Mësime të Presidentëve
Kapitulli 46: Martirizimi: Profeti e Vulos Dëshminë e Tij me Gjakun e Tij


Kapitulli 46

Martirizimi: Profeti e Vulos Dëshminë e Tij me Gjakun e Tij

“Ai jetoi në mënyrë të madhërishme dhe vdiq në mënyrë të madhërishme në sytë e Perëndisë dhe të popullit të tij.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Dimri dhe pranvera e viteve 1843-1844 qenë një kohë tensionimi të madh në Navu, ndërkohë që armiqtë e Jozef Smithit i shtuan përpjekjet e tyre për ta shkatërruar atë dhe Kishën. Duke e ditur se shërbesës së tij në vdekshmëri do t’i vinte shpejt fundi, Profeti u takua shpesh me anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për t’i udhëzuar dhe për t’u dhënë atyre çelësat e priftërisë të nevojshëm për të qeverisur Kishën. Këto përgatitje kulmuan në një mbledhje me Apostujt dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë në mars 1844. Në këtë këshill të jashtëzakonshëm, Profeti i ngarkoi Të Dymbëdhjetët të qeverisnin Kishën pas vdekjes së tij, duke u shpjeguar se u kishte dhënë atyre të gjitha ordinancat, autoritetin dhe çelësat e nevojshëm për ta bërë atë. “Unë po e heq barrën dhe përgjegjësinë e udhëheqjes së kësaj kishe nga shpatullat e mia dhe po e vë mbi tuajat”, deklaroi ai. “Tani shtrëngoni supet dhe qëndroni nën të si burra; sepse Zoti do të më lërë mua të pushoj pak.”1

Më 10 qershor 1844, Jozef Smithi, që ishte kryetari i bashkisë i Navusë, dhe këshilli i qytetit të Navusë urdhëroi shkatërrimin e Nauvoo Expositor dhe të shtypshkronjës ku shtypej ajo. Nauvoo Expositor ishte një gazetë antimormone që shpifte për Profetin e shenjtorë të tjerë dhe bënte thirrje për shfuqizimin e Kartës së Navusë. Zyrtarët e qytetit kishin frikë se ky botim do të çonte në veprime të turmës. Si rezultat i veprimit të kryetarit të bashkisë dhe këshillit të qytetit, autoritetet e Ilinoisit bënë një padi të pabazuar për rebelim kundër Profetit, vëllait të tij Hajrëm dhe zyrtarëve të tjerë të qytetit të Navusë. Guvernatori i Ilinoisit, Tomas Ford, i urdhëroi burrat të përballonin gjyqin në Karthixh të Ilinoisit, qendra e kontesë, dhe u premtoi mbrojtje. Jozefi e dinte se po të shkonte në Karthixh, jeta e tij do të ishte në rrezik të madh prej turmave që po e kërcënonin atë.

Duke besuar se turmat donin vetëm ata, Jozefi dhe Hajrëmi vendosën të iknin drejt perëndimit për të shpëtuar jetën. Më 23 qershor ata kapërcyen lumin Misisipi, por më vonë po atë ditë, vëllezër nga Navuja e gjetën Profetin dhe i thanë atij se trupa ushtarake do të pushtonin qytetin nëse ai nuk u dorëzohej autoriteteve në Karthixh. Profeti ra dakord ta bënte këtë, duke shpresuar të kënaqte si zyrtarët qeverisës ashtu dhe turmat. Më 24 qershor, Jozef dhe Hajrëm Smithi u lanë lamtumirën familjeve të tyre dhe kalëruan bashkë me zyrtarë të tjerë të qytetit të Navusë drejt Karthixhit, duke iu dorëzuar vullnetarisht zyrtarëve të kontesë në Karthixh ditën tjetër. Pasi vëllezërit u liruan me kusht për akuzën fillestare, ata i akuzuan pa të drejtë për tradhti kundër shtetit të Ilinoisit, i arrestuan dhe i burgosën në burgun e Karthixhit në pritje për t’i dëgjuar në gjyq. Pleqtë Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, të vetmit anëtarë të Të Dymbëdhjetëve që në atë kohë nuk po shërbenin misione, u bashkuan vullnetarisht me ta.

