Mësime të Presidentëve
Shtojcë: Burime të Përdorura në Këtë Libër


Shtojcë:

Burime të Përdorura në Këtë Libër

Ka një mori burimesh prej të cilave janë nxjerrë mësimet e Profetit Jozef Smith, përfshirë History of the Church. Materiali i mëposhtëm është dhënë për t’ju ndihmuar të kuptoni këto burime.

Burime të Mësimeve të Profetit

Mësimet e Profetit Jozef Smith të përfshira në këtë libër janë nxjerrë nga llojet e burimeve në vijim.

Predikime. Ky libër citon gjerësisht prej diskutimeve të mbajtura nga Profeti Jozef Smith. Mënyra si u regjistruan këto predikime është shumë e ndryshme nga mënyra si u regjistruan predikimet për Presidentë të mëvonshëm të Kishës. Presidentë të Kishës që erdhën pas Jozef Smithit, përdorën shkrues për të regjistruar me stenografi fjalimet e tyre drejtuar anëtarëve të Kishës. Kur u bënë të disponueshme mjete regjistruese elektronike, të tilla si magnetofonët apo regjistruesit filmikë, ato u përdorën për të regjistruar pikë për pikë fjalët e shprehura nga udhëheqës të Kishës.

Megjithatë, gjatë kohës kur jetonte Jozef Smithi, stenografia nuk përdorej gjerësisht. Si rrjedhim, predikimet që bëri ai, u regjistruan josaktësisht me shkrim dore të zakonshëm, kryesisht prej shkruesish, udhëheqësish të Kishës dhe anëtarësh të tjerë të Kishës. Gati të gjitha fjalimet e Jozef Smithit u mbajtën në mënyrë të improvizuar, pa tekst të parapërgatitur, kështu që shënimet e mbajtura nga ata që e dëgjuan përbëjnë të vetmet dokumentime të fjalimeve. Ndërkohë që ekzistojnë disa raporte të gjata të fjalimeve të tij, shumica janë përmbledhje të mesazheve të dhëna nga Profeti. Fatkeqësisht, nuk ka regjistrime për shumë prej fjalimeve të mbajtura nga Jozef Smithi. Prej më shumë se 250 predikimeve që dihet se ka mbajtur ai, raportet apo shënimet e mbajtura nga shkrues apo të tjerë përfshijnë vetëm rreth 50 prej predikimeve të mbajtura.

Artikuj. Disa prej mësimeve të Profetit në këtë libër janë nxjerrë nga artikuj që Jozef Smithi i hartoi për t’i botuar në periodikë të Kishës, përfshirë Evening and Morning Star, Latter Day Saints’ Messenger and Advocate, Elders’ Journal, dhe Times and Seasons1. Jozef Smithi shkroi ose diktoi ca material për botim. Gjithashtu, shpesh ai drejtoi një shkrues, një anëtar tjetër të Presidencës së Parë, ose një tjetër individ të besuar, që të shkruante një artikull në lidhje me tema të veçanta që ai dëshironte të trajtonte. Profeti pastaj do ta nënshkruante tekstin, duke e miratuar atë si paraqitje të mendimit të tij dhe do ta botonte me emrin e vet. Për shembull, ky libër citon prej disa kryeartikujve të botuar në Times and Seasons në vitin 1842. Gjatë një periudhe tetë mujore të atij viti, nga shkurti deri në tetor, Jozef Smithi shërbeu si botues i këtij periodiku dhe shpesh botoi artikuj të nënshkruar “Bot”. Ndonëse të tjerë ndihmuan për të shkruar shumë prej këtyre artikujve, Profeti i miratoi dhe i botoi me emrin e vet.

Letra. Ky libër citon prej shumë letrave të shkruara apo të diktuara nga Jozef Smithi. Ky libër citon gjithashtu prej letrave të miratuara e të nënshkruara nga Jozef Smithi që u përgatitën pjesërisht apo plotësisht nga të tjerë nën drejtimin e tij.

