Kapitulli 4
Libri i Mormonit: Gurthemeli i Besimit Tonë
“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Kishin kaluar më shumë se tre vjet që nga mëngjesi në vitin 1820 kur Jozef Smithi ishte lutur që të dinte se me cilën kishë duhej të bashkohej. I riu Profet tani ishte 17 vjeç dhe dëshironte të dinte qëndrimin e tij përpara Perëndisë dhe që të merrte falje. Natën e 21 shtatorit 1823, Jozefi shkoi në dhomën e tij të gjumit në papafingon e shtëpisë prej trarësh të familjes në Palmira të Nju-Jorkut, por qëndroi zgjuar pasi të tjerët në dhomë kishin fjetur dhe u lut me zell që të dinte më tepër mbi qëllimet e Perëndisë për të. “Unë u përfshiva në lutje dhe përgjërim ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm”, tha ai, “për falje të të gjitha mëkateve dhe marrëzive të mia dhe gjithashtu për një manifestim për mua, që të mund të dija gjendjen time dhe qëndrimin tim përpara tij; sepse kisha besim të plotë në marrjen e një manifestimi hyjnor, sikurse kisha marrë më përpara” (Joseph Smith—Historia 1:29).
Në përgjigje të lutjes së tij, Jozefi pa një dritë që u shfaq në dhomën e tij, që vazhdoi të rritej derisa dhoma ishte “më e shndritshme se në mesditë”. Një lajmëtar qiellor u shfaq pranë shtratit të tij, që qëndronte në ajër dhe që kishte një rrobë “të bardhësisë më të jashtëzakonshme”. (Joseph Smith—Historia 1:30–31.) Ky lajmëtar ishte Moroni, profeti i fundit nefit, që shekuj më parë kishte groposur fletët ku ishte shkruar Libri i Mormonit dhe që tani mbante çelësat në lidhje me këtë anal të shenjtë (shih DeB 27:5). Atë e kishin dërguar t’i thoshte Jozefit se Perëndia i kishte falur mëkatet e tij1 dhe që kishte për të një punë të madhe. Si pjesë e kësaj pune, Jozefi duhej të shkonte tek një kodër aty pranë, ku ishte vendosur një anal i shenjtë, i shkruar në fletë të arta. Ky anal ishte shkruar nga profetë që kishin jetuar në kohë të lashta në kontinentin amerikan. Me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, Jozefi duhej ta përkthente analin dhe t’ia paraqiste botës.
Ditën tjetër, Jozefi shkoi tek kodra ku ishin groposur fletët e Librit të Mormonit. Atje takoi Moronin dhe i pa fletët, por iu tha se ai nuk mund t’i merrte ato për katër vjet. Ai duhet të fillonte një periudhë të rëndësishme përgatitjeje që do ta aftësonte të kryente detyrën e shenjtë të përkthimit të Librit të Mormonit. Jozefi u kthye tek kodra çdo 22 shtator për katër vitet e ardhshme, për të marrë udhëzime të mëtejshme nga Moroni. (Shih Joseph Smith— Historia 1:33–54.) Gjatë këtyre viteve, ai mori gjithashtu “shumë vizita nga engjëj të Perëndisë që i shpalosën madhështinë dhe lavdinë e ngjarjeve që do të ndodhnin në ditët e fundit”2.
Kjo periudhë përgatitjeje solli edhe bekimin e martesës në jetën e Profetit. Në janar 1827 ai u martua me Ema Hejl, të cilën e kishte takuar ndërsa punonte në Harmoni të Pensilvanisë. Ema do të ishte një ndihmë e rëndësishme për Profetin gjatë gjithë shërbesës së tij. Më 22 shtator 1827, ajo shkoi bashkë me të tek kodra dhe priti aty pranë ndërkohë që Moroni i dorëzoi fletët në duart e Profetit.
