Mësime të Presidentëve
Jeta dhe Shërbesa e Jozef Smithit


Jeta dhe Shërbesa e Jozef Smithit

“Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të” (DeB 135:3). Kjo deklaratë mahnitëse përshkruan një njeri që u thirr nga Perëndia kur ishte 14 vjeç dhe jetoi vetëm deri në moshën 38-vjeçare. Ndodhën gjëra të mrekullueshme ndërmjet lindjes së Jozef Smithit në Vermont, në dhjetor 1805 dhe vdekjes së tij tragjike në Ilinois, në qershor 1844. Perëndia Atë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën atij, duke i mësuar më shumë rreth natyrës së Perëndisë nga sa dihej në shekuj. Profetë e apostuj të lashtë i dhuruan Jozefit fuqinë e priftërisë së shenjtë, duke e bërë një dëshmitar të ri e të autorizuar të Perëndisë në këtë periudhë të fundit ungjillore. Nëpërmjet Profetit u zbulua një sasi e pakrahasueshme dijenie dhe doktrine, përfshirë Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Nëpërmjet tij, u organizua edhe një herë në tokë Kisha e vërtetë e Zotit.

Sot, vepra që filloi me Jozef Smithin, përparon në të gjithë botën. Për Profetin Jozef Smith, Presidenti Uillford Udraf dëshmoi: “Ai ishte profet i Perëndisë dhe hodhi themelet e periudhës dhe veprës më të madhe që është themeluar ndonjëherë në tokë”1.

Origjina dhe Fëmijëria

Jozef Smithi ishte amerikan i brezit të gjashtë, paraardhësit e tij kishin emigruar nga Anglia në Amerikë në vitet 1600. Të parët e Profetit kishin karakteristikat që shpesh lidhen me brezat e parë të amerikanëve: ata besonin në kujdesin drejtues të Perëndisë për ta, besonin tek vlerat e punës së palodhur dhe i shërbenin me zell familjeve dhe vendit të tyre.

Prindërit e Jozef Smithit, Jozef Smith Plaku dhe Lusi Mak Smithi, u martuan në 1796 në Tënbrixh të Vermontit. Ata ishin një çift që punonin shumë dhe me frikë Perëndie, që e filluan jetën martesore me rrethana të favorshme financiare. Fatkeqësisht, Jozef Smith Plaku e humbi fermë-shtëpinë e tij të parë të dhënë nga shteti dhe pësoi disa dështime financiare në vitet në vazhdim. Familja Smith u detyrua të zhvendosej disa herë, ndërkohë që babai përpiqej të siguronte jetesën me punë bujqësore në kodrat e pyllëzuara të Nju-Inglandit, duke punuar me mëditje në ferma të tjera, duke u marrë me një biznes tregtie të vogël, ose duke dhënë mësim në shkollë.

Jozef Smith i Riu, u lind më 23 dhjetor 1805, në Sheron të Vermontit, i pesti nga njëmbëdhjetë fëmijë. Atij i vunë emrin e të atit. Sipas radhës së lindjes, fëmijët në familjen Smith qenë: një bir pa emër (që vdiq pak pas lindjes), Alvini, Hajrëmi, Sofronia, Jozefi, Samueli, Efraimi (që jetoi më pak se dy javë), Uilliami, Katarina, Don Karlosi dhe Lusi2.

Shenjat e karakterit të jashtëzakonshëm të Profetit u shfaqën qysh herët në jetën e tij. Familja Smith po jetonte në Uest Lebanon të Nju-Hempshajërit, kur një epidemi vdekjeprurëse tifoje zuri shumë njerëz në komunitet, përfshirë gjithë fëmijët e saj. Ndërsa fëmijët e tjerë u shëruan pa ndërlikime, Jozefi, që ishte rreth shtatë vjeç, pësoi një infeksion të rëndë në këmbën e majtë. Dr. Natan Smith i Shkollës Mjekësore Dartmauth, aty pranë në Hanovër të Nju-Hempshajërit, ra dakord të kryente një procedurë të re kirurgjikale, në përpjekje që të shpëtonte këmbën e djalit. Ndërkohë që Dr. Smithi dhe kolegët e tij përgatiteshin për ta operuar, Jozefi i kërkoi të ëmës të dilte nga dhoma që të mos i duhej të shihte vuajtjen e tij. Duke refuzuar alkoolin që t’i topiste dhembjen dhe duke u mbështetur vetëm në përqafimin qetësues të të atit, Jozefi duroi trimërisht ndërkohë që kirurgu i shpoi dhe i hoqi pjesëza të kockës së këmbës. Operacioni pati sukses, ndonëse Jozefi eci për disa vjet me paterica dhe gjatë gjithë jetës pati shenja të një çalimi të lehtë.

Në 1816, pasi u përball me të korra të këqija të përsëritura, Jozef Smith Plaku, e zhvendosi familjen nga Noruiçi i Vermontit, në Palmira të Nju-Jorkut, me shpresën të gjente një gjendje më të begatë. “Meqenëse ishim të varfër”, kujtoi Profeti më vonë, “[ne] ishim të detyruar të punonim shumë për të mbajtur një familje të madhe … dhe, meqenëse nevojiteshin përpjekjet e të gjithëve që ishin në gjendje të jepnin çfarëdo ndihme për të mbajtur familjen, ne u privuam nga përfitimet e arsimimit. Le të themi se unë mora mësime thjesht për lexim, shkrim dhe rregullat bazë të aritmetikës”3.

Vegimi i Parë

Jozef Smithi shkroi për formimin e tij të hershëm: “Unë u linda … nga prindër të mirë që nuk kursyen asgjë që të më mësonin për fenë e krishterë”4. Por, si shumë të krishterë të tjerë, prindërit e Jozefit e kuptonin se disa parime të ungjillit që kishte mësuar Jezusi dhe Apostujt e Tij mungonin në kishat e kohës. Në zonën e Palmirës në 1820, disa sekte të ndryshme të krishtera po përpiqeshin të fitonin të kthyer në besim. Nëna e Jozefit, dy prej vëllezërve të tij dhe motra e tij më e madhe u bashkuan me kishën vendore presbiteriane, por Jozefi, bashkë me të atin dhe vëllain e tij Alvin, nuk u bashkuan. Ndonëse ishte vetëm djalosh, Jozefi ishte thellësisht i shqetësuar për pozicionin e tij para Perëndisë dhe për pështjellimin midis grupeve të ndryshme fetare.

Gjatë studimit të tij të shkrimeve të shenjta, Jozefit 14-vjeçar i bëri përshtypje një fragment nga libri i Jakobit: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi [Bibël] 1:5). I frymëzuar nga ky premtim i Zotit, Jozefi shkoi të lutej në pyjet pranë shtëpisë së tij një ditë pranvere në vitin 1820. I ulur në gjunjë, ai i ofroi Perëndisë dëshirat e zemrës së tij. Menjëherë atë e mbërthyen fuqitë e errësirës, që e pushtuan plotësisht dhe e bënë të kishte frikë se do ta shkatërronin. Pastaj, në përgjigje të lutjes së tij të zjarrtë, qiejt u hapën dhe ai u çlirua nga armiku i tij i padukshëm. Në një shtyllë drite më të shkëlqyeshme se dielli, ai pa dy Personazhe, duke qëndruar mbi të në ajër. Njëri foli, duke e thirrur djaloshin me emër dhe tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith—Historia 1:17).

