Mësime të Presidentëve
Kapitulli 5: Pendimi


Kapitulli 5

Pendimi

“Tamam që sonte le të fillojmë rishtas dhe të themi tani, me gjithë zemër, se do t’i braktisim mëkatet tona dhe do të jemi të drejtë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Më 14 qershor 1828, Martin Herrisi u largua nga Harmonia në Pensilvani, duke marrë me vete 116 faqet e para të dorëshkrimit të përkthyera nga fletët e arta për t’ua treguar disa prej pjesëtarëve të familjes së tij në Palmira të Nju-Jorkut. Tamam të nesërmen, lindi fëmija i parë i Jozefit dhe Emës, një djalë që e quajtën Alvin. Foshnja vdiq po atë ditë dhe shëndeti i Emës u përkeqësua derisa ajo qe edhe vetë pranë vdekjes. Nëna e Profetit shkroi më vonë: “Për njëfarë kohe, [Ema] dukej se fërgëllonte midis jetës dhe vdekjes. Fati i saj dukej kaq i pasigurt për një periudhë saqë në një kohë prej dy javësh bashkëshorti i saj nuk bëri as edhe një orë gjumë pa merak. Në fund të kësaj kohe, ankthi i tij për dorëshkrimin u bë kaq i madh saqë ai e ndau mendjen, ndërsa e shoqja ishte tani pak më mirë, që sapo ajo të merrte pak më tepër forca, ai do të udhëtonte për në Nju-Jork dhe do të kujdesej për dorëshkrimin.”1

Në korrik, me sugjerimin e Emës, Profeti e la Emën nën kujdesin e nënës së saj dhe udhëtoi me një karrocë udhëtarësh për në shtëpinë e prindërve të tij në qytezën e Mançesterit në Nju-Jork. Udhëtimi i Profetit ishte i gjatë rreth 200 kilometra dhe atij iu deshën dy apo tre ditë për ta kryer. I trallisur nga humbja e birit të tij të parë, i shqetësuar për të shoqen dhe tejet i merakosur për dorëshkrimin, Jozefi as hëngri dhe as fjeti gjatë të gjithë udhëtimit. Një bashkudhëtar, i vetmi pasagjer tjetër në karrocë, vërejti gjendjen e dobësuar të Profetit dhe nguli këmbë që ta shoqëronte gjatë rrugëtimit në këmbë prej 32 kilometrash, që nga stacioni i karrocave deri tek shtëpia e familjes Smith. Për gjashtë e gjysmë kilometrat e fundit të udhëtimit, kujton nëna e Profetit, “të huajit iu desh ta tërhiqte Jozefin për krahu; sepse fuqia fizike e Jozefit ishte tepër e shteruar për ta mbështetur atë më tej dhe ai do të binte në gjumë ndërsa qëndronte në këmbë”2. Menjëherë sapo mbërriti në shtëpinë e prindërve të tij, Profeti dërgoi të thërrisnin Martin Herrisin.

Martini mbërriti në shtëpinë e Smithëve herët nga pasditja, i vrarë shpirtërisht dhe i dëshpëruar. Ai tha se nuk e kishte dorëshkrimin dhe as nuk e dinte se ku ishte. Kur e dëgjoi këtë, Jozefi thirri: “Oh! Perëndia im, Perëndia im. … Jam i humbur, i humbur. Çfarë duhet të bëj? Unë kam mëkatuar. Isha unë që tundova zemërimin e Perëndisë duke i kërkuar atë që nuk kisha të drejtë të kërkoja. … Si do t’i drejtohem Zotit? A nuk e meritoj çfarëdo lloj qortimi nga engjëlli i Më Të Lartit?”

Ndërsa dita kalonte, Profeti ecte tutje e tëhu në shtëpinë e prindërve të tij me shqetësim të madh, “duke qarë e duke u vrerosur”. Ditën tjetër ai u largua për t’u kthyer në Harmoni, ku, tha ai: “fillova të përulem me lutje të fuqishme para Zotit … që po të ishte e mundur, të mund të merrja mëshirë nga duart e tij dhe të merrja falje për të gjitha ato që kisha bërë të cilat ishin në kundërshtim me vullnetin e tij”3.