Pasditen e 27 qershorit 1844, grupi i vogël i vëllezërve qëndroi i heshtur e i pangushëllueshëm në burg. Një prej burrave i kërkoi Plakut Tejlor, që kishte një zë të bukur tenori, të këndonte për ta. Shpejt zëri i tij u ngrit: “Një udhëtar të varfër, Njeri i vuajtjes, shpesh e kam has’ në rrugë, kaq përulësisht për lehtësim u lut, sa jo s’mund t’i thosha kurrë”2. Plaku Tejlor kujtoi se himni “përputhej shumë me ndjenjat tona në atë kohë, pasi shpirtrat tanë qenë të gjithë të pikëlluar, të mpirë dhe të trishtuar”3.

Pak pas orës pesë pasdite, një grup i madh sulmuesish mësyu burgun, duke shkrepur armët e tyre drejt njerëzve brenda. Brenda pak minutash, akti i lig u krye. Hajrëm Smithi u qëllua i pari dhe vdiq thuajse menjëherë. Plaku Riçards mori mrekullisht vetëm një plagosje të sipërfaqshme; dhe Plaku Tejlor, ndonëse i plagosur rëndë, mbijetoi dhe më vonë u bë Presidenti i tretë i Kishës. Profeti Jozef vrapoi tek dritarja dhe e qëlluan për vdekje. Profeti i Rivendosjes dhe vëllai i tij Hajrëm i kishin vulosur dëshmitë e tyre me gjakun e tyre.

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia e mbrojti Jozef Smithin derisa u plotësua misioni i tij tokësor.

Në gusht 1842, Jozef Smithi tha: “Ndjenjat e mia tani janë që, duke qenë se Zoti i Plotfuqishëm më ka ruajtur deri sot, Ai do të vazhdojë të më ruajë, me besimin dhe lutjet e bashkuara të shenjtorëve, derisa të përmbush plotësisht misionin tim në këtë jetë dhe kështu të vendoset qëndrueshëm periudha e plotësisë së priftërisë në ditët e fundit, që gjithë fuqitë e tokës e të ferrit nuk do të mund ta mundin kurrë atë”4.

Në tetor 1843, Profeti tha: “Unë i bëj sfidë gjithë botës që të shkatërrojë punën e Perëndisë; dhe profetizoj se ata kurrë nuk do të kenë fuqi që të më vrasin derisa puna ime të përmbushet dhe unë të jem gati që të vdes”5.

Në maj 1844, Profeti tha: “Perëndia do të më mbrojë gjithmonë derisa misioni im të përmbushet”6.

Në qershor 1844, Profeti tha: “Unë nuk e vlerësoj as vetë jetën time. Jam gati të ofrohem si sakrificë për këtë popull; pasi çfarë mund të bëjnë armiqtë tanë? Vetëm të vrasin trupin dhe atëherë mbaron fuqia e tyre. Qëndroni të fortë, miqtë e mi; mos kini kurrë frikë. Mos kërkoni të shpëtoni jetën tuaj, sepse ai që ka frikë të vdesë për të vërtetën, do të humbasë jetën e përjetshme. Qëndroni deri në fund dhe ne do të ringjallemi e do të bëhemi si Perëndi, dhe të mbretërojmë në mbretëri, principata dhe sundime të përjetshme çelestiale.”7

Herët më 27 qershor 1844, në Burgun e Karthixhit, Jozef Smithi i shkroi në një letër të shpejtë Ema Smithit: “Jam shumë i gatshëm t’i dorëzohem fatit tim duke e ditur se jam i justifikuar dhe kam bërë më të mirën që mund të bëhej. Përcilli dashurinë time fëmijëve dhe gjithë miqve të mi … ; dhe sa për tradhtinë, e di se nuk kam bërë ndonjë të tillë dhe ata nuk mund të provojnë as dhe një shfaqje të ndonjë gjëje të tillë, prandaj nuk duhet të kesh frikë se mund të na ndodhë ndonjë e keqe nga ai shkak. Perëndia ju bekoftë të gjithëve. Amen.”8

Përpara se të vdiste, Jozef Smithi u dorëzoi të Dymbëdhjetë Apostujve çdo çelës dhe fuqi të priftërisë që Zoti kishte vulosur mbi të.

Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës, kujtoi: “[Jozef Smithi] e kaloi dimrin e fundit të jetës së tij, rreth tre apo katër muaj, me kuorumin e Të Dymbëdhjetëve duke u dhënë mësim atyre. Nuk qenë thjesht disa orë duke u shërbyer atyre ordinancat e ungjillit; por ai kaloi ditë mbas dite, javë mbas jave dhe muaj mbas muaji duke u dhënë mësim atyre dhe disa të tjerëve për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.”9

Uillford Udraf tha për mbledhjet e Jozef Smithit me Apostujt në mars 1844: “Më kujtohet fjalimi i fundit fare që na mbajti [Jozef Smithi] përpara vdekjes së tij. … Ai qëndroi në këmbë për rreth tre orë. Dhoma ishte e mbushur si me një zjarr që konsumon, fytyra e tij qe e kthjellët si qelibar dhe ai qe veshur me fuqinë e Perëndisë. Ai na shpjegoi detyrën tonë. Ai na shpjegoi plotësinë e kësaj pune të madhe të Perëndisë; dhe në vërejtjet e tij për ne ai tha: ‘Unë kam pasur të vulosur mbi kokën time çdo çelës, çdo fuqi, çdo parim të jetës dhe shpëtimit që Perëndia i ka dhënë ndonjëherë ndonjë njeriu që ka jetuar ndonjëherë në faqen e tokës. Dhe këto parime dhe kjo Priftëri e fuqi i përkasin kësaj periudhe të shkëlqyer e të fundit ungjillore, të cilën Perëndia i Qiellit ka zgjatur dorën e Tij që ta vendosë në tokë. Tani’, tha ai, duke iu drejtuar Të Dymbëdhjetëve, ‘unë kam vulosur mbi kokën tuaj çdo çelës, çdo fuqi dhe çdo parim që Zoti ka vulosur mbi kokën time.’ Dhe duke vazhduar, ai tha: ‘Kam jetuar kaq gjatë – deri tani – kam qenë në mes të këtij populli dhe në veprën e punën e madhërishme të shëlbimit. Kam dëshiruar të jetoj që ta shikoj këtë Tempull të ndërtuar. Por unë nuk do të jetoj aq sa ta shoh atë të përfunduar, por ju do ta shikoni – ju do ta shikoni.’ …

Pasi na u drejtua në këtë mënyrë, ai tha: ‘Po ju them, barra e kësaj mbretërie tani qëndron mbi supet tuaja; juve ju duhet ta mbani atë në të gjithë botën dhe, nëse nuk e bëni, ju do të mallkoheni’.”10

Anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve kujtuan: “Ne, Të [Dymbëdhjetët], … qemë të pranishëm në një këshill në pjesën e fundit të muajit mars të fundit [1844], mbajtur në Qytetin e Navusë. …

Në këtë këshill, Jozef Smithi dukej disi i brengosur në shpirt dhe mori guximin të na e hapte zemrën … : ‘Vëllezër, Zoti më urdhëron ta shpejtoj punën në të cilën jemi angazhuar. … Një ngjarje e rëndësishme është gati të ndodhë. Ndoshta armiqtë e mi do të më vrasin. Dhe në rast se do ta bëjnë, dhe çelësat dhe fuqia mbeten tek unë dhe nuk ua jap juve, ato do të humbasin nga toka. Por vetëm nëse unë ia arrij që t’i vendos ato mbi kokat tuaja, atëherë le të bie viktimë e duarve vrasëse nëse Perëndia do ta lejojë këtë dhe unë mund të shkoj me gjithë kënaqësi e përmbushje, duke e ditur se puna ime u krye dhe themeli u hodh mbi të cilin të mbështetet mbretëria e Perëndisë në këtë periudhë të plotësisë së kohëve.

