Mësime të Presidentëve
Kapitulli 43: ‘Ai qe Profet i Perëndisë’: Bashkëkohës të Jozef Smithit Dëshmojnë për Misionin e Tij Profetik


Kapitulli 43

“Ai qe Profet i Perëndisë”: Bashkëkohës të Jozef Smithit Dëshmojnë për Misionin e Tij Profetik

“Më vjen të bërtas Aleluja sa herë që mendoj se pata mundësinë të njihja Jozef Smithin, Profetin.” (Brigam Jang)

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në Navu, shenjtorët shpesh u mblodhën së bashku që ta dëgjonin Profetin Jozef Smith t’u fliste atyre. Meqenëse nuk kishte ndërtesë mjaft të madhe në Navu që të nxinte gjithë shenjtorët, Profeti shpesh foli përjashta. Shpesh ai foli në një korije që ndodhej pak në perëndim të tempullit, ku mund të mblidheshin mijëra vetë. U ndërtua një platformë e mbartshme për udhëheqësit e Kishës e folësit dhe kongregacioni ulej mbi bar apo mbi trungje ose tulla. Profeti gjithashtu foli në vende të tjera në Navu, përfshirë tempullin e papërfunduar dhe shtëpi private. Një vizitor në Navu nga fillimi i vitit 1843 raportoi se pa të mbaheshin mbledhje: “Mbi dyshemenë e ashpër të bodrumit të Tempullit dhe atje Profeti predikon shpesh”1.

Kur Profeti fliste përjashta, shpesh ai i fillonte bisedat e tij duke i kërkuar shenjtorëve të luteshin që era apo shiu të qetësoheshin derisa ai të mbaronte së foluri. Në një konferencë të mbajtur në Navu më 8 prill 1843, Profeti e filloi një fjalim duke thënë: “Kam tre kërkesa për t’ia bërë kongregacionit: E para është që të gjithë ata që kanë besim ta ushtrojnë atë dhe t’i luten Zotit që të qetësojë erën; sepse ashtu si po fryn tani, unë nuk mund të flas gjatë pa e dëmtuar seriozisht shëndetin tim; tjetra është që të mund të kem lutjet tuaja që Zoti të forcojë mushkëritë e mia që të mund të jem në gjendje të bëj që të dëgjoni të gjithë; dhe e treta është që ju të luteni që Fryma e Shenjtë të qëndrojë mbi mua, që të më bëjë të aftë të shpall ato gjëra që janë të vërteta”2.

Caktimet e Profetit për të folur qenë shumë të rëndësishme për anëtarët e Kishës dhe nganjëherë ai u fliste kongregacioneve që numëronin disa mijëra vetë. “Askush prej atyre që e dëgjuan nuk u lodh ndonjëherë nga fjalimi i tij”, kujtoi Parli P. Prat. “Unë madje e kam parë atë ta mbajë të mbledhur për shumë orë një kongregacion dëgjuesish të gatshëm dhe të dëshiruar, në mes të të ftohtit apo të kohës me diell, të shiut apo erës, ndërkohë që ata qeshnin në një çast dhe qanin në tjetrin.”3 Alvah J. Aleksandër, që qe djalosh gjatë viteve të Navusë, kujtoi se “asnjë zbavitje apo lojë nuk qe aq interesante për mua sa ta dëgjoja atë të fliste”4.

Amasa Poter kujtoi se qe i pranishëm në një predikim të fuqishëm që Profeti Jozef Smith ua predikoi një grupi të madh shenjtorësh në Navu:

“Kur [Profeti] kishte folur rreth tridhjetë minuta erdhi një erë e fuqishme e një stuhi. Pluhuri qe kaq i dendur sa ne nuk mund ta shihnim njëri-tjetrin pa qenë afër dhe disa prej njerëzve po largoheshin kur Jozefi u thirri të ndalonin dhe t’i linin lutjet e tyre të ngjiteshin tek Perëndia i Plotfuqishëm, që era të mund të pushonte së fryri dhe shiu të pushonte së rëni, dhe kështu do të bëhej. Brenda fare pak minutash era e shiu pushuan dhe elementet u qetësuan si në një mëngjes vere. Stuhia u shpërnda dhe shkoi në veri e në jug të qytetit dhe ne mund të shihnim në largësi pemët e kaçubet që lëkundeshin nga era, ndërsa atje ku qemë ne ishte qetësi për një orë dhe gjatë asaj kohe një prej predikimeve më të shkëlqyera, që ka dalë ndonjëherë nga buzët e Profetit, u predikua mbi temën madhështore të të vdekurve.”5

Shenjtorët që e dëgjuan të fliste Profetin Jozef Smith dhanë dëshmi të fuqishme e të gjalla për misionin e tij profetik. Shumë prej tyre i dokumentuan kujtimet e tyre të fjalimeve që e dëgjuan të mbante dhe përvojat që patën me të, sepse ata dëshironin që brezat që i pasuan ata të dinin, ashtu si ata e dinin, se Jozef Smithi ishte vërtet një profet i Perëndisë.