Pasi e pati në zotërim analin e shenjtë, Jozefi e zbuloi shpejt përse Moroni e kishte paralajmëruar të mbronte fletët (shih Joseph Smith—Historia 1:59–60). Një turmë vendase filloi t’i binte në qafë Profetit, duke bërë përpjekje të përsëritura për të vjedhur fletët. Një ditë dimri në dhjetor 1827, duke shpresuar të gjenin një vend ku të punonin në paqe, Jozefi dhe Ema e lanë shtëpinë e familjes Smith për të kërkuar strehim tek prindërit e Emës në Harmoni. Atje Profeti filloi punën e përkthimit. Shkurtin pasues, Martin Herris, një mik i familjes Smith nga Palmira, u frymëzua të shkonte në Harmoni për të ndihmuar Profetin. Me Martinin si shkrues, Jozefi eci përpara me përkthimin e analit të shenjtë.
Rezultati i punës së Profetit do të botohej më vonë si Libri i Mormonit. Ky libër i mrekullueshëm, që përmban plotësinë e ungjillit, qëndron si një dëshmitar i vërtetësisë së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe misionit profetik të Jozef Smithit.
Mësime të Jozef Smithit
Libri i Mormonit u përkthye me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.
Në përgjigje të pyetjes: “Si dhe ku e morët Librin e Mormonit?” Jozef Smithi u përgjigj: “Moroni, që i depozitoi fletët në një kodër në Mançester, konteja e Ontarios së Nju-Jorkut, që kishte vdekur dhe ishte ringjallur prej saj, m’u shfaq, më tregoi ku ishin dhe më dha udhëzime si t’i merrja ato. I mora ato dhe bashkë me to Urimin dhe Thumimin, me anë të të cilëve përktheva fletët; dhe kështu erdhi Libri i Mormonit”3.
“[Moroni më tha] ku ishin vendosur disa fletë në të cilat ishte gdhendur një përmbledhje e analeve të profetëve të lashtë që kishin jetuar në këtë kontinent. … Këto anale ishin gdhendur në fletë që kishin pamjen e arit; secila fletë ishte 15 centimetra e gjerë e 20 centimetra e gjatë dhe jo aq të trasha sa teneqeja e zakonshme. Ato ishin mbuluar me gdhendje, me simbole egjiptiane dhe të lidhura në një vëllim si fletët e një libri, me tre unaza që i bashkonin të gjitha. I gjithë vëllimi ishte rreth 15 centimetra i trashë, një pjesë e të cilit ishte e vulosur. Simbolet në pjesën e pavulosur ishin të vogla dhe të gdhendura bukur. I gjithë libri shfaqte shumë shenja të lashta në strukturën e tij dhe shumë aftësi në artin e gdhendjes. Bashkë me analet u gjend një instrument i çuditshëm, që të moçmit e quanin ‘Urim dhe Thumim’, i cili përbëhej nga dy gurë të tejdukshëm të vendosur në skaj të një harku të lidhur tek një parzmore. Me anë të Urimit dhe Thumimit unë përktheva analin me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.”4
“Me anë të fuqisë së Perëndisë unë përktheva Librin e Mormonit nga hieroglife, njohja e të cilave ishte humbur në botë dhe në këtë ngjarje të mrekullueshme unë veprova i vetëm, një i ri i pamësuar, që të luftoja urtësinë e botës dhe paditurinë e grumbulluar prej tetëmbëdhjetë shekujsh, me një zbulesë të re.”5
