Mësime të Presidentëve
Kapitulli 26: Elija dhe Rivendosja e Çelësave Vulosës


Kapitulli 26

Elija dhe Rivendosja e Çelësave Vulosës

“Si do ta sjellë Perëndia shpëtimin e këtij brezi? Ai do të dërgojë Elijan, profetin.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në pranverën e vitit 1836, pas tre vitesh pune dhe sakrifice, shenjtorët e Kirtlandit së fundi e panë të përfunduar tempullin e tyre të mrekullueshëm, tempulli i parë në këtë periudhë ungjillore. Të dielën, më 27 mars, më shumë se 900 njerëz u mblodhën në sallën dhe hollin e tempullit për shërbimin e përkushtimit. Shumë të tjerë u mblodhën në një sesion të tejmbushur në një klasë aty pranë, ndërsa të tjerë ende dëgjonin që jashtë dritareve të hapura të tempullit. Vetë Profeti ndihmoi për të sistemuar anëtarët pjesëmarrës.

Kongregacioni dëgjoi një fjalim nga Sidni Rigdon, një këshilltar në Presidencën e Parë, dhe pastaj u bashkuan njëzëri për të kënduar “Tani Le të Gëzojmë” dhe “Adam-ondi-Ahman”, shkruar nga Uilliam W. Felps. Pastaj u ngrit Jozef Smithi për të dhënë lutjen përkushtuese, të cilën ai e kishte marrë me anë të zbulesës. Në lutje, ai përshkroi shumë prej bekimeve të shquara që u jepen atyre që vijnë me denjësi në tempujt e Perëndisë (shih DeB 109). Kori këndoi “Shpirti i Perëndisë” dhe kongregacioni pastaj u ngrit dhe dha Thirrjen e Hosanasë “me fuqi të tillë sa dukej thuajse e mjaftueshme për të ngritur lart çatinë nga ndërtesa”1.

“Dhe le të mbushet shtëpia jote”, tha Profeti në lutjen përkushtuese, “si nga një erë që fryn furishëm, me lavdinë tënde” (DeB 109:37). Kjo u përmbush në kuptimin e plotë të fjalës, pasi shumë shenjtorë dëshmuan se gjatë shërbimit të përkushtimit qenë të pranishëm qenie qiellore. Eliza R. Snou kujtoi: “Ceremonitë e atij përkushtimi mund të ritregohen, por asnjë gjuhë të vdekshmi nuk mund të përshkruajë shfaqjet qiellore të asaj dite të paharrueshme. Disave iu shfaqën engjëj, ndërkohë që një ndjesi e pranisë hyjnore u kuptua nga të gjithë të pranishmit dhe çdo zemër u mbush nga ‘një hare e patregueshme dhe e lavdishme’ [shih 1 Pjetri 1:8].”2

Atë mbrëmje, ndërkohë që Profeti u mblodh me rreth 400 mbajtës të priftërisë në tempull, “u dëgjua një zhurmë si tingulli i një ere të shpejtë e të fuqishme, që e mbushi Tempullin dhe i gjithë kongregacioni u ngrit njëherësh, i lëvizur nga një fuqi e padukshme”. Sipas Profetit, “shumë vetë filluan të flisnin në gjuhë [të huaja] dhe të profetizonin; të tjerë panë vegime të lavdishme; dhe unë vura re se Tempulli ishte i mbushur me engjëj, fakt të cilin ia shpalla kongregacionit”3.

Në një mbledhje të mbajtur në tempull një javë më pas, të dielën më 3 prill, ndodhën shfaqje me rëndësi të jashtëzakonshme. Pasi Profeti ndihmoi udhëheqës të tjerë të Kishës në shpërndarjen e sakramentit, ai dhe Oliver Kaudri u tërhoqën tek katedra pas perdeve të ulura dhe u gjunjëzuan në lutje solemne. Pasi u ngritën nga lutja, Vetë Shpëtimtari iu shfaq atyre dhe shpalli miratimin e Tij për tempullin: “Sepse, vini re, unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi” (DeB 110:7).

Pasi u mbyll ky vegim, Jozefi dhe Oliveri panë tre vegime të veçanta në të cilat profetë të lashtë iu shfaqën atyre për të rivendosur çelësat e priftërisë të nevojshëm për veprën e ditëve të mëvonshme të Zotit. Profeti Moisi iu shfaq dhe u dorëzoi atyre “çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës”. Eliasi erdhi dhe u dorëzoi atyre “periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit”. (Shih DeB 110:11–12.)

