Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: Fjalë Shprese dhe Ngushëllimi në Kohën e Vdekjes


Kapitulli 14

Fjalë Shprese dhe Ngushëllimi në Kohën e Vdekjes

“Çfarë kemi që të na ngushëllojë në lidhje me të vdekurit? Ne kemi arsye të kemi shpresën dhe ngushëllimin më të madh për të vdekurit tanë të çfarëdo populli në tokë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Humbja nga vdekja e njerëzve të dashur e preku vazhdimisht jetën e Profetit Jozef Smith. Më 15 qershor 1828, në Harmoni të Pensilvanisë, biri i parë i Jozefit dhe Emës, Alvin, vdiq pak pas lindjes. Kur Jozefi dhe Ema u shpërngulën nga Nju-Jorku për në Kirtland të Ohajos, në shkurt 1831, Ema qe përsëri shtatzënë, këtë herë me binjakë. Pak pas mbërritjes së Jozefit dhe Emës në Kirtland, ata u vendosën në një kasolle në fermën e anëtarit të Kishës, Isak Morli. Atje, më 30 prill, u lindën të vegjlit Tadeus dhe Luiza, por ata nuk mbijetuan gjatë dhe vdiqën brenda pak orësh nga lindja.

Në të njëjtën kohë, në një qytet aty pranë, në Uorrensvil të Ohajos, Vëllai Xhon Murdok humbi bashkëshorten e tij Xhulia, që sapo kishte lindur binjakë të shëndetshëm. Me një familje që tani përfshinte pesë fëmijë, Vëllai Murdok u ndie i paaftë të kujdesej për të sapolindurit dhe u kërkoi Jozefit dhe Emës t’i birësonin si të tyret. Këtë bënë Jozefi dhe Ema, duke i marrë me mirënjohje në familjen e tyre dy foshnjat, të quajtur Jozef dhe Xhulia. Tragjikisht, Jozefi i vogël vdiq njëmbëdhjetë muaj më vonë në mars 1832, si pasojë e ekspozimit në ajrin e ftohtë të natës ndërkohë që vuante nga fruthi, kur Profetin një turmë e leu me zift dhe i ngjiti pupla. Përfshirë këtë vdekje, prindërit e hidhëruar kishin varrosur katër nga pesë fëmijët e tyre të parë, duke iu mbetur Xhulia si e vetmja fëmijë e gjallë e tyre.

Prej njëmbëdhjetë fëmijëve të Jozefit dhe Emës – nëntë lindur atyre dhe dy të birësuar – vetëm pesë jetuan deri në moshë madhore: Xhulia, lindur më 1831; Jozefi III, lindur më 1832; Frederiku, lindur më 1836; Aleksandri, lindur më 1838; dhe Davidi, lindur në nëntor 1844, pesë muaj pas vdekjes së të atit. Biri 14 muajsh i Jozefit dhe Emës, Don Karlosi, vdiq më 1841 dhe një bir i lindur më 1842 vdiq po atë ditë që lindi.

Gjatë jetës së tij, Jozef Smithi humbi gjithashtu tre vëllezër me vdekje të parakohshme. Efraimi vdiq shpejt pas lindjes më 1810-n. Vëllai më i madh i Jozefit, Alvini, vdiq në vitin 1823, në moshën 25-vjeçare dhe vëllai i tij më i vogël, Don Karlos, vdiq në vitin 1841, gjithashtu në moshën 25-vjeçare.

Profeti pësoi një tjetër humbje të madhe kur ati i tij, tek i cili ai mbështetej për këshillë dhe forcë, vdiq në Navu të Ilinoisit, në vitin 1840. Kur Ati Smith e kuptoi se vdekja e tij ishte afër, e thirri familjen tek shtrati i tij. Ai iu drejtua së shoqes, duke thënë: “Kur shoh fëmijët e mi dhe e kuptoj që, ndonëse ata u rritën për të bërë punën e Zotit, përsëri ata duhet të kalojnë përmes skenash telashesh dhe vuajtjesh për sa kohë që jetojnë mbi tokë, zemra ime më dhemb dhe unë tmerrohem t’ju lë kaq të rrethuar nga armiqtë”1.

