha, pi, fle dhe nuk di asgjë për Perëndinë; ende ajo di po aq sa ne, po të mos jemi në gjendje të kuptojmë me anë të frymëzimit nga Perëndia i Plotfuqishëm. Nëse njerëzit nuk kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten. Dua të kthehem tek fillimi dhe kështu t’i ngre mendjet tuaja në sfera më të larta dhe në një kuptim më të ekzaltuar nga ajo që dëshiron zakonisht mendja njerëzore.

… Shkrimet na informojnë se: ‘Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar’. [Gjoni 17:3.]

Nëse ndonjë njeri nuk e njeh Perëndinë dhe pyet se çfarë lloj qenieje është Ai, – nëse do të kërkojë me zell vetë zemrën e tij – nëse shpallja e Jezusit dhe apostujve është e vërtetë, ai do ta kuptojë se ai nuk ka jetë të përjetshme; sepse jeta e përjetshme nuk bazohet në parim tjetër.

Synimi im i parë është të zbuloj karakterin e të vetmit Perëndi të urtë dhe të vërtetë, si dhe çfarë lloj qenieje është Ai. …

Perëndia Vetë ishte njëherë siç jemi ne tashti, dhe është një njeri i ekzaltuar dhe ulet i kurorëzuar në qiejt atje lart! Ky është sekreti i madh. Nëse veli do të grisej sot dhe Perëndia i madh, që mban këtë botë në orbitën e saj dhe që mban gjithë botët e gjithë gjërat me fuqinë e Tij, do të bëhej i dukshëm, – ju them, nëse do ta shihnit Atë sot, do ta shihnit Atë me formën e një njeriu – si ju vetë, në të gjithë personin, imazhin dhe vetë formën e një njeriu; sepse Adami u krijua sipas vetë modelit, imazhit dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe mori udhëzim, eci, foli e bisedoi me Atë, ashtu si një njeri flet e komunikon me një tjetër. …

… Kur kemi njohuri për Perëndinë, fillojmë të dimë si t’i qasemi Atij dhe si të pyesim në mënyrë që të marrim përgjigje. Kur kuptojmë karakterin e Perëndisë dhe dimë si të vijmë tek Ai, Ai fillon të na shpalosë qiejt dhe të na tregojë gjithçka për ta. Kur ne jemi gati të vijmë tek Ai, Ai është gati të vijë tek ne.”9

Në Kreun-Perëndi ka tre personazhe të veçantë dhe të dallueshëm.

Nenet e Besimit 1:1: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”10.

Jozef Smithi na mësoi sa vijon në prill 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 130:22: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne”11.

“Kam deklaruar gjithmonë se Perëndia është një personazh i dallueshëm, Jezu Krishti është një personazh i veçantë dhe i dallueshëm nga Perëndia Atë dhe se Fryma e Shenjtë ishte një personazh i dallueshëm dhe një Shpirt: dhe këta të tre përbëjnë tre personazhe të veçantë dhe tre Perëndi.”12

“Ai që nuk ka trup ose pjesë s’është asgjë. Nuk ka Perëndi tjetër në qiell përveç Perëndisë që ka mish e kocka.”13

Kreu-Perëndi është në unitet të përsosur dhe Perëndia Atë kryeson.

“Është folur shumë për Perëndinë dhe Kreun-Perëndi. … Mësuesit e sotëm thonë se Ati është Perëndi, Biri është Perëndi, dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi, dhe ata janë të gjithë në një trup dhe një Perëndi. Jezusi u lut që ata që Ati i kishte dhënë atij nga bota të mund të ishin një në ta, ashtu si ata ishin një [shih Gjoni 17:11–23]. …

Pjetri dhe Stefani dëshmuan se ata panë Birin e Njeriut të qëndronte në këmbë në të djathtën e Perëndisë. Cilido person që ka parë qiejt të hapen e di se ka tre personazhe në qiej që mbajnë çelësat e fuqisë dhe një kryeson mbi të gjithë.”14

“Midis tre personazheve u bë besëlidhja e përjetshme përpara organizimit të kësaj toke dhe lidhet me shpërndarjen prej tyre të gjërave për njerëzit në tokë. Këta personazhe … quhen Perëndia i pari, Krijuesi; Perëndia i dytë, Shëlbuesi; dhe Perëndia i tretë, Dëshmitari ose Dëshmuesi.”15

“[Është] kompetenca e Atit të kryesojë si Kryetari ose Presidenti, Jezusi si Ndërmjetësuesi, dhe Fryma e Shenjtë si Dëshmuesi ose Dëshmitari. Biri [ka] një tabernakull e po kështu edhe Ati, por Fryma e Shenjtë është një personazh shpirtëror pa tabernakull.”16

