Mësime të Presidentëve
Kapitulli 40: Sa të Shkëlqyeshëm janë Miqtë Besnikë, të Drejtë dhe të Vërtetë


Kapitulli 40

Sa të Shkëlqyeshëm janë Miqtë Besnikë, të Drejtë dhe të Vërtetë

“Miqësia është një prej parimeve themelore madhore të ‘Mormonizmit’. … Ajo e bashkon familjen njerëzore me ndikimin e saj të lumtur.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në gusht të vitit 1842, autoritetet civile nga Misuri po bënin përpjekje të përsëritura për ta kapur Profetin Jozef Smith. Duke pasur frikë se do ta vrisnin po ta arrestonin e çonin në Misuri, Profeti u fsheh. Më 11 gusht, ai u çoi fjalë disa pjesëtarëve të familjes dhe miqve besnikë që ta takonin në një ishull në lumin Misisipi, jo larg prej Navusë. Atë natë, Ema Smith, Hajrëm Smith, Njuël K. Uitni dhe të tjerë, u mblodhën pranë buzës së lumit dhe udhëtuan me një barkë të vogël tek vendi i caktuar i takimit. Me gëzim, Profeti shtrëngoi duart me secilin, mirënjohës për ndihmën dhe ngushëllimin e miqësisë së vërtetë. Më vonë ai shkroi gjerësisht në ditarin e tij mbi ndjenjat e tij të mirënjohjes për pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tij. Disa prej këtyre shënimeve në ditar janë përfshirë në këtë kapitull. Disa javë më vonë, Profeti mbylli një letër drejtuar shenjtorëve me fjalë që shprehën ndjenjat e tij për ta: “Unë jam, si gjithmonë, shërbëtori juaj i përulur dhe miku juaj që nuk ndryshon kurrë, JOSEPH SMITH” (DeB 128:25).

Shenjtorët iu përgjigjën ndjenjave të Profetit, duke e konsideruar atë jo vetëm Profetin e tyre, por gjithashtu mikun e tyre. Një mik i ngushtë dhe sekretar vetjak i Jozef Smithit, Benxhamin F. Xhonson, kujtoi: “‘Jozef Profeti’ – si mik ai qe besnik, i durueshëm, fisnik dhe i vërtetë. … Si shok, shoqërisht, ai qe plot dhunti – ishte i dashur, bujar, që e donte gëzimin. … Për zbavitje, nganjëherë ai do të bënte mundje me një mik, apo më shpesh do të provonte forcën me të tjerë duke u ulur në dysheme, me shputat e këmbëve të puthitura ballas dhe do të tërhiqnin një shkop mes tyre. Por nuk gjeti kurrë një tjetër me forcën e tij. Shakarat, rebuset [përdorimi i figurave për të paraqitur fjalë], harmonizimi i strofave dyshe me rima etj., nuk ishin të pazakonshme. Por të kërkonte që të këndonin një apo më shumë prej këngëve të tij të parapëlqyera ishte më e shpeshtë. … Dhe përsëri, edhe pse kaq i shoqërueshëm dhe madje i qejfit nganjëherë, ai nuk do të lejonte kryelartësi apo pafytyrësi në veprime apo fjalë.”1

Jozef Smithi ishte po aq shpirtmirë sa ishte i shoqërueshëm, siç kujtoi një i ri: “Unë isha në shtëpinë e Jozefit; ai qe atje dhe disa burra ishin ulur tek gardhi. Jozefi doli dhe na foli të gjithëve. Shumë shpejt erdhi një burrë dhe tha se një vëllai të varfër, që jetonte në njëfarë largësie nga qyteti, i ishte shkatërruar shtëpia nga zjarri natën e mëparshme. Thuajse të gjithë burrat thanë se u vinte keq për burrin. Jozefi futi dorën në xhep, nxori pesë dollarë dhe tha: ‘Mua më vjen keq për këtë vëlla në masën e pesë dollarëve; sa keq ju vjen ju të gjithëve?’”2

Ndoshta dashuria e madhe e Jozef Smithit për miqtë e tij e bëri tradhtinë e disa prej këtyre miqve veçanërisht të vështirë për ta duruar. Në Navu, miq, të cilëve Profeti u kishte besuar, iu kthyen kundër. Megjithatë, shumë miq ia kthyen besnikërinë Profetit, duke qëndruar me të deri në fund.