Pastaj ai i foli me radhë secilit prej bijve dhe bijave të tij, duke u dhënë atyre bekimin e tij të fundit. Siç shënohet nga nëna e Profetit, ai i tha këto fjalë qetësuese Profetit Jozef:

“‘Jozef, biri im, ti je thirrur në një thirrje të lartë e të shenjtë. Ti madje je thirrur të bësh punën e Zotit. Qëndro besnik dhe ti do të bekohesh, dhe fëmijët e tu pas teje. Ti madje do të jetosh derisa ta përfundosh punën tënde.’

Këtu Jozefi thirri, duke qarë: ‘Oh, Ati im, me të vërtetë?’ ‘Po’, i tha i ati, ‘ti do të jetosh sa të paraqitësh planin e gjithë punës që Perëndia të ka dhënë për të bërë. Ky është bekimi im i fundit para vdekjes, mbi kokën tënde, në emrin e Jezusit.’”2

Duke përdorur këto përvoja të vështira nga vetë jeta e tij dhe kuptimin e tij të frymëzuar për Shlyerjen e Shpëtimtarit, Profeti Jozef Smith qe në gjendje t’u jepte ngushëllimin aq të nevojshëm shumë shenjtorëve në zi.

Mësime të Jozef Smithit

Kur pjesëtarë të familjes apo miq të dashur vdesin, ne kemi ngushëllim të madh nga dija se ne do t’i takojmë ata përsëri në botën që do të vijë.

Profeti foli në një konferencë të Kishës në Navu, më 7 prill 1844. Ai foli për mikun e tij King Follet, që kishte vdekur kohët e fundit: “Të dashur shenjtorë: Unë do të kërkoj vëmendjen e këtij kongregacioni, ndërsa ju drejtohem mbi temën e vdekjes. Vdekja e vëllait tonë të dashur, Plakut King Follet, që u dërrmua në një pus nga rënia e një kove me gurë, ka qenë shkaku më i drejtpërdrejtë që më drejtoi te kjo temë. Më kanë kërkuar të flas miqtë dhe të afërmit e tij, por duke qenë se ka shumë vetë në këtë kongregacion që jetojnë në këtë qytet, po ashtu si edhe në qytete të tjera, që kanë humbur miq, unë ndihem i prirur të flas për këtë temë në përgjithësi dhe t’ju ofroj idetë e mia, për aq sa kam aftësi dhe për aq sa do të jem i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë që të qëndroj në këtë temë. Unë dua lutjet dhe besimin tuaj që të mund të kem udhëzimin e Perëndisë së Plotfuqishëm dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, që unë të mund të jap gjëra që janë të vërteta e që mund të kuptohen lehtësisht prej jush dhe që dëshmia të mund të përçojë bindje në zemrat e mendjet tuaja për të vërtetën e asaj që do të them. …

… Unë e di se dëshmia ime është e vërtetë; prandaj, kur u flas këtyre vajtuesve, çfarë kanë humbur ata? Të afërmit dhe miqtë e tyre janë ndarë nga trupat e tyre vetëm për një stinë të shkurtër: shpirtrat e tyre që ekzistuan me Perëndinë e kanë lënë tabernakullin prej argjile vetëm për një çast të shkurtër, ta themi kështu; dhe tani ata ekzistojnë në një vend ku bisedojnë së bashku po ashtu si ne veprojmë në tokë. …

… Çfarë kemi që të na ngushëllojë në lidhje me të vdekurit? Ne kemi arsye të kemi shpresën dhe ngushëllimin më të madh për të vdekurit tanë të çfarëdo populli në tokë; sepse ne i kemi parë ata të ecin denjësisht në mes tonë dhe i kemi parë ata të bien në gjumë në krahët e Jezusit. …

Ju vajtues keni rastin të gëzoni, duke folur për vdekjen e Plakut King Follet; pasi bashkëshorti dhe ati juaj ka shkuar të presë deri në ringjalljen e të vdekurve – derisa të përsoset plotësisht; sepse në ringjallje miku juaj do të ngrihet në lumturi të përsosur dhe do të shkojë në lavdinë çelestiale. …

