Mësime të Presidentëve
Kapitulli 31: ‘Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë’: Profeti në burgun e Libertisë


Kapitulli 31

“Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë”: Profeti në burgun e Libertisë

“Në emrin e Tij të Plotfuqishëm ne jemi të vendosur të durojmë vuajtje, si ushtarë të mirë, deri në fund.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Më 1 dhjetor 1838, Profetin Jozef Smith, vëllanë e tij Hajrëm, si dhe Vëllezër të tjerë i morën prej Riçmondit në Misuri, ku ishin të burgosur në një shtëpi prej trarësh, për në burgun në Liberti të Misurit. Atje ata do të mbeteshin për më shumë se katër muaj, duke pritur gjyqin me akuza të rreme që u ngritën prej përndjekjes së shenjtorëve në Misuri. Gjatë kësaj kohe, anëtarë të Kishës po dëboheshin prej shtëpive të tyre në Misuri prej përndjekësve të tyre, duke u shkaktuar vuajtje të tmerrshme. Mundimet e shenjtorëve ishin burim ankthi të madh për Profetin dhe shokët e tij gjatë burgimit të tyre të gjatë.

Burgu i Libertisë ishte i ndarë në një dhomë të sipërme dhe një birucë të poshtme 4,27 me 4,27 metra, ku mbaheshin të burgosurit. Profeti përshkroi gjendjen e tyre: “Ne mbahemi me roje të shumta, natë e ditë, në një burg me mure dhe dyer të dyfishta, të kufizuar në lirinë tonë për të vepruar sipas ndërgjegjes sonë. Ushqimi ynë është i pakët, i njëjtë dhe i keq; nuk kemi privilegjin që të gatuajmë për vete; na kanë shtrënguar të flemë mbi dysheme me kashtë dhe pa mbulesa të mjaftueshme që të na mbajnë ngrohtë; dhe kur kemi zjarr, jemi të detyruar të durojmë një tym gati të përhershëm. Gjykatësit ashpërsisht na kanë thënë herë pas here se ata e dinin që ne jemi të pafajshëm dhe duhet të lirohemi, por se ata nuk guxojnë të zbatojnë ligjin për ne nga frika e turmës.”1

Dhoma nuk ishte aq e lartë sa t’i lejonte burrat të qëndronin drejt dhe Aleksandër Mek-Rei, një prej të burgosurve, tha se ushqimi ishte “shumë i keq dhe kaq i ndyrë sa nuk mund ta hanim derisa të na shtrëngonte uria”2.

Mersi Filding Tompson, një anëtare e Kishës, që vizitoi vëllezërit në burg, shkroi më vonë: “Do të ishte përtej fuqisë sime të përshkruaja ndjenjat e mia kur roja na lejoi të hynim në burg dhe dera u mbyll pas nesh. Nuk mund të mos ndienim një ndjesi tmerri kur e kuptuam se ishim mbyllur në atë strofull të zymtë dhe të mjerë, të përshtatshme vetëm për kriminelët e llojit më të keq; por atje pamë Jozefin, Profetin – burrin e zgjedhur nga Perëndia, në periudhën e plotësisë së kohëve për të mbajtur çelësat e mbretërisë së Tij në tokë, me fuqinë për të lidhur e zgjidhur ashtu si të drejtojë Perëndia – të mbyllur në një burg të neveritshëm jo për ndonjë kauzë apo arsye tjetër përveç që ai deklaroi se ishte i frymëzuar nga Perëndia për të vendosur kishën e Tij mes njerëzve.”3

Gjatë burgimit të Profetit, bashkëshortja e tij Ema, qe në gjendje ta vizitonte atë vetëm tre herë. I vetmi komunikim tjetër mes tyre qe përmes letrave. Më 4 prill 1839, Profeti shkroi: “E dashur dhe e dhembshur bashkëshorte. Të enjten mbrëma, u ula tamam kur dielli po perëndonte, siç po e shikonim vjedhurazi përmes shufrave të dritareve të këtij burgu të shkretë, për të të shkruar ty, që të ta bëj të ditur gjendjen time. Tani, besoj, janë bërë rreth pesë muaj dhe gjashtë ditë që kur jam nën ngërdheshjen e një roje natë e ditë dhe brenda mureve, shufrave dhe dyerve të hekurta kërcitëse të një burgu të shkretë, të errët e të pistë. Me emocione që vetëm Perëndia i di, e shkruaj këtë letër. Në rrethana të tilla, soditjet e mendjes për t’ia përshkruar apo shprehur qenies njerëzore që nuk e ka provuar kurrë, atë që ne provojmë, i bëjnë sfidë penës, apo gjuhës, apo engjëjve. … Ne mbështetemi në krahun e Jehovait dhe të askujt tjetër për shpëtimin tonë.”4