Zoti e ndëshkoi ashpër Profetin sepse kishte pasur frikë njeriun më shumë se Perëndinë, por e siguroi se ai mund të merrte falje. “Ti je Joseph-i” tha Zoti “dhe u zgjodhe të bëje veprën e Zotit, por për shkak të shkeljes, nëse nuk je i kujdesshëm, ti do të biesh. Por kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu për atë që ke bërë, e cila është në kundërshtim me urdhërimin që unë të dhashë dhe ende je i zgjedhur e përsëri je i thirrur për veprën” (DeB 3:9–10).

Për njëfarë kohe, Zoti i mori Urimin e Thumimin dhe fletët nga Jozefi. Por këto gjëra shpejt iu rikthyen atij. “Engjëlli gëzonte kur më dha përsëri Urimin dhe Thumimin”, kujtoi Profeti, “dhe tha se Perëndia ishte i kënaqur nga besnikëria e përulësia ime dhe se më donte për pendesën e zellin tim në lutje, në të cilat e kisha kryer detyrën time aq mirë sa të … isha në gjendje që të nisja përsëri punën e përkthimit.”4 Ndërkohë që Jozefi përparonte në punën e madhe që kishte përpara, tani ai ishte i përforcuar nga ndjenjat e ëmbla të marrjes së faljes së Zotit dhe nga një vendosmëri e përtërirë për të bërë vullnetin e Tij.

Mësime të Jozef Smithit

Duke u penduar për mëkatet tona, ne i avitemi Perëndisë dhe bëhemi më shumë si Ai.

Uillford Udraf, ndërsa shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, kujtoi: “Jozefi, Shikuesi, u rrit në fuqinë e Perëndisë; i bëri vërejtje dhe e qortoi ligësinë para njerëzve, në emrin e Perëndisë Zot. Ai dëshironte të thoshte disa fjalë që përputheshin me situatën e masës së përgjithshme dhe pastaj tha:

‘Unë do të flas me autoritetin e Priftërisë në emrin e Perëndisë Zot. … Ndonëse kjo grigjë pretendon të jenë shenjtorë, përsëri unë qëndroj në mes të të gjithë [llojeve të] karaktereve dhe tipave të njerëzve. Nëse dëshironi të shkoni atje ku është Perëndia, ju duhet të jeni si Perëndia, apo të zotëroni parimet që Perëndia zotëron, sepse nëse ne nuk i avitemi Perëndisë në parim, ne largohemi nga Ai dhe i avitemi djallit. Po, unë po qëndroj në mes të të gjithë llojeve të njerëzve.

Shqyrtoni zemrat tuaja dhe shihni nëse jeni si Perëndia. Unë e kam shqyrtuar timen dhe e ndiej të pendohem për të gjitha mëkatet e mia.

Ne kemi vjedhës midis nesh, shkelës kurore, gënjeshtarë, hipokritë. Nëse Perëndia do të fliste nga qielli, Ai do t’ju urdhëronte të mos vidhni, të mos kryeni shkelje kurore, të mos jeni lakmitarë, të mos mashtroni, por të jeni besnikë në gjëra të vogla. … A nuk është Perëndia i mirë? Atëherë ju të jeni të mirë; nëse Ai është besnik, atëherë ju të jeni besnikë. T’i shtoni besimit tuaj virtytin, virtytit diturinë dhe kërkoni çdo gjë të mirë. Kisha duhet të pastrohet dhe unë predikoj kundër gjithë padrejtësisë.’”5

“Ju duhet të jeni të pafajshëm, ose ju nuk mund të dilni para Perëndisë: nëse ne do të dalim para Perëndisë, ne duhet ta mbajmë veten të pastër, siç është i pastër Ai. Djalli ka fuqi të madhe që të mashtrojë; ai do t’i shndërrojë gjërat saqë t’i bëjë njerëzit të shohin me mosbesim ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë. … Ligësia duhet të spastrohet nga mesi i shenjtorëve; atëherë veli do të griset dhe bekimet e qiellit do të rrjedhin – ato do të rrokullisen teposhtë ashtu si lumi Misisipi.”6