Në këtë shfaqje të lavdishme, Perëndia Atë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën personalisht të riut Jozef. Jozefi bisedoi me Shpëtimtarin, i cili i tha të mos bashkohej me asnjë prej kishave të kohës së tij, sepse “at[o] ishin të gjith[a] të gabuar[a]” dhe “të gjitha besimet e tyre ishin një fëlliqësi në sytë e tij; … ata u mësojnë për doktrina urdhërimet e njerëzve, duke pasur një formë shenjtërie, por e mohojnë fuqinë e saj” (Joseph Smith—Historia 1:19). Jozefit iu premtua gjithashtu “se plotësia e Ungjillit do t’i bëhej e njohur [atij] në një kohë të ardhshme”5. Pas shekujsh errësire, fjala e Perëndisë dhe realiteti i Perëndisë Atë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, iu zbuluan botës nëpërmjet këtij instrumenti rinor e të kulluar.

Vizitat e Moronit

Kaluan tre vite, gjatë të cilëve deklaratat e Jozef Smithit se ai kishte parë Perëndinë u trajtuan me përçmim dhe përqeshje nga të tjerët në komunitetin e tij. Profeti i ri, tani 17-vjeçar, vriste mendjen se çfarë e priste. Mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, ai u lut me përgjërim për drejtim dhe për falje të “mëkateve dhe marrëzive” të tij rinore (Joseph Smith—Historia 1:29). Në përgjigje të lutjes, dhoma e tij e gjumit në papafingo u mbush me dritë dhe u shfaq një lajmëtar qiellor, i quajtur Moroni. “[Ai] shpalli se ishte një engjëll i Perëndisë”, kujtoi Jozefi, “i dërguar që të sillte lajmet e gëzueshme se besëlidhja që Perëndia bëri me Izraelin e lashtë ishte pranë plotësimit, se do të fillonte shpejt puna përgatitore për ardhjen e dytë të Mesias; se ishte pranë koha kur do t’u predikohej me fuqi Ungjilli të gjithë kombeve, me të gjithë plotësinë e tij, që njerëzit të mund të përgatiteshin për mbretërimin Mijëvjeçar. Më informoi se unë isha zgjedhur të isha një vegël në duart e Perëndisë për të plotësuar disa nga qëllimet e Tij në këtë periudhë ungjillore të lavdishme.”6

Moroni i tha gjithashtu Jozefit se në një kodër aty pranë ishte groposur një përmbledhje shkrimesh të lashta, të gdhendura në fletë të arta nga profetë të lashtë. Ky anal i shenjtë përshkruante një popull të cilin Perëndia e udhëhoqi nga Jeruzalemi për në Hemisferën Perëndimore, 600 vjet para lindjes së Jezusit. Moroni ishte profeti i fundit mes këtyre njerëzve dhe kishte groposur analin, të cilin Perëndia kishte premtuar ta nxirrte në ditët e fundit. Jozef Smithi do ta përkthente këtë vepër të shenjtë në anglisht.

Për katër vitet e ardhshme, Jozefi do të takohej me Moronin tek kodra çdo 22 shtator për të marrë dije dhe udhëzime të mëtejshme. Atij do t’i duheshin këto vite përgatitjeje dhe përsosjeje vetjake që ta përkthente analin e lashtë. Ai duhet të ishte në lartësinë e detyrës së sjelljes së një vepre qëllimi i së cilës ishte për bindjen e “Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve” (faqja e titullit e Librit të Mormonit).

Vendosja e Mbretërisë së Perëndisë në Tokë

Fillon Përkthimi i Librit të Mormonit

Në pritje për të marrë fletët e arta, Jozef Smithi ndihmonte për plotësimin e nevojave materiale të familjes së tij. Në vitin 1825 ai shkoi në Harmoni të Pensilvanisë, të punonte për Xhosia Stouell. Atje ai bujti me pagesë tek familja e Isak dhe Elisabet Hejl dhe u takua me bijën e tyre Ema, një mësuese e gjatë, me flokë të errët. Më 18 janar 1827, Jozefi dhe Ema u martuan në Sauth Beinbrixh të Nju-Jorkut. Ndonëse martesa e tyre do të sprovohej nga vdekje të fëmijëve, vështirësi financiare dhe mungesat e shpeshta të Jozefit në shtëpi për të plotësuar detyrat e tij, Jozefi dhe Ema gjithmonë e deshën fort njëri-tjetrin.

Më 22 shtator 1827, katër vjet pasi i pa për herë të parë fletët, Jozefit së fundi iu besuan ato. Por pasi iu dhanë fletët, një turmë vendore bëri përpjekje të vazhdueshme dhe të fuqishme për t’i vjedhur ato. Për të shmangur këtë përndjekje, në dhjetor 1827, Jozefi dhe Ema u kthyen në Harmoni, ku jetonin prindërit e Emës. Pasi u vendosën atje, Jozefi filloi përkthimin e fletëve.

Nga fillimi i 1828-ës, Martin Herris, një fermer i suksesshëm nga Palmira, mori një dëshmi të punës së Zotit në ditët e mëvonshme dhe shkoi në Harmoni për të ndihmuar Jozefin për përkthimin. Nga qershori i atij viti, puna e Jozefit për përkthimin solli si rezultat 116 faqe dorëshkrimi. Martini vazhdimisht i kërkoi leje Profetit ta merrte dorëshkrimin në shtëpinë e tij në Palmira për t’ua treguar disa anëtarëve të familjes. Profeti iu lut Zotit dhe mori përgjigje negative, por ai e pyeti Zotin edhe dy herë të tjera dhe së fundi Martinit iu lejua ta merrte dorëshkrimin. Kur dorëshkrimi qe në Palmira, ai humbi, për të mos u gjendur kurrë më. Zoti i mori Urimin e Thumimin, si dhe fletët nga Profeti për një farë kohe, duke e lënë të përulur dhe të penduar. Në një zbulesë nga Zoti, Jozefi mësoi se ai duhej gjithmonë të kishte frikë nga Perëndia më shumë se nga njerëzit (shih DeB 3). Që nga ajo kohë, ndonëse ishte vetëm 22 vjeç, jeta e tij qe shembull i përkushtimit të plotë në plotësimin e çdo urdhërimi të Zotit.

Më 5 prill 1829, Oliver Kaudri, një mësues, një vit më i vogël se Jozefi, mbërriti në shtëpinë e Jozefit në Harmoni. Në përgjigje të lutjes, ai kishte marrë një dëshmi të vërtetësisë së punës së Profetit. Dy ditë më vonë, filloi sërish puna e përkthimit, ku Jozefi diktonte dhe Oliveri shkruante.

