Mësime të Presidentëve
Kapitulli 32: Përgjigjja ndaj Përndjekjes me Besim dhe Kurajë


Kapitulli 32

Përgjigjja ndaj Përndjekjes me Besim dhe Kurajë

“Mos kini frikë, por forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në dimrin e 1838-1839-ës, milicia e shtetit të Misurit kishte marrë urdhra prej guvernatorit që të dëbonte shenjtorët e ditëve të mëvonshme prej shtetit dhe Profeti Jozef Smith ishte i burgosur në burgun e Libertisë. Atë dimër dhe pranverën në vijim, u shpalos një skenë vuajtjeje të tmerrshme ndërsa mijëra shenjtorë i detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre në Misuri. Duke lënë pas shumicën e pasurisë së tyre, ata filluan të udhëtojnë 320 kilometra drejt lindjes për në Ilinoisin Perëndimor, nën drejtimin e Brigam Jangut dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Pak prej shenjtorëve kishin karro e kuaj të mirë dhe shumica fjetën të pambrojtur në shi dhe borë. Disa që nuk kishin këpucë, i mbështollën këmbët me lecka ndërsa ecën përmes borës.

Në shkurt 1839, një fqinj i sjellshëm e ndihmoi Ema Smithin t’i vendoste katër fëmijët dhe plaçkat e pakta të saj në një karro të shtruar me kashtë. Kur grupi arriti tek lumi i ngrirë i Misisipit, Ema eci përmes akullit me fëmijët e saj, duke mbartur dorëshkrimet e përkthimit të Biblës prej Profetit në dy trasta pëlhure të lidhura rreth mesit nën fundin e saj. Ajo dhe shumë shenjtorë të tjerë të varfër gjetën strehim në komunitetin e Kuinsit në Ilinois, ku ata vazhduan të vuajnë nga uria, i ftohti dhe sëmundjet, ndonëse këto vuajtje u lehtësuan prej shumë aktesh mirësie nga një komunitet përkujdesës.

Ndonëse Profeti Jozef ishte i etur të ndihmonte shenjtorët, ai nuk mund të bënte shumë përveçse të lutej dhe të jepte udhëzim përmes letrave drejtuar Brigam Jangut dhe vëllezërve të tjerë që po udhëhiqnin shenjtorët në mungesë të tij. Në këto rrethana të dëshpëruara, ai u shkroi fjalë inkurajimi dhe paqeje anëtarëve të Kishës: “Vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (DeB 123:17).

Më 6 prill 1839, Profetin dhe shokët e tij të burgimit i transferuan për në një tjetër vend gjykimi nga burgu i Libertisë për në Galatin, konteja Dejvis, të Misurit. Pasi dolën një herë në gjyq atje, vëllezërve iu dha një tjetër vend gjykimi nga Galatini në Kolumbia, konteja Bun, të Misurit. Por në mesin e prillit, ndërsa Profetin dhe të burgosurit e tjerë po i çonin në Kolumbia, rojet i lejuan të arratisen. Brenda një jave, vëllezërit ishin bashkuar me masën e shenjtorëve në Kuinsi të Ilinoisit. Plaku Uillford Udraf shkroi në ditarin e tij për ritakimin e tij me Profetin: “Ne … edhe një herë patëm privilegjin e gëzuar të shtrëngonim prej dore Vëllain Jozef…. Ai na përshëndeti me gëzim të madh. Ai sapo kishte marrë shpëtim prej burgut dhe dorës së armiqve të tij dhe ishte kthyer në gjirin e familjes e të miqve të tij…. Jozefi ishte i sinqertë, i hapur dhe i afërm si zakonisht. Motër Ema ishte vërtet e lumtur.”1