“Asnjë njeri të mos e shpallë botërisht drejtësinë e vet, sepse të tjerët mund ta shohin atë; në vend të kësaj le të rrëfejë mëkatet e tij, dhe atëherë ai do të falet, dhe ai do të japë edhe më shumë fryt.”7

“Të gjitha zemrat duhet të pendohen e të jenë të dëlira dhe Perëndia do t’i mbajë parasysh e do t’i bekojë në atë mënyrë sa ata nuk do të mund të bekohen në asnjë mënyrë tjetër.”8

Vullneti i Perëndisë është që ne të braktisim mëkatet tona dhe të shkulim të keqen nga gjiri ynë.

“Dëgjojeni këtë, të gjitha ju skajet e botës – të gjithë ju priftërinj, të gjithë ju mëkatarë dhe të gjithë njerëzit. Pendohuni! Pendohuni! Bindjuni Ungjillit. Kthehuni tek Perëndia.”9

“Le ta fillojmë ne tamam këtë ditë sërishmi dhe tani të themi me të gjithë zemrën tonë, ne do të braktisim mëkatet tona dhe do të jemi të drejtë.”10

“Mosbesuesi do të shtrëngojë çdo fije kashte për ndihmë derisa vdekja ta shohë në fytyrë, dhe atëherë mosbesimi i tij arratiset, sepse të vërtetat e botës së përjetshme po qëndrojnë mbi të me fuqi të madhe; dhe, kur çdo mbështetje dhe përkrahje tokësore ta lërë në baltë, atëherë ai do të ndiejë me arsye të vërtetat e përjetshme të pavdekësisë së shpirtit. Ne duhet t’ia vemë veshin paralajmërimit dhe të mos presim që të pendohemi në shtratin e vdekjes; kur shohim të miturin që e merr vdekja, po ashtu edhe i riu, edhe njeriu në moshë të mesme, ashtu si i mituri, mund të thirret befas në përjetësi. Kjo atëherë, le të jetë si një paralajmërim për të gjithë që të mos e shtyjnë pendimin, apo të mos presin deri në shtratin e vdekjes, sepse është vullneti i Perëndisë që njeriu duhet të pendohet dhe t’i shërbejë Atij kur është i shëndetshëm, kur ka forcën e fuqinë e mendjes, që të mund të sigurojë bekimet e Tij, dhe të mos presë derisa të thirret për të vdekur.”11

“Sakramenti iu administrua Kishës [më 1 mars 1835]. Para administrimit, unë fola për rendin e duhur të kësaj ordinance në Kishë dhe i dhashë shtysë rëndësisë së kryerjes së saj me pranim para Zotit, dhe pyeta: ‘Për sa kohë mendoni se një njeri mund ta marrë këtë ordinancë padenjësisht dhe Zoti të mos e tërheqë Shpirtin e Tij prej atij [njeriu]? Për sa kohë ai do të luajë me gjëra të shenjta dhe Zoti të mos ia dorëzojë goditjeve të Satanit deri në ditën e shëlbimit?’… Prandaj zemrat tona duhet të jenë të përulura dhe ne të pendohemi për mëkatet tona, dhe të shkulim të keqen nga gjiri ynë.”12

“Pendesa është diçka që nuk mund të trajtohet lehtë çdo ditë. Shkelja e përditshme dhe pendesa e përditshme nuk është ajo që është e kënaqshme në pamjen e Perëndisë.”13