Pastaj, në një tjetër vegim të lavdishëm, Jozefi dhe Oliveri panë profetin Elija (shih DeB 110:13–16). Ardhja e Elijas ishte aq e rëndësishme saqë profeti i lashtë Malakia kishte profetizuar për këtë shekuj më parë dhe Shpëtimtari ua kishte përsëritur profecinë nefitëve (shih Malakia 4:5–6; 3 Nefi 25:5–6; 26:1–2). Elija erdhi për t’iu dorëzuar Jozefit dhe Oliverit çelësat e vulosjes – fuqinë për të lidhur dhe për të bërë të vlefshme në qiej të gjitha ordinancat e kryera në tokë. Rivendosja e fuqisë vulosëse ishte e nevojshme për të përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, sepse pa të, “e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij” (Joseph Smith—Historia 1:39).

Mësime të Jozef Smithit

Profeti i lashtë Malakia profetizoi për ardhjen e Elijas.

Profeti Jozef Smith tha sa vijon për vizitën e Moronit tek ai në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, siç është regjistruar tek Joseph Smith—Historia 1:36–39: “[Moroni] së pari citoi pjesë të kapitullit të tretë të Malakias; dhe citoi gjithashtu kapitullin e katërt ose të fundit të së njëjtës profeci, edhe pse me pak ndryshim nga mënyra se si lexohet në Biblat tona. Në vend që të citonte vargun e parë ashtu sikurse lexohet në librat tanë, ai e citoi kështu:

Sepse vini re, dita vjen që do të digjet si furrë dhe të gjithë krenarët, po, dhe të gjithë ata që veprojnë ligësisht, do të digjen si kashtë; sepse ata që vijnë do t’i djegin, thotë Zoti i Ushtrive, aq sa do t’i lërë ata pa rrënjë e pa degë.

Dhe përsëri ai e citoi vargun e pestë kështu: Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nga dora e Elijas, profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe e të tmerrshme të Zotit.

Ai gjithashtu citoi vargun pasues ndryshe: Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij.4

Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit në Tempullin e Kirtlandit.

Jozef Smithi përshkroi shfaqjen e profetit të lashtë Elija tek ai dhe Oliver Kaudri më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 110:13–16: “Një tjetër vegim i madh e i lavdishëm u derdh mbi ne; sepse Elija profeti, i cili ishte marrë në qiell pa shijuar vdekjen, qëndroi përpara nesh dhe tha:

Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte—për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim—si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert.”5

Elija rivendosi çelësat e vulosjes – fuqinë dhe autoritetin për të lidhur në qiell të gjitha ordinancat e kryera në tokë.

“‘Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit’ etj. etj. [shih Malakia 4:5]. Përse të dërgohej Elija? Sepse ai mban çelësat e autoritetit për të administruar në të gjitha ordinancat e Priftërisë; dhe [po të mos] jepet autoriteti, ordinancat nuk mund të administrohen në drejtësi.”6

Profeti Jozef Smith tha sa vijon në një letër drejtuar shenjtorëve, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 128:8–11: “Natyra e kësaj ordinance [pagëzimi për të vdekurit] përbën fuqinë e priftërisë, me anë të zbulesës së Jezu Krishtit, nëpërmjet së cilës jepet që çfarëdo që lidhni në tokë, do të lidhet në qiell dhe çfarëdo që zgjidhni në tokë, do të zgjidhet në qiell. …

Disave mund t’iu duket si një doktrinë shumë e guximshme ajo për të cilën po flasim—një fuqi që regjistron ose lidh në tokë dhe lidh në qiell. Megjithatë, në të gjitha epokat e botës, kurdoherë që Zoti ia ka dhënë një kujdestari të priftërisë një njeriu ose një grupi njerëzish, me anë të zbulesës aktuale, kjo fuqi është dhënë gjithmonë. Që atëherë, çfarëdo që ata burra bënë me autoritet, në emër të Zotit, dhe e bënë me të vërtetë e me besnikëri dhe mbajtën një anal të përpiktë dhe besnik të saj, u bë një ligj në tokë e në qiell dhe nuk mund të anullohej, sipas dekreteve të Jehovës së madh. Kjo është një deklaratë plot besim. Kush mund ta dëgjojë?