Ditaret. Ditaret e Profetit janë një burim i pasur i mësimeve të tij. Edhe pse ditaret e tij janë të gjerë, faktikisht ai vetë shkroi në to rrallëherë. Përkundrazi, ai drejtoi që ditaret të mbaheshin nga shkrues, nën mbikëqyrjen e tij, duke e lejuar të përqendrohej tek përgjegjësitë e ngutshme të thirrjes së tij. Tamam përpara martirizimit ai deklaroi: “Për tre vitet e fundit kam një raport të të gjithë veprimeve dhe akteve të mia, sepse kam mbajtur në punësim të vazhdueshëm disa nëpunës të mirë, besnikë dhe efikasë: ata më kanë shoqëruar kudo dhe e kanë mbajtur me kujdes historinë time, dhe ata kanë shënuar çfarë kam bërë, ku kam qenë dhe çfarë kam thënë.”2 Shkruesit e Profetit mbajtën shënime ditari në vetë të tretë dhe në vetë të parë, sikur të ishte duke shkruar vetë Jozef Smithi.

Kujtime të të tjerëve. Ky libër citon prej kujtimeve të atyre që e dëgjuan të fliste Profetin dhe që më vonë i regjistruan fjalët e tij në ditaret e tyre dhe shkrime të tjera. Pas vdekjes së Profetit, udhëheqës dhe historianë të Kishës bënë përpjekje të mëdha për t’i mbledhur e ruajtur shkrime të tilla dhe për të regjistruar kujtime të pashkruara më parë mbi Profetin. Burime të tilla janë përdorur vetëm kur personi dëgjoi faktikisht fjalët që ai apo ajo raportoi.

Shkrime të shenjta. Ky libër citon prej mësimeve dhe shkrimeve të Jozef Smithit të kanonizuara më vonë si shkrim i shenjtë në Doktrinën e Besëlidhjet dhe në Perlën me Vlerë të Madhe. Shkrime të tilla të kanonizuara përfshijnë udhëzime që dha ai mbi tema doktrinore, vegimet që raportoi dhe letra e dokumente të tjera që shkroi. Ky libër citon prej këtyre mësimeve dhe shkrimeve të kanonizuara kur ato japin sqarim mbi doktrinat e paraqitura në këtë libër.

History of the Church [Histori e Kishës]

Shumë prej predikimeve dhe shkrimeve të Profetit Jozef Smith të përfshira në këtë libër citohen nga History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints [Histori e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], që referohet në këtë libër si History of the Church3. Gjashtë vëllimet e para të History of the Church paraqesin historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që nga fillimet e saj deri në vdekjen e Jozef Smithit. Kjo histori përshkruan kryesisht ngjarje dhe përvoja të lidhura me jetën dhe shërbesën e Jozef Smithit. Ajo është një prej burimeve më të rëndësishme të informacionit historik mbi jetën e mbi mësimet e Profetit dhe mbi zhvillimin e Kishës së hershme.

Jozef Smithi filloi të përgatisë historinë që u bë së fundi History of the Church, në pranverën e 1838-ës për të kundërshtuar raporte të rreme që u botuan në gazeta dhe gjetiu. Përfundimi i historisë së tij ishte një çështje shqetësimi të madh për të. Në vitin 1843 ai tha: “Ka vetëm pak çështje për të cilat kam ndier merak më të madh sesa për historinë time, që ka qenë një detyrë shumë e vështirë”4.

History of the Church mbështetet tek kujtimet, ditaret dhe regjistrime të tjera vetjake të Profetit. Ajo përfaqëson një tregim të përditshëm të aktiviteteve të Profetit dhe ngjarjeve domethënëse në historinë e Kishës. Ajo përfshin gjithashtu raporte të diskutimeve të Profetit, kopje të zbulesave që mori, artikuj nga periodikë të Kishës, protokolle të konferencave dhe dokumente të tjera.

Jozef Smithi mbeti i përfshirë në përgatitjen dhe rishikimin e historisë së tij deri në vdekje. Megjithatë, ai drejtoi që shumica e punës të kryhej nga të tjerë, nën mbikëqyrjen e tij. Arsye për këtë përfshijnë parapëlqimin e tij gjatë gjithë jetës që t’i shprehte apo diktonte mendimet e tij, në vend që t’i shkruante, dhe kërkesat e vazhdueshme të shërbesës së tij. Historia e Profetit për datën 5 korrik 1839 regjistron: “Unë po diktoja historinë, them diktoja, sepse vetë e përdor rrallë penën”5.