Rivendosja e Priftërisë së Perëndisë

Ndërsa Jozefi dhe Oliveri po punonin për përkthimin e Librit të Mormonit, ata lexuan rrëfimin e vizitës së Shpëtimtarit tek nefitët e lashtë. Si rezultat, ata vendosën të kërkonin udhëzim nga Zoti për pagëzimin. Më 15 maj ata shkuan të luten buzë lumit Suskuehana, pranë shtëpisë së Jozefit në Harmoni. Për habinë e tyre, i vizitoi një qenie qiellore, që e shpalli veten si Gjon Pagëzori. Ai u dha atyre Priftërinë Aarone dhe i udhëzoi të pagëzonin e të shuguronin njëri-tjetrin. Më vonë, siç premtoi Gjon Pagëzori, Jozefit dhe Oliverit iu shfaqën edhe apostujt e lashtësisë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, që u dhanë atyre Priftërinë Melkizedeke dhe i shuguruan Apostuj.

Para këtyre vizitave, Jozefi dhe Oliveri kishin dije dhe besim. Por pas shfaqjes së lajmëtarëve qiellorë, ata kishin edhe autoritet – fuqinë e priftërisë dhe autoritetin e Perëndisë të nevojshëm për të themeluar Kishën e Tij dhe për të kryer ordinancat e shpëtimit.

Botimi i Librit të Mormonit dhe Organizimi i Kishës

Gjatë prillit dhe majit të 1829-ës, puna e Profetit për përkthim në shtëpinë e tij në Harmoni po ndërpritej gjithnjë e më shumë nga përndjekjet. Si rezultat, Jozefi dhe Oliveri u zhvendosën përkohësisht në qytezën e Fajetës të Nju-Jorkut, për ta përfunduar përkthimin në shtëpinë e Piter Uitmer Plakut. Përkthimi u përfundua në qershor, më pak se tre muaj pasi Oliveri filloi të shërbejë si shkruesi i Profetit. Nga gushti, Jozefi lidhi kontratë me botuesin Egbert B. Grandin në Palmirë për të shtypur vëllimin. Martin Herris ia la peng fermën e tij z. Grandin për të siguruar pagimin e shpenzimeve të shtypjes dhe më vonë shiti 61 hektarë nga ferma e tij për të shlyer pengun. Libri i Mormonit ishte në dispozicion për t’iu shitur publikut në librarinë e Grandinit më 26 mars 1830.

Më 6 prill 1830, vetëm njëmbëdhjetë ditë pasi Libri i Mormonit u reklamua për shitje, një grup prej gati 60 vetësh u mblodh në shtëpinë prej trarësh të Piter Uitmer Plakut, në Fajet të Nju- Jorkut. Atje Jozef Smithi organizoi zyrtarisht Kishën, të quajtur më vonë me anë të zbulesës si Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shih DeB 115:4). Ishte një ngjarje e gëzueshme, me një derdhje të madhe të Shpirtit. U administrua sakramenti, besimtarët u pagëzuan, dhurata e Frymës së Shenjtë u dhurua dhe disa burra u shuguruan në priftëri. Në një zbulesë të marrë gjatë mbledhjes, Zoti e caktoi Jozef Smithin si udhëheqësin e Kishës: “shikues, përkthyes, profet, apostull i Jezu Krishtit, plak i kishës nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, Atit dhe hirit të Zotit tuaj Jezu Krisht” (DeB 21:1). Kisha e Jezu Krishtit u vendos edhe një herë në tokë.

Kirtland, Ohajo: Përhapja e Kishës

Ndërsa anëtarët e Kishës ndanin me entuziazëm të vërtetën që kishin gjetur, Kisha e re u rrit shpejt. Shpejt u themeluan degë në qytetet e Nju-Jorkut: Fajet, Mançester dhe Kolesvil. Në shtator 1830, pak pasi Jozef dhe Ema Smithi ikën nga Harmonia e Pensilvanisë për në Fajet, Zoti i zbuloi Profetit se misionarët duhet “të [shkonin] te Lamanitët” që jetonin në skajin perëndimor të Misurit (DeB 28:8). Udhëtimi i misionarëve i çoi ata përmes zonës së Kirtlandit të Ohajos, ku takuan një grup fetar në kërkim të së vërtetës dhe kthyen në besim rreth 130 prej tyre, përfshirë Sidni Rigdonin, që më vonë u bë anëtar i Presidencës së Parë. Grupi i shenjtorëve në Kirtland u rrit në disa qindra ndërkohë që anëtarët u shpërndanin ungjillin njerëzve rreth tyre.

Ndërkohë që Kisha rritej në Nju-Jork, rritej edhe kundërshtimi ndaj Kishës. Në dhjetor 1830, Profeti mori një zbulesë që udhëzonte anëtarët e Kishës “të [shkonin] në Ohio” (DeB 37:1), më shumë se 400 kilometra larg. Në pak muajt e mëtejshëm, shumica e shenjtorëve të Nju-Jorkut shitën pronat e tyre, shpesh me humbje të madhe, dhe bënë sakrificat e nevojshme për t’u mbledhur në Kirtland të Ohajos. Jozef dhe Ema Smithi qenë nga të parët që u nisën për në Ohajo dhe mbërritën në Kirtland rreth 1 shkurtit 1831.

Dy Vende Mbledhjeje për Shenjtorët

Në qershor 1831, ndërsa Kisha po forcohej në Kirtland, Zoti i drejtoi Profetin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës të udhëtonin për në Misuri. Atje Ai do t’u zbulonte atyre “[tokën] e trashëgimit [të tyre]” (shih DeB 52:3–5, 42–43). Gjatë qershorit dhe korrikut 1831, Profeti dhe të tjerë udhëtuan afërsisht 1448 kilometra nga Kirtlandi deri në kontenë Xhekson të Misurit, që ishte në kufirin perëndimor të kolonizimit amerikan. Pak pasi mbërriti, Profeti mori zbulesë nga Zoti që thoshte se “toka e Missouri-t, … është toka të cilën e kam caktuar dhe përkushtuar për mbledhjen e shenjtorëve. Si rrjedhim, kjo është toka e premtimit dhe vendi për qytetin e Sionit. … Vendi që tani quhet Independence, është vendi qendror; dhe një vend për tempullin shtrihet në perëndim” (DeB 57:1–3).

Në përmbushje të profecive të bëra nga profetët e lashtë biblikë, 25-vjeçari Jozef Smith, filloi të hedhë themelet e qytetit të Sionit në Amerikë. Në gusht 1831, ai kryesoi mbi përkushtimin e tokës si një vend mbledhjeje dhe përkushtoi një vend për tempullin. Pak kohë më pas, Profeti u kthye në Ohajo, ku i nxiti disa nga besnikët të mblidheshin në Misuri. Qindra shenjtorë duruan mundimet e udhëtimit të shekullit të 19-të për në zonat e pashkelura amerikane dhe kryen rrugën për në shtëpinë e tyre të re në Misuri.