“Shkrimi i shenjtë thotë ‘Unë dhe Ati jemi një’ [Gjoni 10:30] dhe sërish se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë një, dhe se këta të tre janë të një mendimi [shih 1 Gjoni 5:7–8]. Kështu iu lut Shpëtimtari Atit: ‘Unë … nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë … që të jenë një’, ose e thënë ndryshe që të jenë në një mendje në unitetin e besimit [shih Gjoni 17:9, 11]. Por secili duke qenë një person i ndryshëm apo i veçantë, kështu janë Perëndia dhe Jezu Krishti, dhe Fryma e Shenjtë persona të veçantë, por të gjithë ata bien dakord në një mendim ose një gjë identike.”17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 39–40, duke vërejtur se si i riu Jozef Smith pa provat e një “force të plotfuqishme e të gjithëpranishme” në botën rreth tij. Kur keni vërejtur botën rreth jush, çfarë keni parë që jep dëshmi për Perëndinë?

  • Rishihni seksionin e parë të kapitullit (faqe 41), duke kërkuar mësime që zbulojnë karakterin e Perëndisë. Si mund të na ndihmojnë këto mësime të “[gëzojmë] e të kënaqe[mi]”?

  • Jozef Smithi na mësoi: “Prindi i Madh i universit e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes atëror dhe vëmendje prindërore” (faqe 41). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa meditoni këtë thënie?

  • Lexoni paragrafin që fillon në fund të faqes 41 si dhe paragrafin tjetër. Përse është e pamundur të kuptojmë vetveten nëse nuk kuptojmë karakterin e Perëndisë?

  • Profeti Jozef Smith dëshmoi se Perëndia Atë, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë “tre personazhe të veçantë”. Ai gjithashtu na mësoi se Ata janë një (faqe 44). Në ç’mënyra anëtarët e Kreut-Perëndi janë një? (Për disa shembuj, shih faqen 44.)

  • Në ç’mënyra prindërit mund të ushqejnë dashurinë e fëmijëve për Atin Qiellor? (Për disa shembuj, shih faqen 39.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse:Gjoni 8:17–19; Hebrenjve 1:1–3; 12:9; Moisiu 1:3–6, 39

Shënime

  1. William Smith, Notes on Chambers’ life of Joseph Smith, rreth 1875, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. William Smith, intervistë nga E. C. Briggs dhe J. W. Peterson, tetor ose nëntor 1893, botuar së pari në Zion’s Ensign (periodik i botuar nga Kisha e Riorganizuar e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që quhet tani Komuniteti i Krishtit); rishtypur në Deseret Evening News, 20 janar 1894, f. 2; janë modernizuar shenjat e pikësimit.

  3. Joseph Smith, History 1832, f. 2–3; Letter Book 1, 1829–1835, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 6:305; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  5. History of the Church, 4:595; nga “Baptism for the Dead”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 prill 1842, f. 759; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  6. History of the Church, 2:12, 14; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 136; mars 1834, f. 142.

  7. History of the Church, 1:317; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William W. Phelps, 11 janar 1833, Kirtland, Ohio; kjo letër është datuar pasaktësisht 14 janar 1833, në History of the Church.

  8. History of the Church, 4:185; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, shtator 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 178.

  9. History of the Church, 6:303–305, 308; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën në këtë libër, faqe 598, pika 3.

  10. Nenet e Besimit 1:1.

  11. Doktrina e Besëlidhje 130:22; udhëzime dhënë nga Joseph Smith-i më 2 prill 1843, në Ramus, Illinois.

  12. History of the Church, 6:474; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  13. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 7, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  14. History of the Church, 5:426; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  15. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 10–11, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  16. Cituar nga William P. McIntire, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës. William McIntire bëri relacione të shkurtra për disa fjalime të mbajtura nga Joseph Smith-i në Nauvoo nga fillimi i vitit 1841. Ky libër citon nga katër prej këtyre relacioneve, ku asnjëri nuk është i datuar.

  17. Cituar nga George Laub, në përmbledhje fragmentesh të fjalimeve të Joseph Smith-it, rreth vitit 1845; George Laub, Reminiscences and Journal janar 1845–prill 1857, f. 29–30, Arkivat e Kishës.

First Vision

Në Vegimin e Parë, Jozef Smithi mësoi vetë se Ati dhe Biri janë qenie të veçanta dhe se njeriu është bërë vërtet sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë – të vërteta që janë thelbësore për të kuptuar marrëdhënien tonë reale me Atin tonë në Qiell.

woman praying

“Kur kemi njohuri për Perëndinë, fillojmë të dimë si t’i qasemi Atij dhe si të pyesim në mënyrë që të marrim përgjigje.”