Prej burgut të Libertisë, Profeti u shkroi letra edhe shenjtorëve, duke shprehur dashurinë e tij për ta dhe besimin e tij se Perëndia do t’i mbështesë gjithmonë ata që mirëbesojnë tek Ai. Shumica e materialit në vijim vjen prej një letre drejtuar anëtarëve të Kishës, e datuar 20 mars 1839, që përmban këshillën e Profetit për shenjtorët, përgjërimet e tij drejtuar Perëndisë dhe përgjigjet e Perëndisë për lutjet e tij. Pjesë të kësaj letre u bënë më vonë seksionet 121, 122 dhe 123 të Doktrinës e Besëlidhjeve.

Mësime të Jozef Smithit

Asnjë vuajtje nuk mund të na ndajë ne nga dashuria e Perëndisë dhe shoqërimi me njëri-tjetrin.

“Shërbëtori juaj i përulur, Jozef Smith i Riu, i burgosur për hir të Zotit Jezu Krisht dhe për shenjtorët, i marrë dhe i mbajtur me anë të fuqisë së turmo-kracisë, nën mbretërimin shfarosës të shkëlqesisë së tij, guvernatorit Lilburn W. Bogs, në shoqëri me bashkë të burgosurit dhe vëllezërit e dashur, Kaleb Balduin, Liman Uajt, Hajrëm Smith dhe Aleksandër Mek-Rei, ju dërgon gjithë përshëndetjen5. Hiri i Perëndisë, Atit, dhe Zotit e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, qëndroftë mbi ju të gjithë dhe banoftë me ju përgjithmonë. Dituria u shumëfishoftë mbi ju prej mëshirës së Perëndisë. Dhe besimi, dhe virtyti, dhe dituria, dhe vetëkontrolli, dhe qëndresa, dhe perëndishmëria, dhe dashuria vëllazërore, dhe dashuria hyjnore qofshin në ju dhe me shumicë, që ju të mos bëheni përtacë në asgjë, as të pafryt [shih 2 Pjetri 1:5–8].

Duke qenë se, për aq sa dimë shumica prej jush njihen mirë me të këqijat dhe padrejtësitë dorëgjata dhe mizorinë që janë praktikuar mbi ne; ndërsa ne jemi burgosur dhe akuzuar në mënyrë të gabuar me çfarëdo lloj të lige, dhe hedhur në burg, mbyllur me mure të fortë, të rrethuar me roje të shumta, që vëzhgojnë vazhdimisht, ditë e natë, po aq palodhshëm sa dhe djalli për të tunduar dhe ngritur kurthe për njerëzit e Perëndisë:

Prandaj, vëllezër të dashur fort, ne jemi dhe më shumë gati dhe të gatshëm të kërkojmë shoqërinë dhe dashurinë tuaj. Sepse rrethanat tona janë llogaritur që të zgjojnë te shpirtrat tanë një kujtim të shenjtë të gjithçkaje dhe ne mendojmë se po ashtu edhe në tuajt, dhe si rrjedhim asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë dhe shoqërimi me njëri-tjetrin [shih Romakëve 8:39]; dhe se të gjithë llojet e ligësisë dhe mizorisë të praktikuara mbi ne veçse do të tentojnë të lidhin zemrat tona së bashku dhe t’i vulosin ato së bashku në dashuri.

Ne nuk kemi nevojë t’ju themi juve se ne mbahemi të lidhur pa shkak, as është e nevojshme që ju të na thoni se ju kanë dëbuar nga shtëpitë dhe goditur pa shkak. Ne e kuptojmë bashkërisht që, nëse banorët e shtetit të Misurit do t’i kishin lënë rehat shenjtorët dhe do të kishin qenë aq të dëshiruar për paqe sa ishin ata, nuk do të kishte pasur asgjë tjetër përveç paqes dhe qetësisë në shtet deri më sot; ne nuk do të na duhej të kishim qenë në këtë ferr … ku jemi shtrënguar të mos dëgjojmë gjë tjetër përveçse betime blasfemuese dhe të dëshmojmë një skenë blasfemish dhe dehjeje, dhe hipokrizie, dhe orgjish të çdo lloji. Dhe përsëri, të qarat e të vejave dhe jetimëve nuk do të kishin shkuar në veshët e Perëndisë kundër tyre. As gjaku i pafajshëm nuk do të kishte njollosur truallin e Misurit. … Kjo është një rrëfenjë mjerimi; një rrëfenjë e dhimbshme; po, një rrëfenjë e pikëlluar; e tepërt për t’u treguar; e tepërt për t’u soditur; e tepërt për qeniet njerëzore. …