Nga viti 1831 deri në 1838, anëtarët e Kishës jetuan edhe në Ohajo edhe në Misuri. Profeti, anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe shumë anëtarë të Kishës jetuan në Kirtland, ndërsa anëtarë të tjerë të Kishës u mblodhën në Misuri dhe u udhëhoqën atje nga udhëheqësit e tyre të priftërisë, nën drejtimin e Profetit. Udhëheqësit e Kishës mbanin korrespondencë me letra dhe shpesh udhëtonin ndërmjet Kirtlandit dhe Misurit.

Vazhdimi i Zbulesës

Ndërsa jetonte në zonën e Kirtlandit, Profeti mori nga Zoti shumë zbulesa në lidhje me rivendosjen e ungjillit në ditët e fundit. Në nëntor 1831, udhëheqësit e Kishës vendosën të botonin shumë nga zbulesat në një përmbledhje që do të titullohej Libri i Urdhërimeve. Libri do të shtypej në Indipendens të Misurit. Por në korrik 1833, turmat shkatërruan shtypshkronjën dhe shumë nga fletët e shtypura. Përveç pak kopjeve të librit që shpëtuan, Libri i Urdhërimeve nuk u bë kurrë i disponueshëm për anëtarësinë e Kishës. Në 1835, zbulesat e caktuara për Librin e Urdhërimeve, si edhe shumë zbulesa të tjera, u botuan në Kirtland si Doktrina e Besëlidhje.

Ndërsa jetonte në zonën e Kirtlandit, Profeti vazhdoi gjithashtu punën e tij për Përkthimin e Biblës prej Jozef Smithit, punë që e kishte filluar në 1830, sipas urdhërimit të Zotit. Ndër shekuj kishin humbur shumë gjëra të qarta e të çmueshme nga Bibla dhe Profeti u udhëhoq nga Shpirti për të bërë korrigjimet e tekstit të Variantit të Mbretit Xhejms për Biblën dhe për të rivendosur informacione që kishin humbur. Kjo punë çoi në rivendosjen e të vërtetave të rëndësishme të ungjillit, përfshirë shumë zbulesa të përfshira tani në Doktrina e Besëlidhje. Megjithëse Profeti kishte qëllim ta botonte rishikimin e tij të Biblës, çështje më të ngutshme, përfshirë përndjekja, nuk e lejuan ta botonte të plotë sa ishte gjallë.

Si pjesë e rishikimit të tij të frymëzuar të Biblës, Jozef Smithi mori zbulesën, që është tani libri i Moisiut, dhe një përkthim të frymëzuar të Mateut 24, që tani titullohet Joseph Smith—Mateu. Në 1835, Profeti filloi të përkthente librin e Abrahamit nga papiruse të lashta egjiptiane që i kishte blerë Kisha. Gjithë këto përkthime më vonë u bënë pjesë e Perlës me Vlerë të Madhe.

Ndërmjet zbulesave që mori Profeti në Kirtland ishin ato që krijonin qeverisjen e përgjithshme të Kishës. Nën drejtimin e Zotit, Jozef Smithi organizoi Presidencën e Parë në 18327. Ai organizoi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe një Kuorum të Të Shtatëdhjetëve në 1835. Një kunj u organizua në Kirtland në 1834. Gjatë kësaj periudhe ai themeloi gjithashtu kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke për t’u shërbyer nevojave të anëtarëve të Kishës në vend.

Tempulli i Parë në Këtë Periudhë Ungjillore

Si një nga pjesët më të rëndësishme të Rivendosjes, Zoti i zbuloi Jozef Smithit nevojën për tempujt e shenjtë. Në dhjetor 1832, Zoti i urdhëroi shenjtorët të fillonin të ndërtonin një tempull në Kirtland të Ohajos. Ndonëse shumë anëtarëve të Kishës u mungonin strehimi, punësimi dhe ushqimi i duhur, ata iu përgjigjën me entuziazëm urdhërimit të Zotit dhe Profeti punonte bashkë me ta.

Më 27 mars 1836, Jozef Smithi përkushtoi tempullin midis një derdhjeje të Shpirtit si në rrëshaja. Një javë më vonë, më 3 prill 1836, ndodhën disa nga ngjarjet më domethënëse në historinë fetare. Zoti Jezu Krisht iu shfaq në tempull Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit, duke deklaruar: “Unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi” (DeB 110:7). U shfaqën gjithashtu tre lajmëtarë nga periudhat e Dhiatës së Vjetër – Moisiu, Eliasi dhe Elija. Ata rivendosën çelësat dhe autoritetin e priftërisë që kishin humbur prej kohësh në tokë. Profeti Jozef Smith tani kishte autoritetin për të mbledhur Izraelin nga të katër anët e dheut dhe për të vulosur familjet së bashku për kohën dhe përjetësinë. (Shih DeB 110:11–16.) Kjo rivendosje e çelësave të priftërisë u bë sipas modelit të Zotit që i jepte Profetit “rresht pas rreshti, ide pas ideje; pak këtu e pak atje” (DeB 128:21) derisa në tokë u rivendos plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit.

Predikimi i Ungjillit të Përjetshëm

Gjatë gjithë shërbesës së Profetit, Zoti e drejtoi atë të dërgonte misionarë për “[t’i predikuar] ungjillin çdo krijese” (DeB 68:8). Vetë Profeti e ndjeu barrën e kësaj detyre dhe u largua shumë herë nga shtëpia dhe familja e tij për të shpallur ungjillin. Në vitet e para të Kishës, misionarët u thirrën për të predikuar në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Pastaj, në verën e 1837-ës, Profeti u frymëzua të dërgonte Pleqtë në Angli. Profeti e drejtoi Hiber C. Kimballin, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, të udhëhiqte një grup të vogël misionarësh në këtë ndërmarrje të madhe. Duke e lënë familjen pothuaj pa mjete jetese, Plaku Kimball u nis me besimin se Zoti do ta udhëhiqte. Brenda një viti, afërsisht 2.000 njerëz u bashkuan me Kishën në Angli. Më pas, Jozef Smithi dërgoi anëtarë të Të Dymbëdhjetëve në Britaninë e Madhe për të shërbyer nga 1839-a deri në 1841 dhe ky mision qe gjithashtu dukshëm i suksesshëm. Deri në vitin 1841, më shumë se 6.000 njerëz kishin përqafuar ungjillin. Shumë prej tyre emigruan në Amerikë, duke i dhënë jetë e duke e forcuar Kishën në kohë shumë të vështira.

Largimi nga Kirtlandi

Shenjtorët në Kirtland u përndoqën thuajse që nga koha kur mbërritën atje, por kundërshtimi u shtua në 1837 dhe 1838. “Në lidhje me mbretërinë e Perëndisë”, tha Profeti, “djalli gjithmonë ngre mbretërinë e tij në po të njëjtën kohë në kundërshtim të Perëndisë”8. Profeti ndjeu peshën kryesore të kundërshtimit, si nga armiqtë jashtë Kishës, ashtu dhe nga braktisësit që i ishin kthyer kundër. Atë e akuzuan padrejtësisht për shumë krime, e çuan në gjyq për dhjetra padi të pabaza penale dhe civile dhe e detyruan të fshihej nga ata që kërkonin ta vrisnin. Por ai mbeti besnik dhe guximtar në mes të shqetësimeve dhe kundërshtimeve thuajse të vazhdueshme.