Dhe përsëri, për të lartpërmendurën, Mateu 16:18, 19: Dhe unë të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiellit; dhe gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiell, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiell.

Tani, e fshehta e madhe dhe e madhërishme e tërë çështjes dhe summum bonum (e mira më e madhe) e tërë çështjes që shtrihet përpara nesh, përbëhet nga marrja e fuqive të Priftërisë së Shenjtë. Sepse ai të cilit i jepen këta çelësa, nuk ka asnjë vështirësi në marrjen e një diturie për fakte në lidhje me shpëtimin e fëmijëve të njerëzve, si për të vdekurit, ashtu edhe për të gjallët.”7

Përmes fuqisë vulosëse, familjet mund të vulosen për kohën dhe përjetësinë dhe ordinancat e shenjta mund të kryhen për të vdekurit.

“Shpirti, fuqia dhe thirrja e Elijas është që ju keni fuqi të mbani çelësin e zbulesës, ordinancave, orakujve, fuqive dhe indaumenteve të plotësisë së Priftërisë Melkizedeke dhe të mbretërisë së Perëndisë në tokë; dhe për të marrë, siguruar dhe kryer të gjitha ordinancat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë, madje në kthimin e zemrave të etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, madje atyre që janë në qiell.

Malakia thotë: ‘Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit. Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.’ [Malakia 4:5–6.]

Tani, ajo që unë dua të arrij është dijenia e Perëndisë dhe unë zgjedh drejtimin tim për ta fituar atë. Çfarë duhet të kuptojmë ne në ditët e fundit me këtë shkrim?

Në ditët e Noeut, Perëndia e shkatërroi botën me një përmbytje dhe Ai ka premtuar ta shkatërrojë atë me zjarr në ditët e fundit: por përpara se duhet të ndodhë kjo, Elija duhet të vijë së pari dhe të kthejë zemrat e etërve tek bijtë etj.

Tani vjen thelbi. Cila është kjo detyrë dhe punë e Elijas? Është një prej çështjeve më të madhërishme e më të rëndësishme që ka zbuluar Perëndia. Ai duhet të dërgojë Elijan për të vulosur bijtë me etërit dhe etërit me bijtë.

Tani a ishte kjo e kufizuar vetëm tek të gjallët, për të rregulluar vështirësitë e familjeve në tokë? Në asnjë mënyrë. Ishte një vepër shumë më e madhe. Elija, çfarë do të bëje ti po të ishe këtu? A do ta kufizoje punën tënde vetëm tek të gjallët? Jo. Unë do t’ju drejtoja ju tek Shkrimet e Shenjta, ku zbulohet kjo çështje: që është se ata nuk mund të arrinin në përsosje pa ne, as ne pa ata; as etërit pa bijtë, as bijtë pa etërit [shih Hebrenjve 11:40].

Dëshiroj që ju ta kuptoni këtë çështje, sepse është e rëndësishme; dhe nëse ju do ta merrni atë, ky është shpirti i Elijas, që ne shëlbojmë të vdekurit tanë, dhe lidhemi me etërit tanë që janë në qiell, dhe vulosim të vdekurit tanë që të vijnë në ringjalljen e parë; dhe këtu ne na duhet fuqia e Elijas për të vulosur ata që banojnë në tokë me ata që banojnë në qiell. Kjo është fuqia e Elijas dhe çelësat e mbretërisë së Jehovait. …

Përsëri: Doktrina ose fuqia vulosëse e Elijas është si vijon: – Nëse keni fuqi për të vulosur në tokë dhe në qiell, atëherë ne duhet të jemi të mençur. Gjëja e parë që të bëni, shkoni dhe vulosini në tokë bijtë e bijat tuaja me veten dhe veten me etërit tuaj në lavdinë e përjetshme.”8

Ardhja e Elijas ishte një përgatitje e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

“Zemrat e bijve të njerëzve duhet t’u kthehen etërve dhe të etërve t’u kthehen bijve, të gjallë apo të vdekur, për t’i përgatitur ata për ardhjen e Birit të Njeriut. Nëse Elija nuk do të vinte, e tërë toka do të shkatërrohej.”9

