Kapitulli 47
“Lavdi Njeriut”: Profetë të Ditëve të Mëvonshme Japin Dëshmi për Profetin Jozef Smith
“Profeti Jozef Smith … u thirr nga Perëndia, prej zërit të Vetë Perëndisë, për t’i hapur botës periudhën e Ungjillit për herë të fundit.” (Jozef F. Smith)
Nga Jeta e Jozef Smithit
Pas vdekjes së Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij Hajrëm, anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, që kishin qenë në udhëtime misionare në Shtetet e Bashkuara, u kthyen sa më shpejt që mundën në Navu. Anëtarët e Të Dymbëdhjetëve thirrën një mbledhje të shenjtorëve për më 8 gusht 1844, në të cilën foli Brigam Jangu, Presidenti i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ndërsa e bëri këtë, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme që u dëshmua nga shumë shenjtorë. Në mënyrë të mrekullueshme Presidenti Jang u shndërrua që të dukej e të tingëllonte si Jozef Smithi. “Nëse Jozefi do të ishte ngritur nga vdekja dhe përsëri t’u fliste atyre”, kujtoi Xhorxh Q. Kenon, “efekti nuk do të mund të kishte qenë më befasues nga sa qe për shumë të pranishëm në atë mbledhje. Qe vetë zëri i Jozefit; dhe jo vetëm qe zëri i Jozefit që u dëgjua; por në sytë e njerëzve u duk sikur qe vetë personi i Jozefit që qëndroi para tyre. Ne s’kemi dëgjuar kurrë një ndodhi më të mahnitshme dhe më të mrekullueshme sesa ajo që u plotësua atë ditë në prani të atij kongregacioni. Zoti i dha popullit të Tij një dëshmi, që nuk la vend për dyshim, se cili ishte njeriu që Ai kishte zgjedhur t’i drejtonte ata.”1
Në përfundim të kësaj mbledhjeje, shenjtorët votuan që Të Dymbëdhjetët të kryesonin mbi ta. Pak më shumë se tre vjet më vonë, në dhjetor 1847, u organizua përsëri Presidenca e Parë, ku Brigam Jangu u mbështet si President i Kishës.
Që nga koha e Brigam Jangut, secili prej profetëve që ka kryesuar mbi Kishën ka dëshmuar për misionin e shquar të Profetit Jozef Smith. Jozef Smithi u zgjodh në Këshillin në Qiell që të ishte profeti dhe shikuesi i shkëlqyer i ditëve të mëvonshme. Misioni i tij qe kaq i rëndësishëm sa u profetizua nga profetët e lashtë, përfshirë profetin Jozef të Dhiatës së Vjetër, që e shitën në Egjipt. Vetë Jozefi i Egjiptit qe një shikues dhe ai profetizoi gjerësisht për Jozef Smithin:
“Një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im, i cili do të jetë një shikues i zgjedhur prej frytit të ijeve të mia. … Dhe emri i tij do të jetë sikurse i imi; dhe do të jetë sikurse ai i atit të tij. Dhe ai do të jetë sikurse unë; pasi gjëja që Zoti do të nxjerrë nga dora e tij, me fuqinë e Zotit, do ta sjellë popullin tim në shpëtim” (2 Nefi 3:6, 15; shih gjithashtu 2 Nefi 3:6–22).2
Në dhjetor 1834, Jozef Smith Plaku i dha Profetit Jozef një bekim, duke konfirmuar se ai qe shikuesi për të cilin kishte profetizuar Jozefi i lashtësisë: “Unë të bekoj ty me bekimin e etërve të tu Abraham, Isak dhe Jakob; dhe madje bekimet e atit tënd Jozef, biri i Jakobit. Vër re, ai kërkoi të mësonte për pasardhësit e tij në ditët e fundit …; ai kërkoi të dinte me zell se nga do të vinte biri që do të sillte fjalën e Zotit, me anë të së cilës ata të mund të ndriçoheshin dhe të ktheheshin në vathën e vërtetë, dhe sytë e tij të panë ty, biri im; zemra e tij u gëzua e shpirti i tij u ngop, dhe ai tha: … ‘Nga fara ime, e shpërndarë mes Johebrenjve, një shikues i zgjedhur do të ngrihet …, zemra e të cilit do të meditojë urtësi të madhe, mençuria e të cilit do të qarkojë e përfshijë gjërat e thella të Perëndisë dhe goja e të cilit do të shprehë ligjin e të drejtit.’ … Ti do të mbash çelësat e kësaj shërbese, madje presidencës së kësaj kishe, si në kohë edhe në përjetësi.”3
Përmes Jozef Smithit, shikuesit të zgjedhur të ditëve të mëvonshme, u zbuluan doktrinat dhe ordinancat shpëtuese të ungjillit dhe Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit u rivendos edhe një herë mbi tokë. Dëshmitë e profetëve të lashtë dhe modernë bashkohen së bashku për të shpallur se Jozef Smithi ishte mjeti përmes të cilit Perëndia rivendosi plotësinë e ungjillit për bekimin e “të gjithë familjes njerëzore, nga përjetësia në përjetësi”4.