Së fundmi, përndjekja në zonën e Kirtlandit u bë e padurueshme. Në janar 1838, Profeti dhe familja e tij u detyruan të largoheshin nga Kirtlandi dhe të gjenin strehim në Far-Uest të Misurit. Deri nga fundi i vitit, shumica e shenjtorëve në Kirtland e pasuan atë, duke lënë pas shtëpitë dhe tempullin e tyre të dashur.

Shenjtorët në Misuri

Dëbimi nga Konteja Xhekson dhe Marshimi i Kampit të Sionit

Ndërkohë që shenjtorët në Kirtland po përpiqeshin të forconin Kishën në zonën e tyre, shumë anëtarë të tjerë të Kishës po bënin të njëjtën gjë në kontenë Xhekson të Misurit. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme filluan të vendosen në kontè në verën e 1831-it. Dy vjet më vonë, ata ishin bërë rreth 1.200 shenjtorë, ose rreth një e treta e popullsisë së atjeshme.

Mbërritja e kaq shumë shenjtorëve i shqetësoi kolonizatorët e hershëm të kësaj zone. Banorët e Misurit kishin frikë se mos humbitnin kontrollin politik në favor të të sapoardhurve, që ishin shumica nga pjesa veriore e Shteteve të Bashkuara dhe nuk mbështetnin praktikën jugore të skllavërisë. Misurianët kishin dyshime edhe për doktrinat unike të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme – si besimi në Librin e Mormonit, zbulesa e re dhe mbledhja e Sionit – dhe i kishin zët shenjtorët e ditëve të mëvonshme që bënin tregti së pari midis tyre. Turma dhe milicia vendore shpejt filluan t’u binin në qafë shenjtorëve dhe, në nëntor 1833, i dëbuan nga konteja Xhekson. Shumica e shenjtorëve shpëtuan drejt veriut matanë lumit Misuri në kontenë Klej të Misurit.

Jozef Smithi ishte shumë i shqetësuar për gjendjen e vështirë të shenjtorëve në Misuri. Në gusht 1833 ai u shkroi nga Kirtlandi udhëheqësve të Kishës në Misuri: “Vëllezër, po të isha me ju, do të merrja pjesë aktivisht në vuajtjet tuaja dhe ndonëse natyra njerëzore zmbrapset prej tyre, shpirti im nuk do të më lejojë t’ju braktis, edhe sikur të vdes, nëse Perëndia më ndihmon. Oh, merrni zemër sepse çlirimi ynë është afër. O Perëndi, shpëto vëllezërit e mi në Sion”9.

Në shkurt 1834, Jozef Smithi mori një zbulesë që e drejtonte të udhëhiqte një ekspeditë nga Kirtlandi për në Misuri për t’u dhënë dorë shenjtorëve që po vuanin dhe për t’i ndihmuar ata të rivendoseshin në tokat e tyre në kontenë Xhekson (shih DeB 103). Në përgjigje të urdhrit të Zotit, Profeti organizoi një grup të quajtur Kampi i Sionit për marshim drejt Misurit. Në maj dhe qershor 1834, grupi, që përfundimisht përfshiu më shumë se 200 anëtarë, udhëtoi drejt perëndimit përmes Ohajos, Indianës, Ilinoisit dhe Misurit. Ata u sprovuan nga shumë vështirësi, përfshirë një shpërthim kolere. Më 22 qershor 1834, kur ekspedita iu afrua kontesë Xhekson, Profeti mori një zbulesë për ta shpërndarë kampin. Megjithatë, Zoti premtoi se Sioni do të shëlbohej në kohën e Tij. (Shih DeB 105:9–14.) Pasi organizoi një kunj në kontenë Klej, me president Dejvid Uitmerin, Profeti u kthye në Ohajo.

Ndonëse Kampi i Sionit nuk ua ktheu pronat shenjtorëve, ai siguroi trajnim të paçmueshëm për udhëheqësit e ardhshëm të Kishës, pasi pjesëmarrësit mësuan parimet e udhëheqjes së drejtë prej shembullit dhe mësimeve të Profetit. Në një mbledhje të pjesëmarrësve të Kampit të Sionit dhe anëtarëve të tjerë të Kishës, që u mbajt në Kirtland, më 14 shkurt 1835, Profeti organizoi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Dy javë më vonë, ai organizoi një Kuorum të Të Shtatëdhjetëve. Nëntë prej anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe të gjithë anëtarët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve kishin bërë pjesë në Kampin e Sionit.

Kolonizimi në Misurin Verior

Një numër i madh i anëtarëve të Kishës vazhduan të jetojnë në kontenë Klej të Misurit, deri në 1836, kur banorët e asaj konteje thanë se nuk mund t’u siguronin më vend strehimi. Si rrjedhim, shenjtorët filluan të zhvendosen në Misurin Verior, shumica u vendosën në kontenë Kollduell, një kontè e re e organizuar nga organet ligjvënëse të shtetit për të strehuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme të shpërngulur. Në 1838, me ta u bashkua një masë e madhe shenjtorësh që i kishin detyruar të braktisnin Kirtlandin. Profeti dhe familja e tij mbërritën atë mars në Far- -Uest, kolonia në lulëzim e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në kontenë Kollduell dhe vendosën atje selinë e Kishës. Në prill Zoti e drejtoi Jozef Smithin të ndërtonte një tempull në Far-Uest (shih DeB 115:7–16).

Fatkeqësisht, paqja e pati jetën të shkurtër për shenjtorët në Misurin Verior. Në vjeshtën e 1838-ës, turmat dhe milicia sërish u ranë në qafë dhe i sulmuan shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Kur anëtarët e Kishës u kundërpërgjigjën dhe u vetëmbrojtën, Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i arrestuan të akuzuar për tradhti. Në nëntor ata i burgosën në Indipendens, pastaj në Riçmond të Misurit dhe më 1 dhjetor, i dërguan tek burgu i Libertisë të Misurit. Atë dimër, Profeti dhe shokët e tij vuajtën në kushte çnjerëzore. Ata i kufizuan në birucën e burgut – një qeli e errët, e ftohtë dhe johigjienike – dhe iu dhanë ushqim kaq të keq sa nuk mund ta hanin, veçse kur i detyronte uria e madhe. Profeti e përshkroi gjendjen e tij dhe të shenjtorëve si “një sprovë e besimit tonë e njëjtë me atë të Abrahamit”10.