Mbi shpatullat e Të Dymbëdhjetëve duhet të qëndrojë përgjegjësia e udhëheqjes së kësaj kishe që tani e tutje derisa të caktoni të tjerë që të vijnë pas jush. Armiqtë tuaj nuk mund t’ju vrasin juve të gjithë njëherësh dhe, nëse ndonjë prej jush do të vritet, ju mund të vini duart tuaja mbi të tjerë dhe ta plotësoni kuorumin tuaj. Kështu kjo fuqi dhe këta çelësa mund të përjetësohen në tokë.’ …

Kurrë nuk do t’i harrojmë ndjenjat e tij apo fjalët e tij në këtë rast. Pasi kishte folur kështu, ai vazhdoi të ecte në dysheme, duke thënë: ‘Meqë e kam hequr barrën nga shpatullat e mia, ndihem i lehtë si tapë lëvoreje. E ndiej që jam i lirë. E falënderoj Perëndinë tim për këtë çlirim.’”11

Parli P. Prat, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, shkroi: “Ky burrë i shkëlqyer e i mirë u frymëzua, para vdekjes së tij, të mblidhte Të Dymbëdhjetët herë pas here dhe t’i udhëzonte ata mbi të gjitha gjërat në lidhje me mbretërinë, ordinancat dhe qeverisjen e Perëndisë. Shpesh ai vërejti se ai po hidhte themelin, por do t’u mbetej Të Dymbëdhjetëve ta përfundonin ndërtesën. Tha ai: ‘Nuk e di përse, por për ndonjë arsye jam i shtrënguar të nxitoj përgatitjet e mia dhe t’ua dhuroj Të Dymbëdhjetëve të gjitha ordinancat, çelësat, besëlidhjet, indaumentet dhe ordinancat vulosëse të priftërisë dhe kështu të vendos para tyre një model në të gjitha gjërat në lidhje me shenjtëroren [tempullin] e indaumentin e atjeshëm’.

Pasi e bëri këtë, ai u gëzua jashtëzakonisht; sepse, tha ai, Zoti është gati ta vërë barrën mbi shpatullat tuaja dhe të më lërë të pushoj pak; dhe nëse ata më vrasin, vazhdoi ai, mbretëria e Perëndisë do të shpaloset, përderisa unë e kam mbaruar tani punën që qe vendosur mbi mua, duke jua besuar juve gjithë gjërat për ndërtimin e mbretërisë sipas vegimit qiellor dhe modelit që m’u shfaq mua nga qielli.”12

Brigam Jang, Presidenti i dytë i Kishës, na mësoi: “Jozefi dhuroi mbi kokat tona gjithë çelësat dhe fuqitë që i përkisnin Apostullimit të cilat i mbante ai vetë përpara se të merrej dhe asnjë njeri apo grup njerëzish nuk mund të futen mes Jozefit dhe Të Dymbëdhjetëve në këtë botë apo në botën që do të vijë. Sa shpesh u ka thënë Jozefi Të Dymbëdhjetëve: ‘Unë kam hedhur themelin dhe ju duhet të ndërtoni mbi të, sepse mbi shpatullat tuaja qëndron mbretëria’.”13

Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij Hajrëm jetuan në mënyrë të madhërishme dhe vdiqën në mënyrë të madhërishme për dëshmitë e tyre të ungjillit.