Dëshmi për Jozef Smithin

Ashtu si shenjtorët e hershëm, ne mund ta dimë se Jozef Smithi është profeti përmes të cilit Zoti rivendosi plotësinë e ungjillit.

Brigam Jang, Presidenti i dytë i Kishës: “Më vjen të thërras, aleluja, gjithë kohës, kur mendoj se dikur e njoha Jozef Smithin, Profetin që Zoti e ngriti dhe e shuguroi, dhe të cilit i dha çelësat dhe fuqi për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë e për ta mbështetur atë. Këto çelësa i janë besuar këtij populli dhe ne kemi fuqi të vazhdojmë veprën që filloi Jozefi.”6

Eliza R. Snou, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës nga viti 1866 deri në 1887: “Në çështjen e së vërtetës dhe drejtësisë – në gjithçka që do t’i sillte përfitim bashkënjeriut të tij, ndershmëria e tij qe po aq e paepur sa kolonat e Qiellit. Ai e dinte se Perëndia e kishte thirrur atë për punën dhe gjithë fuqitë e tokës e të ferrit të bashkuara nuk ia dolën as ta frenonin as ta largonin nga qëllimi i tij. Me ndihmën e Perëndisë e të vëllezërve të tij, ai hodhi themelet e veprës më të madhe të krijuar ndonjëherë nga njeriu – një vepër që shtrihet jo vetëm tek gjithë të gjallët dhe tek gjithë brezat që do të vijnë, por gjithashtu tek të vdekurit.

Ai me guxim e trimëri u përball me traditat e rreme, supersticionet, fetë, fanatizmin dhe paditurinë e botës – e provoi veten të vërtetë ndaj çdo parimi të zbuluar nga qielli – të vërtetë ndaj vëllezërve të tij dhe të vërtetë ndaj Perëndisë, pastaj e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij.”7

Betsheba W. Smith, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës nga viti 1901 deri në 1910: “Unë e di se ai është ai që shpalli se ishte – një profet i vërtetë i Perëndisë dhe se Zoti përmes tij rivendosi ungjillin e përjetshëm dhe çdo ordinancë e indaument që do të na udhëheqë në mbretërinë çelestiale”8.

Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës: “Kam ndier të gëzohem jashtëzakonisht në atë çfarë pashë nga Vëllai Jozef, sepse në veprimet e tij publike e private ai mbarti Shpirtin e të Plotfuqishmit dhe shfaqi një madhështi të shpirtit të cilën nuk e kam parë kurrë tek asnjë njeri tjetër”9.

Daniel D. Mek-Artur, një anëtar i hershëm i Kishës, që më vonë udhëhoqi një prej kompanive të para të karrocave të dorës për në Solt-Lejk-Siti: “Dëshmia ime është se ai qe një Profet i vërtetë i Perëndisë së gjallë; dhe sa më shumë i dëgjova thëniet e tij e pashë veprimet e tij, aq më shumë u binda se ai vërtet kishte parë Perëndinë Atë dhe Birin e Tij Jezu Krishtin, si dhe engjëjt e shenjtë të Perëndisë. … Gjithmonë më është dukur se nëse kam ditur ndonjëherë ndonjë gjë në këtë tokë, sigurisht e dija se ai ishte Profet.”10

Aleksandër Mek-Rei, një prej të burgosurve në burgun e Libertisë me Jozef Smithin: “I tillë qe besimi ynë tek [Jozef Smithi] si Profet, saqë kur ai thoshte: ‘Kështu thotë Zoti’, ne kishim besim se do të ishte ashtu si ai thoshte; dhe sa më shumë e provuam, aq më shumë besim patëm, sepse kurrë nuk gjetëm që fjala e tij të mos vërtetohej në asnjë rast të vetëm”11.

Liman O. Litëllfild, një anëtar i Kampit të Sionit: “Gjithë energjitë e shpirtit të tij ishin përthithur në veprën e lavdishme të ditëve të mëvonshme për të cilën ai ishte thirrur nga Mjeshtri i tij Hyjnor”12.

