Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Plani i Madh i Shpëtimit


Kapitulli 17

Plani i Madh i Shpëtimit

“Plani i madh i shpëtimit është një temë që duhet ta tërheqë rreptësisht vëmendjen tonë dhe të konsiderohet si një nga dhuratat më të mira të qiellit për njerëzimin.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në shtator 1831, Profeti Jozef Smith bashkë me familjen e tij u shpërngulën 48 kilometra në juglindje të Kirtlandit për në Hiram të Ohajos, ku jetuan për rreth një vit në shtëpinë e Xhon dhe Elis (e njohur gjithashtu si Elsa) Xhonson. Në këtë shtëpi, Profeti kreu shumicën e punës së tij për Përkthimin e Biblës prej Jozef Smithit.

Kjo vepër e rëndësishme, të cilën Profeti e quajti një “degë të thirrjes sime”1, kontribuon rëndësishëm për kuptimin tonë të planit të shpëtimit. Profeti e filloi këtë punë në qershor 1830 kur Zoti e urdhëroi atë të fillonte të bënte një rishikim të frymëzuar të Variantit të Mbretit Xhejms për Biblën. Profeti e kishte ditur prej kohësh që Bibla nuk ishte gjithmonë e qartë për disa çështje të rëndësishme. Ai kishte vënë re se Moroni i kishte cituar atij disa fragmente biblike “me pak ndryshim nga mënyra se si lexohet në Biblat tona” (Joseph Smith—Historia 1:36). Ndërsa përkthente 1 Nefi 13:23–29, ai mësoi se shumë “pjesë të cilat janë të qarta dhe më të çmueshmet” ishin hequr nga Bibla, përfshirë “shumë besëlidhje të Zotit” (1 Nefi 13:26).

Profeti më vonë tha: “Unë e besoj Biblën siç lexonte kur erdhi nga pena e shkruesve të parë. Përkthyes të paditur, kopjues të pakujdesshëm, apo priftërinj mashtrues dhe të korruptuar kanë kryer shumë gabime. … Kërkoni mospërputhjet tek [Hebrenjve 6:1] – ‘Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen’. Nëse një njeri e lë fjalën e fillimit të Krishtit, si mund të shpëtohet ai në fjalën e fillimit? Kjo është një mospërputhje. Unë nuk e besoj atë. Unë do ta paraqes ashtu si duhej të ishte – ‘Prandaj, duke mos e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen’.”2

Siç u udhëhoq nga Shpirti, Jozefi kaloi rreth tre vjet duke kontrolluar Biblën, duke i bërë mijëra korrigjime tekstit dhe duke rivendosur informacione që kishin humbur. Ky informacion i rivendosur hedh dritë të mrekullueshme mbi shumë doktrina që nuk paraqiten qartë në Biblën e sotme ekzistuese. Këto rishikime të frymëzuara të tekstit të Biblës njihen si Përkthimi i Biblës prej Jozef Smithit. Qindra fragmente nga Përkthimi prej Jozef Smithit përfshihen tani në botimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të Variantit të Mbretit Xhejms për Biblën.

Përkthimi i Biblës prej Profetit ishte një pjesë e rëndësishme e vetë edukimit shpirtëror të tij dhe rivendosja e shpalosur e së vërtetës së ungjillit. Ndërsa rishikoi Dhiatën e Vjetër dhe të Re, shpesh ai mori zbulesa që qartësonin ose zgjeronin fragmente biblike. Në këtë mënyrë, Profeti mori shumë doktrina nga Zoti, përfshirë ato që gjenden tani në Doktrina e Besëlidhje 74, 76, 77, 86 dhe 91, si dhe në pjesë të shumë seksioneve të tjera të Doktrinës e Besëlidhjeve.