Deri në qershor 1844 ishte shkruar historia deri për datën 5 gusht 1838. Në burgun e Karthixhit, pak përpara se të vdiste, Profeti ngarkoi Plakun Uillard Riçards, kryeshkruesi i tij në atë kohë, që të vazhdonte planin e hartimit të historisë6. Plaku Riçards dhe njerëz të tjerë që kishin qenë pranë Profetit, e vazhduan historinë siç u drejtuan deri në vdekjen e Plakut Riçards në vitin 1854. Pastaj puna për hartimin e historisë u krye apo u drejtua kryesisht nga Plaku Xhorxh A. Smith, një kushëri dhe mik i afërt i Profetit, që u shugurua Apostull në vitin 1839 dhe u bë Historian i Kishës në vitin 1854. Shumë të tjerë që punuan në Zyrën e Historianëve të Kishës, gjithashtu ndihmuan për hartimin.

Një detyrë e rëndësishme e hartuesve të History of the Church ishte redaktimi dhe përgatitja e dokumenteve origjinale për t’i përfshirë në histori. Puna e tyre përfshinte kryerjen e ripunimeve të lehta redaksionale për thuajse të gjitha dokumentet origjinale të përfshira në History of the Church. Hartuesit korrigjuan fjalët e shkruara gabim dhe standardizuan shenjat e pikësimit, përdorimin e germës së madhe dhe gramatikën. Përveç këtyre, në disa raste, hartuesit e historisë bënë ndryshime të tjera tek dokumentet origjinale. Këto ndryshime mund të ndahen në tre kategori:

  1. Ndërthurja e relacioneve. Shumë prej fjalimeve të Jozef Smithit u raportuan nga më shumë se një vëzhgues. Në disa raste, hartuesit e History of the Church kombinuan dy apo më shumë raporte për të njëjtin fjalim në një version të vetëm.

  2. Ndryshimi i relacioneve nga veta e tretë në vetë të parë. Shumë relacione të mësimeve dhe aktiviteteve të Profetit u regjistruan në vetë të tretë. Këto relacione u shkruan kryesisht nga shkruesit e tij, por disa relacione u morën nga shkrimet e të tjerëve që e njihnin Profetin, dhe prej artikujsh gazete. Kur punonin hartuesit e History of the Church, ata e shkruan historinë në vetë të parë, sikur ta shkruante Profeti. Kjo kërkonte që disa relacione në vetë të tretë të ndryshoheshin në relacione në vetë të parë.

  3. Shtimi apo ndryshimi i fjalëve apo frazave. Shumë prej shënimeve origjinale të marra për predikimet e Profetit janë të shkurtra, jo të plota dhe të shkëputura. Në disa prej këtyre rasteve, historianët e Kishës i rindërtuan predikimet e Profetit bazuar në raportet e disponueshme, duke plotësuar gjithashtu nga kujtimet dhe përvojat e tyre me Profetin. Kjo punë nganjëherë përfshinte shtimin apo ndryshimin e fjalëve apo frazave për të mbushur boshllëqet dhe qartësuar kuptimin.

Gjithë hartimi dhe shkrimi i History of the Church u krye nën mbikëqyrje dhe rishikim apostolik. Historia iu lexua anëtarëve të Presidencës së Parë, përfshirë Presidentin Brigam Jang, dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, disa prej të cilëve njiheshin nga afër me Profetin dhe kishin dëgjuar fjalimet origjinale. Këta udhëheqës e miratuan dorëshkrimin që të botohej si histori e Kishës për periudhën e kohës që pasqyron.

Në gusht 1856 u plotësua historia deri në kohën e vdekjes së Jozef Smithit. Historia u botua me pjesë në periodikë të Kishës në shekullin e 19-të si “History of Joseph Smith”7 [Historia e Jozef Smithit]. Më vonë, historia u redaktua nga Plaku B. H. Roberts, anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve dhe u botua nga viti 1902 deri në 1912 në gjashtë vëllime. Ajo u titullua History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints.