Një mik i tillë qe Uillard Riçards, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, që u burgos me Jozef e Hajrëm Smithin dhe Xhon Tejlorin në Karthixh të Ilinoisit. Kur po i mbanin në burg, burrat i lejuan të zhvendoseshin nga një qeli në katin përdhes tek një dhomë gjumi më e rehatshme në katin e dytë të burgut. Pastaj, pak përpara martirizimit, rojtari sugjeroi se të burgosurit do të ishin më të sigurt në një qeli të mbyllur me hekura ngjitur me dhomën e gjumit. Jozefi e pyeti Plakun Riçards, që shokët e tij e quanin ‘doktor’ sepse kishte praktikuar mjekësi: “‘Nëse shkojmë në qeli, a do të hysh me ne?’ Doktori iu përgjigj: ‘Vëlla Jozef, ti nuk më kërkove të kaloja lumin me ty – ti nuk më kërkove të vija në Karthixh – ti nuk më kërkove të vija në burg me ty – dhe mendon se unë do të të braktis tani? Por unë do të të them se ç’do të bëj; në qoftë se dënohesh me varje për tradhti, unë do të varesha në vendin tënd dhe ti do të shkoje i lirë.’ Jozefi tha: ‘Nuk do ta bëje’. Doktori u përgjigj: ‘Do ta bëja’.”3

Mësime të Jozef Smithit

Miqtë e vërtetë ia lehtësojnë brengat njëri-tjetrit dhe mbeten besnikë edhe në kohë fatkeqësie.

Jozef Smithi shkroi sa vijon për pjesëtarët e familjes dhe miqtë që e vizituan atë më 11 gusht 1842, ndërsa po fshihej: “Sa e mirë dhe e shkëlqyer më është dukur, të gjej miq të pastër e të shenjtë, që janë besnikë, të drejtë e të vërtetë dhe zemrat e të cilëve nuk mpaken; gjunjët e të cilëve janë të qëndrueshëm e nuk lëkunden, ndërsa shpresojnë te Zoti, kur më plotësojnë nevojat, në ditën kur zemërimi i armiqve të mi u derdh mbi mua. …

Sa të shkëlqyera ishin ndjenjat e mia kur takova atë grup besnik e miqësor, në natën e datës njëmbëdhjetë, të enjten, tek ishulli në grykën e kënetës [moçalit], mes Zarahemlas dhe Navusë: me ç’gëzim të papërshkrueshëm dhe me sa ngazëllime gëzimi u mbush kraharori im, kur e mora për dore, atë natë, Emën time të dashur – ajo që ishte gruaja ime, madje gruaja e rinisë sime, dhe zgjedhja e zemrës sime. Të shumta ishin mendimet e mendjes sime kur, për një çast, solla ndër mend skenat e shumta që ishim thirrur të kalonim, lodhjet e mundimet, hidhërimet e vuajtjet, si dhe gëzimet e ngushëllimet, herë pas here, që kishin mbuluar shtigjet tona dhe kishin bekuar jetën tonë. Oh, çfarë trazimi mendimesh e pushtoi mendjen time për një çast, përsëri ajo është këtu, … e paepur, e fortë dhe e patundur – e pandryshueshmja, e dashura Ema!

Ishte Vëllai Hajrëm që ma mori dorën më pas – një vëlla i dhembshur. Mendova me vete, Vëlla Hajrëm, çfarë zemre besnike që ke! Oh, Jehovai i Përjetshëm të kurorëzoftë me bekime të përjetshme mbi kokën tënde, si një shpërblim për kujdesin që ke pasur për shpirtin tim! Oh, sa të shumta janë hidhërimet që kemi ndarë së bashku; dhe përsëri e gjejmë veten të prangosur nga dora e pamëshirshme e shtypjes. Hajrëm, emri yt do të shkruhet në Librin e Ligjit të Zotit, që ta shohin ata që vijnë pas teje, që të mund të kenë model veprat e tua.

