Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21: Ardhja e Dytë dhe Mijëvjeçari


Kapitulli 21

Ardhja e Dytë dhe Mijëvjeçari

“Ne do të … bënim mirë të dallonim shenjat e kohës gjatë jetës, që dita e Zotit të mos na ‘befasojë si një hajdut nëpër natë’.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në shtator 1832, Jozef dhe Ema Smithi, si dhe bija e tyre gjashtëmbëdhjetë muajshe, Xhulia, u kthyen nga ferma e familjes Xhonson në Hiram të Ohajos, përsëri në Kirtland. Atje ata u vendosën në dyqanin me mallra të ndryshme në pronësi të Njuël K. Uitnit, ku do të jetonin për më shumë se një vit. Familja Smith jetoi në katin e dytë të dyqanit dhe në një pjesë të katit të parë që nuk përdorej për aktivitet tregtar. Biri i Jozefit dhe Emës, Jozef Smith III, lindi ndërsa familja jetonte në këtë dyqan. Atje Profeti mori gjithashtu shumë zbulesa.

Një zbulesë e tillë erdhi Ditën e Krishtlindjes së 1832-it. Profeti e kaloi një pjesë të asaj dite në shtëpi, i zhytur thellë në mendime mbi problemet serioze me të cilat po përballeshin në atë kohë kombet e botës. “Shfaqjet e shqetësimeve midis kombeve u bënë më të dukshme në këtë kohë nga sa kishin qenë më parë që kur Kisha filloi të dalë nga vendi i shkretë”, tha Profeti1. Ngjarjet në Shtetet e Bashkuara po shkonin drejt luftës civile dhe shpërthime të sëmundjeve vdekjeprurëse ishin përhapur në të gjithë botën. Ndërsa “po lute[j] me zell për çështjen”2, Profeti mori zbulesën që tani gjendet në seksionin 87 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Zoti i zbuloi Jozefit se përpara Ardhjes së Dytë, lufta do të derdhej mbi të gjitha kombet dhe fatkeqësitë natyrore do të ndëshkonin njerëzit:

“Me shpatën dhe me anë të gjakderdhjes, banorët e tokës do të vajtojnë; dhe me uri dhe plagë, dhe tërmet, dhe bubullimën nga qielli, dhe vetëtimën e shpejtë dhe të fuqishme gjithashtu, banorët e tokës do të bëhen të ndiejnë zemërimin e indinjatën dhe dorën ndëshkuese të një Perëndie të Plotfuqishëm, derisa shkatërrimi i shpallur t’i ketë asgjësuar tërë kombet;… prandaj, qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni, derisa dita e Zotit të vijë; sepse, vini re, ajo vjen shpejt, thotë Zoti” (DeB 87:6, 8).

Dy ditë më vonë, më 27 dhjetor, Profeti mori një tjetër zbulesë që përmbante shumë të dhëna për Ardhjen e Dytë. Atë ditë, u mblodh një konferencë e priftërinjve të lartë në “dhomën e përkthimit” të Profetit, dhoma në dyqanin Uitni ku Jozefi kreu shumicën e punës së tij për Përkthimin prej Joseph Smith-it të Biblës. Protokolli i konferencës regjistron: “Vëllai Jozef u ngrit dhe tha, se për të marrë zbulesë dhe bekimet e qiellit, ishte e nevojshme ta kemi mendjen tek Perëndia, dhe të ushtrojmë besim, dhe të bëhemi të një zemre e të një mendjeje. Prandaj ai u rekomandoi gjithë të pranishmëve t’i luteshin veçmas dhe me zë Zotit që [Ai] të na zbulonte vullnetin e Tij në lidhje me ndërtimin e Sionit dhe për përfitimin e shenjtorëve.”

Secili prift i lartë “u përkul përpara Zotit” dhe pastaj foli për ndjenjat e tij dhe vendosmërinë për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë3. Pak pas kësaj, Profeti filloi të marrë zbulesën nga Perëndia që më vonë do të bëhej seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Kjo zbulesë përmban disa nga profecitë më të hollësishme të shkrimeve të shenjta mbi ardhjen e Zotit dhe vendosjen e një periudhe paqeje njëmijëvjeçare (shih DeB 88:86–116).