Meri Elis Kanon Lambert, një angleze e kthyer në besim, që emigroi në Navu në vitin 1843: “E pashë së pari Jozef Smithin në pranverën e 1843-it. Kur lundra me të cilën iu ngjitëm lumit Misisipi arriti në skelën e Navusë, disa prej vëllezërve udhëheqës qenë atje për të takuar kompaninë e shenjtorëve që kishte ardhur me të. Mes atyre vëllezërve qe Profeti Jozef Smith. E njoha atë në çastin kur sytë e mi ranë mbi të dhe në atë çast unë mora dëshminë time se ai qe një Profet i Perëndisë. … Atë nuk ma treguan. E njoha atë nga gjithë burrat e tjerë dhe, edhe pse fëmijë (isha vetëm katërmbëdhjetë vjeçe) e dija se pashë një Profet të Perëndisë.”13

Angus M. Kanon, një anëtar i Kishës që jetoi në Navu kur qe i ri dhe më vonë u bë president kunji në Solt-Lejk-Siti: “Në një rast veçanërisht e kujtoj Vëllain Jozef kur iu drejtua një kuvendi shenjtorësh, në pranverën e 1844-ës. Qe poshtë disa lisave të mëdhenj, në një luginëz në jug të Tempullit, pranë rrugës Parli. Ai po fliste mbi faktin se Perëndia, me krijimin e Kishës së Tij, kishte siguruar që vetëm një burrë të ishte i autorizuar, nga Perëndia, për të marrë zbulesa që do të ishin detyruese mbi Kishën. … Qe në po këtë rast që dëgjova Profetin të deklaronte se ai e kishte marrë Priftërinë Melkizedeke, nën drejtimin e Pjetrit, Jakobit e Gjonit.

Mbresa që u krijua në mendjen time të re nga të shprehurit e frymëzuar të Jozef Smithit më ka shoqëruar gjithë pjesën tjetër të jetës; dhe kur përndryshe errësira do ta kishte mbuluar me re mendjen time, dëshmia e tij ka dalë e gjallë para meje, duke më dhënë provë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është krijuar dhe qeveriset nga fuqia dhe autoriteti i shfaqur i Perëndisë.”14

Hajrëm Smith, vëllai i Profetit dhe Patriark i Kishës: “Ka pasur profetë më parë, por Jozefi ka shpirtin dhe fuqinë e të gjithë profetëve”15.

Jozef Smithi ishte një shembull që mund ta ndjekim në zhvillimin e një karakteri si të Krishtit.

Parli P. Prat, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve nga viti 1835 deri në 1857: “Presidenti Jozef Smith ishte vetë i gjatë dhe i formuar mirë, i fuqishëm e aktiv; me lëkurë të çelët, flokë ngjyrë kafe të çelët, sy blu, me fare pak qime në fytyrë dhe me një shprehje unike. … Shprehja e fytyrës së tij ishte gjithmonë e butë, e dashur, që rrezatonte inteligjencë e dashamirësi; e përzier me një vështrim interesimi e buzëqeshjeje të pandërgjegjshme, apo gazmendi dhe plotësisht e çliruar nga çfarëdo frenimi apo serioziteti të shtirë; dhe kishte diçka të lidhur me vështrimin depërtues të qetë e të qëndrueshëm të syrit të tij, sikur do të përshkonte humnerat më të thella të zemrës njerëzore, do t’ia ngulte sytë përjetësisë, do të përshkonte qiejt dhe do të përfshinte gjithë botët. Ai zotëronte një guxim fisnik dhe pavarësi karakteri; sjellja e tij ishte e thjeshtë dhe e dashur; qortimi i tij i tmerrshëm si luani; dashamirësia e tij e pakufi si oqeani; inteligjenca e tij universale.”16

Xhon Nidam, një anglez i kthyer herët në besim: “Jozef Smithi është një burrë i shkëlqyer, një burrë parimesh, një burrë i hapur; jo një person fanatik e i ngrysur, por krejt e kundërta. Vërtet disa ngurrojnë sepse ai është një burrë kaq i hapur, që flet çiltër, gazmor, por kjo më bën ta dua më shumë.”17