Thashë me vete, këtu është gjithashtu Vëllai Njuël K. Uitni. Sa shumë skena hidhërimi kanë ndodhur në shtigjet tona së bashku; dhe ne ende takohemi edhe një herë për t’i ndarë bashkë përsëri. Ti je një mik besnik në të cilin mund të kenë besim bijtë e pikëlluar të njerëzve, me sigurinë më të përsosur. Bekimet e të Përjetshmit kurorëzofshin kokën e tij gjithashtu. Sa e ngrohtë ajo zemër, sa i dëshiruar ai shpirt për mirëqenien e njërit që është dëbuar dhe e urrejnë thuajse gjithë njerëzit. Vëlla Uitni, ti nuk e di sa të forta janë ato lidhje që e lidhin shpirtin dhe zemrën time me ty. …

Nuk mendoj të përmend hollësitë e historisë së asaj nate të shenjtë, që do të kujtohet përgjithmonë prej meje, por emrat e besnikëve janë ajo çfarë dëshiroj të shënoj në këtë vend. Ata i kisha takuar në mirëqenie dhe ata qenë miqtë e mi; dhe tani i takoj ata në fatkeqësi dhe ata janë ende miqtë e mi më të dashur. Këta e duan Perëndinë që unë i shërbej; ata i duan të vërtetat që unë përhap; ata i duan ato virtyte dhe ato doktrina të shenjta që i mbaj gjallë në kraharorin tim me ndjenjat më të ngrohta të zemrës sime dhe me atë zell që nuk mund të mohohet. …

… Shpresoj se do t’i shoh përsëri [miqtë e mi], që të mund të rraskapitem për ta dhe të kontribuoj për rehatinë e tyre gjithashtu. Ata nuk do të kenë nevojë për një mik sa jam gjallë; zemra ime do t’i dojë ata dhe duart e mia do të rraskapiten për ata, që më duan dhe rraskapiten për mua, dhe që do të gjenden gjithmonë besnikë ndaj miqve të mi. A do të jem unë mosmirënjohës? Në të vërtetë jo! Perëndia e ndaloftë!”4

Më 23 gusht 1842, Profeti vazhdoi: “I gjej ndjenjat e mia … kundrejt miqve të mi të gjallëruara, kur meditoj virtytet dhe cilësitë e karakteristikat e mira të pak besnikëve, që tani po i shënoj në Librin e Ligjit të Zotit, – të të tillëve që kanë qëndruar pranë meje në çdo orë rreziku, për këta pesëmbëdhjetë vite të gjatë që kanë kaluar, – të them, për shembull, vëllai im i moshuar e i dashur, Jozef Najt Plaku, që qe ndër të parët që kontribuoi për nevojat e mia, ndërsa unë po punoja në fillimin e lindjes së punës së Zotit dhe për hedhjen e themelit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për pesëmbëdhjetë vite ai ka qenë besnik e i vërtetë, dhe i paanshëm e shembullor, dhe i virtytshëm e i sjellshëm, pa u shmangur kurrë djathtas apo majtas. Vini re ai është një burrë i drejtë, Perëndia i Plotfuqishëm i zgjattë ditët burrit të moshuar; dhe trupi i tij fërgëllues, i torturuar e i thyer u përtëriftë, dhe forca e shëndetit iu ktheftë vazhdimisht, nëse është vullneti Yt O Perëndi; dhe do të thuhet për të, nga bijtë e Sionit, derisa të mbetet qoftë dhe një prej tyre, se ky burrë ishte një burrë besnik në Izrael; prandaj emri i tij nuk do të harrohet kurrë. …

… Ndërsa kujtoj pak besnikët që janë ende gjallë, do të kujtoja gjithashtu ata besnikë prej miqve të mi që kanë vdekur, sepse ata janë shumë; dhe të shumta janë veprimet e mirësisë – mirësira atërore e vëllazërore – që ata më kanë dhuruar dhe që kur më kanë ndjekur misurianët, të shumta janë rastet që kanë ardhur në mendjen time. …

Ka shumë shpirtra që i kam dashur me një dashuri më të fortë se vdekja. Për ta jam provuar besnik – për ta jam i vendosur të provohem besnik, derisa Perëndia të më thërrasë të le frymën time.”5

Miqësia bashkon familjen njerëzore, duke larguar urrejtjen dhe keqkuptimin.

