Kapitulli 42
Familja: Bashkimi më i Ëmbël për Kohën dhe Përjetësinë
“Bashkimi dhe lumturia më e ëmbël mbushën shtëpinë tonë. Asnjë zënkë apo grindje nuk e shqetësoi paqen tonë dhe qetësia mbretëroi mes nesh.” (Lusi Mak Smith)
Nga Jeta e Jozef Smithit
Deri në vitin 1843, edhe pse Tempulli i Navusë nuk ishte përfunduar ende, Profeti kishte shpallur doktrinën e shpëtimit për të vdekurit dhe ia kishte administruar indaumentin e tempullit një grupi shenjtorësh besnikë. Por një pjesë e rëndësishme e punës së shenjtë të tempujve ende duhej të sistemohej. Më 16 maj 1843, Profeti udhëtoi nga Navuja për në Ramus të Ilinoisit, ku qëndroi në shtëpinë e mikut të tij të ngushtë Benxhamin F. Xhonson. Atë mbrëmje, ai u mësoi Vëllait e Motrës Xhonson dhe pak miqve të ngushtë “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës”. Ai shpjegoi se kjo besëlidhje ishte “rend[i i] priftërisë” i nevojshëm për të siguruar shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale. (Shih DeB 131:1–4.) Ai u mësoi gjithashtu se po qe se një burrë e një grua nuk hyjnë në besëlidhjen e martesës së përjetshme, “ata nuk do të kenë rritje kur të vdesin; që domethënë, ata nuk do të kenë ndonjë fëmijë pas ringjalljes”. Ata që hyjnë në këtë besëlidhje dhe mbeten besnikë “do të vazhdojnë të rriten dhe të kenë fëmijë në lavdinë çelestiale”1.
Dy muaj më vonë, më 12 korrik 1843, në zyrën sipër tek Dyqani i tij me Tulla të Kuqe, Profeti i diktoi Uilliam Klejtonit një zbulesë mbi doktrinën e martesës së përjetshme (shih DeB 132). Profeti e kishte ditur dhe ua kishte mësuar këtë doktrinë prej disa kohësh. Në këtë zbulesë, Zoti shpalli se nëse një bashkëshort e bashkëshorte nuk vulosen me anë të fuqisë së priftërisë së shenjtë “ata nuk mund të lartësohen, por mbeten të veçuar dhe të vetëm, pa ekzaltim, në gjendjen e tyre të shpëtuar, për gjithë përjetësinë” (shih DeB 132:15–18). Për të marrë ekzaltim, bashkëshortët e bashkëshortet duhet të vulosen me anë të fuqisë së priftërisë dhe pastaj t’u mbeten besnikë besëlidhjeve të tyre:
“Në të vërtetë unë ju them, në qoftë se një burrë martohet me një grua prej fjalës sime, që është ligji im, dhe me anë të besëlidhjes së re dhe të përjetshme dhe ajo iu vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit, prej atij që vajoset, të cilit ia kam dhënë këtë fuqi dhe çelësat e kësaj priftërie; … do të bëhen për ta të gjitha gjërat, çfarëdo që shërbëtori im ka vënë mbi ta, në kohë dhe përmes gjithë përjetësisë; dhe do të jetë plotësisht e vlefshme kur ata të jenë jashtë botës; dhe ata do të kalojnë pranë engjëjve dhe perëndive, që vendosen atje, për ekzaltimin dhe lavdinë e tyre në të gjitha gjërat, siç janë vulosur mbi kokat e tyre, lavdi e cila do të jetë një plotësi dhe vazhdimësi e farës përherë e përgjithmonë.
Atëherë do të jenë ata perëndi, ngaqë nuk do të kenë fund; si rrjedhim, do të jenë ata nga përjetësia në përjetësi, ngaqë vazhdojnë; atëherë do të jenë ata mbi gjithçka, ngaqë të gjitha gjërat iu nënshtrohen atyre. Atëherë do të jenë ata perëndi, ngaqë kanë gjithë fuqinë dhe engjëjt do t’u nënshtrohen atyre. Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, në qoftë se nuk e duroni ligjin tim, ju nuk mund ta fitoni këtë lavdi” (DeB 132:19–21).