Emelin B. Uells, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës nga viti 1910 deri në 1921: “Unë … dëshmoj se ai qe burri më i shkëlqyer dhe profeti më i shkëlqyer, dhe personazhi më i shkëlqyer i këtij brezi, ndihem e sigurt ta them, më i shkëlqyeri që nga ditët e Shpëtimtarit. Madhështia e tij në paraqitje ishte diçka e mrekullueshme. Do të mendoje se ai ishte shumë më i gjatë dhe më i madh madje nga sa ishte. Ndoshta shumë prej jush kanë vënë re burra që kanë një qëndrim të tillë kur çohen dhe ecin. Kështu qe me Profetin Jozef. Nuk ka piktura ekzistuese të tij me sa di unë, që të krahasohen me bukurinë dhe madhështinë e pamjes së tij.”18

Meri Elis Kanon Lambert: “Dashuria që kishin shenjtorët për të nuk shprehej dot. Ata me gatishmëri do të jepnin jetën e tyre për të. Nëse do të fliste ai, çdo punë do të lihej mënjanë që ata të mund të dëgjonin fjalët e tij. Ai nuk qe një burrë i zakonshëm. Shenjtorë e mëkatarë njëlloj e ndien dhe njohën një fuqi e ndikim që ai mbartte. Qe e pamundur ta takoje atë dhe të mos të të linte mbresë forca e personalitetit të tij dhe ndikimi.”19

Xhon M. Bernhizel, një mjek që banoi në shtëpinë e Jozefit dhe Emës në Navu për disa muaj gjatë vitit 1843 dhe 1844: “Jozef Smithi është prej natyre një burrë me forcë të madhe mendore dhe zotëron shumë energji e vendosmëri karakteri, depërtueshmëri të madhe dhe një njohje të thellë të natyrës njerëzore. Ai është një burrë me gjykim të qetë, pikëpamje të gjera dhe dallohet në mënyrë të spikatur nga dashuria e tij për drejtësinë. Ai është i sjellshëm dhe i gjindshëm, bujar e dashamirës, i shoqërueshëm e gazmor dhe zotëron një mendje studioze e mendimtare. Ai është i ndershëm, i hapur, sypatrembur e i pavarur dhe aq i çliruar nga shtirja [paraqitje të rreme] sa çdo burrë që mund të gjeni. … Si mësues fetar, ashtu dhe si njeri, atë e duan shumë këta njerëz.”20

Xhes N. Smith, një kushëri i Jozef Smithit: “[Profeti ishte] në mënyrë të pakrahasueshme burri më i ngjashëm me Perëndinë që kam parë ndonjëherë. … E di se prej natyre ai qe i paaftë për gënjeshtra e mashtrim, pasi zotëronte mirësinë dhe fisnikërinë më të madhe të karakterit. Në praninë e tij unë ndieja se ai mund të më lexonte përbrenda plotësisht. E di se ai ishte gjithçka që thoshte se ishte.”21

Uilliam Klejton, një anglez i kthyer në besim që shërbeu si sekretar i Jozef Smithit: “Sa më shumë që jam me të, aq më shumë e dua; sa më shumë që e njoh, aq më shumë besim kam tek ai”22.

Jozef F. Smithi, Presidenti i gjashtë i Kishës: “Ai qe i mbushur me më fisniken e më të dëlirën e natyrës njerëzore, që shpesh u shpreh në zbavitje të pafajshme – në lojëra me top, në mundje me vëllezërit e tij dhe kacafytje loje me ta dhe duke u zbavitur; ai nuk qe si një njeri tepër zyrtar me seriozitet të shtirë dhe me fytyrë të derdhur në bronz sa të mos mund të buzëqeshte, se nuk kishte gëzim në zemrën e tij. Oh, ai qe plot me gëzim; ai qe plot me kënaqësi; ai qe plot me dashuri dhe me çdo veti tjetër fisnike që i bën njerëzit të shkëlqyer e të mirë dhe në të njëjtën kohë të thjeshtë e të pafajshëm, kështu që mund të ulej deri në kushtet më të ulëta; dhe ai kishte fuqi, me anë të hirit të Perëndisë, që edhe të rrokte qëllimet e të Plotfuqishmit. I tillë qe karakteri i Profetit Jozef Smith.”23

Si profeti përmes të cilit u rivendos ungjilli, Jozef Smithi dha mësim planin e shpëtimit të Perëndisë me qartësi dhe fuqi.