[Përndjekësit tanë] i praktikojnë këto gjëra mbi shenjtorët, që nuk u kanë bërë atyre asnjë të keqe, që janë të pafajshëm dhe të virtytshëm; që e deshën Zotin Perëndinë e tyre dhe që qenë të gatshëm të braktisin të gjitha gjërat për hir të Krishtit. Është e tmerrshme të rrëfesh këto gjëra, por ato janë krejt të vërteta. Është e nevojshme të vijnë skandalet, por mjerë ata për faj të të cilëve do të vijnë ato [shih Mateu 18:7].”6

Fatkeqësia zgjat vetëm një çast të shkurtër; nëse durojmë mirë, ne do të ekzaltohemi në prani të Perëndisë.

“O Perëndi, ku je Ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin Tënd të fshehjes? Për sa kohë do të frenohet dora Jote dhe syri Yt, po syri Yt i pastër, do të shohë nga qiejt e përjetshëm gabimet e popullit Tënd e të shërbëtorëve të tu dhe veshi Yt të përshkohet nga thirrjet e tyre?

Po, O Zot, për sa kohë do t’i vuajnë ata këto gabime dhe shtypje të paligjshme, përpara se zemra Jote të zbutet ndaj tyre dhe brendësia Jote të nxitet me pasion kundrejt tyre?

O Zot, Perëndia i Plotfuqishëm, Krijuesi i Qiellit, Tokës e Deteve dhe i të gjitha gjërave që janë në to, dhe që kontrollon e nënshtron djallin dhe zotërimin e errët dhe të zymtë të Sheolit! Shtrije krahun Tënd; sytë e Tu duhet të depërtojnë; tenda Jote duhet të hiqet; vendi Yt i fshehjes nuk duhet të jetë më i mbuluar; veshi Yt duhet të hapet; zemra Jote duhet të zbutet dhe brendësia Jote të nxitet me pasion kundrejt nesh. Zemërimi Yt duhet të ndizet kundër armiqve tanë; dhe, në tërbimin e zemrës Tënde, me shpatën Tënde merr hak ndaj nesh për gabimet tona. Kujtoji shenjtorët e Tu të përvuajtur, O Perëndia ynë! Dhe shërbëtorët e Tu do të gëzohen në emrin Tënd përgjithmonë. …

… Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu.”7 [Paragrafët në këtë seksion gjenden gjithashtu në DeB 121:1–8.]

Fuqia e Perëndisë është më e madhe se çdo e ligë dhe të vërtetat e ungjillit do të triumfojnë së fundi.

“Më lejoni t’ju them, vëllezër, se padituria, paragjykimi dhe fanatizmi kur ndodhen atje ku nuk duhet të ndodhen, shpesh janë pengesa për lulëzimin e kësaj Kishe, ashtu si përroi i shiut prej maleve që përmbyt rrëkenë më të kthjellët e të pastër si kristali me llucë, baltë dhe ndyrësi, dhe turbullon çdo gjë që ishte e kthjellët më parë, dhe gjithçka turret në një përmbytje të përgjithshme; por rrethanat ndryshojnë me kalimin e kohës; dhe megjithëse ne rrokullisemi në llucën e përmbytjes në këtë kohë, ndoshta dallga tjetër, ndërsa koha rrjedh, mund të na sjellë burimin e kthjellët si kristal dhe të pastër si bora; ndërsa ndyrësia, drutë e sjella nga përmbytja dhe plehrat mbeten pas dhe spastrohen gjatë rrugës.

Për sa kohë do të ngelen të papastra ujërat që rrjedhin? Çfarë fuqie do t’i ndalojë qiejt? Po aq sa njeriu mundet ta shtrijë krahun e tij të dobët për të ndaluar lumin Misuri në udhën e tij të përcaktuar ose t’ia kthejë mbrapsht rrjedhën, aq mund të pengohet i Plotfuqishmi nga derdhja e diturisë së tij prej qiellit mbi kokat e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. [Ky paragraf gjendet gjithashtu në DeB 121:33.]