Unë jam autorizuar të them, nëpërmjet autoritetit të Frymës së Shenjtë, se ju nuk keni rast për t’u frikësuar; sepse ai ka shkuar tek shtëpia e të drejtit. Mos mbani zi, mos qani. Unë e di këtë nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë që është brenda meje; dhe ju mund të prisni që miqtë tuaj të vijnë t’ju takojnë në fillimin e botës çelestiale. …

Unë kam një atë, vëllezër, fëmijë dhe miq që kanë shkuar tek një botë e shpirtrave. Ata mungojnë vetëm për një çast. Ata janë shpirtra dhe ne do të takohemi sërish së shpejti. Do të vijë shpejt koha kur buria do të bjerë. Kur të vdesim, ne do të përshëndesim nënat, etërit, miqtë tanë dhe të gjithë ata që i duam, që fjetën në Jezusin. Nuk do të ketë frikë nga turmat, përndjekjet, apo çështjet gjyqësore e arrestimet keqdashëse; por do të ketë një përjetësi lumturie.”3

Plaku Lorenco D. Barns vdiq ndërsa po shërbente si misionar në Angli. Profeti foli për vdekjen e tij në një mbledhje të mbajtur në Tempullin e papërfunduar të Navusë: “Do t’ju them atë që dua t’ju them. Nëse nesër do të thirrem të shtrihem në varrin matanë, në mëngjesin e ringjalljes më lejoni të shtrëngoj duart me atin tim dhe të thërras: ‘Ati im’, dhe ai do të thotë: ‘Biri im, biri im’, sapo rrasa të copëtohet dhe përpara se të dalim nga varret tona.

Dhe a mund të meditojmë për këto gjëra kështu? Po, nëse mësojmë si të jetojmë dhe si të vdesim. Kur ne shtrihemi ne meditojmë se si mund të ngrihemi në mëngjes; dhe është e kënaqshme për miqtë të shtrihen së bashku, të mbërthyer në krahët e dashurisë, të flenë dhe të zgjohen të përqafuar me njëri-tjetrin dhe të përtërijnë bashkëbisedimin e tyre.

A do t’ju dukej e çuditshme nëse unë raportoj ato që kam parë në vegim në lidhje me këtë temë interesante? Ata që kanë vdekur në Jezu Krishtin, mund të presin të marrin, kur të dalin nga varret, gjithë gëzimin që kanë pasur ose kanë pritur në këtë jetë.

Kaq i qartë qe vegimi, saqë vërtet pashë njerëz, përpara se ata të ngrihen nga varri, sikur ata po zgjoheshin ngadalë. Ata u kapën për dore dhe i thanë njëri-tjetrit: ‘Ati im, biri im, nëna ime, bija ime, vëllai im, motra ime’. Dhe kur zëri të thërrasë që të vdekurit të ngrihen, supozoni sikur jam shtrirë pranë atit tim, cili do të ishte gëzimi i parë i zemrës sime? Të takoj atin tim, nënën time, vëllain tim, motrën time; dhe kur ata të jenë pranë meje, unë t’i përqafoj ata dhe ata mua. …

Për mua janë më të dhimbshme mendimet e asgjësimit sesa të vdekjes. Nëse nuk pres të shoh atin, nënën, vëllezërit, motrat dhe miqtë e mi përsëri, zemra ime do të pëlciste në çast dhe unë do të duhej të zbrisja në varrin tim. Pritshmëria që të shoh miqtë e mi në mëngjesin e ringjalljes e gëzon shpirtin tim dhe më bën të duroj të ligat e jetës. Është sikur ata të nisen për një udhëtim të gjatë dhe kur të kthehen, ne t’i takojmë me gëzim të shtuar. …

Marçelus Bejtsit [një anëtar i Kishës të cilit i kishte vdekur bashkëshortja] më lejoni t’i jap ngushëllim. Shpejt ti do të kesh shoqërimin e shoqes tënde në një botë lavdie e po kështu edhe miqtë e Vëllait Barns dhe gjithë shenjtorët që janë në zi. Ky qe një zë paralajmërimi për ne të gjithë që të jemi të matur e të zellshëm dhe të lëmë mënjanë gazmendin, kotësinë e marrëzinë, dhe të jemi të përgatitur që të vdesim nesër.”4

Prindërit që humbasin fëmijë në vdekje do t’i marrin ata në ringjallje tamam siç i varrosën.