Dëshmi të Profetëve të Ditëve të Mëvonshme
Jozef Smithi u parashugurua në thirrjen e tij profetike.
Presidenti Brigam Jang: “Ishte dekretuar në këshillat e përjetësisë, shumë kohë më parë se të hidheshin themelet e tokës, se [Jozef Smithi] duhej të ishte njeriu, në periudhën e fundit ungjillore të kësaj bote, që do t’ia sillte fjalën e Perëndisë njerëzve dhe do të merrte plotësinë e çelësave dhe fuqisë së Priftërisë të Birit të Perëndisë. Zoti e kishte ruajtur atë dhe atin e tij, dhe atin e atit të tij, dhe paraardhësit e tyre të gjithë deri tek Abrahami, dhe nga Abrahami tek përmbytja, nga përmbytja tek Enoku, dhe nga Enoku te Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak ndërsa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri tek lindja e atij njeriu. [Jozef Smithi] qe parashuguruar në përjetësi për të kryesuar këtë periudhë të fundit ungjillore.”5
Presidenti Jozef Filding Smith: “Jozef Smithi u zgjodh të qëndronte në krye të veprës së Zotit në ditët e fundit dhe puna e tij iu caktua përmes paraditurisë së Atit tonë të Përjetshëm në përjetësitë përpara se të lindej. Ai erdhi në shpirtin e Eliasit për të përgatitur udhën për ardhjen e Zotit tonë. Asnjë profeti që nga koha e Adamit, me përjashtim sigurisht të Shëlbuesit tonë, nuk i është dhënë mision më i madh.”6
Presidenti Ezra Taft Benson: “Për të marrë një përfytyrim të rëndësisë së misionit tokësor të Profetit duhet ta shohim atë nga këndvështrimi i përjetësisë. Ai qe mes ‘fisnikë[ve] dhe të mëdhenj[ve]’ që Abrahami i përshkruan si vijon:
‘Tani Zoti më kishte treguar mua, Abrahamit, inteligjencat që u organizuan përpara se bota të ishte; dhe mes gjithë këtyre kishte shumë fisnikë dhe të mëdhenj; dhe Perëndia pa se këta shpirtra ishin të mirë dhe qëndroi mes tyre dhe ai tha: Këta unë do t’i bëj sunduesit e mi; sepse ai qëndroi mes atyre që ishin shpirtra dhe pa se ata ishin të mirë; dhe ai më tha: Abraham, ti je një prej tyre; ti u zgjodhe përpara se të lindeshe’. (Abrahami 3:22–23.)
Kështu qe me Jozef Smithin. Edhe ai qe atje. Edhe ai qëndroi në këshill me fisnikët dhe të mëdhenjtë. Duke zënë një vend të spikatur nderi dhe dallimi, ai pa dyshim ndihmoi për planifikimin dhe kryerjen e veprës së shkëlqyer të Zotit që ‘të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut’, shpëtimi i të gjithë fëmijëve të Atit tonë [Moisiu 1:39]. Misioni i tij ka pasur, dhe duhej të kishte, ndikim mbi të gjithë ata që kishin ardhur në tokë; të gjithë ata që banuan atëherë në tokë dhe milionat që s’kanë lindur ende. …
Profeti Jozef Smith jo vetëm që qe një prej ‘fisnikëve dhe të mëdhenjve’, por ai u kushtoi dhe vazhdon t’u kushtojë vëmendje çështjeve të rëndësishme këtu në tokë edhe sot nga mbretëritë lart. Sepse në sytë e Zotit … është i gjithi një program i shkëlqyer i përjetshëm në të cilin Profeti Jozef luan një rol të rëndësishëm – gjithçka përmes priftërisë së përjetshme dhe autoritetit të Perëndisë.”7
Vegimi i Parë i Jozef Smithit është pjesë themelore e dëshmive tona vetjake.