Siç regjistrohet në Doktrina e Besëlidhje 135:1–6, Xhon Tejlor, ndërsa shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, shkroi: “Për ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit, ne shpallim martirizimin e Joseph Smith Profetit dhe të Hyrum Smith Patriarkut. Ata u qëlluan në burgun e Carthage-it, më 27 qershor 1844, rreth orës pesë pasdite, nga një turmë e armatosur—me fytyra të ngjyrosura në të zezë—prej rreth 150 deri në 200 personash. Hyrum-i u qëllua i pari dhe ra qetësisht, duke bërtitur: Unë jam një njeri i vdekur! Joseph-i kërceu nga dritarja dhe u godit i vdekur në atë përpjekje, duke bërtitur: O Zot, Perëndia im! Ata që të dy u goditën pasi kishin vdekur, në një mënyrë brutale, dhe që të dy morën katër plumba.

John Taylor dhe Willard Richards, dy nga Të Dymbëdhjetët, ishin të vetmit njerëz në dhomë në atë kohë; i pari u plagos në një mënyrë të egër me katër plumba, por është shëruar që atëherë; i dyti, nëpërmjet përkujdesit të Perëndisë, u arratis pa as edhe një vrimë në rrobën e tij.

Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të. Në një hapësirë të shkurtër prej njëzet vjetësh, ai ka sjellë Librin e Mormonit, të cilin e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe ka qenë mjeti i botimit të tij në dy kontinente; u ka dërguar plotësinë e ungjillit të përjetshëm, që ai përmbante, katër anëve të dheut; ka sjellë zbulesat dhe urdhërimet që përbëjnë këtë libër të “Doktrina e Besëlidhje-ve” dhe shumë dokumente dhe udhëzime të tjera të urta për të mirën e fëmijëve të njerëzve; mblodhi me mijëra Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, themeloi një qytet të madh dhe la një famë e një emër që nuk mund të vritet. Ai jetoi në mënyrë të madhërishme dhe vdiq në mënyrë të madhërishme në sytë e Perëndisë dhe të popullit të tij; dhe si shumica e të vajosurve të Zotit në kohët e lashta, i ka vulosur misionin e tij dhe veprat e tij me vetë gjakun e tij; dhe kështu ka bërë vëllai i tij Hyrum. Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!

Kur Joseph-i shkoi për në Carthage për t’iu dorëzuar kërkesave të shtirura të ligjit, dy ose tre ditë përpara vrasjes së tij, ai tha: “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere; kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Unë Do TË VDES I PAFAJSHËM DHE DO TË THUHET PËRSËRI PËR MUA—AI U VRA ME GJAK TË FTOHTË.”— Po atë mëngjes, pasi Hyrum ishte bërë gati të shkonte—a do të duhet të thuhet në therori? Po, sepse e tillë ishte—ai lexoi paragrafin që vijon, pranë mbylljes së kapitullit të dymbëdhjetë të Ethërit, në Librin e Mormonit, dhe e përtheu cepin e asaj faqeje:

Dhe ndodhi që unë iu luta Zotit që ai t’u japë Johebrenjve hir, që ata të kenë dashuri hyjnore. Dhe ndodhi që Zoti më tha mua: Në qoftë se ata nuk kanë dashuri hyjnore, nuk ka rëndësi për ty, ti ke qenë besnik; prandaj rrobat e tua do të pastrohen. Dhe pasi ti ke parë dobësinë tënde, do të bëhesh i fortë, madje sa të ulesh në vendin që unë kam përgatitur në pallatet e Atit tim. Dhe tani, unë … u them lamtumirë Johebrenjve, po, dhe gjithashtu vëllezërve të mi, të cilët i dua, derisa ne të takohemi para fronit të gjykimit të Krishtit, ku të gjithë njerëzit do të dinë se rrobat e mia nuk janë të njollosura me gjakun tuaj. [Ethëri 12:36–38.] Testamentlënësit kanë vdekur tani dhe testamenti i tyre është i vlefshëm.