Në funeralin e dyvjeçares Merien Lajën, Profeti tha: “Përsëri zëri paralajmërues ka tingëlluar mes nesh, që tregon pasigurinë e jetës njerëzore; dhe në çastet e mia të lira unë kam medituar mbi temën dhe kam bërë pyetjen se përse foshnjat, fëmijët e pafajshëm, merren prej nesh, veçanërisht ata që duken se janë më inteligjentët dhe më interesantët. Arsyet më të forta që u paraqitën në mendjen time janë këto: Kjo botë është shumë e ligë; dhe ajo … bëhet më e ligë dhe më e korruptuar. … Zoti merr shumë me vete, madje në foshnjëri, që ata të mund t’i shpëtojnë zilisë së njeriut dhe dhimbjeve e të ligave të kësaj bote të tashme; ata qenë tepër të pastër, tepër të dashur, që të jetonin në tokë; prandaj, nëse gjykohet si duhet, në vend që të mbajmë zi, ne kemi arsye të gëzojmë pasi ata janë çliruar nga e liga dhe ne do t’i kemi ata përsëri së shpejti. …

… I vetmi ndryshim midis të moshuarit dhe të riut që vdes është se njëri jeton më gjatë në qiell dhe dritë e lavdi të përjetshme se tjetri, dhe çlirohet pak më shpejt nga kjo botë e mjerë dhe e ligë. Pavarësisht nga gjithë kjo lavdi, ne për një çast e lëmë në harresë dhe vajtojmë humbjen, por ne nuk vajtojmë si ata që janë pa shpresë.”5

“Mund të bëhet një pyetje – ‘A do t’i kenë nënat fëmijët e tyre në përjetësi?’ Po! Po! Nëna, ju do t’i keni fëmijët tuaj; sepse ata do të kenë jetë të përjetshme, sepse borxhi i tyre është paguar.”6

“Fëmijët … duhet të ngrihen tamam siç vdiqën; atje ne mund të përshëndesim foshnjat tona të dashura me të njëjtën lavdi – të njëjtën dashuri në lavdinë çelestiale.”7

Presidenti Jozef F. Smith, Presidenti i gjashtë i Kishës, raportoi: “Jozef Smithi na mësoi doktrinën që foshnja që u shtri në vdekje do të ngrihet në ringjallje si fëmijë; dhe, duke iu drejtuar nënës së një fëmije të pajetë, i tha asaj: ‘Ti do të kesh gëzimin, kënaqësinë dhe përmbushjen e rritjes së kësaj fëmije, pas ringjalljes së saj, derisa të mbërrijë lartësinë e plotë të shpirtit të saj’. …

Në vitin 1854, unë takova teton time [Anjez Smith], gruan e xhaxhait tim, Don Karlos Smith, që ishte nëna e asaj vajzës së vogël [Sofronia] për të cilën po fliste Jozef Smithi, Profeti, kur i tha nënës se ajo do të kishte gëzimin, kënaqësinë dhe përmbushjen e rritjes së kësaj fëmije, pas ringjalljes, derisa ajo të mbërrinte lartësinë e plotë të shpirtit të saj; dhe se do të jetë një gëzim shumë më i madh nga sa ajo do të mund të kishte pasur në vdekshmëri, sepse ajo do të jetë e lirë nga dhimbja dhe frika, dhe paaftësitë e jetës së vdekshme, dhe ajo do të dijë më shumë nga sa mund të kishte ditur në këtë jetë. Unë e takova atë të vè, nënën e asaj fëmije, dhe ajo ma tregoi këtë rrethanë, dhe më dha dëshmi mua se kjo ishte ajo që tha Profeti Jozef Smith kur po fliste në funeralin e bijës së saj të vogël.”8

Meri Izabela Horn dhe Leonora Kenon Tejlor, secila humbën një fëmijë të vogël në vdekje. Motra Horn kujton që Profeti Jozef Smith u dha dy motrave këto fjalë ngushëllimi: “Ai na tha se ne do t’i marrim ata fëmijë në mëngjesin e ringjalljes tamam siç i shtrimë, në pastërti dhe pafajësi, dhe se do t’i rritim dhe do të kujdesemi për ta si nënat e tyre. Ai tha se fëmijët do të ngrihen në ringjallje tamam ashtu si u shtrinë, dhe se ata do të marrin gjithë inteligjencën e nevojshme për të marrë frone, principata dhe pushtete.”9

Ndërsa vajtojmë kur vdesin njerëz të dashur, ne mund të kemi besim se “Perëndia i gjithë tokës do të veprojë drejt”.