“Eliasi është një pararendës për të përgatitur udhën dhe shpirti e fuqia e Elijas duhet të vijnë më pas, duke mbajtur çelësat e fuqisë, duke ndërtuar Tempullin deri në kulm, duke vendosur vulat e Priftërisë Melkizedeke mbi shtëpinë e Izraelit dhe duke i gatitur të gjitha gjërat; atëherë Mesia vjen tek Tempulli i Tij, që është e fundit nga të gjitha. … Elija duhet të vinte dhe të përgatiste udhën dhe të ndërtonte mbretërinë përpara ardhjes së ditës së madhe të Zotit.”10

“Bota është ruajtur që të digjet në ditët e fundit. Ai do të dërgojë Elijan profetin dhe ai do të zbulojë besëlidhjet e etërve në lidhje me bijtë dhe besëlidhjet e bijve në lidhje me etërit.”11

“Si do ta sjellë Perëndia shpëtimin e këtij brezi? Ai do të dërgojë Elijan, profetin.… Elija do të zbulojë besëlidhjet për të vulosur zemrat e etërve me bijtë dhe të bijve me etërit.”12

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Kur Shpëtimtari u shfaq në Tempullin e Kirtlandit, Ai u tha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit: “Unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi” (faqe 328). Si ishte rivendosja e çelësave të vulosjes një manifestim i mëshirës së Zotit? Në çfarë mënyrash të tjera e manifeston Ai Veten në tempull?

  • Studioni paragrafin e tretë dhe të katërt të plotë të faqes 329. Çfarë na mësojnë këto dy paragrafë mbi misionin e Elijas që nuk e mësojmë nga Malakia 4:5–6? Çfarë është thelbësore rreth këtyre ndryshimeve?

  • Studioni shpjegimin e fuqisë vulosëse që gjendet në faqet 330–331. Çfarë është fuqia vulosëse? Përse është e rëndësishme kjo fuqi për ju dhe familjen tuaj?

  • Lexoni shpjegimin e Jozef Smithit për punën e Elijas (faqet 331–333). Çfarë është Shpirti i Elijas? Përse ishte kaq e rëndësishme që Elija të vinte dhe të përmbushte punën e tij në këto ditë të mëvonshme?

  • Çfarë përvojash keni pasur juve në të cilat ju e keni kthyer zemrën tuaj tek pjesëtarë të familjes që kanë vdekur? Çfarë mund të bëjnë prindërit që të ndihmojnë fëmijët e tyre që t’i kthejnë zemrat tek paraardhësit e tyre?

  • Lexoni paragrafin e parë në faqen 330 dhe paragrafin e dytë në faqen 333. Si mendoni ju, përse toka “do të goditej me një mallkim” pa fuqinë vulosëse?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Helamani 10:4–10; DeB 132:45–46; 138:47–48; Bible Dictionary, “Elijah”, f. 664

Shënime

  1. Eliza R. Snow, cituar në Edward W. Tullidge, The Women of Mormondom (1877), f. 94.

  2. Eliza R. Snow, cituar në The Women of Mormondom, f. 95.

  3. History of the Church, 2:428; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book B-1, shtesat, f. 3–4, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  4. Joseph Smith—Historia 1:36–39.

  5. Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; fjalët në kllapa në orgjinal; vegim i dhënë Joseph Smith-it dhe Oliver Cowdery-it më 3 prill 1836, në tempull në Kirtland, Ohio.

  6. History of the Church, 4:211; nga një fjalim i përgatitur nga Joseph Smith-i dhe i lexuar në një konferencë të Kishës mbajtur më 5 tetor 1840, në Nauvoo, Illinois.

  7. Doktrina e Besëlidhje 128:8–11; një letër e Joseph Smith-it drejtuar shenjtorëve, 6 shtator 1842, Nauvoo, Illinois.

  8. History of the Church, 6:251–253; është modernizuar drejtshkrimi; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  9. History of the Church, 3:390; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  10. History of the Church, 6:254; është modernizuar drejtshkrimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  11. History of the Church, 5:530; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 13 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  12. History of the Church, 5:555; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

Elijah appearing to Joseph and Oliver

“Një tjetër vegim i madh e i lavdishëm u derdh mbi ne; sepse Elija profeti, i cili ishte marrë në qiell pa shijuar vdekjen, qëndroi përpara nesh.”

family at temple

“Ne duhet të jemi të mençur. Gjëja e parë që të bëni, shkoni dhe vulosini në tokë bijtë e bijat tuaja me veten dhe veten me etërit tuaj në lavdinë e përjetshme.”