Për Plakun Parli P. Prat të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dija e kësaj doktrine i thelloi dashurinë për familjen e tij: “Ishte Jozef Smithi që më mësoi si të vlerësoj marrëdhëniet e dashura mes babait e nënës, bashkëshortit e bashkëshortes; mes vëllait e motrës, birit e bijës. Pikërisht prej tij mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë; dhe se dashamirësitë e dhembshuritë e dëlira që na bënin të dashur për njëri-tjetrin rridhnin prej burimit të dashurisë së përjetshme hyjnore. Pikërisht prej tij mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për gjithë përjetësinë; ndërsa rezultati i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose rëra në brigjet e detit. … Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar, që do ta ngrinte shpirtin tim prej gjërave kalimtare të këtij rruzulli të mjerë dhe ta zgjeronte atë si oqeanin. … Shkurt, tani do të mund të dashuroja me shpirt dhe me kuptim gjithashtu.”2
Mësime të Jozef Smithit
Bashkëshortet dhe bashkëshortet e nderojnë njëri-tjetrin duke shfaqur dashuri, mirësi dhe dhembshuri.
“Martesa [është] një krijim i qiellit, i krijuar në kopshtin e Edenit.”3
“Është detyra e një bashkëshorti ta dashurojë, ta dojë fort dhe ta ushqejë bashkëshorten e tij, si dhe të kapet pas saj e pas askujt tjetër [shih DeB 42:22]; ai duhet ta nderojë atë ashtu si veten dhe ai duhet t’i konsiderojë ndjenjat e saj me butësi, sepse ajo është mishi i tij dhe kocka e tij, e caktuar që të jetë një ndihmë për të si në gjërat materiale ashtu dhe në ato shpirtërore; njëra së cilës ai mund t’i shprehë gjithë ankesat e tij pa rezervë, që është e gatshme (pasi është e caktuar) të marrë pjesë të barrës së tij, që të qetësojë dhe nxitë ndjenjat e tij me zërin e saj të ëmbël.
Është vendi i burrit të qëndrojë në krye të familjes së tij, … jo që të sundojë mbi bashkëshorten e tij si një tiran as si një njeri që ka frikë apo është xheloz se mos bashkëshortja e tij nuk do të mbajë vendin e saj dhe do ta pengojë atë për të ushtruar autoritetin e tij. Është detyra e tij të jetë një burrë i Perëndisë (sepse një burrë i Perëndisë është burrë me urtësi), i gatshëm gjithmonë të marrë nga shkrimet e shenjta, zbulesat dhe nga lart, udhëzime të tilla si të jenë të nevojshme për lartësimin dhe shpëtimin e vatrës së tij familjare.”4
Në një mbledhje të motrave të Shoqatës së Ndihmës, Jozef Smithi tha: “Ju nuk duhet të ngacmoni bashkëshortët tuaj për shkak të veprimeve të tyre, por lëreni të ndihet pesha e pafajësisë, mirësisë dhe dhembshurisë suaj, që është më e fuqishme se një gur mulliri i varur në qafë; jo luftë, jo potere [grindje], jo kundërshtim apo debate, por butësi, dashuri, pastërti – këto janë gjërat që duhet t’ju lartësojnë në sytë e gjithë burrave të mirë. …
… Kur një burrë është i rënduar nga telashet, kur është i hutuar nga meraku dhe vështirësia, nëse mund të gjejë një buzëqeshje në vend të një diskutimi apo murmuritje – nëse mund të gjejë butësi, kjo do ta qetësojë shpirtin e tij dhe do të zbutë ndjenjat e tij; kur mendja arrin në dëshpërim, ka nevojë për lehtësim dhembshurie dhe mirësie. … Kur të shkoni në shtëpi, mos i drejtoni kurrë një zemërim apo fjalë të pasjellshme bashkëshortit tuaj, por lini që mirësia, dashamirësia dhe dashuria të kurorëzojnë veprimet tuaja paskëtaj.”5
Eliza R. Snou raportoi: “[Profeti Jozef Smith] i nxiti motrat që gjithmonë të përqendronin besimin e lutjet e tyre dhe ta vendosnin besimin tek bashkëshortët e tyre, që Perëndia i ka caktuar që ato t’i nderojnë.”6
Fëmijët i nderojnë prindërit e tyre duke u shprehur atyre mirënjohje dhe duke i dashur fort gjatë gjithë jetës.