Ç’gjë tjetër është [guvernatori Lilburn W.] Bogs apo grupi i tij vrasës, përveçse shelgje shpuese në breg për të kapur drutë e sjella nga rryma? Do të ishte po aq budallallëk sa të debatonim që uji nuk është ujë, sepse përrenjtë malorë sjellin poshtë llucë dhe turbullojnë rrëkenë e kristaltë, edhe pse pastaj e bëjnë më të kthjellët se më parë; apo se zjarri nuk është zjarr, sepse ka natyrë që mposhtet, duke i hedhur rrjedhë; sa edhe të thoshim se kauza jonë ka dështuar sepse renegatë, gënjeshtarë, priftërinj, hajdutë dhe vrasës, që janë të gjithë njëlloj këmbëngulës në mashtrimet dhe kredot e tyre, kanë hedhur poshtë, prej frymërave të tyre të mbrapshta në vende qiellore dhe prej bastioneve të tyre të djallit, një përmbytje balte dhe lluce, dhe ndyrësie … mbi kokat tona.

Jo! Perëndia e pengoftë. Ferri mund ta derdhë jashtë furinë e tij ashtu si llava e zjarrtë e malit Vezuv, apo e Etnës, apo e më të tmerrshmit prej maleve përvëlues; dhe përsëri ‘Mormonizmi’ do të qëndrojë. Uji, zjarri, e vërteta dhe Perëndia janë të gjitha realitete. ‘Mormonizmi’ është i vërtetë. Perëndia është autori i tij. Ai është shqyti ynë. Prej Tij ne morëm lindjen tonë. Prej zërit të Tij ne u thirrëm në një periudhë të Ungjillit të Tij në fillimin e plotësisë së kohëve. Prej Tij ne morëm Librin e Mormonit; dhe prej Tij ne qëndrojmë deri në këtë ditë; dhe prej Tij do të mbetemi, nëse do të jetë për lavdinë tonë; dhe në emrin e Tij të Plotfuqishëm ne jemi të vendosur të durojmë vuajtje, si ushtarë të mirë, deri në fund.

… Ju do ta mësoni deri kur ta keni lexuar këtë, dhe nëse nuk e mësoni, ju mund ta mësoni, se muret dhe hekurat, dyert dhe menteshat kërcitëse dhe rojet e gardianët e frikësuar për vdekje… janë llogaritur në vetë natyrën e tyre që ta bëjnë shpirtin e një burri të ndershëm të ndihet më i fortë se forcat e ferrit. …

… Ne jemi vëllezërit e bashkëvuajtësit tuaj dhe të burgosur të Jezu Krishtit për hir të Ungjillit e për shpresën e lavdisë që është tek ne.”8

Shpëtimtari i kupton të gjitha vuajtjet tona dhe Ai do të jetë me ne përherë e përgjithmonë.

Zoti e ngushëlloi Profetin me fjalët që vijojnë: “Skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd dhe të marrët do të të përqeshin e ferri do të tërbohet kundër teje; ndërsa të pastrit në zemër dhe të urtët, dhe fisnikët, dhe të virtytshmit do të kërkojnë këshillë dhe autoritet, dhe bekime vazhdimisht prej dorës tënde; dhe populli yt nuk do të kthehet kurrë kundër teje nëpërmjet dëshmisë së tradhtarëve; dhe megjithëse ndikimi i tyre do të të futë në shqetësim dhe brenda hekurave e mureve, ti do të shihesh me nder; dhe veçse për një çast të shkurtër, dhe zëri yt do të jetë në mes të armiqve të tu më i tmerrshëm sesa luani i egër, për shkak të drejtësisë tënde; dhe Perëndia yt do të qëndrojë pranë teje përherë e përgjithmonë.

Në qoftë se thirresh përmes vuajtjes, në qoftë se je në rreziqe mes vëllezërve të rremë, në qoftë se je në rreziqe mes plaçkitësish, në qoftë se je në rreziqe në tokë apo në det; në qoftë se akuzohesh me të gjitha mënyrat e akuzave të rreme, nëse armiqtë e tu bien mbi ty, nëse të shkëpusin nga shoqërimi i atit e i nënës tënde dhe i vëllezërve e i motrave të tua, dhe nëse me një shpatë të zhveshur armiqtë e tu të shkëpusin nga gjiri i gruas tënde dhe i fëmijëve të tu, dhe djali yt më i madh, megjithëse vetëm gjashtë vjeç, do të kapet pas rrobave të tua dhe do të thotë: Ati im, ati im, përse nuk mund të qëndrosh me ne? O, ati im, çfarë do të bëjnë burrat me ty? dhe atëherë, nëse ai do të ndahet prej teje me anë të shpatës dhe ti do të tërhiqesh zvarrë në burg e armiqtë e tu do të të sillen përreth si ujqër për gjakun e qengjit; në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha; a je ti më i madh se ai?

Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde dhe priftëria do të mbetet me ty; sepse kufijtë e tyre janë caktuar, ata s’mund të kalojnë. Ditët e tua njihen dhe vitet e tua s’do të numërohen më pak; si rrjedhim, mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”9 [Paragrafët në këtë seksion gjenden gjithashtu në DeB 122:1–9.]

Zëri i vogël, i qetë u pëshpërit ngushëllim shpirtrave tanë në thellësitë e hidhërimit dhe shqetësimit.

Pak pasi Profeti u lejua t’u shpëtonte robëruesve të tij në Misuri, ai kujtoi ndjenjat që pati gjatë burgosjes së tij: “Gjatë kohës që isha në duart e armiqve të mi, duhet të them që, ndonëse ndieja ankth të madh në lidhje me familjen dhe miqtë e mi, të cilët po i trajtonin dhe po i abuzonin kaq çnjerëzisht, … përsëri, për aq sa më përkiste mua, ndihesha përsosurisht i qetë dhe i nënshtruar ndaj vullnetit të Atit tim Qiellor. E dija pafajësinë time si dhe atë të shenjtorëve dhe se ne nuk kishim bërë asgjë që ta meritonim një trajtim të tillë prej duarve të shtypësve tanë. Si rrjedhojë, unë mund të mbështetesha për shpëtim tek ai Perëndi, që ka jetën e të gjithë njerëzve në duart e Tij dhe që më ka kursyer shpesh nga portat e vdekjes; dhe megjithëse dukej sikur çdo rrugë shpëtimi ishte plotësisht e mbyllur, dhe vdekja më shihte ngultas në fytyrë, dhe se shkatërrimi im ishte vendosur, për sa i përket njeriut, përsëri, që sapo hyra fillimisht në kamp, unë ndjeva një siguri se unë, bashkë me vëllezërit e mi dhe familjet tona, do të çliroheshim.

Po, ai zë i vogël, i qetë, që kaq shpesh i ka pëshpëritur ngushëllim shpirtit tim, në thellësitë e hidhërimit dhe shqetësimit, më urdhëroi të mos e humb kurajën dhe më premtoi shpëtim, gjë që më dha shumë ngushëllim. Dhe ndonëse kombet zienë dhe popujt kurdisën gjëra të kota, përsëri Zoti i Ushtrive, Perëndia i Jakobit ishte streha ime; dhe kur unë e kërkova në ditën e fatkeqësisë, Ai më çliroi [shih Psalmet 46:7; 50:15]; gjë për të cilën unë thërras në shpirtin tim dhe gjithçka që është brenda meje, që të bekoj dhe lëvdoj emrin e Tij të shenjtë. Sepse ndonëse unë isha i ‘shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk [isha i] ngushtuar deri në fund; [isha] ndërdyshas por jo [i] dëshpëruar; [isha i] përndjekur por jo [i] braktisur; [i] rrëzuar, por jo [i] shkatërruar’. [Shih 2 Korintasve 4:8–9.]”10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni përshkrimin e burgut në Liberti të Misurit (faqet 383–386). Ndërsa studioni dhe diskutoni këtë kapitull, mendoni për rrethanat e Profetit kur ai shkroi fjalët e regjistruara në këtë kapitull. Rilexoni paragrafin që fillon në fund të faqes 388. Në ç’mënyrë tregimi i Profetit në burgun e Libertisë është një shembull i kësaj të vërtete?

  • Studioni paragrafin që fillon në fund të faqes 386. Si ndodh që rrethana të vështira ndonjëherë “zgjojnë te shpirtrat tanë një kujtim të shenjtë”? Në çfarë mënyrash sprovat dhe përndjekjet i “lidhin zemrat tona” me pjesëtarët e familjes dhe miqtë? Çfarë përvojash keni pasur që lidhen me këto të vërteta?

  • Jozef Smithi deklaroi se asgjë nuk mund ta ndante atë dhe vëllezërit e tij nga dashuria e Perëndisë (faqe 386). Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja ndërsa meditoni këtë deklaratë? Në ç’mënyra mund të ndahemi prej dashurisë së Perëndisë? Cilat janë disa gjëra që duhet të bëjmë që të rrimë në dashurinë e Perëndisë?