Hyrum Smith-i bëri dyzet e katër vjeç në shkurt 1844 dhe Joseph Smith-i bëri tridhjetë e tetë në dhjetor 1843; dhe që nga kjo kohë emrat e tyre do të rreshtohen mes martirëve të besimit fetar; dhe lexuesi në çdo komb do të kujtohet që Libri i Mormonit dhe ky libër i “Doktrina e Besëlidhje”-ve të kishës kushtuan sa gjaku më i mirë i shekullit të nëntëmbëdhjetë, për t’i nxjerrë ato në dritë për shpëtimin e një bote të rënuar; dhe se, në rast se zjarri mund ta dëmtojë një pemë të gjelbër për lavdinë e Perëndisë, sa e lehtë do të jetë të digjen drurët e thatë për ta pastruar vreshtin e korrupsionit. Ata jetuan për lavdi; ata vdiqën për lavdi; dhe lavdia është shpërblimi i tyre i përjetshëm. Nga epoka në epokë emrat e tyre do të zbresin tek pasardhësit si xhevahirë për të shenjtëruarit.”14

Jozef Smithi e përmbushi misionin e tij tokësor dhe e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij.

Brigam Jangu deklaroi: “Ndonëse armiku pati fuqi ta vriste profetin tonë, që domethënë, vrau trupin e tij, a nuk e përmbushi ai gjithçka që kishte planifikuar në zemrën e tij për t’i përmbushur në ditët e tij? Ai e bëri, unë e di me siguri.”15

Brigam Jangu gjithashtu na mësoi: “Kush e çliroi Jozef Smithin nga duart e armiqve të tij deri në ditën e vdekjes së tij? Qe Perëndia; ndonëse atë e sollën në prag të vdekjes përsëri e përsëri, saqë, për aq sa mund të shihte njeriu, nuk mund të kishte shans që ai të shpëtonte. Kur qe në burg në Misuri dhe asnjë person nuk priste që ai të shpëtonte ndonjëherë prej duarve të tyre, unë pata besimin e Abrahamit dhe u thashë Vëllezërve, se sikurse Zoti jeton, ai do të shpëtojë nga duart e tyre. Ndonëse ai kishte profetizuar se nuk do të jetonte sa të mbushte 40 vjeç, sidoqoftë ne të gjithë ushqenim shpresa se ajo do të ishte një profeci e rreme dhe ne do ta kishim atë gjithmonë me ne. Ne menduam se besimi ynë do ta kapërcente atë, por ne e kishim gabim – në fund ai ra martir për fenë e tij. Unë thashë se është e gjitha në rregull; tani dëshmia është plotësisht në fuqi; ai e ka vulosur atë me gjakun e tij.”16

Uillford Udraf dëshmoi: “Unë isha mësuar të kisha ndjenja të veçanta për vdekjen e tij dhe mënyrën si iu mor jeta. Ndieja se nëse … Jozefit do të mund t’i plotësohej dëshira, ai do të kishte udhëhequr rrugën për në Malet Shkëmbore. Por që atëherë jam pajtuar plotësisht me faktin se qe në përputhje me programin, se kërkohej prej tij, si kreu i kësaj periudhe ungjillore, që ai duhej ta vuloste dëshminë e tij me gjakun e tij dhe të shkonte që këtej në botën e shpirtrave, duke mbajtur çelësat e kësaj periudhe ungjillore, për të hapur misionin që tani po kryhet përmes predikimit të Ungjillit ‘shpirtrave në burg’.”17