Për disa ditë në tetor 1835, Profeti i bëri vizita të përditshme babait të tij të sëmurë rëndë, duke u kujdesur për të “me merak të madh”. Ditari i Profetit tregon: “U kujdesa përsëri për babanë tim, që ishte shumë i sëmurë. Në lutje të fshehtë në mëngjes, Zoti tha: ‘Shërbëtori im, babai yt do të jetojë’. Unë u kujdesa për të gjatë gjithë kësaj dite me zemrën çuar tek Perëndia në emrin e Jezu Krishtit, që Ai do t’ia kthente shëndetin, që unë të mund të bekohesha me shoqërinë dhe këshillën e tij, duke e çmuar si një nga bekimet më të mëdha tokësore të jesh i bekuar me shoqërinë e prindërve, vitet dhe përvoja e pjekur e të cilëve i bëjnë ata të aftë që të japin këshillën më të dobishme. Në mbrëmje erdhi Vëllai Dejvid Uitmer. Ne i thirrëm Zotit në lutje të fuqishme në emrin e Jezu Krishtit dhe i vendosëm duart mbi të, dhe e qortuam sëmundjen. Dhe Perëndia i dëgjoi e iu përgjigj lutjeve tona – për gëzimin dhe kënaqësinë e madhe të shpirtrave tanë. Ati ynë i moshuar u ngrit e u vesh, thirri e lavdëroi Zotin.”7
“E bekuar është nëna ime, sepse shpirti i saj është i mbushur gjithmonë me mirëdashje dhe bamirësi; dhe me gjithë moshën e saj, ajo ende do të marrë fuqi dhe do të ngushëllohet mes familjes së saj, dhe do të ketë jetë të përjetshme. Dhe i bekuar është ati im, sepse dora e Zotit do të jetë mbi të, sepse ai do ta shohë të largohet e keqja e fëmijëve të tij; dhe kur fryti i tij të jetë plotësisht i arrirë, ai do ta shohë veten si një pemë ulliri, degët e të cilit përkulen nga frutat e shumta; ai gjithashtu do të zotërojë një banesë lart.”8
“Kam kujtuar skena nga fëmijëria ime. Kam menduar për babanë tim që ka vdekur. … Ai kishte një figurë fisnike dhe zotëronte një mendje të lartë dhe të shenjtë, dhe të ekzaltuar, dhe të virtytshme. Shpirti i tij lartësohej mbi gjithë ato parime të ulëta dhe pa dinjitet që janë kaq tipike për zemrën njerëzore. Tani unë them se ai nuk bëri kurrë një veprim të ulët, që do të mund të thuhej se qe zemërngushtë në jetën e tij, me aq sa di unë. E dua babanë tim dhe kujtimin e tij; dhe kujtimi i veprimeve të tij fisnike ka peshë të madhe mbi mendjen time dhe shumë prej fjalëve të tij të sjellshme e prindërore për mua janë shkruar mbi rrasat e zemrës sime.
Të shenjta për mua janë mendimet që dua fort nga historia e jetës së tij, që janë rrokullisur në mendjen time dhe janë ngulitur atje prej vetë vrojtimit tim, që kur linda. I shenjtë për mua është hiri i tij dhe vendi ku shtrihet. I shenjtë për mua është varri që e kam rrethuar mbi kokën e tij. Le të jetojë përjetësisht kujtimi i babait tim. … Perëndia që e dua, le të shohë poshtë që nga sipër dhe të më shpëtojë prej armiqve të mi këtu, dhe të më marrë prej dore që të mund të qëndroj në malin e Sionit, dhe me babanë tim të më kurorëzojë përjetësisht atje.
Fjalët dhe gjuha janë të papërshtatshme për të shprehur mirënjohjen që i detyrohem Perëndisë që më ka dhënë prindër kaq të nderuar.
Nëna ime gjithashtu është një prej grave më fisnike dhe më të mira nga të gjitha. Perëndia dhëntë që të zgjaten ditët e saj dhe të miat, që të mund të jetojmë për të gëzuar gjatë shoqërinë e njëri-tjetrit.”9
“Kur mendojmë se me çfarë kujdesi e me çfarë zelli të palodhur prindërit tanë janë përpjekur të vigjilojnë mbi ne dhe sa orë të shumta hidhërimi e ankthi kanë kaluar, mbi djepat e pranë shtretërve tanë në kohë sëmundjeje, sa të kujdesshëm duhet të jemi ne për ndjenjat e tyre në moshën e tyre të shkuar! Nuk mund të jetë burim mendimi i ëmbël për ne, po të themi apo të bëjmë çfarëdo gjëje që do t’i kallte në varr me hidhërim në pleqërinë e tyre.”10
Dashuria mes vëllezërve e motrave mund të jetë e ëmbël dhe e qëndrueshme.