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti zbuloi shumë profeci në lidhje me Ardhjen e Dytë, Mijëvjeçarin dhe kohën e trazuar që do t’u paraprinte këtyre ngjarjeve. Kjo prurje e madhe zbulesash është një dëshmi që Jozef Smithi ishte vërtet një shikues i ngritur nga Perëndia. Ashtu si dëshmon Libri i Mormonit: “Një shikues mund të dijë për gjërat që janë të shkuara dhe gjithashtu për gjërat që do të ndodhin; dhe nëpërmjet [tij] të gjitha gjërat do të zbulohen, ose më mirë, gjërat sekrete do të tregohen dhe gjërat e fshehta do të dalin në dritë dhe gjërat që nuk dihen do të bëhen të ditura” (Mosia 8:17).

Mësime të Jozef Smithit

Shenjat e ardhjes së Shpëtimtarit po përmbushen; besnikët do t’i njohin këto shenja dhe do të kenë paqe në kohë të vështira.

“Ne do të … bënim mirë të dallonim shenjat e kohës gjatë jetës, që dita e Zotit të mos na ‘befasojë si një hajdut nëpër natë’. [Shih DeB 106:4–5.]”4

“Unë do të profetizoj se shenjat e ardhjes së Birit të Njeriut kanë nisur tashmë. Të këqijat do të shkretojnë njëra pas tjetrës. Shpejt do të kemi luftë dhe gjakderdhje. Hëna do të kthehet në gjak. Unë dëshmoj për këto gjëra dhe se ardhja e Birit të Njeriut është pranë, madje tek dera. Nëse shpirtrat dhe trupat tanë nuk e presin me padurim ardhjen e Birit të Njeriut; dhe pasi të vdesim, nëse nuk e presim me padurim, ne do të jemi midis atyre që do t’u thonë shkëmbinjve të bien mbi ta [shih Zbulesa 6:15–17].”5

“Vëllezër të shtrenjtë dhe të dashur, ne shohim se kohët e rrezikshme kanë ardhur, ashtu si u dëshmua [shih 2 Timoteut 3:1]. Ne mund të kërkojmë atëherë, me sigurinë më të përsosur, përmbushjen e të gjitha këtyre gjërave që kanë qenë shkruar dhe, me më shumë besim se më parë, t’i ngremë sytë tek ndriçuesi i ditës dhe të themi në zemrat tona: së shpejti ti do ta mbulosh fytyrën tënde skuqur. Ai që tha ‘U bëftë drita’ dhe drita u bë [shih Zanafilla 1:3], e ka thënë këtë fjalë. Dhe veç kësaj, ti hënë, ti dritë e zbehtë, ti ndriçuese e natës, do të kthehesh në gjak.

Ne shohim se gjithçka po përmbushet; dhe se së shpejti do të vijë koha kur Biri i Njeriut do të vijë mbi retë e qiellit.”6

“Toka së shpejti do të korret – që domethënë, të ligjtë së shpejti duhet të shkatërrohen nga faqja e tokës, sepse Zoti e ka thënë këtë dhe kush mund t’i qëndrojë dorës së Zotit, ose kush mund të matë fuqinë me të Plotfuqishmin, sepse sipas urdhrave të tij qiejt dhe toka duhet të vdesin. Dita po afrohet shpejt kur rivendosja e të gjitha gjërave do të përmbushet, për të cilën kanë profetizuar të gjithë profetët e shenjtë, madje deri në mbledhjen e shtëpisë së Izraelit. Pastaj do të ndodhë që luani do të shtrihet me qengjin etj.

Por, vëllezër, mos e humbni kurajën kur ju tregojmë për kohët e rrezikshme, sepse ato duhet të vijnë së shpejti, sepse shpata, zia e bukës dhe murtaja po afrohen. Do të ketë shkatërrim të madh mbi faqen e kësaj toke, sepse nuk duhet të supozoni që ndonjë pikë ose presje e profecive të të gjithë profetëve të shenjtë nuk do të plotësohet dhe ka ende shumë të tilla që mbeten për t’u përmbushur. Zoti ka thënë se ai do ta përfundojë punën së shpejti dhe të drejtët do të shpëtohen edhe sikur të jetë nga zjarri [shih Romakëve 9:28; 1 Nefi 22:17].”7

“Shkrimi i shenjtë është gati të përmbushet kur luftëra të mëdha, zi buke, murtaja, vuajtje të mëdha, gjykime etj., janë gati të derdhen mbi banorët e tokës.”8