“Dëshiroj të përmend këtu se faqja e titullit e Librit të Mormonit është një përkthim i fjalëpërfjalshëm, marrë nga fleta e fundit fare, në anën e majtë të koleksionit ose librit të fletëve, që përmbante analin që ishte përkthyer, shkrimi i të gjithë koleksionit shkonte në të njëjtin drejtim si gjithë shkrimet hebreje në përgjithësi [që domethënë nga e djathta në të majtë]; dhe kjo faqe e titullit e përmendur nuk është në asnjë mënyrë një krijim modern, as i imi dhe as i ndonjë njeriu tjetër që ka jetuar ose jeton në këtë brez. … Po jap më poshtë atë pjesë të faqes së titullit të variantit anglisht të Librit të Mormonit, që është një përkthim i vërtetë dhe i fjalëpërfjalshëm i faqes së titullit të Librit të Mormonit origjinal siç është shënuar në fletët:
‘Libri i Mormonit
Një rrëfim i shkruar mbi Fletë nga dora e Mormonit nxjerrë nga Fletët e Nefit
Prandaj, është një përmbledhje e shkurtuar e analit të popullit të Nefit dhe gjithashtu e Lamanitëve—Shkruar për Lamanitët, të cilët janë një mbetje e shtëpisë së Izraelit, si dhe për Judenj dhe Johebrenj—Shkruar me urdhërim dhe gjithashtu nëpërmjet shpirtit të profecisë dhe të zbulesës—Shkruar dhe vulosur dhe fshehur te Zoti, që të mund të mos shkatërrohej—Që të vijë në dritë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe për interpretimin e tij—Vulosur nga dora e Moronit dhe fshehur te Zoti, që të dalë në dritë në kohën e duhur nëpërmjet Johebrenjve— Interpretimi i tij nëpërmjet dhuratës së Perëndisë.
Gjithashtu, një përmbledhje e marrë nga libri i Ethërit që është një anal i popullit të Jaredit që u shpërnda në kohën kur Zoti ua ngatërroi gjuhën njerëzve, kur ata po ndërtonin një kullë për të arritur në qiell—Ky anal është për t’u treguar atyre që mbetën nga shtëpia e Izraelit çfarë gjërash të mëdha kishte bërë Zoti për etërit e tyre dhe që ata të mund të dinë besëlidhjet e Zotit, që ata nuk janë braktisur përgjithmonë—Dhe gjithashtu për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve—Dhe tani, në qoftë se ka gabime, ato janë gabime të njerëzve; prandaj mos dënoni gjërat e Perëndisë, që të mund të gjendeni pa njollë në fronin e gjykimit të Krishtit.’”6
Urtësia e Zotit është më e madhe se djallëzia e djallit.
Deri më 14 qershor 1828, puna e Jozef Smithit për përkthimin e fletëve të Librit të Mormonit solli si rezultat 116 faqe dorëshkrimi. Pastaj ndodhi një incident që i mësoi Profetit mësime të thella për dorën udhërrëfyese të Perëndisë në nxjerrjen në dritë të këtij anali të lashtë. Profeti shënoi: “Disa kohë pasi z. Herris kishte filluar të shkruante për mua, ai filloi të më kërkonte me këmbëngulje t’i jepja leje t’i çonte shkrimet në shtëpi dhe t’i tregonte ato; dhe dëshironte që unë të pyesja Zotin, nëpërmjet Urimit dhe Thumimit, nëse nuk mund ta bënte këtë. Unë e pyeta dhe përgjigjja ishte se ai nuk duhej ta bënte. Megjithatë, ai nuk u kënaq nga kjo përgjigje dhe dëshiroi që të pyesja përsëri. Unë e bëra dhe përgjigjja qe si më parë. Përsëri ai nuk mund të kënaqej, por këmbënguli që duhej të pyesja edhe një herë.