Në funeralin e 24-vjeçarit Efraim Marks, Profeti shpalli: “Është një çast shumë solemn dhe i tmerrshëm. Kurrë nuk jam ndier më solemn; më vjen në mendje vdekja e vëllait tim më të madh, Alvinit, që vdiq në Nju-Jork, dhe e vëllait tim më të vogël, Don Karlos Smithit, që vdiq në Navu. Ka qenë e vështirë për mua të jetoj në tokë dhe të shoh këta të rinj, tek të cilët jemi mbështetur për përkrahje dhe ngushëllim, të merren prej nesh në mes të rinisë së tyre. Po, ka qenë e vështirë të pajtohem me këto gjëra. Disa herë kam menduar se do të isha ndier më i kënaqur po të isha thirrur në vdekje unë vetë, nëse do të kishte qenë vullneti i Perëndisë; përsëri unë e di se ne duhet të rrimë të qetë dhe ta dimë se është nga Perëndia, dhe të pajtohemi me vullnetin e Tij; gjithçka shkon mirë. Do të kalojë vetëm një kohë e shkurtër përpara se ne të gjithë të thirremi në mënyrë të ngjashme: mund të ndodhë si me mua, po ashtu edhe me ju.”10

Më 6 qershor 1832, Jozef Smithi i shkroi Ema Smithit: “Unë u vrerosa kur dëgjova se Hajrëmi kishte humbur fëmijën e tij të vogël. Mendoj se deri në njëfarë shkalle mund të na vijë keq për të, por të gjithë duhet të pajtohemi me fatin tonë dhe të themi: ‘U bëftë vullneti i Zotit’.”11

Më 20 janar 1840, Jozef Smithi i shkroi Ema Smithit: “Mora një letër nga Hajrëmi, që më gëzoi zemrën kur mësova se familja ime ishte e gjitha gjallë. Përsëri zemra ime vajton për ata që janë marrë nga vdekja prej nesh, por jo pa shpresë, sepse unë do t’i shoh ata përsëri dhe do të jem me ta. Prandaj, ne mund të jemi më të pajtuar me punët e Perëndisë.”12

“Në lidhje me vdekjet në Sion, ne ndiejmë që të vajtojmë me ata që vajtojnë, por kujtoni që Perëndia i gjithë tokës do të veprojë drejt.”13

“Ka pasur shumë vdekje, që lënë një mendim të trishtuar, por nuk mund ta shmangim këtë. Kur Perëndia flet nga qiejt për të na thirrur që këtej, ne duhet t’u nënshtrohemi urdhrave të Tij.”14

Në funeralin e Xhejms Adamsit, Profeti tha: “Unë e pashë atë për herë të parë në Springfild, [Ilinois], kur po udhëtoja nga Misuri për në Uashington. Ai më kërkoi kur isha i huaj, më çoi në shtëpinë e tij, më nxiti e më dha zemër dhe më dha parà. Ai ka qenë një mik shumë i afërt. … Ai kishte pasur zbulesa në lidhje me largimin e tij nga kjo jetë dhe ka shkuar tek një punë më e rëndësishme. Kur njerëzit janë të përgatitur, largohen në gjendje më të mirë prej këtej. Vëllai Adams ka shkuar të hapë një derë më frytdhënëse për të vdekurit. Shpirtrat e të drejtëve ekzaltohen tek një punë më e madhe dhe më e lavdishme; prandaj ata bekohen në largimin e tyre për në botën e shpirtrave.”15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja kur lexoni rrëfimet në faqet 179–181? Si mund të kenë ndikuar këto përvoja mënyrën se si Profeti Jozef na dha mësim mbi vdekjen dhe ringjalljen?