Brigam Jang: “Shkëlqimi i lavdisë së karakterit të Vëllait Jozef Smith qe se ai mund të thjeshtonte gjërat qiellore sa t’i kuptonin të vdekshmit. Kur u predikoi njerëzve – zbuloi gjërat e Perëndisë, vullnetin e Perëndisë, planin e shpëtimit, qëllimet e Jehovait, marrëdhënien sipas së cilës qëndrojmë me të dhe gjithë qeniet qiellore – ai i thjeshtoi mësimet e tij deri në aftësinë mendore të çdo burri, gruaje apo fëmije, duke i bërë aq të qarta sa një udhë e përcaktuar mirë. Kjo duhet ta kishte bindur çdo njeri, që dëgjoi ndonjëherë atë, për autoritetin dhe fuqinë e tij hyjnore, sepse asnjë njeri tjetër nuk qe i aftë të jepte mësim si mundej ai dhe asnjë person nuk mund të zbulojë gjërat e Perëndisë, përveçse përmes zbulesave të Jezu Krishtit.”24

Hauard Korej, një sekretar i Jozef Smithit: “Unë e kam studiuar Ungjillin siç u zbulua nga Jozef Smithi dhe kam vrarë mendjen nëse ishte e mundur që ndokush i pandihmuar nga Shpirti i Perëndisë të kishte zbuluar një sistem të tillë shpëtimi e ekzaltimi për njeriun. Përfundimi im është negativ. Kam ndenjur e kam dëgjuar predikimet e tij në foltore në Navu shumë herë ndërsa jam përthithur plotësisht nga gojëtaria e tij e papërshkrueshme – fuqia e shprehjes – duke folur ashtu si nuk kam dëgjuar kurrë të flasë ndonjë njeri tjetër.”25

Xhozef L. Robinson, një këshilltar në një këshill peshkopi në Navu: “Që prej kohësh ne e kemi besuar dhe e kemi ditur vërtet se Jozef Smithi ishte një Profet i vërtetë e i përulur i Perëndisë, por tani sytë tanë e shohin vërtet atë dhe veshët tanë dëgjojnë zërin e tij, që është si zëri i bubullimave të fuqishme të Qiellit, prapëseprapë gjuha e tij është e butë dhe udhëzuese, që lartëson shumë. Por ka një fuqi e madhështi të pranishme në fjalët e predikimin e tij që ne nuk e kemi parë kurrë tek ndonjë njeri më parë, sepse ai është një Profet i fuqishëm, një njeri i shenjtë i Perëndisë. Ai vërtet është mësuar në gjërat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë dhe qe mbushur së tepërmi me Frymën e Shenjtë, që qe një shoqërues i vazhdueshëm.”26

Orson Spenser, një shërbestar baptist që u bashkua me Kishën në vitin 1841: “Në doktrinë Z. Smith është spikatshëm i shkrimeve të shenjta. Nuk e kam parë kurrë të mohojë apo nënvlerësojë një të vërtetë të vetme të Dhiatës së Vjetër e të Re; por gjithmonë e kam parë t’i shpjegojë e mbrojë ato në mënyrë mjeshtërore. I vajosur nga Perëndia, me qëllimin që t’i japë mësim e ta përsosë kishën, është e nevojshme që ai duhet të dijë se si t’i vërë në rregull gjërat që mungojnë për të nxjerrë në dritë gjëra të reja e të vjetra, si një shkrues i udhëzuar mirë. Këtë detyrë dhe apostullim duket se ai e lartëson; në prekjen e tij profetët e lashtë brofin në jetë dhe bukuria e fuqia e zbulesave të tyre paraqiten me interes drithërues për të gjithë që i dëgjojnë.”27

Xhona R. Boll, një anëtar i Kishës që jetonte në Navu: “Shkova në mbledhje. Dëgjova Profetin të predikonte në dyshemenë e tempullit. Atë po e dëgjonin disa mijëra. Nuk ka gabim. Mënyra si i shpalos ai shkrimet e shenjta është përtej supozimit apo polemikës. Teksti i tij ishte kapitulli i parë i 2 Pjetrit. Ai e shpjegoi atë po aq qartë sa dielli [i mesditës].”28