Më vonë Profeti lavdëroi shokët e tij shenjtorë të cilët, bashkë me të, duruan me guxim kaq shumë për hir të besimit të tyre në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit: “Sjellja e shenjtorëve, nën padrejtësitë dhe vuajtjet e tyre të grumbulluara, ka qenë për t’u lavdëruar; kuraja e tyre në mbrojtje të vëllezërve të tyre prej bastisjes së turmave; kapja e tyre pas kauzës të së vërtetës, nën rrethanat më të vështira dhe të dhimbshme që mund të durojë njerëzimi; dashuria e tyre për njëri-tjetrin; gatishmëria e tyre për të na dhënë ndihmë mua dhe vëllezërve të mi që ishim mbyllur në një birucë; sakrificat e tyre gjatë largimit prej Misurit dhe ndihma për vejushat e jetimët e varfër dhe sigurimi për ta i shtëpive në një tokë më mikpritëse; të gjitha veprojnë së bashku që t’i ngrenë ata në vlerësimin prej gjithë njerëzve të mirë e të virtytshëm dhe u ka siguruar atyre pëlqimin e miratimin e Jehovait, dhe një emër po aq të pavdekshëm sa përjetësia.”2

Mësime të Jozef Smithit

Armiku i së vërtetës i kundërshton shërbëtorët e Zotit, veçanërisht ndërsa ata i afrohen Zotit.

“Përndjekja është rrokullisur herë pas here mbi kokën tonë … si gjëmime bubullimash, për shkak të fesë sonë.”3

“Parimet tona fetare janë përpara botës, të gatshme për hetimin prej të gjithë njerëzve, përsëri ne jemi të vetëdijshëm se gjithë përndjekjet kundër miqve tanë kanë ardhur si pasojë e shpifjeve [akuzave të rreme] dhe interpretimeve të gabuara pa themel në të vërtetë dhe drejtësi. Këtë e kemi duruar si të gjitha shoqëritë e tjera fetare në fillesat e tyre.”4

“Mos u çuditni, atëherë, nëse ju përndjekin; por kujtoni fjalët e Shpëtimtarit: ‘“Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti.” Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju’ [shih Gjoni 15:20]; dhe gjithë vuajtjet përmes të cilave do t’ju duhet të kalojnë shenjtorët, janë përmbushja e fjalëve të Profetëve, të cilët kanë folur që nga fillimi i botës.”5

“Kur unë bëj më të mirën që mundem – kur po kryej të mirën më të madhe, atëherë pandehmat më të këqija e më të liga ngrihen kundër meje…. Armiqtë e këtij populli nuk do të lodhen kurrë në përndjekjen e tyre kundër Kishës, derisa të mposhten. Unë pres që ata të rreshtojnë kundër meje gjithçka që kanë fuqi të kontrollojnë dhe se ne do të kemi një betejë të gjatë dhe të pamasë. Ai që do të luftojë betejën e vërtetë të krishterë kundër korrupsionit të këtyre ditëve të fundit do t’i ketë vazhdimisht të rreshtuara kundër tij njerëzit e ligj dhe engjëjt e djallit, si dhe gjithë fuqitë skëterrore të errësirës. Kur njerëz të ligj dhe të korruptuar kundërshtojnë, është një kriter për të gjykuar nëse njeriu po lufton betejën e krishterë. Kur të gjithë njerëzit, duke gënjyer, do të thonë të zeza për ju, lum ju etj. [shih Mateu 5:11]. A do të konsiderohet i keq një njeri, kur njerëzit thonë të zeza për të? Jo. Nëse një njeri ngrihet dhe kundërshton botën e mëkatit, ai mund të presë që t’i ketë të rreshtuar kundër tij të gjithë shpirtrat e ligj dhe të korruptuar.

Por kjo do të jetë për pak kohë dhe gjithë këto vuajtje do të largohen prej nesh, duke qenë se ne jemi besnikë dhe nuk jemi mposhtur prej këtyre të ligave. Duke parë bekimet e dhurimit të shpalosen dhe mbretërinë që rritet e përhapet nga deti në det, ne do të gëzojmë që nuk jemi mposhtur prej këtyre gjërave të pamend.”6

“Është menduar prej disave se armiqtë tanë do të kënaqen me shkatërrimin tim; por unë ju them se sapo të kenë derdhur gjakun tim, ata do të kenë etje për gjakun e çdo njeriu në zemrën e të cilit qëndron një shkëndijë e vetme e shpirtit të plotësisë së Ungjillit. Kundërshtimi i këtyre njerëzve vihet në lëvizje prej shpirtit të kundërshtarit të të gjithë drejtësisë. Nuk është për të më shkatërruar vetëm mua, por çdo burrë dhe grua që guxon të besojë doktrinat që Perëndia më ka frymëzuar t’ia mësoj këtij brezi.”7

“Kam mësuar nga përvoja se armiku i së vërtetës nuk dremit, as i pushon përpjekjet e tij për të ndikuar mendjet e komuniteteve kundër shërbëtorëve të Zotit, duke zgjuar indinjatën e njerëzve për gjithë çështjet me rëndësi apo interes.”8

Ata që e duan Perëndinë do ta durojnë përndjekjen me kurajë dhe besim.