  • Ky kapitull përmban mesazhe që Jozef Smithi i ndau me njerëz që vajtuan vdekjen e njerëzve të dashur (faqet 182–187). Në këto mesazhe, Profeti ofroi “[shpresë] dhe [ngushëllim]” duke u mësuar doktrinat e ungjillit dhe duke u treguar dëgjuesve të tij se si këto doktrina zbatoheshin në jetën e tyre. Ndërsa mendoni për njerëzit tuaj të dashur që kanë vdekur ose mund të vdesin së shpejti, cilat të vërteta të ungjillit ju sjellin ngushëllim? Përse këto të vërteta janë të rëndësishme për ju?

  • Lexoni këshillën që dha Jozef Smithi kur foli për vdekjen e Plakut Barns, përfshirë këshillën e tij se “si të jetojmë dhe si të vdesim” (faqet 183–184. Çfarë kuptimi ka për ju kjo këshillë? Mendoni se si mund të ndryshojë jeta juaj ndërsa e kujtoni këshillën e tij.

  • Rishihni fjalët e Profetit për prindërit të cilëve u kishin vdekur fëmijë të vegjël (faqet 184–186). Si mundet këto doktrina t’u japin shpresë prindërve të vrerosur?

  • Studioni këshillën e Jozef Smithit për pajtimin e vetes me vullnetin e Perëndisë kur vdesin njerëz të dashur (faqet 186–187). Si ndikon vendimi ynë për të pranuar vullnetin e Perëndisë mbi emocionet tona, fjalët dhe veprimet tona? Në cilat mënyra vendimi ynë mund të ndihmojë të tjerët?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Gjoni 20:1–29; Mosia 16:7–8; Alma 40:11–12; Moroni 8:11–20; DeB 42:45–46

Shënime

  1. Joseph Smith Sr., cituar në Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–1845 manuscript, book 18, f. 5, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Joseph Smith Sr., bekim dhënë Joseph Smith-it pak përpara vdekjes së Joseph Smith Sr. më 14 shtator 1840, në Nauvoo, Illinois; cituar në Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1845 manuscript, f. 298, Arkivat e Kishës.

  3. History of the Church, 6:302–303, 310–311, 315–316; fjalët në kllapa në origjinal; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  4. History of the Church, 5:361–363; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  5. History of the Church, 4:553–554; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 20 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  6. History of the Church, 6:316; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  7. History of the Church, 6:366; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  8. Joseph F. Smith, “Status of Children in the Resurrection”, Improvement Era, maj 1918, f. 571.

  9. Mary Isabella Horne, cituar në History of the Church, 4:556, shënim në fund të faqes; nga deklarata e saj dhënë më 19 nëntor 1896, në Salt Lake City, Utah.

  10. History of the Church, 4:587; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  11. Letër nga Joseph Smith drejtuar Emma Smith, 6 qershor 1832, Greenville, Indiana; Chicago Historical Society, Chicago, Illinois.

  12. Letër nga Joseph Smith drejtuar Emma Smith, 20 janar 1840, Chester County, Pennsylvania; Chicago Historical Society, Chicago, Illinois.

  13. History of the Church, 1:341; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar vëllezërve në Missouri, 21 prill 1833, Kirtland, Ohio.

  14. History of the Church, 4:432; nga një letër e Joseph Smith drejtuar Smith Tuttle, 9 tetor 1841, Nauvoo, Illinois.

  15. History of the Church, 6:51–52; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smithi më 9 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe Times and Seasons, 15 shtator 1843, f. 331; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

Joseph and Emma with twins

Jozef dhe Ema Smith me binjakët që birësuan pak pasi vdiqën foshnjat e tyre binjake. Jozefi dhe Ema i morën me mirënjohje Jozefin dhe Xhulian në familjen e tyre, por Jozefi i vogël vdiq në mars 1832.

mother with daughter

Jozef Smithi na mësoi se fëmijët e vegjël “duhet të ngrihen tamam siç vdiqën” dhe se prindërit do të përshëndesin fëmijët e tyre me “të njëjtën dashuri në lavdinë çelestiale.”