Kur Profeti filloi së pari përkthimin e tij të Biblës në qershor 1830, Zoti i zbuloi atij një fragment të gjatë nga shkrimet e Moisiut. Ky fragment u bë kapitulli 1 i librit të Moisiut në Perlën me Vlerë të Madhe. Ai shënoi një vegim në të cilin Moisiu pa dhe bashkëbisedoi me Perëndinë – një vegim kaq i shquar saqë Jozef Smithi e quajti atë “një copëz e çmuar” dhe “një rezervë force”3. Në këtë vegim, Perëndia i mësoi Moisiut qëllimin themelor të planit të madh të shpëtimit:

“Dhe Zoti Perëndi i foli Moisiut, duke thënë: … Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime—të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:37, 39).

Doktrinat, ordinancat dhe premtimet që përbëjnë planin e shpëtimit iu zbuluan tokës në këto ditë të fundit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Si dikush që e kuptoi qartë rëndësinë e këtij plani, Profeti shpalli: “Plani i madh i shpëtimit është një temë që duhet ta tërheqë rreptësisht vëmendjen tonë dhe të konsiderohet si një nga dhuratat më të mira të qiellit për njerëzimin”4.

Mësime të Jozef Smithit

Në botën para lindjes, Jezu Krishti u zgjodh të ishte Shpëtimtari dhe ne zgjodhëm të pranonim planin e shpëtimit.

“Në organizimin e parë në qiell ne qemë të gjithë të pranishëm dhe pamë Shpëtimtarin të zgjidhej e të caktohej, dhe të bëhej plani i shpëtimit, dhe ne e miratuam atë.”5

“Zoti [është] një prift përjetë sipas urdhrit të Melkizedekut, edhe Biri i vajosur i Perëndisë, që përpara themelimit të botës [shih Psalmet 110:4].”6

“Shpëtimi i Jezu Krishtit u shkrua për të gjithë njerëzit, që të triumfojnë mbi djallin…. Të gjithë do të vuajnë derisa t’i binden vetë Krishtit.

Lufta në qiell ishte që – Jezusi tha se do të kishte disa shpirtra që nuk do të shpëtoheshin; dhe djalli tha se ai do t’i shpëtonte të gjithë ata, dhe shtroi planet e tij përpara këshillit të madh, që e dhanë votën e tyre në favor të Jezu Krishtit. Kështu djalli u ngrit në rebelim kundër Perëndisë dhe u flak tutje, me të gjithë ata që e mbështetën atë.”7

Ne jemi qenie të përjetshme; ne mund të përparojmë drejt ekzaltimit kur u bindemi ligjeve të Perëndisë.

Profeti Jozef Smith mori zbulesën që vijon nga Zoti në maj 1833, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 93:29: “Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë. Inteligjenca, ose drita e së vërtetës, nuk u krijua apo u bë, as nuk mund të krijohet apo bëhet.” Në prill 1844, Profeti u mësoi: “Kam një tjetër temë ku të ndalem, që është llogaritur për të ekzaltuar njeriun. … Shoqërohet me temën e ringjalljes së të vdekurve, – domethënë, shpirti – mendja e njeriut – shpirti i pavdekshëm. Prej nga erdhi ai? Gjithë njerëzit e mësuar dhe doktorët e teologjisë thonë se Perëndia e krijoi atë në fillim; por nuk është kështu: vetë ideja e minimizon njeriun sipas vlerësimit tim. Unë nuk e besoj doktrinën; unë di më shumë. Dëgjojeni këtë, të gjithë ju fundet e botës; sepse kështu më ka thënë Perëndia; dhe nëse ju nuk më besoni, kjo nuk do ta bëjë të vërtetën të paefektshme. …

Unë po flas për pavdekësinë e shpirtit të njeriut. A është logjike të thuash që inteligjenca e shpirtrave është e pavdekshme dhe përsëri se ajo e ka një fillim? Inteligjenca e shpirtrave nuk kishte fillim, as nuk do të ketë një fund. Kjo është logjikë e mirë. Ajo që ka një fillim, mund të ketë një fund. Nuk ka pasur asnjëherë një kohë kur nuk kishte shpirtra. …