Presidenti Jozef F. Smith: “Ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në botë që nga ringjallja e Birit të Perëndisë nga varri dhe ngjitja e tij lart, ishte ardhja e Atit dhe Birit tek ai djaloshi Jozef Smith, për të përgatitur udhën për hedhjen e themelit të mbretërisë [së Perëndisë] – jo mbretërisë së njeriut – që kurrë më nuk do të pushojë as nuk do të përmbyset.
Pasi e kam pranuar këtë të vërtetë, më duket e lehtë të pranoj çdo të vërtetë tjetër që ai shpalli e deklaroi gjatë misionit të tij … në botë. Ai kurrë nuk na mësoi një doktrinë që nuk qe e vërtetë. Ai kurrë nuk praktikoi një doktrinë që nuk qe i urdhëruar ta praktikonte. Ai kurrë nuk përkrahu gabimin. Ai nuk u mashtrua. Ai pa; ai dëgjoi; ai veproi siç u urdhërua të bënte; dhe, si rrjedhim, Perëndia është përgjegjës për veprën e kryer nga Jozef Smithi – jo Jozef Smithi. Zoti është përgjegjës për të dhe jo njeriu.”8
Presidenti Hiber J. Grant: “Ose Jozef Smithi vërtet pa Perëndinë dhe vërtet bisedoi me Të, dhe Perëndia Vetë vërtet ia paraqiti Jezu Krishtin djaloshit Jozef Smith, dhe Jezu Krishti vërtet i tha Jozef Smithit se do të ishte mjeti në duart e Perëndisë për vendosjen përsëri në tokë të Ungjillit të vërtetë të Jezu Krishtit – ose i ashtuquajturi Mormonizëm është një mit. Dhe Mormonizmi nuk është një mit! Është fuqia e Perëndisë për shpëtimin; është Kisha e Jezu Krishtit, krijuar nën drejtimin e Tij dhe gjithë mosbesimi i botës nuk mund të ndryshojë faktet themelore të lidhura me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”9
Presidenti Hauard W. Hanter: “Jam mirënjohës për anëtarësinë time në Kishë; dhe dëshmia ime për karakterin hyjnor të saj mbështetet mbi ndodhinë e thjeshtë të çunit nën pemë që gjunjëzohet dhe i vijnë vizitorë qiellorë – jo një Perëndi, por dy personazhe të veçuar, individë, Ati dhe Biri, duke i zbuluar përsëri tokës personazhet e Kreut-Perëndi. Besimi dhe dëshmia ime mbështeten mbi këtë ndodhi të thjeshtë, sepse nëse nuk është e vërtetë, Mormonizmi bie. Nëse është e vërtetë – dhe unë jap dëshmi se është – është një prej ngjarjeve unike më të shkëlqyera në të gjithë historinë.”10
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei: “Shfaqja e Atit dhe Birit Jozef Smithit është themeli i kësaj Kishe. Aty gjendet sekreti i forcës dhe gjallërisë së saj. Kjo është e vërtetë dhe unë jap dëshmi për të. Ajo zbulesë e vetme i jep përgjigje gjithë pyetjeve të shkencës në lidhje me Perëndinë dhe personalitetin e Tij hyjnor. A nuk e kuptoni se çfarë do të thotë kjo? Çfarë është Perëndia, merr përgjigje. Lidhja e Tij me fëmijët e Tij është e qartë. Interesimi i tij për njerëzimin, përmes autoritetit deleguar njeriut, është i dukshëm. E ardhmja e veprës është e siguruar. Këto dhe të vërteta të tjera të lavdishme qartësohen nga ai Vegim i Parë i lavdishëm.”11
Presidenti Ezra Taft Benson: “Vegimi i Parë i Profetit Jozef Smith është doktrinë themelore për Kishën. Kundërshtari e di këtë dhe e ka sulmuar besueshmërinë e Jozef Smithit që nga dita kur ai shpalli vizitën e Atit dhe Birit. … Ju gjithmonë duhet të jepni dëshmi për të vërtetën e Vegimit të Parë. Jozef Smithi vërtet e pa Atin dhe Birin. Ata biseduan me të ashtu si tha se bënë. Kjo është ngjarja më e lavdishme që nga ringjallja e Zotit tonë. Cilido udhëheqës që, pa rezerva, nuk mund të deklarojë dëshminë e tij se Perëndia dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit nuk mund të jetë kurrë një udhëheqës i vërtetë, një bari i vërtetë. Nëse nuk e pranojmë këtë të vërtetë, … nëse nuk kemi marrë një dëshmi për këtë zbulesë të shkëlqyer, nuk mund të frymëzojmë besim tek ata që udhëheqim.”12
Presidenti Xhorxh Albert Smith: “Kur profeti djalosh, në pyjet e Palmirës, pa Atin e Birin dhe kuptoi se ata qenë vërtet personazhe, se ata mund ta dëgjonin dhe t’i përgjigjeshin asaj që thoshte ai, filloi një epokë e re në këtë botë dhe u hodh një themel për besimin e fëmijëve të njerëzve. Ata tani mund t’i luteshin Atit tonë në qiell dhe të kuptonin se ai mund t’i dëgjonte e t’u përgjigjej lutjeve të tyre, se kishte një lidhje mes qiejve dhe tokës.”13
Profeti Jozef Smith mori mësim nga Perëndia dhe engjëjt.