Ndërkohë që Profeti ishte i burgosur, mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme, përfshirë vetë familjen e Profetit, u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Misuri gjatë dimrit dhe pranverës 1838–1839. Më 7 mars 1839, Ema i shkroi Jozefit nga Kuinsi i Ilinoisit: “Askush veç Perëndisë nuk i di mendimet e mendjes sime dhe ndjenjat e zemrës sime kur lashë pas vatrën e shtëpinë e thuajse gjithçka që kishim, përveç fëmijëve tanë të vegjël dhe fillova udhëtimin tim për të ikur nga shteti i Misurit, duke të lënë ty të mbyllur në atë burg të shkretë”11. Nën drejtimin e Brigam Jangut dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës, shenjtorët u drejtuan në lindje për në Ilinois.

Vitet e Navusë

Udhëheqës i Dashur i Popullit të Tij

Në prill 1839, Profetin dhe shokët e tij i transferuan për në një tjetër vend gjykimi nga burgu i Libertisë për në Galatin të Misurit. Ndërsa të burgosurit po transferoheshin përsëri nga Galatini për në Kolumbia të Misurit, rojet i lejuan të arratisen nga burgimi i tyre i padrejtë. Ata udhëtuan për në Kuinsi të Ilinoisit, ku ishte mbledhur pjesa kryesore e Kishës pasi kishin marrë arratinë nga Misuri. Shumë shpejt, nën udhëheqjen e Profetit, shumica e shenjtorëve filluan të vendosen 80 kilometra më në veri në Komers të Ilinoisit, një fshat në një kthesë të lumit Misisipi. Jozefi i dha qytetit emrin e ri Navu dhe në vitet në vijim, anëtarë e të kthyer në besim u mblodhën të shumtë në numër në Navu që nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe, duke e bërë atë një nga zonat më të populluara në Ilinois.

Jozefi dhe Ema u vendosën pranë lumit, në një shtëpi të vogël prej trarësh, që shërbeu si zyra e Profetit në ditët e tij të para në Navu. Për të jetuar ai u mor me bujqësi dhe më vonë drejtoi një dyqan me mallra të shumëllojshme. Por për shkak se detyrat e tij në Kishë dhe ato civile i zinin shumicën e kohës, Profeti shpesh e pati të vështirë të kujdesej për nevojat materiale të familjes së tij. Në tetor 1841, zotërimet e tij vetjake renditeshin si: “Çarli plak (një kalë) që ia kishin dhënë në Kirtland, dy drerë të vegjël, dy gjeladeti pleq dhe katër gjeladeti të rinj, lopa plakë që ia kishte dhënë një vëlla në Misuri, Meixhëri i tij plak (një qen) … dhe pak orendi shtëpiake”12.

Nga fundi i gushtit 1843 Profeti dhe familja e tij u zhvendosën matanë rrugës, tek një shtëpi dy katëshe e ndërtuar rishtas, e quajtur Mensën Hauz. Jozefi dhe Ema tani kishin katër fëmijë të gjallë. Gjatë viteve ata kishin varrosur gjashtë fëmijë të dashur dhe një tjetër fëmijë do të lindte pas vdekjes së Jozefit. Njëmbëdhjetë fëmijët në familjen e Jozef dhe Ema Smithit ishin: Alvini, lindur në 1828, që vdiq pak pas lindjes; binjakët Tadeusi dhe Luiza, lindur në 1831, që vdiqën pak pas lindjes; binjakët e birësuar Jozefi dhe Xhulia, që iu lindën Xhon dhe Xhulia Murdokut në 1831 dhe që i morën Jozefi dhe Ema pasi Motra Murdok vdiq gjatë lindjes (Jozefi 11-muajsh vdiq në 1832)13; Jozefi III, lindur në 1832; Frederiku, lindur në 1836; Aleksandri, lindur në 1838; Don Karlosi, lindur në 1840, që vdiq në moshën 14 muajsh; një bir lindur në 1842, që vdiq po atë ditë që lindi; dhe Davidi, lindur në 1844, gati pesë muaj pas martirizimit të të atit.

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Profetit i pëlqente shumë të ishte mes shenjtorëve. Për qytetin e Navusë dhe banorët e tij ai tha: “Ky është vendi më i bukur dhe njerëzit më të mirë nën qiell”14. Nga ana e tyre, shenjtorët e donin dhe e ndienin se ai ishte miku i tyre dhe shpesh e thërrisnin “Vëllai Jozef ”. Një i kthyer në besim vërejti: “Tek ai kishte një magnetizëm vetjak që i tërhiqte drej tij të gjithë njerëzit që fillonin ta njihnin”15. “Ai nuk hiqet sikur është njeri pa të meta e gabime”, shkroi një banor i Navusë. “Ai është një njeri që nuk mund të mos ta simpatizosh; … ai as nuk mburret për madhështinë e tij si mund të mendojnë shumë njerëz, por përkundrazi është miqësor me çdo njeri të mirë.”16 Uilliam Klejton, një i kthyer në besim nga Anglia, u shkroi për Profetin nga Navuja të afërmve në vendlindje duke thënë: “Vërtet do të doja të isha njeri i tillë”17.

Profeti mbajti shumë fjalime në Navu dhe anëtarëve të Kishës u pëlqente shumë ta dëgjonin atë, sepse u mësonte me fuqi të vërtetat e zbuluara të ungjillit. Angus M. Kenon kujtoi: “Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të fliste pa më elektrizuar të gjithë qenien time dhe pa e bërë gjithë shpirtin tim të lëvdonte Zotin”18. Brigam Jangu deklaroi: “Nuk kam lënë të më shpëtojë asnjë rast për të ndenjur me Profetin Jozef dhe për ta dëgjuar kur fliste, në publik apo privatisht, që të mund të merrja dije nga burimi prej të cilit fliste ai, që të mund ta kisha atë dhe ta sillja kur të nevojitej. … Çaste të tilla kanë qenë më të çmuara për mua se e gjithë pasuria e botës”19.

Udhëheqja e Jozef Smithit shtrihej përtej përgjegjësive të tij fetare. Në Navu, Profeti u përfshi në shërbim civil, ligjor, biznesi, arsimor dhe ushtarak. Ai donte që qyteti i Navusë t’u ofronte qytetarëve të vet gjithë përfitimet dhe mundësitë e përparimit kulturor dhe civil. Në janar 1844, kryesisht sepse ishte i zhgënjyer që zyrtarët shtetërorë e federalë nuk siguruan rivendosjen e të drejtave dhe pronave që iu morën shenjtorëve në Misuri, Jozef Smithi shpalli kandidaturën e tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndonëse shumica e vëzhguesve e pranuan se ai kishte pak shanse për t’u zgjedhur, kandidatura e tij tërhoqi vëmendjen e publikut tek dhunimi i gjerë i të drejtave të shenjtorëve të garantuara nga kushtetuta. Të gjithë njerëzit, deklaroi njëherë Profeti “kanë të drejta të barabarta për të marrë nga frytet e pemës së madhe të lirisë sonë kombëtare”20.