“Gjithë shenjtorët! Përfitoni nga ky Çelës i rëndësishëm – që në të gjitha sprovat, telashet, tundimet, shqetësimet, detyrimet, burgimet dhe vdekjet, të siguroheni për këtë, që ju të mos tradhtoni qiellin; që ju të mos tradhtoni Jezu Krishtin, që ju të mos tradhtoni vëllezërit; që ju të mos tradhtoni zbulesat e Perëndisë, qoftë në Bibël, në Librin e Mormonit, apo në Doktrina e Besëlidhje, apo kudo tjetër që i është dhënë ose do t’i jepet e zbulohet njeriut në këtë botë apo në atë që do të vijë. Po, në gjithë shkelmimet dhe rropatjet, sigurohuni që ju të mos e bëni këtë gjë, që të mos gjendet në cepat e rrobës suaj gjaku i të pafajshmëve dhe ju të zbrisni në ferr.”9

Në pranverën e 1830-ës shenjtorët po përndiqeshin si rezultat i botimit të Librit të Mormonit: “Libri i Mormonit (druri i Jozefit në dorë të Efraimit), kishte njëfarë kohe që ishte botuar dhe ashtu si kishte parashikuar për të profeti i lashtë, ‘u konsiderua si një gjë e çuditshme’. [Shih Osea 8:12.] Trazim i madh u krijua prej shfaqjes së tij. Kundërshtim i madh dhe shumë përndjekje u ndodhën besimtarëve të vërtetësisë së tij. Por kishte ndodhur që e vërteta ishte dërguar nga toka dhe drejtësi ishte dërguar nga qiejt [shih Psalmet 85:11; Moisiu 7:62], prandaj ne nuk i kishim frikë kundërshtarët tanë, duke e ditur që kishim edhe të vërtetën edhe drejtësinë në anën tonë, që ne kishim edhe Atin edhe Birin, sepse ne kishim doktrinat e Krishtit dhe qëndronim tek ato; dhe si rrjedhim ne vazhduam të predikojmë dhe t’u japim informacion të gjithëve që ishin të gatshëm për të dëgjuar.”10

Në korrik 1839, Uillford Udraf kujtoi: “Jozefi na drejtoi disa fjalë dhe tha: ‘Kujtoni, vëllezër, që nëse ju burgoseni, Vëllai Jozef ka qenë burgosur para jush. Nëse ju kanë vënë atje ku mund t’i shihni vëllezërit vetëm përmes skarës së një dritareje ndërsa jeni në hekura për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit, kujtoni, Vëllai Jozef ka qenë në rrethana të ngjashme.’”11

Në vitin 1841 Jozef Smithi dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë shkruan: “E vërteta, ashtu si lisi i fortë, ka mbetur e padëmtuar mes elementeve kundërshtues, që janë përplasur mbi të me forcë të pamasë. Përmbytjet janë rrokullisur, dallgë pas dallge, në varg të shpejtë, dhe nuk e kanë gëlltitur. ‘Ata kanë ngritur zërin e tyre, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; por Zoti i Ushtrive është më i fuqishëm se baticat e fuqishme të detit’ [shih Psalmet 93:3–4]; as flakët e përndjekjes, me gjithë ndikimin e turmave, nuk kanë qenë në gjendje ta shkatërrojnë atë; por ashtu si ferrishtja e Moisiut, ajo ka mbetur e pa konsumuar dhe tani në këtë çast paraqet një pamje të rëndësishme edhe për njerëzit edhe për engjëjt.