Presidenti Xhon Tejlor: “Cili qe Jozef Smithi? Libri i Mormonit na tregon se ai qe nga fara e Jozefit që e shitën në Egjipt dhe që prej këtej ai u përzgjodh ashtu si Abrahami për të kryer një punë mbi tokë. Perëndia e zgjodhi këtë djalë të ri. Ai qe i paarsimuar, siç e kupton bota arsimin, por dhe burri më thellësisht i ditur dhe më i zgjuar që kam takuar ndonjëherë në jetën time dhe kam udhëtuar qindra mijëra milje, kam qenë në kontinente të ndryshme dhe jam shoqëruar me njerëz të të gjitha klasave shoqërore e besimeve, sidoqoftë nuk kam takuar kurrë një njeri aq të zgjuar sa ishte ai. Dhe nga e mori zgjuarsinë e tij? Jo nga librat; jo nga logjika, apo shkenca, apo filozofia e kohës, por e mori përmes zbulesave nga Perëndia, që iu bënë të ditura atij përmes mjetit të ungjillit të përjetshëm.”14
Presidenti Uillford Udraf: “Nuk kam lexuar askund, me sa di unë, për të njëjtën fuqi të shfaqur në ndonjë periudhë ungjillore bijve të njerëzve, që iu shfaq Profetit të Perëndisë në organizimin e kësaj Kishe, kur Ati dhe Biri që të dy iu shfaqën Profetit Jozef në përgjigje të lutjes së tij dhe kur Ati tha: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’ Kjo qe një zbulesë e rëndësishme, që nuk është shfaqur kurrë në të njëjtën mënyrë në ndonjë periudhë ungjillore të botës, që Perëndia ka dhënë në lidhje me veprën e Tij. Kështu në organizimin e saj, Profetit të Perëndisë i shërbyen engjëjt e qiellit. Ata qenë mësuesit e tij, ata qenë udhëzuesit e tij dhe gjithçka që bëri ai, dhe gjithçka që kreu ai që nga fillimi, që nga ajo ditë deri në ditën e martirizimit të tij, qe me anë të zbulesës së Jezu Krishtit.”15
Presidenti Lorenco Snou: “Jozef Smithi, të cilin Perëndia e zgjodhi për të themeluar këtë vepër, qe i varfër e i paarsimuar dhe nuk i përkiste ndonjë besimi popullor të të krishterëve. Ai qe thjesht një djalosh, i ndershëm, plot me integritet moral. … Ashtu si Moisiu, ai u ndie i pazoti dhe i pakualifikuar për detyrën, që të qëndronte si një reformator fetar, në një pozicion që ishte më jopopullori, që të luftonte kundër pikëpamjeve dhe besimeve që kishin ekzistuar për shekuj, duke pasur miratimin e njerëzve, të më të thellëve në bindje teologjike; por Perëndia e kishte thirrur atë që të çlironte të varfrit dhe të ndershmit në zemër të të gjithë kombeve prej skllavërisë [varësisë së plotë] së tyre shpirtërore e materiale. Dhe Perëndia i premtoi atij që kushdo që do ta merrte e do t’i bindej mesazhit të tij dhe kushdo që do të merrte pagëzim për heqjen e mëkateve, me ndershmëri të qëllimit, do të merrte shfaqje hyjnore, do të merrte Frymën e Shenjtë, do të merrte të njëjtin ungjill e bekime siç janë premtuar e merren përmes ungjillit, siç është predikuar nga apostujt e lashtë dhe ky mesazh, ky premtim, do të ishte në fuqi kudo dhe për cilindo që do t’i përçohej nga Pleqtë, lajmëtarët e autorizuar të Perëndisë. Kështu tha Jozef Smithi, djaloshi i paarsimuar, i papërvojë, i çiltër, i thjeshtë dhe i ndershëm.”16