“Ne shohim që kohët e vështira vërtet kanë ardhur dhe gjërat që i kemi pritur prej kohësh më në fund kanë filluar të ndodhin; por kur të shihni fikun që të nxjerrë gjethet e tij, ju mund ta dini që vera është afër [shih Mateu 24:32–33]. Do të ketë një punë të shpejtë në tokë. Ajo tani ka nisur. Unë mendoj se së shpejti do të ketë hutim në të gjithë tokën. Mos t’i lemë zemrat tona të na mpaken kur mbi ne të vijnë këto gjëra, sepse ato duhet të vijnë, ose fjala nuk mund të përmbushet.”9

“E kam pyetur Zotin në lidhje me ardhjen e Tij; dhe ndërkohë që po e pyesja Zotin, Ai dha një shenjë dhe tha: ‘Në kohën e Noeut unë vura një ylber në qiej si një shenjë dhe simbol që në çfarëdo viti që do të shihej ylberi, Zoti nuk do të vinte; por do të kishte kohë mbjelljesh dhe të korra gjatë atij viti: por kurdoherë që të shihni që ylberi nuk del, kjo do të jetë një simbol se do të ketë zi buke, murtajë dhe vuajtje të mëdha mes kombeve dhe se ardhja e Mesias nuk është shumë e largët.’”10

“Juda duhet të kthehet, Jeruzalemi duhet të rindërtohet, si edhe tempulli, dhe ujërat të dalin nga poshtë tempullit, dhe ujërat e Detit të Vdekur të shëndoshen [shih Ezekieli 47:1–9]. Do të kalojë njëfarë kohe për të rindërtuar muret e qytetit dhe tempullin etj.; dhe e gjithë kjo duhet të kryhet përpara se Biri i Njeriut të shfaqet. Do të ketë luftëra dhe fjalë për luftëra, shenja në qiejt sipër dhe në tokën poshtë, dielli i kthyer në errësirë dhe hëna në gjak, tërmete në vende të ndryshme, valët e detit të fryra përtej kufijve të tyre; pastaj do të shfaqet një shenjë e madhe e Birit të Njeriut në qiell. Por çfarë do të bëjë bota? Ata do të thonë se është një planet, një kometë etj. Por Biri i Njeriut do të vijë ashtu si shenja e ardhjes së Birit të Njeriut, e cila do të jetë si drita e mëngjesit që vjen nga lindja [shih Joseph Smith—Mateu 1:26].”11

“[Unë] shpjegova në lidhje me ardhjen e Birit të Njeriut; gjithashtu që është ide e rreme që shenjtorët do t’i shpëtojnë gjithë gjykimeve ndërsa të ligjtë vuajnë; sepse gjithë mishi i nënshtrohet vuajtjes dhe ‘shenjtorët … mezi do të shpëtojnë’ [shih DeB 63:34]; përsëri shumë prej shenjtorëve do të shpëtojnë, sepse i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij [shih Habakuku 2:4]; përsëri shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për shkak të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë. Pra është një parim i mëkatshëm të thuash se këta apo ata kanë bërë shkelje sepse ata janë bërë pre e sëmundjes ose vdekjes, sepse i gjithë mishi i nënshtrohet vdekjes; dhe Shpëtimtari ka thënë: ‘Mos gjykoni, që të mos gjykoheni’. [Shih Mateu 7:1.]”12

Zoti nuk do të vijë derisa të gjitha gjërat të përmbushen në përgatitje për ardhjen e Tij.

“Ardhja e Birit të Njeriut nuk do të jetë kurrë – nuk do të mund të jetë kurrë derisa të derdhen të gjitha gjykimet e thëna për këtë kohë: gjykime të cilat kanë filluar. Pali thotë: ‘Ju jeni bij të dritës dhe … nuk [jeni] të territ, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës’. [Shih 1 Thesalonikasve 5:4–5.] Plani i të Plotfuqishmit nuk është që të vijë mbi tokë dhe ta shtypë atë e ta bluaj deri në pluhur, por ai do t’ua tregojë ardhjen e Vet shërbëtorëve të Tij, profetëve [shih Amosi 3:7].”13