Pas shumë kërkesash të flakta e pyeta përsëri Zotin dhe atij iu dha leja të kishte shkrimet me disa kushte; që ishin që ai t’ua tregonte ato vetëm vëllait të tij, Prizervd Herris; gruas së vet; babait të tij dhe nënës së tij; dhe znj. Kob, një motre të së shoqes. Në përputhje me këtë përgjigje të fundit, i kërkova që ai duhej të më zotohej në një besëlidhje në mënyrën më solemne që nuk do të vepronte ndryshe nga sa ishte udhëzuar. Ai bëri ashtu. Ai u zotua siç i kërkova, mori shkrimet dhe shkoi. Megjithatë, pavarësisht nga kufizimet e mëdha të cilave iu ishte nënshtruar dhe solemnitetit të besëlidhjes që kishte bërë me mua, ai vërtet ua tregoi ato të tjerëve dhe me anë të dredhisë ata ia morën dhe ato nuk janë rimarrë deri në këtë ditë.”7
Në parathënien e botimit të parë të Librit të Mormonit, Profeti deklaroi se qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengoheshin nga humbja e 116 faqeve: “Meqenëse shumë fjalë të rreme kanë qarkulluar në lidhje me [Librin e Mormonit] dhe gjithashtu shumë masa të paligjshme janë marrë nga persona me plane të mbrapshta për të më shkatërruar mua dhe gjithashtu punën, do të doja t’ju informoja se unë kam përkthyer, me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe kam bërë të shkruhen njëqind e gjashtëmbëdhjetë faqe, të cilat i mora nga Libri i Lehit, që ishte një rrëfim i përmbledhur nga fletët e Lehit, nga dora e Mormonit; të cilin rrëfim në fjalë, ndonjë person apo disa persona e kanë vjedhur dhe mbajtur larg meje, pavarësisht nga përpjekjet e mia maksimale për t’i marrë ato përsëri – dhe duke qenë i urdhëruar nga Zoti se nuk duhej t’i përktheja të njëjtat faqe përsëri, sepse Satani u shtiu në zemrat e tyre të tundojnë Zotin, Perëndinë e tyre, duke ndryshuar fjalët, që ato të lexojnë ndryshe nga çfarë kam përkthyer dhe bërë të shkruhet; dhe nëse do të sillja të njëjtat fjalë përsëri, ose, me fjalë të tjera, nëse do të përktheja të njëjtat përsëri, ata do të botonin ato që kishin vjedhur dhe Satani do të trazonte zemrat e këtij brezi që ata të mos mund ta merrnin këtë vepër: por vër re, më tha Zoti, Unë nuk do të lejoj që Satani ta realizojë planin e tij të mbrapshtë në këtë gjë: si rrjedhim, ti duhet të përkthesh nga fletët e Nefit, derisa të arrish tek ajo që ke përkthyer, të cilën ti e ke mbajtur; dhe vër re, duhet ta botosh atë si analin e Nefit; dhe kështu unë do t’i ngatërroj ata që i kanë ndryshuar fjalët e mia. Unë nuk do të lejoj që ata të shkatërrojnë veprën time; po, unë do t’u tregoj atyre se urtësia ime është më e madhe se djallëzia e djallit. [Shih DeB 10:38–43.]
Prandaj, për të qenë i bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë, me anë të hirit dhe mëshirës së tij, unë plotësova atë që ai më urdhëroi në lidhje me këtë gjë.”8
Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë.
“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër.”9
Nenet e Besimit 1:8: “Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi; ne gjithashtu e besojmë Librin e Mormonit të jetë fjala e Perëndisë”10.
“[Libri i Mormonit] na tregon se Shpëtimtari ynë u shfaq në këtë kontinent pas ringjalljes së Tij; se Ai mbolli këtu Ungjillin në gjithë plotësinë, dhe pasurinë, dhe fuqinë, dhe bekimin e tij; se ata kishin Apostuj, Profetë, Barinj, Mësues dhe Ungjilltarë, të njëjtin rend, të njëjtën priftëri, të njëjtat ordinanca, dhurata, fuqi dhe bekime siç gëzoheshin në kontinentin lindor; se njerëzit u përjashtuan si pasojë e shkeljeve të tyre; se profeti i fundit i tyre që ekzistoi mes tyre u urdhërua të shkruante një përmbledhje të profecive, historisë së tyre etj., dhe ta fshihte në tokë, dhe se ajo do të dilte e të bashkohej me Biblën për plotësimin e qëllimeve të Perëndisë në ditët e fundit.”11
David Osborn qe i pranishëm kur Jozef Smithi predikoi në Far-Uest të Misurit, në 1837. Ai kujtoi këto fjalë të Profetit: “Libri i Mormonit është i vërtetë, tamam siç deklaron të jetë dhe për këtë dëshmi unë pres të jap llogari në ditën e gjykimit”12.