Presidenti Harold B. Li: “Jozef Smithi, djali i ri, i paarsimuar në teologjitë e kohës, i paarsimuar në shkollat e larta të mësimit të kohës së tij, … [qe] ai që mund të ishte i bindur ndaj mësimeve e pëshpëritjeve të Shpirtit. Jozef Smithi nuk mund ta krijonte këtë Kishë. Ai nuk mund të sillte punën e Zotit, Librin e Mormonit. Ata mund të tallen me Profetin Jozef Smith si njeri. Ata mund të pyesin se si filloi kjo Kishë, por këtu gjëja qëndron si një monument – vetë Libri i Mormonit. Jozefi, njeriu, nuk mund ta bënte këtë, por Jozefi, i vënë në veprim nga fuqia e Perëndisë së Plotfuqishëm, mundej dhe kreu shërbimin e mrekullueshëm të nxjerrjes së mbretërisë nga errësira përmes ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.”17
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei: “Është për Jozef Smithin, jo vetëm si një burrë i shkëlqyer, por si një shërbëtor i frymëzuar i Zotit, që dëshiroj të flas në këtë rast. Vërtet, madhështia e Jozef Smithit qëndron në frymëzimin hyjnor. …
‘Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?’ pyesnin judenjtë ndërsa mrekulloheshin me diturinë e Jezusit [Gjoni 7:15]. Po kështu mund ta përsërisim ne pyetjen në lidhje me Jozef Smithin, kur mendojmë për arritjet e tij të shquara gjatë periudhës së shkurtër [katërmbëdhjetë]vjeçare ndërmjet organizimit të Kishës dhe martirizimit të tij; ndërsa kundrojmë harmoninë e përsosur të Ungjillit të Rivendosur me atë të Kishës primitive të krijuar nga Jezusi dhe Apostujt e tij; kur vëmë re mendjehollësinë e tij depërtuese në parimet e doktrinat; dhe kur shohim planin e efikasitetin e pakrahasueshëm të Kishës, krijuar nga frymëzimi i Krishtit, emrin e të cilit mban. Përgjigjja ndaj pyetjes ‘Nga i erdhi këtij dituria?’ jepet në strofën frymëzuese:
Lavdi atij që me Jehovën foli!
Profet Jezusi atë shuguroi.
Bekuar të hapë k’të kohë të fundit,
Mbret’rit dhe kombet do flasin për të.”18
Presidenti Hauard W. Hanter: “Ne lëvdojmë [Jozef Smithin] për aftësinë e tij për të biseduar jo vetëm me Jehovain, por gjithashtu me personazhe të tjera të qiellit. Kaq shumë e vizituan, i dhanë çelësa dhe e ndihmuan atë ‘shikues [të] zgjedhur’ të ngritur në ditët e mëvonshme. … Ne e lëvdojmë gjithashtu Jozef Smithin për zellin dhe aftësinë e tij për të përkthyer e për të marrë qindra faqe të shkrimit të shenjtë të zbuluar. Ai qe kanali për zbulesën. Përmes tij, është vlerësuar, kanë kaluar më shumë faqe të mrekullueshme shkrimi të shenjtë sesa përmes cilitdo njeriu tjetër në histori.”19
Profeti Jozef Smith u thirr nga Perëndia për të hapur periudhën ungjillore të fundit dhe për të rivendosur plotësinë e ungjillit.
Presidenti Spenser W. Kimball: “Unë i jap dëshmi botës sot se më shumë se një shekull e gjysmë më parë tavani i hekurt u copëtua; qiejt u hapën edhe një herë dhe që nga ajo kohë zbulesat kanë qenë të vazhdueshme.
Ajo ditë e re agoi kur [një] shpirt me dëshirë të zjarrtë u lut për udhërrëfim hyjnor. Një vend vetmie të fshehtë u gjet, gjunjët u përthyen, një zemër u përul, përgjërime u shprehën dhe një dritë më e shkëlqyeshme se dielli i mesditës ndriçoi botën – që perdja kurrë më të mos mbyllej.
Një çun i ri …, Jozef Smithi, me besim të pashoq, theu magjinë, copëtoi ‘qiejt si hekur’ dhe rivendosi komunikimin. Qielli puthi tokën, drita shpërndau errësirën dhe Perëndia përsëri i foli njeriut, duke ua zbuluar sërish ‘sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve’. (Amosi 3:7.) Një profet i ri qe në tokë dhe përmes tij Perëndia ngriti mbretërinë e tij, që të mos shkatërrohej kurrë as t’i lihej ndonjë populli tjetër – një mbretëri që do të qëndrojë përgjithmonë.