“Jezu Krishti asnjëherë nuk ia zbuloi ndonjë njeriu kohën e saktë se kur do të vinte [shih Mateu 24:36; DeB 49:7]. Shkoni dhe lexoni Shkrimet e Shenjta dhe nuk do të mund të gjeni asnjë gjë që detajon orën e saktë se kur do të vijë Ai; dhe të gjithë ata që e thonë atë janë mësues të rremë.”14

Në lidhje me një njeri që pretendonte të kishte parë shenjën e Birit të Njeriut, Profeti Jozef Smith tha: “Ai nuk e ka parë shenjën e Birit të Njeriut, siç e paratha Jezusi; as nuk e ka parë ndonjë njeri, as nuk do ta shohë ndonjë njeri, derisa dielli të jetë errësuar dhe hëna të jetë larë në gjak; sepse Zoti nuk ma ka treguar mua ndonjë shenjë të tillë; dhe ashtu si thotë profeti, ashtu duhet të jetë – ‘sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve’. (Shih Amosi 3:7.) Prandaj dëgjoje këtë, o tokë: Zoti nuk do të vijë të mbretërojë mbi të drejtët, në këtë botë, në vitin 1843, as derisa gjithçka të bëhet gati për Dhëndrin.”15

Ata që janë të mençur dhe besnikë do të jenë të përgatitur kur Zoti të vijë përsëri.

“Kur meditoj shpejtësinë me të cilën përparon dita e shkëlqyer dhe e lavdishme e ardhjes së Birit të Njeriut, kur Ai do të vijë të marrë tek Vetja shenjtorët e Tij, ku ata do të banojnë në praninë e Tij dhe do të kurorëzohen me lavdi dhe pavdekësi; kur mendoj se së shpejti qiejt do të tunden, dhe toka do të dridhet e lëkundet lart e poshtë; dhe qiejt do të shpalosen si një pergamenë shpaloset pasi është mbështjellë rrotull; dhe çdo mal e ishull do të ikë, unë thërras në zemrën time ‘Çfarë lloj njerëzish duhet të jemi ne në gjithë sjelljen e shenjtë dhe të perëndishme!’ [Shih 2 Pjetri 3:11.]”16

“Toka po rënkon prej prishjes, shtypjes, tiranisë dhe gjakderdhjes; dhe Perëndia do të dalë nga vendi i fshehjes, siç ka thënë se do të bënte, që të godasë kombet e tokës. Danieli, në vegimin e tij, pa trazirë pas trazire; ai ‘[vazhdoi të shikonte] derisa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul’; dhe dikush iu afrua atij që i ngjante një Biri Njeriu; dhe të gjithë kombet, gjinitë, gjuhët dhe popujt, i shërbyen dhe iu bindën Atij [shih Danieli 7:9–14]. Na takon ne të jemi të drejtë, që të mund të jemi të mençur dhe të kuptojmë; sepse asnjë nga të ligjtë nuk do të kuptojë; por të mençurit do të kuptojnë dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë [shih Danieli 12:3].”17

“Lërini të pasurit dhe të mësuarit, të mençurit dhe fisnikët, të varfrit dhe nevojtarët, skllevërit dhe të lirët, të zinjtë dhe të bardhët, të kenë kujdes se si jetojnë dhe të kapen pas dijes së Perëndisë, dhe të ushtrojnë drejtësinë dhe gjykimin mbi tokë në drejtësi, dhe të përgatiten të takohen me gjykatësin e të gjallëve dhe të vdekurve, sepse ora e ardhjes së Tij është pranë.”18

“Le të jemi të mençur në të gjitha gjërat dhe të mbajmë gjithë urdhërimet e Perëndisë, që shpëtimi ynë të mund të jetë i sigurt. Po të kemi gati dhe të përgatitur armatimin tonë kundrejt kohës së caktuar dhe të kemi marrë gjithë armatimin e drejtësisë, ne mund të jemi në gjendje të rezistojmë në atë ditë të provës [shih Efesianëve 6:13].”19

Në dhjetor 1830, Profeti Jozef Smith tha sa vijon në një letër drejtuar anëtarëve të Kishës në Kolesvil të Nju-Jorkut: “Ju të gjithë qofshi besnikë dhe të prisni për kohën e Zotit tonë, sepse shfaqja e tij është fare afër.

‘Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën. Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri”, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.

Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë. … Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll. Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.

Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit. Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.’ [1 Thesalonikasve 5:1–4, 6–9.]