… Unë e heq unazën time nga gishti dhe e krahasoj me mendjen e njeriut – pjesën e pavdekshme, sepse nuk kishte fillim. Supozojmë se ju e ndani në dysh; atëherë e ka një fillim dhe një fund; por bashkoje përsëri dhe ajo vazhdon një rreth të përjetshëm. Po kështu dhe me shpirtin e njeriut. Ashtu si Zoti jeton, po të kishte një fillim, do të ketë një fund. Të gjithë budallenjtë dhe njerëzit e mësuar, dhe të mençurit, që nga fillimi i krijimit, që thonë se shpirti i njeriut e kishte një fillim, provojnë se ai duhet të ketë një fund; dhe nëse kjo doktrinë është e vërtetë, atëherë dhe doktrina e asgjësimit të shpirtit do të ishte e vërtetë. Por nëse unë kam të drejtë, unë mund të shpall me guxim që nga çatitë se Perëndia kurrë nuk e pati fare fuqinë për të krijuar shpirtin e njeriut. Perëndia vetë nuk mund të krijonte vetveten.

Inteligjenca është e përjetshme dhe ekziston sipas një parimi të vetekzistencës. Është një shpirt nga epoka në epokë dhe nuk ka krijim të saj. Të gjitha mendjet dhe shpirtrat që ka dërguar ndonjëherë Perëndia në botë janë të prirur për t’u përmirësuar.

Parimet e para të njeriut janë vetekzistuese me Perëndinë. Vetë Perëndia, duke konstatuar se ishte në mes të shpirtrave dhe të lavdisë, sepse ai ishte më inteligjent, e pa me vend të krijonte ligje sipas të cilave pjesa tjetër të mund të kishte privilegjin që të përparonte si ai vetë. Marrëdhënia që kemi me Perëndinë na vendos në një pozicion që të përparojmë në njohuri. Ai ka fuqinë që të krijojë ligje për të udhëzuar inteligjencat më të dobëta, që ata të mund të ekzaltohen me atë vetë, që ata të mund të kenë një lavdi pas tjetrës dhe gjithë atë njohuri, fuqi, lavdi dhe inteligjencë, që është e nevojshme për t’i shpëtuar ata në botën e shpirtrave.”8

“Ne mendojmë se Perëndia e ka krijuar njeriun me një mendje të aftë për udhëzim dhe një aftësi që mund të zmadhohet në përpjesëtim me vëmendjen dhe zellin që i jepet dritës së komunikuar nga qielli intelektit; dhe që, sa më pranë t’i afrohet njeriu përsosjes, aq më të qarta janë pikëpamjet e tij dhe aq më të mëdha gëzimet e tij, derisa ai të ketë kapërcyer të ligat e jetës së tij dhe të ketë humbur çdo dëshirë për mëkat; dhe, ashtu si të lashtët, mbërrin në atë pikë të besimit ku ai mbështillet në fuqi dhe lavdi të Bërësit të tij dhe merret lart që të banojë me Të. Por ne mendojmë se kjo është një gjendje tek e cila askush ndonjëherë nuk ka arritur brenda një çasti.”9

Ne erdhëm në tokë për të marrë një trup, për të përvetësuar dije dhe për të fituar nëpërmjet besimit.

“Të gjithë njerëzit e dinë se duhet të vdesin. Dhe është e rëndësishme që ne të kuptojmë arsyet e shkaqet e ekspozimit tonë ndaj vargut të fazave në ndryshim të jetës e të vdekjes dhe projektet e qëllimet e Perëndisë për ardhjen tonë në botë, vuajtjet tona këtu dhe largimin tonë që këtu. Cili është synimi i ardhjes tonë në ekzistencë, pastaj i vdekjes dhe largimit, për të mos qenë më këtu? Është thjesht e arsyeshme të supozojmë që Perëndia do të zbulonte diçka në lidhje me këtë çështje dhe është një temë që ne duhet ta studiojmë më shumë se çdo tjetër. Ne duhet ta studiojmë atë ditë e natë, sepse bota është e paditur në lidhje me gjendjen dhe marrëdhënien e tyre të vërtetë [me Perëndinë].”10