Uilliam Klejton: “Ne kemi pasur privilegjin të bashkëbisedojmë me Jozef Smith të Riun dhe u kënaqëm me shoqërinë e tij. … Ai është … një burrë me gjykim të shëndoshë e zotëron një bollëk inteligjence dhe ndërsa dëgjoni bisedimin e tij ju merrni inteligjencë që ju zgjeron mendjen dhe e bën zemrën tuaj të gëzohet. Ai është shumë i dashur dhe kënaqet të udhëzojë shenjtorin e varfër. Unë mund të bisedoj me të po aq lehtë sa mundem me ju dhe në lidhje me qenien i gatshëm për të komunikuar udhëzim, ai thotë: ‘Unë falas e marr dhe falas do ta jap’. Ai është i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo pyetjeje që i kam drejtuar dhe kënaqet kur i bëjmë pyetje. Ai duket i përgatitur jashtëzakonisht mirë për shkrimet e shenjta dhe ndërsa bisedon për çfarëdo teme, zbulohet një dritë e bukuri e tillë siç nuk e kam parë kurrë më parë. Nëse do të kisha ardhur nga Anglia me qëllimin që të bisedoja me të për vetëm disa ditë, do ta kisha konsideruar veten të shpërblyer më së miri për mundimin.”29

Mersi Filding Tompson, një angleze e kthyer në besim bashkëshorti i së cilës, Robert B. Tompson, shërbeu si sekretar i Jozef Smithit: “Unë kam … dëgjuar shpjegimet e tij të qarta e mjeshtërore për pyetje të thella e të vështira. Atij gjithë gjërat i dukeshin të thjeshta e të lehta për t’u kuptuar dhe kështu ai mund t’ua bënte ato të qarta të tjerëve ashtu si asnjë njeri tjetër që kam dëgjuar ndonjëherë.”30

Ashtu si shenjtorët e hershëm, ne mund të ruajmë si thesar fjalët e Jozef Smithit dhe të jetojmë parimet që na mësoi ai.

Emelin B. Uells: “Tek Profeti Jozef Smith, unë besova se njoha fuqinë e madhe shpirtërore që i solli gëzim e ngushëllim shenjtorëve. … Fuqia e Perëndisë qëndroi mbi të në një shkallë të tillë sa në shumë raste ai dukej i shpërfytyruar. Shprehja e tij qe e butë e gati fëmijërore në prehje; dhe kur u drejtohej njerëzve, që e donin, dukej deri në adhurim, lavdia e pamjes së tij ishte tej përshkrimit. Herë të tjera, fuqia e madhe e sjelljes së tij, më tepër se e zërit të tij (që ishte madhërisht shprehës për mua), dukej se shkundte vendin ku qëndronim dhe depërtoi shpirtin më intim të dëgjuesve të tij dhe jam e sigurt se atëherë ata do të kishin dhënë jetën e tyre për ta mbrojtur atë. E kam dëgjuar gjithmonë e magjepsur çdo shqiptim të tij – i zgjedhuri i Perëndisë në këtë periudhë të fundit ungjillore.”31

Lorenco Snou, Presidenti i pestë i Kishës: “Hera e parë kur pashë Profetin Jozef qe kur isha djalosh [rreth 17 vjeç]. Ai po i fliste një kongregacioni të vogël. Ai u tregoi atyre për vizitën e engjëjve tek ai. … Njerëzve u pëlqente shumë ta dëgjonin, sepse qe plot zbulesë. … Sipas premtimit të Zotit, ata që pranuan parimet që u mësoi morën nga Zoti një dëshmi të vërtetësisë së tyre.”32

Eduard Stivenson, anëtar i Të Shtatëdhjetëve nga viti 1844 deri në 1897: “E pashë së pari atë në vitin 1834 në Pontiak [Miçigan] dhe mbresa që ngeli në mendjen time prej tij atëherë më shkakton shumë gëzim tani kur ua përshkruaj miqve të tij të shumtë. Dashuria për të, si një Profet i vërtetë i Perëndisë, mbeti e pashlyeshme në mendjen time dhe ka qenë gjithmonë me mua që nga ajo kohë, ndonëse kanë kaluar gati gjashtëdhjetë vjet qysh atëherë. Po në atë vit, 1834, në mes shumë kongregacioneve të mëdha, Profeti dëshmoi me fuqi të madhe në lidhje me vizitën e Atit e të Birit dhe bisedën që pati me ta. Asnjëherë më parë nuk kam ndier fuqi të tillë si u shfaq në ato raste.”33

Meri En Stiërns Uinters, thjeshtra e Plakut Parli P. Prat: “Qëndrova pranë Profetit ndërsa po u predikonte indianëve në korijen pranë Tempullit. Shpirti i Shenjtë i ndriçoi pamjen derisa shkëlqeu si një aureolë rreth tij dhe fjalët e tij përshkuan zemrat e të gjithëve atyre që e dëgjuan. …