Për dy prej vëllezërve të tij, të cilët që të dy vdiqën të rinj, Profeti shkroi: “Alvini, vëllai im më i madh – i kujtoj mirë brerjet prej hidhërimit që mbushën gjirin tim të ri dhe gati më plasën zemrën time të ndjeshme kur ai vdiq. Ai qe më i madhi dhe më fisniku i familjes së babait tim. Ai qe një prej më fisnikëve prej bijve të njerëzve. … Tek ai s’pati mashtrim. Ai jetoi pa njollë që nga koha kur qe fëmijë. … Ai qe një prej njerëzve më të matur dhe, kur vdiq, engjëlli i Zotit e vizitoi në çastet e tij të fundit. …
Vëllai im Don Karlos Smith … qe gjithashtu një djalosh fisnik; kurrë nuk pashë ndonjë të metë tek ai; nuk pashë kurrë veprimin e parë të pamoralshëm, apo prirjen e parë jofetare apo të ulët tek ai fëmijë, që nga koha kur lindi deri në kohën kur vdiq. Ai qe një fëmijë i dashur, i përzemërt, zemërmirë e i virtytshëm dhe besnik e i drejtë; dhe atje ku shkon shpirti i tij, le të shkojë gjithashtu dhe i imi.”11
Jozef Smithi i shkroi sa më poshtë në një letër vëllait të tij më të madh Hajrëm: “I Dashuri e i Shtrenjti Vëllai im Hajrëm, kam qenë shumë i shqetësuar për ty, por të kujtoj gjithmonë në lutjet e mia, duke i thirrur Perëndisë që të të shpëtojë pavarësisht nga njerëzit apo djajtë. … Perëndia të mbroftë.”12
Për Hajrëmin, Profeti shkroi: “Mund të lutesha në zemrën time që të gjithë vëllezërit e mi të ishin si vëllai im i dashur Hajrëm, i cili zotëron butësinë e një qengji dhe integritetin e Jobit dhe shkurtimisht, zemërbutësinë dhe përulësinë e Krishtit; dhe unë e dua atë me atë dashuri që është më e fortë se vdekja”13.
Prindërit që i duan, i mbështesin dhe luten për fëmijët e tyre, sjellin bekime të pamatshme në jetën e fëmijëve të tyre.
Pas vizitës së tij në Kodrën Kumorah në shtator 1823, Jozef Smithi ia raportoi përvojën e tij familjes dhe pastaj vazhdoi ta ndajë përvojën e tij me ta. Nëna e Profetit tregoi: “Çdo mbrëmje ne mblidhnim bashkë fëmijët tanë. Mendoj se ne paraqisnim skenën më të pazakontë të cilësdo familje që ka jetuar ndonjëherë në tokë, të ulur të gjithë në rreth, babai, nëna, bijtë dhe bijat duke dëgjuar me ankth të pafrymë mësimet fetare të një djaloshi [shtatëmbëdhjetë]vjeçar. …
Ne ishim të bindur se Perëndia qe gati për të nxjerrë në dritë diçka me të cilën ne mund të forcoheshim mendërisht e shpirtërisht, diçka me të cilën mund të kuptonim më qartë sesa nga çfarëdo gjëje që na ishte mësuar deri atëherë dhe ne gëzoheshim në të me gëzim jashtëzakonisht të madh. Bashkimi dhe lumturia më e ëmbël mbushën shtëpinë tonë. Asnjë zënkë apo grindje nuk e shqetësoi paqen tonë dhe qetësia mbretëroi mes nesh.”14
Nga fundi i marshimit të Kampit të Sionit, në qershor 1834, Jozef dhe Hajrëm Smithi, mes shumë të tjerësh, u sëmurën me kolerë. Nëna e tyre tregoi sa vijon mbi përvojën e tyre: “Gëzimi … i Hajrëmit dhe Jozefit që na takuan sërish me shëndet qe jashtëzakonisht i madh, tej mase, për shkak të rreziqeve të cilave u kishin shpëtuar gjatë mungesës së tyre. Ata u ulën, nga një në secilën anë timen, Jozefi duke më mbajtur njërën nga duart e Hajrëmi tjetrën dhe ata më treguan sa vijon: …