“Projekti i Perëndisë përpara themelimit të botës ishte që ne duhet të merrnim tabernakuj [trupa], që nëpërmjet besnikërisë ne duhet të kapërcejmë dhe kështu të sigurojmë një ringjallje nga vdekja, duke siguruar në këtë mënyrë lavdi, nder, fuqi dhe sundim.”11

“Ne erdhëm në këtë botë që të mund të kemi një trup dhe ta paraqesim atë të dëlirë përpara Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Parimi i madh i lumturisë qëndron në pasjen e një trupi. Djalli nuk ka trup dhe ky është dënimi i tij. Ai kënaqet kur mund të sigurojë tabernakullin e njeriut dhe kur u dëbua nga Shpëtimtari, ai kërkoi të shkonte në tufën e derrave, duke treguar se ai do të parapëlqente trupin e një derri sesa të mos kishte fare. Të gjitha qeniet që kanë trupa kanë fuqi mbi ato që nuk kanë.”12

“Shpëtimi është që një njeri të shpëtohet nga të gjithë armiqtë e tij; sepse derisa një njeri të mos triumfojë mbi vdekjen, ai nuk është i shpëtuar. …

Shpirtrat në botën e përjetshme janë si shpirtrat në këtë botë. Kur ata kanë ardhur në këtë botë dhe kanë marrë tabernakuj, pastaj vdiqën, dhe sërish u ngritën, dhe morën trupa të përlëvduar, ata do të kenë epërsi mbi shpirtrat që nuk kanë marrë trupa, ose që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, ashtu si djalli. Dënimi i djallit ishte që ai nuk duhet të kishte një banesë trupore si njerëzit.”13

“Parimi i dijes është parimi i shpëtimit. Ky parim mund të kuptohet nga besniku dhe i zellshmi; dhe çdonjëri që nuk siguron dije të mjaftueshme që të shpëtohet, do të dënohet. Parimi i shpëtimit na jepet neve nëpërmjet dijes për Jezu Krishtin.

Shpëtimi është, as më shumë dhe as më pak, që të triumfojmë mbi të gjithë armiqtë tanë dhe t’i vëmë ata nën këmbët tona. Dhe kur ne kemi pushtet që t’i vëmë gjithë armiqtë nën këmbët tona në këtë botë, dhe një njohuri që të triumfojmë mbi gjithë shpirtrat e ligj në botën që do të vijë, atëherë ne jemi të shpëtuar, ashtu si në rastin e Jezusit, që do të mbretëronte derisa Ai t’i vinte të gjithë armiqtë nën këmbët e veta, dhe armiku i fundit ishte vdekja [shih 1 Korintasve 15:25–26].

Ndoshta këtu ka parime për të cilat pak njerëz kanë menduar. Asnjë person nuk mund ta ketë këtë shpëtim, përveçse nëpërmjet një tabernakulli.

Tani, në këtë botë, njerëzit janë nga natyra egoistë, ambiciozë dhe që përpiqen të shquhen njëri mbi tjetrin; ende disa janë të gatshëm të ndërtojnë të tjerët, si edhe veten. Kështu në botën tjetër ka një llojshmëri shpirtrash. Disa përpiqen të shquhen. Dhe ky ishte rasti i Luciferit kur ai ra. Ai kërkoi gjëra që ishin të paligjshme. Prandaj ai u dërgua poshtë, dhe thuhet që ai tërhoqi shumë me vete; dhe madhësia e dënimit të tij është që ai nuk do të ketë një tabernakull. Ky është dënimi i tij.”14

Perëndia na ka dhënë lirinë e zgjedhjes morale dhe fuqinë për të zgjedhur të mirën mbi të keqen.