Shkrimet e shenjta na gëzojnë e na ngushëllojnë dhe na bëjnë të ditur për shpëtimin.
“Të lidhura me ndërtimin e Mbretërisë, janë dhe shtypja dhe qarkullimi i Librit të Mormonit, i Doktrinës e Besëlidhjeve, … dhe i përkthimit të ri të [Biblës]. Nuk ka nevojë të themi ndonjë gjë në lidhje me këto vepra; ata që i kanë lexuar dhe që kanë pirë nga rrjedha e dijes që përcjellin ato, dinë si t’i vlerësojnë; dhe ndonëse të marrët mund të tallen me to, përsëri ato janë llogaritur ta bëjnë njeriun të ditur për shpëtimin dhe që të përmbysin pështjellimin e supersticioneve që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, të hedhin dritë për veprimet e Jehovait që janë plotësuar tashmë, dhe të përshkruajnë të ardhmen me gjithë realitetet e veta të frikshme dhe të lavdishme. Ata që i kanë provuar të mirat që rrjedhin nga një studim i këtyre veprave, pa dyshim do të hahen me njëri-tjetrin në zellin për t’i çuar ato kudo në të gjithë botën, që çdo bir i Adamit të mund të gëzojë të njëjtat privilegje dhe të gëzohet në të njëjtat të vërteta.”13
“[Shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme botohen] që të ndershmit në zemër të mund të gëzohen e të ngushëllohen dhe të vazhdojnë rrugën e tyre plot gëzim, ndërkohë që shpirti i tyre bëhet i hapur dhe kuptimi i tyre ndriçohet nga një njohuri e veprës së Perëndisë përmes paraardhësve në ditët e hershme, si dhe atë që Ai është gati të bëjë në ditët e fundit për të përmbushur fjalët e paraardhësve.”14
“Ne i marrim në duar shkrimet e shenjta dhe pranojmë se ato u dhanë me anë të frymëzimit të drejtpërdrejtë për të mirën e njeriut. Ne besojmë se Perëndia denjoi të fliste nga qiejt dhe të deklaronte vullnetin e Tij në lidhje me familjen njerëzore, për t’u dhënë atyre ligje të drejta e të shenjta, për të rregulluar sjelljen e tyre dhe për t’i udhëhequr në rrugën e drejtë që në kohën e caktuar Ai të mund t’i marrë te Vetja dhe t’i bëjë bashkëtrashëgimtarë me Birin e Tij.
Por, kur pranohet ky fakt, që vullneti i drejtpërdrejtë i qiellit përmbahet në shkrimet e shenjta, ne, si krijesa të arsyeshme, a nuk kemi detyrimin që të jetojmë në përputhje me të gjitha rregullat e tij? Thjesht pohimi se ky është vullneti i qiellit a do të na sjellë përfitime nëse nuk u bindemi të gjitha mësimeve të tij? A nuk veprojmë kundër Inteligjencës më të Lartë të qiellit kur pranojmë të vërtetën e mësimeve të saj dhe nuk u bindemi atyre? A nuk veprojmë kundër vetë dijenisë sonë dhe urtësisë më të mirë me të cilën na ka pajisur qielli, me anë të një sjelljeje të tillë? Për këto arsye, nëse kemi zbulesa të drejtpërdrejta që na janë dhënë nga qielli, sigurisht këto zbulesa nuk na janë dhënë që të merren lehtazi, por nëse merren ashtu dhe nëse ka drejtësi në qiell, atëherë personi që e bën këtë do të sjellë mbi vete pakënaqësinë dhe hakmarrjen e Perëndisë; dhe fakti që ka drejtësi në qiell duhet të pohohet nga çdo individ që pohon vërtetësinë dhe forcën e mësimeve të Perëndisë, bekimeve dhe mallkimeve të Tij, siç përmbahet në librin e shenjtë. …