‘Sëmundja na përfshiu në çast dhe brenda disa minutash ne qemë në vuajtje të tmerrshme. Ne i bëmë shenja pa zë njëri-tjetrit dhe u larguam nga shtëpia me qëllim që të shkonim në ndonjë vend të veçuar për t’u bashkuar në lutje që Perëndia të na çlironte nga ky ndikim i tmerrshëm. Por përpara se të mund të arrinim në një largësi të mjaftueshme që të ishim të sigurt se nuk do të na ndërprisnin, mezi qemë në gjendje të rrinim në këmbë dhe u alarmuam shumë, të frikësuar se do të vdisnim në këtë shkretëtirë perëndimore kaq larg prej familjeve tona, pa pasur as privilegjin që të bekonim fëmijët tanë apo t’u jepnim atyre një fjalë këshille të ndarjes. Hajrëmi thirri: “Jozef, çfarë do të bëjmë? A duhet të fshihemi nga faqja e tokës prej këtij shkaku të lemerishëm?” “Le të ulemi në gjunjë”, tha [Jozefi], “dhe t’i lutemi Perëndisë ta heqë shtrëngimin e vuajtjet e tjera dhe të na kthejë shëndetin, që të mund të kthehemi tek familjet tona.” Ne e bëmë këtë pa pasur asnjë përfitim, por duke u bërë ende më keq. …
Shpejt arritëm në vendimin që t’i bënim thirrje përsëri Perëndisë për mëshirë dhe të mos ngriheshim nga gjunjët tanë derisa njëri apo tjetri të merrte dëshmi se do të shëroheshim. … Ne u lutëm njëfarë kohe, në fillim njëri e pastaj tjetri dhe shpejt perceptuam se shtrëngimi filloi të lirohej. Dhe pas pak kohe, Hajrëmi kërceu në këmbë dhe thirri: “Jozef, ne do të kthehemi, sepse kam parë një vegim të hapur në të cilin pashë Mëmën në gjunjë poshtë një peme molle që lutej për ne dhe ajo madje tani është duke i kërkuar Perëndisë me lot në sy të na kursejë jetën që ajo të mund të na shohë përsëri në mish. Dhe Shpirti më dëshmon se lutjet e saj dhe tonat do të dëgjohen.” Dhe që nga ai çast ne u shëruam dhe vazhduam rrugën tonë me gëzim.’
‘Oh, Mëma ime’, tha Jozefi, ‘sa shpesh lutjet e tua kanë qenë një mjet ndihme për ne kur hijet e vdekjes na qarkuan.’”15
Dashuria e Lusi Mak Smithit për bijtë e saj ilustrohet nga rrëfimi i saj për Profetin dhe vëllain e tij Hajrëm që u morën si të burgosur nga Far-Uesti i Misurit, në nëntor 1838, për në Indipendens dhe pastaj në Riçmond të Misurit, ku do të burgoseshin. Familja kishte frikë se Jozefin dhe Hajrëmin do t’i vrisnin: “Kur na erdhi lajmi se bijtë tanë do t’i merrnin, lajmëtari na tha që, nëse do t’i shihnim ndonjëherë përsëri gjallë bijtë tanë, ne duhet të shkonim tek ata, sepse ishin në një karro për t’i çuar larg dhe do të niseshin brenda disa minutave. Bashkëshorti im në atë kohë qe tepër i sëmurë për të shkuar, por unë dhe Lusi [një bijë] u nisëm të vetme, sepse ne ishim të vetmet që ishim mirë nga familja.
Kur qemë rreth 370 metra larg nga karroja, nuk mund të shkonim më tej për shkak të burrave nga të cilët ishim rrethuar. ‘Unë jam nëna e Profetit’, thirra unë, ‘dhe a nuk ka një zotëri këtu që do të më ndihmojë përmes kësaj turme për tek ajo karro që të mund t’u hedh një sy të fundit fëmijëve të mi dhe t’u flas atyre edhe një herë përpara se të vdesin?’ Një person doli vullnetar të hapte një shteg përmes ushtrisë dhe ne vazhduam tejpërtej mes shpatash, mushqetash, pistoletash dhe bajonetash, të kërcënuara me vdekje në çdo hap, derisa më në fund mbërritëm atje. Burri që më shoqëroi i foli Hajrëmit, që ishte ulur në ballë, dhe i tha atij se nëna e tij ishte aty e dëshironte që ai t’i zgjaste dorën asaj. Ai e bëri këtë, por mua nuk më lejuan t’i shihja, sepse mbulesa e karros ishte bërë me copë shumë të rëndë dhe ishte lidhur fort në krye dhe gozhduar mirë anash. …
Miku ynë pastaj na drejtoi tek pjesa e pasme e karros, ku ishte Jozefi dhe i foli atij duke i thënë: ‘Z. Smith, nëna e motra jote janë këtu dhe dëshirojnë të tokin duart me ju’. Jozefi e nxori me shtrëngesë dorën përmes karros dhe mbulesës ku ishte gozhduar poshtë tek dërrasa e fundit. Ne i kapëm dorën, por ai nuk na foli. Nuk mund të duroja ta lija pa i dëgjuar zërin. ‘Oh, Jozef’, i thashë, ‘foli edhe një herë nënës tënde të varfër. Nuk mund të shkoj derisa të të dëgjoj të flasësh.’