“Që njerëzit të siguronin shpëtimin, ata duhet të bëhen subjekt, përpara se ta lënë këtë botë, i disa rregullave dhe parimeve, që u caktuan me një dekret të pandryshueshëm përpara se bota të ishte…. Organizimi i botëve shpirtërore dhe qiellore, dhe i qenieve shpirtërore dhe qiellore, ishte në përputhje me rendin dhe harmoninë më të përsosur: caqet dhe kufijtë e tyre u caktuan në mënyrë të pakthyeshme, dhe u pranuan vullnetarisht nga vetë ata në gjendjen e tyre qiellore, dhe u pranuan mbi tokë nga prindërit tanë të parë. Prej këtej vjen rëndësia e përqafimit dhe pranimit të parimeve të së vërtetës së përjetshme nga të gjithë njerëzit mbi tokë, të cilët presin jetën e përjetshme.”15

“Të gjithë personat kanë të drejtën e lirisë së tyre të zgjedhjes, pasi kështu e ka shuguruar Perëndia. Ai i ka bërë njerëzit agjentë moralë dhe u ka dhënë fuqinë të zgjedhin të mirën ose të ligën; të kërkojnë atë që është e mirë, duke ndjekur shtegun e shenjtërisë në këtë jetë, që sjell paqe të mendjes dhe gëzim në Frymën e Shenjtë këtu, dhe një plotësi të gëzimit dhe lumturisë në krahun e Tij të djathtë në jetën e përtejme; ose të ndjekin një drejtim të lig, duke vazhduar në mëkat dhe rebelim kundër Perëndisë, duke sjellë në këtë mënyrë dënim për shpirtrat e tyre në këtë jetë dhe një humbje të përjetshme në botën që do të vijë.”16

“Satani nuk mund të na joshë me anë të ndjelljeve të tij, veç nëse ne në zemrën tonë miratojmë dhe jepemi. Krijimi ynë është i tillë që ne mund t’i rezistojmë djallit; nëse nuk do të krijoheshim në këtë mënyrë, ne nuk do të ishim veprimtarë të lirë.”17

“Djalli nuk ka fuqi mbi ne, vetëm kur ne e lejojmë atë; në çastin që ne revoltohemi ndaj çfarëdo gjëje që vjen nga Perëndia, djalli merr fuqinë.”18

Më 16 maj 1841, Profeti iu drejtua shenjtorëve: “Presidenti Jozef Smith … vërejti se Satani fajësohej në përgjithësi për të ligat që bënim ne, por nëse ai do të ishte shkaku i gjithë ligësisë sonë, njerëzit nuk do të mund të dënoheshin. Djalli nuk mund ta detyrojë njerëzimin të bëjë të ligën; gjithë veprimtaria ishte vullnetarisht. Ata që i rezistuan Shpirtit të Perëndisë, do të ishin të detyruar të udhëhiqeshin në tundim, dhe pastaj, shoqërimi i qiellit do të tërhiqej nga ata që refuzuan të bëheshin pjesëmarrës të një lavdie të tillë të madhërishme. Perëndia nuk do të ushtronte ndonjë mjet detyrues dhe as djalli nuk mundet; dhe ide të tilla, ashtu si u menduan [mbi këto tema] nga shumë vetë, qenë absurde.”19

Eliza R. Snou raportoi: “[Jozef Smithi] tha se ai nuk kishte merak se sa shpejt ne përparojmë në shtegun e virtytit. Rezistojini të ligës dhe nuk ka rrezik; Perëndia, njerëzit dhe engjëjt nuk do të dënojnë ata që i rezistojnë gjithçkaje të ligë dhe as djajtë nuk munden; djalli po aq pak sukses sa do të ketë në heqjen nga froni të Jehovait, po aq do të ketë në rrëzimin e një shpirti të pafajshëm që i reziston gjithçkaje që është e ligë.”20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Cilat janë disa të vërteta të veçanta mbi planin e shpëtimit dhe qëllimin e jetës që ne i dimë për shkak të zbulesave dhënë Profetit Jozef Smith? Si ju kanë ndihmuar juve këto të vërteta?