Shenjtëri Zotit: Ndërtimi i një Tempulli Perëndisë në Navu

Kur shenjtorët i detyruan të linin Kirtlandin, ata lanë pas tempullin për të cilin kishin punuar aq shumë që ta ndërtonin. Por ata do të kishin edhe një herë një tempull të shenjtë mes tyre, pasi Zoti i urdhëroi ata të fillonin të ndërtonin një tempull në Navu. Puna filloi në vjeshtën e 1840-ës, ndërkohë që gurët e themelit u vendosën më 6 prill 1841, në një ceremoni të kryesuar nga Profeti. Ndërtimi i Tempullit të Navusë ishte një nga projektet më të rëndësishme të ndërtimit në atë pjesë që atëherë ishte Amerika Perëndimore. Ndërtimi i tempullit u kërkoi shenjtorëve të bënin sakrifica të pamasa, pasi me imigrimin e vazhdueshëm drejt qytetit në zhvillim, anëtarët e Kishës në përgjithësi ishin të varfër.

Profeti filloi t’u mësonte doktrinën e pagëzimit për të vdekurit që nga 15 gushti 1840. Meqenëse tempulli ishte në fazat e hershme të ndërtimit, shenjtorët fillimisht i kryen pagëzimet për të vdekurit në lumenjtë e përrenjtë e vendit. Në janar 1841, Zoti zbuloi se kjo praktikë mund të vazhdonte vetëm derisa pagëzimet të mund të kryheshin në tempull (shih DeB 124:29–31). Gjatë verës dhe vjeshtës të 1841-it, shenjtorët ndërtuan një vaskë pagëzimi të drunjtë, të përkohshme në bazamentin e sapogërmuar të tempullit. Pagëzimet për të vdekurit u kryen së pari në këtë pagëzore më 21 nëntor 1841.

Në 1841 u kryen vulosjet e para të çifteve dhe në 1843 Profeti diktoi zbulesën që përshkruan natyrën e përjetshme të besëlidhjes së martesës (shih DeB 132). Doktrinat në këtë zbulesë njiheshin nga Profeti që në 1831.21 Ashtu si e urdhëroi Perëndia, ai u mësoi gjithashtu doktrinën e martesës së shumëfishtë.

Meqenëse tempulli nuk do të përfundohej për njëfarë kohe, Jozef Smithi zgjodhi të vazhdonte me indaumentin e tempullit jashtë mureve të tij të shenjta. Më 4 maj 1842, në dhomën e sipërme të Dyqanit të tij me Tulla të Kuqe në Navu, Profeti ua administroi indaumentet e para një grupi të vogël vëllezërish, përfshirë Brigam Jangun. Profeti nuk jetoi sa ta shihte të përfunduar Tempullin e Navusë. Megjithatë, në 1845 dhe 1846, mijëra shenjtorë morën indaumentin e tempullit nga Brigam Jangu dhe të tjerë që i kishin marrë këto bekime nga Profeti.

Shërbesa e Jozef Smithit Shkon drejt Fundit

Ndërkohë që shenjtorët fillimisht gëzuan një paqe relative në Navu, retë e përndjekjes po mblidheshin gjithmonë e më shumë rreth Profetit dhe ai e ndjeu se misioni i tij tokësor po shkonte drejt fundit. Në një mbledhje të paharrueshme në mars 1844, Profeti i ngarkoi Të Dymbëdhjetët të qeverisnin Kishën pas vdekjes së tij, duke u shpjeguar se ata tani kishin të gjithë çelësat dhe autoritetin e nevojshëm për ta bërë këtë. Uillford Udraf, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në atë kohë, deklaroi më vonë: “Unë jap dëshmi se nga fillimi i pranverës së 1844-ës, në Navu, Profeti Jozef Smith mblodhi së bashku Apostujt dhe u dha atyre ordinancat e kishës dhe mbretërisë së Perëndisë. Dhe gjithë çelësat dhe fuqitë që Perëndia i kishte dhënë atij, ai i vulosi mbi kokat tona dhe na tha se duhet të shtrëngonim supet dhe ta çonim përpara këtë mbretëri, ose do të mallkoheshim. … Fytyra e tij ishte e kthjellët si qelibari dhe ai ishte mbuluar me një fuqi që nuk e kisha parë kurrë më parë tek ndonjë njeri i gjallë”22. Pas vdekjes së Profetit, përgjegjësia për Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë do të ishte e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Në qershor 1844 u ngrit kundër Profetit një padi për trazirë. Megjithëse ai u shfajësua nga kjo padi në Navu, guvernatori i Ilinoisit, Tomas Ford, nguli këmbë që Jozefi t’i nënshtrohej gjyqit për të njëjtën akuzë në Karthixh të Ilinoisit, selia e kontesë Hankok. Kur Profeti dhe vëllai i tij Hajrëm mbërritën në Karthixh, ata i liruan me kusht për akuzën fillestare por i akuzuan pastaj për tradhti kundër shtetit të Ilinoisit dhe i burgosën në burgun e vendit.

Gjatë pasdites së nxehtë e mbytëse të 27 qershorit 1844, një turmë me fytyra të lyera me të zezë mësyu burgun dhe vrau Jozef e Hajrëm Smithin. Rreth tre orë më vonë, Uillard Riçards dhe Xhon Tejlor, që kishin qenë në burg bashkë me martirët, dërguan një mesazh të trishtë në Navu: “Burgu i Karthixhit, ora 8:05 pasdite, 27 qershor 1844. Jozefi dhe Hajrëmi vdiqën. … Akti u krye në një çast”23. Në moshën 38-vjeçare, Profeti Jozef Smith e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij. Pasi përfundoi veprën e tij në vdekshmëri, vendosi për herë të fundit në tokë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë, Jozef Smithi ra nga plumbat e vrasësve. Për Profetin Jozef Smith, Vetë Zoti dëshmoi: “E thirra [Jozef Smithin] me anë të engjëjve të mi, shërbëtorëve të mi shërbyes, dhe me anë të zërit tim prej qiejve, për të sjellë veprën time; Themel të cilin ai e ngriti dhe ishte besnik; dhe unë e mora pranë vetes sime. Shumë vetë janë habitur nga vdekja e tij; por ishte e nevojshme që ai duhej ta vuloste dëshminë e tij me gjakun e tij, që të mund të nderohej dhe të ligjtë të mund të mallkoheshin” (DeB 136:37–39).

Jozef Smithi, profeti, shikuesi dhe zbuluesi i madh i ditëve të mëvonshme, ishte një shërbëtor trim e i bindur i Më të Lartit. Presidenti Brigam Jang shpalli: “Nuk mendoj se jeton ndonjë njeri në tokë që e njihte atë më mirë se unë; dhe unë kam guximin të them se, përveç Jezu Krishtit, asnjë njeri më i mirë s’ka jetuar ose jeton në këtë tokë. Unë jam dëshmitar i tij”24.

Shënime

  1. Wilford Woodruff, Deseret News: Semi-Weekly, 25 nëntor 1873, f. 1.

  2. Meqenëse pas foshnjërisë jetuan vetëm nëntë nga njëmbëdhjetë fëmijët e Joseph Smith Plakut dhe Lucy Mack Smith-it, anëtarët e familjes në përgjithësi i referoheshin familjes së tyre si të përbërë nga nëntë fëmijë. Gjithashtu, emri i motrës së Jozefit, Katharine është shkruar në forma të ndryshme gjatë jetës së saj edhe si Catherine.