Pashë trupat e vdekur të Vëllezërve Jozef dhe Hajrëm kur dergjeshin në Mensën Hauz pasi i sollën nga Karthixhi dhe gjithashtu pashë disa prej rrobave që kishin veshur, të ngjyer me gjakun e jetës së tyre. E di se ata ishin burra të Perëndisë, Profet e Patriark, të vërtetë e besnikë. Qofshim të denjë t’i takojmë ata në botën që do të vijë!”34

Uillford Udraf, që raporton për një predikim të 6 prillit 1837: “Presidenti Jozef Smith i Riu u ngrit dhe iu drejtua kongregacionit për një kohë prej tre orësh, i veshur me fuqinë, shpirtin dhe imazhin e Perëndisë. Ai shprehu lirisht mendjen dhe ndjenjat e tij në shtëpinë e miqve të tij. Ai u paraqiti shumë gjëra me rëndësi të madhe mendjeve të pleqve të Izraelit. Oh, sikur të ishin shkruar mbi zemrat tona si me një stil prej hekuri për të mbetur përgjithmonë që të mund t’i praktikonim ato në jetën tonë [shih Jobi 19:23–24]. Ai burim drite, parimi dhe virtyti që u zbraz nga zemra e goja e Profetit Jozef, shpirti i të cilit si i Enokut u mbush gjerësisht si përjetësia – them unë, prova të tilla të paraqitura në mënyrë kaq bindëse duhet të heqin çdo grimcë mosbesimi e dyshimi nga mendja e dëgjuesve, sepse një gjuhë, ndjenjë, parim dhe shpirt i tillë nuk mund të rrjedhin nga errësira. Jozef Smith i Riu është një profet i Perëndisë i ngritur për çlirimin e Izraelit po aq me të vërtetë sa zemra ime që digjet tani brenda meje.”35

Brigam Jang: “Që nga hera e parë kur pashë Profetin Jozef nuk kam harruar asnjë fjalë që doli prej tij në lidhje me mbretërinë. Dhe ky është çelësi i dijes që unë kam sot, se unë vërtet mbajta vesh fjalët e Jozefit dhe i mblodha si thesar në zemrën time, i ngulita menjëherë, duke i kërkuar Atit në emrin e Birit të tij Jezus t’i sillte në mendjen time kur nevojitej. Unë mblodha si thesar gjërat e Perëndisë dhe ky është çelësi që mbaj sot. Unë isha i dëshiruar të mësoja nga Jozefi dhe Shpirti i Perëndisë.”36

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni dëshmitë mbi Profetin Jozef Smith në faqet 529–531. Çfarë ju lë mbresa për këto dëshmi? Cili është themeli i vetë dëshmisë suaj për Jozef Smithin? Si e fituat këtë dëshmi? Ju mund të dëshironi ta shkruani dëshminë tuaj në ditarin tuaj apo ta ndani atë me familjen tuaj.

  • Faqet 531–533 përmbajnë deklarime që përshkruajnë paraqitjen, personalitetin dhe karakterin e Jozef Smithit. Si i ndikojnë këto deklarime ndjenjat tuaja për Jozef Smithin? Mendoni për mënyra se si ju mund të zhvilloni disa prej po këtyre tipareve të karakterit.

  • Studioni dëshmitë mbi mënyrën si Profeti Jozef dha mësim ungjillin dhe shpjegoi shkrimet e shenjta (faqet 534–536). Si mund të na ndihmojnë këto dëshmi kur studiojmë dhe japim mësim ungjillin?

  • Rishikoni seksionin e fundit të këtij kapitulli (faqet 536–538). Si mund të ndiqni shembujt e Uillford Udrafit dhe Brigam Jangut në studimin tuaj të këtij libri? Si mund të ndiqni shembujt e tyre kur studioni mësimet e profetëve të gjallë? Si mendoni ju, çfarë do të thotë të lejosh të vërtetën të “shkru[het] mbi zemrat tona si me një stil prej hekuri”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 3:6–19; DeB 24:1–9; 124:1

Shënime

  1. Cituar në History of the Church, 5:408; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; nga një letër e një korrespondenti të paidentifikuar të Boston Bee, 24 mars 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 maj 1843, f. 200.

  2. History of the Church, 5:339; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  3. Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 46.

  4. Alvah J. Alexander, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1906, f. 541.

  5. Amasa Potter, “A Reminiscence of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor,15 shkurt 1894, f. 132.

  6. Brigham Young, Deseret News, 31 tetor 1855, f. 268.

  7. Eliza R. Snow, “Anniversary Tribute to the Memory of President Joseph Smith”, Woman’s Exponent, 1 janar 1874, f. 117; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  8. Bathsheba W. Smith, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor,1 qershor 1892, f. 344.