Përjetësia e kësaj mbretërie dhe zbulesat që solli në jetë janë realitete absolute. Kurrë më nuk do të perëndojë dielli; kurrë më nuk do të provohen të gjithë njerëzit plotësisht të padenjë për komunikim me Krijuesin e tyre. Kurrë më Perëndia nuk do të fshihet nga bijtë e tij në tokë. Zbulesa është këtu që të mbetet.”20
Presidenti Gordon B. Hinkli: “Historia e jetës së Jozefit është historia e një mrekullie. Ai u lind në varfëri. Ai u rrit në fatkeqësi. Atë e përzunë nga një vend tek tjetri, e akuzuan në mënyrë të rreme dhe e burgosën në mënyrë të paligjshme. Atë e vranë në moshën 38-vjeçare. Sidoqoftë, në hapësirën e ngushtë prej 20 vitesh para vdekjes së tij, ai përmbushi atë që asnjë tjetër nuk e kishte përmbushur për një jetë të tërë. Ai përktheu dhe botoi Librin e Mormonit, një vëllim që është përkthyer që atëherë në shumë gjuhë dhe që është pranuar nga miliona vetë në botë si fjala e Perëndisë. Zbulesat që mori ai dhe shkrime të tjera që përgatiti janë njëlloj shkrim i shenjtë për këta miliona. Tërësia në faqe libri përbën afërsisht dyfishin e faqeve të të gjithë Dhiatës së Re të Biblës dhe e gjitha erdhi përmes një njeriu në hapësirën e disa viteve. Në të njëjtën periudhë ai krijoi një organizatë e cila … i ka rezistuar çdo fatkeqësie e sfide dhe është po aq efektive sot në qeverisjen e një anëtarësie mbarëbotërore … sa ishte në qeverisjen e një anëtarësie prej 300 vetash në vitin 1830. Ka nga ata dyshues që janë sforcuar ta shpjegojnë këtë organizatë të shquar si prodhim të kohëve kur jetoi ai. Ajo organizatë, tregoj unë, qe po aq e veçantë, aq unike dhe aq e shquar atëherë sa është edhe sot. Nuk qe prodhim i kohëve. Ajo erdhi si një zbulesë nga Perëndia. …
Brenda hapësirës së atyre 20 viteve që paraprinë vdekjen e tij, Jozef Smithi vuri në lëvizje një program për t’ua çuar ungjillin kombeve të tokës. Mahnitem me guximin me të cilin veproi ai. Edhe në ditët e foshnjërisë së Kishës, në kohët e fatkeqësisë së errët, burra u thirrën të linin shtëpitë e familjet, të kapërcenin detin, të shpallnin Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Mendja e Profetit, vegimi i tij përfshiu të tërë tokën.
Për mbledhjet tona të konferencës së përgjithshme dy herë çdo vit, anëtarë mblidhen në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore; në Ishujt Britanikë dhe Afrikë; në kombet e Europës; në ishujt dhe pjesën kontinentale të Paqësorit; dhe në tokat e lashta të Azisë. Këto janë lulëzimi i vegimit të Jozef Smithit, profetit të Perëndisë. Ai qe vërtet një shikues i fuqishëm që pa këtë ditë dhe ditë më të shkëlqyera që do të vijnë ende, ndërsa vepra e Zotit përhapet mbi tokë.”21
Presidenti Jozef F. Smith: “Çfarëdo tjetër Profeti Jozef Smith mund të ketë bërë ose mund të ketë qenë, nuk duhet të harrojmë faktin se ai qe njeriu prej miliona qenieve njerëzore që banonin në këtë tokë në atë kohë – i vetmi njeri, që u thirr nga Perëndia, prej zërit të Vetë Perëndisë, për t’i hapur botës periudhën e Ungjillit për herë të fundit; dhe kjo është gjëja e shkëlqyer për t’u mbajtur në mendje, se ai u thirr nga Perëndia për t’ia paraqitur Ungjillin botës, për t’ia rivendosur priftërinë e shenjtë bijve të njerëzve, për ta organizuar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në botë dhe për të rivendosur të gjitha ordinancat e Ungjillit, për shpëtimin jo vetëm të të gjallëve, por gjithashtu të të vdekurve, dhe ai u thirr në këtë mision nga Vetë Perëndia. …
… Ka pasur profetë të tjerë dhe profetë të shkëlqyer gjithashtu, që kanë pasur engjëj që u shërbenin atyre, dhe të tjerë që kanë parë gishtin e Perëndisë, dhe që kanë qenë favorizuar me më shumë a më pak zbulesa; por ku është rrethana, dhe cili është njeriu të cilit Ati e Shpëtimtari iu paraqitën së bashku personalisht dhe iu deklaruan atij? Ku është ai njeri? Askund nuk shënon historia, përveç Profetit Jozef Smith, dhe kjo ndërkohë që qe i ri. Ai qe vetëm një i ri, relativisht në fakt, kur u martirizua, duke qenë vetëm 38 vjeç.