  3. Joseph Smith, History 1832, f. 1, Letter Book 1, 1829–1835, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  4. Joseph Smith, History 1832, f. 1; Letter Book 1, 1829–1835, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  5. History of the Church, 4:536; nga një letër e Joseph Smith shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 707.

  6. History of the Church, 4:536–537; nga një letër e Joseph Smith shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 707.

  7. Presidenca e Parë fillestare përbëhej nga Joseph Smith-i si President dhe Sidney Rigdon e Jesse Gause si këshilltarë. Disa muaj pasi Jesse Gause u bë anëtar i Presidencës së Parë, ai u largua nga Kisha. Më 18 mars 1833, Frederick G. Williams u veçua si këshilltar në Presidencën e Parë.

  8. History of the Church, 6:364; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  9. Shënim i shkruar nga Joseph Smith prapa një letre të Oliver Cowdery-t drejtuar udhëheqësve të Kishës në Jackson County, Missouri, 10 gusht 1833, Kirtland, Ohio, Arkivat e Kishës.

  10. History of the Church, 3:294; nga një letër e Joseph Smith-it dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  11. Letër nga Emma Smith drejtuar Joseph Smith-it, 7 mars 1839, Quincy, Illinois, në Letter Book 2, 1837–1843, f. 37, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  12. History of the Church, 4:437–438; janë modernizuar shenjat e pikësimit; nga një letër e Dymbëdhjetë Apostujve drejtuar “Brethren Scattered Abroad on the Continent of America”, 12 tetor 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 569.

  13. Në maj 1831, pak pas vdekjes së binjakëve të tyre të porsalindur, Joseph dhe Emma Smith birësuan binjakët e sapolindur të anëtarëve të Kishës John dhe Julia Murdock. Binjakët e familjes Murdock i quajtën Joseph dhe Julia. Motra Murdock vdiq gjatë lindjes dhe Vëllai Murdock, që tani kishte pesë fëmijë të mbetur pa nënë, u kërkoi Smithëve të kujdeseshin për binjakët.

  14. History of the Church, 6:554; deklaratë e bërë nga Joseph Smith më 24 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Dan Jones.

  15. Mary Isabella Horne, “Testimony of Sister M. Isabella Horne”, Woman’s Exponent, qershor 1910, f. 6.

  16. Letër nga George W. Taggart drejtuar vëllezërve të tij në New Hampshire, 10 shtator 1843, Nauvoo, Illinois; në Albert Taggart, Correspondence, 1842–1848 dhe 1860, Arkivat e Kishës.

  17. Letër nga William Clayton drejtuar anëtarëve të Kishës në Manchester, England, 10 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, Arkivat e Kishës.

  18. Angus M. Cannon, në “Joseph, the Prophet”, Salt Lake Herald Church and Farm Supplement, 12 janar 1895, f. 212.

  19. Brigham Young, Deseret News: Semi- Weekly, 15 shtator 1868, f. 2.

  20. History of the Church, 3:304; nga një letër e Joseph Smith-it dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 132, kreu i seksionit.

  22. Wilford Woodruff, deklaratë e bërë më 12 mars 1897, në Salt Lake City, Utah; në Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 12 mars 1897, f. 2.

  23. History of the Church, 6:621–622; nga një direktivë e Willard Richards dhe John Taylor, 27 qershor 1844, Carthage, Illinois.

  24. Brigham Young, Deseret News, 27 gusht 1862, f. 65.

log home

Në kohën e Vegimit të Parë, Jozef Smithi jetonte bashkë me familjen në një shtëpi prej trarësh, në Palmira të Nju-Jorkut.

map of Palmyra

Ferma e Martin Herrisit

Vendi i Varrit të Alvin Smithit

Shtypshkronja e E. B. Grandinit

Ferma e Jozef Smith Plakut

Shtëpia me Skelet Druri e Jozef Smith Plakut

Korija e Shenjtë

Shtëpia prej trarësh druri e Jozef Smith Plakut

Kodra Kumorah

Fshati Palmira

Qyteza Masedon

Qyteza Palmira

Konteja Uejn

Konteja Ontario

Qyteza Mançester

Qyteza Farmington

Konteja Ontario

Konteja Uejn

Kanali Erie

Red Krik

Përroi Hethëuej

Udha Kanandaigua

Udha Staford

v

Milje

0

1/2

1

Kilometra

0

1

2

Zona e Palmirës së Nju-Jorkut. Këtu ndodhën shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së hershme të Kishës, përfshirë Vegimin e Parë dhe vizitat e Moronit tek Jozef Smithi.

Sacred Grove

Korija e Shenjtë rreth vitit 1907. Në pranverën e 1820-ës, djaloshi Jozef Smith shkoi tek kjo korije pemësh pranë shtëpisë së tij për t’iu lutur Zotit për udhëheqje.

Emma Smith

Ema Smith

Peter Whitmer Sr. home

Kopje e shtëpisë së Piter Uitmer Plakut në Fajet të Nju-Jorkut. Kjo shtëpi e rindërtuar ndodhet në vendin ku Profeti organizoi zyrtarisht Kishën më 6 prill 1830.

Church history sites

Indipendens

Riçmond

Liberti

Far-Uest

Adam-ondi-Ahman

Navu

Karthixh

Kuinsi

Kirtland

Hiram

Uashington, D. C.

Filadelfia

Nju-Jork-Siti

Kolesvil

Harmoni

Mançester

Palmira

Fajet

Sheron

Territori Paorganizuar

Misuri

Ajoua

Viskonsin

Ilinois

Miçigan

Indiana

Kentaki

Tenesi

Karolina Everiut

Virxhinia

Ohajo

Pensilvani

Nju-Jork

Vermont

NJ. H.

Kanada

Oqeani Atlantik

Lumi Misisipi

Vende të rëndësishme të historisë së hershme të Kishës dhe të jetës së Profetit Jozef Smith.

Kirtland Temple

Tempulli i Kirtlandit rreth vitit 1900. Ky tempull u ngrit me sakrificë të madhe nga shenjtorët, por atyre iu desh ta braktisnin pasi përndjekjet i dëbuan nga Kirtlandi.

Liberty Jail

Burgu i Libertisë, ku Profeti Jozef Smith u burgos gjatë dimrit 1838–1839.

Mansion House

Mensën Hauz në Navu. Profeti Jozef Smith dhe familja e tij u vendosën në këtë shtëpi në gusht 1843.

Nauvoo Temple

Tempulli i Navusë në mesin e viteve 1840. Tempulli u dogj në 1848 pasi shenjtorët i detyruan të braktisnin Navunë, një pjesë e mureve u shkatërruan më vonë nga një uragan, që i la aq të dobët muret e mbetura saqë duheshin rrafshuar.

Carthage Jail

Burgu i Karthixhit, ku Profeti Jozef Smith dhe i vëllai, Hajrëm, u martirizuan më 27 qershor 1844.