Ku mund t’i hedhim sytë për të parë një popull tjetër të tillë? Ne kundrojmë një popull që ka përqafuar një sistem fetar jopopullor dhe besnikëria ndaj të cilit ka sjellë mbi të përndjekje të përsëritura. Një popull që, për dashurinë e tij ndaj Perëndisë dhe lidhjen tek kauza e Tij, ka vuajtur uri, zhveshje, rreziqe dhe gati çdo mungesë. Një popull që, për hir të fesë së tij, i është dashur të vajtojë vdekjen e parakohshme të prindërve, bashkëshortëve, bashkëshorteve dhe fëmijëve. Një popull që ka parapëlqyer vdekjen ndaj skllavërisë e hipokrizisë dhe e ka mbajtur me nder karakterin e tij, dhe ka ndenjur i vendosur e i palëkundur, në kohët që kanë vënë në provë shpirtrat e njerëzve.”12

Forca e fuqishme e Perëndisë do të mbështesë ata që janë përndjekur për hir të së drejtës.

Kur ishte i burgosur në burgun e Libertisë, Jozef Smithi u shkroi shenjtorëve: “Mos mendoni se zemrat tona ligështohen, sikur të na ketë ndodhur diçka e jashtëzakonshme [shih 1 Pjetri 4:12], sepse ne kemi parë dhe jemi siguruar për të gjitha këto gjëra paraprakisht dhe kemi një siguri për një shpresë më të mirë se ajo e përndjekësve tanë. Prandaj Perëndia i ka forcuar supet tona për barrën. Ne krenohemi në fatkeqësinë tonë, sepse e dimë që Perëndia është me ne, që Ai është miku ynë dhe se Ai do të shpëtojë shpirtrat tanë. Ne nuk kemi frikë nga ata që vrasin trupin; ata nuk mund të vrasin shpirtrat tanë [shih Mateu 10:28]. Ne nuk kërkojmë përkrahje nga duart e turmave, as të botës, as të djallit, as të të dërguarve të tij, kundërshtarëve, dhe të atyre që duan dhe zbatojnë, dhe betohen për gënjeshtrat, që të na marrin jetën. Ne kurrë nuk jemi shtirur, as nuk do të shtiremi për hir të jetës sonë. … Ne e dimë se jemi përpjekur me tërë mendjen, fuqinë dhe forcën tonë, për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe gjithë gjërat çfarëdo qofshin që Ai na ka urdhëruar. …

… Shpëtimtari tha: ‘Është e nevojshme të vijnë skandalet, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali’. [Shih Mateu 18:7.] Dhe përsëri: ‘Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.’ [Mateu 5:11–12.]

Tani, vëllezër të dashur, nëse ndonjë njeri ka pasur ndonjëherë arsye të pretendojë këtë premtim, ne jemi ata njerëz; sepse ne e dimë që bota jo vetëm që na urren, por edhe që ata thonë, duke gënjyer, gjithë të zezat kundër nesh, për asnjë arsye tjetër përveç asaj që ne jemi përpjekur t’u mësojmë plotësinë e Ungjillit të Jezu Krishtit. …

Dhe tani, vëllezër të shtrenjtë dhe shumë të dashur – dhe kur themi vëllezër, nënkuptojmë ata që kanë vazhduar besnikë në Krisht, burra, gra e fëmijë – ne ndiejmë t’ju këshillojmë ju në emrin e Zotit Jezus, që të jeni të fortë në besim në besëlidhjen e re e të përjetshme dhe të mos frikësoheni aspak prej armiqve tuaj…. Qëndroni madje deri në vdekje; sepse ‘ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë’ thotë Jezu Krishti [shih Marku 8:35].”13

Gjithashtu prej burgut të Libertisë, Profeti dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë u shkruan udhëheqësve të Kishës: “Vëllezër, mos kini frikë, por forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Çfarë është njeriu që shërbëtori i Perëndisë të ketë frikë prej tij, apo biri i njeriut që ai të dridhet para tij? As mos ju duken si çudi provat e zjarrit me të cilat u provuam, sikur të na ketë ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Kujtoni se të gjithë kanë qenë pjesëtarë të mundimeve të ngjashme. [Shih 1 Pjetri 4:12–13.] Prandaj, gëzohuni në mundimet tona, me anë të së cilave ju përsoseni dhe përmes të cilave realizuesi i shpëtimit tonë u përsos gjithashtu. [Shih Hebrenjve 2:10.] Zemrat tuaja dhe zemrat e gjithë shenjtorëve le të ngushëllohen bashkë me ju dhe lërini ata të ngazëllehen së tepërmi, sepse shpërblimi jonë është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur të ligjtë profetët që qenë para nesh [shih Mateu 5:11–12].”14

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni rrëfimin në faqet 395–397. Çfarë ju lë mbresa nga mënyra se si Jozef Smithi dhe shokët e tij shenjtorë iu përgjigjën përndjekjes? Si mendoni ju, përse ata ishin të gatshëm të duronin përndjekje?