Njerëzit që hartuan historinë vërtetuan saktësinë e veprës. Plaku Xhorxh A. Smith tha: “Është bërë kujdesi më i madh për të përçuar idetë sa më pranë stilit të Profetit që qe e mundur; dhe në asnjë rast nuk është ndryshuar mendimi për aq sa di unë, përderisa i dëgjova vetë shumicën e fjalimeve të tij, kam qenë në marrëdhëniet më të ngushta me të, kam mbajtur një kujtesë tepër të gjallë të mësimeve të tij dhe i kam njohur mirë parimet dhe motivet e tij”8.

Plaku Xhorxh A. Smith dhe Plaku Uillford Udraf deklaruan: “Historia e Jozef Smithit tani është para botës dhe jemi të kënaqur se një histori më e saktë në hollësitë e veta se kjo nuk është botuar kurrë. Për ta pasur atë tamam të saktë, mundimet më të mëdha të mundshme janë bërë nga historianët dhe nëpunësit e përfshirë në punë. Ata qenë dëshmitarë okularë të thuajse të gjitha veprimeve të raportuara në këtë histori, shumica e të cilave u raportuan siç ngjanë dhe, aty ku nuk qenë personalisht të pranishëm, ata kanë pasur disponueshmëri për ata që qenë. Për më tepër, që nga vdekja e Profetit Jozef, Historia është rishikuar me kujdes nën kontrollin e rreptë të Presidentit Brigam Jang dhe është miratuar nga ai.

Prandaj ne, nëpërmjet kësaj i japim dëshminë tonë gjithë botës, tek e cila do të shkojnë këto fjalë, se Historia e Jozef Smithit është e vërtetë dhe është një prej historive më autentike që është shkruar ndonjëherë.”9

Në këtë libër, fjalimet dhe shkrimet e Profetit Jozef Smith citohen nga History of the Church përveç nëse fjalimi apo shkrimi origjinal nuk ishte përfshirë në të. Kur ky libër citon nga History of the Church, shënimet në fund përfshijnë informacion mbi fjalimin apo shkrimin origjinal, përfshirë emrat e atyre që regjistruan predikimet e Profetit. Shënimet në fund tregojnë gjithashtu kur hartuesit e History of the Church përdorën kujtimet dhe përvojat e tyre me Jozef Smithin për të ndryshuar fjalët apo për t’i shtuar fjalë apo fraza raportit origjinal. Shtesa apo ndryshime të tilla shënohen vetëm kur e prekin kuptimin e citatit. Ndryshime të vogla redaktimi nuk shënohen.

Libri i titulluar Joseph Smith—Historia, siç shënohet tek Perla me Vlerë të Madhe, është një fragment nga pesë kapitujt e parë të vëllimit të parë të History of the Church.

Shënime

  1. The Evening and Morning Star u botua në Independence, Missouri, nga viti 1832 deri në 1833 dhe në Kirtland, Ohio, nga viti 1833 deri në 1834. Latter Day Saints’ Messenger and Advocate u botua në Kirtland nga viti 1834 deri në 1837. Elders’ Journal u botua në Kirtland në vitin 1837 dhe në Far West, Missouri, në vitin 1838. Times and Seasons u botua në Nauvoo, Illinois, nga viti 1839 deri në 1846.

  2. History of the Church, 6:409; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 26 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  3. ‘History of the Church’ është referuar si ‘Documentary History of the Church’.

  4. History of the Church, 6:66; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book E-1, f. 1768, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  5. History of the Church, 4:1; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book C-1, f. 963, Arkivat e Kishës.

  6. Shih letër nga George A. Smith drejtuar Wilford Woodruff, 21 prill 1856, Salt Lake City, Utah; në Historical Record Book, 1843–1874, f. 219, Arkivat e Kishës.

  7. “History of Joseph Smith” u botua në Times and Seasons nga 15 marsi 1842 deri në 15 shkurt 1846. Vazhdoi në Deseret News nga 14 nëntori 1851 deri në 20 janar 1858. U rishtyp në Millennial Star nga qershori 1842 deri në maj 1845; dhe nga 15 prilli 1852 deri në 2 maj 1863.

  8. Letër nga George A. Smith drejtuar Wilford Woodruff, 21 prill 1856, Salt Lake City, Utah; në Historical Record Book, 1843–1874, f. 218, Arkivat e Kishës.

  9. George A. Smith dhe Wilford Woodruff, Deseret News, 20 janar 1858, f. 363; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.