  9. Wilford Woodruff, Deseret News, 20 janar 1858, f. 363; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  10. Daniel D. McArthur, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor,15 shkurt 1892, f. 129.

  11. Alexander McRae, cituar në History of the Church, 3:258; nga një letër e Alexander McRae drejtuar botuesit të Deseret News, 1 nëntor 1854, Salt Lake City, Utah, botuar në Deseret News, 9 nëntor 1854, f. 1; janë modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika.

  12. Lyman O. Littlefield, Reminiscences of Latter-day Saints (1888), f. 35.

  13. Mary Alice Cannon Lambert, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 554.

  14. Angus M. Cannon, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1906, f. 546; janë modernizuar drejtshkrimi dhe gramatika.

  15. Hyrum Smith, cituar në History of the Church, 6:346; nga një fjalim i mbajtur nga Hyrum Smith më 28 prill 1844, në Nauvoo, Illinois.

  16. Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 45–46; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  17. Letër nga John Needham drejtuar prindërve të tij, 7 korrik 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Millennial Star, tetor 1843, f. 89.

  18. Emmeline B. Wells, “The Prophet Joseph”, Young Woman’s Journal, gusht 1912, f. 437–438; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  19. Mary Alice Cannon Lambert, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 554.

  20. John M. Bernhisel, cituar në History of the Church, 6:468; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e John M. Bernhisel drejtuar Thomas Ford, 14 qershor 1844, Nauvoo, Illinois.

  21. Jesse N. Smith, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 janar 1892, f. 23–24; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  22. Letër nga William Clayton drejtuar William Hardman, 30 mars 1842, Nauvoo, Illinois, botuar në Millennial Star, 1 gusht 1842, f. 76.

  23. Joseph F. Smith, në “Joseph, the Prophet”, Salt Lake Herald Church and Farm Supplement, 12 janar 1895, f. 211; janë modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i shenjave të pikësimit.

  24. Brigham Young, Deseret News, 28 nëntor 1860, f. 305; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  25. Letër nga Howard Coray drejtuar Martha Jane Lewis, 2 gusht 1889, Sanford, Colorado, f. 3–4, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  26. Joseph Lee Robinson, Autobiography and Journals, 1883–1892, folder 1, f. 22, Arkivat e Kishës.

  27. Letër nga Orson Spencer drejtuar një personi të panjohur, 17 nëntor 1842, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 2 janar 1843, f. 56–57; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  28. Letër nga Jonah R. Ball drejtuar Harvey Howard, 19 maj 1843, Nauvoo, Illinois; Jonah Randolph Ball, Letters 1842–1843, to Harvey Howard, Shutesbury, Massachusetts, Arkivat e Kishës.

  29. Letër nga William Clayton drejtuar anëtarëve të Kishës në Manchester, England, 10 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, Arkivat e Kishës.

  30. Mercy Fielding Thompson, “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor,1 korrik 1892, f. 399; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  31. Emmeline B. Wells, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 556; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  32. Lorenzo Snow, Deseret Weekly, 13 prill 1889, f. 487.

  33. Edward Stevenson, Reminiscences of Joseph, the Prophet, and the Coming Forth of the Book of Mormon (1893), f. 4; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  34. Mary Ann Stearns Winters, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 558; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  35. Wilford Woodruff, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; Wilford Woodruff, Journals, 1833–1898, Arkivat e Kishës.

  36. Brigham Young, Deseret News, 6 qershor 1877, f. 274; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

Joseph Smith teaching

“Njerëzve u pëlqente shumë ta dëgjonin [Profetin Jozef Smith], sepse qe plot zbulesë”, deklaroi Lorenco Snou. “ Sipas premtimit të Zotit, ata që pranuan parimet që u mësoi morën nga Zoti një dëshmi të vërtetësisë së tyre.”

Bathsheba W. Smith

Betsheba W. Smith

Mary Alice Cannon Lambert

Meri Elis Kanon Lambert

Parley P. Pratt

Parli P. Prat

John M. Bernhisel

Xhon M. Bernhizel

William Clayton

Uilliam Klejton

Joseph L. Robinson

Xhozef L. Robinson

Mercy Fielding Thompson

Mersi Filding Tompson

Emmeline B. Wells

Emelin B. Uells

Lorenzo Snow

Lorenco Snou