Prandaj, ngushëlloni njëri-tjetrin, madje ashtu si bëni gjithashtu, sepse kohë të vështira janë pranë…. Paqja është marrë pjesërisht nga toka, dhe shpejt do të merret tërësisht; po, shkatërrime na kanë ardhur tek dera, dhe së shpejti do të jenë tek shtëpitë e të ligjve, dhe tek ata që nuk e njohin Perëndinë.

Po, ngrini kokën dhe gëzohuni, sepse shëlbimi juaj po afrohet. Ne jemi njerëzit më të favorizuar nga ata që kanë qenë ndonjëherë që nga themelimi i botës, nëse mbetemi besnikë në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë tonë. Po, madje Enoku, i shtati pas Adamit, pa ditën tonë dhe u gëzua [shih Moisiu 7:65–67] dhe profetët që nga ajo ditë e tutje kanë profetizuar për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe janë gëzuar në ditën e pushimit të shenjtorëve; po, edhe Apostulli i Shpëtimtarit tonë vërtet u gëzua në shfaqjen e tij në një re, me ushtrinë e qiellit, që të banojë me njeriun në tokë një mijë vjet [shih Zbulesa 1:7]. Prandaj ne kemi arsye të gëzojmë.

Vini re që profecitë e Librit të Mormonit po plotësohen aq shpejt sa koha mund t’i përmbushë ato. Shpirti i Perëndisë së gjallë është mbi mua; prandaj, kush do të thotë se unë nuk do të profetizoj. Koha vjen shpejt që ne do të duhet të largohemi kudo që Zoti dëshiron, për siguri. Mos kini frikë ata që ju dënojnë për një fjalë [shih Isaia 29:20–21], por të jeni besnikë në dhënien e dëshmisë një brezi të shtrembër dhe të degjeneruar që dita e ardhjes së Zotit dhe Shpëtimtarit tonë është afër. Po, përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtegun e tij [shih Mateu 3:3].

Kush do të zmbrapset për shkak të skandaleve, sepse skandalet duhet të vijnë, por mjerë ata prej të cilëve do të vijnë, sepse guri duhet të bjerë mbi ta dhe t’i thërrmojë [shih Mateu 18:7; 21:43–44]. Sepse plotësia e Johebrenjve po vjen dhe mjerë ata nëse nuk pendohen dhe pagëzohen në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për heqjen e mëkateve të tyre, dhe nuk hyjnë nëpërmjet portës së ngushtë, dhe të numërohen me shtëpinë e Izraelit. Sepse Perëndia nuk do të vihet në lojë gjithmonë dhe të mos derdhë zemërimin e tij mbi ata që blasfemojnë emrin e tij të shenjtë, sepse shpata, zia e bukës dhe shkatërrimi shpejt do t’i pushtojnë ata në jetën e tyre mëkatare, sepse Perëndia do të marrë hak dhe do t’i derdhë kupat e tij të zemërimit, dhe do të shpëtojë të zgjedhurit e tij [shih Zbulesa 16:1].

Dhe të gjithë ata që do t’u binden urdhërimeve të tij janë të zgjedhurit e tij, dhe së shpejti ai do t’i mbledhë ata nga të katër erërat e qiellit, nga njëri skaj i tokës te tjetri [shih Mateu 24:31], drejt një vendi kudo që të dojë ai; prandaj, me durimin tuaj t’i fitoni shpirtrat tuaj [shih Lluka 21:19].”20

Mijëvjeçari do të jetë një kohë paqeje kur Shpëtimtari do të mbretërojë mbi tokë.

Nenet e Besimit 1:10: “Ne besojmë … që Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë; dhe që toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës.”21

“Planet e Perëndisë … kanë qenë … të vendosë paqe dhe vullnet të mirë midis njerëzve; të nxisë parimet e së vërtetës së përjetshme; të sjellë një gjendje të gjërave që do ta bashkojë njeriun me të afërmin e tij; ta bëjë botën të ‘farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj’ [Isaia 2:4], t’i bëjë kombet e tokës të banojnë në paqe dhe të shkaktojë lavdinë mijëvjeçare, kur ‘toka do të japë prodhimet e saj, do të rinisë lavdinë e saj [si parajsë] dhe do të bëhet si kopsht i Zotit’. …