  • Jozef Smithi na mësoi se plani i shpëtimit është “një temë që ne duhet ta studiojmë më shumë se çdo tjetër” (faqe 221) dhe “një temë që duhet ta tërheqë rreptësisht vëmendjen tonë” (faqe 218–219). Në çfarë mënyrash mund ta studiojmë planin e shpëtimit? Ndërsa merremi me aktivitetet tona të përditshme, çfarë mund të bëjmë që t’i kushtojmë rreptësisht vëmendjen tonë planit të shpëtimit? Cilat janë disa mënyra se si mund t’ua mësojmë të tjerëve planin e shpëtimit?

  • Rishihni mësimet e Jozef Smithit mbi Këshillin në Qiell dhe mbi natyrën tonë të përjetshme (faqet 219–221). Si mundet që njohja e këtyre doktrinave të jetë një bekim për ju në jetën tuaj në tokë?

  • Profeti Jozef Smith dëshmoi: “Të gjitha mendjet dhe shpirtrat që ka dërguar ndonjëherë Perëndia në botë janë të prirur për t’u përmirësuar” (faqe 220). Si mendoni, çfarë do të thotë kjo? Si mundet që kjo e vërtetë të ndikojë mënyrën se si përballeni me sfidat, mënyrën se si ndiheni për vlerën dhe aftësitë tuaja, mënyrën se si trajtoni njerëzit e tjerë?

  • Lexoni paragrafin në fillim të faqes 221. Meditoni mbi bekimet që marrim kur i kushtojmë “vëmendjen dhe zellin … dritës së komunikuar nga qielli”.

  • Rishihni mësimet e Jozef Smithit mbi kuptimin që ka pasja e një trupi fizik (faqet 221–223). Si mund të ndikojë kjo dijeni mënyrën se si kujdesemi për trupin tonë?

  • Lexoni dy paragrafët e parë të plotë të faqes 224. Mendoni se çfarë duan të thonë këto mësime për ju ndërsa ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes. Cilat janë disa gjëra të veçanta që mund të bëjmë për t’i rezistuar ndikimit të Satanit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 2:25; 9:6–12; Alma 34:31–33; DeB 76:25–32; 101:78; Abrahami 3:22–25

Shënime

  1. History of the Church, 1:238; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 175, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 6:57–58; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 15 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  3. History of the Church, 1:98; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, dokumenta të përziera, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 2:23; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, prill 1834, f. 152.

  5. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 7, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  6. “Baptism”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 1 shtator 1842, f. 905; është modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i germës së madhe; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  7. History of the Church, 6:314; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  8. History of the Church, 6:310–312; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  9. History of the Church, 2:8; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135.

  10. History of the Church, 6:50; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe Times and Seasons, 15 shtator 1843, f. 331; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  11. Cituar nga Martha Jane Knowlton Coray, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 maj 1843, në Nauvoo, Illinois; Martha Jane Knowlton Coray, Notebook, Arkivat e Kishës.

  12. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 7–8, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  13. History of the Church, 5:403; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 maj 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  14. History of the Church, 5:387–388; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 14 maj 1843, në Yelrome, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  15. History of the Church, 6:50–51; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe Times and Seasons, 15 shtator 1843, f. 331; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  16. History of the Church, 4:45, shënim në fund të faqes; nga një letër e Presidencës së Parë dhe këshillit të lartë drejtuar shenjtorëve që jetonin në perëndim të Kirtland-it, Ohio, 8 dhjetor 1839, Commerce, Illinois, botuar në Times and Seasons, dhjetor 1839, f. 29.

  17. Cituar nga William P. McIntire, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës.

  18. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 8, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  19. History of the Church, 4:358; fjalët në kllapa në origjinal; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 maj 1841, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Times and Seasons, 1 qershor 1841, f. 429.

  20. History of the Church, 4:605; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

Christ speaking to Moses

“Dhe Zoti Perëndi i foli Moisiut, duke thënë: … Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime—të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”

father reading

“Projekti i Perëndisë përpara themelimit të botës ishte që ne duhet të merrnim tabernakuj [trupa], që nëpërmjet besnikërisë ne duhet të kapërcejmë.”