Jozef F. Smithi, Presidenti i gjashtë i Kishës, na mësoi: “Çfarë na mëson martirizimi [i Jozef dhe Hajrëm Smithit]? Mësimin e madh se ‘atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit’ (Hebrenjve 9:16) që ta bëjë atë të vlefshëm. Për më tepër, që gjaku i martirëve është vërtet fara e Kishës. Zoti lejoi sakrificën që dëshmia e atyre burrave të virtytshëm e të drejtë duhej të qëndronte një dëshmi kundër një bote të çoroditur dhe mëkatare. Për më tepër, përsëri, ata qenë shembuj të dashurisë së mrekullueshme për të cilën flet Shëlbuesi: ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’. (Gjoni 15:13.) Këtë dashuri të mrekullueshme ia shfaqën ata shenjtorëve dhe botës; sepse të dy e kuptuan dhe e shprehën bindjen e tyre, përpara se të nisnin udhëtimin drejt Karthixhit, se po shkonin drejt vdekjes së tyre. … Kuraja e tyre, besimi i tyre, dashuria e tyre për njerëzit qenë pa kufi dhe ata dhanë gjithçka që patën për popullin e tyre. Një përkushtim e dashuri e tillë nuk la dyshim në mendjen e atyre që gëzuan shoqërimin e Shpirtit të Shenjtë se këta burra të mirë e të vërtetë, qenë vërtet shërbëtorët e autorizuar të Zotit.

Ky martirizim ka qenë gjithmonë një frymëzim për popullin e Zotit. Ai i ka ndihmuar ata në sprovat e tyre vetjake; u ka dhënë atyre kurajë të ndjekin një udhë në drejtësi dhe që ta dinë e ta jetojnë të vërtetën, dhe që duhet të mbahet gjithmonë në kujtesë të shenjtë nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme që kanë mësuar të vërtetat e mëdha që Perëndia zbuloi përmes shërbëtorit të Tij, Jozef Smithit.”18

Xhorxh Albert Smith, Presidenti i tetë i Kishës, deklaroi: “Jozef Smithi e kreu misionin e tij; dhe kur erdhi koha që qe ballë për ballë me vdekjen, ai tha: ‘Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere. Kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Nëse do ta marrin jetën time, do të vdes si një njeri i pafajshëm dhe gjaku im do të thërrasë për hakmarrje nga dheu, dhe përsëri do të thuhet për mua: “Ai u vra me gjak të ftohtë”.’ [Shih DeB 135:4.] Ai nuk pati frikë të qëndronte para shufrës së këndshme të Atit tonë në qiell dhe të përgjigjej për veprimet e kryera në trup. Ai nuk pati frikë të përballej me akuzën që ishte bërë kundër tij, se ai po i mashtronte njerëzit dhe po sillej padrejtësisht me ta. Ai nuk pati frikë për rezultatin e misionit të jetës së tij dhe për triumfin përfundimtar të veprës që ai e dinte se ishte me origjinë hyjnore, dhe për të cilën dha jetën e tij.”19

Gordon B. Hinkli, Presidenti i pesëmbëdhjetë i Kishës, dëshmoi: “Kaq i bindur qe [Jozef Smithi] për kauzën që udhëhoqi, kaq i sigurt për thirrjen e tij të dhënë hyjnisht, sa i vendosi ato mbi vlerën e vetë jetës së tij. Me paraditurinë për vdekjen e tij të ardhshme, ai iu dorëzua vetë atyre që do ta dorëzonin pa mbrojtje në duart e turmës. Ai e vulosi dëshminë e tij me gjakun e jetës së tij.”20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Pak përpara se të vriteshin Jozef dhe Hajrëm Smithi, Plaku Xhon Tejlor këndoi: “A Poor Wayfaring Man of Grief” [“Një Udhëtar i Varfër, Njeri i Vuajtjes”] (faqe 565). Lexoni ose këndoni fjalët e këtij himni (Hymns, nr. 29) dhe mendoni se si lidhen ato me jetën e Profetit Jozef Smith. Përse ky qe një himn i përshtatshëm në ato rrethana?

  • Rishihni deklaratat që dëshmojnë se Jozef Smithi u dorëzoi çelësat e priftërisë të Dymbëdhjetë Apostujve (faqe 567–570). Si mendoni ju, përse Apostujt e ndien se ishte e rëndësishme që të dëshmonin për këto përvoja? Cila është dëshmia juaj për vijueshmërinë në Presidencën e Kishës?