Ka qenë plani i Jehovait, që nga fillimi i botës dhe është qëllimi i Tij tani, t’i rregullojë çështjet e botës në kohën e Vet, të qëndrojë si kreu i universit dhe të marrë në dorën e Tij frerët e qeverisë. Kur kjo të bëhet, gjykimi do të administrohet në drejtësi; konfuzioni dhe pështjellimi do të shkatërrohen dhe ‘[kombet] … nuk do të mësojnë më luftën’. [Shih Isaia 2:4.] …

… Moisiu e mori fjalën e Zotit nga Vetë Perëndia; ai qe goja e Perëndisë për Aaronin dhe Aaroni ia mësoi popullit në çështjet civile si dhe në ato kishtare; që të dy qenë një, nuk kishte dallim; kështu do të jetë kur qëllimet e Perëndisë do të përmbushen: kur ‘Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun’ dhe ‘Jeruzalemi … “Froni i [Tij]”’. ‘Nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.’ [Shih Zakaria 14:9; Jeremia 3:17; Mikea 4:2.]

… ‘Ai, e drejta e të cilit është, do të zotërojë mbretërinë dhe do të mbretërojë derisa Ai të vendosë të gjitha gjërat në këmbët e Tij’ [shih Ezekieli 21:27; 1 Korintasve 15:27]; ligësia do ta fshehë kokën e saj të thinjur, Satani do të lidhet dhe veprat e errësirës do të shkatërrohen; e drejta do të vendoset si masë dhe drejtësia si plumbçe dhe ‘vetëm [ai që ka frikë Zotin] do të lartësohet atë ditë’. [Shih Isaia 2:11; 28:17.]”22

“Nuk është e vërtetë se Jezusi do të jetë banor në tokë një mijë [vjet] bashkë me shenjtorët, por ai do të mbretërojë mbi shenjtorët dhe do të zbresë e udhëzojë, ashtu si u bëri pesëqind vëllezërve [shih 1 Korintasve 15:6] dhe ata të ringjalljes së parë do të mbretërojnë gjithashtu me të mbi shenjtorët.”23

Pas Mijëvjeçarit, toka do të ndryshojë në një gjendje të shenjtëruar, çelestiale.

“Kur ishim në drekë, i vura në dukje familjes sime dhe miqve të pranishëm se, kur toka të shenjtërohej dhe të bëhej si një det qelqi, do të ishte një urim dhe thumim i madh dhe shenjtorët do të mund të shihnin në të dhe të shihnin ashtu siç shiheshin.”24

“Kjo tokë do të rrokulliset përsëri në praninë e Perëndisë dhe do të kurorëzohet me lavdinë çelestiale.”25

“Pasi stina e vogël [e rebelimit të fundit të Satanit] të mbarojë dhe toka të pësojë ndryshimin e vet të fundit e të përlëvdohet, atëherë gjithë zemërbutët do të trashëgojnë tokën, ku banojnë të drejtët.”26

Profeti u mësoi sa vijon më 2 prill 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 130:9: “Kjo tokë, në gjendjen e saj të shenjtëruar dhe të pavdekshme, do të bëhet si kristal dhe do të jetë një Urim dhe Thumim për banorët që banojnë në të, me anë të së cilës të gjitha gjërat që lidhen me një mbretëri më të ulët ose me gjithë mbretëritë e një rendi më të ulët, do t’u manifestohen atyre që banojnë në të; dhe kjo tokë do të jetë e Krishtit”27.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni dy paragrafët e parë të plotë të faqes 265 dhe vini re përgatitjen e priftërinjve të lartë për të marrë zbulesën që tani është seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Mendoni se si ky rrëfim zbatohet për ju në përpjekjet tuaja për të kuptuar profecitë e Ardhjes së Dytë.

  • Lexoni profecitë e Profetit Jozef Smith për kohët e vështira përpara ardhjes së Zotit (faqet 266–268). Si mund të mbetemi në paqe madje gjatë sprovave të tilla? Si mendoni, përse duhet t’i dimë dhe t’i kuptojmë shenjat e Ardhjes së Dytë? Cilat shenja të Ardhjes së Dytë janë plotësuar ose po plotësohen?

  • Lexoni paragrafin e dytë të plotë të faqes 268 dhe paragrafin e tretë të plotë të faqes 270. Çfarë sugjeron fraza “si një vjedhës natën” për ardhjen e Zotit? Si mendoni, përse dita e Zotit nuk do t’i zërë në befasi bijtë e dritës si një vjedhës natën?