“Unë nuk kam gajle se si është karakteri i një njeriu; nëse ai është miku im – një mik i vërtetë, unë do të jem mik për të dhe do t’i predikoj atij Ungjillin e shpëtimit, dhe do t’i jap këshillë të mirë, duke e ndihmuar të kapërcejë vështirësitë e tij.

Miqësia është një prej parimeve themelore madhore të ‘Mormonizmit’; [ajo ka qëllim] të ndryshojë rrënjësisht dhe të qytetërojë botën, dhe të bëjë të pushojnë luftërat e grindjet, dhe njerëzit të bëhen miq e vëllezër. …

… Miqësia është si Vëllai [Teodor] Tarli në punishten e tij të farkëtarit duke salduar hekur me hekur; ajo e bashkon familjen njerëzore me ndikimin e saj të lumtur.”6

“Ajo miqësi që qeniet njerëzore do ta pranonin si të sinqertë, duhet të dalë nga dashuria dhe ajo dashuri të rritet prej virtytit, që është po aq pjesë e fesë sa dhe drita është pjesë e Jehovait. Prandaj [vjen] thënia e Jezusit: ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’. [Gjoni 15:13.]”7

Në mars 1839, kur Profeti Jozef Smith dhe disa shokë ishin të burgosur në burg në Liberti të Misurit, Profeti u shkroi anëtarëve të Kishës: “Ne morëm disa letra mbrëmjen e kaluar – një nga Ema, një nga Don C. Smith [vëlla i Jozefit] dhe një nga Peshkopi [Eduard] Partrixh – të gjitha përçonin një shpirt të mirë e ngushëllues. Ne ishim shumë të kënaqur nga përmbajtja e tyre. Kemi qenë për një kohë të gjatë pa informacion; dhe kur lexuam ato letra, ato qenë për shpirtin tonë ashtu si puhia e lehtë është freski, por gëzimi ynë u përzje me hidhërim, për shkak të vuajtjeve të shenjtorëve të varfër dhe shumë të lënduar. Dhe nuk ka nevojë t’ju themi se dyert e zemrave tona u hapën dhe sytë tanë qenë burime lotësh, por ata që nuk kanë qenë mbyllur brenda mureve të burgut pa shkak apo ngacmim, mund të kenë vetëm një ide të vogël se sa i ëmbël është zëri i një miku; një shenjë miqësie prej cilitdo burim zgjon dhe thërret për veprim çfarëdo ndjenje të dhembshur; ajo kujton në një çast gjithçka që ka kaluar; ajo kap të tashmen me lakminë [etjen] e vetëtimës; ajo kapet pas të ardhmes me egërsinë e një tigri; ajo e çon mendjen andej-këtej, nga një gjë tek tjetra, derisa së fundi, gjithë armiqësia, mëria e urrejtja, dhe ndryshimet, keqkuptimet e keqadministrimet e kaluara fiken të mposhtura në këmbët e shpresës.”8

Shenjtorët e Perëndisë janë miq të vërtetë për njëri-tjetrin.

Profeti i shkroi shënimin që vijon një anëtari të Kishës në gusht 1835: “Ne e kujtojmë familjen tënde, me gjithë familjet e para të Kishës, që përqafuan së pari të vërtetën. Ne kujtojmë humbjet dhe hidhërimet tuaja. Lidhjet tona të para nuk janë këputur; ne marrim pjesë me ju në të keq si dhe në të mirë, në hidhërime si dhe në gëzime. Bashkimi ynë, besojmë ne, është më i fortë se vdekja dhe nuk do të shkëputet kurrë.”9