  • Studioni rrëfimin e Xhon Tejlorit për martirizimin e Jozef dhe Hajrëm Smithit (faqe 570–572). Si mund ta mbroni ju deklaratën se Jozef Smithi “ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të”? Përpara se të shkonte në burgun e Karthixhit, Hajrëmi lexoi Ethëri 12:36–38 dhe e përtheu faqen. Në çfarë mënyrash zbatohej ky fragment për Jozefin dhe Hajrëmin? Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoni për sakrificat që bënë Jozef dhe Hajrëm Smithi për dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin?

  • Lexoni dëshmitë e profetëve të ditëve të mëvonshme në faqet 572–574. Çfarë fjalësh mirënjohjeje dhe dëshmie mund t’u shtoni fjalëve të tyre?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Hebrenjve 9:16–17; DeB 5:21–22; 98:13–14; 112:30–33; 136:37–40

Shënime

  1. Cituar në deklaratë të Dymbëdhjetë Apostujve (bocë e padatuar) që raporton për mbledhje të marsit 1844; në Brigham Young, Office Files 1832–1878, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. “A Poor Wayfaring Man of Grief”, Hymns, nr. 29.

  3. John Taylor, cituar në History of the Church, 7:101; nga John Taylor, “The Martyrdom of Joseph Smith”, në Historian’s Office, History of the Church rreth viteve 1840–1880, f. 47, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 5:139–140; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 31 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  5. History of the Church, 6:58; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 15 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  6. History of the Church, 6:365; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  7. History of the Church, 6:500; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 18 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois. Hartuesit e History of the Church kombinuan raporte gojore nga disa dëshmitarë okularë në një relacion të vetëm të fjalimit.

  8. Letër nga Joseph Smith-i drejtuar Emma Smith-it, 27 qershor 1844, Carthage Jail, Carthage, Illinois; Community of Christ Archives, Independence, Missouri; kopje në Arkivat e Kishës.

  9. Wilford Woodruff, Deseret News: Semi-Weekly, 21 dhjetor 1869, f. 2.

  10. Wilford Woodruff, Deseret Semi- Weekly News, 15 mars 1892, f. 2; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  11. Deklaratë e Dymbëdhjetë Apostujve (bocë e padatuar) që raporton për mbledhje të marsit 1844; në Brigham Young, Office Files 1832–1878, Arkivat e Kishës.

  12. Parley P. Pratt, “Proclamation to The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints”, Millennial Star, mars 1845, f. 151.

  13. Brigham Young, cituar në History of the Church, 7:230; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Brigham Young, më 7 gusht 1844, në Nauvoo, Illinois.

  14. Doktrina e Besëlidhje 135:1–6.

  15. Brigham Young, Deseret News, 30 prill 1853, f. 46; janë fshirë germa të pjerrëta.

  16. Brigham Young, fjalim i mbajtur më 1 gusht 1852, në Salt Lake City, Utah; në Historian’s Office, Reports of Speeches rreth 1845–1885, Arkivat e Kishës.

  17. Wilford Woodruff, Deseret News, 28 mars 1883, f. 146.

  18. Joseph F. Smith, “The Martyrdom”, Juvenile Instructor, qershor 1916, f. 381; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  19. George Albert Smith, në Conference Report, prill 1904, f. 64; është mo dernizuar drejtshkrimi.

  20. Gordon B. Hinckley, në Conference Report, tetor 1981, f. 6–7; ose Ensign, nëntor 1981, f. 7.

mob at Carthage Jail

Pasditen e 27 qershorit 1844, një turmë mësyu burgun në Karthixh të Ilinoisit, duke vrarë Profetin Jozef Smith dhe Hajrëm Smithin.

Joseph teaching

Uillford Udrafi kujtoi se Profeti Jozef Smith “e kaloi dimrin e fundit të jetës së tij, rreth tre apo katër muaj, me kuorumin e Të Dymbëdhjetëve duke u dhënë mësim atyre. … Ai kaloi ditë mbas dite, javë mbas jave dhe muaj mbas muaji.”

Brigham Young

Brigam Jang

George Albert Smith

Xhorxh Albert Smith