… Profeti Jozef Smith … bisedoi me Atin e Birin dhe foli me engjëjt, dhe ata e vizituan atë, dhe i dhuruan bekime, dhe dhurata, dhe çelësa fuqie mbi të që kurrë më parë nuk i ishin dhuruar ndonjë qenieje njerëzore përveçse Birit të Vetë Perëndisë. Ende asnjë njeriu që kishte jetuar ndonjëherë në tokë nuk i ishin dhuruar të gjithë çelësat e Ungjillit dhe të periudhave ungjillore siç iu dhuruan Profetit Jozef Smith në tempullin e Kirtlandit kur ai u vizitua atje nga Biri i Perëndisë, nga Moisiu, dhe nga Eliasi dhe Elija, dhe kur qiejt u hapën mbi të dhe ai mori çelësat e fuqisë e të autoritetit me anë të të cilave mund të hidhte themelin e veprës së Perëndisë, gjerë dhe thellë, për ta mbuluar tokën me njohurinë e Perëndisë dhe me fuqinë e lavdinë e Tij.”22
Vepra e Jozef Smithit bekon ata që kanë jetuar në tokë, ata që po jetojnë tani dhe ata që ende do të lindin.
Presidenti Jozef F. Smith: “Puna në të cilën u zotua Jozef Smithi nuk u kufizua vetëm në këtë jetë, por ajo i përket gjithashtu jetës që do të vijë dhe jetës që ka qenë. Me fjalë të tjera, ajo lidhet me ata që kanë jetuar mbi tokë, me ata që po jetojnë dhe me ata që do të vijnë pas nesh. Nuk është diçka që lidhet me njeriun vetëm kur tabernakulli i tij është në mish, por me të gjithë familjen njerëzore nga përjetësia në përjetësi. Si rrjedhim, siç kam thënë, Jozef Smithi mbahet me nderim, emri i tij respektohet; dhjetëra mijëra njerëz e falënderojnë Perëndinë në zemrën e tyre dhe nga thellësia e shpirtit të tyre për dijen që Zoti rivendosi në tokë përmes tij dhe, si pasojë, ata flasin mirë për të dhe japin dëshmi për vlerën e tij. Dhe kjo nuk kufizohet në një fshat, as në një shtet, as në një komb, por kjo shtrihet tek çdo komb, fis, gjuhë dhe popull ku Ungjilli është predikuar deri tani.”23
Presidenti Jozef Filding Smith: “Në të njëjtën mënyrë si e di se Jezusi është Krishti – dhe kjo është përmes zbulesës nga Shpirti i Shenjtë – e di se Jozef Smithi është dhe qe, dhe do të jetë përgjithmonë një profet i Perëndisë.
Unë e nderoj dhe e respektoj emrin e tij të shenjtë. Bashkë me vëllain e tij, gjyshin tim, Patriarkun Hajrëm Smith, ai e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij në burgun e Karthixhit. Dhe unë, dua të paktën të jem një mjet në duart e Zotit, që t’ua bëj të ditur skajeve të tokës që shpëtimi është përsëri i disponueshëm, sepse Zoti ngriti një shikues të fuqishëm në këtë ditë për të rivendosur mbretërinë e tij në tokë.
Me një shpirt dëshmie dhe falënderimi, po e mbyll me këto fjalë të frymëzuara nga Doktrina e Besëlidhje: ‘Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të’. (DeB 135:3.)”24
Presidenti Gordon B. Hinkli, duke folur në Karthixh të Ilinoisit, më 26 qershor 1994, për nder të 150-vjetorit të martirizimit të Profetit Jozef Smith: “Vepra e lavdishme, që filloi prej atij që u vra në Karthixh, është rritur në një mënyrë të mrekullueshme e të mahnitshme. … Kjo vepër e shkëlqyer, që buroi nga thirrja profetike e djaloshit të Palmirës, ka ‘dalë nga vendi i shkretë i errësirës’ dhe po shkëlqen ‘e bukur si hëna, e shndritshme si dielli dhe e tmerrshme si një ushtri me flamurë’, siç u lut Profeti që të ndodhte (DeB 109:73). …
Ne heshtim me nderim këtu këtë mbrëmje. Mendojmë për mrekullinë e jetës që filloi në kodrat e gjelbra të Vermontit dhe përfundoi këtu në burgun e Karthixhit. Ajo jetë nuk qe e gjatë. Por frytet e asaj jete kanë qenë diçka thuajse përtej kuptueshmërisë.