  • Si mund të përgatitemi ne për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit? (Për disa shembuj, shih faqet 269–271.) Mendoni se si do të ndiheni të shihni Shpëtimtarin nëse jeni përgatitur për ardhjen e Tij. Ndërsa përgatitemi për Ardhjen e Dytë, si mund të shmangim ndjenja të frikës ose panikut?

  • Rishihni profecitë e Jozef Smithit mbi Mijëvjeçarin (faqet 272–274). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa meditoni këtë periudhë kohe?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mikea 4:1–7; DeB 29:9–25; 45:36–71; 88:95–98, 110–115; Joseph Smith—Mateu 1:21–55

Shënime

  1. History of the Church, 1:301; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 244, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Doktrina e Besëlidhje 130:13; udhëzime dhënë nga Joseph Smith më 2 prill 1843, në Ramus, Illinois.

  3. Kirtland High Council, Minutes Dec. 1832–Nov. 1837, shënim për datën 27 dhjetor 1832, f. 3–4, raportuar nga Frederick G. Williams, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 3:331; nga “Extract, from the Private Journal of Joseph Smith Jr.”, Times and Seasons, nëntor 1839, f. 9.

  5. History of the Church, 3:390; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commers, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  6. History of the Church, 3:291; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  7. Letër nga Joseph Smith dhe John Whitmer drejtuar shenjtorëve në Colesville, New York, 20 gusht 1830, Harmony, Pennsylvania, në Newel Knight, Autobiography and Journal, rreth 1846–1847, f. 133–136, Arkivat e Kishës.

  8. History of the Church, 6:364; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  9. History of the Church, 3:286; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Presendia Huntington Buell, 15 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri; mbiemri i Motrës Buell shkruhet pasaktësisht “Bull” në History of the Church.

  10. History of the Church, 6:254; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  11. History of the Church, 5:337; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  12. History of the Church, 4:11; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith-i më 29 shtator 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga James Mulholland.

  13. History of the Church, 5:336–337; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  14. History of the Church, 6:254; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  15. History of the Church, 5:291; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar botuesit të Times and Seasons, 28 shkurt 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1843, f. 113.

  16. History of the Church, 1:442; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Moses Nickerson, 19 nëntor 1833, Kirtland, Ohio.

  17. History of the Church, 5:65; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 857; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  18. History of the Church, 6:93; nga apeli i Joseph Smith-it drejtuar shtetit të Vermont-it, 29 nëntor 1843, Nauvoo, Illinois, botuar si General Joseph Smith’s Appeal to the Green Mountain Boys (1843), f. 7.

  19. Letër nga Joseph Smith dhe të tjerë drejtuar Hezekiah Peck, 31 gusht 1835, Kirtland, Ohio; në “The Book of John Whitmer”, f. 80, Community of Christ Archives, Independence, Missouri; kopje e “The Book of John Whitmer”në Arkivat e Kishës.

  20. Letër nga Joseph Smith dhe John Whitmer drejtuar shenjtorëve në Colesville, New York, 2 dhjetor 1830, Fayette, New York, në Newel Knight, Autobiography and Journal, rreth 1846–1847, f. 198–206, Arkivat e Kishës.

  21. Nenet e Besimit 1:10.

  22. History of the Church, 5:61, 63–65; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 855–857; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  23. Cituar nga William P. McIntire, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës.

  24. History of the Church, 5:279; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 18 shkurt 1843, Nauvoo, Illinois.

  25. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të padatuar të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 8, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës.

  26. Cituar nga William P. McIntire, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës.

  27. Doktrina e Besëlidhje 130:9; udhëzime dhënë nga Joseph Smith më 2 prill 1843, në Ramus, Illinois.

Newel K. Whitney store

Një dhomë në katin e sipërm në dyqanin e restauruar të Njuël K. Uitnit. Jozef dhe Ema Smithi jetuan në këtë dyqan për më shumë se një vit dhe Profeti mori shumë zbulesa këtu, përfshirë zbulesa mbi ardhjen e Zotit.

lamb and lion

“Dita po afrohet shpejt kur rivendosja e të gjitha gjërave do të përmbushet. … Pastaj do të ndodhë që luani do të shtrihet me qengjin.”