Profeti tha për një festim ku mori pjesë në janar 1836 në Kirtland: “Mora pjesë në një festim të kushtueshëm tek Peshkopi Njuël K. Uitni. Ky festim qe sipas rendit të Birit të Perëndisë – sakatët, të çalët dhe të verbrit u ftuan, sipas udhëzimeve të Shpëtimtarit [shih Lluka 14:12–13]. … Shoqëria ishte e madhe dhe, përpara se të hanim e të pinim, ne kënduam disa këngë të Sionit; dhe zemrat tona u gëzuan prej një shijimi paraprak të atyre gëzimeve që do të derdhen mbi kokat e shenjtorëve kur ata të mblidhen së bashku në Malin e Sionit, për të shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit për gjithmonë, madje gjithë bekimet e qiellit, kur nuk do të ketë asnjë që të na ngacmojë apo frikësojë.”10

Motra Presendia Hantington Bjuell u përpoq ta vizitonte Jozef Smithin ndërsa ai qe i burgosur në burgun e Libertisë në vitin 1839, por atë nuk e lejoi rojtari. Profeti më vonë i shkroi asaj: “Oh, çfarë gëzimi do të ishte për ne që të shihnim miqtë tanë! Do të më kishte gëzuar zemrën po të kisha pasur privilegjin që të bisedoja me ju, por dora e tiranisë është mbi ne. … Dëshiroj që [bashkëshorti juaj] dhe ju ta dini se jam miku juaj i vërtetë. … Asnjë gjuhë nuk mund të tregojë çfarë gëzimi të pashprehshëm i jep një njeriu, pasi e kanë mbyllur në muret e burgut për pesë muaj, të shohë fytyrën e dikujt që e ka pasur mik. Mua më duket se zemra ime do të jetë gjithmonë e më e butë pas kësaj nga sa ka qenë ndonjëherë më parë. Zemra më pikon gjak vazhdimisht kur sjell ndër mend vuajtjen e Kishës. Oh, sikur të mund të isha me ta! Nuk do të tërhiqesha prej punës së rëndë dhe vështirësisë që t’u jepja atyre rehati dhe ngushëllim. Unë dëshiroj edhe një herë bekimin që të ngre zërin tim në mes të shenjtorëve. Do t’ia zbrazja shpirtin tim Perëndisë për udhëzimin e tyre.”11

Duke folur në Navu të Ilinoisit, ku shumë anëtarë të Kishës kishin mbërritur me pak zotërime materiale, Profeti u mësoi: “Ne duhet të kultivojmë dhembshuri për të pikëlluarit mes nesh. Nëse ka një vend në tokë ku njerëzit duhet të kultivojnë shpirtin dhe t’ia lajnë me vaj dhe verë plagët të pikëlluarve, është ky vend; dhe ky shpirt shfaqet këtu; dhe edhe pse [një person është] një i huaj dhe i pikëlluar kur mbërrin, ai gjen një vëlla e një mik gati që të plotësojë nevojat e tij.

Do ta vlerësoja si një prej bekimeve më të mëdha, nëse do të jem i pikëlluar në këtë botë, të më hedhë fati aty ku mund të gjej vëllezër e miq kudo rreth meje.”12

Xhorxh A. Smith, kushëri i Profetit, kujtoi: “Në përfundim të bisedës, Jozefi më rrethoi me krahët e tij dhe më shtrëngoi në kraharor, dhe tha: ‘Xhorxh A., unë të dua po aq sa vetë jetën time’. U preka kaq shumë, sa mezi mund të flisja.”13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni paragrafin e parë në faqen 489. Pastaj shkoni tek faqet 492–494 dhe vini re karakteristikat që Jozef Smithi vlerësoi tek Ema Smith, Hajrëm Smith, Njuël K. Uitni dhe Jozef Najt Plaku. Si mendoni ju, përse miqësia e tyre qe një ngushëllim i tillë për të gjatë kohëve të vështira? Në çfarë mënyrash ju kanë mbështetur miqtë kur jeni përballur me fatkeqësi? Çfarë mund të bëjmë ne për të mbështetur të tjerët kur përjetojnë sprova?