Kjo kauzë e shkëlqyer e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka qenë më e çmuar se vetë jeta për mijëra e mijëra vetë që kanë vdekur në shërbim të saj. Dëshmi janë përcjellë në botë nga qindra mijëra vetët për të dëshmuar për thirrjen e Jozef Smithit si Profet i Perëndisë. Priftëria e shenjtë e rivendosur përmes tij, ka rënë si mantel mbi një numër pambarim burrash integriteti dhe virtyti, që janë veshur me këtë fuqi hyjnore. Libri i Mormonit po shkon kudo në botë si një dëshmi tjetër e Zotit Jezu Krisht.
Duke cituar një të vërtetë të dukshme të shprehur kohë më parë dhe në rrethana të ndryshme, ‘gjaku i martirëve është bërë fara e Kishës’. Dëshmitë që u vulosën këtu, pikërisht në këto territore, në këtë vend ku jemi mbledhur sonte, atë ditë të nxehtë dhe mbytëse 150 vjet më parë, tani ushqejnë besimin e njerëzve nëpër botë.”25
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Lexoni përvojën e përshkruar në faqen 577. Mendoni si mund të jenë ndier njerëzit kur morën dëshminë se Brigam Jangu duhej të pasonte Jozef Smithin si udhëheqës i Kishës. Si mund të marrim një dëshmi se Zoti e ka thirrur Presidentin e Kishës sot?
Jozefi i Egjiptit dhe profetë të tjerë të lashtësisë profetizuan për Jozef Smithin dhe misionin e tij (faqe 579). Siç tregohet në këtë kapitull, profetët e ditëve të mëvonshme kanë vazhduar ta theksojnë rëndësinë e Jozef Smithit. Si mendoni ju, përse Jozef Smithi ka marrë një vëmendje të tillë, si përpara shërbesës së tij tokësore ashtu dhe pas saj?
Studioni dëshmitë në faqet 580–581 mbi parashugurimin e Jozef Smithit. Si ndryshon kuptueshmëria jonë për misionin tokësor të Jozef Smithit kur ne e “shohim atë nga këndvështrimi i përjetësisë”?
Lexoni dëshmitë për Vegimin e Parë në faqet 581–583. Çfarë e bën këtë ngjarje “[ngjarjen] më [të] madhe që ka ndodhur ndonjëherë në botë që nga ringjallja e Birit të Perëndisë”? Si është Vegimi i Parë “themeli i kësaj Kishe” dhe “sekreti i forcës dhe gjallërisë së saj”? Çfarë ju ka ndihmuar të merrni një dëshmi për Vegimin e Parë?
Presidenti Jozef F. Smith deklaroi: “Perëndia është përgjegjës për veprën e kryer nga Jozef Smithi – jo Jozef Smithi” (faqe 581). Si mendoni ju, përse ky është një argument i rëndësishëm për t’u ngritur mbi misionin e Jozef Smithit?
Për Jozef Smithin, Presidenti Xhon Tejlor tha: “Nuk kam takuar kurrë një njeri aq të zgjuar sa ishte ai” (faqe 584). Megjithatë, Presidenti Tejlor dhe Presidentë të tjerë të Kishës kanë nxjerrë në pah se Jozef Smithi nuk pati shumë mundësi për shkollim. Përse qe në gjendje Profeti Jozef që ta shtonte kaq shumë inteligjencën e tij? (Për disa shembuj, shihni faqet 583–586.) Ndërsa kërkojmë dijeni shpirtërore, si mund ta ndjekim shembullin e Jozef Smithit?
Rishihni faqet 586–591, duke vënë re të vërtetat dhe ordinancat që Zoti rivendosi përmes Jozef Smithit. Mendoni se si do të ishte e ndryshme jeta juaj nëse nuk do të kishit dijeni për ungjillin e rivendosur. Përse jeni mirënjohës për Jozef Smithin dhe misionin e tij?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: 2 Nefi 3:6–19; 27:6–26; 3 Nefi 21:9–11; DeB 1:17; 5:9–10; 21:1–6