  • Lexoni faqet 398–399, në të cilat Profeti Jozef jep mësim se njerëzit e drejtë do të përballen shpesh me përndjekje. Si mendoni ju, përse është kështu? Si ngjan përndjekja sot me përndjekjen në kohën e Jozef Smithit? Si ndryshon ajo sot?

  • Në faqen 399, Jozef Smithi tregoi një të dhënë kyç për të ndihmuar shenjtorët. Çfarë përvojash ju kanë treguar juve vlerën e këtij çelësi? Çfarë këshille tjetër mund t’i jepni juve dikujt që po përballet me përndjekje për shkak të besimit të tij apo të saj? (Për disa shembuj, shihni faqet 399–400.)

  • Rishihni faqet 401–403, në të cilat Jozef Smithi na siguron se Zoti do të na mbështesë kur i përgjigjemi përndjekjes me besim dhe kurajë. Si mendoni ju, çfarë do të thotë se Perëndia i ka “forcuar supet tona për barrën”? Si mundet ne të “krenohemi në fatkeqësinë tonë” dhe të “[gëzohemi] në mundimet tona”? Si mendoni ju, në çfarë mënyrash mundimet tona mund të na ndihmojnë që të bëhemi të përsosur?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 5:43–44; Romakëve 8:35–39; 2 Nefi 26:8; Mosia 24:8–16; 3 Nefi 6:13

Shënime

  1. Wilford Woodruff, Journals, 1833–1898, shënim për datën 3 maj 1839, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 3:329–330; nga “Extract, from the Private Journal of Joseph Smith Jr.”, Times and Seasons, nëntor 1839, f. 8.

  3. History of the Church, 6:210; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 shkurt 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  4. History of the Church, 2:460; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar John Thornton dhe të tjerëve, 25 korrik 1836, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, gusht 1836, f. 358.

  5. History of the Church, 3:331; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “Extract, from the Private Journal of Joseph Smith Jr.”, Times and Seasons, nëntor 1839, f. 8–9.

  6. History of the Church, 5:140–141; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 31 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  7. History of the Church, 6:498; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 18 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois. Hartuesit e History of the Church kombinuan raporte gojore nga disa dëshmitarë okularë në një relacion të vetëm të fjalimit.

  8. History of the Church, 2:437; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Oliver Cowdery-t, prill 1836, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, prill 1836, f. 289.

  9. History of the Church, 3:385; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 2 korrik 1839, në Montrose, Iowa; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  10. History of the Church, 1:84; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 41, Arkivat e Kishës.

  11. Wilford Woodruff, raporton për një deklaratë të bërë nga Joseph Smith-i më 7 korrik 1839, në Commerce, Illinois; Wilford Woodruff, Journals, 1833–1898, Arkivat e Kishës.

  12. History of the Church, 4:337; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një raport i Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë, 7 prill 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 prill 1841, f. 384–385.

  13. History of the Church, 3:227–229, 232–233; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit, janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar anëtarëve të Kishës në Caldwell County, Missouri, 16 dhjetor 1838, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  14. Letër nga Joseph Smith dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë drejtuar Heber C. Kimball-it dhe Brigham Young-ut, 16 janar 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, Arkivat e Kishës.

Emma fleeing Missouri

Në shkurt 1839, ndërkohë që Jozef Smithi ishte i burgosur në burgun e Libertisë, Ema Smithi dhe fëmijët e saj kaluan përmes lumit të ngrirë Misisipi, për t’iu shpëtuar përndjekësve të tyre nga Misuri.

Saints fleeing Missouri

Gjatë dimrit të 1838-1839-ës, mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre në Misuri, duke udhëtuar rreth 320 kilometra për në Ilinois.