… Ai që mund ta dallojë fuqinë e të Plotfuqishmit, të skalitur në qiej, mund të shohë gjithashtu vetë shkrimin e dorës së Perëndisë në librin e shenjtë: dhe ai që e lexon shpesh do ta pëlqejë më shumë, dhe ai që familjarizohet me të, do ta njohë dorën e Tij kudo që mund ta shohë; dhe kur ta zbulojë një herë, nuk do të marrë vetëm dije, por edhe bindje ndaj të gjithë parimeve të saj qiellore.”15
“O ju Të Dymbëdhjetë! Dhe gjithë shenjtorët! Përfitoni nga ky Çelës i rëndësishëm – që në të gjitha sprovat, telashet, tundimet, shqetësimet, detyrimet, burgimet dhe vdekjen, të kujdeseni për këtë, që ju të mos tradhtoni qiellin; që ju të mos tradhtoni Jezu Krishtin, që ju të mos tradhtoni vëllezërit; që ju të mos tradhtoni zbulesat e Perëndisë, qoftë në Bibël, në Librin e Mormonit, apo në Doktrina e Besëlidhje, apo kudo tjetër që i është dhënë ose do t’i jepet e zbulohet njeriut në këtë botë apo në atë që do të vijë.”16
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni përvojat që pati Jozef Smithi midis 21 shtatorit 1823 dhe 22 shtatorit 1827 (faqet 61–62). Si mendoni se e përgatitën atë këto përvoja për të përkthyer fletët e arta? Në çfarë mënyrash jeni parapërgatitur ju për thirrjet nga Zoti?
Rishihni paragrafin e parë të plotë të faqes 65, duke vënë re qëllimet e Librit të Mormonit. Në çfarë mënyrash i keni parë këto qëllime të përmbushen në jetën tuaj dhe në jetën e të tjerëve?
Ndërsa meditoni rrëfimin e Profetit që u urdhërua të mos ripërkthente 116 faqet e dorëshkrimit që humbën (faqet 65–67), çfarë mësoni për Perëndinë? Si mundet që një kuptueshmëri e këtij rrëfimi të ndikojë vendimet që marrim?
Lexoni paragrafin e dytë në faqen 67. Vini në dukje se në një hark të ndërtuar me gurë, guri kyç [themelor] vendoset në krye dhe i mban në vend gjithë gurët e tjerë. Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit është “gurthemeli i besimit tonë”? Si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit “t’i [afroheni] më shumë Perëndisë”?
Jozef Smithi foli për bekimet që vijnë kur ne kemi “pirë nga burimi i dijes” në shkrimet e shenjta dhe kemi “provuar të mirat” e fjalës së Perëndisë (faqet 67–68). Çfarë ju sugjerojnë këto shprehje rreth studimit të shkrimeve të shenjta? Çfarë mund të bëjmë për ta bërë më kuptimplotë studimin tonë të shkrimeve të shenjta?
Lexoni paragrafin që fillon në fund të faqes 67. Si mendoni, përse ata që studiojnë shkrimet e shenjta zhvillojnë një zell për t’i ndarë ato me të tjerët? Çfarë mund të bëjmë për të ndarë me të tjerët Librin e Mormonit? Çfarë përvojash keni pasur kur keni ndarë Librin e Mormonit ose kur dikush e ka ndarë me ju?
Lexoni paragrafin e fundit të faqes 68. Cilat janë disa fragmente nga Libri i Mormonit që ju kanë bërë të “gëzohen[i] e ngushëllohen[i]”? Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit ju ka ndriçuar kuptueshmërinë tuaj?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Ezekieli 37:15–17; parathënia e Librit të Mormonit; 1 Nefi 13:31–42; 2 Nefi 27:6–26; DeB 20:6–15; Joseph Smith—Historia 1:29–54