  • Shumica e ndodhive në këtë kapitull flasin për vlerën e miqësisë së vërtetë në kohë vështirësish. Por në paragrafin që fillon në fund të faqes 489, Benxhamin F. Xhonson tregon për sjelljet miqësore të Jozef Smithit në kohë paqeje. Çfarë dobie keni nga ky përshkrim? Çfarë dobie kanë miqësitë dhe marrëdhëniet tona familjare kur ne kalojmë kohë duke qeshur dhe lozur së bashku?

  • Studioni paragrafin e katërt të plotë të faqes 494. Si mendoni ju, përse Jozef Smithi do të thoshte se miqësia është “një prej parimeve themelore madhore të ‘Mormonizmit’”? Në çfarë mënyrash ungjilli i rivendosur mund të ndihmojë njerëzit ta shohin njëri-tjetrin si miq? Si kanë qenë shembuj miqësie me të gjithë njerëzit Presidentë të tjerë të Kishës?

  • Rishihni paragrafin e pestë të plotë të faqes 494. Si ngjan miqësia me saldimin e hekurit me hekur?

  • Lexoni paragrafin e parë të plotë të faqes 497 dhe paragrafin vijues. Vini re referimin te “vaj dhe verë” nga shëmbëlltyra e samaritanit të mirë (Lluka 10:34). Cilat janë disa gjëra të veçanta që mund të bëjmë për të ndjekur këshillën e Profetit, për të ndjekur shembullin e samaritanit të mirë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Samueli 18:1; Fjalët e Urta 17:17; 2 Nefi 1:30; Mosia 18:8–10; Alma 17:2; DeB 84:77; 88:133

Shënime

  1. Letër nga Benjamin F. Johnson drejtuar George F. Gibbs, 1903, f. 6–8; Benjamin Franklin Johnson, Papers, 1852–1911, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Andrew J. Workman, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 15 tetor 1892, f. 641.

  3. History of the Church, 6:616; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një shënim ditari i Willard Richards, 27 qershor 1844, Carthage, Illinois.

  4. History of the Church, 5:107–109; janë modernizuar drejtshkrimi, përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 16 gusht 1842, pranë Nauvoo, Illinois.

  5. History of the Church, 5:124–125, 127; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 23 gusht 1842, pranë Nauvoo, Illinois; ky shënim është datuar pasaktësisht 22 gusht 1842 në History of the Church.

  6. History of the Church, 5:517; kompleti i parë i fjalëve në kllapa në origjinal; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 23 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  7. History of the Church, 6:73; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar James Arlington Bennet, 13 nëntor 1843, Nauvoo, Illinois; mbiemri i James Bennet shkruhet pasaktësisht “Bennett” në History of the Church.

  8. History of the Church, 3:293; është modernizuar drejtshkrimi; nga një letër e Joseph Smith-it dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  9. Poshtëshënim i Joseph Smith-it në letrën nga Joseph Smith dhe të tjerë drejtuar Hezekiah Peck, 31 gusht 1835, Kirtland, Ohio; në “The Book of John Whitmer”, f. 80–81, Community of Christ Archives, Independence, Missouri; kopje e “The Book of John Whitmer” në Arkivat e Kishës.

  10. History of the Church, 2:362–363; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 7 janar 1836, Kirtland, Ohio.

  11. History of the Church, 3:285–286; është modernizuar drejtshkrimi; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Presendia Huntington Buell-it, 15 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri; mbiemri i Motrës Buell shkruhet pasaktësisht “Bull” në History of the Church.

  12. History of the Church, 5:360–361; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  13. George A. Smith, cituar në History of the Church, 5:391; nga George A. Smith, “History of George Albert Smith by Himself”, f. 1, George Albert Smith, Papers, 1834–1875, Arkivat e Kishës.

Joseph and Hyrum

Hajrëm Smithi ishte një burim i vazhdueshëm force dhe mbështetjeje për vëllanë e tij Jozef. “Vëlla Hajrëm”, deklaroi Profeti, “çfarë zemre besnike që ke!”

Joseph greeting member

Shumë shenjtorë që mbërrinin tek skela në Navu kujtuan Profetin Jozef Smith që vinte t’i takonte ndërsa zbrisnin nga anija, duke u uruar mirëseardhjen në shtëpinë e tyre të re.