‘Perëndia të bekoftë, Mëmë’, tha ai dhe pastaj një thirrje u ngrit dhe karroja lëvizi befas, duke e shkëputur birin tim prej nesh tamam kur Lusi po e shtrëngonte dorën e tij për të dhuruar mbi të një puthje të fundit prej motre, sepse e dinim se ata ishin dënuar që t’i pushkatonin.
Ne arritëm të shkonim sërish në shtëpi, ndonëse mezi qemë në gjendje të mbanim veten. … Për njëfarë kohe asgjë nuk dëgjohej në shtëpi përveç psherëtimave dhe rënkimeve, sepse besonim se i kishim parë Jozefin e Hajrëmin për herë të fundit. Por mes pikëllimit tim, gjeta ngushëllim që ia kalonte çdo lehtësimi tokësor. U mbusha me Shpirtin e Perëndisë dhe mora sa vijon me anë të dhuratës së profecisë: ‘Zemra jote le të ngushëllohet në lidhje me fëmijët tuaj, sepse ata nuk do t’u prekin as një fije floku’. … ‘Fëmijët e mi’, thashë unë, ‘mos qani më. Turma nuk do t’i vrasë ata, sepse Zoti më ka bërë të ditur se ai do t’i çlirojë nga duart e armiqve të tyre.’ Ky qe një ngushëllim i madh për ne të gjithë dhe ne nuk qemë aq shumë të shqetësuar më pas se atyre do t’u merrej jeta.”16
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni përshkrimin e Plakut Parli P. Prat se si njohuria për doktrinën e martesës së përjetshme bekoi jetën e tij (faqe 514). Në çfarë mënyrash kjo doktrinë mund të ndikojë mënyrën si ndihemi për familjet tona, mënyrën si trajtojmë njëri-tjetrin në shtëpi?
Lexoni këshillën e Profetit Jozef Smith për bashkëshortët e bashkëshortet (faqe 515–516). Mendoni se si disa nga këto këshilla zbatohen si për gratë edhe për burrat. Përse është e rëndësishme si për etërit edhe për nënat që të studiojnë shkrimet e shenjta dhe të marrin zbulesa për të udhëhequr familjen? Cilat janë disa gjëra që mund të bëjë një burrë kur e sheh se bashkëshortja e tij është e “rënduar nga telashet”? Përse si bashkëshortët edhe bashkëshortet duhet të shmangin përdorimin e “një zemërim[i] apo fjal[e] të pasjellshme”?
Kur ishte i rritur, Profeti Jozef vazhdoi të kënaqej me qëndrimin me prindërit e tij, të kërkonte këshillën e tyre dhe t’i nderonte ata (faqe 516–518). Cila prej deklaratave të Profetit për prindërit e tij ju lë veçanërisht mbresë? Çfarë shembujsh keni parë ju të ndikimit të vazhdueshëm për mirë që prindërit mund të kenë tek fëmijët e tyre? Mendoni se çfarë mund të bëni për të nderuar më mirë prindërit tuaj.
Rishihni deklaratat e Profetit mbi vëllezërit e tij Alvin, Don Karlos dhe Hajrëm (faqet 518–519). Si mendoni ju, përse marrëdhëniet mes vëllezërve e motrave mund të jenë kaq të qëndrueshme e të fuqishme? Çfarë mund të bëjnë prindërit që të nxisin bijtë e bijat e tyre që të jenë miq të mirë? Çfarë mund të bëjnë vëllezërit e motrat për të ushqyer miqësinë e tyre me njëri-tjetrin?
Rishihni kujtimet e Lusi Mak Smithit për birin e saj Jozef që i mësonte familjes (faqe 519–520). Çfarë përvojash mund të ndani në të cilat keni ndier “bashkim dhe lumturi” me pjesëtarët e familjes? Çfarë mund të mësojnë prindërit nga përvoja që patën Jozefi dhe Hajrëmi me shërimin nga kolera? (Shihni faqet 520–521.)
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Eksodi 20:12; 1 Korintasve 11:11; Efesianëve 6:1–4; Mosia 4:14–15; Moisiu 3:18, 21–24