  • Lexoni paragrafin e dytë në faqen 388. Çfarë mund të bëjmë që të marrim paqen që na ofron Zoti? Çfarë fitoni ju prej sigurisë së Zotit se fatkeqësitë dhe mjerimet e Jozef Smithit do të ishin “veçse një çast i shkurtër”?

  • Rishihni sigurimet e Jozef Smithit drejtuar shenjtorëve se armiqtë e Kishës nuk mund të bënin asgjë që të pengonin fuqinë e Perëndisë (faqet 388–389). Përse ne nganjëherë e harrojmë këtë të vërtetë? Çfarë mund të bëjmë që ta kujtojmë atë?

  • Studioni fjalët e Zotit drejtuar Profetit në faqet 390–391. Si mund të ndryshojë jeta jonë kur kujtojmë se sprovat mund të na japin përvojë dhe të jenë për të mirën tonë? Çfarë do të thotë për ju ta dini se Shpëtimtari ka zbritur nën të gjitha gjërat? Si mendoni, çfarë do të thotë “qëndro në udhën tënde”?

  • Lexoni paragrafin e fundit të kapitullit (faqe 392). Mendoni për rastet kur Fryma e Shenjtë ju ka ngushëlluar në kohë vështirësie. A keni pasur ndonjë përvojë të tillë që do të ishte me vend ta ndanit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Filipianëve 3:8–9; Mosia 23:21–24; Alma 7:11; 36:3

Shënime

  1. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 52; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  2. Alexander McRae, cituar në History of the Church, 3:257; nga një letër e Alexander McRae drejtuar botuesit të Deseret News, 9 tetor 1854, Salt Lake City, Utah, botuar në Deseret News, 2 nëntor 1854, f. 1.

  3. Mercy Fielding Thompson, “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 korrik 1892, f. 398; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  4. Letër nga Joseph Smith-i drejtuar Emma Smith-it, 4 prill 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri; Beinecke Library, Yale University, New Haven, Connecticut; kopje në Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah. Në këtë letër, kur Profeti tregon se ishte i burgosur për më tepër se pesë muaj, ai përfshiu kohën kur ishte i burgosur në Independence dhe në Richmond të Missouri-t, si dhe në Liberty.

  5. Sidney Rigdon ishte i burgosur në Liberty Jail bashkë me vëllezërit e tjerë më 1 dhjetor 1838. Megjithatë, më 25 janar 1839, rreth dy muaj përpara se Profeti ta shkruante këtë letër, Sidney-t iu dha leje që ta linte burgun me një garanci, sepse ishte shumë i sëmurë. Meqenëse kërcënime të vazhdueshme e bënë atë të kishte frikë të linte sigurinë e burgut, Sidney zgjodhi të mbetej në burg deri më 5 shkurt.

  6. History of the Church, 3:289–291; janë modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri; pjesë të kësaj letre u përfshinë më vonë në Doktrinën e Besëlidhjet si seksionet 121, 122 dhe 123.

  7. History of the Church, 3:291, 293; është modernizuar drejtshkrimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë. U bënë një numër ndryshimesh të vogla në shenjat e pikësimit, përdorimin e germës së madhe dhe gramatikën për të përgatitur pjesë të letrës së Profetit për botim në Doktrinën e Besëlidhjet. Prandaj, ka një numër ndryshimesh të vogla midis Doktrina e Besëlidhjet 121, 122 e 123 dhe materialit të paraqitur në këtë kapitull.

  8. History of the Church, 3: 296–298; janë modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i shenjave të pikësimit.

  9. History of the Church, 3:300–301; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  10. History of the Church, 3:328–329; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “Extract, from the Private Journal of Joseph Smith Jr.”, Times and Seasons, nëntor 1839, f. 7–8.

Joseph in Liberty Jail

Ndërkohë që Profeti Jozef Smith ishte i burgosur në burgun e Libertisë, ai i shkroi një numër letrash familjes së tij dhe shenjtorëve, në të cilat ai dëshmoi për fuqinë e Perëndisë për të triumfuar mbi të ligën dhe për të qëndruar pranë shenjtorëve të Tij “përherë e përgjithmonë”.

Savior before Pilate

Shpëtimtari përpara Pilatit. “Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha; a je ti më i madh se ai?”