Profeti Jozef Smith i shkroi sa më poshtë vëllait të tij Uilliam Smith pasi Uilliami ishte nxehur me të dhe e kishte trajtuar me përbuzje: “[Unë të kam folur] për qëllimin e veçantë të përpjekjes për të të paralajmëruar, këshilluar, qortuar dhe shpëtuar nga rënia në vështirësi dhe hidhërime, ku kam parashikuar se do të zhytesh, duke iu dorëzuar atij shpirti të keq, të cilin ti e quan pasionet e tua, të cilin ti duhet ta mbash nën fre dhe ta mposhtësh, dhe ta vësh nën këmbët e tua; gjë që, nëse nuk e bën, ti kurrë nuk mund të shpëtohesh, sipas pikëpamjes time, në Mbretërinë e Perëndisë. Perëndia kërkon që vullneti i krijesave të Tij të shkrihet në vullnetin e Tij.”14

Ati ynë Qiellor është i gatshëm të falë ata që pendohen dhe kthehen tek Ai me qëllim të plotë të zemrës.

Në vitin 1835 Jozef Smithi mori një letër nga Harvei Uitlok, i cili e kishte braktisur Kishën dhe dëshironte të kthehej në shoqërim të plotë. Profeti u përgjigj: “E kam marrë letrën tuaj të datës 28 shtator 1835 dhe e kam lexuar dy herë, dhe më ka dhënë ndjesi që më mirë përfytyrohen sesa përshkruhen; le të mjaftojë të them se ndjenjat e zemrës sime ishin të papërmbajtshme – unë nuk përmbahesha dot që të mos qaja. E falënderoj Perëndinë që të ka hyrë në zemrën tënde që të përpiqesh të kthehesh tek Zoti dhe tek këta njerëz, nëse do të jetë që Ai të ketë mëshirë për ty. E kam pyetur Zotin në lidhje me rastin tënd; tek unë kanë ardhur këto fjalë:

Zbulesë për Harvei Uitlokun.

‘Vërtet, kështu thotë Zoti ndaj teje – Lëreni atë që ishte shërbëtori im Harvei, të kthehet tek unë e në gjirin e Kishës time dhe të braktisë të gjitha mëkatet me të cilat ai ka bërë fyerje kundër meje, dhe të vazhdojë paskëtaj një jetë të virtytshme e të drejtë, dhe të mbetet nën drejtimin e atyre që unë i kam caktuar të jenë shtylla dhe krerë të Kishës sime. Dhe vër re, thotë Zoti Perëndia yt, mëkatet e tij do të hiqen nën qiell dhe do të harrohen mes njerëzve, dhe nuk do të vijnë në veshët e mi, as nuk do të shënohen si një përkujtim kundër tij, por unë do ta ngre lart, sikur që nga balta e thellë, dhe ai do të ekzaltohet në vende të larta, dhe do të llogaritet i denjë të qëndrojë mes princash, dhe do të bëhet edhe një shigjetë me majë në kukurën time për të shkatërruar bastionet e të ligjve midis atyre që ekzaltojnë vetveten që ata të mund të këshillohen kundër meje dhe kundër të vajosurve të mi në ditët e fundit. Prandaj, lëre atë të përgatitet shpejt dhe të vijë tek ty, madje në Kirtland. Dhe meqenëse ai do të dëgjojë këshillën tënde paskëtaj, ai do të rivendoset në gjendjen e tij të mëparshme dhe do të shpëtohet në masën më të madhe të shpëtimit, madje tamam si Zoti juaj Perëndi jeton. Amen.’

Kështu ti e sheh, vëllai im i dashur, gatishmërinë e Atit tonë qiellor që të falë mëkatet dhe të rivendosë në miratim të gjithë ata që janë të gatshëm të përulen para Tij, dhe të rrëfejnë mëkatet e tyre, dhe t’i braktisin ato, dhe të kthehen tek Ai me qëllim të plotë të zemrës, duke mos ushtruar hipokrizi, për t’i shërbyer Atij deri në fund [shih 2 Nefi 31:13].

Mos u mrekullo që Zoti ka pranuar të flasë që nga qiejt, dhe të të japë udhëzime përmes të cilave ti mund të mësosh detyrën tënde. Ai i ka dëgjuar lutjet e tua dhe ka dëshmuar përulësinë tënde, dhe të shtrin dorën e dhembshurisë atërore për kthimin tënd; engjëjt gëzohen për ty, ndërsa shenjtorët janë të gatshëm të të marrin përsëri në shoqërim.”15

“Nuk ka asnjëherë një moment kur shpirti është tepër i moshuar që t’i qaset Perëndisë. Të gjithë janë brenda shtrirjes së mëshirës falëse, ata që nuk kanë kryer mëkatin e pafalshëm.”16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Ndërsa lexoni rrëfimin për reagimin e Profetit ndaj humbjes së 116 faqeve (faqet 73–74), çfarë mendimesh të thella merrni mbi Jozef Smithin? Çfarë mësoni nga shembulli i tij për pendimin?

  • Rishihni seksionin që fillon në faqen 75. Ndërsa meditoni për mësimet në këtë kapitull, shpenzoni kohë për të shqyrtuar zemrën tuaj, siç këshilloi Profeti. Mendoni për atë që ju duhet të bëni – dhe atë që duhet të ndaloni së bëri – për t’u bërë më i ngjashëm me Perëndinë.

  • Meditoni mbi paralajmërimet e Jozef Smithit kundër shtyrjes për më vonë të pendimit tonë (faqet 76–77). Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të shtyrjes për më vonë të pendimit?

  • Studioni këshillën e Profetit Jozef për kthimin tek Perëndia dhe përuljen e vetvetes para Tij (faqet 76–79). Përse pendimi do të ishte i mangët pa përulësinë? Si mendoni, çfarë do të thotë të “[kthehesh] tek [Perëndia] me qëllim të plotë të zemrës”? (faqe 79).

  • Lexoni zbulesën që Jozef Smithi mori për Harvei Uitlokun, duke vënë re premtimet e Zotit nëse Vëllai Uitlok do të pendohej sinqerisht (faqe 78). Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja ndërsa meditoni “gatishmërinë e Atit tonë qiellor që të falë mëkatet, dhe të [na] rivendosë në miratim”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Korintasve 7:9–10; Mosia 4:10–12; Alma 34:31–38; DeB 1:31–33; 58:42–43

Shënime

  1. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–45 manuscript, book 7, f. 1–2, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–45 manuscript, book 7, f. 5, Arkivat e Kishës.

  3. Cituar nga Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–45 manuscript, book 7, f. 6–9, Arkivat e Kishës.

  4. Cituar nga Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–45 manuscript, book 7, f. 11, Arkivat e Kishës.

  5. History of the Church, 4:588; fjalët në kllapa në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 10 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  6. History of the Church, 4:605; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  7. History of the Church, 4:479; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 19 dhjetor 1841, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  8. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 34, Arkivat e Kishës.

  9. History of the Church, 6:317; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  10. History of the Church, 6:363; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  11. History of the Church, 4:553–554; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 20 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  12. History of the Church, 2:204; nga protokolli i një mbledhjeje të një këshilli të Kishës mbajtur më 1 mars 1835, në Kirtland, Ohio.

  13. History of the Church, 3:379; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  14. History of the Church, 2:342; nga një letër e Joseph Smith drejtuar William Smith-it, 18 dhjetor 1835, Kirtland, Ohio.

  15. History of the Church, 2:314–315; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith drejtuar Harvey Whitlock-ut, 16 nëntor 1835, Kirtland, Ohio.

  16. History of the Church, 4:425; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 3 tetor 1841, në Nauvoo, Illinois; botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 577.

Christ in Gethsemane

Pendimi bëhet i mundur përmes sakrificës shlyese të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. “Shqyrtoni zemrat tuaja dhe shihni nëse jeni si Perëndia”, shpalli Profeti Jozef Smith. “Unë e kam shqyrtuar timen dhe e ndiej të pendohem për të gjitha mëkatet e mia.”

prodigal son returning

Ashtu si birin plangprishës e mirëpriti në shtëpi ati i tij, po ashtu Ati ynë Qiellor është i gatshëm të “falë mëkatet dhe të rivendosë në miratim të gjithë ata që janë të gatshëm të përulen para Tij”.